• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-37 bibliotekave komunale nga 210 tituj të rinj librash

March 4, 2021 by dgreca

-Në Kosovë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në ceremoni tradicionale shpërndan nga 210 tituj të rinj të librave  për 37 bibliotekat komunale/ 

PRISHTINË, 3 Mars 2021 – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/  Nga sot, bibliotekat e komunave të Kosovë, fondin e tyre do ta kenë më të pasur me nga 210 tituj të rinj të librave. Kjo u mundësua me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), në një ceremoni tashmë tradicionale që ministria organizon çdo vit. 

Me politikat e saj për librin, MKRS-ja mbështet financimin e botimit dhe të blerjes së tij. Më pas, kontingjentin e blerë të librit e shpërndan çdo vit për bibliotekat komunale të Kosovës, siç u organizua edhe ceremonia e sivjetme në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës (BKK). 

Në këtë ceremoni morën pjesë Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, kryesuesi i Këshillit Drejtues të Bibliotekës, prof. Osman Gashi, drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku, zyrtarë të MKRS-së dhe përfaqësues të bibliotekave komunale të Kosovës. 

Me këtë rast, ministrja Dumoshi, vlerësoi se libri, si miku më i mirë, sot na ka bërë bashkë. Ajo u shpreh se hallka më e dobët e cila ka qenë në përkrahjen e komunave për kulturën, kanë qenë bibliotekat dhe duke e pasur parasysh këtë fakt, ne si ministri në kuadër të programit, e përkrahim botimin e librit, i blejmë librat e ri të botuar nga shtëpitë botuese dhe ua shpërndajmë bibliotekave titujt e ri që ato të pasurojnë fondin e tyre bibliotekar. 

“MKRS-ja me politikat e saj për disa vite ka fuqizuar dhe ka ndjekur një rrugë të shpërndarjes së librave dhe uroj që edhe kryetarët e komunave të jenë më koshientë që përmes subvencioneve ose pjesëve programore që ta sigurojnë një buxhet për këto biblioteka”, tha ministrja, e cila theksoi se buxheti dhe përkrahja për librin rritet për çdo vit. 

Ministrja sqaroi se ky fond i librave me 27 tituj shpërndahet në 37 komuna të Kosovës si dhe në pjesën e Luginës së Preshevës. 

Në emër të përfaqësuesve të bibliotekave komunale, foli drejtori i Bibliotekës së Komunës së Prishtinës, Munish Hyseni, i cili tha se ata bëjnë pyetësor çdo vit, për të marrë informacion se çfarë u intereson anëtarëve të bibliotekës të lexojnë. 

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, kosova

Sikur Serbia ta njihte Republikën e Kosovës…

February 27, 2021 by dgreca

Nga Prof. Dr. Mehdi HYSENI/

 *** Pa asnjë dilemë, kjo do të ishte më shumë në favorin e Serbisë sesa të Kosovës në kuptimin gjeopolitik .Për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Pishtinës, Serbia ka dy opsione kompromisi:

-E para, njohja de fakto dhe de jure e Kosovës, dhe e dyta, vazhdimi i Dialogut të Brukselit , ku Serbia veç Kosovës, do të humbiste edhe Kosovën Lindore.

 Nëse Beogradi zyrtar urgjentisht e njeh Republikën e Kosovës, do të ngadalësonte procesin e dekolonizimit të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës për një afat të pacaktuar; do të ndikonte negativisht në procedurën e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, si dhe do t’i pengonte rrjedhat e procesit të bashkimit kombëtar dhe territorial të Shqipërisë Etnike në Ballkan. Kjo do të ishte fitorja më e madhe e Serbisë së : Aleksandar Vuçiqit (president), Ana Bërnabiçit (kryeministre) dhe Ivica Daçiqit (kryeparlamentar) në kontekstin gjeopolitik, gjeostrategjik dhe gjeoekonomik kundrejt  kombit shqiptar dhe Shqipërisë Etnike.

          Beogradi të kërkojë pezullimin e dialogut në Bruksel

Ndryshe, pa asnjë dyshim, Statusi politik i Preshevës, i Bujanocit dhe i Medvegjës, do të jetë temë qendrore e debatimit mes palëve negociuese  të Beogradit dhe të Prishtinës në Dialogun e Brukselit, i cili pritet të riaktivizohet pas formimit të qeverisë së Kosovës, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021.

Anadaj, nuk ka dyshim se për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, kusht numër 1, është që Beogradi zyrtar ta njohë Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës (17 shkurt 2008).

Me gjithë “kukamat” dhe “betimet” e deritashme të lidershipit të Serbisë (Alekasandar Vuçiq, president, Ana Bërnabiq, kryeministre dhe Ivica Daçiq, kryeparlamentar etj.), drejtuar opinionit  publik të brendshëm dhe atij ndërkombëtar, se gjoja “Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën” (edhe pse realisht, de fakto dhe de jure Kosova është e humbur për Serbinë, ngase më nuk është koloni e saj e dikurshme, 1912-1999), BE-ja, Amerika dhe aleatët e saj evropianoperëndimorë, po kërkojnë pareshtur që Serbia ta njohë Republikën e Kosovës. Ndryshe, Serbia vetëm mund ta imagjinojë hyrjen në BE, asgjë më shumë.

Gjithashtu, Serbia, duhet të harrojë “shkëmbimin”, përkatësisht  “korrigjimin” e kufijve me Kosovën, pavarësisht se çka  janë dakorduar presidenti Vuçiq me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, qysh në vitin 2012  në Bruksel, duke nënshkruar marrëveshjen, që minoritetit kolon serb në veri të Kosovës, t’i lejohet fomimi i “Srspka zajednicës” , që do të thotë “Bashkësi e Komunave Serbe” (BKS).

Mirëpo, kjo marrëveshje e ashtuquatur Thaçi-Vuçiq, pothuajse qe 9 vite është “arkivuar”, duke qenë se Prishtina zyrtare përmes Kuvendit të Kosovës me arsye e ka hedhur poshtë si të pavlefshme, për shkak se de fako dhe de jure, do të mundësonte krijimin e një “Republike Serbe të Kosovës”, ashtu sipas “yrrnekut” të “Republika srpska” të Bosnjës. Formimi dhe legalizimi i një republike të këtillë serbe në Kosovë, në kuptimin gjeopolitik, do të nënkuptonte ndryshimin, përkatësisht copëtimin  territorial dhe shtetëror të Republikës së Kosovës, me efekt të teorisë  domino, që edhe Republika serbe  e Bosnjës, të kërkonte copëtimin territorial dhe shtetëror nga   Federata e Bosnjë-Hercegovinës, duke kërkuar bashkimin e saj me Republikën e Serbisë dhe me “Republikën Serbe të Kosovës”.

Mirëpo, ky ndryshim eventual gjeopolitik i territorit të Kosovës dhe të Bosnjës, pa asnjë dyshim se do të destabilizonte në tërësi Ballkanin, i cili edhe kështu ndodhet në një krizë serioze dhe të thellë për shkak se Serbia me çdo kusht po ngulmon, që të krijojë “Republikën Serbe” në veriun e Kosovës”, me qëllim që ta copëtojë territorin dhe shtetin e Kosovës.

  Njohja e Kosovës nga Serbia prolongon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë

Me gjithë përpjekjet e qeverisë së Serbisë për ta kthyer sovranitetin e  saj të dikurshëm kolonial në Kosovë, qeveria dhe kuvendi i Kosovës, patjetër, duhet të hedhin poshtë çdo marrëveshje a traktat të firmosur në kuadrin e Dialogut të Brukselit (2011-2018), me qëllim që të parandalojë copëtimin e territorit të Republik֝ës së Kosovës. 

Prandaj, presidenti Aleksandar Vuçiq së bashku me qeverinë dhe me kuvendin e Serbisë, duhet të heqin dorë nga “kukamat”, nga “betimet” , nga simulimet sentimentale dhe mitologjike kolonialiste etnocentriste, se kinse “Kosova është koka, zemra dhe  djepi i serbëve dhe i kish֝ës serbe”, duke qenë se pas pavarësimit të Kosovës (17 shkurt 2008), kjo gënjeshtër dhe ky falsifikat historik, nacional, kulturor, shtetëror e kishtar “ më nuk pi ujë” në kuptimin gjeopolitik, sepse Kosova është shkëputur nga Serbia kolonialiste dhe gjenocidale, është shtet i pavarur dhe sovran, që ka institucionet dhe organet e veta shtetërore, të drejtuara nga përfaqësuesit legjitimë dhe legalë shqiptarë dhe shtetas të tjerë. Së këndejmi,  në strukturat shtetërore qeverisëse të Republikës së Kosovës participojnë edhe përfaqësuesit e minoritetit serb (në qeveri, në parlament, në presidencë etj.). Kjo do të thotë se  Serbia  DE FACTO e ka njohur Kosovën.

 Në vend të dialogimit steril, njohje e ndërsjellë

Prandaj, nuk parapëlqehet që palët negociuese të Beogradit dhe të Prishtinës të kërkojnë vazhdimin e Dialogut të Brukselit, por thjesht të zbatojnë procedurën e njohjes reciproke të Serbisë dhe të Kosovës, ky do të ishte opsioni i kompromisit politik dhe juridik të pranueshëm dhe racional për të dyja palët.

Ndryshe, nëse  vazhdon Dialogu i Brukselit, pala negociuese shqiptare e Prishtinës, do të bëjë riformatizimin e axhendës së dialogimit në Bruksel  me palën serbe të Beogradit. Natyrisht, me ndryshimin e kësaj axhende, do të vinte në shprehje edhe pranimi i kërkesës së përfaqësuesve legjitimë dhe legalë të shqiptarëve të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës, që  të përfshihen në procesin e negociatave të Brukselit. 

Kjo është edhe një arsye më tepër, që Beogradi zyrtar  ta njohë sa më parë të jetë e mundur Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës, në mënyrë që me këtë potez politik dhe diplomatik, Serbia do t’i  arrinte tri objektiva strategjike prioritare në marrëdhëniet gjeopolitike me shqiptarët: 

(1) Do të ngadalësonte procesin e dekolonizimit të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës për një afat të pacaktuar; 

(2) Do të ndikonte negativisht në procedurën e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë;

(3) Do t’i pengonte rrjedhat e procesit të bashkimit kombëtar dhe territorial të Shqipërisë Etnike në Ballkan. 

Sa më sipër si politika, ashtu edhe diplomacia e Beogradit ka shans historik, që t’i normalizojë marrëdhëniet me  Prishtinën, nëse urgjentisht e njeh Republikën  e Kosovës, ashtu siurse 100 shtete të tjera të OKB-së, ndryshe ( pas pavarërsimit të Kosovës, më 17 shkurt 2008)  Serbia nuk ka gjasë minimale, që edhe më tej, t’i mbajë të kolonizuara territoret e aneksuara të Shqipërisë Etnike (Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën). Me një fjalë, me humbjen e Kosovës, njëherazi kanë humbur edhe Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, të cilat derisa Kosova ishte nën sundimin kolonial të Serbisë (1912-1999), ato  ishin vetëm  çështje e brendshme e Serbisë, jo as e Shqipërisë, as e Evropës dhe, as e bashkësisë ndërkombëtare.

Mirëpo, tash, nëse vazhdon Dialogu i Brukselit mes Beogradit dhe Prishtinës, pala negociuese e Kosovës, gjithësesi  do të kërkojë edhe përfshirjen  e përfaqësuseve legjitimë dhe legalë shqiptarë të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medevegjës. Kjo do të jetë hapi i parë i ndërkombëtarizimit të çështjes së pazgjidhur koloniale të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës.

Pra, për t’i normalizuar marrëdhëniet me Serbinë, pala negociuese shqiptare e Prishtinës dhe e PBM-së, në dialogun e Brukselit, duhet të kërkojë  vënien e Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës nën protektoratin ndërkombëtar të OKB-së, ashtu si pata kërkuar, që në vitin 2003 ( ribotuar më 2013, lexo në : https://www.botasot.info/opinione/207191/kosova-lindore-te-vihet-nen-misionin-paqesor-te-okb-se/) , të instaloheshin  kaskat blu të Kombeve të Bashkuara në në territoret e këtyre tri kolonive  shqiptare të Shqipërisë  Etnike lindore. Mirëpo, as politika e Prishinës, as  diplomacia e Tiranës, as u “lagën”  për të ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës Linndore. Përkundrazi, e patën kritikuar ashpër luftën kryengritëse të UÇPBM-së, ashtu sikurse luftën e UÇK-së.

Filed Under: Analiza Tagged With: kosova, Prof.Dr.Mehdi Hyseni, Serbia

KOSOVA FESTON DITËN E PAVARËSISË – 17 SHKURTIN E SHPALLJES SHTET PARA 13 VITEVE

February 16, 2021 by dgreca

-Shtetet e Bashkuara të Amerikës e njohën Kosovën shtet në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së Pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008, kur e njohu edhe Shqipëria…/

 -Ngjarjet e sukseset më të rëndësishme nëpër vitet e Kosovës së Pavarur/

-Në 2021-tën festohet edhe 22 vjetori i  Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999 kur nisi të hyjnë në Kosovë  NATO -forca më e madhe planetare, prirë nga Amerika/

Speciale- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

Kosova në 17 Shkurt 2021 feston  Ditën e Pavarësisë së shpallur para 13 vitesh në 17 Shkurtin historik 2008,   pas Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999, kur nisën të hyjnë forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasuar me vendosjen e Misionit të Administratës së Përkohshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Sipas Axhendës Shtetërore, Festa në 13 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë nisë me ngritjen e Flamurit të Republikës së Kosovës nga Garda Ceremoniale e FSK-së, te selia kryesore e Qeverisë afër  shesheve me emrat e shtatoret e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti  Skënderbeu dhe Presidentit Historik të Kosovës Ibrahim Rugova…

 “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të Pavarur dhe Sovran”, theksonte Deklarata e Pavarësisë, e cila hartës së botës ia shtoi një shtet, e lexuar nga atëherë Kryeministri Hashim Thaçi, të dielën e 17 Shkurtit të para 13 viteve, në Kuvendin e Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme solemne, të nisur në orën 15:00.

     Pak para kësaj ore, parase 109 deputetë të pranishëm në Kuvend të votonin në unanimitet shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i atëhershëm të Kosovës Fatmir Sejdiu në zyrën  e tij, ku na priti në atmosferë feste e përzemërsie drejtorin e përgjithshëm të  Agjencisë Telegrafike Shqiptare Artur Kopani dhe mua korrespondentin në Kosovë të kësaj Agjencie Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, në intervistën ekskluzive deklaronte se “ne nuk kemi frikë nga e ardhmja” dhe se “nga kjo ditë do të jetë një Kosovë e bekuar”…

17 Shkurti 2008 i Pavarësisë së Kosovës, dita më e madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë, e vlerësuar kështu në faqen e parë të botimit të jashtëzakonshëm festiv të gazetës historike Rilindja, në festën e madhe të gjithë shqiptarëve u përmbyll me fishekzjarret më të shumta e më të shkëlqyera që janë parë ndonjëherë mbi Prishtinë, kryeqytetin e shtetit të ri evropian, të saposhpallur.

Kosova deri tani është njohur nga 117 shtete, ndërsa njohjet e para iu bënë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së Pavarësisë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria, Afganistani dhe Kostarika. Kosova ditëfestën e 13 vjetorit të Pavarësisë e pret edhe me njohjen më të re nga Izraeli…

Dy ditë para se të mbusheshin katër muaj pas 17 Shkurtit të shpalljes së Pavarësisë, në 15 Qershor 2008 hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila ishte miratuar në Kuvend në 9 Prill, dhe që në nenin 1 përcaktonte se,“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.

Flamuri shtetëror i Kosovës ishte shpalosur që në ditën e shpalljes së Pavarësisë në seancën solemne të Kuvendit, i cili në një seancë të veçantë në 11 Qershor 2008 miratoi edhe Himnin Shtetëror të Kosovës.

Gjatë 13 viteve, Republika e Kosovës ka vendosur marrëdhënie diplomatike me mëse 90 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur mëse 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete.

Në këto 13 vite të Pavarësisë Kosova ka mbajtur edhe tetë palë zgjedhje të lira e demokratike, pesë parlamentare dhe tre lokale. Zgjedhjet parlamentare, të tetat në Liri e të pestat në Pavarësi u mbatën në prag të ditëfestës së 13 vjetorit të Kosovës Shtet – në 14 Shkurt 2021.

Ndërsa, vitet më të rëndësishme e më të suksesshme të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë ishin 2010-ta, 2012-ta, së bashku 2015-ta e 2016-ta dhe 2018-ta.

Në vitin 2010 ishin dy ngjarje shumë të rëndësishme drejt njohjes së plotë ndërkombëtare të shtetit më të ri evropian: Legjitimimi i Pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 22 Korrik dhe Rezoluta e 9 Shtatorit e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila me respekt e merr në konsideratë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e veçantë të datës 23 Korrik 2010 ka miratuar solemnisht një deklaratë ku shprehte kënaqësinë dhe aprovimin për opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin ndërkombëtar të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe zotohej për respektimin e tij.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte filluar të shqyrtojë legalitetin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kishte miratuar një kërkesë të Serbisë në Tetor të vitit 2008.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetjetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për Pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar më 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së – kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

Në vitin 2012 Kosova përmbylli fazën e Pavarësisë me Mbikëqyrje Ndërkombëtare dhe hyri në një fazë te re të perspektivës euroatlantike.

Në 7 Shtator Kuvendi kosovar miratoi amendamentet në Kushtetutë, të propozuara nga qeveria, që kishin të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës.

Në 10 shtator Grupi Drejtues Ndërkombëtar deklaroi përfundimin e mbikëqyrjes së Kosovës. “Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Më herët, në 2 Korrik 2012 është mbajtur në Vjenë takimi i pesëmbëdhjetë i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, i cili “ka konstatuar se Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit është zbatuar në mënyrë substanciale dhe me këtë autorizohen hapat përfundimtarë për përmbyllje të Pavarësisë së mbikëqyrur dhe mbyllje të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO)”.

Në vitin 2016, në 1 Prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Europian, e nënshkruar në 27 Tetor 2015 në Strasburg dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 Nëntor. Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e Pavarësisë.

Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian është miratuar në 10 Mars 2016 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë për herë të parë është mbledhur në Prishtinë në 16-17 Maj 2016…

 Në 2018-tën Kosova u bë me ushtri dhe kjo ishte edhe ngjarje viti dhe shumë e rëndëishme e shtetit të pavarur gjatë 13 viteve. Pakoja e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës  Ushtri është miratuar me unanimitet në shqyrtim të dytë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës 120 anëtarsh me 107 deputetë në sallë në seancën e 14 Dhjetorit 2018. 

Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008, Forca e Sigurisë së Kosovës është aktivizuar nga Janari 2009, kur u deaktivizuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat lindën nga transformimi i  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lujtën rolin e tyre shumë të rëndësishëm në nëntë vitet e pas luftës së përfunduar në Qershorin 1999.

Në 2021-tën festohet edhe 22 vjetori i  Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999 kur nisi të hyjnë në Kosovë  NATO – forca më e madhe planetare, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë. Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, rreth 6 mijë të zhdukur,  shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër 1 milion të dëbuar – shumica  drejt Shqipërisë…

Kosovës i vinte era tokë e djegur, forcat serbe ua kishin vënë flakën mëse 400  fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…

Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës (qytet në Maqedoni i banuar edhe me shqiptarë), ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 Qershor e  hyri në fuqi në 11 Qershor 1999.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 Qershor 1999 kishte lëshuar urdhërin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të forcës paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s – KFOR-it nga 36 shtete.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it Amerikan, Anglez, Francez, Gjerman dhe Italian. Gjenerali britanik Michael Jackson ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR.

GAZETA RILINDJA PËR 17 SHKURTIN HISTORIK 2008: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI

 Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha,  për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.

Filed Under: Politike Tagged With: 13 Vjet Pavaresi, Behlul Jashari, kosova

KOSOVA, NJË LEKSION EDHE PËR SHQIPËRINË

February 16, 2021 by dgreca

Sokol PAJA – DIELLI/

Kosova na dha një leksion të pastër demokracie, kulture politike, ndërgjegjësimi qytetar dhe shtetformimi.

Zgjedhjet në Kosovë ishin model edhe për botën e qytetëruar. Fushata, përgatitjet parazgjedhore, votimi, kontrolli paraprak i kandidatëve, administrimi i votës dhe pranimi i rezultatit ishte një model fantastik duke pasur parasysh moshën dhe eksperiencën e institucioneve të Kosovës. Zgjedhjet në Kosovë na dhanë një leksion shumë dimensional. Kosova hapi një faqe të re në rrugëtimin e saj europian dhe konsolidimit të shtetit demokratik. Kosova na dha jo vetëm një shembull por mbi të gjitha tregoi një kulturë demokratike, votuesi shqiptar i Kosovës po ashtu. Kosova na mësoi si fitohet, si numërohet, si votohet, si pranohet rezultati, si humbësi merr përgjegjësi, si fituesi duhet të shërbejë, si i përzgjedhuri nuk udhëhiqet nga arroganca por nga thjeshtësia dhe shërbesa ndaj qytetarëve. Përpara shpalljes së datës së zgjedhjeve, shkuarja në ballafaqim elektoral, ishte një mësim i fuqishëm institucional, sesi gjykatat në shtetin e Kosovës nuk i komandon, drejton, apo shantazhon politika e ditës. Gjykata supreme rrëzoi qeverinë që mbahej në këmbë nga një votë e paligjshme. A ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri kjo? Kurrë. A do të mundet të ndodhë ndonjëherë, kategorikisht jo. Maturia e institucioneve në Kosovë është fantastike edhe pse numërojnë pak më shumë se një dekadë jetë. Pa mbaruar numërimi i votave, humbësi uron fituesin dhe mban përgjegjësi për rezultatin. Lidershipi i Kosovës na dha leksion, institucionet na dhanë leksion por mbi të gjitha votuesi shqiptar i Kosovës, mërgata shqiptare në çdo cep të globit krijoi një model fantastik ndërgjegjësimi patriotik. Mërgimtarët sfiduan kushtet atmosferike të jashtëzakonshme, nuk pyetën për distancat gjeografike, nuk pyetën për kostot ekonomike por morën pjesë masivisht për ti hapur atdheut të tyre një dritë shpresë, një të ardhme më të mirë, një qeverisje më të përgjegjshme. Mësimi më i madh që na dhanë shqiptarët e Kosovës, ndryshe nga shqiptarët e Shqipërisë, është fakti se ata erdhën e votuan të gjithë për të ardhmen e Kosovës, ndryshe nga shqiptarët e Shqipërisë që ikën. Kosova na tregoi se duhet ta luftojmë të keqen në vend dhe në mergatë, kudo ku atdheu ka nevojë bijtë e vet duhet të jenë aty për ta shpëtuar mëmëdheun. Votuesi në Kosovë por mbi të gjitha votuesit e mërgatës e tronditën themelin e politikës së vjetër. Çmontuan një sistem që kishte konsoliduar rreth vetes gjithçka. Kjo frymë dhe ky mësim duhet të merret si etalon nga shqiptarët në Shqipëri dhe mërgata me banim jashtë atdheut që të shkojnë më 25 prill në Shqipëri, nga çdo cep i botës për të bërë përmbysjen e madhe, për të shkërmoqur me votë të lirë dhe demokratike qeverinë më të shëmtuar në 30 vite tranzicion. Mërgata shqiptare duhet të ndërgjegjësohet më shumë se asnjëherë, nëse neokomunistët marrin një tjetër mandat, pas disa vitesh nuk do të ketë më Shqipëri. Ndryshimi i elitave drejtuese dhe politike është një domosdoshmëri jetike për Shqipërinë. Vetëm në 8 vitet e fundit si pasojë e keqqeverisjes janë detyruar të largohen nga Shqipëria 600 mijë shqiptarë. Qeveria Rama kreu një genocid ekonomik, politik, social mbi shqiptarët e ndershëm e të pamundur. Fatkeqësisht është krijuar një Shqipëri e të pasurve, e oligarkëve e klaneve mafjoze politike, një atdhe që bëhet i pajetueshëm për bijtë e tij, të varfrit, njerëzit e thjeshtë, të ndershmit nuk kanë më akses në atdheun e tyre. Shqipëria nuk u përket më shqiptarëve por një grushti politikanësh që dominojnë skenën tash 30 vjet dhe pasunarësh të pasuruar mbi kurrizin e shqiptarëve të ndershëm e patriotë. Në Shqipëri ka humbur shpresa, është vrarë ideja se një ditë Shqipëria do të bëhet. Qeveria me qëllim që ta mbajë të nënshtruar dhe ta përdorë e shantazhojë më lehtë votuesin para zgjedhjeve, i ka lënë shqiptarët në varfëri dhe të lidhur pashmangshmërisht e ngushtësisht me pushtetin e ditës. Shqipëria ka nevojë urgjente ndryshimin e filozofisë së të bërit shtet dhe të qeverisjes ndaj njerëzve. Shqipëria ka nevojë të ndryshojë urgjent qasjen ndaj institucioneve, votuesve, ndaj ligjit, ndaj përgjegjësive. Shqipëria ka nevojë mbi gjithçka e çdo gjë për shqiptarët e saj, për bijtë në mergatë që të kthehen në atdhe si në Kosovë e të ndryshojnë me votë fatet e një atdheu të rrezikuar dhe të shkëpusin një herë e mirë Shqipërinë nga kthetrat e lugetërve politik, përbindshave të pashpirt që e shvasin, copëtojnë dhe poshtërojnë çdo ditë Shqipërinë.

Filed Under: Analiza Tagged With: kosova, Sokol Paja

VATRA PËRSHËNDET MARRËVESHJEN MES KOSOVËS DHE IZRAELIT

February 2, 2021 by dgreca

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, përshëndet dhe mbështet fuqishëm marrëveshjen ndërmjet shtetit të Kosovës dhe shtetit të Izraelit për njohjen dhe vendosjen zyrtare të marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve dhe rritjen e bashkëpunimin në shumë fusha. Izraeli bëhet shteti i 117-të që e njeh Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran. 

Në këtë ditë historike të forcimit dhe më tej të miqësisë mes SHBA-së, Kosovës dhe tashmë  edhe Izraelit, i shpreh mirënjohje të thellë dhe vlerson Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kontributin dhe rolin e veçantë për këtë arritje e kësaj marrveshje historike-politike-diplomatike.  Njohja e shtetit të Kosovës prej Izraelit është arritja më e madhe diplomatike e Kosovës gjatë vitit diplomatik dhe mbi të gjitha forcim i mëtejshëm i miqësisë me aleatin më të madh të Kosovës, SHBA. 

Akti historik i njohjes së shtetit të Kosovës nga Izraeli, forcon më tej pozicionin e Kosovës, imazhin, institucionet dhe diplomacinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe është një hap përpara drejtë realizimit të aspiratës euroatlantike të popullit dhe institucioneve të shtetit të Kosovës. Në këtë proces të vështirë historik, VATRA falenderon Kryeministrin e Kosovës, z.Avdullah Hoti dhe Ministrën e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Haradinaj-Stublla, për punën e bërë dhe suksesin e lartë që është një garanci e mëtejshme në fushën e diplomacisë së Kosovës, integrimit dhe forcimit të institucioneve. Marrëveshja Kosovë – Izrael, është një gur themeli i fortë në miqësinë mes popullit shqiptar, izraelit dhe popullit mik amerikan. Mbështetja nga Shtetet e Bashkuara, miqësia e re dhe e fortë më Izraelin e bëjnë Kosovën më të fortë, forcon pozitat e shqiptarëve në rajon. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeve, Shtetet e Bashkuara hedhin jë hap të fuqishëm diplomatik që ndihmon paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Në këtë proces kompleks VATRA ishte prezente dhe u angazhua pandërprerë nëpërmjet komunikimeve dhe takimeve të vazhdueshme ku delegacioni i VATRËS në Uashington, loboi fuqishëm me miqtë e tanë në Shtëpinë e Bardhë, duke shfrytëzuar njohjet personale dhe institucionale në takimet me Ambasadorin Granell dhe përfaqësues të tjerë të Shtëpisë së Bardhë. Gjatë gjithë këtij procesi i qëndruam afër duke i shoqëruar e këshilluar delegacionin e shtetit të Kosovës në Uashington. 

Përgjatë vitit 2020, po ashtu VATRA forcoi edhe më tej lidhjet e saj me diplomacinë në Uashington, me diplomacinë e Kosovës duke nënshkruar memorandum me Ministren e Jashtme Meliza Haradinaj Stublla dhe jemi në përgatitjen përfundimtare të nënshkrimit të marrëveshjes me diplomacinë e Tiranës zyrtare pas zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit. VATRA do ta luajë kurdoherë rolin e saj atdhetar e diplomatik sa herë që shtrohet për diskutim fati i shteteve amë Shqipërisë e Kosovës. VATRA do të jetë prezente duke lobuar me miqtë në Uashington sa herë që të merren vendime për fatet e popullit, shtetit e kombit shqiptar. 

Rroftë Kosova

Rroftë Shqipëria

Rroftë Amerika

Rroftë kombi shqiptar

I gëzuar për këtë ditë

Me respekt e falenderim të veçantë

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha, Izraeli, kosova, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 106
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT