-Në Ministrinë e FSK-së mbahet Forumi i parë i nënoficerëve të lartë/
-Pjesëmarrje e nënoficerëve të lartë të FSK-së dhe atyre ndërkombëtarë nga Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë, Qendra trajnuese e ushtrisë së 7-të, KFOR-it, Ambasadës amerikane në Prishtinë, etj/
– Rreshter majori i Komandës së Ushtrisë amerikane për Evropë, Sheryl Lyon u shpreh se ndihet e lumtur që kthehet serish në Kosovë, dhe atë për punë dhe aktivitet me FSK-në/
PRISHTINË, 27 Korrik 2016-B.Jashari/ Në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës zhvilloi punimet Forumi i parë i nënoficerëve të lartë’, nën organizimin e Ministrisë dhe me pjesëmarrje të nënoficerëve të lartë të FSK-së dhe atyre ndërkombëtarë nga Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë, Qendra trajnuese e ushtrisë së 7-të, KFOR-it, Ambasadës amerikane në Prishtinë, etj.
Punimet e Forumit i shpalli të hapura rreshter majori i Forcës së Sigurisë, Genc Metaj, i cili njëkohësisht ishte edhe kryesues i forumit, bën të ditur njoftimi dërguar sot nga Ministria e FSK-së.
Në emër të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, një fjalë rasti e mbajti drejtori i Drejtorisë për Operacione, gjeneral brigade Zymer Halimi, i cili i falënderoi nënoficerët nga Komanda e Ushtrisë amerikane për Evropë, nënoficerët e KFOR-it, Ekipin Ndërlidhës Këshillues të NATO-s për FSK-në (NLAT), pastaj ata të Ekipit Këshillues të NATO-s për Ministrinë e FSK-së (NAT), si dhe të gjithë trupën e nënoficerëve të FSK-së, për gatishmërinë për pjesëmarrje dhe kontributin e tyre gjatë zhvillimit të punimeve të forumit.
Gjeneral Halimi, më tej, tha se “synimi i KOMFSK-së është që përmes këtij Forumi të shkëmbehen përvojat me qëllim të arritjes së standardeve më të larta të kërkuara”.
Gjithashtu, gjeneral Halimi vuri theksin tek synimi i komandantit të FSK-së për krijimin e Korit të nënoficerëve të avancuar, i cili, siç u shpreh ai, ka për qëllim ngritjen e nivelit të punës dhe profesionalizimit në FSK, e posaçërisht në këtë kohë të përgatitjeve për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura (FAK).
Në fund të fjalës së tij, gjeneral brigade Zymer Halimi tha se, “ne jemi të bindur se gjatë diskutimeve ju do t’i analizoni të gjitha punët e mira që janë realizuar bashkërisht, edhe ato që kanë mundur edhe më mirë të realizohen gjatë aktiviteteve të përbashkëta që kemi pasur dhe që pasojnë si: ‘Reagimi i menjëhershëm’, ‘Përpjekja e përbashkët’, Ushtrimi i përbashkët me KFOR-in ‘Shpata e argjendtë’, si dhe shumë aktivitete tjera me aktorë të ndryshëm siç është përgatitja për ushtrimin fushor të FSK-së ‘Shqiponja 5’”.
Rreshter majori i Komandës së Ushtrisë amerikane për Evropë, Sheryl Lyon u shpreh se ndihet e lumtur që kthehet serish në Kosovë, dhe atë për punë dhe aktivitet me FSK-në. Rreshter major Lyon, gjithashtu tha se në këtë Forum sjell përshëndetjet e komandantit të Komandës së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë, gjenerallejtënant Ben Hodges.
Rreshterja amerikane shprehu gatishmërinë për bashkëpunim dhe mbështetje për FSK-në, në drejtim të zhvillimit dhe profesionalizimit të nënoficerëve në përgjegjësitë dhe detyrat që ata bartin, si dhe në drejtim të zhvillimit të gjithmbarshëm të institucionit dhe rritjes së nderveprueshmërisë me partnerët.
Kryesuesi i Forumit, rreshter majori i FSK-së, Genc Metaj, foli lidhur me hartimin e koncept-dokumenteve dhe rregulloreve, ndër të cilat përmendi Rregulloren për menaxhimin e karrierës dhe Rregulloren për konceptin zhvillimor të nënoficerëve.
Më pas, rreshter major Metaj foli edhe për planin e përbashkët të bashkëpunimit me Gardën Kombëtare të Ajovës në kuadër të partneritetit shtetëror Kosovë-Ajovë. Ai po ashtu tha se është duke u punuar që të kompletohet struktura e kanalit të nënoficerëve, ndërsa foli edhe mbi Kursin e reagimit të lidershipit.
Në punimet e Forumit ishin të pranishëm edhe rreshter majori i Brigadës për Reagim të Shpejtë, Shefqet Hasani, i cili gjatë fjalës së tij foli rreth përgatitjeve që janë duke u zhvilluar për mbarëvajtjen e ushtrimit fushor të FSK-së “Shqiponja 5”. Ndërsa, rreshter majori Xhevdet Mataj foli për rishikimin e kurrikulave të kurseve specialistike, rreshter major Jeffrey Sweezer për pikëpamjet e Akademisë së Nënoficerëve të Ushtrisë së shtatë, rreshter major i Komandës së KFOR-it, Amedeo Russo foli mbi bashkëpunimin e KFOR-it me FSK-në dhe përshtypjet për ushtrimin e përbashkët “Shpata e argjendtë”, rreshter major i Komandës së Grupit Shumëkombësh Lindje (Bondstill), Timothy Hileman, informimi për kursin e lartë për liderë, rreshter major i Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, Mathew Sides, rreshter majori i NLAT-it, Dusan Ivancic, etj.
Gjatë punimeve të Forumit të parë të nënoficerëve u debatua për trajnimin, ngritjen e nivelit të bashkëpunimit, harmonizimin si dhe për një varg çështjesh të cilat kanë të bëjnë me avancimin e rolit dhe kontributit të nënoficerëve në çdo ushtri, e në veçanti të nënoficerëve të FSK-së, në këtë fazë .
Pas përfundimit të punimeve të Forumit të parë të nënoficerëve të lartë, të gjithë pjesëmarrësit, ata të FSK-së dhe mysafirët, vizituan Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj për t’u njohur nga afër me kushtet dhe mundësitë trajnuese, stërvitore dhe të shkollimit që ka KDS-ja.