Këshilli i Sigurimit diskuton raportin e sekretarit të përgjithshëm për situatën në Kosovë në të cilin bisedimet me Serbinë dhe Gjykata e Posaçme, zënë vendin kryesor/
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara diskuton të martën raportin e sekretarit të përgjithshëm Ban Ki Moon mbi zhvillimet në Kosovë. Në debatin ku do të marrin pjesë ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, përfshihet një periudhë tremuajshe e zhvillimeve në Kosovë, ku vlerësohet marrëveshja për sistemin e drejtësisë në veriun e Kosovës e arritur në muajin shkurt në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Raporti i sekretarit të përgjithshëm vë theksin edhe tek themelimi i Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për përfshirje të pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte. Në raport kjo çështje përshkruhet si “një çështje thelbësore për të ardhmen e Kosovës”, ndërsa mirëpriten veprimet e autoriteteve të Kosovës për ngritjen e saj.
Të premten, parlamenti i Kosovës pritet të diskutoje ndryshimet kushtetuese dhe ligjin për themelimin e Gjykatës së Posaçme, ideja për themelimin e së cilës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.
Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.
Vëzhguesit thonë se debati i së martës në Këshillin e Sigurimit mund të përfshijë edhe ngjarjet e 9 dhe 10 majit në Kumanovë të Maqedonisë, ku humbën jetën nëntë shtetas të Kosovës dhe u arrestuan 21 të tjerë.
Përleshjet e armatosura në Kumanovë ndonëse ende të pasqaruara nxitën shumë reagime. Prishtina zyrtare ka bërë thirrje për një hetim të pavarur e gjithëpërfshirës, duke nënvizuar se hetimi duhet të mbështetet nga organet e drejtësisë ndërkombëtare. Autoritetet kanë mohuar çdo mundësi që të kenë pasur njohuri për mundësinë e shpërthimit të incidenteve të tilla, ndërsa kanë nënvizuar se Kosova nuk ka nxitur as mbështetur veprime kundër Maqedonisë.
Tirana zyrtare i kërkoi Maqedonisë, zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, një marrëveshje e ndërmjetësuar nga komuniteti ndërkombëtar, që i dha fund luftës së vitit 2001 ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve shqiptarë që luftonin për më shumë të drejta në Maqedoni.
Tirana tha se dëshiron një Maqedoni shumetnike që do të jetë sa më shpejt në NATO dhe në Bashkimin, në përputhje me standardet që kanë ato dy organizata, ndërsa hodhi poshtë si të papranueshme deklaratat e ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, sipas të cilit Shqipëria dhe Bullgaria kanë synime për të ndarë Maqedoninë.(Sipas VOA)
Kosova nisi FSK për operacion humanitar në Shqipëri
PRISHTINË, 5 Shkurt /- Një kontigjent i Regjimentit të Mbrojtjes Civile (RMC), të Forcës së Sigurisë së Kosovës u nis sot për në Republikën e Shqipërisë, për të ndihmuar në përballimin e situatës së krijuar nga përmbytjet në disa rrethe.
Dërgimi i kontigjentit të FSK-së u bë pas vendimit të ministrit Haki Demolli dhe me urdhër të Komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, të cilët iu përgjigjën ftesës së qeverisë të Republikës së Shqipërisë, përkatësisht ministrisë së Mbrojtjes.
Komandanti i FSK-së, gjeneral Kastrati ka angazhuar Regjimentin e Mbrojtjes Civile, që së pari si ndihmë fillestare të dërgojë një kontingjent në mbështetje të Ushtrisë Shqiptare për përballimin e situatës së krijuar pas vërshimeve në disa rrethe të Shqipërisë së mesme dhe të jugut.
Njësiti i FSK-së përbëhet nga pjesëtarë të specializuar dhe të stërvitur në mënyrë të shkëlqyer për Kërkim shpëtim në ujëra, si dhe të pajisur me mjete dhe teknikë speciale për t’u përballur me situata të tilla.
Në Ministrinë kosovare theksohet se ushtria shqiptare ka marrë të gjitha masat për pritjen e kontingjentit të FSK-së në pikëkalimin në Vërmicë-Morinë. “Kontingjenti ynë do t’i bashkohet operacionit në fshatin Merkuras të rrethit të Kavajës dhe aty ku e kërkon nevoja sipas vlerësimeve të ekspertëve ushtarakë të ushtrisë shqiptare”, bën të ditur Ministria FSK-së.
Kjo është përgjigja fillestare e FSK-së në ndihmë autoriteteve shqiptare, gjithashtu FSK-ja shpreh gatishmërinë që të mbështesë edhe më tutje me kontingjente të tjera të nevojshme, nëse kjo kërkohet nga qeveria Republikës së Shqipërisë.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme duke vlerësuar gjendjen emergjente në Republikën e Shqipërisë, pas vërshimeve të ditëve të fundit, aprovoi vendimin për dërgimin e një Kontingjenti të Forcës së Sigurisë për operacione humanitare në Republikën e Shqipërisë. Vendimi i është dërguar Presidentes së Kosovës për autorizim të operacionit sipas ligjit.
Ndërsa, ambasadori shqiptar në Kosovë, Qemal Minxhozi, do të mbajë nesër një takim në Prishtinë me donatorë të ndryshëm për të siguruar ndihma për zonat e prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit në Shqipëri.
Kosova në udhëkryq! Jabllanoviçët ia kanë vënë asaj zjarrin!!!
Shkruan: Dr. Enver Bytyçi/
Isa Mustafa e shkarkoi Jabllanoviçin. Po lopa e Serbisë do të pjellë viça të tjerë pafund. E atëherë çfarë fitoi Kosova me shkarkimin e një ministri serb, i cili do të zevendësohet po me një “viç” tjetër?!~ A do të ketë ajo më pak ose aspak korrupsion?! A do të funksionojë shteti i së drejtës mirë e më mirë?! A do të ketë më shumë demokraci, liri e të drejta për qytetarët e Kosovës?! A do të jetë qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj autoritet i plotë në veri të vendit?! Çfarë do të bëhet me Trepçën dhe cilat asete do ia lënë Serbisë, nëse i referohemi një deklarate të ambasadorit anglez në Prishtinë?!
Jabllanoviç I mori valixhet. Po cilat valixhe mbajnë në duar vetë politikanët shqiptarë në Kosovë?! A e ndihëmon Albin Kurti Kosovën me ekstremizmin e tij patetik?! A ishte më 1999 Thaçi më revolucionar se sot Albini?! A u duk dhe Thaçi atëherë shumë më nacionalist se Rugova?! Po cilat janë veprat e të tillë revolucionarëve, a kanë lënë ata ndonjë gjurmë se janë të përkushtuar për Kosovën?! E nga ana tjetër sa e sa gjurmë kanë lënë për grabitjen pasurisë së vendit në format nga më të ndryshmet?! A mos Albini është i shenjtë dhe nesër në pushtet nuk do të bëjë kësisoj e më keq sesa Thaç?! A nuk kemi të njëjtën histori të shkruar e të lexuar ne shqiptarët?! Cila qeveri e qeverisje në 100 vjet nuk luftoi më shumë për pushtet sesa për shtet?! Cila lëvizje nacionaliste për vetëvendosjen e jona nuk ka përfunduar në qëllimin e marrjes dhe përfitimit nga pushteti?! Cili nga udhëheqësit shqiptarë, përveçse Rugovës, nuk është dëshmuar nga pak Esat Pashë Toptan, të cilin e kemi etiketuar me të drejtë si simbolin e tradhëtisë kombëtare?! Po nëse është kështu a mund të ketë njerëz “pak tradhëtarë ose pak shkërdhatë”?!. Pra a nuk na shfaqet përditë Esat pasha në pashallëqet tona në Prishtinë e në Tiranë?!
Isa Mustafa nga ana tjetër, çfarë i ofron Kosovës veç shkarkimit të sforcuar të Jabllanoviçit?! Çfarë do të bëjë ai me Trepçen?! Si do ta ulë papunësinë dhe varfërinë e qytetarëve të Kosovës?! A do të krijojë kapital të bollshëm për rritjen e pagave e të pensioneve, që shqiptarët më së pari, por edhe të tjerët të mos ndjejnë nevojën e emigrimit?! Si do t’i vejë ai në lëvizje pasuritë e nëntokës dhe mbitokës së Kosovës, për t’i dhënë vendit mirëqenie e begati?! Si do ta luftojë korrupsionin e mitmarrjen te vetja e partneri kryesor i tij, PDK?!
Të gjitha këto pyetje mbeten pa përgjigje edhe pas shkarkimit të Jabllanoviçit, se Jabllanoviçët shqiptarë janë instaluar në qeveri, në parlament dhe shumë institucione të tjera të Kosovës. Jabllanoviçi ishte asiqare, por ata tjerët shqipfolës ose serbishtfolës që rrine fshehur e janë përhapur si metastaza deri në administratën e pushtetit lokal janë më të rrezikshmit. Po mos ishin ata që prej 16 viteve, Kosova sot do të ishte në OKB. Territori i saj dhe për pasojë Trepça nuk do të viheshin në diskutim. Autobuzët dhe linjat e avionëve nuk do të mbushnin barkun me shqiptarë që ikin, ikin dhe nuk duan të kthehen, madje as ta kthejnë kokën nga atdheu për të cilin njëqind vjet, tre ose katër breza derdhën aq shumë gjak. Plaga e kurbetit nuk do të ishte në rendin e ditës si zgjidhja e vetme për të mbijetuar. Dhe politika, qeveria, deputeti, ministri, kryeministri, të gjithë këta që janë majmur dhe kanë lëshuar rrënjë në vilat luksoze sheikase bëjnë sikur nuk ndodh asgjë. Thjesht merren me deklarata dhe moralizime, por jo edhe me projekte konkrete për ndërtimin e shtetit demokratik të së drejtës, për zhvillimin e pronës e të prodhimit, për rritjen e të ardhurave dhe të mirëqenies.
Qytetarët e Kosovës kanë dalë në rrugë, jo për Jabbanoviçin, por në protestë kundër të gjithë jabllanoviçëve në pushtet. Ata nuk presin vetëm shkarkimin e një minsitri serb në qeverinë e Kosovës, sado legjitime të duket kjo. Ata presin që dikush të inektojë së paku shpresën e humbur dhe dalngadalë të rikthejë nderin, dinjitetin dhe integritetin moral e ekonomik të vendit. Ata nuk presin më bisedime të pafund me Beogradin, por operacione reale dhe bindëse, ku të duket se Kosova është e do të mbetet shtet i pavarur, shtet demokratik funksional dhe shtet i së drejtës, bazuar në vlerat e Perendimit. Ku shqiptarët të mos i tremben shpërbërjes ose copëtimit të territorit të saj, ku Serbia të ikë, të ikë larg, shumë lërg, përtej Beogradit e të mos duket kurrë më në Kosovën, të cilën e shkatërroi me shtëpi e katandi, e vrau, e masakroi dhe e spastroi etnikisht.
Qytetarët e Kosovës protestojnë, sepse nuk shohin asnjë shenjë drite në fund të tunelit. Shkarkimi i Jabllonoviçit, ndonëse një hap i duhur, nuk jep ndonjë shenjë drite. Sa kohë që do të lejohet që lojën antishqiptare në Kosovë ta bëjë Beogradi me jabllanoviçët e Prishtinës, aq kohë Albini do të gjejë alibi të pafund për t’i thyer e copëtuar xhamat e godinës së qeverisë, e ndoshta nesër edhe të parlamentit, pavarësisht se ai vetë është anëtar i atij parlamenti. Absurdi nuk ka fund. Në vend të alternativës vepron rruga. Në vend të arësyes veprojnë jabllanoviçët që marrin në mbrojtje krimin. Këto ndodhin në një terren të mbarsur me mllef e me konflikte. Jabllanoviçi vetëm se ia vu zjarrin benzinës, por Kosovën e kanë lyer me benzinë vetë qeveritarët e derisotëm shqiptarë të Kosovës. Madje ata që u betuan për një Shqipëri të Bashkuar.
Dhe më në fund gjthçka ndodh që shqiptarët e Kosovës të detyrohen të kërkojnë e përshpejtojnë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Pikërisht kjo është loja e Serbisë, që Kosova të kërkojë bashkim me Shqipërinë ende pa definuar pavarësinë dhe integritetin territorial të saj. Kësaj strategjie i shërbëjnë ata që qeverisin, por edhe vetë Albini, që hiqet se i dhemb shumë për Kosovën e shfrytëzon pakënaqësinë e ligjshme të qytetarëve me qeverinë dhe qeverisjen. Më këtë kërkesë Serbia do të realizojë lehtësisht projektin e saj të ndarjes së Kosovës. Nuk ka asnjë arësyetim tjetër pse këto që po ndodhin në Kosovë janë kaq të trishta, të dëmshme e të rrezikshme.
Eshtë koha për të thënë mjaft më! Kështu nuk mund të ecet përpara! Gjithçka që po bëjmë i kundërvihet interest tonë kombëtar!
S’KA SHANSE PËR AZILKËRKUESIT NGA KOSOVA DHE SHQIPËRIA’ PER AZIL NE ZVICER
Flet Z. MARIO GATTIKER, SHEFI I ZYRËS FEDERALE TË EMIGRACIONIT NË ZVICËR – S’KA SHANSE PËR AZILKËRKUESIT NGA KOSOVA DHE SHQIPËRIA’/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Gjatë muajit dhjetor Presence Suisse organizoi një “Rösti Lunch” me gazetarët e APES. Tashmë kjo mënyrë komunikimi është kthyer në traditë, ku përmes një dreke pune Departamenti Federal i Punëve të Jashtme është organizuesi dhe ndërmjetësi midis gazetarëve të APES me zyrtarë apo diplomatë të nivelit të lartë të shtetit helvetik.
Duke shijuar një meny të pasur dhe elegante pranë gotës me verë që nuk mungon kurrë, bëhet biseda me gazetarët, shkëmbehen mendime dhe pyetjet marrin përgjigje.
Kësaj here Presence Suisse organizoi takimin me zotin Mario Gattiker, shefin e Zyrës Federale të Emigracionit. I pranishëm ishte edhe Shefi i Presence Suisse Ambasadori Nicolas Bideau.
Temë e takimit kësaj here ishte “Politika e emigracionit në Zvicër përballë sfidave të reja”. Zvicra është një vend i vogël me një shkallë shumë të lartë të emigracionit. Por çdo gjë e ka një kulm. Dhe Zvicra duket se e ka arritur. Jo se Zvicra ka hequr dorë nga një prej tipareve të saj identifikuese që është mikpritja. Këtë vit, për shembull, në Konfederatën Helvetike janë pritur rreth 20 mijë emigrantë nga zonat e krizave, sidomos Eritrea dhe Siria. Dhe gjatë vitit 2015 pritet që të hyjnë në territoret zvicerane rreth 31 mijë azilkërkues. Pikërisht në këtë fluks rekord, politika zvicerane është përqëndruar në reformat në emigracion dhe sistemin e azilit. Referendumi i 9 shkurtit 2014 mbi emigrimin si “masa kundër emigracionit” ku kishte pika që e përfshinin edhe Bashkimin Europian apo lëvizja e ECOPOP, një asosacion ekologjik në Zvicër që kishte ndërmarrë prej 2 nëntorit 2012 një iniciativë popullore federale e cila u votua më 30 nëntor të këtij viti për të limituar emigracionin dhe mbipopullimin, paçka se u kthye në Ecoflop pas disfatës në votim – por gjithsesi – këto situate të reja kanë hapur diskutime si në vend ashtu edhe jashtë.
Prandaj ishte organizuar kjo dreke pune me shefin e Zyrës Federale të Emigracionit Mario Gattiker, i cili prej një 1 janarit 2015 do të jetë Sekretar i Shtetit, pas ndryshimeve të rëndësishme që janë bërë në organizimin e Konfederatës, pasi me vendim të Këshillit Federal të Zvicrës Zyra Federale e Emigracionit prej 1 janarit do të bëhet Sekretariat i Shtetit për Migracionin, çka do t’i rritë funksionet e zotit Gattiker në skenën politike brenda dhe jashtë Zvicrës.
Midis të tjerave gjatë fjalës në drekën e punës që pati me ne gazetarët e APES në Bernë, zoti Gattiker vuri re si pozitive humbjen e iniciativës të Ecopop. “Unë jam i kënaqur që iniciativa e Ecopop është refuzuar. Por sfidat qendrore mbeten.” E tillë është kriza e refugjatëve që sa vjen edhe rritet, ndërsa Zvicra si një vend i vogël në raport me vendet e tjera të Europës, ka një shkallë të emigracionit shumë të lartë. Kjo kërkon të menaxhohet, sidomos pas referendumit të 9 shkurtit, që duhet të implementohet. Natyrisht Zvicra nuk heq dorë nga traditat humanitare. Dhe kjo është një nga sfidat në politikat e emigracionit.
Ne shqiptarët e njohim mikpritjen e Zvicrës. Këtu jeton prej disa dekadash një komunitet i madh i shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës e tjerë që, për nga numri, i kalon çerek milioni, të vendosur këtu prej disa brezash si emigrantë ekonomikë dhe politikë. Pastaj kemi luftën e Kosovës kur Zvicra i hapi dyert për rreth 60 mijë refugjatë, të cilëve iu dha strehë dhe mundësi jete e pastaj i ndihmoi të ktheheshin në atdhe për t’ia nisur jetës nga e para. Shqiptarët nga Kosova në Zvicër vazhdojnë të jenë burim të ardhurash dhe shprese me remitancat e tyre, kur kemi parasysh sidomos papunësinë e madhe që shkon rreth 70 %, informalitetin dhe mosfunksionimin e shtetit ligjor në Kosovë.
Dhe pikërisht në këtë situatë dramatike e ka pikënisjen fluksi i ri i shqiptarëve nga Kosova që marrin ikën për në Europë nëpër Serbi, duke u mashtruar nga trafikantë të qënieve njerëzore se gjoja vendet e Bashkimit Europian do të hapin dyert për emigrantët.
Një situatë e tillë u përjetua edhe në Shqipëri disa ditë më parë nga porti i Vlorës ku mashtrues gënjenin shqiptarët se dikush po i priste me krahë hapur në Gjermani.
Pikërisht për të sqaruar këtë pikë VOAL iu drejtua zotit Gattiker me pyetjen nëse kjo masë e madhe shqiptarësh që po lë Kosovën, a do të jenë të mirëpritur në vendet e BE-së apo Zvicër. Dhe përgjigja nga Zyra Federale e Emigracionit është kjo: “Shansi i azilkërkuesave nga Shqipëria dhe Kosova për të marrë azil në Zvicër është jashtëzakonisht i vogël. Mbrojtja kundër persekutimit është në parim i garantuar nga autoritetet e vendeve të tyre. Prandaj, aplikimet për azil që vijnë nga qytetarët e këtyre shteteve janë dukshmërisht të pabaza dhe nuk japin të drejtë për një leje qëndrimi. Megjithatë, edhe përjashtimi mund të ndodhë, një ekzaminim individual është i bazuar me ligj.”
“Zyra Federale për Emigracion kryen procedura të cilat janë të ngjashme me procedurat e përshpejtuara (brenda më pak se 48 orëve). Këto procedura kanë nisur prej vitit marsit 2013 për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, vende të cilat konsiderohen të sigurta.”
Në kërkim të deshifrimit të fjalëve “të egzaminimit individual” apo çfarë do të thotë “Shansi i azilkërkuesave nga Shqipëria dhe Kosova për të marrë azil në Zvicër është jashtëzakonisht i vogël” i jemi referuar statistikave po nga Zyra Federale e Emigracionit, sipas të cilave shkalla për pranim të azilkërkuesave nga Kosova është 0.6 %, ndërsa pjesa tjetër dmth 99.4% kthehen në Kosovë brenda 48 orësh. Pra s’ka shans!
NGA NJËRA ANË VLAN &PDK – NGA ANA TJETËR AMERIKA & AMBASADA E SHBA NË KOSOVË
NGA NJËRA ANË VLAN &PDK – NGA ANA TJETËR AMERIKA & AMBASADA E SHBA NË KOSOVË – Zonja Clinton nuk do ta kishte toleruar këtë situatë 5 muaj
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
SHBA – Aleat jetik për shqiptarët
Një nga temat e mia të papreferuara është të shkruaj për Ambasadorët Amerikanë në Kosovë dhe Shqipëri. Megjithatë nuk i jam shmangur as kësaj teme kur e ka lypur nevoja. Është një temë delikate, sepse SHBA janë aleati jetik i shqiptarëve. Dhe kritikat ndaj një diplomati të lartë të cilin e ka sjellë aty presidenti i SHBA, keqinterpretohen nga dashakeqët. Në fakt nuk është e lehtë sepse të duhet të kritikosh përfaqësuesin e shtetit më aleat, që i shpëtoi shqiptarët nga zhbërja, shfarosja, deportimi dhe u plotësoi më në fund dëshirën e tyre shekullore për pavarësi.
Kjo është Amerika për shqiptarët.
Siç dihet në 8 qershor në Kosovë u mbajtën zgjedhjet parlamentare, të cilat i dhanë PDK-së në aleancë me Partinë e Drejtësisë dhe disa parti të vogla një fitore si të Pirros, që nuk mund të prodhonte një mandat të tretë për Thaçin nëse PDK nuk do të rikonfiguronte një koalicion të ri me ndonjë nga partitë e opozitës, që ishin LDK, VV, AAK dhe Nisma.
Dhe pikërisht këtu nis drama për PDK-në dhe kthesa historike për klasën politike të Kosovës, çlirimi i klasës politike nga kthetrat e liderëve partiakë që për interesa të pushtetit personal venë në lojë interesat e vendit dhe sovranit. Hashim Thaçi i luajti të gjitha gurët që të krijonte aleancë me ndonjë nga partitë që përmenda më sipër, por asnjëra nuk pranoi.
VLAN-in e prodhoi dialogu, konsensusi dhe kompromisi
LDK, VV, PDK dhe Nisma që për arsye të ndryshme në zgjedhjet e 8 qershorit kishin bërë secila një fushatë individuale, pas zgjedhjeve arritën të hynin në bisedime dhe të gjenin gjuhën e përbashkët të konsensusit e të kompromisit. LDK, paçka se ishte partia më e madhe, lëshoi pe dhe postin e kryeministrit, lëshime të tilla iu bënë edhe VV. Të katër forcave politike iu deshën një raund tryezash që më në fund të dilnin si një bllok politik me aleancën që mban emrin VLAN. Ky ishte një sukses i demokracisë në Kosovë.
Faktori ndërkombëtar, në vend që ta përshëndeste këtë përparim të nivelit të demokracisë në Kosovë, ka pesë muaj që rri heshtur.
Ndërsa qeveria Thaçi akuzohet nga institucione ndërkombëtare me emër si Transparency International si nga më të korruptuarat në Ballkan, heshtja e faktorit Ndërkombëtar, përfshi edhe SHBA, përkthehet nga Hashim Thaçi si mbështetje e Amerikanëve dhe BE që i jepet atij për një mandat të tretë!
Por kjo s’ka si të jetë e vërtetë. Që SHBA të mbështesin Hashim Thaçin. Edhe sikur të jetë e vërtetë. Sepse demokracia ka ligjet e veta, me të cilat askush nuk mund të bëjë as lëshime dhe as kompromis aty ku fitues është shumica.
Dhe shumica në Kosovë përfaqësohet nga VLAN me rreth 400 mijë votues, ndërsa PDK me me Partinë e Drejtësisë ka rreth 220 mijë vota.
Votimi i 8 qershorit ishte legjitim. Përfshi Haradinajn dhe Limajn, të cilët me vendime gjykate dolën të pastër nga drejtësia, pas procesesh të gjata në Hagë apo edhe në Kosovë.
E rrezikon stabilitetin e Kosovës PDK?
Nëse Perëndimi dhe SHBA janë të shqetësuar për stabilitetin e Kosovës, kjo s’do të thotë që, prej frikës të stabilitetit, të mbështesin atë forcë politike që e rrezikon stabilitetin, dmth PDK! Aq më tepër, kur në Kosovë integritetin territorial e garanton NATO përmes KFOR-it.
Në këta pesë muaj stanjacion, të cilat ishin në disfavor të popullit të Kosovës dhe të interesve të vendit, u dëshmua qartë se VLAN nuk ndërmori asnjë hap destabilizues, kur në fakt të protestosh apo të demonstrosh është një instrument legjitim demokratik.
VLAN ka respektuar kërkesat e SHBA për tryeza me presidenten, e cila ka marrë rolin e kukullës, sepse pushtetin që asaj ia garanton Kushtetuta, ajo ia kaloi Gjykatës Kushtetuese, e cila dhënien e një vendimi që mund të jepej për disa orë, e shtyu për disa muaj, duke dëshmuar se pushteti i tretë, ai juridik është i varur dhe i kapur nga Hashim Thaçi.
VLAN kanë shkuar në tryezat aspak produktive tek Jahjaga, për hir të SHBA, duke pritur që më në fund, SHBA të dilnin me një qëndrim zyrtar përmes DASH. Po të ishte në krye të DASH zonja Clinton, ajo do të dilte hapur dhe qartë dhe nuk do ta kishte toleruar këtë situatë dramatike për popullin, sepse politikanët e Kosovës majmen në luks, ndërsa papunësia në Kosovë është 70%.
Vizita e Murphyt ngjalli shpresë ndërsa zgjedhjet në SHBA kambanë alarmi
Gjithsesi u krijua shpresë sidomos pas vizitës të Senatorit Christopher Murphy, i cili në fjalën që mbajti në Uashington, lidhur me turin e kryer në Ballkan, i përcolli administratës amerikane mesazhin se paqja në rajon është ende e brishtë dhe se Shtetet e Bashkuara duhet të rikthejnë vëmendjen dhe të riangazhohen aty.
Por kambana më e fortë e alarmit vjen nga zgjedhjet e 4 Nëntorit në SHBA, ku Partia Demokratike e Presidentit Obama humbi kontrollin edhe në Senat. Dhe një nga pikat e dobëta që kritikohet administrata e Obamës është pikërisht politika e jashtme. FORBES ka dy vjet që presidentin Obama e ka kaluar në vendin e dytë dhe vendin e parë si njeriu më i fuqishëm i botës e ka marrë Putini, i cili ka interesa në Ballkan.
Një bravo për durimin e hekurt të Vlan
Por VLAN këto 5 muaj ka treguar durim dhe vullnet të hekurt dhe nuk ka bërë asnjë lëvizje që bie ndesh me kërkesat Amerikane, qofshin këto në kurriz të vlerave të demokracisë. Ka vepruar mirë, paçka se kjo ka pasur çmim për vendin.
Ndërkohë, në debatin e Lëvizjes Fol – Fol Hapur zonja Ambasadore e SHBA kritikoi rreptë udhëheqësit politikë të Kosovës për t’i dhënë fund bllokadës pesëmuajshe politike në vend.
Në fakt, Kosovën nuk e kanë bllokuar liderët e VLAN, por Hashim Thaçi. VLAN i ka përdorur të gjitha instrumentat e demokracisë, bisedimet, dialogun, konsensusin dhe kompromisin. Ka gabuar sepse ka pritur 5 muaj zvarritje. Këtu ka gabuar.
Vlan të lidhet me lobin shqiptaro-amerikan në SHBA
Çfarë duhet të bënte VLAN këta pesë muaj zvarritje? Unë do të sugjeroja që të organizonin një delegacion me përfaqësues politikë dhe ekspertë të fushës e të bënin një vizitë zyrtare në SHBA, duke kontaktuar me lobin shqiptaro-amerikan dhe bashkë me to të merrnin kontakt me Departamentin e Shtetit ku të sqaronin gjithçka. Sepse demokracia në Kosovë duhet të ketë të njëjtat standarde që ka në SHBA. Kur humb zgjedhjet Presidenti Obama, e përse të shqetësohemi kaq fort se humbi zgjedhjet njëra nga qeveritë më të korruptuara të Ballkanit, si ajo e Hashim Thaçit! Përkundrazi. Të kënaqemi.
Në kërkesat e saj tek ‘Fol Hapur’, Ambasadorja Amerikane kishte të drejtë në faktin se, deri sa nuk është konstituar parlamenti, politikanët i kanë duart e lidhura.
Parlamenti mund të konsituohej shumë lehtë. Mjafton që SHBA t‘i bënin thirrje direkt Thaçit që të lejonte procedimin e Kushtetutës, apo këtë thirrje t’ia bënin Presidentes së Republikës së Kosovës, që, pasi partia e parë e dalë nga zgjedhjet nuk arriti dot të krijojë shumicën, ajo t’ia lëshonte vendin koalicionit paszgjedhor VLAN.
Të flasësh hapur, duhet të tregosh se kush është shkaktari i vërtetë i bllokadës.
Dhe shkaktari i vërtetë është Hashim Thaçi që kërkon me çdo kusht pushtet politik përmes një mandati të tretë ose kolltukun e Presidentit të Kosovës.
Diçka e pamundur, sepse në demokraci fuqinë për të operuar me çdo kusht e ka vetëm shumica. Ashtu si thotë Aristoteli (Aristotle), Vullneti i shumicës është suprem! The will of the majority is supreme.
Duke iu referuar aktualitetit, VLAN bëri lëshimin e rradhës
Unë mendoj se në demokraci lëshimet nuk tolerohen të bëhen në këtë pikë, kur shumica del nga roli që ka dhënë Kushtetuta e vendit. Veprimi i VLAN justifikohet rishtas si dëshmi loyalitetit ndaj Aleatit jetik që janë SHBA, por vetë SHBA i janë loyalë vetëm parimeve të demokracisë.
Gjithsesi ky lëshim i VLAN e largon nga skenari banalitetin që ka ofruar Flora Brovina e cila besnike i është shefit të saj Hashim Thaçi dhe i hap rrugën krijimit të institucioneve.
Por le të mos harrojmë se kryekuvendari duke qenë gur shahu në duart e Hashim Thaçit nuk të lë asnjë shteg për të parashikuar asgjë pozitive.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme do t’i jepnin fund këtij tmerri pa fund, por kanë një tingull të pasens dhe nonsens sepse e përjashton nga e drejta dhe nuk i lejon shumicës, dmth VLAN, të marrë atributet që ia garanton ligji.
- « Previous Page
- 1
- …
- 96
- 97
- 98
- 99
- 100
- …
- 106
- Next Page »