• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Me Kongresin e Lushnjes nis historia e Shqiperise moderne

January 21, 2017 by dgreca

Kongresi Kombëtar i Lushnjes dhe zgjedhjet e para Parlamentare pluraliste/

1 Kongresi Lushnjes-21 Janar 1920 nisi punimet ne qytetin e Lushnjes Kongresi Historik Kombetar i Lushnjes/
-Kongresi Kombëtar i Lushnjës solli rimëkëmbjen dhe rifitimin e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, nisi një kthesë historike
– Këshilli i Ministrave hartoi më 5 dhjetor 1920, projektligjin e zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar
– Zgjedhjet e para pluraliste, u organizuan në muajin janar 1921 nga Kryeministri Iliaz Vrioni
– Kandidatët që u pëfshinë në këto lista, në pjesën dërmuese, ishin anëtarë të organizatës patriotike “Krahu Kombëtar” e cila përfaqësohej nga intelektualë të shkolluar në perëndim
-Përse u tërhoq grupi i Koço Kotës nga kanditimi
/

Shkruan: Harallamb Kota, studiues i historisë/

Situatat Politiko –Shoqërore dhe Kongresi i Lushnjës
Vitet 20-të, me vendimet që mori Kongresi Kombëtar i Lushnjës lidhur me Rimëkëmbjen dhe Rifitimin e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, nisi një kthesë historike, një epokë e re, ku procesi historik kishte përmbajtje e synime të reja. Pas pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve dhe vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve më 9 nëndor 1921, u forcuan pozitat ndërkombëtare të shtetit shqiptar. Sadopak u lehtësua barra e madhe që u diktonte shqiptarëve nevoja e mbrojtjes së vëndit dhe shtetit. Kjo situatë e re, krijoi kushte të favorshme që gjithë forcat politike të shtetit shqiptar të saporimëkëmbur, tu kushtoheshin zgjidhjes së problemeve të brendshme. Në skenën politike shqiptare, dominoi lëvizja për demokraci liberale, që mori tiparet, madje të shprehura fuqishëm në shtypin e atyre viteve si “Lëvizja për OKSIDENTALIZIM”. Gazeta “Fjal e Lirë”, që botohej në Vlorë, duke shprehur dhe zbërthyer në mënyrë origjinale konceptin e qarqeve liberalo-reformatore për Oksidentalizimin e Shqipërisë, bënte këtë zbërthim: Operacione (shkurtime) në nëpunësa, Koncensione për zhvillimin ekonomik, Shkurtime në çdo degë të administratës, Veçim i të ligut dhe të pamoralit, Demokraci me fakte e jo me fjalë, Energji në Legalitet të Drejtësisë, Nacionalizëm me tru e jo me ngjyrë, Taksa të lehta sipas fuqisë, Asamble Kushtetuese në rast të favorshëm, Liri për shtyp por me frana llastiku, Irredentizëm për moralin kombëtar, Sinqeritet në shpenzime e në urdhra, Miqësi me shtetet që u shkon fjala, Afrim i elementit të duhur të opozitës në bashkëpunim.
Situatë problematike parazgjedhore
Në situatat politiko-shoqërore të krijuara pas Kongresit të Lushnjës, Shqipëria po i drejtohej zgjedhjeve të para për legjislativin. Këshilli i Ministrave hartoi më 5 dhjetor 1920, projektligjin e zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar, që u dekretua nga Këshilli i Naltë më 14 dhjetor 1920. Sipas ligjit zgjedhjet do të bëheshin me votim të tërthortë, dyshkallësh. Kandidat për deputet mund të ishte çdo shtetas, i cili dinte shqipen me shkrim e me gojë dhe nuk “ishte shërbëtor i kurkujt”. Të varfërit përjashtoheshin nga konkurimi, ndërsa gratë dhe ushtarakët nuk kishin të drejtë vote. Emëri i kandidatit duhej të shkruhej me dorë nga votusi. Duke qenë se 80% e popullsisë ishte analfabete, ligji e lejonte që emërin e kandidatit ta shkruante edhe një person i tretë. Kjo mënyrë votimi do krijonte mundësi për të shkelur vullnetin e lirë të pjesës më të madhe të zgjedhësve. Nën trysninë e forcave të jashtme e të brendshme, qeveria dhe Këshilli Lartë pranuan të drejtën e komuniteteve fetare që të dilnin në zgjedhje me listë të veçantë deputetësh. “Ligji për zgjedhjet, -shënohet në f.178 të volumit Historia e Popullit Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave viti 2007, u kritikua nga rrethet atdhetare e përparimtare, sidomos nenet që në procesin e zgjedhjeve i ndanin shtetasit sipas përkatësisë fetare, ç’ka nuk i shërbente bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Por këto kundërshtime nuk arritën të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve.
Zgjedhjet e para pluraliste
Zgjedhjet e para pluraliste, u organizuan në muajin janar 1921 nga Kryeministri Iliaz Vrioni, sipas listave të miratuara nga prefekturat e Shqipërisë. Kandidatët që u pëfshinë në këto lista, në pjesën dërmuese, ishin anëtarë të organizatës patriotike “Krahu Kombëtar” e cila përfaqësohej nga intelektualë të shkolluar në perëndim, apo të dalë nga shkolla revolucionare e turqve të rinj, (oficerë e civilë), për të organizuar dhe drejtuar “Lëvizjen Kombëtare” dhe për mbrojtjen e stabilizimin e Shtetit Shqiptar; pjesa tjetër ishin figura atdhetare të arësimuar në europë e amerikë, si dhe patriotë shqiptar të diasporës që kishin përqafuar mentalitetet perëndimore. Në zgjedhjet e para pluraliste, kjo organizatë politike atdhetare, kishte si synim zgjedhjen për deputetë të personave: “Me parime politike të Kongresit të Lushnjës”, i cili sipas Dr.Prof. Hysen Kordhës shënuar në referimin Studime Historike, solli kthesën historike për fatet e popullit tonë dhe nisën përpjekjet për ndërtimin e forcimin e shtetit të saporiformuar shqiptar, për demokratizimin e jetës socialo-politike, për zgjidhjen e problemit agrar dhe sidomos për afrimin e Shqipërisë me Evropën, ose siç thuhej atëhere për oksidentalizimin e Shqipërisë. Veç të kandituarve nga “Krahu Kombëtar”, në zgjedhjet e para pluraliste, morën pjesë edhe kandidatë të propozuar nga klasa e pronarëve të mëdhenj të tokave, nga nacionalistët dhe nga elementi kosovar që vinte nga “Komiteti Mbrojtja e Kosovës”. Megjithatë, zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri, krijuan edhe situata problematike, sidomos në zonat e Shqipërisë së Mesme, ku ende qarkullonin mjaft elementë turkoman, të cilët nxisnin fshatarësinë e atyre anëve që të mos pranonin të votonin dhe të zgjidhnin deputet për në parlamentin e Shqipërisë. Elementë të ndryshëm me tituj dhe ofiqe perandorake, kërkonin ende që Shqipëria të ishte “Principatë Turke”. Ata frynin urrejtje karshi administratës shqiptare, flamurit shqiptar, gjuhës shqipe dhe elementit të krishterë shqiptar.
Krahas elementit turkoman….
Krahas elementit turkoman, në Shqipërinë Juglindore vepronte energjikisht elementi grekoman. Më 3 shkurt 1921, sipas Kastriot Dervishit shkruar në librin e tij “Historia e Shtetit Shqiptar 1912-2005” botim i v.2006, nëprefekti i Gjirokastrës Kolë Tromara, i telegrafonte MPB, se shtypi grek shkruante se: “ishin bërë përpjekje deri në Konferencën e Paqes për të mos zhvilluar zgjedhje në jug të Shqipërisë dhe se ky lajm kishte bërë përshtypje të thellë në Shqipëri”. Përfaqësuesi i prefektit, Hasan Dosti, telegrafonte po ato ditë se klubet “vorioepirote” kishin protestuar për shkak të mbajtjes së këtyre zgjedhjeve. Lufta politike, citohet në librin “Historia e Popullit Shqiptar” faqe 179, botim i Akademisë së Shkencave, gjatë fushatës zgjedhore qe tepër e ashpër. Madje në dy prefektura, në atë të Korçës e të Shkodrës, u spekulua edhe me ndarjen fetare të popullsisë. Kështu disa kandidatë për deputetë të “grupit popullor” të Korçës të kryesuar nga Koço Kota me të kaluar të mirë atdhetare, por të pakënaqur me listën e kandidatëve të propozuar nga partia e tyre, u bënë thirje të krishterëve që të bojkotonin zgjedhjet.
Nga ana tjetër vlonte propaganda e organizimit të zgjedhjeve sipas përkatësisë krahinore e fetare, e cila binte ndesh me vlerat e mendimtarëve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Sipas teorisë së këtyre propogandistëve, shprehet Sejfi Vllamasi; “Ç’do geg që bashkëpunon me toskët nuk është geg. Geg i vërtetë është ai që është kundër toskëve”. Më tej Sejfiu deklaron:Mustafa Kruja ka mendimin dhe çfaqur me bindje se; “gegët duhet të sundojnë toskët”. Për këtë qëllim, qysh në kohën e shpalljes së idipedencës kombëtare, Mustafa Kruja, Luigj Gurakuqi, Lef Nosi dhe Ahmet Dakli, krijuan “Kuadrumviratin”.
Komisioneve zgjedhore i diktohen listat Qeveritare
Bazuar në librin “Mbi Lëvizjen Kombëtare dhe Demokratike Shqiptare në vitet 1918-1924” botim i Institutit të Historisë e Gjuhësisë të USHT, në Korçë “lufta elektorale mori një karakter të ashpër”. Në Korçë, ndryshe nga krahinat e tjera, kishte një nivel më të lartë politik dhe pregatitjet për zgjedhjet u ndien më shumë se kudo. Lufta politike që u zhvillua në Korçë me rastin e zgjedhjeve parlamentare ishte më tepër një luftë midis personerve të të njënjtit grup politik, por që kishin qëndrim të ndryshëm për sa i përket asamblesë kushtetuese, si dhe për listën e personave që do të zgjidheshin. Grupi që kryesohej nga Koço Kota nguli këmbë që zgjedhjet të bëheshin për asamble kushtetuese, kurse grupi Cale-Frashëri ishin për zgjedhje parlamentare. Prefekti i Korçës dr.Koço Kotta dhe Kryetari i Bashkisë Sotir Kotta, ngritën Komisionin Zgjedhor dhe morën të gjitha masat e duhura që kandidatët për deputet, pjesëmarës në këto zgjedhje të paraqiteshin para popullit në zonat e ndryshme të prefekturës, në fshatra, katunde dhe qytete. Për të shmangur keqkuptimet midis kandidatëve për tu zgjedhur deputet, Koço Kota i kërkoi Ministrit të P.Brëndëshme z.Fuad Dibra, dorheqjen nga detyra e Prefektit të Korçës, me arësyetimin e kandidimit si deputet, kërkesë e cila u pranua. Në vendin e tij, prefekt i prefekturës së Korçës u caktua provizorisht Nikolla Zoi, që ishte përkrahës i Pandeli Cales. Lidhur me emërat që u përfshinë në listën e kandidatëve për deputet në Prefekturën e Korçës, referuar sa shënon Sejfi Vllamasi, ato u organizuan qysh në Tiranë nga Eshref Frashëri dhe Pandeli Cale. Qëllimi i tyre, shprehet Vllamasi, ishte për të formuar një grup deputetësh solidarë në mendime, mentalitete dhe interesa, për ta përfaqësuar Korçën në emër të “bejlerëve, turqve e kaurëve të lidhur me ta”. Prandaj, thotë Vllamasi; “Ata më zëvëndësuan mua me Xhafer Ypin”. Po kështu vepruan edhe me Koço Kotën, i cili përfshihej në listat për kanditat për deputet. Ai ishte anëtar i vjetër i “Krahut Kombëtar”, shok i pandarë i Sotir Pecit dhe i emi, por ishte kundra Eshrefit dhe Pandeli Cales me shokë. Kundërshtia e tij me ta, nuk ishte nga mospajtim idesh e mentalitetesh, por rridhte sepse Koço Kota figuronte në listën e kandidatëve që përbëhej prej 4 të krishterëve dhe 4 muslimanëve. Koço nguli këmbë që të hynte në listë vetë i tretë, bashkë me Kol Rrodhen dhe Llambi Bimblin, që të tre patriotë të vjetër. Atëherë Pandeli Cale edhe ay veteran patriot, mbetej automatikisht përjashta listës. Pasi përfunduan zgjedhjet e para, të zhvilluara nëpër fshatra, katunde dhe qytete, komisioni zgjedhor shpalli zgjedhjet e dyta. Sipas ligjit zgjedhor, zgjedhësit e dytë u thirrën në godinën e prefekturës dhe në prani të titullarëve përkatës të prefekturës, të këshillave administrative e të katunarive e të gjykatës vendore u ftuan të hedhin votën e tyre në kutinë e votimit me emërat e aq deputetëve sa kishte prefektura.
Grupi i Koço Kotës tërhiqet nga kanditimi
Në kulmin e kësaj situate, për të ruajtur qetësinë dhe unitetin kombëtar shqiptar të popullit Korçar, i cili sapo ishte mëvehtësuar nga francezët e grekët dhe sapo i ishte bashkuar shtetit shqiptar, Koço Kota me cilësitë patriotike që karakterizonin pinjollët e familjeve Kota, me moton “Shqipëria mbi Gjithçka”, e tërhoqi listën e grupit që përfaqësonte. Komisioni Zgjedhor, mori në shqyrtim vetëm Listën e paraqitur nga Pandeli Cale, e cila përbëhej nga: Tefik Mborja, Loni Kristo, Pandeli Cale, Pandeli Evangjeli, Sejfi Vllamasi, Sotir Peci, Banush Hamdi, Eshref Frashëri, Tefik Panariti e Kristo Kirka. Sipas kësaj liste, grupi i përfaqësuar nga Koço Kota, kaloi në minorancë.
Për votusit korçarë kishin mbetur vetëm dy mundësira: -Ose të votonin kandidatët sipas listës qeveritare ( lista e paraqitur nga Pandeli Cale), – Ose nuk duhej të mernin pjesë në votim ( pasi Koço Kota e tërhoqi listën me kandidatët e grupit të tij). Në këto kushte, kur u panë haptazi edhe favorizimet e qeverisë për kandidatët e sajë të përfshirë në listën e Pandeli Cales, grupi i përfaqësuar nga dr.Koço Kota, më 10 shkurt 1921 dha orientimin që të krishterët shqiptar të mos mernin pjesë në zgjedhjet parlamentare. Sipas kësaj deklarate botuar në shtypin ditor “Gazet e Korçës” date 16 shkurt 1921, thuhet: “Si lajmërohemi, Shqiptarët e Krishterë të Qarkut t’onë, duke parë se Qeverimi i Shtetit Shqiptar, që kur se u njojt Shqipëria si shtet më vehte, nuk u largua kursesi nga mënyra e qeverimit të Turqisë, gjë që shkaktoj gjer më sot shum’herë rrëzike të jetës politike e kombëtare të Shtetit t’onë, dhe duke qënë të sigurtë se vazhdimi në këtë mënyrë qeverimi, ka për ti sjellë vdekjen Shtetit e Kombit t’onë, për të shpëtuar Atdheun e dashur nga rrëziqe të sigurta, vendosnë për mosmarje pjesë në votimet e pa-ligjshme, q’u krijuan prej Qeverisë, dhe ti shfaqim kësaj me anë të një permendoreje kërkimet e tyre të bazuara mbi themele të provuarë e të sigurtë për shpëtimin e vetëm shpëtimin t’Atdheut, përndryshe, duke u a lënë përgjegjësinë Qeverisë dhe elementit Muhamedan, Shqipëtarët e Krishterë do të heqin dorë fare dhe do mos marrin pjesë në organizimin e Shtetit. Si po lajmërohemi, përmendorja po i paraqitet Prefekturës në këto dy a tri ditë”.

Filed Under: Histori Tagged With: e Shqiperise, Harallamb Kota, Kongresi i Lushnjes, nis Hitoria moderne

DIBRA DHE KONGRESI I LUSHNJËS

January 20, 2016 by dgreca

Nga Abdurahim Ashiku/
E shkruar dhjetë vjet të shkuara, e përcjellë në një sesion shkencor emigrantësh në Athinë kushtuar Kongresit, e gjykova të vlefshme ta botoj sepse, siç kam theksuar në mbyllje të kumtimit: Kongresi i Lushnjës, është si vera, si vera e kuqe – gjak i shqiptarëve në luftërat për liri e pavarësi, sa më shumë vite të kalojnë aq më shumë vlera merr.
Dhe jo vetëm ai, e tërë historia jonë, histori që na ndjek, na mban gjallë, na bën krenarë edhe pse jemi larg Atdheut…
***
“ Sa herë që luftojshin malësorët tanë në Lanë të Lurës, ngrihesh e fluturonte mbi ta një shqipe e cila tue u rrotullue gërhiste egërshëm me zanin e saj të ashpër dhe sulej drejt frontit të serbëve. Kjo ngjarje e mrekullueshme ndodhëte përditë sa herë bëhej luftë, Tue e pamë malësorët tanë këtë shqipe që fluturonte përmbi krenat e tyne, pa u drashtë as nga plumbat e anmikut as edhe nga zhurma e luftës, përtriheshin me fuqi morale e e quejshin si shenjë ngadhënjimi fluturimin e saj dhe tue brohoritë “ Besa besë, asht dita jonë “ sulmojshin me tërbim mbi armikun, të cilin e shtyjshin, shtypshin dhe e dërmojshin…”
Janë këto shënimet e Ismail Strazimirit, të njeriut që mori pjesë me armë në dorë në tre luftëra, historikisht të mëdha për tërë Shqipërinë e në veçanti për Dibrën:
Të luftës epokale për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë nga pushtimi shekullor osman.
Të luftës për mbrojtjen e kufijve etnikë të shqiptarizmës nga synimet grabitqare të serbëve.
Të Luftës së Madhe Antifashiste Nacional – Çlirimtare të shqiptarëve, luftë e cila e radhiti Shqipërinë në krahun e fituesve të mëdhenj.
Patrioti dibran Ismail Strazimiri ra më 16 nëntor të vitit 1943 në Sllovë, karakollin historik të qëndresës së Eles Isufit, ra heroikisht duke luftuar me armë në dorë kundër pushtuesve gjermanë.
Beteja e Lan Lurës, një karakoll në kalanë natyrore të Sinës e të Çidhnës, kala në të cilën u përkundën djepet e të parëve të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, ishte pjesë e betejës historike shqiptare me rrënjë në Kongresin e Lushnjës.
Atje lindi dhe mori dhenë kënga epokale e Djelmënisë Dibrane :

Drin, o lum i gjanë, Plaku i malësisë
A ke me ia lanë Dibrën Serbisë ?
Kurrë nuk durohet kjo robëni
Dibra e Mojsiut asht Shqipëni

Çohi burra, çohi
Gjithë me besa besë
Për Dibrën luftoni
Me të madhen shpresë

Lurë o vend i naltë, vend i trimënisë !
Aty u banë fjalët, besa e lirisë:
Dibra do shpëtue, vend i Kastriotit
Dibrani lirue, si ka qenë motit

Çohi burra, çohi !
Gjithë me besa besë !
Dhe lirinë festoni
Me të madhen shpresë !

Dibra historike, me lufta valë- valë,
Dera e Kastriotit, gjinit tand ka dalë.
Ke pasur kreshnikë, por ke edhe sot,
Ai për Shqipni, gjakun s’kursen dot.

Kur Lushnja mblidhte në Gjirin e saj burra në zë nga e gjithë Shqipëria, Dibra ishte nën pushtimin serb, Dibra shëronte plagët e luftërave të pandërprera, mblidhte armë dhe thante barutin për beteja të reja.
Konferenca e Londrës e kishte prerë tokën e shenjtë shqiptare sipas anatomisë së prerjes së berrave, vijës kurrizore. Qendra gjeografike shqiptare, Verduni shqiptar në qoftë se do të përmendim pikën baraspeshore të Francës, njërës prej fuqive më të egra shqiptare të kohës, gjendej në anën tjetër të kufirit. Qytetet kryesore në kurrizin tokësor të Shqipërisë, ishin prerë me sëpatën e mendjeve të ndryshkura të krerëve të fuqive të mëdha. Nuk njihet, në asnjë vend të botës, që qytetet, qendrat e krahinave të priten e të lihen në njërën anë të kufirit e fshatrat, trupi i krahinave, të lihej në anën tjetër. Dibra, Prizreni, Gjakova… qytete me histori të përveçme për shqiptarët mbetën nën Serbi, fusha dhe malësia e Dibrës, Prizrenit, Gjakovës…mbetën të gjymtuara nën… Shqipëri.
Një miku im, Myrteza Shehu, familja tetëvetëshe e të cilit në shtator 1913, pas pushkatimit barbar nga serbët të babait të tyre Sheh Hysenit, patriot, shoqërues i Abdyl Frashërit për në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, një ndër udhëheqësit e kryengritjes së madhe popullore dibrane të shtatorit 1913 kundër pushtimit serb dhe ëndrrës së tyre të moçme për të dalë fillimisht në Drin e më tej në Durrës, qe e detyruar të lejë pasuri e katandi dhe të ikte nga qyteti i Dibrës me “rrobat e trupit”, sa herë e takoja më përsëriste refrenin e një poeme të Gjergj Fishtës, poemë të cilën e kishte mësuar në shkollën fillore:

Padrejtësia e Londonit
E la Dibrën jashtë kufinit
S’kemi ndigjue nga asnjeri
Të ketë kufi nëpër vi
Nëpër vi e puren n’puren
Veç ke ti e në Prizeren
U vunë kufijt ven pa ven

Solla paksa, shumë pak, nga klima dibrane që parapriu dhe shoqëroi dhe pasoi Kongresin Historik të Lushnjës.
Dibra ishte nën pushtim. Lugina e Drinit, vargmalet nga Golloborda në Lurë e Arrën të Kukësit përbënin synimin e afërt të Serbisë, tashmë me një pagëzim të ri shovinist, Jugosllavi, kumbarë i së cilës ishte Parisi.
Nga majëmalet e Nëntë Maleve të Dibrës, jugosllavët shihnin detin, shihnin daljen në Durrës dhe Shëngjin, shihnin ëndrrën e tyre të moçme, daljen në Adriatik, ëndërr të cilën do ta shuante pushka dibrane me barutin e thatë që solli Kuvendi i Madh i Lushnjës.
Në këtë Kuvend apo Kongres, siç ka hyrë në histori morën pjesë tre njerëz në zë në botën dibrane të asaj kohe.
Haki Stërmilli, shkrimtari demokrat, autori i romanit më në zë në vitet ’30-të, romanit “Sikur të isha djalë“, në shënimet e tij “Dibra në prak të historisë”, shënime të përfunduara më 3 prill 1940, fatkeqësisht ende në dorëshkrim shkruan:
“ Mu në këtë kohë, kur shqiptari ishte mbushun plot helm dhe vner kundër armiqëve të tij, një tufë patriotësh u mblodhën në Lushnje dhe, tue interpretue vullnetin e popullit, i thirrën botës e i thanë se Shqiptarët do t’a përballojshin me vdekje çdo vendim që mund të nepesh në dam të tanësisë toksore t’Atdheut të tyne dhe se ata nuk premtojshin me ba asnji koçesion mbi kurriz të tyne. Kjo thirrje, që në realitet ishte klithma e zemrave shqiptare të plasuna e të ngufmueme prej dëshprimit, i shtangu anmiqt dhe ua rrudhu guximin, pse para tyne tash kish dalë një mur pengues. Menjiher ranë poshtë thikat e kasapëve, pse Shqiptari i shtrimë për dheu kish hovë dhe ish ngritë në kambë, me fuqi të jashtëzakonëshme.
Ky qe Kongresi i Lushnjës që u hap më 21 Kallnuer 1920 dhe që protestoi kundër traktatit të mfshehtë të Londrës më 1915 dhe kundër kërkesave të padrejta të fqinjve. E rrëzoi qeverin e Durrësit për vepra ilegale e arbitrare të kryeme prej saj, zgjodhi dërgatën Shqiptare për Paris, redaktoi një statut themeltar, zgjodhi anëtarët e Regjencës dhe ata të Senatit. Të gjitha këta vendime u zbatuen menjiherë dhe kabineti i formuem erdh e zu vend në Tiranë…
…Në Kongresin e Lushnjës më 1920 u vunë themelet e Shtetit të lirë Shqiptar…Dibra në këtë Kongres u përfaqësue prej Ramiz Dacit, Dine Maqellarës e Dine Demës…”
Ramiz Daci lindi në qytetin e Dibrës në vitin 1887. Mbasi mbaroi në Stamboll shkollën ushtarake “Ashiret“ vazhdoi karrierën ushtarake me gradën e oficerit. Ishte një ndër përkrahësit e zjarrtë të çështjes shqiptare. Kur u ngrit flamuri i Shqipërisë në Vlorë dhe Shqipëria u shpall e Pavarur, ai ishte aty. Në janar të vitit 1920 ishte një ndër përfaqësuesit e Dibrës në Kongresin e Lushnjës. Ishte deputeti i parë i Dibrës në qeverinë e re shqiptare. Në vitin 1922 u burgos në Peshkopi dhe në rrugë drejt Tiranës, u vra tek Ura e Qytetit të Skënderbeut prej mercenarëve të Ahmet Zogut, asokohe ministër i Brendshëm.
Dine Maqellara lindi në vitin 1875 në Maqellarë. Në vitin 1912, bashkë me disa atdhetarë të tjerë doli maleve të Dibrës për të kërkuar me armë në dorë lirinë e shqiptarëve. Ishte kundërshtar i ashpër i Esat Pashë Toptanit. Ishte pjesëmarrës aktiv në të gjitha kryengritjet kundër pushtimit serb. Në janar 1920 përfaqësoi Dibrën në Kongresin e Lushnjës. Vdiq në vitin 1928.
Delegatët e Dibrës në Kongresin e Lushnjës shkonin me krahë të ngrohtë. Në Dibër, në roje të tokës së të parëve, ata kishin lënë një njeri që populli e quante Arusha e Maleve, në krye të forcave kryengritëse shqiptare në Dibër ishte Gjenerali me Shajak, Eles Isuf Ndreu.
Arrasi, një fshat i vogël në grykëderdhjen e Setës në Drinin e Zi, fshat në Trojet e vjetra të Kastriotëve, do të shndërrohej fill pas Kongresit të Lushnjës, në qendrën e Prefekturës së Drinit, prefekturë e cila shtrihej nga Llanga në kufi me Librazhdin në Has në kufi me Gjakovën. Asokohe Peshkopia ishte nën pushtimin serb. Do të shndërrohej edhe në qendrën e Kuvendit të Arrasit, apo e thënë sipas gojës së popullit, në selinë e “Qeverisë së Arrasit”. Më 13 gusht Kuvendi i Arrasit dha kushtrimin popullor “O liri, o vdekje“. Mbi tremijë dibranë erdhën, me armë në dorë për të përshëndetur “Qeverinë e Arrasit”, për t’u vënë nën komandën e më të madhit luftëtar kundër synimeve serbe ndaj Shqipërisë, gjeneralit të pamposhtur popullor, Eles Isuf Ndreut, i sapo emëruar nga Kuvendi si Komandant i Forcave të Armatosura Dibrane.
“Në mëngjesin e 15 gushtit 1920, shkruan Haki Stërmilli, u ndigjue britma “Besë a Besë“ e Sufë Xhelilit (nipit të Eles Isufit ) dhe krisma e pushkës së tij që u zbraz kundër serbëve të grumbulluem tek Vorret e Shumbatit. Mbasandaj nuk u ndigjue tjetër veçse nji gurgullimë e vrazhdët prej krismës së pushkëve, të mitrolozëve, të topave, të bombave dhe të gjamëve. Menjiherë u çue Elezi dhe u bërtiti trimave që kish aty: Në Luftë!
Të gjithë sulmuen. Mbrenda pesë minutave lufta kish plasë në të katër anët e Dibrës, qysh prej skajeve të Gollobordës e deri në Kala të Dodës, prej vijës së kufirit 1918 e deri në buzë të kufirit 1913.
Në mbramë, kur po perëndonte dielli, kishte perëndue sundimi serb në tanë qarkun e Dibrës…”
Kongresi i Lushnjës i dha Dibrës dhe Dibranëve lëngun e jetës për t’i rrënjosur thellë e më thellë rrënjët në truallin e qëmotshëm të Kastriotëve, i dha barutin e thatë për një fitore të madhe historike. Pas tij e më tej, do të kishim për herë të parë një Shqipëri, ndonëse të cunguar e të prerë mizorisht. Kjo copë shqiptare, me përjashtim të Shën Naumit dhe Vermoshit që Zogu ua dha dhuratë serbëve – jugosllavë, nuk do të nënshtrohej më kurrë, as nga pushtimi fashist dhe nazist dhe as nga synimet e Jugosllavisë së Titos për ta aneksuar atë si republikë të shtatë të Jugosllavisë.
Kongresi i Lushnjës, është si vera, si vera e kuqe – gjak i shqiptarëve në luftërat për liri e pavarësi, sa më shumë vite të kalojnë aq më shumë vlera merr.
Shpresoj që nëpërmjet këndvështrimit nga Dibra të kem sjellë disa vlera, nga vlerat shumë të mëdha ende të panjohura që ai ruan në kujtesë dhe dokumente.

Filed Under: Histori Tagged With: Abdurrhim Ashiku, DIBRA DHE, Kongresi i Lushnjes

Patriotizmi i popullit të Lushnjës, në mbështetje të Kongresit Kombëtar

January 18, 2016 by dgreca

Me rastin e 96 Vjetorit te Kongresit Kombetar te Lushnjes/
Ne Foto:Shtëpia muze Kongresi i Lushnjës/
Nga Autor Niko FERRO/
Po e nisim artikull tonë me disa pyetje. Si ishte atmosfera në qytet në kohën kur u zhvillua Kongresi Kombëtar në vitin 1920 ? A ka dëshmi për këtë ? Çfarë thuhet për këtë ngjarje? Çfarë kontributi dhanë lushnjarët në këtë Kongres? Cilat ishin vendimet që u morën në Kongres?
Të shkruash për këtë ngjarje të rëndësishme historike, të zhvilluar në qytetin e Lushnjës, plot 96 vjet më parë, është një nder i madhë, një kontribut modest, i cili nxjerr në pah vlerat e atdhetarizmit dhe të patriotizmit të lushnjarëve, ku së bashku me shumë patriotë të tjerë anembanë vendit garantuan një zhvillim normal të Kongresit.
Mësojmë se më 31 Dhjetor 1919, në teqen e Karbunarës kishin filluar përgatitjet për thirrjen e një Kongresi në Lushnjë, me këtë rast u ngrit dhe një Komision i posaçëm, i përbërë më së shumti nga 28 veta. Komisioni në fjalë përbëhej nga : Besim Nuri Kryetari i Bashkisë, Sheh Ibrahim Karbunara, Taullah Sinani, Ferit Vokopola, Emin dhe Mustafa Vokopola, Llazar dhe Jakov Bozo, Nebi Sefa, Qemal dhe Zija Mullai, Eshref Frasheri, Jonuz Sefa, Bajram Haxhiu, Skender Pojani, Kadri Jenisheri, Teki Libohova, Filip Papajani, Abedin Nepravishta, Andrea Papaj, Qerim Arapi, Rasim Hoxha, Arif Kurti, Muntar Luarasi, Reshat (Hysni) Shazivari, Abdyl Aziz, Hasan Islami (Like), Hamit Xheka.
Ky Komision ishte ngarkuar për të plotësuar kërkesat për një zhvillimin normal të Kongresit, përpara se të vinin delegatët në Lushnjë, sakaq ata duhet të siguronin edhe disa çështje, si psh strehimin e delgatëve, duke parë që numri i madhe të njerëzve të cilët i shoqëroni e bënin të pamundur strehimin e tyre në vetëm pesë hanet kryesore të qytetit. Nuk duhet të harrojmë se në atë kohë qyteti i Lushnjës numëronte një popullsi prej 2800 banorë. Pavarësisht numrit të vogël të haneve në qytet, shtëpitë e lushnjarëve të gjitha pa përjashtim, u treguan të gatshme për të strehuar dhe pritur delegatët apo njerëzit i shoqëronin ato. Theksojmë se bujaria dhe mikpritja lushnjare shprehej kudo. Me zgjidhjen e problemit të strehimit të Delegatëve, Komisioni Nismëtar u morë gjithashtu me caktimin e njerëzve, të cilët do shpërndanin postën, por edhe për këtë dolën probleme, nevojiteshin kuaj të mirë dhe të shpejt, për t’i vënë në dispozicion të korrierëve. Por edhe ky problem u tejkalua. U vendos gjithashtu që me shpërndarjen e Postë-Telegrafit puna do ndahej kështu: Zoi Ndreka dhe Sil Keqi për zonën Fier-Vlorë. Taullah Sinani dhe Muç Bani për zonën Peqin-Tiranë-Mat-Shkodër. Idriz Çela për zonën e Beratit. Mahmut Bidri dhe Demir Arapi për zonën Elbasan-Gramsh. Selman Arapi dhe Bajram Haxhiu për zonën Kavajë-Durrësin.
U zgjidh gjithashtu edhe problemi i furnizimeve me ushqim, ku përveç Lushnjës të gjitha fshatrat përreth saj do kontribuonin me ushqime sipas mundësive. Për furnizimin përgjigjeshin Dervish Zylyfi, Sil Prifti, Hamit Xheka, Tahir Xhumari, Jonuz Sefa.
Ngelej për t’u përcaktuar vendi se ku do të mbidheshmin Delegatët. Fillimisht u mendua që delegatët të vendoseshin në një magazinë, në dalje të qytetit, rrugës që shkon për në fshatin Hajdaraj. Por kjo nuk ishte e përshtatshme, pasi se ishte tepër e vjetruar. U propozua, që shtëpia më e përshtatshme për të zhvilluar një mbledhje, ishte ajo e “Fugëve”, ku fal mbështetjes të zotit të shtëpisë u ra dakord që delegatët të mblidheshin aty. Por për ta përshtatur këtë shtëpi në një sallë mbledhjeje duhej dhe një rregullim apostafat.
Komisioni Nismëtar, vendosi që në sallën ku do të mblidheshin delegatët, të përgatitej nga Drejtori i Shkollës Plotore Nikollaq Progri. Mësojmë se ai e mirëpriti kërkesën dhe u vu menjëherë në lëvizje. Ai solli aty një tavolinë dhe katër karrige ku do qëndronin Kryetari, bashkë me dy Sekretarët të Kongresit, solli gjithashtu edhe dy foto. Njëra ishte e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti dhe tjetra e Patriotit Ismail Qemali, këto ai i vendosi në sallën kryesore ku do mblidheshin delegatët, bashkë me këto ai vendosi edhe flamurin kombëtar, të sjell apostafat nga Nënprefekti i Lushnjës, Veli Vasjari.
“Ndërkaq anëtarët e Komisionit vuri re se në “Sallën e Mbledhjes” mungonin karriget, ku delegatët do zinin vend”. Problem ngelej gjetja e tyre”. Kështu ata vendosën ti drejtoheshin përsëri Drejtorit të Shkollës Plotore, nëpërmjet një shkresë me datë 16.01.1920. Aty thuhet: “Meqenëse shkolla duhet për Delegatët e Kongresit që po urdhërojnë këtu, jeni të lutur që sot tëna lironi shkollën, mësimet do vazhdojnë në Xhami, bangat duhen për Mbledhjen Kombëtare. Prandaj jemi të lutur përsëri tëna i dorëzoni. Firmosur Komisioni”. Drejtori së bashku me mësuesit ranë dakord që mësimet të zhvillonin në Xhamin e Vogël të qytetit, ndërsa bangat e vogla të shkollës, i çuan në sallën ku do zhvillohej Mbledhja.
Edhe sot për kureshtarët, në Shtëpinë Muze Kongresi i Lushnjës, bangat e ekspozuara aty kanë përmasa të vogla, pikërisht për t’i kujtuar këtë fakt historik.
Në lidhje me atmosferën e krijuar në qytet, delegati i Pogradecit Gjoka Ndini Gusho shkruante: “Rrugës kur po kalonim nëpër Dumre [e Darsi, pamë të] dilte populli[përpara], burra të armatosur na shoqëronin. [Kur] arritëm në Lushnjë…..populli na priti me këngë e valle. Lushnja dukej si në ditë feste. Në zyrat, në shtëpitë, në dyqanet ishte varur flamuri kombëtar. Na u gëzua zemra kur pamë flamurët të valojnë të lirë, sepse në Pogradec nuk i lejonin”.
Tek porta e madhe e shtëpisë ku do zhvillonte punimet Kongresi ishte radhitur një tog e Xhandarmërisë me në krye Kapitenin Meleq Frashërin, i cili priste delegatët me nderime ushtarake. Në të hyrë të shtëpisë qëndronte Nën/Togeri Prenk Jaku i cili kishte pranë disa prej vullnetarëve të veshur bukur me petka kombëtare.
Në qytet ishte vendosur rregulli për bukuri, sipas porosive të Kryetarit të Bashkisë Besim Nuri, edhe alkooli ishte ndaluar në pijetoret. Xhandarmëria bënte patrullimet të shpeshta në rrugët kryesore të qytetit, aty këtu dukeshin edhe ushtarë italian të armatosur. Pavarësisht se Mbledhja e Kongresit më 13 janar ishte shpallur e paligjshme nga Qeveria e Durrësit, kjo nuk i frikësoi pjesëmarrësit. Madje katër ditë më pas, populli i Lushnjës ju drejtua me një letër Kapitenit të Ushtrisë Italiane të pushtimit, Kolonel Rudolfit, dhe Inspektorit të Xhandarmërisë në Berat me anën të së cilës protestohej vendimi i Qeverisë së Përkohshme të Durrësit, e cila kishte urdhëruar ndalimin e Mbledhjes. Në letër thuhej: “..këtu në Lushnjë, me dëshirën e tërë Shqipërisë, po mblidhet një Kongres Kombëtar, i cili si tregohet sheshazi nga programi përbëhet me qëllim qytetorë dhe besohet si brenda ashtu dhe jashtë… Qeveria qendrore, ..dëshiron të ndalojë këtë mbledhje të përgjithshme. Qeveria Provizore e Durrësit nuk duhet të dalë jashtë kompetencës së saj dhe në qoftë se e quan veten e saj absolute, nuk ka asnjë shqiptar që t’i dëgjojë urdhërat. Në emër të popullit të Lushnjës”.
Më 18 janar, filluan të vijnë në Lushnjë, fuqit e para vullnetare të armatosura . Kështu nga zona e Libofshës, nën komandën e Zoi Ndrekos Nasi Lepurit dhe Sil Keqit, erdhën 250 veta. Nga zona e Bubullimës nën komandën e Jashar Blezenckës erdhën 170 veta. Nga zona e Dumres nën komandën e Demir Arapit dhe Dalip Haskos erdhën 300 vetë. Nga zona e Çermës dhe e Dushkut nën komandën e Selman Arapit erdhën 150 vetë. Nga zona e Kosovës (së Lushnjës) dhe e Dragotit nën komandën e Pal Kadillarit dhe Ngjel Çukos erdhën 220 vetë.
Po kështu me porosi të Aqif Pashës erdhën 100 veta të armatosur vullnetarë të udhëhequr nga Mahmut Xhelili. Vetë Ahmet Zogu erdhi me 100 forca vullnetare. Mbi 300 vullnetarë erdhën nga zona e Skraparit, nën komandën e Riza Cërovës. Të tjera forca erdhën edhe nga Korça, Mirdita, Shkodra, Dibra, Gjirokastra, pra nga e gjithë Shqipëria. Të gjithë në mbështetje të Kongresit. Mësojmë se Kryetari i Komisionit për mbrojtjen e Kongresit në qytet u zgjodh Llazar Bozo. Ndërsa Ahmet Lepenica ju ngarua detyra të organizonte njësitet e armatosura të vendosur anës kodrave të qytetit. Mësojmë se forcat që ruanin Kongresin ishin shpërndarë në disa pika: në kodrën e “Kalifasë”, sipër lagjes “Stan”, në kodrën e “Harburit”, dhe në “grykën e Dumres” (sot rezervuari). Pjesa tjetër ishte vendosur në qytet dhe në Karbunarë. Ndërsa forcat pushtuese italiane, ishin të stacionuara qytet ishin vendosur në Lagjen “Topallti” (Sot Loni Dhamo). Distanca midis vullnetarëve dhe forcave italiane ishte 750 m, dhe tensioni ishte tepër i madhë.
Më datën 18 janar filluan të vijnë delegatët e parë. Nga Peqini erdhi Aqif Pashë Elbasani, Adem Gjinishi, Nga Gramshi Asllan Shahini. Nga Tirana Mytesim Këlliçi, Abdi Toptani. Dhe kështu gjatë ditëve në vijim erdhën të tjerë delegatë. Për strehimin e tyre merreshin Nikollaq Progri, Kamber Ruli, Xhevdet Nepravishta, Andrea Papaj, dhe Izet Libohova.
Mësojmë se Delegatët posa mbërrinin në Lushnjë akomodoheshin menjëherë në vendet e caktuara. Sipas dëshmisë të Hysen Nexhës, i cili ishte ruajtës në Kongresit, “shumë vullnetarë ditën dilnin pazarit, por rrinin vetëm me kobure. Në atë kohë Nënprefekti Veli Vasjari, na çoi lajme të vinin sa më të armatosur. “Më kujtohet teksa hynte dhe dilte shpesh Aqif Pashë Elbasani, me një qylaf të zi dhe me një pallto të madhe, i veshur mirë”.
“Ditën kur filloj punimet Kongresi i Lushnjës më 21 janar, <> ishte ditë e mërkurë dhe bënte pak ftohtë, pash që kishin ardhur njerëz nga vende të ndryshme të Shqipërisë. Sakaq më kujtohet që në kongres kishte shumë lushnjarë, por kishin ardhur edhe shumë nga fshatrat. Gjatë kohës që po zhvillonte punimet Kongresi, Lushnja ndihej se ishte në festë kudo shikojë flamurin kombëtarë, madje flamurë të vegjël kuq e zi u vareshin në gjoks njerëzve edhe nga fëmijët e shkollës plotore. Në darkë rreth kodrave të qytetit dukeshin mjaft pishtarë të ndezur të mbushura me roje disa prej tyre vinin edhe në qytet. Italianët i shikonin por nuk i ndalonin”. Sipas dëshmitarit tjetër, Ahmet Shehut, “në Karbunarë mbërriti një vizitor krejt i veçantë. Veshur allafrënga, i krehur bukur, me një gjuhë të pakuptueshme për vendasit, ai gjithsesi nuk donte të tërhiqte vëmendjen. I ardhur nga Evropa, ishte konsulli anglez Morton Frederik Iden dhe shoqërohej nga shqiptari Mahmud Bidri, njeri i Aqif Pashë Elbasanit. Në Teqe ai u takua me Sheh Ibrahim Karbunarën dhe Nënprefektin e Lushnjës Veli Vasjarin. Gjatë kohës që po zhvilloheshin punimet në Kongres, Ideni qëndroi në Lushnjë. Ai takohej çdo ditë me oficerët italianë, kurse netëve qëndronte në Teqenë e Karbunarës, bisedonte me delegatët, të cilët i njohu të gjithë personalisht. Për mbrojtjen e tij përgjigjeshin tre vetë të caktuar nga shtabi: Muç Bani, Ram Dervishi, dhe Sil Keqi”.
“Sakaq në Kongres të gjithë ishin prezent përveç Veli Harshovës që u zëvendësua nga Abedin Nepravishta, deri sa erdhi nga Gjirokastra. Pastaj u bë shqyrtimi i letër kredencialeve nga një komision i posaçëm. Më pas u bënë zgjedhje dhe Kryetar i Kongresi u zgjodh Aqif Pashë Elbasani, Nënkryetar u zgjodh Sotir Peci sekretarë u zgjodhën Koço Kota dhe Ferit Vokopola. Mbledhja u mbyll u çel të nesërmen në ora 9 të mëngjesit. Në qytet mbizotëronte rregulli dhe rendi. Ditën tjetër (22 janar) mbajti një referat Ali Këlcyra, mbi rëndësinë e këtij Kongresi. Më parë foli mbi patriotizmin e popullit të Lushnjës, duke e lavdëruar atë për barrën e rëndë që ka morë përsipër. Më pas falënderoj Komisionin Nismëtar, për punën e pa lodhur dhe patriotike sidomos në këto kohëra të vështira politike. Pastaj i propozoj Kongresit që çdo veprim i qeverisë së Durrësit të shpallet ilegal.
Sipas dëshmive të Ahmet Shehit “Një natë Zija Mullaj thirri për darkë Delegatët e Vlorës, Sheh Ibrahim Karbunarën dhe konsullin Iden. Në orën tetë, të ftuarit kishin shkuar, ndërsa Konsulli u paraqit me një orë më vonë, i shoqëruar nga rojat vetjake. Shehu i tërhoqi vëmendjen për vonesën, duke i kujtuar edhe merakun sipas traditës shqiptare të ruajtjes së mikut. Ideni i lutet Myqerem Hamzarajt (pasi ishte i vetmi që dinte anglisht) tu thotë të tjerëve: “Po të jetë se këtë natë do ta kalojmë pa ndonjë incident, unë nesër jam i detyruar t’iu uroj se me të vërtetë populli shqiptar di përse lufton dhe di përse sakrifikon jetën e tij”. Të tjerët kërkuan sqarime edhe ai informoi se Myfit Libohova, ministër i qeverisë së Durrësit ishte nisur me 500 milicë dhe është duke ardhur në Lushnjë për tu shpartalluar. Lushnjarët u mobilizuan shpejt. Vetë Ideni në orën 4 pas mesnate pa në kodrën e Kalifasë qindra luftëtarë të armatosur. Këtu ai u nis tek Koloneli italian dhe i tha: “I sheh ato kodra të qytetit? Të gjitha ato janë të mbushura me popull të armatosur, prandaj lajmëro Gjeneral Piaçentinin të tërheqë forcat nga Kolonja se në fund do të turpërohet”. Ndërkaq Vullnetarëve ju ishte thënë të ndiznin sa më shumë zjarre në kodrat e qytetit për të frikësuar ushtarët italianë.
N/Togeri Prenk Jaku së bashku me qindra vullnetarë arrin ti ndaloj forcat që kishin ardhur për të shpërndarë Kongresin.
Në ditën që vijua, Kongresi pas shumë diskutimesh vendosi, që të bëheshin protestat më të ashpra kundër vendimit të Fuqive të Mëdha, për zbatimin e Paktit të Fshehtë të Londrës, i 26 Prillit 1915, i cili sanksiononte copëtimin e Shqipërisë. Pastaj, mbledhja analizoi qëndrimin e qeverisë së Durrësit, si për situatën e brendshme, ashtu dhe në atë të jashtme. Në përfundim, u pranua që qeveria kishte vepruar jashtë programit të dhënë prej Kongresit të Durrësit, që ishte mbajtur në 25 Dhjetor të vitit 1918-të. Po ashtu, kishte penguar mbledhjen e Senatit, gjë e cila ishte vendosur në Durrës, si dhe duke konstatuar keqadministrimin, i cili e kishte futur vendin në një anarki të madhe. Gjithashtu kjo qeveri, ishte përpjekur me çdo kusht për të penguar mbajtjen e kongresit. Kongresi vendosi unanimisht, të shpalli të shkarkuar Qeverinë e Përkohshme të Durrësit, bashkë me të edhe delegacionin zyrtar të dërguar prej saj në Konferencën e Paqes. Ai caktoi një delegacion të ri të përbërë nga: Luigj Bumci, Mehmet Bej Konica, Mihal Turtulli dhe Sulejman Delvina. Kongresi i përfundoi punimet me miratimin e disa vendimeve të rëndësishme politike, të cilat, do të ndihmonin vendin për të dalë nga gjendja e rëndë në të cilën ndodhej. Së pari, mori në shqyrtim planet e Konferencës së Paqes së Parisit në lidhje me Shqipërinë, duke i quajtur ato të papranueshme. Kongresi u shpreh për pavarësinë e plotë të Shqipërisë, kundër çdo mandati të huaj. Në telegramin e protestës, që iu dërgua kryetarit të Konferencës së Paqes, shpallej botërisht, se shqiptarët ishin gati të bënin “të gjitha sakrificat, të derdhnin edhe pikën e fundit të gjakut të tyre, kundër çdo vendimi që do të vinte në rrezik tërësinë tokësore dhe pavarësinë e tyre të plotë”. Së dyti, miratoi aktin kushtetues, ku sanksionohej sovraniteti i plotë i shtetit Shqiptar dhe kjo u shpreh me organet që ngriti kongresi. Në mbledhjen e katërt, që u mbajt më 30 Janar, kongresi formoi një Këshill të Lartë prej 4 vetash, i cili do të përfaqësonte kolegjialisht kryetarin e shtetit shqiptar, derisa të përcaktohej përfundimisht forma e regjimit prej një asambleje kushtetuese. Si antarë të Këshillit të Lartë u zgjodhën: Aqif Pashë Elbasanin, dr. Mihal Turtulli, Luigj Bumçi dhe Abdi Toptani, të cilët nga pikëpamja fetare përfaqësonin të gjitha besimet fetare ekzistuese në vend. Ky këshill do të ushtronte pushtetin ekzekutiv së bashku me qeverinë. Kongresi zgjodhi gjithashtu edhe një Këshill Kombëtar, i cili do të luante rolin e parlamentit. Ai përbëhej nga 37 antarë. Këshilli Kombëtar kryente detyrat e organit legjislativ dhe kishte të drejtë të plotësonte vendet vakant të Këshillit të Lartë. Këshilli i Lartë nuk mund ta shpërndante Këshillin Kombëtar, këtë të drejtë e kishte vetëm asambleja. Pas kësaj u zgjodh edhe qeveria e kryesuar nga Sulejman Delvina Kryeministër, Ahmet Zogu Ministër i Brendshëm, Mehmet Konica Ministër i Punëve të Jashtme, Hoxhë Kadria Ministër i Drejtësisë, Ndoc Çoba Ministër i Financave, Sotir Peci Ministër i Arsimit, Ali Riza Kolonja, Ministër i Luftës, dhe Idhomene Kosturi me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Postë-telegrafave. Eshref Frashëri do të mbante detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Punëve Botore. Në seancën e pestë, që u mbajt më 31 Janar pasdite, kongresi zgjodhi antarët e Senatit. Pas kësaj mbledhje, atë pasdreke të 31 Janarit të vitit 1920, kongresi u dha fund punimeve. Vendimet e kongresit u miratuan pak më vonë edhe nga delegatët e tjerë, midis tyre edhe nga ata të krahinave veriore të vendit, që nuk arritën të merrnin pjesë në punime. Kongresi i Lushnjës, i tregoi botës se Shqipëria ishte e pavarur dhe e pandashme,çka dotë thoshte se shqiptarët, trimat e Skënderbeut, do të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut, për çlirimin e këtij vendi, duke iu dalë kundër planeve djallëzore për copëtimin e Shqipërisë. Organet që zgjodhi kongresi, nisën të veprojnë si i vetmi autoritet i Shqipërisë, me fuqi sovrane. Në vetëm pak kohë, qeveria e Tiranës, e dalë nga kongresi i Lushnjës, u njoh prej të gjithë shqipëtarëve dhe u formua kështu një qendër, rreth së cilës mund të mblidheshin të gjitha energjitë e kombit. Kongresi i Lushnjës kishte ngjallur shpresat dhe iu kish dhënë shqiptarëve një farë besimi në vetvete. E gjithë Shqipëria u mobilizua Rrethet e Vlorës e të Labërisë dhe pastaj, e tërë Shqipëria e Jugut u ngrit me armë në dorë kundër ushtrisë italiane. Tërheqja e Italisë nga Vlora sillte si rrjedhim logjik, pavarësinë e shtetit shqiptar. Kongresi i Lushnjës, me vendimet e tij detyruan Fuqitë e Mëdha të hiqnin dorë nga qëllimet grabitqare, tashmë vendi kishte zot. Më 17 dhjetor 1920, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve.

Filed Under: Histori Tagged With: Kongresi i Lushnjes, Niko Ferro, patriotizmi

Kongresi i Lushnjës nxiti pluralizmin politik në Shqipëri

May 21, 2015 by dgreca

*“Partia Kombëtare”, “Partia Nacionale” dhe “Partia Popullore”, krijuan pluralizmin/
– Bahri Omari, Zija Toptani, Pandeli Çale, Ali Këlcyra, Leonidha Frashëri, Petro Harito, Eshref Frashëri, Sulejman Delvina, Sotir Peci, Ahmet Zogu, Koço Kota, Qazim Kokoshi, drejtuesit kryesorë të partive/
Shkruan:Harallamb Kota-studiues/
Kongresi i Lushnjës caktoi Tiranën kryeqytet të Shqipërisë. Qeveria e Sulejman Delvinës u vendos në Tiranë më 11 shkurt 1920, duke ushtruar pushtetin në teritorin e përgjysmuar të Shqipërisë, në hapësirat gjeografike të caktura nga Fuqitë e Mëdha. Vlora, kryeqyteti i pavarësisë dhe i ngritjes së flamurit shqiptar të Skënderbeut, bashkë me rrethinat e sajë ishte e pushtuar nga ushtritë italiane. Në këto kushte, përfaqësuesit e krahinës të mbledhur në “Kuvendin e Barçallait” më 29 maj 1920, vendosën fillimin e luftës. Për organizimin e drejtimin e saj u zgjodh Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” me kryetar O.Haxhiun dhe komisioni ushtarak me Ahmet Lepenicën në krye. Pas një ultimatumi dërguar forcave ushtarake italiane dhe refuzimit të tij, lufta u zhvillua në mënyrë frontale. Forcat shqiptare që arinin deri në 4 mijë vetë, të përbëra nga vullnetarë të ardhur nga të gjitha krahinat e shqipërisë dhe të mbështetura nga qeveria e Tiranës, u vunë përballë dy divizioneve italiane dhe i detyruan të tërhiqen në qytetin e Vlorës. Në kohën që shqiptarët luftonin për të çliruar Vlorën, Esat pashë Toptani organizonte turbullira në popull dhe sulmonte qeverinë shqiptare para shteteve perëndimore. Në këto kushte, patrioti Avni Rustemi më 13 qershor 1920, kreu në Paris vrasjen e Esat pashë Toptanit. Për këtë ngjarje, është shprehur edhe intelektuali e patrioti shqiptar Mustafa Kruja, i cili thotë: “Vrasja e Esadit, ishte i vetmi mjet për ta shpëtuar vendin prej kaosit të esadizmit”. Pas vrasjes së Esadit, shumë vullnetarë shqiptar shkuan të luftojnë në Koplik të Shkodrës, për të përballuar agresionin e armatosur jugosllav që nisi më 26 korrik 1920. Vullnetarët shqiptar prej 400 vetash qëndruan në bregun e Bunës, për t’iu këndërvënë një sulmi të mundshësh jugosllav. Nërkohë, komiteti “Mbrojtja Kombëtare” organizoi sulmin frontal për marjen e Vlorës. Pas shumë luftimesh ku mbeti i vrarë patrioti Selam Musai, në datën 2 gusht 1920 italianët u tërhoqën nga Vlora dhe lufta mbaroi. Fitorja e Luftës së Vlorës, krjoi kushtet e favorshme për të filluar në 13 gusht të atij viti “Luftën e Dibrës”, kundër reparteve serbo-malazeze, që kishin pushtuar tokat e krahinës së Dibrë,kishin hyrë thellë në tokat shqiptare duke iu afruan kryeqytetit . Krerët e luftës, nën drejtimin e E.Isufit të ndihmuar nga mijëra vullnetarë që iu përgjigjën thirjes së qeverisë shqiptare, çliruan Peshkopinë dhe i detyruan pushtuesit të tërhiqen në kufirin e caktuar në vitin 1913. Pas tre luftrave, qeveria shqiptare mori kontrollin e plotë mbi të gjitha krahinat. Në 15 gusht 1920, në Lushnjë u mbajt “Kongresi Kombëtar i Arësimit”, i cili përcaktoi fizionominë dhe frymën kombëtare të arësimit në shtetin e pavarur shqiptar. Pak muaj më vonë, Qeveria Delvina paraqiti kërkesën e pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Për këtë qëllim,në tetor 1920 u dërgua në Gjenevë Fan.S.Noli., i cili para nisjes deklaroi: “…me shpresën e zotit, do të kthehem në Tiranë, duke sjellë me vete edhe vendin e Shqipërisë në bashkësinë e përparuar e duke i siguruar asaj, një vend në atë tavolinë që i takon prej kohësh”. Pas mbarimit të punimeve Noli kthehet fitimtar dhe deklaron: “Më 17 dhjetor 1920, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve dhe tash e tutje ajo është e njohur si shtet sovran”.

PLURALIZMI POLITIK
Kongresi i Lushnjës nxiti pluralizmin politik në Shqipëri. Mbi bazën e platformës së tij, krahas organizatave politike të themeluara nga patriotët shqiptarë, ku në SHBA në fillim të vitit 1912 ishte formuar federata “Vatra” e në vitin 1917 “Partia Kombëtare”, dhe në Shqipëri, më 1914 “Partia Kombëtare” ose “Partia Nacionale”, pas viteve 1920 u krijuan parti të tjera politike të cilat e gjallëruan jetën politike shqiptare. Sipas dokumentave historike, botuar në librin me autorë prof.Rudina Mita e prof.Hysen Kordha “Pluralizmi Politik Shqiptar gjatë Periudhës 1914-1924”, më 10 tetor 1920, u formua në Parlament me inisiativën e një grupi të deputetëve “Partia Popullore” shqiptare. Kjo parti, përmblodhi një numër të madh intelektualësh dhe kishte ndër ta patriotë të vërtetë. Bejlerë të mëdhenj nuk kishte, veç Ahmet Zogut, i cili si mjeshtër i politikës shqiptare, e deklaronte veten: “më demokrati i të gjithë demokratëve”. Shumë nga deputetët kishin qenë më parë anëtarë të “Partisë Kombëtare”. Drejtues i “Partisë Popullore” u zgjodh me shumicë votash patrioti shqiptar dhe krijuesi i “Kishës Autoqefale Shqiptare” Fan.S.Noli, ndërsa anëtarët më të spikatur të kësaj partie ishin: Bahri Omari, Zija Toptani, Pandeli Çale, Ali Këlcyra, Leonidha Frashëri, Petro Harito, Eshref Frashëri, Sulejman Delvina, Sotir Peci, Ahmet Zogu, Koço Kota, Qazim Kokoshi e të tjerë. Një muaj më pas më 21 nëndor 1920, u formua “Partia Përparimtare” shqiptare, e cila drejtohej nga Kadri Prishtina. Kjo parti kishte brënda të gjithë bejlerët dhe pasanikët e mëdhenj të Shqipërisë si: Shefqet bej Vërlacin, Zija Toptanin, Hasan Biçakun, Qemal Vrionin, etj., kryetarët e fiseve të veriut dhe shumë nacionalist.
Në parlamentin shqiptar, përfaqësuesit e “Partisë Popullore” në diskutimet e tyre, kërkonin kryerjen e reformave demokratike antifeudale në jetën politike, ekonomike, dhe shoqërore të vendit. Reformat, vinin në dukje diskutantët e kësaj partie, duhet të jenë moderne nga shpirti, por të urta e të shkallëzuara, që të mos tronditet “asnjë ndjenjë ose zakon i vendit”. Me anë të reformave që do të ndëmarim, duhet të përpiqemi të risim ekonominë, të edukojmë e pasurojmë popullin dhe ta vëmë në “radhën e popujve europianë të perëndimit”.Ndërsa përfaqësuesit e “Partisë Përparimtare”, që sipas thënieve të Mustafa Krujës, s’çajshin shumë kokën për ti frekuentuar mbledhjet, pasi Shefqet Vërlaci me shokë, “s’kanë tjetër kujdes, veç që të ruajnë çifliqet e tyre”. Sidoqoftë, pjesëmarësit e të dy forcave politike në parlament, kur diskutonin për çështjet e organizimit të shtetit, të demokracisë dhe probleme të tjera, duke pasur pikpamje të njënjta, aprovonin njëri tjetrin. Të dy palët ishin të një mëndje kur ngriheshin probleme konkrete si: -lidhur me nevojën e depolitizimit dhe mospërfshirjes në debate politike të administratës, të policisë, të ushtrisë dhe të diplomacisë etj., -lidhur me nxjerrjen e rregullave të qarta në ndarjen e pushteteve midis qeverisë, parlamentit (këshillit të kombit), gjykatave dhe organeve të pushtetit vendor. Edhe pse programi i “Partisë Përparimtare”, ishte i ngjashëm me atë të “Partisë Popullore”, anëtarët e saj, shpesh herë në diskutimet e tyre në parlamentin shqiptar, apo në shtypin e kohës, shprehnin ide dhe koncepte konservatore. Kjo dukuri u shfaq me kalimin e kohës edhe brënda “Partisë Popullore”. Në radhët e “Partisë Popullore”, ndodhën ndryshime për shkak të divergjencave ndërmjet anëtarëve të saj, lidhur me rrugën e zgjidhjes së problemeve ekonomike, shoqërore e politike të vendit. Përfaqësuesit me prirje demokratike të “Partisë Popullore”, po veçoheshin nga pjesa tjetër e kësaj force politike, të cilët po shfaqnin koncepte konservatore dhe qëndrime në favor të çifligarëve dhe pasanikëve të mëdhenj.

Filed Under: Histori Tagged With: Harallamb Kota, Kongresi i Lushnjes, Pluralizmi politik

Kongresi i Lushnjës dhe themelet e shtetit të ri shqiptar

January 21, 2015 by dgreca

Nga Safet Ramolli/
Pas Kuvendit Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912, mbetet padyshim ngjarja më e rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Ndërsa simbolikisht, Kuvendi i Vlorës është i pazëvendësueshëm, sepse realizoi pavarësinë e Shqipërisë pas gati pesë shekujsh robërie, për nga rezultatet e realizuara, ky kongres mbetet mbresëlënës. Ai i dha popullit shqiptar një Shtet Modern me parametra demokratikë evropianë e më tutje; zgjidhi në mënyrën më të mirë të mundshme çështjen e garantimit të tërësisë territoriale të vendit; mundësoi anëtarësimin e Shqipërisë në Organizatën e Lidhjes së Kombeve të Bashkuara, (e cila kishte mision garantimin e paqes e të sigurisë, OKB-ja e tashme; krijoi një kabinet qeveritar që punonte sipas interesave të popullit; realizoi unitetin e patriotëve dhe atdhetarëve shqiptarë për mbrojtjen e tërësisë territoriale; zgjidhi problemin e kryeqytetit të vendit (ajo do të ishte Tirana); forcoi rendin e sigurinë; veproi me zgjuarsi dhe atdhetarizëm për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, e mjaft të tjera, që do të bëjmë kujdes t’i trajtomë më hollësisht më poshtë.
Kongresi i Lushnjës: një zgjidhje e mençur për të ndaluar copëzimin e Shqipërisë.
Zhvillimi dhe përfundimi i Luftës I Botërore, ashtu si mjaft shtete të tjera, e rrënoi Shqipërinë ekonomikisht, ashtu si uniteti i popullsisë u shpërbë. Njëherësh, rreziku i copëtimit të trojeve autoktone, i përballi patriotët shqiptarë me përgjegjësinë atdhetare e morale për të mbrojtur çështjen kombëtare. Në këto situata kritike u mbajt Kongresi Kombëtar i Lushnjës, i ngjashëm me atë të Vlorës (28 nëntor 1912). Dokumentet arkivore ndriçojnë mjaft probleme me interes. Prej tyre mësojmë se mbledhja ishte caktuar të bëhej më 21 janar 1920, ora 10.00, ditë e mërkurë. Por me që shumica e delegatëve, (pos të tjerash edhe për shkak të shpërndarjes me vonesë të fletë-thirrjeve), nuk u paraqitën, u gjykua që punimet të vazhdojnë më 28 janar. Koha njëjavore u la për përgatitjen e punimeve. Delegatët u mblodhën tek banesa e patriotit Kase Fuga. I nderuari, kleriku Sheh Ibrahim Karbunara, përmes një lutjeve kreu ritin fetar. Mandej Ferid bej Vokopola, uroi mirëseardhjen e delegatëve. Aqif pashë Elbasani, delegat i Elbasanit, u përgjegj me një ligjëratë të shkurtër por “me fjalë patriotike të flakta”. Kuvendi filloi punimet duke emëruar përkohësisht si sekretar z. Ferid bej Vokopola. U zgjodh një komision i përbërë nga Ibraim bej Ohri, Qazim Kokoshi, Kostaq Kotte, Fazlli Frashëri dhe Adem Peqini, i cili do të verifikonte letërpërfaqësimet e delegatëve.
Të mërkurën, datë 28, ora 14.00, meqë ishin paraqitur shumica e delegatëve, Kuvendi rifilloi punimet. Në emër të grupit nismëtar, z. Xhavit Leskoviku, sqaroi domosdoshmërinë e mbledhjes së tij (mbledhje kombëtare S.R, duke nënvizuar edhe sa vijon: “… përmbi gjendje kritike t’Atdheut…, do të diskutojmë dhe vendosim bashkarisht”. Mbarëvajtjen e punimeve do ta menaxhonte kryesia e përbërë nga: Aqif pashë Elbasani – kryetar, Sotir Peci – n/kryetar, Kostaq Kotta e Ferid bej Vokopola-sekretarë. Mandej delegatët bënë betimin sipas formulës: “Mbledhja Kombëtare jep fjalën e nderit e besën shqiptare, duke betue n’emën të Perëndisë se deri sa Këshilla e Naltë vepron simbas Ligjit të Shtetit tue ruejtun indipendencën e plotë të Shqipnis me mish e me shpirt, do të jetë mbrojtës e përkrahës i gjithëanëshëm i kësaj Këshille”. Pra, përfaqësuesit e popullit betohen në emër të cilësive të larta të karakterit dhe trashëgimisë zakonore të popullit: Nder e Besë, ashtu si premtojnë ndihmë e përkrahje në emër të Perëndisë, por veprimtaria do të bazohet në ligjet e shtetit duke ruajtur domosdoshmërisht pavarësinë e plotë të Shqipërisë.
Kongresi mori disa vendime të rëndësishme në interes të popullit si: rrëzimi me vota unanime i Qeverisë së Përkohëshme të Durrësit, (krijuar në dhjetor 1918); zgjodhi delegacionin që do të pëfaqësonte Shqipërinë në Konferencën e Paqes, që do të mbahej në Paris, i përbërë nga: imzot Bumçi, Mehmet Konitza (Konica, Mihal Turtulli; zgjodhi Këshillin e Naltë të përbërë nga: Aqif pashë Elbasani, imzot Bumçi, dr. Mihal Turtulli, Abdi bej Toptani. (Ky këshill përfaqësonte kryetarin e Shtetit deri sa të përcaktohej prej Asamblesë Kushtetuese forma e regjimit; u formua një Këshill Kombëtar (me 37 këshillonjësme atributet e Parlamentit; u zgjodh Kabineti Qeveritar i Përkohshëm me përbërje: Sulejman Delvina – kryetar; Eshref bej Frashëri – n/kryetar; Ahmet bej Mati (Zogolli- ministër i punëve të brendëshme; Mehmet bej Konitza (Konica- ministër i punëve të jashtme; Ndoc Çoba – ministër i financave; Idhomen Kosturi – zv/ministër i financave; Hoxhë Kadria – ministër i drejtësisë; Hysen bej Vrioni – zv/ministër i drejtësisë; Sotir Peci – ministër i arsimit; u formuan dy drejtori të përgjithëshme (e Punëve Botore me drejtor Eshref bej Frashëri, dhe e Postë-Telegrafeve me drejtor Idhomen Kosturi).
Këto dhe të tjera vendime janë mëse të rëndësishme sepse përbëjnë themelet e ndërtesës së Shtetit të Ri Modern Evropian, i cili u njoh herët nga SHBA-ja dhe ish-BS-ja. Drejtuesit e shtetit në përgjithësi ishin nga intelektualët dhe patriotët më në zë të kohës. Kreu i qeverisë, S. Delvina është i njohur si një ndër statistët më të aftë në Shqipëri e rajon. Ndërkohë, në një nga vendimet e Kongresit përcillet mesazhi: “Nëpunësit do të vijojnë punë me ndërgjegje dhe me vullnet të gjallë mbas ligjeve të Shtetit Shqiptar, duke kryer detyrën e tyre për Atdhe e Popull”.
Rëndësi ka edhe fakti që Këshilli i Lartë, si organ kolegjial në funksion të Kryetarit të Shtetit (Presidentit të Republikës S.R) detyrat do t’i kryente mbi bazën e disa parimeve, që përbëjnë bazën kushtetuese apo kanunore të tij. Ai jep pëlqimin për çdo propozim të Kabinetit të vërtetuar nga Senati; në kohë krize qeveritare ka tagrin të caktojë një kryeministër që formon kabinetin e ri qeveritar, i cili votohet nga Senati; në se kryetari i kabinetit rrëzohet tre herë prej Senatit, atëherë Këshilli i Lartë thërret mbledhjen e popullit, (ndoshta një alternativë kjo e referendumit në ditët tona S.R); ky këshill nuk ka tagrin të shpërndajë senatin edhe kur krijohen mosmarrëveshje; (Senatin dhe Këshillin e Lartë mund t’i mënjanojë vetëm Mbledhja e Përgjithshme Kombëtare); në se një anëtar i Këshillit të Lartë jep dorëheqjen, detyrën e përmbushin tre të tjerët, por kur dorëhiqen dy anëtarë, ata i zëvendëson Senati me të tjerë; Këshilli i Lartë deklarohet i rrëzuar kur vjen mbreti në Fronin e Lartë; votimi për Këshillin e Lartë bëhet i hapur, pasi të jenë bërë propozimet prej Senatit (Këshilli i Lartë i parë u propozua prej intelektualit Iljaz bej Vrioni S.R); Senati voton edhe Kabinetin Qeveritar; Këshilli i Lartë betohet përpara Kongresit Kombëtar, kurse Kabineti Qeveritar betohet përpara Këshillit të Lartë.
Këshilli i Lartë betohet sipas kësaj formule: “Betohem n’emën të Perëndisë tue dhanë besën shqiptare e fjalën e nderit para Mbledhjes së Kombit, se do t’i shërbej popullit dhe Shtetit Shqiptar drejtësisht e do të mprojë ligjet dhe indipendencën (pavarësinë S.R) e plotë t’Atdheut Shenjt”. Në këtë formulë zënë vend tiparet thelbësore të karakterit të shqiptarit: Besa, Nderi, Drejtësia, Vendosmëria, ashtu si Atdheu epitetohet “i shenjtë”. Shtetarët motivohen nga zbatimi i ligjeve, ndërsathelbin e misionit të tyre e përbëjnë: mbrojta e ligjeve dhe e pavarësisë së Atdheut.
Kongresi i Lushnjës pati tagrin e një Kuvendi Mbarëshqiptar. Në të u përfaqësun gjithë trevat shqiptare. (Munguan për shkak të rrugëve të vështira delegatët e Shkodrës, Lezhës dhe Malësisë së Gjakovës, të cilët u njohën me procesverbalin e Kongresit, pranuan vendimet e tij dhe Kabinetin Qeveritar. Në emër të tyre firmosën të autorizuar delegatët e trevave veriore. Nga procesverbali mësojmë se në Kongres kanë marrë pjesë emra të njohur të politikës, inteligencies, klerit dhe patriotizmës nga gjithë trevat. Thirrja e delegatëve ishte: “Të jemi të bashkuar për shpëtimin e Atdheut”! Kuvendi ishte gjithëkombëtar, qëllimi ishte shpëtimi i Atdheut, vendimet ishin me karakter kombëtar, por nuk pati nacionalizma të tepruara. Kjo bëri që vendimet e Kongresit dhe Kabineti Qeveritar u pëlqyen nga SHBA-ja, ish-BS-ja, mandej dhe nga shtete të tjera. Nga gjithë këto zhvillime thelbësor evident mbetet fakti që ky shtet u njoh si Shteti i Parë Modern, me program kombëtar, por të zhveshur nga nacionalizmat dhe ksenofobizmat ekstreme.
Veç vendimeve të mësipërme, Kongresi pati si vendime thelbësore edhe: riafirmimin e pavarësisë të arritur më 28 Nëntor 1912; hodhi poshtë planet përçarëse të Konferencës së Parisit mbajtur në janar 1919; zgjodhi Këshillin e Lartë (i përbërë nga Aqif pashë Elbasani, Mihal Turtulli, imzot Bumçi dhe Abdi pashë Toptani) me tagrin e Kryetarit të Shtetit; zgjodhi Këshillin Kombëtar si alternativë e Parlamenit; shpalli të rrëzuar qeverinë e Durrësit dhe zgjodhi Qeverinë nën drejtimin e S. Delvinës, e cila; më 11 shkurt 1920 u vendos në Tiranë, (datë kjo e themelimit të kryeqytetit të Shqipërisë S.R.
Cilat ishin problemet imediate që duhej të zgjidhte Shteti i Ri Shqiptar?
Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës, për të mundësuar zbatimin e vendimeve të kuvendit, duhej të zgjidhte me emergjencë disa detyra. Së pari, të siguronte administrimin e gjithë popullsisë si dhe të garantonte tërësinë territoriale duke çliruar Vlorën, që mbahej e pushtuar nga Italia. Brenda dy muajve ajo mori në administrim pjesën më të madhe të territorit duke ribashkuar edhe Shkodrën, e cila rrezikohej nga forcat ushtarake jugosllave të dislokuara tek ura e Bunës. I kërkoi qeverisë Italiane të hiqte dorë nga politika pushtuese, prandaj inicioi lëvizjen për çlirim në territoret e pushtuara duke ndihmuar në rrugë të ndryshme jozyrtare për të shmangur një konflikt ndër-rajonal. Në krye të organizimit të kryengritjes u vunë rrethet patriotike duke krijuar “Komitete të Mbrojtjes Kombëtare”, më aktivi i të cilëve ishte ai i Vlorës i drejtuar nga patrioti Osman Haxhia, si dhe “Organizata e të Rinjve Intelektualë” me Halim Xhelon në krye. Më 29 maj u mblodh Kuvendi i Barçallasë, i cili vendosi fillimin e kryengritjes çlirimtare. U bë organizimi ushtarak duke krijuar çeta kryengritësish në bazë fshati, të cilat në pak ditë krijuan një forcë të armatosur prej 4. 000 vetash. Njëherësh u ndërmorën edhe hapa diplomatike. Më 10 prill u ra dakort me Jugosllavinë që ajo të mbante trupa ushtarake në verilindje deri sa të largoheshin italianët, ndërsa me Greqinë u arrit marrëveshja që të mos përfshiheshin në rast konflikti të armatosur. Ndërkohë qeveria italiane bëri disa arrestime, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.
Por patriotët shqiptarë me çetat kryengritëse u vunë vullnetarisht nën urdhrat e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare. Meqenëse forcat italiane nuk zbatuan kërkesat e një ultimatumi, më 5 qershor filloi sulmi i armatosur kundër garnizoneve italiane. Kryengritja u shndërrua shpejt në kryengritje të përgjithshme. Më 6 qershor u dorëzuan garnizonet italiane në Kotë, Gjorm, Drashovicë, Metohasanaj, dhe pas pak ditësh edhe ai i Llogarasë. Më 11 qershor filloi sulmi i përgjithshëm për çlirimin e Vlorës. Më 2 gusht u nënëshkrua në Tiranë një protokoll përmes të cilit qeveria italiane pranonte sovranitetin e plotë të Shtetit Shqiptar. Më 3 shtator forcat kryengritëse hynë në Vlorë si fitimtare. Kryengritja shqiptare u mbështet nga forcat demokratike të mjaft vendeve, përfshi edhe të Italisë, prandaj qeveria e Romës u detyrua të rivlerësojë qëndrimin e saj lidhur me Shqipërinë.
Kryengritja e armatosur u përkrah nga mbarë populli i cili kontribuoi me ndihma financiare, materiale, drithë, bagëti etj. Ndërkohë forcat qeveritare të komanduara nga Bajram Curri shpartalluan bandat esadiste që vepronin në Shqipërinë e Mesme. Fitoren e përshëndetën forcat demokrate evropiane. Më 13 qershor demokrati Avni Rustemi, vrau në Paris Esat pashë Toptanin, i cili ishte daja i Ahmet Zogut. Qeveria italiane tentoi të arrinte një marrëveshje për prezencën e forcave italiane në disa pika strategjike, që nuk u pranua nga qeveria e Tiranës, e cila lejoi një forcë italiane vetëm në ishullin e Sazanit. Fitorja pati rëndësi sepse Italisë i pritej oreksi për pretendime territoriale në Shqipëri, nga ana tjetër, ajo nuk do të ishte dakort me pretendime territoriale të Italisë dhe Greqisë në Shqipëri.
Kjo luftë pati protagonistët e vet, kryesor mbetet populli që mbajti peshën kryesore të një përballjeje me një fuqi disa herë më të madhe. Në krye të tij u vunë patriotë që hynë në histori, e që janë të gjallë në memorjen e popullit si: Osman Haxhia, Selam Musai, Zigur Lelo, Dede Dajlani, Tato Bolena, Myhedin Mysteaku, Lilo Micolli, dhe dhjetra të tjerë. Kjo epope është përjetësuar edhe në vepra arti, midis të cilave spikat romani “Ultimatumi” i shkrimtarit patriot Petro Marko, por edhe “heroizmi i gunave mbi tela me gjemba kundër topave me alitrikë”, sikurse shprehet populli.
Përballimi i ndërhyrjeve nga jashtë dhe zhvillimi i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Në përfundim të Luftës së Vlorës, meqenëse Serbia nuk i qëndroi besnike marrëveshjes së nënshkruar, rilindi konflikti i armatosur në afërsi të Koplikut. Nën pushtimin serb ende ishte Malësia e Kelmendit si dhe disa krahina të Kukësit dhe Peshkopisë, të cilat viti 1913 i kishte lënë në territorin e shtetit shqiptar. Serbia nuk po tërhiqej paqësisht, prandaj pas luftimesh të ashpra në gusht ajo u tërhoq, por për t’u rikthyer përsëri. Pushtuesit serbë ushtruan terror të egër, sidomos në vitin 1921 në Dibër, të përkrahur edhe nga bandat esadiste që vepronin në Shqipërinë e Mesme. Qeveria Shqiptare i bëri thirrje popullit që t’i dilte zot Vatanit. Mijëra luftëtarë të lirisë u organizuan në formacione të rregullta, për rrjedhojë forcat serbe u thyen. Këshilli Kombëtar i kërkoi Serbisë t’i jepte fund terrorit, duke iu drejtuar edhe opinionit progresist evropian. Në këtë mënyrë çështja shqiptare u ndërkombëtarizua. Në vitin 1919 u krijuar edhe Lidhja e Kombeve të Bashkuara, me mision garantimin e paqes e të sigurisë në botë. Në tetor 1920, qeveria shqiptare, me një delegacion të drejtuar nga Fan Noli bëri kërkesë të anëtarësohej në këtë organizatë. Edhe pse u kundërshtua nga fqinjët, pas këmbënguljes së Anglisë, (nisur nga interesat e saj imediate në Shqipëri S.R Shqipëria më 17 dhjetor 1920 u pranua në Lidhjen e Kombeve të Bashkuara, vetëm me votën “kundra” të Francës.
Në vitin 1921 Qeveria Shqiptare bëri mjaft përpjekje intensive diplomatike për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjët, por ato kundërshtuan, me synimin që të ruanin pushtimin në zonat që kishin nën zotërim. Prandaj më 9 nëntor “Çështja Shqiptare” u bë objekt diskutimi në Konferencën e Ambasadorëve në Paris. Konferenca mori dy vendime në kundërshtim me interesat e Shqipërisë: duke i copëzuar edhe një herë territoret shqiptare, sikurse kishte ndodhur më 1878, 1880 dhe 1913, duke i aneksuar Jugosllavisë territore nga krahina e Lumës, Hasit dhe Gollobordës. Ajo i jepte pozitë favorizuese Italisë për të ndërhyrë në rast se cënohej pavarësia politike dhe ekonomike. Po këtë mot pati veprimtari të dendur patriotike edhe për çlirimin e Kosovës, deri me veprime të armatosura. Pra, mbi trungun autokton shqiptar u gatuan dhe u realizuan copëtime të herëpasherëshme.
Si përfundim mund të nënvizojmë se, Shqipëria në vitet 1914-1920 u kthye në shesh beteje midis fuqive të huaja; ajo shërbeu disa herë jo vetëm si objekt diskutimesh në kancelaritë evropiane, por edhe si objekt sulmi; në disa raste ajo është konsideruar nga Fuqitë e Mëdha Evropiane si plaçkë tregu për të joshur orekset e fqinjëve shovenë. Në të gjitha rastet është diskutuar e gjykuar, por edhe vendosur në disfavor të saj, duke vendosur krejt arbitrarisht copëtimin e saj për të katërtën herë. Vetëm në sajë të këmbënguljes të presidentit amerikan Willson vendi ynë shpëtoi nga copëzimet e egra.

Filed Under: Histori Tagged With: dhe themelet, e shtetit të ri, Kongresi i Lushnjes, Safet Ramolli, shqiptar

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT