-KDI: Bëjmë thirrje që protesta e paralajmëruar për nesër të jetë e qetë, kurse nga autoritetet shtetërore presim të vënë në dispozicion resurse të mjaftueshme për të lehtësuar mbarëvajtjen e saj/
-AAK: Protesta e 17 shkurtit do të jetë qytetare dhe paqësore/
-Lëvizja Vetëvendosje ka njofuar se, që prej mbrëmë janë arrestuar tetë aktivistë të saj/
-Foto Gazeta Dielli- Behlul Jashari- Protesta e 9 janarit 2016 ne Prishtine/
PRISHTINË, 16 Shkurt 2016/ Në një deklaratë para protestës së nesërme të opozitës, në Prishtinë, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) “përkrah të drejtën themelore të qytetarëve që pëmes protestës paqësore të shprehin pakënaqësitë e tyre për çështje të caktuara politike dhe shoqërore, e që kanë për qëllim ndikimin e opinionit publik apo nxitjen e veprimeve të qeverisë”.
KDI thekson se, e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është vlerë përmbajtësore e një shoqërie tolerante dhe pluraliste, në të cilën grupet e ndryshme politike mund të bashkëjetojnë.
“Në këtë frymë, bëjmë thirrje që protesta e paralajmëruar për nesër të jetë e qetë, kurse nga autoritetet shtetërore presim të vënë në dispozicion resurse të mjaftueshme për të lehtësuar mbarëvajtjen e saj”, thuhet në deklaratën e dërguar.
Gjithashtu, vijon KDI, ju bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike, që përmes diskursit të tyre politik të mos provokojnë dhe nxisin akte të dhunës, por t’ju përmbahen rregullave të demokracisë dhe përmes shfrytëzimit të tyre të tentojnë të zgjidhin të gjitha mospajtimet.
“Përpjekjet për t’u shmangur këtyre parimeve nga cilado palë, janë të dëmshme për zhvillimin e përgjithshëm shoqëror dhe ndërtimin e një demokracie funksionale”, përfundohet në deklaratë.
Opozita e bashkuar në Kosovë kërkon edhe shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme ndërsa paralajmëron se, “protesta e 17 shkurit, do të jetë ndër më të mëdhatë të organizuara deri me tash”.
Në 17 shkurt është dita e 8 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Në 9 janar 2016, në protestën në Prishtinë, kundër qeverisë, sipas opozitës ishin rreth 100 mijë pjesëmarrës, ndërsa sipas Policisë së Kosovës ishin 8 mijë. Më parë, në ditën e festës së 28 nëntorit 2015, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës.
Lëvizja Vetëvendosje ka njofuar se, që prej mbrëmë, deri tash, janë arrestuar tetë aktivistë të saj. “Shumë aktivistë të tjerë po kërkohen nëpër shtëpitë e tyre. Arrestimet në prag të protestës vetëm na i shtojnë motivet dhe kërkesat e protestës”, shprehet Vetëvendosje.
Protesta e 17 shkurtit do të jetë qytetare dhe paqësore, paralajmëron Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në një deklaratë ku shprehet se, “arrestimet e sotme lidhen me protestën e nesërme të opozitës në Prishtinë”.
“Arrestimi mbrëmë i zëdhënsit të LVV-së, Frashër Krasniqi dhe sot i shefit të Grupit Parlamentar të kësaj partie, si dhe paralajmërimet për arrestime të tjera të mundshme të aktivistëve të VV-së, për siç thuhet disa vepra të kryera shumë vite më parë, kjo pikërisht një ditë para protestës së madhe të opozitës në Prishtinë, dëshmon lidhjen e fortë të pushtetit dhe gjyqësorit”, shprehet AAK./b.j/