-Zëvendës-përfaqësuesja e përhershme e UNDP, Alessandra Roccasalvo, tha se Kosova është ndër vendet e Ballkanit dhe më gjerë më pro aktive, që është duke luftuar dhe parandaluar radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm/
PRISHTINË, 25 Janar 2016/ Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara filluan punëtorinë treditore “Stresaviora”, ku po diskutohet për fuqizimin e qëndrueshmërisë kundër radikalizmit të dhunshëm.
Në këtë punëtori morën pjesë ministri kosovar i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, zëvendës-përfaqësuesja e përhershme e UNDP, Alessandra Roccasalvo, Charles De Winter nga Policia Federale e Belgjikës dhe Noel Klima nga Shërbimi Publik Federal i Punëve të Brendshme të Belgjikës.
Ministri Hyseni tha se Ministria e Punëve të Brendshme po luan rol të rëndësishëm, madje ka marrë rol prijës në luftimin, parandalimin e radikalizmit të shoqërisë së kosovare, me synim parësor, ndalimin dhe parandalimin e terrorizmit dhe ekstremizmin me premisa dhune, që në faza të caktuara të zhvillimit shndërrohet në veprime të dhunshme që marrin format e akteve makabre terroriste.
“Ndërkohë na del si detyrim esencial i shoqërive të të gjitha shtresave të organizimeve sociale, politike që të bëjmë më shumë në parandalimin e radikalizmit të komunitetit tonë”, tha ministri Hyseni.
Ndërsa zëvendës-përfaqësuesja e përhershme e UNDP, Alessandra Roccasalvo, tha se Kosova është ndër vendet e Ballkanit dhe më gjerë më pro aktive, që është duke luftuar dhe parandaluar radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, dhe kjo nuk është një kompliment.
“Një avantazh për Kosovën është se si një vend i vogël, policia është duke bërë një punë të mirë në këtë fushë, prandaj kemi vendosur që së bashku me MPB-në dhe partnerët tjerë për të zhvilluar disa trajnime që zhvillohen në disa shtete të cilat kanë pasur çështje të ngjashme”, theksoi Roccasalvo.
Kjo punëtori synon që të fuqizojë qëndrueshmërinë karshi radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, është organizuar në dy sesione, sesioni i parë i destinohet përfaqësuesve të institucioneve qendrore, ndërsa sesioni tjetër i është destinuar nivelit lokal. Kjo punëtori do të zgjasë tre ditë./b.j/
Kosova në Forumin Botëror të Arsimit në Londër
-Ministri Bajrami ka njoftuar ministrat e arsimit të vendeve të ndryshme për reformën në arsimin kosovar/
PRISHTINË, 18 Janar 2016/ Ministri kosova i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, me ftesë të Jo Johnson MP, ministër për Universitete dhe Shkencë dhe Rt Hon Nicky Morgan, Sekretar i Shtetit për Arsim, po qëndron për vizitë zyrtare në Britani të Madhe për të marrë pjesë në Forumin Botrëror të Arsimit 2016, i cili po mbahet në Londër nga 18 deri më 21 janar.
Në tryezën e organizuar nga Këshilli Britanik, në kuadër të punimeve të Forumit Botëror të Arsimit 2016, në Londër, ministri kosovar Bajrami ka takuar ministrat pjesëmarrës, si dhe i ka njoftuar për procesin e reformës në arsim, me theks të veçantë në fushën e arsimit profesional dhe ndërlidhjen e tij me nevojat e tregut të punës, me qëllim të punësimit të të rinjëve.
Ministri Bajrami, gjatë ditës së nesërme do të zhvillojë takime bilaterale me ministra tjerë të Arsimit, për të biseduar rreth mundësive për zgjerimin e bashkëpunimit, si dhe për përkrahje në reformat e domosdoshme për ngritjen e cilësisë në arsim. Gjithashtu, gjatë ditës së nesërme ministri Bajrami do të pritet nga përfaqësues të institucioneve të qeverisë Britanike
Në punimet e këtij Forumi po marrin pjesë mbi 90 ministra të arsimit nga vende të ndryshme të botës./b.j/
KOSOVA DHE ASPIRATAT E SAJ TE INTEGRIMIT NE BASHKIMIN EVROPIAN
NGA LULZIM MULLIQI/
Kosova si shtet i ri i cili pretendon te hyje ne Bashkimin Evropian,kryesisht perballet edhe me disa sfida te njejta si vendet e tjera fqinje te Ballkanit perendimor.
Perspektiva evropiane per vendet e Ballkanit perendimor ku bene pjese edhe Kosova dhe integrimi me i shpejte i saj ne Organizatat nderkombetare duhet te mbetet njera nga prioritet e politikes se jashtme te Republikes se Kosoves.Keshtu partneritieti i Kosoves me vendet e Bashkimit Evropian eshte me se i nevojshem dhe i domosdoshem per te ndikuar edhe ne lobizimin e metejme te njohjes se Kosoves edhe nga pese vendet e tjera te BE-se dhe forcimin e metejme te sovranitetit te saj shteteror.Bashkimi Evropian u themelua me Traktatin e Romes ne vitin 1957,pervec synimeve te tjera kishte si qellim edhe bashkepunimin ne mes shteteve anetare
pastaj zhvillimin e demokracise,mbrojtjen e lirive dhe te drejtave te njeriut ne mes te shteteve anetare,stabilizimin dhe transicionin e shpejte ne ekonomine e tregut,
promovimin e bashkepunimit rajonal dhe perspektiven e vendeve aspiruese per anetaresim ne Bashkimi Evropian.Kosova si vend aspirues per integrim ne Bashkimin Evropian ne njeren ane ballafaqohet me probleme te njejta si vendet fqinje te Ballkanit perendimor,si rritja e korrupsionit,shtimi i varferise,rritja e papunesise,pastaj funksionimi i brishte i sistemit te drejtesise,sundimit te rendit dhe ligjit etj.Ndonese ekziston nje perkushtim verbal nga autoritetet e Kosoves per forcimin e sundimit
te rendit dhe ligjit ,problemet dhe sfidat me te cilat perballet Kosova ne kete fushe jane komplekse dhe te shumta,ndersa duhet te investohet ne me shume burime per te arritur deri te permiresimet e nevojshme.Kosova ka nevoje edhe per me shume qartesi juridike,vecanerisht ne fusha te ndryshme si ne sektoret e ndryshem te ekonomise,ku do te krijonte kornizen e domosdoshme per investime ekonomike dhe ndermarresi,e cila Kosoves do ti sillte zhvillim ekonomik dhe stabilitet social.
Ne anen tjeter Kosove perballet edhe me probleme te natyres politike me fqinjet e saj,kryesisht me Serbine pushtuese,e cila deri me tani eshte paraqitur si pengese kryesore ne integrimet regjionale dhe nderkombetare te Kosoves.Poashtu Serbia per vite te tera ishte mbeshtetese dhe financuese e strukturave ilegale serbe ne pjesen veriore te Mitrovices dhe refuzuese e disa marreveshjeve te Brukselit te cilat i kishte nenshkruar me pare,pa implimentim marreveshjet e nenshkrara vetem ne leter nuk premtojne shume.Ndrkaq lajmi i fundit se Kosova i dorezon Bashkimit Evropian inputin e fundit per liberalizim te vizave eshte nje lajm i gezuar dhe per tu pershendetur,sepse Kosova de facto eshte pjese e Bashkimit Evropian dhe ajo nuk mund te mbetet vendi i vetem ne Ballkanin perendeimor si nje vend i vetem pa liberalizim te vizave dhe si nje geto e izoluar.Ky input sipas zyrtareve te larte te qeverise se Kosoves permban rezultate dhe te arritura konkrete gjate muajve te fundit dhe pritet te vleresohen pozitivisht nga institucionet e Bashkimit Evreopian.Ndaj le te shpresojme se pas liberalizimit te vizave integrimi i Kosoves ne strukturat e Bashkimit Evropian do te ndodhe ne nje te ardhme te afert.
Kosova shkon në OSCARS
-Hera e parë në histori që Kosova hyn në ‘Academy of Motion Pictures Arts and Science’ me filmin ‘Shok’, bashkëprodhim ky mes Kosovës dhe Anglisë/
– Kryeministri Mustafa: Nominimi i filmit “Shok” për Oscar, ngjarje historike për Kosovën/
Ministri Shala: Filmi “Shok”, lajm historik për kinematografinë e Kosovës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 14 Janar 2016/ Kosova sot feston nominimin e saj të parë në Akademinë OSCARS 2016, gjë që shënon suksesin më të madh të industrisë së filmit kosovar deri më tani.
Kjo është hera e parë në histori që Kosova hyn në ‘Academy of Motion Pictures Arts and Science’ me filmin ‘Shok’, bashkëprodhim ky mes Kosovës dhe Anglisë.
Me skenar dhe regji nga Jamie Donoughue, filmi ‘Shok’ sapo u nominua bashkë me 4 filma të tjerë për çmimin ‘Best Live Action Short Film’ në edicionin e 88-të të OSCARS, thekson Qendra Kinematografike e Kosovës në njoftimin e dërguar.
Filmi është i vendosur gjatë periudhës së luftës në Kosovë, kur vendi ishte nën okupimin e Serbisë. Këtu sprovohen kufijtë e miqësisë mes dy fëmijëve të cilët luftojnë për të mbijetuar gjatë luftës në Kosovë.
‘Shok’ është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës me producent Eshref Durmishi dhe Harvey Ascott.
Kjo është arritja më e madhe e kinematografisë kosovare deri më tani dhe ‘Shok’ tashmë ia ka hapur dyert filmave kosovarë që të jenë prezentë në ngjarjet më të mëdha të filmit.
Mustafa: Nominimi i filmit “Shok” për Oscar, ngjarje historike për Kosovën/
PRISHTINË, 14 Janar 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, përshëndet nominimin për çmimin prestigjioz Oscar, të filmit “Shok”.
Kryeministri Mustafa, e konsideron si një lajm shumë të mirë për artin dhe kulturën në Kosovë, duke përgëzuar të gjithë profesionistët e filmit, që kanë kontribuar për realizimin me sukses të këtij filmi, tashmë historik për kinematografinë kosovare.
“Nominimi i filmit ‘Shok’ për Oscar është lajm shumë i rëndësishëm për kulturën tonë në përgjithësi. Republika e Kosovës, falë punës, kreativitetit dhe përkushtimit të njerëzve të saj, dhe në bashkëpunim me njerëzit e vendeve tjera mike, po ecën e sigurt drejt sukseseve kulmore në të gjitha fushat e jetës”, tha kryeministri Mustafa.
Në përfundim të deklaratës theksohet se, Zyra e Kryeministrit të Kosovës, bashkë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të mbështesë aktivitetet që lidhen me promovimin dhe përkrahjen e filmit “Shok”, i cili është mbështetur edhe nga Qendra Kinematografike e Kosovës./b.j/
Shala: Filmi “Shok”, lajm historik për kinematografinë e Kosovës
Prishtinë, 14 janar 2016/ Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala përgëzon aktorët, producentët dhe gjithë ata që kanë kontribuar për realizimin e filmit “Shok”.
Lajmi se filmi “Shok” është nominuar për çmimi më prestigjioz në fushën e kinematografisë Oscar, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për kinematografinë dhe kulturën e Kosovës në përgjithësi, u shpreh ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, me të kuptuar lajmin se filmi “Shok” është nominuar për këtë çmim të madh që i bën nder artit dhe kulturës së Kosovës.
Me këtë rast, ministri Shala përgëzoi gjithë ata që kanë ndihmuar për këtë arritje të rëndësishëm për filmin e Kosovës.
Po ashtu, ministri Shala përgëzoi të gjitha ata që kanë ndihmuar dhe kontribuar për të realizuar këtë film, i cili që tani ka shënuar një sukses historik.
Ministri Shala u shpreh se është optimist në suksesin e mëtejmë të këtij filmi dhe të kinematografisë së Kosovës.
Ai po ashtu u shpreh se MKRS-ja është e përkushtuar që të krijojë kushte më të volitshme për zhvillimin e artit kinematografik, duke krijuar lehtësira në planin e legjislaturës dhe të ndihmës financiare për zhvillimin e mëtejmë të kinematografisë së Kosovës.
Ky film është një bashkëprodhim mes Kosovës dhe Anglisë, me producent Eshref Durmishin e Harvey Ascott dhe është mbështetur financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës./b.j/
Kosova, sfida të zhvillimit ekonomik
-Presidentja Jahjaga vizitoi Malishevën, Rahovecin, Suharekën, Shtimen dhe Lipjanin/
-Kryeministri Mustafa kërkoi eliminimin e problemeve të bizneseve që lidhen me energjinë elektrike/
PRISHTINË, 13 Janar 2016/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, të Odës Ekonomike Amerikane dhe të Odës Ekonomike Gjermane, vazhdoi sot vizitat në komunat e Kosovës, ku takoi kryetarët e komunave dhe drejtues të tjerë lokalë.
Në takime u diskutuan sfidat e zhvillimit ekonomik, përkrahja për bizneset dhe krijimi i lehtësirave për to, me theks të veçantë tërheqja e investimeve të huaja.
Gjatë takimeve me kryetarët e komunave, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomik Amerikane, Arian Zeka, dhe kryetari i Odës Ekonomike Gjermane, Albert Matoshi, shtruan problemet me të cilat përballen bizneset në përgjithësi, me theks të veçantë bizneset që përfaqësojnë këto oda.
Kryetarët e komunave, ai i Malishevës Ragip Begaj, i Rahovecit Idriz Vehapi, i Suharekës Sali Asllanaj, i Shtimes Naim Ismajli dhe ai i Lipjanit Imri Ahmeti paraqitën para Presidentes dhe drejtuesve të odave ekonomike përpjekjet që bën pushteti lokal për të bashkëpunuar dhe për të krijuar kushte për bizneset vendore dhe të huaja dhe problemet e sfidat që duhet tejkaluar në këtë fushë, për të krijuar kushte edhe më të favorshme për bizneset, sidomos krijimin e kushteve për investitorët e huaj. Ata paraqitën raste dhe praktika specifike të komunave të tyre dhe projekte konkrete, për të cilat kërkohet përkrahja edhe e institucioneve në nivel qendror.
MUSTAFA: PRIORITETI KRYESOR, ZHVILLIMI EKONOMIK
Prioriteti kryesor i qeverisë së Kosovës për këtë vit është zhvillimi ekonomik, theksoi sot kryeministri Isa Mustafa, ndërsa kërkoi përkushtim maksimal të të gjitha instancave në këtë rrugë, e cila do të krijojë mundësi për hapje të vende të reja të punës dhe zhvillim të vendit.
Ai i vuri theks të posaçëm avancimit të mëtejshëm të ambientit të të bërit biznes në Kosovë, ku rol të rëndësishëm kanë edhe Zyra e Rregullatorit dhe distributori i energjisë, KEDS.
Kryeministri Mustafa, ka pritur në takim me George Karagutoff, drejtor i Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) dhe Enver Halimin, kryesues i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ku janë trajtuar problemet e ngritura nga bizneset kosovare që kanë të bëjnë me aspektet operacionale e teknike të KEDS-it dhe çështjet e tarifave që ndërlidhen me ZRRE-në.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa, theksoi shqetësimet reale dhe vështirësitë me të cilat po përballen bizneset që lidhen me problemet me energjinë elektrike, kryesisht rreth instalimeve të reja që ndërmerren nga vet bizneset dhe tarifat për kyçje në energji elektrike.
Në takim, kryeministri Mustafa ishte i shoqëruar nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.
Gjatë takimit, u theksua edhe vërejtja e vazhdueshme e bizneseve lidhur me sistemin tarifor në vend, ku bizneset paguajnë tarifa të ndryshme për energjinë e njëjtë të konsumuar gjatë gjithë vitit.
Përfaqësuesit e KEDS-it shprehën qëndrimin e tyre se disa nga vërejtjet e mëparshme të bizneseve janë adresuar, por se mbetet në përgjegjësi të rregullatorit që të adresoj çështjet tarifore, maxigrafin dhe të ngjashme. /b.j/
- « Previous Page
- 1
- …
- 75
- 76
- 77
- 78
- 79
- …
- 106
- Next Page »