• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DANAS- Thaçi: JO krijimit të Republikës Serbe në Kosovë

August 16, 2018 by dgreca

Hashim Thaçi: Nuk do të lejojmë krijimin e Republikës Serbe në Kosovë. Ky është titulli i gazetës serbe të Beogradit “Danas”, e cila boton sot intervistën me Presidentin e Kosovës. Mbititulli është: Presidenti Kosovar flet për Danas për fazën e ardhëshme të dialogut të Brukselit, Perëndimin, Rusinë, Aleksandar Vuçiçin…Ndërsa, nëntitujt janë: Unë flas me Vuçiçin dhe dëshiroj të gjejmë zgjidhje sepse dua ta shoh Kosovën në NATO dhe BE, sa më shpejtë që është e mundur; Ndodhemi në periudhë kritike dialogu midis dy shteteve tona.Gazeta DIELLI me korrespondentin në Kosovë këto i sjell (përkthyer në shqip) nga gazeta  e Beogradit “Danas”.

Ndërsa, në vijim intervista ashtu si e ka përkthyer e botuar media në Prishtunë:

***1-Thaci-300x169

Thaçi për Danas: Nuk do të lejojmë krijimin e ”Republika Srpska”-s në Kosovë/

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për të përditshmen serbe “Danas” ka folur për shumë tema, për marrëdhëniet me Serbinë, dialogun, perspektiven evropiane dhe FSK-në.

Në këtë intervistë, Thaçi po ashtu ka thënë se institucionet e Kosovës nuk do ta lejojnë krijimin e “Republika Srpska”-s në Kosovë, përcjell “Zeri.info”.

Në vazhdim Intervista e plotë e Thaçit për “Danas”

Danas: Të dy presidentët, të Kosovës dhe të Serbisë, javët e fundit kanë filluar të flasin për një demarkacion apo korrigjim të kufirit. Të dy ju keni theksuar se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të jetë e dhimbshme. Megjithatë, opinioni di fare pak për progresin në dialogun tuaj në Bruksel apo madje edhe për kornizën e ndonjë marrëveshjeje të tillë. A mund të na tregoni më shumë për pritjet që keni për marrëveshjen përfundimtare?

Thaçi: Kosova tashmë është një fituese morale dhe politike, sepse njerëzit tanë janë të lirë. Ata jetojnë në një shtet të lirë, të njohur nga pjesa dërrmuese e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara. Por, ne tani duhet të lëvizim me shpejtësi drejt anëtarësimit tonë në BE, NATO dhe në OKB. Dialogu me Serbinë, bashkëpunimi rajonal dhe pajtimi janë kushte thelbësore për ta jetësuar këtë qëllim. Nuk po zhvilloj bisedime me Beogradin për shkak të ndonjë nostalgjie. Nuk vuaj nga Jugonostalgjia siç vuajnë disa. As nuk bisedoj me Beogradin se më pëlqen të shpenzoj kohë në korridoret e Brukselit, duke ngrënë sanduiçe të ftohtë deri në orët e vona të mbrëmjes. Jo – por bisedoj me Vuçiqin dhe jam i etur të gjej një zgjidhje, sepse dua ta shoh Kosovën tonë në NATO dhe BE, sa më parë. Do të jem shumë i sinqertë, nuk mendoj se do të anëtarësohemi në këto mekanizma derisa të mos kemi kufi të pazgjidhur mes dy shteteve. Ne duhet të arrijmë një pajtim të plotë për demarkacionin e kufirit, që të mos lejojmë që disa çështje të hapura të shndërrohen në çështje konflikti në të ardhmen. Synimi im nuk është ndonjë ndarje etnike, e as krijim i një “Republika Srpska” të dytë në territorin tonë. Zoti na ruajt! Qëllimi im është vendosja e kufirit prej rreth 400 kilometra, e ky proces kërkon zgjidhje kreative, të cilat do të sigurojnë paqen sot dhe në të ardhmen.

Danas: Kohët e fundit se doni t’u ndihmoni shqiptarëve të Luginës së Preshevës që t’i bashkohen Kosovës si pjesë e këtij dialogu? Pse të hapet kjo çështje tani? A mendoni se Beogradi do të lejojë që të japë territor pa marrë diçka substanciale në këmbim?

Thaçi: Lugina e Preshevës, njerëzit e këtyre tri komunave qysh më 1992 kanë shprehur qëllimet e tyre politike. Është e qartë se çdo demarkim i kufirit mes dy shteteve do të ketë rëndësi për këto familje dhe këta qytetarë. Interesat e tyre duhet të respektohen dhe të merren parasysh. Një thënie e vjetër thotë se nëse ka vullnet ka edhe zgjidhje. Besoj se nëse ka vullnet nga lidershipi në Kosovë dhe ai në Serbi për të gjetur zgjidhje kreative, do të gjejmë një mënyrë për t’i akomoduar njerëzit në këto rajone kufitare që të ndihen të qetë, të sigurt dhe me të ardhme ekonomike dhe politike të sigurt. Si serbët në pjesën veriore të Kosovës ashtu edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës më së shumti janë të preokupuar me vendet e punës dhe ekonominë. Kush do të investojë në shtetet tona nëse kemi çështje të hapura të zgjatura për dekada të tëra? Si do t’i parandalojmë të rinjtë tanë të largohen nëse duhet të përballen me diskriminim apo frikë çdo 10 apo 20 vjet?

Danas: A po bisedoni ju dhe Vuçiq me duart tuaja mbi harta, me koordinata të fshatrave dhe kufijve si në Dejton, apo çfarë procesi po ndodh tani?

Thaçi: Pa asnjë dyshim, gjëja e fundit në mendjen time është Dejtoni. Kam shpallur pavarësinë e Kosovës si një republikë sovrane, laike dhe qytetare. Ajo do të mbetet qytetare. Hartat nuk do të përcaktojnë fatin e njerëzve. Njerëzit do të përcaktojnë fatin e hartave. Unë mendoj vetëm për hartat evropiane. Ish-Jugosllavia është shpërbërë dhe janë shtatë shtete që u krijuan nga ky proces i përgjakshëm i cili nisi vetëm në Beograd – kur njerëzit atje filluan të merreshin me harta dhe memorandume. Ky obsesion me harta ka sjellë kaos dhe gjenocid. Marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë marrëveshje evropiane. Ajo do të mbështetet nga Brukseli dhe Uashingtoni. Dhe do të finalizohet me një rezolutë të re të Kombeve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të KB-së, duke i hapur kështu perspektivë evropiane. Ose do të jetë një zgjidhje evropiane me mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së ose nuk do të ketë marrëveshje.

Danas: Çfarë do të ndodhë nëse nuk do të ketë marrëveshje? Shumë njerëz si në Serbi, por edhe në Kosovë, janë shprehur se është më mirë të mbahet status quo-ja? A do të ketë dhunë?

Thaçi: Status quo-ja mund të shkaktojë telashe në planin afatgjatë.  Kriminelët, populistët, nacionalistët, “palët e treta” nga jashtë rajonit tonë – të gjitha ata po synojnë të mbajnë status quo-në për të vazhduar me “operacionet” e tyre dhe për ta minuar Evropën, NATO-n dhe mbarë establishmentin perëndimor. Ballkani sot është i sigurt, madje kemi shënuar progres të caktuar, si marrëveshja fantastike mes Greqisë dhe Maqedonisë, si dhe pranimi i Malit të Zi në NATO; por ne duhet t’i mbyllim të gjitha çështjet e hapura dypalëshe. Sot nuk kam frikë nga dhuna. Jam i shqetësuar për propagandën e Beogradit, sipas së cilës një lloj plani po përgatitet nga policia apo ushtria e Kosovës për të hyrë në luftë. Kjo është marrëzi dhe e rrezikshme. Policia e Kosovës dhe ushtria e Kosovës trajnohen nga NATO, nga BE-ja dhe u përmbahen vlerave euro-atlantike. Por nëse nuk i rregullojmë marrëdhëniet tani, atëherë po humbim mundësinë që një apo dy breza të tjerë të kenë jetë normale. Pse ta shtyjmë zgjidhjen nëse të dyja palët janë gati të mbyllin kapitullin e dhimbshëm të së kaluarës? Pse t’i lëmë fëmijët tanë pengje të ëndrrave mitike, historike? Është e qarte se Kosova dhe Serbia janë dy shtete. Por është gjithashtu e qartë se ata janë fqinj që duhet të bisedojnë dhe t’i zgjidhin çështjet e hapura.

Danas: A e mbështesin BE-ja dhe SHBA-të qëndrimin tuaj? Ka sinjale të përziera që vijnë nga kryeqytetet e BE-së. Londra dhe Berlini po tregohen të zëshme ndaj ndryshimeve të kufirit. Uashingtoni po qëndron i heshtur. Moska po vëzhgon me vëmendje. 

Thaçi: Në dialogun që po e zhvillojmë në Bruksel aty gjithmonë ka përfaqësues të qeverisë së SHBA-së, në të gjitha fazat e dialogut, prandaj BE-ja dhe SHBA-të mbështesin një marrëveshje të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk ka asnjë dyshim për këtë. Mund të them se kemi pasur një mungesë fokusi – sidomos nga Brukseli – por bota është një gjendje të vështirë dhe po bëhet gjithnjë më e vështirë. Nuk kam iluzione siç kanë disa njerëz, të cilët mendojnë se ne jemi qendra e botës dhe se secili duhet të dëgjojë dëshirat dhe kërkesat tona. Jo, ne kemi një dritare shumë të ngushtë të mundësisë dhe shumë pak hapësirë manovrimi në kryeqytetet e mëdha për t’u marrë me Kosovën dhe Serbinë. Pra, duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi, derisa ka kohë dhe vullnet, që bashkë me aleatët tanë ta mbyllim marrëveshjen dhe ta mbështesim marrëveshjen përfundimtare.

Danas: Çfarë do të ndodhë me serbët e jugut në Kosovë nëse do të ketë korrigjim të kufirit? Njerëz të shumtë druajnë nga eksodi, si në rastin e “Oluja”-s në Kroaci?

Thaçi: Kjo është një propagandë e orkestruar. Askush nuk do t’i prekë serbët në jug, veri, perëndim apo në lindje të Kosovës. Kishte propagandë edhe kur shpallëm pavarësinë, më 2008, se serbët do të largohen me traktorët e tyre, por nuk e bënë këtë. Ata qëndruan në Kosovë dhe madje morën pjesë në krijimin e institucioneve të Kosovës, policisë, Kuvendit, Gjykatës Kushtetuese. Sot, serbët janë të integruar dhe nuk shoh ndonjë arsye për njerëzit në Shtërpcë ose Graçanicë apo kudo që të kenë frikë nga e ardhmja e tyre në Kosovë. Një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do t’u ndihmojë atyre, sepse do të ulë kërcënimet e nacionalistëve dhe ekstremistëve nga komuniteti i tyre serb që varen mbi kokat e tyre. Përfitoj nga kjo intervistë që sërish t’u bëj ftesë të gjithë serbëve, të gjitha komuniteteve jo-shumicë që të sigurohen se shteti i tyre është Kosova dhe se ata kanë një të ardhme të sigurt në këtë vend.

Danas: A do t’i marrë Kisha Ortodokse Serbe të njëjtat garanci?

Thaçi: Kisha Ortodokse Serbe është një kategori kushtetuese në Kosovë dhe gëzon mbrojtje kushtetuese. Fatkeqësisht, atë nganjëherë e politizojnë komunitete të organizuara fetare në Kosovë, meqë disa peshkopë, veçanërisht nga jashtë Kosovës, dërgojnë mesazhe shumë të mjera. Unë asnjëherë nuk u përgjigjem këtyre deklaratave, sepse nuk dua të vendos pozitën e klerit serb në Kosovë në një pejsazh politik. Përpiqem që t’i mbrojë ata nga vetja e tyre. Jam shumë krenar për shumëllojshmërinë e trashëgimisë në Kosovë dhe kam promovuar dialogun ndërfetar si një komponent thelbësor të pajtimit. Prizreni, Deçani, Rahoveci janë vende të bukura turistike edhe për shkak të larmisë së pasur etnike – shqiptarë, serbë, turq, boshnjakë. Komunitetet kryesore në Kosovë, të tilla si myslimanët, ortodoksët, katolikët, hebrenjtë, sufijntë – ata ishin këtu gjatë kohës së Perandorisë Osmane, gjatë pushtimit serb, gjatë diktaturës jugosllave dhe ata do të jenë këtu edhe në të ardhmen.

Danas: Analistët në Kosovë thonë se jo vetëm me komunitetin serb keni probleme për ta shtyrë përpara marrëveshjen përfundimtare. Shumica e partive opozitare nuk e mbështesin dialogun tuaj me Vuçiqin.

Hashim Thaçi: Kosova është demokraci e vërtetë. Nuk kam “armë” për të kontrolluar opinionin publik dhe shpresoj se asnjë kryetar nuk do të ketë “armë” të tilla për të kontrolluar mediat, shërbimin e inteligjencës, ushtrinë, Kuvendin, siç i kanë disa në rajon. Kushtetuta e Kosovës kërkon nga Presidenti të përfaqësojë Kosovën jashtë dhe brenda vendit, prandaj unë jam i mandatuar nga vullneti i qytetarëve për të gjetur një zgjidhje me Serbinë. Unë gjithashtu do të ri-kërkoj vullnetin e qytetarëve për të konfirmuar marrëveshjen përfundimtare të paqes dhe njohjen reciproke, duke organizuar një referendum. Ka zëra të shumtë në Prishtinë përkitazi me atë se si duhet Kosova të veprojë me Serbinë, por i refuzoj thirrjet për shtyrjen e marrëveshjes ose shantazhimin e komunitetit ndërkombëtar. Ide të tilla janë të rrezikshme. Kam gjithashtu përvojë personale kur partitë e Kosovës gjithmonë janë bashkuar në kohë nevoje, qoftë në Rambuje, qoftë në Vjenë apo gjetiu. Prandaj, jam i bindur se sërish do të bëhemi bashkë në fund për ta mbyllur këtë kapitull të dhimbshëm, që të mund ta vendosin flamurin para ndërtesës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Danas: A mendoni se Rusia do të mbështesë korrigjimin e kufirit?

Hashim Thaçi: Kam zhvilluar një bisedë të shkurtër me kryeministrin rus, Medvedev dhe ndjek me kujdes deklaratat ruse. Mendoj se Rusia ishte e qartë se ata do të mbështesin një marrëveshje për të cilën bien dakord të dyja palët. Ata vazhdimisht pohojnë se nuk do të jenë “më serbë se vetë serbët”. Rusia gjithmonë ka qenë pjesë e Grupit të Kontaktit dhe ka ndihmuar për gjetjen e propozimeve nga Rambujeja dhe Planin e Ahtisaarit. Kosova nuk ka asnjë problem me Rusinë dhe është mirënjohëse që Federata Ruse në mënyre kreative ua mundësojë sportistëve tanë të vizitojnë Rusinë për ngjarjet sportive ndërkombëtare. Sportistja jonë, Majlinda Kelmendi, fitoi medaljen e artë në xhudo dhe presidenti Putin mundësoi që flamuri i Kosovës të ngrihet lartë, pak vite më parë. Mendoj se kjo simbolikë e bashkëpunimit në sport, ekonomi dhe kulturë është shumë e rëndësishme. Izolimi i Kosovës në të ardhmen do të thotë izolim i Serbisë dhe i mbarë rajonit. Jam i sigurt se kjo nuk është agjenda e Moskës.

Danas: Ju nuk jeni të shqetësuar për ndërhyrjen dhe ndikimin rus në media?

Hashim Thaçi: Nuk shqetësohem për ndërhyrjen ruse në Kosovë, sepse 92% e qytetarëve tanë e mbështesin BE-në dhe SHBA-në, por ne i mbajmë marrëdhëniet e mira me të gjithë. Kosova është republikë shumë e vogël me nevoja dhe ambicie modeste për të pretenduar se ka një rol të madh midis fuqive të mëdha.

Danas: Çfarë po ndodh me Asociacionin dhe marrëveshjet e deritashme? Pse nuk po zbatohen?

Hashim Thaçi: Kjo është një çështje tjetër që mbetet e hapur dhe përbën një arsye për të arritur drejt një zgjidhjeje përfundimtare sa më shpejt të jetë e mundur. Ne patëm një marrëveshje për rrjetet e energjisë, dhe Serbia për vite me radhë po vazhdon të refuzojë zbatimin e saj. Kjo po i shkakton Kosovës probleme dhe humbje reale financiare. Kemi pasur një marrëveshje për Asociacionin, ka pasur shumë vonesa dhe njerëzit nuk e dinë këtë, por shumë vonesa janë shkaktuar pikërisht nga Beogradi. Shpeshherë kur donim ta bënim një hap përpara drejt hartimit të statutit, që gjërat të lëvizin, pati ngurrim nga disa qarqe në Beograd që donin që ky Asociacion të mbetej si një pengesë. Nuk dua të them gjithçka këtu në gazeta, por Brukseli dhe Uashingtoni janë të vetëdijshëm për arsyen e vonesave dhe për gatishmërinë tonë për t’i kapërcyer ato. Pa dyshim, për sa kohë që respektohet Marrëveshja e Brukselit, dhe kjo marrëveshje mbështetet në mënyrë eksplicite në Kushtetutën e Kosovës, Asociacioni do të themelohet për t’i avancuar të drejtat dhe përgjegjësitë komunale.

Danas: Disa medie në Beograd pohojnë se Presidenti Vuçiq kohët e fundit ka kërcënuar se do të tërhiqet nga politika nëse qytetarët serbë nuk do ta mbështesin marrëveshjen e tij me ju. A do ta bëni të njëjtën gjë?

Hashim Thaçi: Thënë të drejtën, unë tashmë jam tërhequr nga politika ditore dhe nga shumë çështje të qeverisjes. Jam zgjedhur President me shumicën më të madhe të mundshme dhe tani kam përgjegjësi para Kushtetutës dhe qytetarëve të Kosovës për të kryer mandatin tim. Kam parë disa sondazhe nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara sipas të cilave kosovarët besojnë se presidenca duhet të udhëheqë bisedimet me Serbinë, prandaj mbetëm i bindur se ende kam misionin tim të tretë për të përmbushur – Kosovën në NATO dhe BE. Ne kurrë nuk kemi qenë më afër këtij qëllimi, por ende duhet të tregojmë durim dhe të punojmë së bashku për ta siguruar vendin tonë në familjen evropiane të kombeve. Besoj se e njëjta gjë vlen edhe për Serbinë dhe Vuçiqin.

Danas: Kryetari i Serbisë ka thënë se do të ngulmojë për çështjen e pronës serbe në Kosovë në fazën e radhës së dialogut në Bruksel. Çfarë mendoni për këtë nismë?

Hashim Thaçi: Çështja e pronës është e rëndësishme për të gjithë. Për shembull, ekziston një vëllim i madh i dokumenteve për pensionet e Kosovës të cilat Serbia i ka vjedhur më 1999, dhe ekzistojnë më shumë se një milion faqe të dëshmive të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës të cilat vërtetojnë se shteti serb, policia dhe ushtria serbe qëllimisht i kanë shkatërruar pronat e qindra mijëra kosovarëve. Besoj se kur ta hapim këtë kapitull Beogradi do të jetë i pari që do të dëshirojë që ta mbyllim të njëjtin kapitull sa më parë. Por, nuk mund t’i mbyllim sytë para kërkesave legjitime të njerëzve për drejtësi dhe për pronat e tyre. Kjo është në përputhje me vlerat që duam t’i përqafojmë në BE.

Danas: A ka të reja për themelimin e ushtrisë së Kosovës?

Hashim Thaçi: Forca e Sigurisë së Kosovës tashmë ekziston, ato trajnohet nga NATO, kanë hierarki dhe strukturë. Procesi i transformimit të FSK-së në një forcë adekuate, bashkëkohore, dinamike dhe shumetnike është një proces që nuk mund të ndalet. Ky proces tashmë ka filluar dhe nuk mund të ndalet. Shpresojmë se kjo do të ndodhë me ndryshime Kushtetuese, por ekzistojnë disa formula të cilat mund të përdoren për jetësimin e këtij qëllimi. Askush nuk mund të vendos veto dhe pres që djemtë dhe vajzat tona në formë t’u kontribuojnë misioneve të NATO-s gjithandej botës, por ftoj edhe autoritetet në Serbi që të mos ushtrojnë trysni mbi serbët e Kosovës të cilët sinqerisht duan të jenë ushtarë të Kosovës. Këtë e kanë vërtetuar të gjitha partnerët tanë strategjikë.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Danas, Jo, Kosove, Republikes Serbe, Thaci

KOSOVE- VIRUSI I NILIT, 3 TE PREKUR, NJE I VDEKUR

August 15, 2018 by dgreca

1 NILITë martën është identifikuar rasti i tretë me virusin e Nilit në Kosovë, ndërkaq ditë më parë, një person ka ndërruar jetë në Kosovë, si pasojë e këtij virusi. Zyrtarë shëndetësorë thonë se edhe një tjetër person është trajtuar në Klinikën Infektive me virusin Nil, por që i njëjti pas trajtimit është lëshuar në shtëpi.Lajmin për prezencën e këtij virusi e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë e drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, duke shtuar se deri më tash tre pacientë janë diagnostikuar me këtë virus, derisa një ka përfunduar me fatalitet.

“Në laboratorët e Institutit Kombëtar sot është detektuar edhe një rast me praninë e virusit të Nilit, i cili është i shtrirë në Klinikën Infektive, dhe i cili është në fakt rasti i tretë i diagnostikuar në Institutit Kombëtar, saktësisht në laboratorët e mikrobiologjisë, dhe i cili rast praktikisht ka filluar gjatë javës së kaluar, e që ka pasur shenja klinike, ku ditën e martë edhe ka rezultuar me diagnozë të virusit të Nilit”.

“Edhe rasti tjetër që ka përfunduar me fatalitet nga virusi i Nilit, ndonëse është shtrirë në Klinikën Infektive me sëmundje kronike, i njëjti pas analizave laboratorike ka rezultuar i preku me virusin e Nilit”, tha Ramadani.

Infeksioni i virusit të Nilit te njerëzit, kryesisht është rezultat i kafshimit nga mushkonjat e infektuara.

Shtatëmbëdhjetë të vdekur si pasojë e virusit të Nilit është bilanci i një jave në vendet e Evropës. Kështu bën të ditur Qendra Evropiane për Mbrojtje dhe Kontroll nga Epidemitë. Sipas të dhënave të këtij institucioni, në Serbi janë nëntë të vdekur, tre në Greqi, një në Itali, një në Rumani dhe një në Kosovë.

Hamdi Ramadani, drejtor i Klinikës Infektive bëri të ditur se rasti i cili ka përfunduar me fatalitet, ka qenë e sëmurë me sëmundje kronike. Më pas është diagnostikuar me virusin Nil, por që gjithashtu ka pasur probleme serioze edhe me mushkëri e zemër.

“Ne nuk e dimë nëse virusi i Nilit ka shkaktuar vdekjen e këtij personi. Kjo ka qenë mjaft në moshë, pra mbi moshën 80-vjeçare. Ka ardhur në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës me probleme kronike serioze, dhe më pas ka vdekur”, tha Ramadani.

Ramadani shton tutje se në Kosovë në vitet paraprake asnjëherë nuk ka pasur vdekshmëri nga ky virus. Derisa sa i përket trajtimit të këtij infeksioni, Klinika Infektive, siç thotë Ramadani, është në gjendje gatishmërie për trajtim të pacientëve.

Sidoqoftë, ekipet e Departamentit të Epidemiologjisë prej fillimit të korrikut, në nivel qendror dhe periferik ,janë në gjendje gatishmërie për të identifikuar dhe raportuar ndonjë rast individual të sëmundjes. Laboratorët e Institutit Kombëtar janë të gatshme të pranojnë mostra dhe të diagnostikojnë rastet e sëmundjes, kanë thënë zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.(Kortezi :Ariana Kasaplli-Selani RFL)

Filed Under: Kronike Tagged With: Kosove, nje i vdekur, tre te premura, Virus Nil

Kosovë-Betohen 36 vullnetarë të rinj të SHBA nga Korpusi i Paqes

August 10, 2018 by dgreca

-Deri tani 180 vullnetarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të Korpusit të Paqës kanë ardhur në Kosovë/1 Betohen-Ambasadori i SHBA-së në Republikën e Kosovës, Greg Delawie: Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ndër miqtë dhe mbështetësit më të ngushtë të Kosovës.  Përkundër çka mund të lexoni në shtyp, kjo gjë nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë.  Partneriteti ndërmjet vendeve tona është i thellë dhe shumëdimensional dhe ne punojmë çdo ditë me mund për t’i çuar përpara qëllimet tona të përbashkëta për demokraci, siguri dhe begati/

-Ministri Kosovar i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë,  Shyqiri Bytyqi:  Sot mësojmë anglisht me vullnetarë amerikanë, jetojmë dhe i takojmë botës së lirë, andaj edhe standardet e arsimit duhet ti arrijmë po ato që ka edhe bota perëndimore/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI*

PRISHTINË, 10 Gusht 2018/ Është Zhvilluar sot në Prishtinë ceremonia e betimit solemn të 36 vullnetarëve të rinj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Korpusit të Paqes, pasi para shërbimit përfunduan trajnimin 10 javësh të mbajtur në komunitetet kosovare të Kamenicës, Koretinit, Topanicës dhe Roganës.

Drejtoresha e Korpusit të Paqës, Dr. Darlene Grant prezantoi këtë grup të pestë të vullnetarëve amerikanë në Kosovë për t’u betuar solemnisht.

Pas betimit solemn, të administruar nga Ambasadori i SHBA-së në Republikën e Kosovës, Greg Delawie, 36 vullnetarët e arsimit në  gjuhën angleze fillojnë tani shërbimin e tyre vullnetar dyvjeçar në Kosovë.

Ambasadori i SHBA-së  tha se, vullnetarët e Korpusit të Paqes përfaqësojnë një partneritet ndërmjet dy vendeve tona për promovimin e zhvillimit dhe përparimit të Kosovës dhe për të ndërtuar një themel të fortë të mirëkuptimit mes popujve të dy vendeve.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ndër miqtë dhe mbështetësit më të ngushtë të Kosovës.  Përkundër çka mund të lexoni në shtyp, kjo gjë nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë.  Partneriteti ndërmjet vendeve tona është i thellë dhe shumëdimensional dhe ne punojmë çdo ditë me mund për t’i çuar përpara qëllimet tona të përbashkëta për demokraci, siguri dhe begati”, theksoi Ambasadori Delawie.

Ai vijoi se, nuk ka manifestim më të prekshëm që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e shtrijnë dorën e miqësisë se sa prania dhe përkushtimi i vullnetarëve të Korpusit të Paqes.

“Korpusi i Paqes paraqet simbol të qëndrueshëm dhe të dukshëm të kontributit të Amerikës për përpjekjet për paqe në botë.  Tre qëllime e kanë përkufizuar misionin e Korpusit të Paqes prej fillimit të programit gjatë presidencës së John F. Kennedy-t në vitin 1961. Ato janë: T’ju ndihmojë popujve të vendeve të interesuara për t’i përmbushur nevojat e tyre për personel të trajnuar; Të ndihmojë në promovimin e njohjes më të mirë të popullit amerikan nga ana e popullit të cilit i shërben; Të promovojë njohjen më të mirë të popujve të tjerë nga ana e popullit amerikan”, u shpreh Ambasadori i SHBA, Delawie.

Vullnetarët u trajnuan intensivisht 10 javë për aspekte kulturore, gjuhësore dhe teknike, gjithashtu u informuan rreth sistemit arsimor të Kosovës dhe morën pjesë në praktikum për mësimdhënie, ku janë përfshirë edhe arsimtarë vendorë të gjuhës angleze me përgatitje universitare.

Çdo vullnetar i Korpusit të Paqës jetoi me një familje mikëpritëse vendore për 10 javë për të përfituar më shumë njohuri për komunitetin dhe kulturën kosovare si dhe për të zhvilluar aftësitë e tyre gjuhësore.

Anëtarët e familjeve mikëpritëse ishin të pranishëm në ceremoninë e betimit dhe ata kanë qarë dhe qeshur për momentet e mira që kanë kaluar së bashku, pasi kjo ishte edhe lamtumirë mes tyre, sepse menjëherë pas ceremonisë vullnetarët udhëtuan për vendet e tyre të shërbimit 24 mujor në gjithë Kosovën tek familjet e reja mikëpritëse, si dhe për detyra të reja në shkollat e tyre.Me kërkesë të qeverisë së Republikës së Kosovës, Korpusi i Paqës sjell burra dhe gra të kualifikuar amerikanë për të ndihmuar Kosovën në përmbushjen e qëllimeve të arsimit fillor dhe të mesëm duke nxitur gjithashtu një mirëkuptim më të mirë mes njerëzve të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.

Në gusht të vitit 2014 Korpusi i Paqës i Kosovës betoi solemnisht grupin e parë të 25 vullnetarëve të Korpusit të Paqes të Edukimit në Gjuhen Angleze, të cilët shërbyen në fshatra dhe qytete anembanë Kosovës.

Deri tani 180 vullnetarë të Korpusit të Paqës kanë ardhur në Kosovë për të shërbyer.

Edhe këta vullnetarë të grupit të pestë do të jetojnë me familjet mikëpritëse vendore, do të punojnë krah për krah me mësuesit e gjuhës angleze në shkollat fillore dhe të mesme dhe do të punojnë me komunitetet për të forcuar kapacitetet lokale, për të shkëmbyer kulturat dhe për të ndërtuar marrëdhënie që do të zgjasin përgjithmonë.

Në ceremoninë e betimit ishte edhe Ministri Kosovar i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë,  Shyqiri Bytyqi,  i cili mbajti një fjalë rasti  për grupin  e ri të vullnetarëve. “Sot mësojmë anglisht me vullnetarë amerikanë, jetojmë dhe i takojmë botës së lirë, andaj edhe standardet e arsimit duhet ti arrijmë po ato që ka edhe bota perëndimore”, u shpreh ai.

Ministri Bytyqi shtoi se, duke njohur nevojat e vendit për arsim të mirë, pa të cilin nuk ka cilësi jete, as ekonomi që garanton cilësinë e saj, jemi vënë përkushtueshëm në rritjen e standardeve.

“Andaj, praktikat që Korpusi i Paqes kultivon në përvojën e tij dhe traditën e arsimit amerikan janë një vlerë të cilën duhet të përpiqemi orë e çast ta përvetësojmë në vazhdimësi”, tha ministri i Arsimit të Kosovës.

Përfaqësues të ministrive të ndryshme, drejtorët e shkollave dhe partnerë tjerë të agjencive gjithashtu morën pjesë në këtë ngjarje.

Ambasada e SHBA në Prishtinë thekson se Korpusi i Paqës i falënderohet sinqerisht secilit përfaqësues që ndihmoi në këtë program të trajnimit dhe të cilët do të ndihmojnë në punën e vullnetarëve gjatë dy viteve të tyre në Kosovë së bashku me miqtë e shumtë, familjet mikëpritëse, stafin e trajnues  dhe  personelin e Korpusit të Paqës në Kosovë.

Grupi i parë i Korpusit të Paqes i SHBA-ve prej  25 vullnetarësh kanë mbërritur në Kosovë në 8 qershor 2014, ndërsa betimin solemn e dhanë në 20 gusht, poashtu pas trajnimit parapërgatitor në komunitetet kosovare.

Para se të shkonin në pikat e tyre të shërbimit, vullnetarët u aftësuan për tre muaj në mënyrë gjithëpërfshirëse për aspektet ndërkulturore, gjuhësore, dhe teknike.

Korpusi i Paqës filloi programin e tij të parë në Kosovë me ftesë të presidentes së atëherëshme Atifete Jahjaga, e cila në 9 shtator të vitit 2013 me ambasadoren në atë kohë të SHBA-së në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, nënshkruan marrëveshjen ndërshtetërore për hapjen e programit të Korpusit të Paqes në Kosovë.

“Me këtë marrëveshje, Kosova bëhet shteti i 140 nikoqir i Korpusit të Paqes, organizatë kjo e vullnetarëve amerikanë e themeluar nga Presidenti Kenedi, që me dekada kanë ndërtuar ura të miqësisë mes popujve përreth botës”, theksoi atëherë presidentja në ceremoninë ku ishte edhe drejtoresha e Korpusit Amerikan të Paqes, Helen Lowman.

Vullnetarët e Korpusit të Paqes janë të përkushtuar ndaj ndërtimit të kapaciteteve lokale dhe zhvillimit të qëndrueshëm  në nivelin bazë, për dallim nga financimi tradicional i zhvillimit.

*Per me shume foto shko ne facebook(dielli vatra)

Filed Under: Featured Tagged With: Amerikan, Behlul Jashari, betohen 36 vullnetaret, Kosove

Gjendja e sigurisë në Kosovë, e qetë dhe stabile

August 3, 2018 by dgreca

-Vlerësojnë Ministri i Punëve të Brendshme dhe Komandanti i forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë- KFOR/

  • Haradinaj kërkon rritjen e gatishmërisë së institucioneve të rendit/-I pyetur nga gazetarët nëse serbët mund të shpallin autonomi më 4 gusht, pas dorëzimit të draft-statutit të Asociacionit për komunat me shumicë serbe, Haradinaj tha se Kosova është brenda marrëveshjeve ndërkombëtare dhe se askush nuk mund të ndërmarrë veprime të njëanshme./

2BisedaPRISHTINË, 3 Gusht 2018-Gazeta DIELLI/ Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka pritur sot komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Salvatore Cuoci, në një takim ku u diskutua për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Republikën e Kosovës.Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se gjendja është e qetë dhe stabile.  Në takm u tha se bashkëpunimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe KFOR-it është i mirë dhe se ky bashkëpunim duhet të thellohet edhe më tej.Ministri Gashi e falënderoi komandantin e KFOR-it për përkrahjen e dhënë për institucionet e sigurisë në Kosovë, gjë që është me rëndësi të madhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve të vendit. Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan që vazhdimi i bashkëpunimit në mes tyre të vazhdojë edhe më tutje./b.j/

***

Haradinaj kërkon rritjen e gatishmërisë së institucioneve të rendit

Nga Luljeta Krasniqi- VESELI/


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj/
 Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkoi rritjen e gatishmërisë së institucioneve të rendit dhe ligjit në ditët që vijnë.“Gjendja e sigurisë në rend dhe ligj është e qetë dhe stabile, por megjithatë kemi kërkuar rritjen e gatishmërisë për veprim në rast të çfarëdo prishjeje të rendit dhe ligjit”, tha Haradinaj, pas takimit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

Sipas tij, është konstatuar se disa persona të dyshimtë qarkullojnë në pjesën veriore të Kosovës dhe ata mund të jenë nga Republika Sërpska ose pjesë të tjera.”Kushdo që hyn në territorin e Kosovës, me qëllim të shkaktimit të ndonjë incidenti apo prishjes së rendit dhe ligjit, do ta marrë reagimin e institucioneve të rendit dhe të ligjit“, tha Haradinaj.”Rritja e shkallës së gatishmërisë nuk është urdhër për veprim, por jemi në gjendje gatishmërie. Në rast se ka prishje të rendit dhe të ligjit, do të veprojmë”, theksoi kryeministri.

I pyetur nga gazetarët nëse serbët mund të shpallin autonomi më 4 gusht, pas dorëzimit të draft-statutit të Asociacionit për komunat me shumicë serbe, Haradinaj tha se Kosova është brenda marrëveshjeve ndërkombëtare dhe se askush nuk mund të ndërmarrë veprime të njëanshme.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Bejtush Gashi, E fete situata, Komandanti i KFOR, Kosove

Operacion policor, 5 serbë në pranga-veprimtari kundër Sigurisë së Kosovës

July 10, 2018 by dgreca

-Janë arrestuar 5 persona – meshkuj, serbë të Kosovës, nën dyshimin e bazuar se janë përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës/Policia KosovePRISHTINË, 10 Korrik 2018-Gazeta DIELLI/Policia e Kosovës në një njoftim të sapodërguar bën të ditur se, sot, me datën 10 korrik 2018, pas hetimeve të zhvilluara nga njësitet relevante policore, me urdhëresë të gjykatës kompetente është duke u realizuar një operacion policor, i cili përfshinë disa lokacione të rajonit të Gjilanit.Gjatë këtij operacioni deri më tani në cilësinë e të dyshuarve janë arrestuar 5 persona – mashkuj, serbë të Kosovës, nën dyshimin e bazuar se të njëjtit janë përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.  Njëkohësisht, Policia e Kosovës përmes kësaj komunikate zyrtare, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, demanton disa mediume/portale serbe, të cilat deklarojnë se po realizohet një operacion policor ndaj disa ish-pjesëtarëve të FSK-së, dhe sqarojmë se këto janë vetëm disa supozime apo spekulime të mediave në fjalë.

Policia e Kosovës garanton të gjithë qytetarët pa dallim se veprimet e saj i bazon në Kushtetutën e vendit dhe Legjislacionin në fuqi, përderisa operacioni policor është duke vazhduar në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet e drejtësisë./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: akison policor, Behlul Jashari, Kosove

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT