Nga Sonia Memoci/
Në datën 24 maj 2014 në Bruksel u organizua një nisje udhëtimi me drejtim nga Belgjika në Prizen . Do të thoni ky është lajm çdo ditë udhëtojnë mjete të ndyshme nga distenacione të ndryshme në drejtim të Kosovës e Shqipërise. E pra mjeti i udhëtimit që përdoret në këtë rast është, jo më tepër por një biçikletë.
Është herë e parë në histori që organizohet një udhërim me biçikletë me drejtim Bruksel -Kosovë. Janë plot 221121 km rruge qe keta çikliste do përshkojne me biçiklete Ky udhëtim do të bëhet në disa etapa në ditë të ndryshme,çdo dite ata do përshkruajne 110 km. 11 qershori planifikohet si ditë e mbërritjes ne Prishtrinë.
Ky aktivitet bëhet falë bashkëpunimit të shoqatës Belge ” Balkan Trekking ” dhe te shoqatës Kosovare ” Çiklistët Pa Kufi ” e në bashkpunim me ‘Ministrine e Kulturës , Rinisë e Sportit’
Çiklistët që marrin pjesë sjellin një mesazh.
Qëllimi i udhëtimit :
Udhëtimi i Kosovarëve pa viza në BE”
15 vjetorit të hyrjes së trupave të Natos në Kosovë dhe çlirimit të saj
Përkujtimi i Lidhjes së Prizrenit.
Për Çiklistet Pa Kufi- Cyclistes sans Frontières : organizatori Erton Deçani
Për Ballkan Trekking : organizatori Patrick Heren
Sonia Memoci
AMBASADORI GAZMEND PULA ÇDO DITË E KA “MËNGJES LUTJE” PËR KOSOVËN
Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Ajo ditë vjeshte e tetorit 2008 në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës kishte shenjtërinë e saj. Në historinë shqiptare po vinte i pari ambasador i shtetit të ri të Kosovës në Shqipërinë Londineze, dr. Gazmend Pula. Ishte një nga nëntë të parët, krahas atyne në Uashington, Nju Jork, Bruksel, Londër, Paris, Berlin, Vjenë, Ankara. MPJ e Shqipërisë, e drejtuar asokohe nga Lulzim Basha, kësaj dite ia kishte dhanë peshën e vet të pazakontë. Mikpritje e veçantë diplomatike në përkujdesje të Protokollit të Shtetit. Njëherash, të pranishëm në Rinas ishin edhe zv/ministre e jashtme, Edith Harxhi, si dhe drejtorë, diplomatë e punonjës të MPJ, nga Drejtoria e Përgjithshme e Marrëdhanieve Shumëpalëshe, Drejtoria e Ballkanit, Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik (DSHTD), e cila, kjo e fundit, kishte hartue enkas edhe një program pune me dy faqe për pjesën e saj të pritjes diplomatike e vllaznore e veçmas për zyrat përkohore të Misionit Diplomatik të Kosovës e të qëndrimit të ambasadorit të saj në Bllokun e Ambasadave të metropolit shqiptar.
Isha dhe vet aty në Rinasin e pritje-përcjelljeve, si zyrtar emnor në DSHTD. Asaj mbramje iu gëzohesha shqiptarisht mëngjezeve të tilla me ardhmëri kombëtare. Si mëngjezit të 17 shkurtit 2008 të lindjes pagëzuese shqiptare e euro-atlantike të shtetit ma të ri të botës, Kosovës dardane. Si këtij eventi jo veç diplomatik i mirëseardhjes e pritjes kaq lartnore të ambasadorit të parë të Kosovës në Tiranë, dr. Gazmend Pula, të cilit ia kisha ndie kaherë zanin për mirë, qyshse në dekadën ’90, në kapërcyell të shek. XXI, si kryetar i Komitetit të Helsinkut të Kosovës, si një përfaqësues i shoqërisë civile e luftëtar i të drejtave të njeriut, si një elitar i botës akademike me ligjërime auditoriale e botime autoriale, si një zyrtar model ndër kohëna të vështira, një qytetar i denjë shqiptar në rrjedhat e jetës panshqiptare e ndërkontinentale.
Nga dera e pritjes së personaliteteve të larta shtetërore hyri ambasadori Gazmend Pula me valixhe diplomatike në dorë…dhe me vargavijë makinash shkuam në Bllokun e Ambasadave, tek zyra e pritjeve të DSHTD. Një shqiptar shtatlartë, dardan listar. Një hyu i kohës. I lumnuem deri në buzëqeshjen e syve. Klas në t’pame të parë. I veshun shik. Plot sharm. Krejt elegancë. Rrezatonte kulturë genetike, librore, jetësore, bashkëkohore. Qeshte vrellshëm. Komunikonte trup e fjalë, edhe me elekuencë. Me një timbër zani të vetin me gurgullimë akustike alpine, atlantike, kuvendtare, pentagramore. Te tana këto i jepnin përveçi natyrore, njerëzore, zyrtare. Edhe kur erdhi si ambasador i Kosovës. Edhe kur iku si personalitet i lartë i saj. Gjithmonë në lëvizje. Gjithnjë tue i mbajt lartësitë.
Dr. Gazmend Pula dukej se u lind në Zveçan të Mitrovicës dhe u rrit’ si kontribut e atribut genetik breznor e vetjak, familjar e shoqëror, si prurje e kohës e me prurje në kohë, për me kanë i tillë: kryetar i Komitetit të Helsinkut (Komiteti Kosovar i Helsinkut), personalitet i botës akademike në universitete shqiptare e të huaja, ambasador i parë i Republikës së Kosovës në Tiranë, ambasadë e vendosur ma pas nga shteti shqiptar në një nga vilat ma të bukura në qendër të kryeqytetit, pranë Kuvendit e Kryeministrisë së Shqipërisë, midis ambasadave të Serbisë e Rusisë, në një godinë që dikur ishte e “Bllokut të Udhëheqjes” e në vite të demokracisë edhe seli e Ambasadës Britanike e tevona e OSBE në Shqipëri.
2.
Dr. Gazmend Pula, ambasador i parë i një ambasade shtetërore legjitime të re, i shtetit ma të ri të shekullit e një nga shtetet ma të vegjël të globit, me një staf të pakët, të ri, kombëtar, aktiv e cilësor, punonte sikur të ishte ma e madhja ambasadë në Shqipëri, sikur të ishte në shtetin ma të madh të botës.
Edhe në një ditë të vetme të ishte ambasador në Tiranë dr. Gazmend Pula do të ishte nder për shtetin e ri të Kosovës emri i tij i formatit të lartë akademik, i shoqërisë civile, etj. e jo ma të ishte edhe si ambasador i parë i saj i pas Pavarësisë e kontributor në dy vite (tetor 2008-shtator 2010) në këtë detyrë diplomatike emblematike e fisnike çka i bani nder shtetit të Kosovës dardane.
Ambasador Gazmend Pula i mbante lart e afirmonte në çdo kohë dy mbiemnat e detyrës së tij diplomatike: I Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë.
Dr. Gazmend Pulajt nuk i dilte asnjiherë boll koha e hapësira për të kryer detyrat e veta kombëtare diplomatike për Kosovën e, megjithatë, gjente kohën, vendin e mënyrën e duhur për t’i kryer ato masëmiri e jo rrallë përtej çdo të pamundure e objektivi të pritshëm. Kryefjala e tij diplomatike ishte Kosova. Ai kishte interesim të lartë diplomatik për njohjet ndërkombëtare të Kosovës. Ai iu përkushtohej tërësisht lidhjeve tw gjithanshme Kosovë-Shqipëri prej nga turizmi tek energjitika, nga një abetare e përbashkët tek tarifat doganore e pikëkalimet kufitare, etj. Ai sapo kryente një takim të frytshëm me kryeministrin shqiptar Sali Berisha luante një lojë tenis në mbramje në hotel Rogner edhe me ambasadorin gjerman në Tiranë, të cilin e kishte njoft përgjatë veprimtarive të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit (IHF). Ai shkonte si ligjërues periodik (profesor-mysafir) në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) të Akademisë së Mbrojtjes të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), ku iu fliste oficerëve të lartë për tematika aktuale të Diplomacisë dhe të Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Diku merrej me një hapje ekspozite pikture për Kosovën, etj. Ai pinte një “kafe pune” me ambasadorin amerikan në Hotel “Sheraton” apo ambasadoren britanike në Tiranë tek Blloku i Ambasadave dhe merrte pjesë e kumtonte në Akademinë e Shkencave në Tiranë në promovimin e librit “Korridori i Shqiptarëve” (Autostrada Durrës-Prishtinë) apo në Pallatin e Kongreseve në promovimin e librit “Brenda dhe Jashtë…Parlamentit” të dr. Bujar Leskaj, deputet, ish ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, ministër kulmor i integrimeve kulturore Shqipëri-Kosovë. Ai jepte intervista si në ABC News kundër Planit 6 Pikësh të Ban Ki Mun – Sekretar i Përgjithshëm i OKB, apo tek News 24 tue theksue se “Kosova është e interesuar për zhvillimet në Shqipëri” ose shkruante një shkrim për turizmin e Kosovës në Shqipëri. Ai sapo merrte pjesë në një ekspozitë të ish Të Përndjekurve Politikë për krimet tragjike të komunizmit në Shqipëri shkonte në një takim me krerë të enteve fetare apo në një koncert në piano të mjeshtres Nora Çashku, etj.
Ambasadori Gazmend Pula çdo ditë të punës së tij e kishte “Mëngjes Lutje” për Kosovën, për shtetësinë e saj, progresin e saj.
Aty tek Blloku i Ambasadave, asokohe kur punoja në DSHTD, takoheshim bukur shpesh me ambasadorin Gazmend Pula, pasi na ndante vetëm një hap me vendndodhjen e parë të Ambasadës të Kosovës në Rrugën “Skanderbeg”, e teksa flisnim për Kosovën e Shqipërinë, i hiqnim në biseda kufijtë e padrejtësive të Fuqive të Mëdha. Ndonëse ishim në Tiranë kujtoja se jam edhe në Prishtinë. Ndaj shpesh i thoshja me të qeshur: “Kur të flasim unë po them Tirana e ju Prishtina, që të mos i ngatrrojmë bisedat ndërveti”! Po shpesh e “thyenim” këtë “pakt”, se realisht tashma në zemra, biseda e realitete nuk kishte ma kufij në mes Shqipërisë Londineze e Kosovës euro-atlantike.
3.
Ajo çka më lidhte edhe ma fort e ma mirë me ambasadorin e shqiptarin e mirë Gazmend Pula, përveçse etno-historia e Kosovës dardane, ishte edhe përkatësia e tij shpirtërore, idealiste e praktike si anglo-sakson. Ai e ka pasë fatin e hershëm që ta njoh Amerikën, Tempullin e Demokracisë, Miken e Shqipërisë, qyshse në vitin e fundit të shkollës së mesme, kur nga Prishtina shkoi për një vit (1972) në Kaliforni në kuadrin e shkëmbimeve ndërkombëtare studentore.
Kjo i shtoi dashuri e i dha shtysë, që si bursist në Universitetin e Prishtinës, krahas studimeve në Fakultetin Teknik (seksioni i elektronikës) të ndiqte edhe një fakultet të dytë, Fakultetin Filozofik, për Gjuhë dhe Letërsi Angleze, të cilat, të dyja, i kreu më 1977 me notë mestare mbi tetë e me lëvdatën meritore “Student i Dalluar”.
Te dy: Gazmendi e Fati e ndoqën njani-tjetrin si bashkudhtarë e, përndryshe, edhe kësaj here, Amerika ishte fatsjellëse e tij. Teksa kryente studime pasuniversitare me rezultate të shkëlqyera në Fakultetin Elektronik të Universitetit të Zagrebit përzgjidhet më 1979 asistent në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Elektronik, në Katedrën e Prodhimit dhe Bartjes së Energjisë Elektrike. Ende pa e mbrojt punimin e magjisturës në Zagreb, në fill vit 1980, si bursist i Fullbrajtit, shkon prapë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në studime pasuniversitare në Universitetin George Washington University në Washington DC, të cilat i kreu shkëlqyeshëm, në kohë rekord, me një tjetër lëvdatë si “Student i Dalluar” në maj 1981.
Një herë e tretë në Amerikë. Pikërisht në vitin 1986. Prapë si bursist i Fullbrajtit. Sërish në George Washington University, në kryeqytetin e SHBA. Do të mbronte doktoraturën, por pas një periudhe gjashtëmujore i ndërpret këto studime për shkaqe familjare dhe i rikthehet punës në Fakultetin Elektroteknik në Prishtinë si mësimdhënës dhe vazhdon punimin e doktoranturës që e mbron me sukses në vitin 1995.
Ish ambasadori i Kosovës në Tiranë, Gazmend Pula, tashti me titullin shkencor “prof. asoc. dr.“, vazhdon punën pedagogjike-shkencore si mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, ku ligjëron si profesor edhe sot, si në studimet e rregullta ashtu edhe në studimet pasuniversitare dhe të doktoranturës pranë këtij fakulteti. Mban lëndët e katedrës së prodhimit dhe bartjes së energjisë elektrike si bartja dhe distribuimi i energjisë elektrike, rregullimi i sistemeve elektro-energjetike, eksploatimi i sistemeve elektroenergjetike, elektroenergjetika, ngasjet elektromotorike, etj.
Gjithashtu, Gazmend Pula ka ligjëruar edhe si profesor universitar i gjuhës e letërsisë angleze në disa institucione të arsimit të lartë në Kosovë. Në Universitetin “AAB-Riinvest” të Prishtinës në Gjuhë dhe Letërsi Angleze, Letërsinë e Vjetër dhe Mesjetare Angleze, Gjuhën Angleze profesionale për Shkencat Politike, Juridike dhe Ekonomike. Njëherash, kësisoj, edhe në Universitetin Mbretëror “Illyria”, në Universitetin “FAMA”, në Universitetin “Victory” (Fakultetin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë).
4.
Event i veçantë e mirënjohje e lartë për dr. Gazmend Pula. Në vitin 1998 i jepet Çmimi Amerikano-Europian për Demokraci dhe Shoqëri Civile (US and EU Democracy and Civil Society Aëard) për angazhimin e suksesshëm në domenin e shoqërisë civile në Kosovë.
Një privilegj meritor: ky çmim ndërkombëtar iu dorëzua në një ceremoni në kohën e Samitit SHBA-BE në Londër (Mbretëri e Bashkuar) nga presidenti amerikan, Bill Klinton, e kryeministri britanik, Tony Blair.
Dr. Gazmend Pula në fillnisje të dekadës ’90 të shek. XX, me rënien e Murit të Berlinit, me përshkallëzimin e krizës politike në Kosovë, angazhohet në laminë e të Drejtave e Lirive të Njeriut në kuadër të Deklaratës Universale të OKB, Konventës Europiane, etj. Themelon Komitetin Kosovar të Helsinkut (KKH) dhe e antarëson në kuadër të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkut me seli në Vjenë. E udhëheq për 17 vite KKH, deri më 2006. Në shumë konferenca e tubime ndërkombëtare ka referue e ligjërue lidhur me Çështjen e Kosovës. E ka denoncue botnisht diktaturën e përgjakshme millosheviçiane për shkeljet e Lirive e të Drejtave të Shqiptarëve në Kosovë. I ka ofruar mjaft miq të rinj Kosovës në udhën e saj me dinjitet e sakrifica drejt Lirisë (1999) e Pavarësisë (2008).
Presidenti i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ndër vite, shpeshtas e në mënyrë të përseritur, e ka vlerësuar lart punën e kontributin e Komitetit Kosovar të Helsinkut (KKH) dhe të kryetarit të saj, dr. Gazmend Pula, në proçese e zhvillime kombëtare e demokratike të Kosovës.
Dr. Gazmend Pula për disa vite angazhohet si antar bordi i Qëndres për Demokraci dhe Pajtim në Europën Juglindore (The Center for Democracy and Reconciliation in Southeast Europe) në Selanik të Greqisë. Në karierën e tij akademike ka disa botime universitare të kahershme si “Bartja dhe Shperndarja e Energjisë Elektrike” (EBTMM, Prishtinë, 1986), “Elektroenergjetika”, (EBTMM, Prishtinë, 1987), etj. Për kontributet e tij është nderuar edhe nga Forumi Shqiptar i Kulturës, Edukimit e Shkencës, me çmimin “Pjetër Bogdani”.
5.
Vjena, kryeqëndra e Federatës Ndërkombëtare të Helsinkut, në vitet ’90, teksa shkonte atje për veprimtari të ndryshme ndërkombëtare, iu kthye në një nga vendet magjike e manjetike të jetës e veprimtarisë të prof. asoc. dr. Gazmend Pulajt në tri dekadat e fundit. Përndryshe, cilësohet edhe si gjermanik, me lidhje shpirtërore, pune e familiare me dy shtetet gjermanike, me Austrinë e me Gjermaninë.
Gazmend Pula kaherë shkoi në Gjermani për studime inxhinierike e të gjuhës gjermane: qyshse më 1978 e pikërisht në Universitetin Teknik të Dresdenit dhe, kësokohe, kryen edhe një kurs të lartë për Gjermanistikë. Pas një viti, më 1979, vazhdoi studime përkohore edhe në Institutin Gëte në Rothenburg ob der Tauber në Gjermani.
Dr. Gazmend Pula, në cilësinë e Shkenctarit Mysafir e bursist i Fondacionit Gjerman KAS e DAAD, qëndroi për një vit (1995-’96) si hulumtues në çështje të Kosovës pranë Institutit të Europës Juglindore në Munih të Gjermanisë, ndër institutet më renome në Gjermani për studimin e analizën e çështjeve ballkanike. Në të njëjtën cilësi, Shkenctar Mysafir, për tre muaj më 1999 kreu studime në Institutin për Çështje Sociale në Vjenë të Austrisë. Prej vitesh është antar i bordit drejtues të “Institut fuer Sudost Europaeische Studien” të Universitetit në Graz në Austri.
Dikush më pati dvet nji herë se Gazmend Pula është më shumë “amerikan” apo “gjermanik” e m’u desht me ia kthye gjegjën: “I ka të dyja. Është euro-atlantik”.
6.
Vjet, revista “Kosovarja” (nr. 16) devizonte se “Luljeta Pula-Beqiri, e harruar apo e vetëharruar, është një protagoniste pa të cilën nuk mund të shkruhet historia e re e Kosovës”. Kjo kandidate për Presidente e Kosovës në vitet ’90, ish kryetare e Grave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ish kryetare e PSD të Kosovës, prof. asoc. dr. në Fakultetin e Teknologjisë në Mitrovicë e njëherash drejtore e Institutit për Hulumtime pranë këtij fakulteti, është motra e ambasador Gazmend Pulajt.
Kur thashë se diplomati, profesori, veprimtari e qytetari Gazmend Pula është anglo-sakson kisha të drejtë, veçse duhet t’i shtoja edhe faktin se e tillë është krejt familja e tij, vllau e motrat e tij. Mrs. i shkencave mjekësore Shpend Pula, specialist i anesteziologjisë, jeton prej vitesh në Nju Jork, “kryeqendrën e botës” dhe ligjëron në Kolegjin Mjekësor të Nju Xhersit, “qytetin e kopshtijeve”. Edhe në dhera të largëta po merr lartësi.
Në fundvitin 1979 e kam pasë ndjek në një sallë të madhe e të mbyllur tek ish Shkolla e Lartë e Partisë në Tiranë filmin artistik “Kur pranvera vonohet” (sipas ditarit partizan të Fadil Hoxhës) me regji nga Ekrem Kryeziu, skenarin Azem Shkreli e Ymer Shkreli, muzikën Rauf Dhomit, etj. Tek ky film 124 minutësh, prodhim i “Kosovafilmit” (12.07.1979), më pati ba përshtypje të veçantë aktori Enver Petrovci, sëbashku me Abdurrahim Shalën, Faruk Begollin e Pejës, Hadi Shehun, Xhevat Qorraj. Para tre vitesh, djaloshi 57 vjeçar i Prishtinës, i madhi Enver Petrovcki në spektaklin tejet popullor në Tiranë “Dancing with the stars” (Tring Dixhital e TV Vizion Plus) u shpall ma i miri, i mori notat ma të larta e çmimin e madh – vetura Jaguar, etj. Befasia ime e madhe ishte kjo: nusja e tij tek asht motra e ambasadorit Gazmend Pula. Nuk e dija. Ajo e mban emrin e lumit të vendlindjes time: Valbona. Është pedagoge e pianos në Akademinë e Arteve të Universitetit të Prishtinës. E pas këtij fakti nuk kam me dvet ma sepse aktori e regjisori i pamatë Enver Petrovci gjeneron gjithmonë kaq shumë energji në skenë e në jetë.
Në përvjetorin e parë të Pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2009) ambasadori i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i Republikës të Kosovës, dr. Gazmend Pulaj me zonjën e tij, Lejla (Haxhiu)-Pula, shtruan një pritje klasike madhore në hotel “Sheraton”. E pata njoft prej atëherit. Me kulturë të shumanshme e lartësore. Ligjëron në anglisht e gjermanisht, sikurse edhe vet bashkëshorti i saj dinjitar. Mjeshtre e pianos si rrallkush. Në skenat ma klasike të botës euro-atlantike ka marrë duartrokitje nga spektatorët e ngritur në kambë e me përulje nderuese. E, kësisoj, është pedagoge e pianos në Akademinë e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Ka krye specializime e qëndrime studimore në SHBA, Austri, Gjermani, etj. Mirënjihet si kryetare e Shoqatës Kosovare të Chopenit, pasi prej pesë vitesh në cilësinë e drejtores artistike, organizon “Chopin Piano Fest” në Prishtinë me pjesmarrje të pianistëve të dalluar të globit, një festival i cili sjell “meloditë e pavdekshme të klasikëve”.
Një fjalë e moçme thotë: amblesina në fund. Edhe në kit’ rast nuk ka se si të ndodh ndryshe. Ambasadori Gazmend Pula i ka dy fëmijë: vajzën Nita e djalin Leonati, të cilët e kalojnë jetën në mes Gracit e Prishtinës. Secili flet nga tre gjuhë të huaja: anglisht, gjermanisht e italisht. Kanë kujt t’i ngasin. Prindrit i kanë shembuj emblematik për mirë. Nita, sikurse i ati, ka krye dy fakultete: për Drejtësi në Grac e Akademinë e Siguracioneve pranë Universitetit të Vjenës. Studimet e doktoraturës i ndjek në Universitetin e Gracit. Si pedagoge e Universitetit Juridica në Prishtinë ligjëron lëndët E Drejta Kushtetuese dhe E Drejta Publike. Leonati rinor e ka përfundue Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Gracit të Austrisë e sivjet, po aty, po i përmbyll studimet për master në drejtimin Studimet Globale. Është i angazhuar edhe si konsulent në domenin e IT.
Dr. Gazmend Pula për disa vite angazhohet edhe si antar bordi i Qëndres për Demokraci dhe Pajtim në Europën Juglindore (The Center for Democracy and Reconciliation in Southeast Europe) në Selanik të Greqisë. Në karierën e tij akademike ka disa botime universitare si “Bartja dhe Shperndarja e Energjisë Elektrike” (EBTMM, Prishtinë, 1986), “Elektroenergjetika” (EBTMM, Prishtinë, 1987), etj. Për kontributet e tij është nderuar edhe nga Forumi Shqiptar i Kulturës, Edukimit e Shkencës, me çmimin “Pjetër Bogdani”.
Ambasadori Gazmend Pula këto ditë i kap 60 vjet në udhajetën e tij atdhetare, akademike, diplomatike, veprimtare, qytetare e ngaqë kam kohë pa u takue me kit’ mik të mirë thashë t’ia shkruaj një 6 faqe esse për ditëlindje. Dua të jem i pari që uroj të parin ambasador të Kosovës në Tiranë, i cili çdo ditë të jetës së tij e ka “mëngjes lutjesh” për Kosovën.
Kosovë- Mali i Zi, nënshkruhet marrëveshja për bashkëpunim policor
PRISHTINË/ Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Rasko Konjevic, nënshkruan sot në Prishtinë një marrëveshje për bashkëpunim policor.
Duke falenderuar ministrin malazias, Konjeviç, për bashkëpunimin e shkëlqyer në mes të dyja vendeve, ministri Rexhepi theksoi se ky bashkëpunim është i një niveli të lartë.
“Me marrëveshjen për bashkëpunim policor do të thellohet bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve në luftimin e krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafiqeve të ndryshme”, theksoi Rexhepi.
Kjo marrëveshje përfshinë edhe çështjen për patrullime të përbashkëta mes dy policive, bën të ditur Ministria e Brendshme e Kosovës në njoftimin zyrtar të dërguar.
“Sot diskutuam që gjatë sezonit veror të ketë patrullime të përbashkëta në disa pika turistike të Malit të Zi, të cilat frekuentohen nga një numër i madh i qytetarëve nga Kosova”, tha ministri Rexhepi.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme i Malit të Zi, Konjeviç, tha se vizita e tij në Republikën e Kosovës ishte shumë produktive. Ai theksoi se nënshkrimi i marrëveshjes për bashkëpunim policor, do të përparojë marrëdhëniet mes të Malit të Zi dhe Kosovës.
Të dy ministrat pohuan se biseduan edhe për procesin e demarkacionit të kufirit, mes Kosovës dhe Malit të Zi, ku u tha se në një të ardhme të afërt, në bazë të procedurave të rregullta, të nënshkruhet edhe Marrëveshja e demarkacionit të kufirit.
Gjithashtu u bisedua edhe për promovimin e komunitetit malazez në Kosovë.
Gjatë këtij takimi, ministrat e të dyja vendeve nënshkruan edhe marrëveshjen për rregullimin e regjimit të trafikut kufitar, marrëveshjen për hapjen e pikë-kalimit kufitar Kotllovë-Kuqishtë, për trafikun rrugor ndërkombëtar të udhëtarëve, marrëveshjen për përcaktimin e pikë-kalimit kufitar rrugor ndërkombëtar Kullë-Savino Vodë, Protokollin për mbajtjen e takimeve të rregullta të policisë kufitare në të gjitha nivelet e menaxhimit, Protokollin për zbatimin e kontrollit kufitar të përbashkët dhe pagesën e shpenzimeve të krijuara në punë në kalimin kufitar të përbashkët Kotllovë-Kuqishtë si dhe Protokollin për formimin e patrullave të përbashkëta përgjatë kufirit të përbashkët shtetëror.
Të gjitha këto marrëveshje kontribuojnë në avancimin e bashkëpunimit rajonal, si dhe përshpejtimit të integrimit në Bashkimin Evropian për të dy shtetet.
Kryeministri Thaçi falënderon në 15 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s
Prishtinë, 24 Mars / Kryeministri Hashim Thaçi përkujton se sot u bënë 15 vite nga intervenimi i NATO-s në Kosovë. “Kurrë nuk do ta harrojmë rëndësinë e ndihmës jetike që e pranuam si popull. Dëshiroj të shpreh falënderimet e thella për SHBA, NATO dhe të gjithë Aleatët tjerë nga mbarë bota”, shkruan kreu i Qeverisë së Kosovës në Facebook.
Media kosovare duke përkujtuar ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s thekson se fillimi i fushatës së bombardimeve që zgjatën 78 ditë vlerësohet si një datë e rëndësisë vendimtare për historinë e Kosovës, si një ditë e kthesës së madhe për të ardhmen e saj
Kosovë: Identifikohen mbetjet mortore të 46 personave të zhdukur gjatë luftës
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur bën të ditur se me rastin e identifikimit të mbetjeve mortore të 46 personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998 –’99 në Kosovë, sot në Departamentin e Mjekësisë Ligjore, do të bëhet dorëzim i mbetjeve mortore të 27 personave të identifikuar, të rasteve nga komuna e Suharekës, tek familjarët e tyre.
Nesër, në Departamentin e Mjekësisë Ligjore, do të bëhet dorëzimi tek familjarët e tyre i mbetjeve mortore të 19 personave të identifikuar, të rasteve nga Krusha e Vogël.
Ndërsa ceremonitë e rivarrimit, do të organizohen në 26 mars 2014, me rastin e shënimit të 15 Vjetorit – të Masakrave në fshatrat e Prizrenit dhe Suharekës.
Kosova më se 15 vjet pas luftës vazhdon të kërkojë zbardhjen e fatit të më se 1700 qytetarëve të saj të zhdukur dhe me këtë mesazh fotografitë e të pagjeturve janë rivendosur nga familjarët në këtë muaj marsi në rrethojat e Kuvendit e Qeverisë, në sheshin qendror të Prishtinës.
Qeveria e Republikës së Kosovës u ka bërë thërrje autoriteteve të Serbisë dhe ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të ushtrojë trysni tek autoritetet serbe për ofrimin e informacioneve për fatin dhe vendndodhjen e personave të rrëmbyer dhe të zhdukur, gjatë luftës.
- « Previous Page
- 1
- …
- 41
- 42
- 43
- 44
- 45
- …
- 47
- Next Page »