• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryekuvendari Konjufca dhe ambasadori norvegjez, Grøndahl, nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi

August 6, 2021 by s p

​

U nënshkrua sot në Kuvendin e Kosovës Memorandumi i Mirëkuptimit me Ambasadën e Norvegjisë, “Mbështetje për Kuvendin e Republikës së Kosovës, kryetarin e Kuvendit dhe kabinetin e tij, komisionet dhe grupet parlamentare, nën kornizën Fuqizimi i paqes dhe shtetndërtimit dhe avancimi i agjendës evropiane të Kosovës”. Memorandumin e nënshkruan kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ambasadori norvegjez në Kosovë, Jens Erik Grøndahl dhe drejtori ekzekutiv i Grupit Ballkanik për Hulumtim të Politikave, Naim Rashiti. Nëpërmjet këtij memorandumi, palët angazhohen të bashkëpunojnë dhe të pranojnë nevojën për të avancuar agjendën e Kosovës për në BE dhe reformat, duke rritur kapacitetet legjislative dhe mbikëqyrëse të Kuvendit. Po ashtu palët pajtohen të hyjnë në bashkëpunim i cili mes tjerash do të përfshijë mbështetjen për Kuvendin e Republikës së Kosovës për rekrutimin e ekspertëve për të mbështetur Kryetarin e Kuvendit, por edhe komisionet dhe grupet parlamentare në fushën e dialogut, ligjbërjes, bashkëpunimit rajonal, si dhe të llogaridhënies dhe transparencës së qeverisë e të institucioneve të tjera publike, të cilat i raportojnë Kuvendit. Ndër të tjera, Memorandumi parasheh sigurimin e kapaciteteve për zhvillim në fushën e politikave të sigurisë dhe infrastrukturës kibernetike (softueri dhe hardueri). (Dielli)

Filed Under: Uncategorized Tagged With: Ambasador Grøndahl, Glauk Konjufca, kosova, Norvegjia

Situata në menaxhim me zjarre në Kosovë

August 5, 2021 by s p

Agjencia e Menaxhimit Emergjent e Ministrisë së Punëve të Brendshme njofton se nga raportet e sistemit të komunikimit emergjent – QOE (Qendrat Operative Emergjente) 112 (numri unik emergjent) të arritura në Qendrën Operative të Agjencisë në 24 orët e fundit, gjendja në terren paraqitet e menaxhueshme nga strukturat operative për zjarrfikje dhe shpëtim në të gjitha komunat e Kosovës. 

Numri i zjarreve në tërë territorin e vendit është në rënie, ndërsa kërcënim serioz ende mbetet zjarri i shpërfaqur nga data 29 korrik 2021 në parkun nacional Bjeshkët e Nemuna lokacioni Shtupeq, ku intervenimet janë duke vazhduar pa ndërprerë nga i gjithë kapaciteti vendor, por rrethanat e motit dhe terreni rëndë i pa përshtatshëm  ka vështirësuar dhe jo rrallë herë ka pamundësuar reagimin nga toka. 

Si rrjedhojë e kësaj , Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME)  në koordinim me Qendrën Operative të Ministrisë se Punëve te Brendshme ka kërkuar përkrahje nga ajri prej KFOR-it dhe si rezultat i këtij bashkëpunimi janë vënë në dispozicion për mbështetje nga ajri dy (2)  helikopter për reagim me mundësi edhe për të tretin ( 3)  . Situata në parkun nacional Bjeshkët e Nemuna  për momentin është e rënduar shkaku i erërave të forta të cilat pamundësojnë ndërhyrjen me kapacitete nga toka.

Në rajonet tjera të Kosovës  situata është relativisht e stabilizuar falë angazhimit 24/7 nga  njësitë profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit, kapacitetit dhe përkrahjes nga  FSK, PK, KFOR nga ajri, rojeve të pyjeve dhe parqeve nacionale, vullnetarëve dhe sektorit privat në më shumë se 473  vatra zjarri në gjithë territorin e vendit në 7 ditët e kaluara , dhe me mbi 600 intervenime në zjarre të intensitetit dhe përmasave të ndryshme fushore dhe malore. Aktualisht janë 9 vatra aktive ku përveç zonës së bjeshkëve të Rugovës, rrezik paraqitet edhe për komunën e Suharekës dhe Prizrenit me vatra të reja zjarri. 

Si pasojë e reagimit të njësive profesionale të zjarrfikës dhe shpëtimit (NJPZSH) është raportuar për disa lëndime trupore të zjarrfikësve por fatmirësisht jo me rrezik për jetë. Agjencia e Menaxhimit Emergjent apelon te të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për kujdes të shtuar në periudha të ngritjeve të temperaturave, të shmangin ndezjen e zjarreve ( pa kontroll të rreptë ), dhe të raportojnë zjarret  sa më shpejtë në numrin unik emergjent- 112 pa pagesë. (DIELLI)

Filed Under: Kronike Tagged With: kosova, zjarret

KA ARDHUR KOHA QË PRESIDENTI BIDEN TË THOTË “ENOUGH IS ENOUGH”!

August 2, 2021 by s p

-Antarësimi i Kosovës në NATO, liberalizimi i vizave dhe njohja nga të gjitha shtetet e Unionit Evropian është e vetmja zgjidhje/

Nga MA. AGIM ALIÇKAJ */

DIALOGU I MBRAPSHT DHE I DËSHTUAR ME SERBINË /

         Bisedimet e deritanishme me Serbinë ishin të mbrapshta, me pjesëmarrës të mbrapsht. Ata kanë dështuar plotësisht. Për perëndimin ishin të kota, për Kosovën të dëmshme dhe nënçmuese, për Serbinë me përfitime dhe shtim të apetiteve për grabitjen e mëtutjeshme të tokave shqiptare. 

         Nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje e përhershme duke përkëdhelur agresorin serb dhe duke bërë presion mbi viktimën shqiptare. Kjo politikë e padrejtë dhe e dështuar duhet të ndryshojë urgjentisht. Mjaft është mjaft!

         Kusht themelor për të patur dialog konstruktiv dhe arritur sukses është që Serbia të shërohet nga sëmundja e rëndë e urrejtjes për fqinjët, sidomos për shqiptarët. Ajo jeton ende me ëndrra për dominim në Ballkan. Ka nevojë të shkundet mirë dhe të zgjohet nga gjumi i mesjetës, t’i kthehet civilizimit, të pacifizohet dhe denazifikohet. Përndryshe, të gjitha palët do të kënaqen duke biseduar kot edhe për 100 vite të tjera.

         Delegacioni i Kosovës në krye me Kryeministrin Kurti e ka filluar me mençuri dhe kompetencë dialogun e vështirë me shtetin armiqësor dhe abnormal serb. Kërkimi i përgjegjësisë për të kaluarën dhe propozimet konstruktive paqësore për të ardhmen janë strategji e qëlluar dhe formula e vetme për fitore.

PJESËMARRJA AMERIKANE NË DIALOG 

          Dialogu mund të udhëhiqet nga Evropa, por nuk mund të mbyllet me sukses kurrë pa pjesëmarrjen direkte të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kurrën e kurrës! Populli shqiptar e do dhe i beson Amerikës si simbol i demokracisë, forcës dhe drejtësisë. Pa Amerikën nuk ka drejtësi të vërtetë për Kosovën dhe nuk ka garanci për implementimin e çfarëdo marrëveshjeje. Interesat strategjike të  kombit amerikan, shumicës së kombeve evropiane dhe kombit shqiptar janë të njejta. Amerika është i vetmi shtet në botë, i cili mund ta kundërshtoi përkrahjen ruse për dominimin serb në Ballkan.

         Mediatorët në dialog duhet të jenë të paanshëm, dhe ky është minimumi. Përfaqësuesi evropian Miroslav Lajçak nuk e plotëson këtë kusht. Me kërkesën e tij për ndryshim të kushtetutës së Republikës së Kosovës me qëllim të zbatimit të marrëveshjes anti-kushtetuese për asociacione të pastërta etnike serbe ai ka dalë kundër Kosovës dhe vlerave multi-etnike evropiane dhe amerikane. Ai i përngjanë më shumë zëdhendësit serb se sa ndërmjetësit të paanshëm në konflikt. Prandaj, është mirë që të tërhiqet nga detyra me përgjegjësi e mediatorit.

         Pritet që Presidenti Biden ta caktojë përfaqësuesin amerikan i cili duhet të inkuadrohet urgjentisht në bisedimet e Brukselit. Kjo detyrë nuk duhet t’i besohet diplomatëve si Z. Palmer. Edhe pse me kualifikime të larta për punë diplomatike, vetëm fakti se është dhëndër serb e diskualifikon atë plotësisht. Në mungesë të ish-ambasadorit pro-serb Grenell, ai e tregoi qëndrimin e tij të vërtetë duke bërë presion në palën kosovare për zbatimin e marrëveshjes së dështuar të Washingtonit, të cilën Serbia e ka shkelur me të dyja këmbët pa kurrëfarë konsiderate për Amerikën.

         Marrëveshja e z. Grenell për të ashtuquajturin “normalizim të marëdhënieve ekonomike” midis Kosovës dhe Serbisë është një nga marrëveshjet më të çuditshme të “negociuara” ndonjëherë. Është iluzion të besohet në “normalizimin” e marrëdhënieve ekonomike në mes të agresorit dhe viktimës, ndërsa agresori nuk e njeh dhe përpiqet hapur ta shkatërrojë viktimën. Z. Grenell e orkestroi këtë lojë për të marrë votën serbo-amerikane për Presidentin Trump, por prap se prapë i humbi zgjedhjet.

LOBIZMI NË AMERIKË

         Ekziston vetëm një mënyrë për tu përballur me politikanët jodiplomatikë e të njëanshëm si ish-ambasadori Grenell- aktiviteti lobist në Washington. Ata mund të thirren nga Komitetet për marrëdhënie me botën e jashtme të Kongresit në seanca dëgjimore dhe të merren në pyetje për të shpjeguar dhe arsyetuar qëndrimet dhe marrëdhënjet e tyre me vendet pro-ruse dhe anti-amerikane si Serbia. 

         Dhe, ka vetëm një Lobi që mund ta bëjë atë siç duhet- Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane e udhëhequr nga aktivistët dhe ekspertët shumë të njohur e të suksesshëm për të drejtat njerëzore dhe nacional shqiptare, ish-kongresmeni Joe DioGuardi dhe Znj. Shirley Cloyes DioGuardi. Ndër të tjera, Liga e ka kundërshtuar me sukses ish-Sekretarin e Shtetit Lawrence Eagleburger, i cili kishte simpati dhe lidhje me Serbinë, si dhe e ndaloi ish-Ambasadorin Robert Gelbard të shpallte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës një organizatë terroriste.

         Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane është e vetmja organizatë e regjistruar, e pakompromis dhe e palëkundur e lobimit shqiptaro-amerikan në Washington. Puna e saj me përkushtim për pavarësinë e Kosovës dhe të drejtave të mbarë kombit shqiptar është legjendare. Kjo mund të vërtetohet duke e vizituar web-faqen e saj aacl.com. Pothuajse çdo senator dhe kongresmen amerikan, përfshirë ata shumë të rëndësishem si Biden, Dole, McCain, Lantos, Gilman, Hyde, Ros-Lehtinen dhe shumë të tjerë u informuan nga Liga për çështjen e drejtë shqiptare dhe dolën në mbështetje të kërkesave për liri dhe demokraci. 

         Puna historike e Ligës Qytetare  Shqiptaro-Amerikane ende nuk është vlerësuar dhe pranuar si duhet nga kombi shqiptar, veçanërisht nga Republika e Kosovës. Është koha që Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti të bëjnë gjënë e duhur, atë që paraardhësit e tyre të korruptuar në qeverisje nuk deshën ta bëjnë, të fillojnë procesin e ndërtimit të një Statuje dhe emërtimin e një sheshi ose rruge të rëndësishme kushtuar Joseph J. DioGuardit dhe Shirley Cloyes DioGuardit. Pa ata historia e arritjes së pavarësisë së Kosovës nuk do të jetë e vërtetë dhe e plotë.

         Ka individ dhe organizata të tjera që kanë qenë dhe mund të merren me aktivitete lobimi. Çdo shqiptaro-amerikan ka të drejtë dhe detyrë për të ndihmuar të dyja kombet në mënyrë dhe me mundësi të veta. Por është me rëndësi të mos ngatërrohen lobizmi me diplomacinë. Përfaqësuesit nga shtetet tona të vendlindjes janë ata që bëjnë diplomaci, me mençuri dhe respekt për zyrtarët amerikanë. Për të marrë mbështetjen e nevojshme nga Amerika për çështje të rëndësishme, ata mund të paraqesin argumenta dhe fakte në takime të mbyllura pa konfrontime të panevojshme publike.

         Lobistët nuk kanë nevojë të bëjnë diplomaci. Ata janë tatimpagues amerikanë që kanë të drejtë të përkrahin politika të mira ose të sfidojnë politika të gabuara të një administrate të caktuar përmes Kongresit Amerikan. Nuk ka kurrëfarë kuptimi të mbështeten dhe lavdërohen zyrtarë si ish-Ambasadori Grenell për kinse “punë të mirë”, gjatë kohës kur ai, në koordinim me qeveritarët e korruptuar dhe të shitur të Kosovës, po shkatrronte demokracinë në Kosovë dhe po përpiqej t’i jepte Serbisë qasje në tokat dhe ujërat shqiptare. Kjo nuk është lobim në të mirë të kombit. Ngjanë më shumë në një veprimtari të kundërt, anti-lobim për të marrë trajtim të favorshëm nga një zyrtar amerikan dhe për dukje personale.

ZBATIMI I MARRËVESHJEVE NDËRKOMBËTARE

       Marrëveshje ndërkombëtare ka plot, por pjesa më e madhe e tyre ndryshohen, anulohen ose nuk zbatohen. Implementohen vetëm ato të cilat janë të dobishme për të gjitha palët dhe ato për të cilat vendosen garanca të sigurta e të pathyeshme. Kjo varet nga qeverisja aktuale e një shteti e cila e vlerëson se a është një marrëveshje e caktuar në interes të popullit dhe shtetit.

         Amerika i ndryshon marrëveshjet sipas ineresit sepse është e fortë.  Serbia i nënshkruan marrëveshjet me qëllim mashtrimi dhe nuk i zbaton ato sepse është e poshtër, e toleruar nga perëndimi dhe e përkrahur nga Moska. Kosova  nuk ka nevojë t’i zbatoi marrëveshjet e dëmëshme kur e ka drejtësinë në anën e vet. Pra, Marrëveshja e Brukselit për asociacione serbe dhe ajo e Washingtonit për normalizim ekonomik nuk janë obligative për Kosovën.

ZGJIDHJA E KONFLIKTIT 

         Mundësia që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës me bisedime është joreale. Për këtë arsye, për interesa strategjike, në mbrojtje dhe përmbyllje me sukses të investimit në Kosovë, ka ardhur koha që Presidenti Biden, si Presidenti Bush në Qershor të vitit 2007, të thotë “Enough is enough”. Askush nuk e njeh situatën në Evropën Juglindore dhe konfliktin e Kosovës me Serbinë më mirë se Presidenti Joseph Biden. Ta anëtarësojë në NATO shtetin më pro-Amerikan në botë dhe ta bind Evropën për liberalizim të vizave dhe fillim të procesit afatgjatë të hyrjes së Kosovës në Unionin Evropian. Kjo është zgjidhja e vetme reale në këtë moment.

         Serbia dhe Rusia nuk mund ta ndalojnë këtë gjë në asnjë mënyrë. Ndoshta kjo e ndihmon Serbinë të zgjohet nga gjumi shekullor dhe të fillojë me ndryshime të nevojshme të kthimit në botën e civilizuar dhe të pajtohet me realitetin se pavarësia e Kosovës është e përjetëshme.

         Po ashtu, ka ardhur koha që Amerika dhe Evropa të ia ndalin turrin diktatorit shovinist serb Vuciq dhe shërbëtorëve të tij, Kryeministrit Rama të Shqipërisë, Kryeministrit Zaev të Maqedonisë Veriore dhe Milorad Dodikut të Bosnjes, të cilët janë vënë në shërbim të hegjemonoizmit ruso-serb duke e destabilizuar Ballkanin dhe gjithë Evropën. Axhenda e tyre e ashtuquajtur “Ballkan i hapur” është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me interesat evropiane dhe amerikane.

PËRFUNDIMISHT

– Serbia nuk ndalohet me lëshime e ledhatime, veç me konfrontim të fortë dhe presion serioz, me diplomaci dhe metoda demokratike. Ata që trumbetojnë se duhet për t’i dhënë diçka duhet të shpallen “budallenjtë më të mëdhenj të shekullit XXI”.

– Kosova nuk ka qenë as nuk do të bëhet kurrë “djepi i civilizimit serb” siç gënjen Serbia. E vërteta është se, siç thotë veprimtari Bardhyl Mahmuti “Kosova është djepi i barbarisë dhe gjenocidit serb kundër popullit shqiptar” dhe Kryeministri  Kurti “Serbia ka hyrë në Kosovë me gjenocid dhe ka dalë me gjenocid”. Dhe, siç do të thoshte mbarë kombi shqiptar “Kosova është varri i shovinizmit, hegjemonizmit, ekspansionizmit dhe barbarisë së shtetit jocivilizues serb”

– Nuk ekziston asnjë mënyrë dhe asnjë mundësi që Serbia ta nënshtrojë Kosovën, pa dorëzim nga vetë populli shqiptar. Nuk mund ta nënshtrojnë as Vuçiqat, as Putinat, as Grenellat, as Ramat dhe as përkrahësit e tyre brenda dhe jashtë Kosovës.  Kombi shqiptar është i fortë dhe nëse organizohet si duhet, i kontrollon dy shtete dhe mund të luaj rol të rëndësishem edhe në katër shtete tjera, drejt bashkimit kombëtarë në Unionin Evropian.

         LIRIA. INTEGRITETI TERRITORIAL DHE SOVRANITETI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS NUK MUND TË NEGOCIOHET NGA ASKUSH DHE ME ASKEND. POPULLI I LAVDISHËM I DARDANISË E KA PAGUAR ATË ME GJAK DHE SAKRIFICË TË PAFUND.

*Anëtarë i Kryesisë së Ligës Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës

Filed Under: Featured Tagged With: Agim Alickaj, Biden, kosova

Kosova medalje post-mortem për Beau Biden

August 1, 2021 by dgreca

-Sot u mbajt  ceremonia e dorëzimit të medaljes post-mortem për Beau Biden.Në këtë ceremoni të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjithashtu përmes një video-mesazhi edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, si dhe me një fjalë rasti ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë Philip S. Kosnett/

PRISHTINË, 1 Gusht 2021-Gazeta DIELLI/ Në Prishtinë sot, nën organizimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u mbajt ceremonia e dorëzimit të medaljes post-mortem për Beau Biden. Në këtë ceremoni të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjithashtu përmes një video-mesazhi edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, si dhe me një fjalë rasti ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë Philip S. Kosnett.

 ***.   

Fjalimi i Presidentes Osmani në ceremoninë e dekorimit post-mortem të Joseph Robinette “Beau” Biden III

I nderuar President Joe Biden dhe e tërë familja Biden!

Mirëmbrëma nga populli më proamerikan në botë

I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Konjufca, 

I nderuar kryeministër Kurti,

I nderuar Ambasador Kosnett,

Të nderuar të pranishëm,

Presidenti i 28-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës pati thënë: “Ju nuk jeni këtu vetëm për ta bërë të mundur jetën.  Ju jeni këtu për t’ia mundësuar botës të jetojë më lirshëm, në një të ardhme më të ndritur, në frymën e shpresës dhe të arritjeve të mëdha. Ju jeni këtu për të pasuruar botën dhe do të varfëroheni nëse e harroni detyrën”.

Me këtë thënie, presidenti Wilson, veprimet e të cilit sollën paqe në të gjithë botën, i referohej shërbimit të individit për vendin e vet. Edhe unë fuqimisht besoj se nuk ka asnjë kauzë më fisnike sesa të shërbesh.

Janë të paktë njerëzit sikur i ndjeri Joseph Robinette “Beau” Biden III (i treti), të cilët e kanë shfaqur aq fuqishëm këtë përkushtim ndaj vendit dhe shërbimit për të, duke shërbyer si kapiten në Gardën Kombëtare të Ushtrisë Delaware, në Irak, pastaj si prokuror në zyrën e prokurorit amerikan në Philadelphia për nëntë vjet, dhe si i zgjedhur dy herë në pozitën e Prokurorit të Përgjithshëm në Delaware.

Në Kosovë, Beau Biden punoi për ta ngritur një sistem gjyqësor të pavarur dhe profesional, si dhe për ta forcuar sundimin e ligjit.

Andaj, jam shumë e nderuar që sot, së bashku me ju, mund t’ia njohim meritat Beau Bidenit dhe ta festojmë zyrtarisht kontributin e tij për vendin tonë.

Sundimi i Ligjit, siç e dini, nuk është vetëm temë e rëndësishme për mua, por diçka së cilës ia kam kushtuar gjithë karrierën time profesionale. Kërkimi i drejtësisë dhe forcimi i sundimit të ligjit nuk është vetëm një lëndë abstrakte teorike apo akademike; kjo është një temë kaq e rëndësishme për mua ngaqë besoj se duhet të jetë synim i yni i përhershëm e t’i përcaktojë veprimet tona, meqë ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve tanë. Unë besoj se sundimi i ligjit është parakushti themelor për suksesin tonë si vend.

Krijimi i institucioneve dhe trajnimi i  gjyqtarëve, të cilin, së bashku me kolegët e tjerë amerikanë, Beau Biden e filloi para pavarësisë, sot përbën njërën ndër shtyllat kryesore të institucioneve më të rëndësishme të Kosovës. Dëshira për ta forcuar më tej sundimin e ligjit u bë jashtëzakonisht e qartë në kutitë e votimit në fillim të këtij viti. Qytetari ynë foli zëshëm, prandaj  është detyra jonë morale dhe politike që, si institucione, të sigurojmë se do të vazhdojmë përpara me reformat në sistemin tonë të drejtësisë. 

Përveç marrëdhënieve personale dhe mirënjohjes për kontributin e jashtëzakonshëm të njerëzve të ndryshëm nga SHBA-ja në tri dekadat e fundit, unike mbetet edhe lidhja dhe dashuria e vërtetë që dy vendet tona kanë për njëra-tjetrën.

Kontributi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i popullit amerikan për vendin tonë, për lirinë tonë, për të drejtën tonë për të ekzistuar, e tejkalon raportin e partneriteteve, të tilla çfarë i njeh sot bota. Në ditët e mira, në të këqijat, në dritë dhe në errësirë, ne e ndiejmë dorën tuaj mbi supet tona.

Zoti President, më lejoni t’jua them juve dhe gjithë qytetarëve të Shteteve të Bashkuara: Kosova është edhe shtëpia juaj. Burrave e grave të vendit tuaj, anëtarëve të stafit tuaj, stafit diplomatik dhe gjithë njerëzve të Amerikës, të cilët dëshirojnë ta vizitojnë këtë vend, u themi se do t’i shohim gjithmonë sikur të ishin njëri prej nesh. Institucionet tona dhe, më e rëndësishmja, secili qytetar yni, do t’i mirëpresë ata përherë krahëhapur.

Flamujt amerikanë do të vazhdojnë të valëviten lart dhe me krenari në të gjithë Republikën e Kosovës – kjo është mënyra jonë për të treguar mirënjohjen tonë për mbështetjen që ju na keni dhënë për dhjetëvjetësha të tërë përmes njerëzve si Beau dhe çdo qytetari tjetër të Shteteve të Bashkuara, që ka kontribuar për paqen, sigurinë dhe shtetësinë tonë.

Sa i takon Beau, mund ta themi me përulje se trashëgimia e tij vazhdon të jetojë – veprimet e tij vazhdojnë të na frymëzojnë ne në Kosovë, sikur i frymëzojnë edhe qytetarët e Shtetet e Bashkuara, të cilëve mundi t’ua ndryshonte jetën. 

Presidenti Biden njëherë tha se “Beau ishte shpirti im”, është e qartë se puna dhe  angazhimi i Beau vazhdon ta frymëzojë edhe vetë Presidentin Biden. Ai vetëm pak kohë më parë më shkroi: ”Kosova ka një vend të veçantë për familjen Biden, për nder të kohës që djali ynë i ndjerë, Beau Biden, kaloi atje, duke punuar për të siguruar paqe, drejtësi dhe sundim të ligjit për të gjithë njerëzit e Kosovës.”

Ndërsa, gjatë një vizite të mëhershme në Kosovë, në kujtim të djalit të tij, Presidenti Biden tha: “Beau e donte këtë vend, Kosovën. Këtu ai nisi t’i donte njerëzit, kishte një ndjenjë të fortë të lidhjes me ta”.

Siç e dinë shumë mirë miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, Kosova është një vend i vogël, por me zemër të madhe. Shumë, nëse jo të gjithë, bien në dashuri me vendin tonë, njerëzit tanë dhe traditat tona, kur u jepet mundësia të kalojnë kohë këtu.

Prandaj, në emër të popullit të Kosovës dua t’ju siguroj se, sikur që Kosova zë vend të veçantë në zemrat e familjes Biden, edhe familja Biden dhe populli amerikan zënë vend të veçantë në zemrat tona.

Ashtu si djali i tij i dashur, Beau, edhe vetë Presidenti Biden ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për vendin tonë. Siç e them shpesh, Joe Biden ishte zëri ynë kur ne nuk kishim zë. Ai luftoi për ta kthyer vëmendjen drejt Kosovës kur të tjerët, gjithandej botës, nuk ishin të gatshëm të na përkrahnin në luftën tonë kundër diskriminimit sistematik dhe segregacionit, të kryera nga regjimi i atëhershëm i Millosheviçit. Joe Biden ishte avokat i zëshëm yni në Senat për ndërhyrjen e NATO-s, në vitin 1999, e cila i dha fund luftës dhe gjenocidit në Kosovë.

Ndërsa, më vonë, kur Kosova u përball me sfidën e saj më të madhe të pasluftës, kur ne po përgatitnim deklaratën tonë të Pavarësisë, Presidenti Biden tha se ishte “besimi i fortë i Beau-t, të cilin e kishte bartur nga prania e tij këtu, që  në thellësitë e kohëve shumë të vështira që bëri të sigurt se thirrja për pavarësinë e këtij vendi të mirë ishte gjëja e duhur, të cilën duhet ta bëja”.

Kur e vizitoi Kosovën, në vitin 2009, në Kuvend Presidenti Biden foli fjalë që vazhdojnë të bëjnë jehonë gjatë përpjekjeve tona të vazhdueshme për t’i mbrojtur lirinë tonë dhe për ta forcuar pavarësinë  e vendit tonë. Ai tha: “Pavarësia juaj është e pakthyeshme … absolutisht e pakthyeshme”. Punën e Presidentit Biden e frymëzoi djali i tij për aq sa qe gjallë, por jam e sigurt, vazhdon ta frymëzojë edhe sot.

Sot e kësaj dite, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të tregojnë respekt dhe dashuri të thellë për njerëzit tanë. Edhe në kohën më sfiduese për botën, gjatë një pandemie globale, Amerika i ka dhuruar një numër të konsiderueshëm të vaksinave Pfizer Kosovës. Edhe një herë, zoti President, ne jua shprehim mirënjohjen tonë të përzemërt.

E dashur familje Biden! 

Humbja e një fëmije është tragjedia më e madhe. Por, ta gjesh forcën dhe aftësinë për ta kthyer dhimbjen në motiv për të ndryshuar botën për të mirë, është diçka që duhet të shërbejë si frymëzim për të gjithë ne. Angazhimi i Presidentit Biden ndaj vendit të tij, si dhe puna e tij për ta bërë botën vend më të mirë jetese, është i pakalueshëm.

Para se të shikojmë video-mesazhin e  Presidentit amerikan, do të doja t’i thosha disa fjalë për përshtypjen time për të ndjerin Beau Biden, duke e parafrazuar thënien e njohur se “njerëzit e mirë janë si qirinj, ata digjen për t’u dhënë dritë të tjerëve”.

Njerëzit më të mirë e bëjnë këtë pa e ditur. Unë besoj, matja e vërtetë e një personi të mirë është ndikimi i përjetshëm që lë pas. Kjo nënkupton para së gjithash njerëzit që ju i frymëzoni, zemrat që i prekni dhe jetët që i ndryshoni pa qenë krejtësisht të vetëdijshëm për këtë.

I ndjeri Beau Biden ishte pikërisht i tillë. Ai është qiriu që u ka dhënë dritë kaq shumë njerëzve. Në ditët tona më të errëta, e gjithë familja Biden u ka dhënë gjithashtu dritë njerëzve të Kosovës.

Zoti President, 

Si Presidente e Republikës së Kosovës, ju siguroj se puna e Beau-t dhe e kolegëve të tij amerikanë nuk do të shkojnë kurrë kot. Ne do ta bëjmë Kosovën vend me të cilin do të krenohemi, ngase ka potencial të jetë i tillë. Ne do ta bëjmë Kosovën vendin të cilin e meriton populli ynë. Zoti President: ne do t’ju bëjmë krenarë.

Për gjithçka që bëni për njerëzit e këtij vendi të dashur, faleminderit!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës, dhe Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Le të pushojë në paqe shpirti i Beau dhe uroj që trashëgimia e tij të na udhëheqë përherë në drejtim të asaj se çfarë është e drejtë dhe për t’i shërbyer njerëzve dhe vendit tonë me dinjitet dhe nder.

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës, Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I përjetshëm qoftë kujtimi për Beau Biden!

Faleminderit!

Filed Under: Featured Tagged With: Beau Biden, kosova, medalje Post-mortem

ISH-KONGRESISTË AMERIKANË PESË DITË NË KOSOVË

July 30, 2021 by s p

PRISHTINË, 30 Korrik 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ 

 Ish-kongresistët Amerikanë Peter Roksam e Nick Rahall kanë qëndruar për pesë ditë në Kosovë, ku janë pritur në takime nga drejtues institucionalë e politikë. Pjesëmarrja e tyre në një seancë plenare të Kuvendit të Kosovës është përshëndetur edhe me duartrokitje. Në takime janë shprehur falënderime për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.

KRYEMINISTRI KURTI PRITI NË TAKIM ISH-KONGRESISTËT AMERIKANË, NICK RAHALL DHE PETER ROSKAM

 Dy ish kongresistët amerikanë, z.Nick Rahall dhe z.Peter Roskam, janë pritur në takim nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe nga kryetarja e Komisionit parlamentar për bujqësi, pylltari, zhvillim rural, mjedis e planifikim hapësinor dhe infrastrukturë, Fitore Pacolli. Kryeministri Kurti i njoftoi ish-kongresistët me prioritetet e programit qeverisës dhe rezultatet e arritura në njëqinditëshin e parë të qeverisjes. Në takim u diskutua për investimet e nevojshme të bizneseve nga diaspora dhe atyre amerikane në Kosovë. Kryeministri tregoi hapat që ka ndërmarrë qeveria për përmirësimin e klimës për investime. Ai falënderoi ish-kongresistët për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën. Ata shprehën gatishmërinë për të ndihmuar Kosovën në fushën e mbrojtjes së mjedisit, investimeve në energji dhe infrastrukturë. Ish-kongresistët kanë qëndruar për pesë ditë në Kosovë, me ftesë të komisionit parlamentar që e udhëheq deputetja Pacolli, në kuadër të programit “House Democracy Partnership”.

KRYEKUVENDARI KONJUFCA PRITI NË TAKIM DELEGACIONIN E INSTITUTIT REPUBLIKAN NDËRKOMBËTAR

 Kyetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim një delegacion nga Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI), në përbërje të ish-anëtarëve të Kongresit të SHBA-së, Peter Roksam e Nick Rahall, dhe stafit të zyrës qendrore të IRI në SHBA e Kosovë, Nesti Gjeluci, Maggie Stewart, Erin McMenamin, Marta Onorato dhe Betime Hoxha.  Anëtarët e delegacionit të Institutit Republikan Ndërkombëtar, pasi shprehën ngushëllime për viktimat e aksidentit tragjik të së dielës në Sllavonski Brod të Kroacisë, e njoftuan kryekuvendarin Konjufca lidhur me veprimtarinë dhe projektet e këtij Instituti, me fokus të veçantë organizimin e aktivitetit pesë-ditor me kryetarët e grupeve parlamentare në kuadër të programit House Democracy Partnership (HDP). Kryekuvendari Konjufca e çmoi lart kontributin e IRI në avancimin e reformave të legjislativit të vendit dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit. Instituti Republikan Ndërkombëtar është themeluar nga Kongresi Amerikan në vitin 1983 për të mbështetur konsolidimin e demokracive dhe sundimin e ligjit në botë.

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, Glauk Konjufca, kosova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 106
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT