Nga Frank SHKRELI- Ishte fillimi i 1970-ave. Bota ishte e ndarë në dy kampe politiko-ushtarake, atë të komunizmit lindor dhe Perëndimit demokratik. Por kishte filluar edhe periudha e “détente-ës”, midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik – një politikë kjo uljesh të tensioneve midis dy palëve – një politikë që erdhi duke u forcuar me vizitën e ish-presidentit amerikan Riçard Nikson në Moskë dhe takimit të tij me udhëheqsin komunist sovjetik, Leonid Brezhnev, në Maj të vitit 1972. Ndërkohë kishte filluar edhe thyerja e akullit në marrëdhëniet midis Washingtonit dhe Kinës komuniste me vizitën e Presidentit Nikson në Kinë në Janar të vitit 1972. Kjo vizitë shënoi gjithashtu një këthesë me rëndësi në marrëdhëniet strategjiko-diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës komuniste duke kulminuar, eventualisht, në vendosjen e marrëdhënieve zyrtare diplomatike midis dy vendeve, në Janar të vitit 1979.
Përball gjithë këtyre lëvizjeve diplomatike të Shteteve të Bashkuara me dy qendrat kryesore të komunizmit botëror, komuniteti shqiptaro-amerikan në atë kohë ishte, natyrisht, i shqetësuar dhe shumë i interesuar për gjëndjen në Shqipërinë komuniste të asaj kohe dhe se si të gjitha ato lëvizje diplomatike midis Amerikës dhe dy qendrave kryesore komuniste të botës — sidomos me Kinën komuniste, deri atëherë aleate e ngushtë e Shqipërisë – do të afektonin zhvillimet në Shqipërinë komuniste.
Si përfundim i këtyre shqetësimeve të komunitetit, më kujtohet një ndër takimet e para me kongresmenin e zonës tonë elektorale të asaj kohe në Bronks, Mario Biaggi-n, në fillim të viteve 1970-a. Qëllimi ishte për të mësuar më shumë se ç’mendonte ai dhe Kongresi, në përgjithësi, mbi ato zhvillime në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe dy fuqive të mëdha komuniste dhe si këto lëvizje mund të afektonin vendet satelite të tyre, përfshirë Shqipërinë. Më kujtohet se ish-kongresmeni Biaggi qe treguar shumë i interesuar për gjëndjen në Shqipëri, për të cilën dukej se ishte i mirë-informuar dhe njëkohësisht ofroi bashkpunimin e tij dhe ndihmën për të informuar Kongresin mbi situatën në Shqipëri. Kongresmeni Biaggi ishte kundër përmirësimit të marrëdhënieve të Washingtonit me botën komuniste – ashtu siç ishin edhe shumë kongresmenë të tjerë të dy partive politike – për derisa ato vende shkelin brutalisht të drejtat bazë të qytetarëve të vet dhe të vendeve të tjera satelite të tyre, siç ishte Shqipëria. Pas një takimi në Nju Jork me një grup nga komuniteti i atëherëshëm shqiptaro-amerikan, kongresmeni Mario Biaggi, me t’u këthyer në Washington bëri një deklaratë të fortë kundër përmirësimit të marrëdhënieve të Washingtonit me Kinën komuniste, duke kritikuar, njëkohësisht, edhe marrëdhëniet e Kinës komuniste me regjimin e Enver Hoxhës.
“Zoti Kryetar” – iu drejtua ai Kongresit – “Janë disa që thonë se në vitin 1970 e mbas duhet të jetë koha për uljen e tensioneve midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës komuniste. Ata thonë se duhet të jemi miq me ta, të tregëtojmë dhe t’i lejojmë ata që të përhapin influencën e tyre komuniste kudo në botë…Z. Kryetar, unë i them jo kësaj politike pajtuese. Unë nuk dëshiroj asnjë të mirë nga një miqësi me një shtet, i cili vazhdon të zbatojë një politikë të dominimit botëror komunist. Sot për sot, vetëm tri shtete janë nën influencën e Kinës së kuqe. Një ndër këto shtete është Shqipëria”, u ka thënë kongresmeni Mario Biaggi kolegëve të tij ligjvenës amerikanë. “Nëqoftse regjimi komunist dhe zbatimi i ligjit në Shqipëri janë një shembëll për të gjithë ne se çfarë do të ndodhte nëqoftse Kina e kuqe do të lejohej të përhapte influencën e saj politike dhe ideologjike edhe në shtete të tjera, unë besoj se atëherë Amerika do t’i dënonte ata popuj drejtë ferrit në tokë”, ka thekësuar Biaggi në deklaratën e tij në Kongresin amerikan në fillim të viteve 1970-ave.
Në fjalimin e tij, kongresmeni Biaggi ka folur për mungesën e lirive bazë nën regjimin komunist në Shqipëri si dhe për vështirsitë e mëdha me të cilat përballeshin shqiptaro-amerikanët – shumë prej të cilëve jetonin në zonën e tij elektorale në Bronks – për të kontaktuar me familjarët e tyre në atdhe, përfshirë pengesat, madje edhe për të dërguar e marrë letra nga Shqipëria. Ai pat folur gjithashtu edhe për ligjin kundër fesë, vrasjen dhe internimin e shumë klerikhve due kundërshtarëve të regjimit si dhe mbylljen ddhe shkatërrimin e kishave dhe të xhamive, anë e mbanë vendit, duke e shpallur veten si vendi i parë ateist në botë.
Pasi numëroi një numër shkeljesh të të drejtave të njeriut nga regjimi komunist në Shqipëri — një vend i lidhur ngusht me Kinën komuniste në atë kohë — kongresmeni Biaggi, iu drejtuar kolegëve të tij duke thënë se, akte të tilla të dhunëshme dhe shkeljeve të rënda të drejtave bazë të njeriut, si këto në Shqipërinë komuniste aleate të Kinës – “Nuk janë tipike të një vendi që kërkon paqë ndërkombëtare dhe miqësi, por janë tipike të vendeve ku mbretëron doktrina e llojit të komunizmit kinez.” Duke folur për Shqipërinë e atëhershme, ai ka thekësuar se, “Ne nuk kemi marrëdhënie diplomatike me regjimin e Shqipërisë dhe me u thenë të drejtën, unë as nuk mendoj se duhet të kemi marrëdhënie me atë regjim.”
Me atë rast, kongresmeni Mario Biaggi i ka bërë thirje Kongresit Amerikan, “Se nëqoftse duam të ndalojmë krijimin e Shqipërive të tjera dhe të ndalojmë që edhe popuj të tjerë të bien nën kethetrat e tiranive të tilla të tipit kinez, atëherë ne duhet të ndalojmë gjithë tregëtinë dhe shkëmbimin e të dhënave, derisa ata të sigurojnë të drejtat e njeriut dhe zbatimin e tyre, udhëtimin e lirë dhe lirinë e fesë”, ka thënë ndër të tjera, ish-kongresmeni amerikan Mario Biaggi në fjalimin e tij para Dhomës së Përfaqsuesve të Kongresit amerikan, në fillim të 1970-ave, ndërsa ka folur mbi marrëdhëniet e Kinës me Shtetet e Bashkuara dhe me Shqipërinë, si aleate e ngushtë, satelite besnike e Kinës së Mao Tse Tung-ut – pas një takimi që kishte zhvilluar në Nju Jork me një grup shqiptaro-amerikanësh.
Shqiptaro-amerikanët në takim me ish-kongresistin amerikan Mario Biaggi, nga e majta në të djathtën, Janar, 1974: Gjon Gjinaj, Tonin Mirakaj, Kongresisti Mario Biaggi, Lume Juka, Nikoll Vneshtaj, Dr. Mons. Zef Oroshi, Frank Shkreli, Fran Sokoli dhe Anton Syku.
Pothuaj 50-vjet nga vizita e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara Riçard Nikson në Kinë, Kryediplomati aktual i Shteteve të Bashkuara, Mike Pompeo ka deklaruar verën që kaloi se marrëdhëniet me Kinën kanë dështuar dhe se, “Nëqoftse bota e lirë nuk ndryshon Kinën Komuniste, atëherë ajo sigurisht që do na ndryshojë ne” dhe ka bërë thirrje për një grupim vendesh që mendojnë si ne, me qëllim që të përballemi me këtë sfidë, ka thënë ai.
Ndërkaq, edhe Shqipëria e sotëme ka nevojë për një reflektim të thellë të marrëdhënieve të saja – 30-vjet post-komunizëm — me vende dhe udheheqës autoritarë e diktatorialë që Tirana zyrtare i konsideron sot si “strategjikë” për interesat e Shqipërisë, para se ata “miqë” të mëdhej, të njohur si autoritarë botërisht, ta këthejnë Shqipërinë post-komuniste në një model të tyre të qeverisjes.
Ish-Presidenti amerikan Riçard Nikson në vizitën e tij të parë në Pekin, Janar, 1972