• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova prezente në të gjitha sportet botërore

May 26, 2016 by dgreca

-Në takim me Kryeministrin Isa Mustafa, Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA), Jean Todt,  ka vlerësuar përkushtimin e Kosovës në avancimin e sportit, duke përfshirë edhe automobilizmin/

 PRISHTINË, 26 Maj 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA), njëherësh i dërguar special për sigurinë në rrugë i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Jean Todt, i cili po viziton Kosovën.Kryeministri Mustafa fillimisht e priti në zyrën e tij presidentin Todt, ndërsa më pas së bashku kanë vizituar veturat e garave automobilistike kosovare të ekspozuara në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.Kryeministri Mustafa e falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme të presidentit Todt për sportin e Kosovës, duke theksuar se përmes miqve si ai Kosova po arrin që të jetë prezentë në të gjitha sportet botërore.“Ne e patëm një takim me presidentin Todt në zyrën time, biseduam për përkrahjen e tij dhe iu falënderuam për këtë përkrahje të madhe. Biseduam veçmas për sigurinë në rrugë, sepse është edhe përfaqësues i sekretarit të Kombeve të Bashkuara dhe është zë shumë i rëndësishëm i sigurisë në rrugë. U zotuam se ne do të marrim të gjitha masat në mënyrë që të siguromë fëmijët, udhëtarët, sepse ata gjithmonë janë të rrezikuar gjatë daljes në rrugë që nga edukimi, nga infrastruktura dhe nga mjetet tjera ndihmëse”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri Mustafa e ka falënderuar për përkrahjen që ka dhënë në anëtarësimin e Kosovës në FIA.
“Me këtë ne po arrijmë që të gjitha sportet tona të bëhen pjesë e sporteve botërore dhe falë miqve tanë, siç është Jean këtu sot së bashku me ne. Ne do të bashkëpunojmë edhe më tutje dhe do të përkrahim edhe këtë sport sepse është sport shumë i rëndësishëm për ne për arsye se përfshinë një gjeneratë të re e cila është mjaft e prirë në këtë fushë”, tha kryeministri Isa Mustafa.Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA), Jean Todt,  ka vlerësuar përkushtimin e Kosovës në avancimin e sportit, duke përfshirë edhe automobilizmin.

Presidenti Todt shprehu përkrahjen e tij të mëtejshme për automobilizmin kosovar.Ai, po ashtu, gjatë takimit me kryeministrin Mustafa e ka falënderuar për rëndësinë e rritjes së masave dhe vetëdijesimit për sigurinë në trafikun rrugor, duke iu referuar fatkeqësive të shumta, me pasoja të rënda, që ndodhin në mbarë botën./b.j/

Filed Under: Sport Tagged With: kosova, Kryeministri Mustafa, sportet boterore

Kosova do thellojë reformat ekonomike dhe sociale me BE-në

May 26, 2016 by dgreca

Foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari: Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina – Sheshi Skënderbej/

-Kosova është pajtuar që të themelojë një mekanizëm të pavarur për rishikim të politikës fiskale/

Bruksel/Prishtinë, 25 maj 2016/ Në një dialog ndër-ministror me BE-në, i mbajtur sot në Bruksel, Ballkani Perëndimor dhe Turqia janë zotuar se do të thellojnë reformat ekonomike dhe sociale për të fuqizuar stabilitetin makroekonomik dhe për të rritur konkurrencën dhe zhvillimin.

Në konkluzionet e aprovuara në këtë takim, u aprovuan rekomandimet për politika të secilit prej shtatë partnerëve në zgjerim, me një fokusim të veçantë në reformat strukturore.

“Një objektivë thelbësore e strategjisë së BE-së për zgjerim është rritja e zhvillimit ekonomik dhe social në të gjitha vendet tona partnere. Sot kemi fokusuar diskutimin tonë në mënyrën e zbatimit të reformave ekonomike, për të cilat jemi pajtuar me BE-në. Jam i kënaqur që të gjitha vendet në zhvillim kanë treguar angazhim të madh në këtë detyrë, përfshirë një fokusim më të madh në reformat strukturore dhe sociale”, tha Johannes Hahn, Komisioneri për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, i cituar në njoftimin e dërguar sot nga Zyra e BE në Kosovë.

“Ne mbështesim plotësisht përpjekjet e vendeve në zgjerim drejt konsolidimit të mëtejshëm fiskal, veçanërisht duke pasur parasysh shqetësimet rreth niveleve të larta dhe ende në rritje të borxhit tek një numër i vendeve tona partnere. Në të gjitha vendet, besueshmëria fiskale dhe qëndrueshmëria fiskale do të përfitonin shumë nga një planifikim buxheti më transparent, nga korniza fiskale afatmesme më të fuqishme dhe paraqitje ose aplikimi konsistent i rregullave fiskale të përcaktuara mirë, të cilat mund të shpijnë tek pritjet”, tha Valdis Dombrovskis, Zëvendës President i Komisionit për Euro dhe Dialog Social.

“Në mes tjerash, Kosova është pajtuar që të themelojë një mekanizëm të pavarur për rishikim të politikës fiskale, për të siguruar se investimet publike mbahen mirë dhe zbatohen, dhe për të adresuar shkaqet themelore për normat e larta të interesit në kredi bankare. Autoritetet janë zotuar që do të zbatojnë planin e veprimit për ekonominë joformale dhe të rrisin sigurinë e energjisë, në veçanti përmes mbështetjes së masave për efikasitet të energjisë në sektorin e banimit. Kosova është pajtuar që të përgatisë një plan veprimi për të adresuar papunësinë e të rinjve, për të përmirësuar trajnimin e mësimdhënësve dhe pjesëmarrjen e femrave në tregun e punës si dhe për të fuqizuar Agjencinë e Punësimit”, tha Samuel Zhbogar, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së.

Udhëzuesi i aprovuar i politikave të përbashkëta bazohet në Programe të Reformës Ekonomike, të cilat autoritet i përgatisin për çdo vit dhe ua dorëzojnë BE-së në fund të muajit janar. Këto programe zhvillohen për tre vjet. Ato përbëjnë një kornizë të politikës makroekonomike dhe asaj fiskale si dhe reformat strukturore prioritare për rritjen e zhvillimit dhe të konkurrencës. Këto reforma strukturore shtrihen prej liberalizimit të tregjeve të energjisë, transportit dhe telekomit, duke adresuar normat shumë të lara të papunësisë, rritjen e cilësisë së sistemit arsimor, përmirësimin e mjedisit afarist dhe tërheqjen e investimeve midis tjerash.

Kjo detyrë nënkupton që të ndihmohen partnerët në zgjerim të BE-së për të rritur zhvillimin e tyre ekonomik dhe social, dhe për t’i mbështetur  ata në plotësimin gradual të kritereve ekonomike për pranim, thekson njoftimi./b.j/

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: -Bashkimi Evropian, kosova, reformat ekonomike

Anëtarësimi i Kosovës në NATO

May 26, 2016 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Washington Vlora Çitaku ka sjellë lajmin e mirë se “në kuadër të Veprimit të Autorizuar të Mbrojtjes – Defense Authorization Act, Kongresi Amerikan me unanimitet të plotë votoi amendamentin ku i bëhet thirrje administratës amerikane që të përgatisë Kosovën për Partneritet për Paqe me NATO-n”.Amerika, Aleate jetike e shqiptarëve hedh hapin e parë të nevojshëm e të domosdoshëm me vizion afatgjatë për sigurinë e rajonit dhe vetë Europës!

Megjithatë jam me atë pjesë që ndajmë opinionin e njëjtë se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të duhej të kryhej që më 1999 ose në vitet e para të shekullit XXI.

Kështu kam shkruar jo sot, por menjëherë posa trupat e NATO-s e çliruan Kosovën nga makineria kriminale e Milosheviçit.

S’ka alternativë tjetër Kosova. Normalisht çdo shtet i Europës, përfshi edhe Serbinë deri edhe Rusinë, do të duhet të jenë anëtarë të Aleancës Euro-Atlantike, por Kosova ka arsye shumë më tepër sepse vijon të mbetet pré e qëllimeve gllabëruese.

Emri i Kosovës ka qenë i lidhur me atë pjesë të Ballkanit njohur me sintagmën – Fuçi baruti e Europës – “Powder keg of Europe”. Dhe për ta hequr nga fjalori këtë term në vetvete balistik, duhet që kjo zonë të shndërrohet realisht në zonë paqe dhe sigurie afatgjatë.

Ky duhet të ishte synim i BE-së, por nëse BE është gjithmonë e vonuar, i NATO-s duhet të jetë patjetër.

Në 12 qershorin e këtij viti mbushen 17 vjet prej hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, e megjithatë Ballkani nuk është oaz paqeje. Sepse duke e lënë Kosovën jashtë NATO-s dhe BE-së, ka vijuar të ushqehet mitomania se ka ende shpresë për ta kthyer Kosovën pas, në mos të tërën, por të paktën pjesët e saj esenciale.

Në vend që Serbia të harxhonte energji për reforma që i duhen për t’u integruar në BE, gjithë diplomacinë dhe kanalet e shtetit i ka përqëndruar tek minimet e sukseseve të Kosovës, lobimi për pengimin e Kosovës për t’u integruar në institucionet ndërkombëtare apo për të mos e  njohur Kosovën shtet të pavarur çka e ka kthyer dialogun Kosovë-Serbi një farsë të vërtetë.

Integrimi i Kosovës në NATO duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur, për disa arsye themelore:

Së pari, anëtarësimi i Kosovës në NATO do t’i japë fund ankthit të Serbisë për të rimarrë Kosovën apo pjesë të integritetit dhe sovranitetit të saj territorial po ashtu pretendimeve se insitucionet fetare që i takojnë trashëgimisë serbe janë të rrezikuara.

Së dyti, sovraniteti territorial i Kosovës është prej 17 vitesh nën administrimimin e trupave të KFOR-it. Shumë i domosdoshëm, por prapë duhet të jetë i limituar deri kur Kosova të jetë anëtare me të drejta të plota e NATO-s.

Së treti, Kosova nën juridiksionin e Serbisë deri më 1999, ishte një vend pa ushtri, pa polici, pa shërbim inteligjent, sepse gjithçka ishte në duart e Beogradit, ndërsa UÇK lindi si një njësi ushtarake me baza vullnetare për të marrë në mbrojtje popullsinë civile nga genocidi dhe dëbimet masive që ka operuar në bashkërendim me trupat e NATO-s.

Së katërti, pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999,  UÇK-ja, në respekt të plotë të kërkesës të Perëndimit, u çarmatos menjëherë duke u transformuar në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës. Në 2009 TMK u shpërbë në Forca e Sigurisë së Kosovës, e monitoruar nga NATO, por paçka se kanë kaluar 7 vjet, ende jo e shndërruar në Forcë e Armatosur e Kosovës, dmth në ushtri të saj, për shkakun kryesor se Serbia është kundër.

Megjithëse Serbia ishte shteti agresor, jo vetëm që nuk e pranon ftesën e NATO-s për të qenë pjesë e saj, por pretendon që Kosova të mos ketë ushtri, të mos ketë njohje, të mos jetë e integruar në asnjë institucion ndërkombëtar! Paçka se prej disa vitesh vijon dialogu Kosovë-Serbi!

Kosova nuk ishte kundër dialogut me Serbinë, por kundër farsës po. Kosova nuk është as kundër që Serbia të jetë anëtare e NATO-s.

Serbia i është bashkangjitur programit të Partneritetit për Paqe në vitin 2006. Ndërsa Kosova është në prag të këtij programi në vitin 2016, pra dhjetë vite më vonë!

Ky është mirëfilli absurditet.

Nëse Kosova do të ishte integruar në NATO menjëherë, që në 1999 ose në fillim të milenarit të ri, rajoni, Ballkani do të ishte qetësuar. Serbisë nuk do t’i ishin dhënë 17 vite kohë t’i përdorur kundër interesave të shtetit të Kosovës me shpresë se ka kthim prapa.

Serbia përmes Rusisë dhe diplomacisë të saj ka arritur të vonojë Kosovën por edhe të zgjasë mosstabilitetin e rajonit.

Serbia ka përfituar edhe prej ndryshimit të administratave në SHBA dhe një punë e nisur nga administrata Clinton, e vijuar me sukses prej asaj Bush, do të duhej të kishte përfunduar me kohë nga administrata Obama, për të mirë të paqes, sigurisë, lirisë dhe barazisë. Serbia është uniforme në qëndrimin e saj në raport me Kosovën këta 17 vjet, BE laramane, ndërsa SHBA do të duhej të ishte më e vendosur.

NATO nuk është forcë sulmuese, agresive, por është mbrojtëse dhe garantuese e sovranitetit të Europës, pra Kosova në NATO është garanci edhe për e sovranitetin e Serbisë.

Hyrja e Kosovës në NATO me kohë, do ta kishte shpëtuar Kosovën nga stanjacioni, nga statusi i getos me praninë e trupave të KFOR-it, do të ishte urëlidhëse jo vetëm me BE, por edhe me vetë Serbinë, do të kishte ndikim pozitiv për investitorët e huaj, do të ishte më imune nga korrupsioni, krimi dhe ndikimi i terrorizmit fetar dhe në fund të fundit zona dikur e quajtur Fuçi Baruti do të ishte një territor zyrtar i NATO-s, çka do të thotë se ai definocion arkaik dhe i frikshëm do të zhdukej nga fjalorët, duke u transformuar në një zonë të sigurisë afatgjatë dhe pajtimit.

Historia ka vërtetuar se shqiptarët paçka se janë europianë, etiketa europiane nuk i ka shpëtuar as nga të qënit viktimë dhe nga të qënit pré e shqiptarofobisë me baza etnike dhe fetare prej fqinjve. Jo më kot Ibrahim Rugova e përsëriste si refren, atë që e thashë që në krye, se shqiptarët janë në aleancë jetike me SHBA. Dhe për të mirën e përbashkët, pa dallim, të serbëve, shqiptarëve, amerikanëve apo europianëve, Kosova duhej të kishte hyrë në NATO me kohë.

Prandaj, ndërsa opinioni e priti me gëzim lajmin se Kosova është në prag të hyrjes në programin e Partneritet për Paqe me NATO, unë i bëj pyetjen vetes: “O Zot e sa do të zgjasë tmerri deri kur Kosova të jetë pjesë e NATO-s!”

Sepse sa kohë që Kosova nuk është pjesë e NATO-s, Ballkani është Fuçi Baruti!

Me këtë rast kujtoj administratën Bush që duhet t’i jemi mirënjohës të gjithë mbarë për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën Verio-Atlantike, si pjesë e kësaj force në mbrojtje të vlerave dhe parimeve të Perëndimit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, kosova, NATO

Kosova, model si ndërtohet një shoqëri multikulturore

May 11, 2016 by dgreca

-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi,  në takim me komunitet pakicë: Para një dekade e gjysmë ishim vend që kishte filluar rindërtimin nga diskriminimi dhe nga lufta ndëretnike. Nuk është ende as një dekadë që jemi bërë shtet i pavarur, por kemi arritur të ecim më shpejt se çdo vend tjetër në rajon drejt ndërtimit të shtetit tonë të përbashkët/

-Këshilli Konsultativ për Komunitete është formuar formalisht në vitin historik 2008, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. E më herët, ka filluar me punë në vitin 2005 si trup joformal i bashkangjitur delegacionit kosovar në bisedimet për statusin dhe është i formuar prej përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë/

 Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 11 Maj 2016/ Kosova është model se si të ndërtohet një shoqëri multikulturore, tha sot Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, në takim me Këshillit Konsultativ për Komunitete, ku është diskutuar për gjendjen e komuniteteve në përgjithësi në Kosovë, për të arriturat e deritashme dhe për punën që duhet bërë në të ardhmen, ndërsa në mesditë do ta vizitojë komunitetin kroat në Janjevë, duke nisur nga  Kisha e këtij fshati.

Presidenti Thaçi tha se Kosova sot nuk merr shembuj nga rajoni, por është bërë shembull për rajonin. Kosova, vijoi ai, është shembull se si duhet të promovohet dialogu dhe se si duhet të ndërtohet një shtet që është shtëpi e të gjitha komuniteteve, me një shoqëri multikulturore, ku të gjithë, pa dallim përkatësie etnike, do të mund ta ruajnë dhe ta kultivojnë identitetin dhe kulturën e tyre.“Para një dekade e gjysmë ishim vend që kishte filluar rindërtimin nga diskriminimi dhe nga lufta ndëretnike. Nuk është ende as një dekadë që jemi bërë shtet i pavarur. Por, në këto pak vite kemi arritur të ecim më shpejt se çdo vend tjetër në rajon drejt ndërtimit të shtetit tonë të përbashkët”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai theksoi se rruga që kemi bërë nuk ka qenë e lehtë, sepse transformimet nëpër të cilat është dashur të kalojmë si shoqëri kanë qenë të mëdha.“Në negociatat për ndërtimin e shtetit të Kosovës treguam pjekuri dhe vizion politik, duke pranuar provizione që akomodonin të gjitha komunitetet. Kemi ndërtuar mekanizma për të inkurajuar pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve, pa marrë parasysh numrin e tyre, në jetën publike e institucionale në Kosovë. Mekanizma për të ruajtur dhe për të promovuar identitetin e tyre”, tha presidenti Thaçi.Ai u shpreh se janë vënë themele të forta dhe të qëndrueshme, por ka ende shumë punë për të bërë. “Edhe këtu jemi të bashkuar. Hallet tona, ambiciet tona, synimet tona nuk na ndajnë, por na bashkojnë”, theksoi Thaçi.Për punën e Këshillit Konsultativ për Komunitete, presidenti Thaçi tha se është qenësore për të zhvilluar një debat të mirëfilltë, kur është në pyetje mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të komuniteteve në Kosovë.“Askush nuk mund të thotë që Kosova është e përsosur dhe nuk përballemi me sfida. Muret që na kanë ndarë në të kaluarën ende nuk i kemi shembur të gjitha. Por, me rëndësi është që kemi gjetur çelësin për këto probleme, dialogun mes nesh. Këtu roli juaj është i pazëvendësueshëm”, iu tha presidenti Thaçi anëtarëve të Këshillit Konsultativ për Komunitete.

Presidenti Thaçi tha se lista e sukseseve të shtetit të Kosovës do të rritet, duke na bërë krenarë që jemi qytetarët e shtetit më të ri, porse tani mbetet që së bashku të punojmë për të realizuar aspiratën tonë për Kosovën euroatlantike.“Do të keni përkrahjen dhe bashkëpunimin tim gjithmonë”, siguroi presidenti Thaçi. Në Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjes President i Republikës në 7 prill, Thaçi është shprehur se do të jetë faktor unifikues politik dhe qytetar, përfaqësues i të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie, feje, race dhe gjinie.Këshilli Konsultativ për Komunitete në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës është formuar formalisht me dekret të Presidentit në vitin historik të Pavarësisë 2008 në 15 shtator  dhe ka mbajtur seancën inauguruese në 23 dhjetor.

E më herët, ka filluar me punë në vitin 2005 si trup joformal i bashkangjitur delegacionit kosovar në bisedimet për statusin dhe është i formuar prej përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë.Këshilli ka formuar kornizën për mbrojtën e të drejtave të komuniteteve në Kosovë e cila ka mundësuar dhe zhvilluar sistemin e akteve kushtetuese dhe ligjore për të siguruar mbrojtjen e plotë të drejtave individuale dhe të drejtave të komuniteteve për përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kosovë.

Korniza është prezantuar gjatë bisedimeve për statusin dhe më vonë ka shërbyer për hartimin e Ligjit për avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve dhe përfaqësuesve të tyre, të miratuar ne vitin 2008 (Ligji për Komunitete).

Mandati i Këshillit Konsultativ për Komunitete përfshinë sigurimin e mekanizmit për shkëmbimin e mendimeve në mes të komuniteteve dhe qeverisë së Kosovës. Mes tjerash, u ndihmon organizatave dhe bën artikulimin e qëndrimeve të komuniteteve joshumicë dhe përfaqësuesve të tyre kur janë ne pyetje legjislacioni, politikat publike dhe programet më rendësi të veçantë për komunitetet.

SIPAS REGJISTRIMIT TË POPULLSISË TË PRANVERËS 2011: KOSOVA 92.93 % SHQIPTARË. PJESA TJETËR E PËRQINDJEVE IU TAKON KOMUNITETEVE PAKICË

Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 %  serbë, 1.08 % turqë, etj.

Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.

Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë.

Edhe në veriun me shumicë serbe pritet regjistrimi i popullsisë në vjeshtën e këtij viti, pasi qeveria në prill ka miratuar Projektligjin për Regjistrimin e Popullsisë, të Ekonomive Familjare dhe të Banesave në Komunat e Kosovës që nuk kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë në vitin 2011.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, kosova, model si ndërtohet, një shoqëri multikulturore, Presidenti Thaçi

Kosova, mirënjohëse emigracionit shqiptar

May 11, 2016 by dgreca

-Bashkëpunimi kulturor e politik ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë ndikon drejtpërdrejtë në jetën e komunitetit shqiptar në Kroaci/PRISHTINË, 11 Maj 2016-B.Jashari/Kosova i është mirënjohëse emigracionit shqiptar, tha sot ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, në vazhdën e vizitës zyrtare në Kroaci. Ai ka zhvilluar një takim pune me deputeten shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj Përlaskaj, me të cilën ka biseduar për çështje që lidhen me emigracionin shqiptar në këtë vend, me organizmin e tyre politik e kulturor, si dhe për bashkëpunimin konkret në fusha të ndryshme ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.Ministri Shala dhe deputetja Lekaj Përlaskaj u shprehën se intensifikimi i bashkëpunimit kulturor e politik ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë ndikon drejtpërdrejtë në jetën e komunitetit shqiptar në Kroaci.

Deputetja Lekaj Përlaskaj e falënderoi ministrin Shala për vizitën dhe u shpreh se konkretizimi i bashkëpunimit kulturor, nëpërmjet marrëveshjes kulturore që u nënshkrua sot, është një hap i çmuar që i forcon raportet ndërmjet këtyre dy vendeve.Ndërsa ministri Shala u shpreh se institucionet e Kosovës e vlerësojnë lartë kontributin e diasporës shqiptare, me theks atë të Kroacisë.Ai po ashtu e vlerësoi organizmin politik të shqiptarëve në Kroaci, i cili ka bërë që ata të kenë përfaqësuesin e tyre në Parlamentin e Kroacisë, dhe shtoi se kjo është një arritje që duhet çmuar, ruajtur dhe duhet kultivuar më tutje.

Ministri Shala u shpreh se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është e fokusuar në promovimin e kulturës shqiptare, në ruajtën dhe afirmimin e saj, dhe në këtë pikëpamje bashkëpunimi me emigracionin shqiptar është i domosdoshëm, sepse krijon një lidhje të fuqishme e të natyrshme mes Kosovës dhe vendeve ku ata jetojnë.Shala u shpreh se Kosova do t’i mbështesë shqiptarët e Kroacisë, nëpërmjet formave konkrete, në fusha specifike, e sidomos në ato që lidhen me kulturën dhe librin shqip.

Filed Under: Mergata Tagged With: emigracionit shqiptar, kosova, mirënjohëse

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • 71
  • …
  • 106
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT