• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOLONEL DEMIRAJ: AKUZAT NDAJ UÇK TË PAVËRTETA

November 25, 2020 by dgreca

LUFTËTARËT E LIRISË TË PAFAJSHËM. AKUZAT NDAJ UÇK TË PAVËRTETA DHE TË PRODHUARA NGA SERBIA DHE RUSIA/

Kolonel Dritan Demiraj, “Nderi i Kombit” dhe “Mjeshtër i Madh” në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja, për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, deklaron se gjithë populli shqiptar beson në pafajësinë e UCK-së, pasi ajo  ishte një luftë e drejtë, çlirimtare dhe bëhej për të mbrojtur idealet e vendit dhe të popullit shqiptar në Kosovë për vetëvendosje. Sipas Kolonel Demirajt akuzat e Prokurorisë për vrasje të katolikëve në Kosovë është një narrativë e pastër serbo-ruse dhe krejtësisht e pavërtetë dhe e pabazuar. Akuzat për “Shtëpinë e Verdhë” dhe burgjet e pretenduara të UÇK në zonat e  thella të Shqipërisë janë gënjeshtra dhe propagandë serbe. 

DIELLI- Kolonel Demiraj si i shikoni ngjarjet në Kosovë pas arrestimit të kreut të shtetit Hashim Thaçi  e ish-kryeparlamentarve Krasniqi, Veseli e komandantëve e luftëtarëve të tjerë të UÇK? 

  • Në gjykimin tim arrestimi i komandantëve kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një nga ngjarjet më të rënda të historisë së shtetit të Kosovës dhe Kombit Shqiptar. Këto arrestime u  bënë në një moment kur dy muaj më parë në Shtëpinë e Bardhë u firmos marëveshja ekonomike  midis Kryeministrit Abdulla Hoti dhe Presidentit Aleksandër Vuçiç,  një marëveshje që për hir të së vërtetës mundësonte që Serbia të përfitonte shumë më tepër sesa Kosova. Besoj se  duhet theksuar se në momentin e arrestimit të Presidentit Thaçi,  ish-Kryetarëve të Parlamentit të Kosovës Krasniqi dhe Veseli dhe arrestimin e  kryetarit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, njërit nga gjeneralët më të mëdhenj të UÇK  gjeneral major Rexhep Selimit është krijuar një vakum i qënësishëm politik dhe i sigurisë. Pikërisht ky vakum dhe mbështetja e  paprecedentë që jep në vazhdimësi miku i “Sandrit” në Shqipëri, bëri që javën e  kaluar ish-ministri i kasapit të Ballkanit Sllobodan Milosheviç (Vuçiçi)  të guxonte nëpërmjet një interviste të kërcënonte Kosovën me një ndërhyrje ushtarake, duke e krahasuar në mënyrë shoviniste situatën e konfliktit të fundit në Nagorni Karabak me mospërmbylljen e  objektivave strategjike të Serbisë në Kosovë. Duhet theksuar se ky është momenti kur e gjithë klasa politike në Kosovë duhet të heqë mënjanë interesat personale dhe të zgjedhin një president i/e  cili të jetë një përsonalitet i respektuar, me eksperiencë politike i/e cili të ketë dhe mbështetjen e perëndimit. Sa  i përket kohës për të cilën do të gjykohen këta ish-drejtues të luftës dhe politikës së Kosovës,  edhe pse është një proces nul dhe i padrejtë, përsëri gjykoj se për fat të keq ky proces do zgjasë  me vite. Në këtë situatë partitë politike në Kosovë kanë vetëm dy rrugëzgjidhje,  ose të arrijnë një marrëveshje për forcimin e qeverisë së Kosovës,  ose të shkojnë në zgjedhje të parakohshme. Duhet theksuar se nga 2011 e në vazhdim, bisedimet me Serbinë janë bërë në hijen e Tribunalit  Special.

DIELLI: Drejtësia ndërkombëtare, a po luan një padrejtësi shqiptare duke e barazuar UÇK me  një ndërmarrje të përbashkët kriminale?

-Kjo padyshim që është një nga padrejtësitë më të mëdha me të cilën po  përballen shqiptarët në shekullin e XXI-të. Në rast se UÇK do të ishte ndërmarrje kriminale, atëherë vetvetiu del pyetja  se përse NATO dhe SHBA-të ishin partnerët më të ngushtë të saj. Nëse do të ishte e  kundërta, atëherë ata nuk do të pranonin të bashkëpunonin me ta, pasi dihet SHBA-të janë djepi i demokracisë në botë, ndërkohë që NATO është organizata më e madhe politiko-ushtarake e  sigurisë në botë. Pikërisht ky është dhe paradoksi i kësaj drejtësie dhe i akuzave që ajo  paraqet ndaj heronjve tanë kombëtarë. Nëse UÇK do të konsiderohej si e  tillë, atëherë edhe ata të cilët bashkëpunuan me të do të konsideroheshin si të tillë dhe së bashku me Selimin, Veselin, Krasniqin dhe Thaçin duhet të ishin edhe gjeneralët amerikanë. Nëse këta të dy e mbështetën çështjen dhe idealin e tyre, atëherë me keqardhje e them që këtu drejtësia është e njëanshme.  Nëse këto “krime” të supozuara (të cilat nuk kategorizohen aspak si krime kundër njerëzimit)  kanë ndodhur në kohën kur njësitë e Arkanit dhe të paramilitarëve serbë vrisnin, digjnin,  përdhunonin dhe zhvendosnin mijëra fëmijë, gra, motra dhe qytetarë të paarmatosur, atëherë a  nuk ishte misioni i tyre që të mbronin jetën dhe pasurinë e qytetarëve të tyre?  Më duhet t’i rikujtoj lexuesit, se këto ngjarje kanë ndodhur gjatë kohës që komandantët tanë po  zhvillonin luftën çlirimtare. Gjatë luftës dhe pas saj, luftëtarët dhe komandantët e UÇK kanë bashkëpunuar me trupat e NATO-s. Të gjithë i mbajnë mend pamjet kur luftëtarët e UÇK në rresht pas  thirrjes së SHBA-ve dhe NATO-s dorëzuan krejtësisht arsenalin e armëve, e gjithë kjo nën mbikqyrjen e  vazhdueshme dhe sipas rregullave të përcaktuara nga ndërkombëtarët.  Për këtë qëllim, më duhet të sjell në vëmendjen tuaj edhe rezolutën ndërkombëtare 1244 tëOKB-së.  

DIELLI: A e rrezikojnë stabilitetin e shtetit dhe unitetin e popullit ngjarjet në Kosovë, ku një ndër akuzat e Prokurorisë Speciale është vrasja e katolikëve në Kosovë?

-Vrasja e katolikëve në Kosovë është një narrativë e pastër serbo-ruse. Prej kohësh propaganda,  qeveria, parlamenti, organizatat “Think Tank”, kisha ortodokse serbë, OJQ-të, etj janë përpjekur  duke harxhuar shuma të mëdha parash të përfituara nga trafiqet e drogës dhe nga shitja e  paligjshme e armëve te grupet terroriste nëpër botë, me qëllim që ta  paraqesin qeverinë dhe popullsinë e Kosovës si një shtet ku qytetarët e së cilës janë ekstremistë Islamikë dhe terroristë,  ndërkohë që në fakt është e kundërta. Në këtë linjë, një mbështetje të madhe ka  dhënë edhe fushata e vazhdueshme dizinformuese e Ministrisë së Jashtme Ruse. Vrasja e  civilëve katolikë në Kosovë është krejtësisht e pabazuar. Ajo bëhet me qëllim krijimin e një përçarje midis  relegjioneve, e cila është në fakt një çështje shumë e ndjeshme ndërkombëtare, duke  shkaktuar përçarje midis religjioneve si dhe destabilititet politik brënda vendit. Kjo  padyshim që cënon sigurinë e brendshme edhe në rajon,  pasi Ballkani përbëhet nga një religjion miks, ku janë të gërshetuara të tre besimet fetaresi ajo Muslimane, e Krishterë dhe Ortodokse. 


DIELLI: Si ushtarak i lartë i shtetit shqiptar dhe si njohës i shkëlqyer i ngjarjeve të kohës,  terrenit dhe protagonistëve, si i gjykoni akuzat për Shtëpinë e Verdhë dhe burgjet e pretenduara të UÇK  në Shqipërinë verilindore?

-Akuzat për “Shtëpinë e Verdhë” dhe burgjet e pretenduara të UÇK në zonat e  thella të Shqipërisë janë gënjeshtra dhe propagandë serbe, të cilat janë ngritur me  të vetmin qëllim që të justifikojnë krimet kundër njerëzimit, genocidin, mbi 20.000 përdhunime grash dhe vajzash,  vrasjen e mijëra civilëve, shpërnguljen masive të mbi 800.000 qytetarëve të Kosovës,  shkatërrimin dhe grabitjen e dhjetëramijëra shtëpive dhe bizneseve shqiptare. E them këtë me  bindje, pasi në atë kohë kam qënë efektiv i njësisë më speciale shqiptare,  kohë në të cilën kam patur akses të plotë duke kontrolluar pothuasje të gjitha “bazat” dhe kampet pritëse, tek shumica  e informacioneve shtetërore dhe jo vetëm, dhe e them me bindje të plotëse një akuzë e  tillë është përgatitur vetëm nga prokurorët serbë nuk është aspak e vërtetë. Ajo që vlen të diskutohet, është  se një akuzë e tillë antishqiptare hidhet në mediat shqiptare nga një politikan shqiptar,  i cili tashmë është provuar përpara gjithë kombit se  është bashkëpunëtor dhe mik i ngushtë i ish-ministrit të propagandës së makinës vrasëse të Millosheviçit. Këto mbeturina të politikës shqiptare do të mbahen mend në historinë e vendit tonë si tradhtarët më të poshtër të Kombit Shqiptar, njëlloj siç do të mbahet mend si heronjtë e Kombit Shqiptar Ramush dhe Daut  Haradinaj, Rexhep Selimi, Limaj, Krasniqi, Veseli, etj.  



DIELLI:. A besoni në pafajësinë e UÇK dhe luftëtarëve të saj? Si do dalë Kosova pas  kësaj përballje në Gjykatën Speciale? 

-Padyshim që jo vetëm unë, por gjithë populli shqiptar beson në pafajësinë e UCK-së, pasi ajo  ishte një luftë e drejtë,  çlirimtare dhe bëhej për të mbrojtur idealet e vendit dhe të popullit shqiptar në Kosovë për vetëvendosje. Unë dhe të gjithë ne besojmë në idealet dhe pafajsinë e  drejtuesve kryesorë të UÇK dhe sigurisht koha do ta vërtetojë se ata janë të pafajshëm, e bashkë  me ta edhe lavdinë që ajo e meriton përgjatë historisë. Nëse indidivë të tillë, pas  luftës gjatë karrierës politike kanë bërë shkelje ligjore, atëherë më duhet të them  se të dy periudhat duhet të ndahen nga njëra-tjetra dhe secili duhet të mbajë përgjegjësi individuale, të japë llogari përpara ligjit dhe nëse faktet vërtetojnë ndonjë akuzë të tillë, atëherë kjo duhet të ndahet nga ideali i madh i UÇK-së. Personalisht kam besim të plotë se vetë UÇK dhe drejtuesit e saj, të cilët sot po  akuzohen padrejtësisht sot, do të fitojnë nderin dhe lavdinë që i takon dhe do të zënë vendin e  tyre në historinë e popullit shqiptar.  

DIELLI: Si e  gjykoni qëndrimin publik të kryeministrit të Shqipërisë Rama në artikulimin mediatik rreth çështjes së Kosovës? 

Ekzibicionistët politikë si Kryeministri i Shqipërisë,  për pak vëmendje dhe mbijetesë politike sakrifikojnë interesat kombëtare dhe çdo gjë. Interesat kombëtare nëpërkëmben pikërisht atëherë kur politikanët mediokër synojnë të zgjidhin “probleme globale”. Çështja e  Kosovës nuk duhet të trajtohet si e ndarë, pasi është pjesë e çështjes shqiptare në Ballkan. Serbia që nga viti 1995,  sot ka marrëdhëniet më të këqija me vendet e rajonit. Dhe në këtë situatë, Edi Rama po  i shërben Beogradit si një farë ‘normalizuesi’ për hegjemoninë e Serbisë në Ballkan. Pavarësia e  Kosovës në raport me Serbinë nuk mbrohet me deklarata butaforike në Beograd, por  përmes trysnisë që i duhet bërë Serbisë, në koordinim midis diplomacisë së Prishtinës dhe Tiranës. Edi Rama  është bërë pjesë aktivee projektit për asgjësimin, anashkalimin dhe mënjanimin e njohjes së Kosovës si  moment kyç e parimor, duke përdorur si instrument “Minishengenin”,  i cili në fakt i shërben vetëm Serbisë. Në takimin që pati me ish-Kryeministrin e Kosovës z. Albin Kurti në Tiranë,  Rama theksoi: “Nuk ka makroshengen shqiptar pa minishengenin ballkanik”! pra,  ky Esadist tradhtar vendos përpara bashkëpunimit të faktorit shqiptar, projektin serb të “Jugosllavisësë Re”!  Këto projekte do të hapnin tema që janë mbyllur përfundimisht pas  pavarësimit të Kosovës dhe njohjeve të rëndësishme ndërkombëtare (rreth 117 të tilla sot),  përfshirë këtu edhe vendimin afirmativ të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Duke qenë se  nuk kishte asnjë përgatitje për këtë ndërmarrje apo ndonjë ndjenjë për qytetarët e Kosovës, ai ra në kurthin e Serbisë, e cila me vite të tëra synon diskutimin në lidhje me ndarjen e Kosovës. Por,  këtë lojë të ndyrë antishqiptare, ky mediokër politik bashkë edhe me ndonjë që po vuan sot pasojat e atyre që ka  gatuar këto 19 vite, në çështjen mbarëshqiptare e ka filluar herët investimin e  tij antishqiptar dhe nuk mund të themi që kjo është thjeshtë një koinçidencë. Edi Rama,  gjatë gjithë aktivitetit të tij publicitar dhe politik ka vlerësuar dhe admiruar jo më pas se katër antishqiptarë të shquar serb.  Këtu nuk mund të lë pa përmendur Ivo Andriçin, Aleksandër Vuçiçin, Goran Bregoviçin dhe  Sinisa Mihajloviçin. Andriçi për llogari të Serbisë bëri projektin e  dëbimit të shqiptarëve nga territoret etnike (1938). Aleksandër Vuçiçi, ish-ministri i propagadës së kasapit të Ballkanit gjatë Luftës në Bosnje dhe në Kosovë, i cili kishte shërbyer si konobar(kamarjer)  i Sheshelit dhe Milosheviçit. Goran Bregoviç, me profesion nacionalist serb,  ishte frymëzues dhe idhull i ushtrisë vrastare serbe gjatë luftës në Kosovë me këngën “Pucaj”. Ai  i këndonte kallashit serb që vriste popullatën kroate e shqiptare. Për këtë këngë shoviniste serbe mori edhe çelësat e Qytetit të Tiranës nga Edi Rama, direkt pas konfliktit në Kosovë në kohën kur ishte Kryetar i Bashkisë. Sinisa Mihajloviç një nacionalist serb, mik i ngushtë i kriminelëve të luftës Zeljko Ranatoviç (alias Arkan) dhe kasapit të Ballkanit Ratko Mlladiç. Tani vetvetiu lind pyetja: Po  Ramoviçi cilit komb i takon, se vetëm shqiptar nuk mund të quhet ai me aktivitetin e tij politik, por  një “Kalë Troje” në çështjet shqiptare!


DIELLI: A po tenton të fitojë pikë në publik kryeministri Rama duke  akuzuar kundërshtarët politik në Shqipëri rreth raportit të Dik Martit, rolin e liderit të opozitës Basha dhe akuzat si hetues i UCK? Ky amplifikim shtetëror dhe i mediave pranë Kryeministrit a e dëmton Kosovën në këtë moment?

-Idetë dhe propaganda e majtë, gjithmonë riciklojnë teza “konspirative”  për konsum të brendshëm sa herë Kryeministrit Shqiptar i zbulohen djallëzitë politike, ekonomike e  korruptive si dhe antishqiptare që ai dhe shpura e tij politike ka bërë sidomos këto tetë vitet e fundit. Këto  ide, rishtaz i riciklohen në përpjekje për të mbuluar keq-qeverisjen e tij njëlloj si në rastin e  Dik Martit dhe merr “përsipër” zgjidhjen e problemeve “globale” e “rajonale” ose të akuzojë liderin e  opozitës Basha, me qëllim që të justifikojë antishqiptarizmin dhe dështimin e  tij si kryeministër i vendit. Ai duhet të hetohet nga Institucionet e Sigurisë Kombëtare në Shqipëri, prokuroria,  gjykata, për një sërë faktorësh të cilat lidhen me vendosjen e taksës në rrugën e kombit,  qëndrimi denigrues ndaj Kosovës, etj. Mos reagimi nga Edi Rama përballë lobimit të egër të Serbisë për mosnjohjet e Kosovës dhe tërheqjen e disa njohjeve të saj të bëra më parë, nuk janë  as më pak as më shumë se vërtetim i saj që sapo thashë më lart. Qëndrimi publik denigrues, fyes dhe thellësisht stigmatizues ndaj Kosovës dhe liderve të saj, duke akuzuar dhe çuar në gjyq  heroin e gjallë të Kosovës Ramush Haradinaj, vetëm se nuk pranoi të bëhej pjesë e  veprimit antikombëtar të projektit serb për ndarjen e veriut të Kosovës, përse ai dhe qeveria e tij e drogës,  PPP-ve, korrupsionit, trafiqeve dhe shpërnguljes masive të shqiptarëve jashtë vendit,  etj nuk guxojnë të hapin një akuzë ndërkombëtare për genocidin serb në Kosovë në vitet 1998-1999  ose të paktën ta miratojë në Parlamentin e tij të mbushur me analfabetë? Si përfundim,  këto sjellje të kryeministrit shqiptar për mendimin tim e dëmtojnë shumë imazhin e Kosovës.

DIELLI: Kryetari i grupit parlamentar të PS në Shqipëri ka deklaruar se do  ngrihet një Komision Parlamentar që do hetojë raportin e Dik Martit, a është kjo një përpjekje e  funksionarëve të qeverisë dhe institucioneve për të larguar vëmëndjen nga dështimet e qeverisë dhe dështimet e  menaxhimit të pandemisë globale në Shqipëri?

  • Po pa dyshim që po,  ky komision mund të ngrihej vetëm për të larguar vëmendjen nga dështimet spektakolare të qeverisë. Prej tetë vitesh tashmë, qeveria e  Ramës është kapur në shkelje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ka keqqeverisur më keq se askush më parë,  mbushi vendin me drogë dhe ka rritur kultivimin e kanabisit me rreth 236 herë për 4 vite, ka  shpëngulur mbi 600.000 shiptarë si pasojë e varfërisë, mungesës së shëndetësisë, vendeve të punës,  mungesës së institucioneve të drejtësisë, vjedhjes së rreth 7 miliardë dollarëve me PPP, rritjen në  85 përqind të borxhit të jashtëm, mbushjen e Parlamentit dhe bashkitë e Shqipërisë me vrasës,  përdhunues, trafikantë droge, armësh, analfabetë, hajdutë, kriminelë, etj. Unë mendoj se  komisioni i ngritur nga shoku i ngushtë i trafikantëve të drogës Balla dhe zëdhënësi i Ramës në parlamentin monist nuk do të ngrihet, pasi ai është diskretituar madje pa filluar akoma dhe çdo gjë që Edi Rama dhe shpura e tij antishqiptare kanë përgatitur kundër Bashës ka dalë në dritën e  diellit. 

Filed Under: Featured Tagged With: Interviste, Kolonel demiraj, Sokol Paja

Artikujt e fundit

  • Xhevat Kallajxhiu, kontributi patriotik e publicistik nga “Zëri i Amerikës” te gazeta “Dielli”  
  • Në veriun e Mitrovicës para 23 viteve serbët vranë e dëbuan shqiptarët
  • Boshnjakët dhe shqiptarët kërkojnë reciprocitet të të drejtave
  • Maya Angelou mbretëresha e poezizë zezake 
  • SHQIPTARO-AMERIKANËT SHËNOJNË 1-VJETORIN E VARRIMIT TË SENATORIT BOB DOLE
  • New Proposal on School Meals Includes First Limits on Added Sugars
  • Nga Dante Aligieri dhe piktori i famshëm italian Mariotto Albertinelli tek djali i Drenicës përndjekur nga genocidi serb
  • SHQIP NË ASPROPIRGO – ATHINË
  • 15 VJETORI I PAVARËSISË SË KOSOVËS NË NEW YORK
  • Emri im nuk është Marjuana!
  • PIKËPYETJE…
  • William McKinley, Presidenti i 25-të i ShBA
  • Kosova’s 15th Anniversary of Independence Celebration
  • PAL ËNGJËLLI, KRYEIPESHKËV I DURRËSIT I SHKRUAN GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEUT – PRINCIT TË EPIROTËVE PËR FILLIMIN E LUFTËS KUNDËR SULLTANIT OSMAN – MEHMETIT TË II-TË
  • In Memoriam Presidenti Woodrow Wilson

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT