• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

REFUGJATËT E LINDJES SË MESME DHE SHQIPËRIA

March 15, 2016 by dgreca

Nga  Kristo Zharkalliu-Athine/

Para disa viteve, kur sapo kishte filluar kriza në vendet  e Lindjes së Mesme, sidomos në Libi, Egjipt dhe më vonë në Siri,kisha shkrojtur një artikull ku paralajmëroja krizën politike ekonomike në këto vende,rrezikun e islamizmit ekstrem dhe, kryesisht përgjegjësinë e madhe të vendeve  europjane dhe të Sh.B.A. që po nxisnin dhe përkrahnin forcat që predikonin demokracinë kundër diktatorëve Khadafi, Mubarak dhe Ashad. Dukej qartë se vendet demokratike perendimore nuk kishin nxjerrë mësimet e duhura nga pësimi në Afganistan dhe Irak,ku me ndërhyrjet e tyre kishin krijuar një kaos gjakderdhës në këto vende ku akoma nuk  dukej se si do të përfundonte . Thanë se kërkonin “demokratizimin” e këtyre vendeve dhe se ato forca që ishin ngritur kundër “diktatorëve” në fjalë (me ndihmën dhe nxitjen  e vendeve perendimore) kishin si synim që t’u jipnin popujve të tyre demokracinë dhe…mirëqënien. Por  forcat kryengritëse nuk e fshihnin se synimi i tyre ishte të mirrnin pushtetin dhe të vendosnin në vendet e tyre regjimin e islamizmit më të errët…Por dukej se fuqitë perendimore tjetër synim kishin. Naftën.

Nuk është folur aspak për planet që kishin ato vende perendimore që nxitën dhe ndërhynë ushtarakisht në Libi, Egjipt dhe Siri (Irakun dhe Afganistanin do t’i lëmë mënjanë por nuk mund të mos theksojmë se sa gabim ka qënë politika e vendeve demokratike edhe në këto vende: askush nuk di se kush drejton fatin e Irakut që pothuajse është copëtuar e përgjaket përditë,kurse në Afganistan u ndihmuan Talibanët gjoja kundër sovjetikëve,por  dihet se këta sapo lane hesapet me rusët me armët amerikane,i kthyen këto armë po kundër amerikanëve…këtu kemi të bëjmë me atë…ushqeje këlyshin që të të hajë kokën!). Pata fatin të njoh nga afër jetën në Libi dhe Egjipt kur në pushtet ishin Khadafi dhe Mubaraku. Libia ishte shndërruar në një kantjer i madh ndërtimi, madje për arsye se një shoqëri teknike greke ku punonte një i afërmi im (ishin të shumta shoqëritë greke që punonin në atë vend) e cila,me makineritë e saj të renda punonte për gjelbërimin e shkretëtirës,udhëtova disa ditë në këtë vend dhe jo se kisha pasur miqësi rinore me vetë diktatorin. Nuk ka asnjë dyshim se Khadafi ishte diktator i rreptë dhe qeveriste me dorë të hekurt,por nuk duhet harruar se ai çliroi vendin nga dinastia e degjeneruar e Idrizit dhe kishte mundur të bashkonte në një shtet të gjithë fiset e vendit që  më pare ishin të shpërndarë kudo duke pasur kanunet dhe ligjet fisnore; shtetëzoi burimet e mëdha të naftës që më pare i kishin në duart e tyre shoqëritë e huaja ,shkolloi popullin,ndërkohë që në të gjitha universitet e mëdha europjane dërgoheshin student libianë për t’u arsimuar dhe për të përfituar përvojën e duhur që të ktheheshin ne vendin e tyre si teknikë dhe intelektualë të zotë. Kujt i binte në qafë Khadafi? Askujt në se nuk do të marrim parasysh diktaturën e rreptë në vendin e vet dhe, sigurisht, se kontrollonte vetë burimet e naftës dhe nuk ja rrëmbenin të huajt si më pare. Për këtë duket se nuk e falën asnjëherë  “demokracitë” perëndimore. Dhe pas kësaj ç’po bëhet? Asnjeri nuk e di se kush po drejton fatet e atij vendit dhe, ndërsa më pare në Libi punonin dy milionë të huaj, sot me mijra libianë braktisin vendin e tyre, shumë here duke u mbytur pranë brigjeve të Italisë… Fatmirisht Egjipti nuk pati të njëjtin fat, falë gjeneralëve që janë edukuar me idetë e Mustafa Qemalit (Ataturku). Kur islamistët morën pushtetin (me ndihmën perendimore) askush nuk kishte parashikuar se këta do të vendosnin në vend regjimin e tmerrëshëm të islamistëve ekstremistë dhe se do të shndërronin Egjiptin në një Iran të ri. Veçse ushtarakët u prenë rrugën. Duke derdhur shumë gjak,por së fundi dua të besoj se vendi u shpëtua dhe nuk pësoi atë që pësoi Libia, Iraku dhe atë që pëson përditë Siria. Merreni me mënd sikur edhe Egjipti afro njëqind million, të mbushte detin  Egje me mijra varka refugjatësh për t’u shpëtuar ndjekjeve islamiste…

Do të thoni se të gjitha këto janë të njohura,por sa janë ata që guxojnë të thonë të vërtetën, sa janë ata që kuptojnë fatin tragjik të këtyre popujve falë gabimeve kriminale të disa qarqeve perendimore? Të gjithë shajnë dhe akuzojnë islamistët fanatikë, por nuk kanë kurajon të thonë se këta janë krijesa të një politike të verbër të fuqive të mëdha ushtarake dhe ekonomike të Europës dhe të Amerikës. Prandaj sot kjo botë-europjane-po përballohet me dukurinë tragjike të refugjatëve që braktisin vendet e tyre-kryesisht Sirinë dhe Irakun- dhe duket sikur ka humbur torruan. Sigurisht vendet më të afërta të këtyre vendeve,si Turqia, Greqia dhe Italia po shndërrohen në kampe të papërballueshme refugjatësh. Turqia,duke mos mundur të përballojë kalimin masiv të kufijve të saj,megjithse ky vend nuk mund të quhet se nuk ka vënë gisht në krizën e Sirisë dhe të Irakut dhe përderisa refugjatët duan të shkojnë në Europë,u a lehtëson-ose më mire nuk i pengon- të kalojnë me mijra përditë detin Egje dhe të arrijnë në ishujt greke. Nga ana tjetër europjanët,sidomos ato vende të ish kampit lindor, sikur duan t’u a hedhin fajin grekëve pse nuk i pengojnë, ose t’ i kthejnë prapa të mjerët që kërkojnë shpëtim. Madje ka nga ato qarqe fashiste dhe ultra të djathta që kërkojnë t’i mbysin bashkë me varkat në det! Vendet ballkanike- sidomos ato të ish Jugosllavisë- kanë mbyllur kufijtë duke ngritur mure e gardhe me tela me gjëmba, që të mos kalojnë emigrantët dhe refugjatët sirianë-irakianë dhe afganistanë që duan të shkojnë në Europë. Historia përsëritet!

Sot Greqia përballon një problem që nuk mund kurrsesi ta zgjidhë vetëm ajo.Deri tani Shqipëria nuk është prekur nga refugjatët dhe kjo se  ata nuk duan të qëndrojnë në këto vende por duan të shkojnë në Europë ku mund t’u sigurojë një jetesë më të mire. Greqia ka bërë ç’është e mundur, por rrethanat dhe kushtet se si jetojnë këta dhjetra mijra njerëz-shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë- janë të padurueshme, çnjerëzore. Askush nuk kishte parashikuar se do të vërshonin në këtë vend rreth një milion të mjerë nga brigjet e Turqisë. Dhe mundësitë e Greqisë-që kalon një krizë të thellë ekonomike-janë të kufizuara. Në këto kushte pra gazeta Kathimerini disa ditë rresht po përmend kufirin greko-shqiptar! Pikërisht këtu kujtojmë se edhe në vitin 1948 kur në Greqi bëhej lufta vëllavrasëse dhe ushtria “demokratike” e drejtuar nga komunistët po pësonte disfatë, “vëllezërit”jugosllavë mbyllën kufijtë që të mos hynin grekët që donin t’i shpëtonin “hakmarrjes” të ushtrisë kombëtare, e cila nuk kujtohet për butësi në atë kohë.Nga ana tjetër mbyllja e kufijve po e zgjaste luftën civile vllavrasëse në Greqi. Kujt i mbeti barra pra të hapte kufijt që të hynin në vend me mijra gra, fëmijë dhe sidomos të plagosur grekë që mbushën spitalet e pakta shqiptare të asaj kohe? Shqipërisë së varfër që sapo kishte dale nga lufta vetë. Këtu nuk do të flasim për regjime e diktatura, këtu bëhet fjalë për humanizëm. Dhe populli shqiptar atëhere u tregua bujar, megjithë varfërinë e tij. Me mijra grekë që kaluan kufirin të ndjekur nga kundërshtarët e tyre,gjetën strehim e ushqim si dhe kujdes mjekësor,paçka se po këta të ndjekur nga ushtria dhe të bllokuar nga Titoja,kur u bë lufta në Kosovë,të gjithë përkrahën me fanatizëm Milosheviçin duke harruar se dikur populli shqiptar kishte qënë shpëtimtari i tyre në çastet më kritike të jetës së tyre.

Këtu del pyetja pra: duhet apo jo që Shqipëria të pranojë refugjatë sirianë e irakianë për të lehtësuar sado pak barren nga shpina e dobët e Greqisë? Shqipëria ka një përvojë të mire në këtë drejtim. Fill pas mbarimit të dy luftrave, u detyrua të strehojë me mijra bashkëkombës që ishin dëbuar me force nga shovinistët fqinjët ballkanikë si veriorë ashtu dhe jugorë. Sigurisht është ndryshe kur kemi të bëjmë sakrifica për vëllezërit e një gjaku e kombi, por kjo nuk e ndryshon situatën: si bashkëkombësit ashtu dhe të huajt (grekët më 1949) kishin të njëjta nevoja për të jetuar. Populli shqiptar ndau me ta kafshatën e gojës. Por edhe me luftën e Kosovës afro një milon kosovarë kaluan kufirin të ndjekur nga bisha sërbomadhe, dhe gjetën strehim dhe ushqim në vatrat e vëllezërve të tyre në Shqipëri. Si rrjedhojë populli shqiptar e kupton hallexhiun, e kupton muhaxhirin, e ndien të çrrënjosurin nga vatrat e veta. Të mos harrojmë se pas shëmbjes së diktaturës pothuajse gjysma e popullsisë shqiptare kaloi në vendet e tjera, kryesisht në Greqi ku gjetën një cope bukë për vete dhe familjen  e tyre. Jo se shqiptarët i kanë borxh dikujt. Ata nuk lypën, nuk kërkuan lëmoshë por punë dhe me djersën e ballit-shumë here të shfrytëzuar- mundën të kapërxenin rrezikun e zisë së urisë që u kanosej. Akoma dhe sot qindar mijra shqiptarë punojnë dhe jetojnë në vende të tjera, ku në shumë raste dallohen, por edhe kanë bërë dhe prokopi.

Prandaj besoj se Shqipëria duhet të bëhet pjesë e Europës duke ndihmuar refugjatët dhe emigrantët që po vërshojnë në brigjet e Greqisë dhe Italisë. Besoj se Shqipëria do të ketë mundësi të strehojë dhe sistemojë përkohësisht disa mijra prej tyre, shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë të mitur. Sigurisht Europa  do të jape ndihmën e saj në këtë drejtim dhe Shqipëria edhe njëherë duhet të tregojë bujarinën dhe fisnikërinë që ne karakterizon duke sfiduar edhe njëherë qëndrimin jo njerëzor të vendeve sllave. Jam i bindur se qeveria shqiptare dhe kryesisht populli shqiptar do të tregojë edhe njëherë se nuk ndikohet nga idetë racisten fashiste por se është një popull përparimtar me ndienja humanitare, pa fanatizëm e pa frikë nga njerëzit e ndryshëm, si e ka treguar se mund të bashkëjetojë me të gjithan besimet fetare dhe me pakicat e ndryshme. Ka ardhur edhe njëherë koha që populli shqiptar të dallohet në botë,të bëhet shëbull njerëzor,të madhështisë së historisë së tij të lavdishme. Nuk duhet pra të humbasë këtë rast Shqipëria që t’i tregojë botës se  nuk “eksporton” vetëm emigrantë vëndas,por është gati të “importojë” duke u shtrirë dorën të mjerëve nga Lindja e Mesme.Në këtë mënyrë do të lehtësojë dhe barren e madhe nga  shpatullat e dobëta të Greqisë që,jo në të kaluarën e largët,priti dhe ndihmoi shqiptarët.

KRISTO ZHARKALLI,  8 MARS 2016.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe Shqiperia, KRISTO ZHARKALLIU, REFUGJATËT E LINDJES SË MESME

ZGJEDHJET NË GREQI DHE E ARDHMJA E EUROPËS…

January 23, 2015 by dgreca

NGA KRISTO ZHARKALLIU,Athine/
Ka disa vite që Greqia po kalon një krizë të thellë ekonomike. Populli grek po përballet përditë me vështirësi të mëdha në jetën e përditshme ngaqë kriza ekonomike ka prekur në mënyrë të dukshme nivelin e jetesës së popullit. Populli grek që kaloi rreth tridhjetë vjet në një jetë bollëku të tepruar, u gjend nga një ditë në tjetrën në rrezik të varfërohet gjë që është bërë gjatë këtyre pesë viteve. Tashmë asgjëkund nuk mund të krahasohet me jetesën e mëparshme dhe duket se çdo gjë po keqësohet nga dita në ditë. Forcat politike që kishin premtuar daljen së shpejti nga kriza ekonomike, deri tani nuk kanë arritur asgjë në këtë drejtim, megjithëse na trumbetonin se kriza do të kalohej së shpejti. E vetmja gjë që ka kaluar, është mirëqenia e rreme shumëvjeçare e popullit e cila ishte krijuar në mënyrë artificiale me kreditë që shteti grek merrte pa pushim nga qendrat e huaja financiare. Në fakt nuk u përpoq që kjo mirëqenie të bazohej në prodhimet e vendit, por në një politike katastrofale që nxitej dhe nga Bashkimi Evropian, duke shkatërruar bazën prodhuese të vendit duke u bazuar në prodhimet e vendeve të tjera të Evropës së Bashkuar, ku për arsye të kostos, silleshin në Greqi me çmime shumë më të ulëta nga prodhimet e kufizuara greke. Kësisoj industria vendase pothuajse u shkatërrua, prodhimet bujqësore dhe blegtorale nuk patën zhvillimin e duhur bashkëkohor, gjë që bëri të shkretohej pjesa më e madhe e vendit dhe të super populloheshin qytetet, gjë që pas krizës në vend, shtresa e mesme e popullit që merrej me tregti dhe me zejtari e prodhime industriale të lehta, të falimentojë dhe të krijojë një armatë të madhe papunësie. Mjerisht sot Greqia zë vendin e pare në Evropën e Bashkuar me 25% të papunë.
Është e vërtetë se politika e B.E. dhe të huadhënësve ndaj Greqisë u treguan shumë të egër duke i imponuar vendit masa ekonomike tejet shtrënguese për masat popullore dhe dihet së ngaherë në botën kapitaliste krizat bien mbi shpatullat e popullit, kurse klasa e të pasurve jo vetëm nuk preken në përgjithësi nga kriza por shumë here pasurohet më shumë. Në këto kushte pra ishte më se e pritshme që kjo krizë të ndikonte dhe në forcat politike të vendit. Disa nga partitë që dominuan për rreth dyzet vite në vend rrezikohen të zhduken nga përfaqësimi i popullit në parlamentin ekzistues. Shembulli më tipik është PASOK-ku i cili ishte në pushtet, me intervale të shkurtra, më se njëzet vjet. Kjo parti që për tridhjetë vjet rresht nuk kishte rënë nën kuotën dyzet për qind edhe kur nuk ishte në pushtet- tani, pas pesë vite krize, gjë që kjo parti ishte e detyruar ta përballonte, rrezikohet të mos kapë as kuotën tre për qind që të marrë pjesë në parlament, kurse një parti e majtë SYRIZA e cila kaq vite me zor kalonte të tre për qind-shin, është pretedente të marrë pushtetin. Nuk është rastësi që zgjedhjet e parakohshme që priten të bëhen më 25 janar, duken si të jashtëzakonshme. Vetëm partia konservatore Demokracia e Re duket se akoma mban pjesën më të madhe të elektoratit, ndonëse dhe kjo ka humbur bazën kryesore të popullit dhe rrezikohet të kalojë në opozitë. Gjatë kësaj kohe propaganda partiake ka qenë shumë e egër, gjë që ka bërë të çorientohet një pjesë e madhe e elektoratit. Demokracia e Re e cila ishte në pushtet-me mbështetjen e Pasokut të mbetur (Kjo parti na kujton…Jugosllavinë e mbetur) ka ndërmarrë një propagandë të egër kundër kundërshtarit kryesor, SYRYZA duke e akuzuar për parti majtiste e cila do të largojë vendin nga BE dhe nga euro. SYRIZA që përbëhet nga disa parti, mbrohet duke akuzuar qeverinë e Samarait për politikë antipopullore dhe i premton elektoratit të rikthejë mirëqenien e popullit – gjë që sot për sot nuk është aspak e mundur se vendi ndodhet i mbytur në borxhe. Megjithatë duket si e pamundur që një nga të dy partitë kryesore që ekzistojnë sot (Demokracia e Re dhe SYRIZA) të fitojë shumicën e duhur (151 deputete) në parlament prandaj, cila do që të dale e para, do t’i duhet të mbështete në ndonjë parti të vogël. Partitë e vogla tani janë me…shumicë. Një nga këto është dhe PASOKU (ai që para pesë vite mori 45% të votave) që me Venizellon në krye po bën përpjekje të jetë ai që do të mbështesë qeverinë e ardhshme, si bëri deri sot me Samaranë. Një parti e re që po shfaqet për here të pare në fushatën elektorale është “To potami” (Lumi) që drejtohet nga një gazetar i njohur, Theodoraqis, e cila duket se po i afrohet vendit të tretë në parlament me rreth 5-6% gjë që duket më afër të mbështesë qeverinë e re në parlament me qenë se nuk ka hesape të hapura as me Demokracinë e Re as me SYRIZA, madje duket se mban një dorë në revani dhe tjetrën në bakllava! Partia e katërt demokratike në Parlament është Anel, një parti konservatore nacionaliste që ka dale nga radhët e D.R. e cila, siç duket do ta ketë të vështirë të arrijë tre përqindëshin që të hyjë në parlament. Kjo parti ka mundësi të bashkëpunojë me SYRIZA-në se do të ketë përfaqësim në kuvend sepse deri tani ka qenë kundër politikës shtrënguese të qeverisë. Sigurisht është dhe Partia Komuniste e cila, si ngaherë, duket se e ka të siguruar pesë përqindëshin (5%) por kjo parti nuk ka synim të mbështesë ose të përkrahë ndonjë parti borgjeze se ajo shpreson që dikur të rivendosë diktaturën e proletariatit, ose më mire, sistemin socialist. Pas këtyre është dhe partia e re e Papandreut, Lëvizja Demokratike Socialiste të cilën, ish kryeministri dhe kryetari I PASOK-ut, e krijoi ditët e fundit duke u larguar nga ish partia e tij që sot e ka uzurpuar Venizellosi. Edhe Papandreu, megjithse sapo e krijoi partinë duket se i afrohet kuotës 3% gjë që do t’i japë mundësinë të luajë rolin e mbështetësit dhe të bashkëpunëtorit të partisë së pare. Parti të tjera, si ajo e Kuvelit, Dhimar dhe ultranacionaliste e Karaxhaferit nuk duket të hyjnë në kuvend.
Lamë në fund Hrisi Avji ose, si njihet në Shqipëri, Agimi i Artë e cila është një parti shoviniste neonaziste. Megjithëse udhëheqësit dhe shumica e deputetëve të saj ndodhen në burg për veprime kriminale, duke se akoma mban një pjesë të elektoratit, madje duket se ka rrezik të dale partia e tretë. Duket se racistët, shovinistët dhe neonazistët e egër nuk po sprapsen nga politika e tyre antipopullore, antidemokratike, antieuropjane dhe me propagandën e tyre të egër, kryesisht kundër emigrantëve, kanë mundur të helmojnë një pjesë të mirë të popullit që i voton dhe i mbështet. Sidoqoftë asnjë parti demokratike nuk do të mbështetet ose të bashkëpunojë me përfaqësuesit e kësaj bande e cila aktualisht ndodhet nën akuzën e një bande kriminale. Madje qëkurse ka filluar procesi hetimor dhe gjyqësor kundër tyre edhe ata e kanë pakësuar veprimtarinë e tyre kriminale kundër emigrantëve, sidomos kundër atyre me ngjyra.
Askush nuk mund të thotë me siguri se cili do të jetë kryeministri i ardhshëm i Greqisë, Samaras apo Çipras. Një gjë duhet të jetë e sigurte: asgjë nuk do të ndryshojë në politikën e jashtme greke-ose ka mundësi ndryshime të papërfillshme. Ashtu si duket e pamundur që Europa të lejojë të falimentojë një nga anëtarët e saj më të vjetër. Ndonëse tani duket se Europa nuk është kaq joshëse si ishte disa vite më pare për vendet që duan të bëhen anëtarë të BE, prapë nuk mund të mohojmë se popujt që jetojnë në këtë bashkësi kanë jetesën më të mire në botë. Kjo është edhe arsyeja që me qindra mijëra emigrantë si nga vendet ish komuniste ashtu dhe nga vendet afroaziatike (vitet e fundit) përpiqen të kalojnë kufijtë dhe detet-shumë here me pasoja tragjike- që të jetojnë në kontinentin tone të vjetër.
Por të mos harrojmë se kriza ekonomike në Greqi ndikoi shumë ndaj emigrantëve shqiptarë në këtë vend- shumë prej tyre kanë mbetur pa punë dhe të tjerë janë kthyer në Atdhe- dhe shpresohet që kriza të kalohet me ngadalë jo vetëm për të mirën e popullit grek por edhe të emigrantëve shqiptarë…Prandaj, se pas zgjedhjeve të ardhshme -më 25 janar- jeta në vend të vazhdohet normalisht gjë që e shpresojmë dhe e besojmë se Greqia ndodhet në qendër të bashkësisë më të fuqishme të kohës sonë, në atë të Bashkimit Evropian.
JANAR 2015, ATHINË.

Filed Under: Analiza Tagged With: KRISTO ZHARKALLIU, ZGJEDHJET NË GREQI DHE E ARDHMJA E EUROPËS…

TË RINJTË SHQIPTARË , EMIGRACIONI DHE KRIMINALITETI

November 9, 2014 by dgreca

NGA KRISTO ZHARKALLIU
Jo njëherë kam shkrojtur për të rinjtë shqiptarë që dallohen në emigracion, sidomos në Greqi, si në shkolla ashtu dhe në punë, duke luftuar racizmin që ushtrohej kundër shqiptarëve akoma dhe në shkolla kur këta dalloheshin në mësime dhe, duhet theksuar, se nuk ishte aspak e rrallë dallimi i fëmijëve shqiptarë që na bënin të ndiheshim krenarë. Prindërit e tyre vuanin e rropateshin në punë shumë here të papërshtatëshme për moshën dhe atrsimimin e tyre duke u përpjekur që fëmijëve të tyre mos u mungonte asgjë dhe të mos dalloheshin nga fëmijët e vendasve, sidomos në veshje dhe në paraqitje të jashtme. Shumica e grave-dhe nënave- shqiptare, megjithse kishin në xhep një diplomë universiteti, u detyruan të bëhen pastruese në shtëpitë e grekëve madje shumë here duke pasur burrin papunë, kësisoj, ato mbajtën familjen me buke dhe fëmijët të rriten sa më mire. Por kjo pati dhe pasojat e saj negative në familje, sidomos në edukimin e fëmijëve që po rriteshin në një shoqëri të egër kapitaliste dhe aspak miqësore ndaj tyre si të huaj që ishin. Duke pasur si justifikim “mbrojtjen nga racizmi”gjënë e pare që bënë-dhe bëjnë- shumë nga këta ishte të “harronin”gjuhën e “memes” ( e cila shumë pak kohë kishte të mirrej dhe të fliste gjuhën e saj me ta) dhe të paraqiten si vendas me shpresë se kështu vendasit do t’i pranonin sit ë barabartë në mes tyre. Ndërkohë, duke mos pasur kontrollin ose kujdesin e duhur prindëror, po përqafonin përherë e më shumë dukuritë e pahijëshme të të rinjve të vendit, madje duke u përpjekur t’u a kalojnë atyre në këtë drejtim.
Masakra e një të riut në Tiranë i cili vrau katër veta, si pa të keq, sikur ishte e drejta e tij të mirte jetën e kaq bashkëmoshatarëve të tij, nuk duhej kurrsesi të shfrytëzohej politikisht por të vështrohej nga ana shoqërore të një sistemi “demokratike” që po lind e krijon përbindsha të tillë. Nuk mund të mos brengosë fakti se shumica e kriminelëve shqiptarë (të çdo krimi), janë të rinj që janë lindur e rritur në këtë shoqëri 25vjeeçare “demokratike”. Duke lexuar e dëgjuar kaq komente dhe “opinione” rreth këtij krimi, mendova se edhe njëherë po diskutohej më shumë për “politikë” se sa për një tatëpjetë të rrezikëshme që ka marrë rinia shqiptare e cila po rritet e edukohet se mund të bëjë ç’të dojë se demokracia kjo do të thotë: gjithsecili të jetë i lire të bëjë ç’të dojë! Nga ana tjetër u “shënjtërua” paraja: kushdo që mund të pasurohet në ç’do mënyrë, është i aftë! Brënda pak viteve, Shqipëria që në kohën e diktaturës nuk dinte ç’ishin lëndët nakotike, u shndërrua në një “Kolumbi” europjane, madje kjo me “bekimin” e pushtetarëve. Shqiptarët pra “furnizonin” me drogë të gjithë Europën dhe ngahera dëgjonin se si arrestoheshin të rinj shqiptarë që përpiqeshin të “transportonin” “kontrabandë” lëndë narkotike. Madje Llazarati, një fshat i vogël dhe i papërfillëshëm në jug të Shqipërisë u bë i famëshëm sepse prodhonte me mijra ton bimë narkotike, duke pasur edhe…mbrojtjen e shtetit (ose duke pasur imunitet të plotë nga qeveritarët se kaq vite asnjëherë nuk lejuan të ndërhynte policia…madje ka të ngjarë që pushtetarët e asaj kohe të krenoheshin me famën e Llazaratit!). Por dihet se droga krijon dhe kriminalitet. Këto të dyja nuk ndahen kurrë, ecin të kapur dorë më dorë! Sa të rinj shqiptarë u arrestuan dhe u dënuan për trafik droge në të gjitha vendet e Europës e më tej? Askush nuk ka marrë mundimin t’i numërojë. Tekefundit, kujt i intereson? Të tjerë vijnë pas këtyre…
Një dukuri tjetër po kaq e rrezikëshme dhe e vajtueshme, është prostitucioni- edhe kjo dukuri e panjohur në kohën e diktatutrës. Sa femra shqiptare u shpërndanë në botë të trafikuara nga të afërmit e tyre, shumë here të fejuar, bashkëshortë akoma dhe vëllezër, për të ushtruar “profesionin” më të lashtë në botë? Sa të rinj dhe të reja shqiptarë kanë humbur jetën, ose janë mbyllur në shumë burgje të huaj për këtë “trafikim”? Sa shqiptarë kanë mundur të lexojnë- nuk besoj të jetë përkthyer shqip se shtëpitë botuese mirren me shkrimtarë të “mëdhenj” librat e të cilëve “shiten”,- librin e tmerrëshëm të anglezes Sophie Hayes “Trafficked: The Terrifying Story of a British…” ku flitet për shfrytëzuesit shqiptarë të një vajze të re angleze, që u paraqit akoma dhe në OKB? Si dhe kur këta të rinj shqiptarë u edukuan dhe u mësuan me të gjitha të këqiat e botës perendimore kapitaliste? Pse kudo që ndodh diçka e keqe një shqiptar do të jetë domosdo brenda? Vetëm pak ditë më pare në qender të Athinës një shqiptar i ri duke vrapuar në mënyrë marramendese me makinën e tij, mori zvarrë disa makina të tjera duke vrarë katër veta një prej të cilëve ishte një vajzë 24vjçare shqiptare? Ku e mori patentën ky dhe ku i gjeti paratë për të blerë një veturë të tillë kur nuk dihej të kishte punuar gjëkundi? Dhe jo vetëm kjo…Shikoni dhe lexoni se kudo që ndodh ndonjë gjëmë e madhe patjetër një shqiptar do të jetë aty. Ku u rritën, ku po rriten të gjithë këta të riinj? A nuk duhet dikur shqiptarët ta marrin veten dhe të kuptojnë se fitimi i parasë nuk është mbi të gjitha, nuk është gjithçka? A nuk duhet kuptuar se kësisoj shoqëria shqiptare po kalbet përditë e më tepër?
Ndoshta jam pak i ashpër, por ka ardhur koha që të shqetësohemi dhe të kuptojmë se duhet të bëjmë diçka. Jo rrallë herë-si thamë më sipër, ndeshemi me dukuri të pahijëshme të të rinjve shqiptarë-kryesisht adolishentë- në rrugët e Athinës. Këta dallohen nga veshja ekstreme, nga prerja e flokëve në mënyrë qesharake dhe nga fjalori i tyre tepër i bezditëshëm, që të mos përdorim ndonjë shprehje më të rëndë. Të gjithë këta qarkullojnë me nga një celular-zakonisht model i fundit- flasin me zë të larttë, bezdisin femrat (fatmirisht vashat shqiptare akoma nuk janë dukur të shoqërohen me këta!) dhe ngahera janë në grupe nga tre katër e lartë. Jo njëherë kam qënë i detyruar t’u bëj vërejtje me rreptësi, por shumë here tallen me çdo njeri që guxon t’u bëjë ndonjë vrejtje. A e dine prindërit e tyre ku janë fëmijët e tyre? Apo i kontrollojnë nëpërmjet celularit? Sigurisht vitet e fundit është në mode “kontrolli” nëpërmjet celularit, madje prindërit justifikojnë pajisjen e fëmijës së tyre të mitur me një vegël të tillë komunikimi se gjoja e kontrollojnë. Por celulari ka një të metë të madhe: nuk të thotë vetë ku gjendet fëmija dhe çfarë bën kur prindërit e…kontrllojnë. Që të mos flasim për internetin që nënat shqiptare pajisin fëmijët e tyre që në moshën dhjetvjeçare, pa njohur vetë përdorimin e tij dhe pa mundur kurrë se si komunikon dhe me cilin fëmija e mitur akoma. Të gjitha këto duhet t’i kenë të rinjtë por në një moshë pak më të pjekur dhe, kryesisht, kur prindi është në gjendje ta kontrollojë. Ndryshe e mori ferra uratën…
Moskontrollimi i fëmijëve të emigrantëve- nga nevoja për të jetuar sigurisht- nuk e justifikon qëndrimi i prindërve ndaj tyre, të cilët u plotësojnë të gjitha kërkesat e tyre parakohe. Kohët e fundit dy ngjarje që më ndodhën mua më bënë të shqetësohemn seriozisht se diçka nuk shko mire me fëmijët e pakontrolluar nga prindërit kur këta janë në moshë të njomë. Një ditë udhëtoja me tramvajë dhe në një stacion u “sulen”pesë gjashtë djema, të gjithë të qethur keq dhe me tatuazhë në krah (këto nuk i shikojnë prindërit e tyre?) dhe, duke folur zëlatrtë nisën sharjet më banale here shqip here greqisht, duke bezdisur të gjithë pasagjeret.Në të kaluarën në raste të tilla kur u bënja ndonjë vërejtje, menjëherë mblidheshin dhe më kërkonin të falur, prandaj dhe kësaj radhe mendova t’i “qetësoj” pak. Veçse u tallën me vërejtjet e mia duke më quajtur…plak I mjerë dhe vazhduan sharjet dhe shëmtimet e tjera. Ç’të bëja? E ndieva veten keq se të gjithë pasagjërët, sidomos disa të moshuar,gjetën rastin të komentonin “shqiptarët e pacipë që po u prrishin…shoqërinë e tyre të…bukur!” Ajo që më brengosi më shumë ishte se të gjithë këta-më i madhi nuk i kalonte të pesëmbëdhjetat- kishin në duar celularë dhe paketa cigaresh. Rasti i dytë më ngjau disa ditë më pare. Pranë shtëpisë sime është një ndërtesë e re që akoma nuk ka përfunduar. Në hyrje ka një hapësirë për parking, ku ndërtuesi ka vendosur rreth e rrotull mermerë të bardhë dhe një ambjent për të mbjellur lule. Përkohësisht atje futej vetëm një automjet, madje më sa më thane në atë pallat banonte vetëm një familje. Çdo mbasdite deri natën vonë atje mblidheshin rreth dhjetë pesëmbëdhjetë adolishentë që punën e pare që bënë ishite të shkruanin të gjitha muret dhe mermerët me gjëra nga më të çuditëshme, por ajo që mbizotërone, ishin sharjet ndaj femrave në gjuhën shqipe. Një mbrëmje më mori telefon pronari i ndërtesës dhe m’u lut të ndërhyja se mos “ata rrugaçët shqiptarë”(ashtu më tha) do të më dëgjonin mua dhe do të largoheshin dhe të mos dëmtonin më ambjentin e pallatit. Ishin rreth pesëmbëdhjetë “fëmijë” (më i madhi nuk i kalonte të pesëmbëdhjetat dhe më i vogli të dhjetat) të cilët të gjithë tymosnin duhan, dhe shkruanin parrulla të fëlliqur. Njëri prej tyre ishte ngjitur çati të makinës dhe kërcente valle atje sipër! Unë u luta të largoheshin dhe të mos dëmtonin më ambjentin…por ata nisën të talleshin me mua, madje më kërcënuan me arrogance. Pasi u largova unë ata thyen të gjithë mermerët gjë që detyroi pronarin të ftojë policinë…
Ç’do të bëhen pra këta kur të rriten ose kur të kthehen në Shqipëri-në se dikur do të kthehen? Vandalistë, drogamanë, kriminelë… A ja vlen për prindërit e tyre të rrisin fëmijë të tillë duke u përpjekur të fitojnë para? Duke mbyllur këtë shkrim dua të theksoj se shumica dërmuese e fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë në emigracion rriten miirë dhe na nderojnë kudo. Shqiptarët shkëlqejnë në shkolla, në profesione në jetën e përditëshme.Rrugaçët dhe vandalistët janë një pakicë, por gjithandej kjo pakicë duket, kjo dëmton emrin e shqiptarit se racistët tek ata mbështeten që të shajnë dhe të akuzojnë shqiptarët… NJë shqiptar kapet për drogë- të gjithë shqiptarët të tillë janë, thonë, një shqiptar kapet për vjedhje, akuza bie mbi të gjithë ashtu si akuzohen të gjithë për kriminelë kur dikush kryen krime. Prandaj kujdesi duhet të drejtohet ndaj asaj pakicë që në mënyrë të pavetëdijëshme dhe të papërgjegjëshme, lënë fëmijët e tyre pa kujdesin e duhur prindëror, duke krijuar kështu, rrugaçët, vandalistët dhe kriminelët e së nesërmes. Për fëmijët e mire-të tillë janë shumica dërmuese, si thamë- kemi shkrojtur dhe do të rishkruajmë në të ardhmen se këta na bëjnë krenare të gjithë se kur je në emigracion nuk mund ta ndash veten nga komuniteti i bashkatdhetarëve nuk mund t’u shpëtosh akuzave dhe sharjeve raciste sepse je një pjesë e atij komunitetit kombëtar, je një përbashkët me të gjithë. Prandaj besoj se duhet një punë e madhe që fëmijët e shqiptarëve-fëmijët tanë- të rriiten jo vetëm të shëndetëshëm por edhe të moralëshëm me ndienja të larta mëmëdhetare.

Filed Under: Analiza Tagged With: DHE KRIMINALITETI, emigracioni, KRISTO ZHARKALLIU, TË RINJTË SHQIPTARË

PËRSE SHQIPTARËT E SHAJNË SHQIPËRINË…?

August 23, 2014 by dgreca

NGA KRISTO ZHARKALLIU/Athine/
Lexova një shkrim të gazetarit të njohur Ahmet Shqarrit nga Amerika. Me sa më kujtohet ky gazetar është shumë i njohur në vendin e (tij) Shqipëria, si komentator i zoti i sportit. Sigurisht në se ky shkrim do të kishte të bënte me dobësinë e sportit shqiptar nuk do të më bënte aspak përshtypje, sepse vitet e fundit jemi mësuar të mos dëgjojmë asgjë për ekzistencën e këtij sportit, kryesisht futbollit shqiptar, por edhe se nuk është një fushë e njohur prej meje. Veçse gazetari në fjalë bënte “krahasime” midis vendit më të zhvilluar në botë me Shqipërinë ballkanike. Vitet e fundit jemi mësuar të lexojmë vazhdimisht shkrime përçmuese për Shqipërinë, deri në ofendim nga vetë shqiptarët. Asnjëherë nuk ndeshemi me fjalë të mira si në shtyp ashtu dhe në masmediat elektronike, thua se ai vend është i mallkuar dhe urrehet nga vetë banorët e tij. Ahmet Shqarri thotë se në Shqipëri ka plehra, në Amerikë jo, në Shqipëri ka vjedhës (!) në Amerikë jo, në Shqipëri ka kriminalitet (!) në Amerikë jo dhe së fundi arrin në korrupsionin shqiptar, duke sjellë si shëmbull Bankën e Shqipërisë ku u vodhën 8(tetë) milionë dollarë dhe akoma nuk u është prerë koka fajtorëve si do të ngjiste, fjala bie, në Amerikën engjëllore… duke mos harruar të na përmende dhe…Al Kapone, (sikur ky të kishte qënë shqiptar…por ku ta dish?) Sigurisht të gjitha këto të këqia i ka Shqipëria, ndoshta akoma dhe më shumë, por si bëhet krahasimi me Amerikën e largët ku banon e bija e zotit Shqarrit? Të gjitha këto dallime i konstatoi brenda një muaji që ai jeton si mysafir tek e bija?NUk paska vjedhje dhe kusarë në Amerikë? Nuk paska kriminalitet? Nuk ka …plehra? Sigurish si një nga vendet më të zhvilluara e më të pasura në botë, Amerika ka marrë masa që ujrat e zeza të mos derdhen në det, po a është i sigurtë edhe për këtë zoti Ahmet? Udhëtoi ai në të gjithë Amerikën (SHBA nënkuptojmë se sa për Amerikën latine jugore e qëndërore, le të mos kërkojmë krahasime me Shqipërinë se në shumë raste janë shumë më prapa nga vendi i përbuzur i Ahmetit tone) Por ne do të pranojmë të gjitha vërejtjet, ndoshta dhe “brengën” e gazetarit, prandaj vendosëm të flasim pak për vjedhjen e Bankës Shqiptare, gjë që, sipas Ahmetit nuk do të ngjiste askurrë në Amerikën e Al Kapone të dikurshëm. Afërmendsh se për Amerikën e madhe dhe të pasur tetë milionë dollarë nuk janë asgjë, madje nuk do të ishte bërë kurrsesi çështje kombëtare një “vjedhje” e tillë. Por duket se diçka harron zoti Ahmet Shqarri: Bankën e Lemon’s Brother e cila pothuajse hodhi në erë të gjithë sistemin banker jo vetëm të Amerikës por dhe të Europës e më tej. Nga skandali i tmerrëshëm i bankës në fjalë filloi dhe kriza bankare dhe ekonomike akoma dhe në Europë… Këtu nuk bëhej fjalë për disa miliona të krrimbura por për shumë miliarda!Dhe ç’u bë? Sa nga drejtuesit e kësaj banke janë në burg, sa nga këta humbën pasurinë që kishin bërë në mënyrë të paligjëshme? Le ta kërkojë gazetari shqiptar, i cili me kaq përbuzje flet për vendin e tij, dhe të na sqarojë… Sepse është tjetër gjë të shikosh çdo gjë në vendin tend në mënyrë negative dhe të përpiqesh të bësh krahasime me dukuritë pozitive të vendeve të tjera dhe tjetër gjë të dish të dallosh atë që të ndan si nga vendi yt ashtu dhe nga vendet e tjera të pasura të botës, shi Amerikën.
Nuk kam asgjë me gazetarin e lartpërmendur, e solla thjesht si shëmbull se si shqiptarët në përgjithësi përbuzin vendin e tyre dhe admirojnë vendet e tjera. Shumica e emigrantëve-jo vetëm ata që shkruajnë- flasin me përçmim kur i pyet për Shqipërinë. Rrallë, shumë rrallë dëgjon ndonjë fjalë të mire ose nostalgjike. Madje shumica dërmuese e tyre pushimet i bënin në ishujt grekë dhe në vendin e tyre shkonin vetëm për një vizitë të shpejtë për t’u “çmallur” jo me vendlindjen por me njerëzit që kanë lënë prapa. Sigurisht me krizën ekonomike dhe me papunësinë në Greqi,nuk kanë mundësi më të bëjnë pushime luksoze si bëjnë të pasurit shqiptarë dhe një ish kryeministër që i pëlqen shumë Halkidiqi dhe jo reviera shqiptare (duket se në Halkidiqi ka shërbim më të kulturuar veçse shërbyesit janë bashkatdhetarë të ish kryeministrit tone!). Prandaj shumë syresh kthehen në vendlindje (nuk them atdhe se ata nuk e ndiejnë kështu!) me gjysmë zemer që të bëinë diku njëfarë pushimesh…Nuk do mend se fajin kryesor për këtë nuk e kanë hallexhinjtë të emigracionit por vetë masmediat e vendit të cilat nuk i kanë borxh asnjë fjalë të mire Atdheut të tyre. Të gjithë dine të kritikojnë, të gjithë dine të përbuzin çdo dukuri shqiptare, çdokush din të dallojë anët negative dhe askurrë nuk gjen diçka të mire, diçka lavdëruese në trojet arbërore.
Për Anën, fqinjia ime e bukur nga Shqipëria, e cila punon në një furrë pranë shtëpisë sime, kam shkrojtur dhe here tjetër. Ajo ka disa vite që banon me familje në Athinë. Megjithse shumë e re, ka dy djem mjaft të rritur. I shoqi është shofer profesionist..Vite me radhë bënte pushime në Greqi-si bënte një udhëtim të shkurtër ku vizitonte të afërmit e saj në Kolonjë dhe Korçë. Sivjet më tha e gëzuar se do të bënin pushimet në Shqipëri, madje në plazhin më verior të Adriatikut, në Velipojë. Pak gjëra kisha dëgjuar për Velipojën dhe ato që kisha lexuar ose pare kishin të bënin për gjëra negative-jo për ndotësi, për ndonjë tel që varej nga një pemë, ose për një mbytje në det. Është shumë e çuditëshme, por shqiptarët i kujtojnë vëndet e tyre më të bukura, kur kanë diçka të keqe të thonë për to. P. sh. Bregdeti i Vlorës tregohet në televizion ose në gazeta kur Rama jep urdhër të shëmbet ndonjë ndërtesë të paligjëshme ,kur bëhet ndonjë vrasje makabre dhe, sikgurisht kur bëhet ndonjë grabitje ose ndonjë aksident rrugor ose detar. U fol për Ksamilin se shumë pushues po ktheheshin mbrapsht se nuk gjenin ndonjë dhomë ose hotel për të pushuar, por u fol vetëm me sy kritik se si po lodheshin pushuesit që nuk gjenin vend dhe nuk u tha asgjë se si sa pushues të tjerë, vendas dhe të huaj kishin vërshuar në bregdetin e mrekullueshëm të Ksamilit!
Patjetër nuk duhet të heshtet kur ndeshemi me dukuri negative, sidomos në plazhet e bukura shqiptare. Por, nga ana tjetër, nuk kishim dëgjuar asnjëherë të na nxisnin, të lavdëronin plazhin për të shkuar nga Greqia për pushime atje, prandaj u habita pak me vendimin e shqiptarkës së re.Veçse Ana jonë u kthye e entusiazmuar si nga plazhi, nga çmimet, shërbimet ashtu dhe nga pastërtia e ujit të detit. Më foli me kënaqësi për rrugët-sidomos për tunelin që lidh Elbasanin me Tiranën, por kryesisht për ato ditë të bukura që kaloi në plazhin e Velipojës. Dhe vetë shprehte habinë se si shqiptarët nuk rekllamojnë aspak-përkundrazi i shajnë- plazhet e tyre. Duke dëgjuar vrejtjet e saj m’u kujtua se si grekët lavdërojnë çdo ditë plazhet e vendit të tyre-të gjitha kanalet televizive private u kushtojnë përditë pjesën më të madhe të “lajmeve” duke treguar se sa bukur kalojnë të huajt dhe vendasit në plazhet greke, se si zbaviten të rinjtë e çlodhen të moshuarit. Krenaria e tyre është kaq e madhe deri në bezdi, por nuk mund të mos i admirosh për kurajon dhe këmbënguljen e tyre se vendi i tyre është më i miri, më i bukuri në botë dhe le të kalojë një krizë të tmerrëshme ekonomike. Akoma dhe sërbët e “shkupjanët” krenohen me vendet e tyre që të mos flasim për Malin e zi që krekoset jo vetëm me të kaluarën por edhe për “përparimet” që ka arritur në atë cope të vogël toke me rreth gjysmë milion banorë, prej të cilëve as gjysma nuk janë malazezë të vërtetë. Dhe shqiptarët çfarë bëjnë? Shahen midis tyre, shajnë vendin e tyre, përbuzin akoma dhe historinë e vendit. Por e keqja më e madhe është se kjo nuk ngjet vetëm me shqiptarët e Shqipërisë. Ata që janë jasht kufijve shtetërore janë akoma më keq. Shqiptarët që përbëjnë afro dyzet përqind të popullsisë së FYROM, janë përçarë ndërmjet tyre, kanë formuar nja dhjetë parti dhe, kështu i japin fuqinë sllavit t’u rrijë në zverk dhe sikur të mos mjaftonte kjo, mbiu dhe fara e keqe e islamizmit ekstremit tp xhihadistëve. Në Malin e zi rreth tridhjtë mijë shqiptarë kanë njizet parti! Nga ana tjetër askush nga këta nuk shpreh dashuri ose admirim për vendin amë…Po Kosova? Atje po bëhen menjimënd gjëra për të qeshur e për të qarë. Komuniteti ndërkombëtar ndihmoi shqiptarët e Kosovës që të krijojnë shtetin e tyre demokrat, duke besuar se UÇK-ja kishte marrë armët për çlirim kombëtar. Nuk ka dyshim se shumica e luftëtarëve kishin besuar në çlirim dhe bashkim kombëtar, veçse krerët e tyre tregojnë se qëllimi i tyre ishte pushteti! Ajo që ngjet në Kosovë muajt e fundit është qesharake, madje po vertetojnë ato që thoshin shovinistët se shqiptarët nuk janë të aftë të vetqeverrisen! Ku është pare e dëgjuar që të bëhen kaq dallavere për formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve? Pse me çdo kusht dhe me çdo “komplot” duhet të mënjanohet partia kryesore e vendit? Dhe si ja mban zëmra një “gjeneralit legjendar”(!!!) të UÇK-ëse të dojë të rrëmbejë kryeministrinë megjithse në zgjedhje nuk mori as dhjetë përqind të votave? Domethënë për këtë luftoi ai, për të marrë pushtetin? Por kësisoj nuk mirret por uzurpohet pushteti. Shqiptarët nuk kanë vene mend se për gjysmë shekulli popullin e qeveriste dhe e shtypte një pakicë të papërfillëshme partiakësh të cilët lane prapa tyre mallkimin e një vendit të prapambetur dhe të përçarë…
Të gjitha këto pra na brengosin. Ahmet Shqarri nuk bëri asgjë më tepër nga sa bëjnë shqiptarët në përgjithësi. Bëjnë krahasime ku gjithnjë Shqipëria del e humbur. Akoma dhe diktaturën komuniste e krahasojnë me atë të Rumanisë, Jugosllavisë ose të Kinës së Maos dhe na del se shqiptarët na qënkeshin më të këqij nga të gjithë! Pse ky vet fshikullim? Por le të kthehemi tek plazhet…Sa kemi dëgjuar për plazhin e Shëngjinit, të Velipojës, të Divjakës (për këtë dëgjuam kur ra aeroplani i drogës!) të Semanit, akoma dhe të Vlorës e më tej të Himarës dhe deri në Ksamil, akoma dhe të Pogradecit? Çfarë dime për hotelet dhe për dhomat që jipen me qera, çfarë dime për çmimet dhe për shërbimet? Për Sarandën u bë kaq zhurmë për skandalin e një nëpunësit të poshtër, por për të mirat e bregdetit sarandiot dime gjë? Shumë turistë nga Korfuzi duan të hidhen në bregun e Sarandës por ngurrojnë se kujtojnë se Shqipëria është akoma si në kohën e diktaturës? Pse ngurrojnë shqiptarët të lavdërojnë vendin e tyre? Shqipëria ka 25 vjet që quhet…demokraci, qoftë demokraci të cunguar berishiane, por njerëzit lëvizin lirisht, flasin lirisht dhe jetojnë sipas shijeve të tyre.
Më vjen keq që e them dhe një here, por kam përshtypjen se shqiptarët urrejnë vendin e tyre. Askujt nuk i hyjnë në punë krahasimet banale- ndokush do të thotë se Shqipëria ka mbetur prapa se nuk ka dërguar njeri në hënë si Amerika! Nëqoftëse vetë shqiptarët nuk do të duan vendin e tyre, askush nuk mund t’i ndihmojë dhe t’i respektojë. Shqiptarët edhe njëherë nuk kanë veçse të marrin shëmbull nga popujt fqinjë se si krenohen me vendet e tyre dhe të kuptojnë se me pëbuzje dhe nënvleftësim nuk fitohet asgjë.
Kristo Zharkalli, Athinë 22 gusht 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: KRISTO ZHARKALLIU, PËRSE SHQIPTARËT E SHAJNË SHQIPËRINË…?

GREQIA- SHQIPËRIA… RRUGË TË KUNDËRTA HISTORIKE…

May 12, 2014 by dgreca

Nga Kristo Zharkalliu/
Greqia është Atdheu im i dytë ku unë gjeta strehim, dashamirësi dhe, kryesorja, liri, kur bashkëvëndasit e mi në Shqipëri më kishin vënë në shënjestër, jo duke më rrëmbyer pasurinë dhe lirinë si dhe të drejtën e shkollimit, por në fund dhe mundësinë e lëvizjes në vetë Atdheun tim ku kisha lindur e rritur me kaq mundime. Për disa vjet familja jonë u izolua në Shtyllas të Levanit, ndërkohë kur im atë kishte vdekur në burgun e Vlorës, (faji i tij i vetëm ishte se kishte aënë i pasur)ku asnjëherë nuk u mësua se ku ishte varri i tij. Megjithatë unë, si u detyrova ta braktis vëndlindjen time, askurrë nuk e mohova dhe grekët, “bashkatdhetarët” e mi të rinj, nuk më kërkuan kurrë një gjë të tillë. Jo vetën respektuan ndienjat e mia për Shqipërinë, por asnjëherë nuk më ofenduan as më konsideruan të huaj. Në Athinë më përqafuan dhe më ndihmuan njerëzit më të shquar të artit dhe të kulturës helene (nga këto ka me shumicë Greqia, apo jo?) por respektuan, diskutuan me gjakftohtësi, madje pranuan pa me ofenduar kurrë kundërshtimet e mia ndaj mendimeve të tyre dhe akuzat që bëheshin në vendin e tyre kundër vendit tone dhe ndaj kombit arbëror. Sigurisht nuk ishte çdo gjë e bukur, jeta nuk ishte fushë me lule në Greqinë e atëherëshme. Madje edhe demokracia e tyre ishte e cunguar dhe shumë here vërenim dukuri antidemokratike, por gjithsesi na jipej e drejta t’i vinim në dukje këto dhe t’i kritikonim. Këtë të drejtë ma kishin dhënë dhe mua të “huajit” ashtu si do të më ndëshkonin, kur të vinte koha, si ndëshkoheshin të gjithë qytetarët e vërtetë grekë…që luftonin për demokraci. Duke qënë i ri dhe i vrullëshëm u bashkova me ata që “luftonin për demokraci të vërtetë” dhe kështu, sit ë gjithë grekët, kisha dhe unë dosjen time…antikombëtare, si quheshin atëhere të gjithata që përpiqeshin për një demokraci europjane në vendin e demokracisë më të lashtë. Por ajo që ka rëndësi, është se asnjëherë nuk më veçuan, nuk më poshtëruan nuk më bënë ta ndieja veten jashtë klimës helene, ndonse kisha një të”metë” të madhe për atë kohë: mbroja me fanatizëm kombin shqiptar dhe nuk lija kurrkënd ta ofendonte gjë që jo njëherë më bënë të prrish miqëainë me njerëz, të cilët përsëri kur do ta donte nevoja do të më mbronin…pa marrë parasysh aspak “mosmarrëveshjet” tona etnike.
Por kryesorja më dhanë mundësinë të jetoj i lire, më dhanë mundësinë të krijoj një familje të mire, më dhanë lirine të studjoja, të shkruaja mendimet e mia, të shkollohesha më tej dhe, më e rëndësishmja më hapen rrugënn që fëmijët e mi të shkolloheshin dhe të dalloheshin, gjë që gëzoi shumë nga miqt e mi helenë.Megjithatë unë askurrë nuk bëra kompromis, askurrë nuk u bëra qejfin, gjithnjë më gjenin përpara kur cënohej nderi i vëndlindjes sime. Në këtë drejtim pra nuk mundim kurrsesi të paralelizojmë të dy vendet fqinjë: Shqipëria (ata që e drejtonin se vendi nuk ka kurrë faj) më kishte mohuar gjithçka, akoma dhe vetë jetën, kurse Greqia m’i siguroi të gjitha, madje dorëlëshuar…
Edhe kur diktatura u shëmb në Shqipëri dhe bashkë me të u shëmb dhe vetë vendi, se ata që morën pushtetin, u treguan kusararë,kriminelë, mafjozë dhe, pse jo tradhëtarë dhe kjo sepse ata vetë kishin qënë komunistët më ekstremistë gjë që detyroi më shumë se gjysmën e popullsisë të largohet nga vendi dhe këtu barrën kryesore-(afro një million frymë të uritur e të rraskapitur) e mbajti Greqia dhe populli grek duke u dhënë shqiptarëve të rreckosur dhe të babëzitur për pasuri dhe “liri të pakufizuar”,bukë, veshmbathje, strehim dhe tekefundit punë. Edhe në atë kohë kur në Greqi ngriti krye racizmi antishqiptar dhe kjo e nxiste edhe sjellja e pahijëshme dhe kriminale të një pjesë të vogël shqiptarësh, unë u dola në mbrojtje ish bashkëvendesve të mi duke u kacafytyur shumë here me “bashkatdhetarët” e rinj helenë, duke mos u a kursyer kritikat, ashtu si ngjau dhe më vonë gjatë luftës në ish Jugosllavi dhe, kryesisht për qëndrimin e grekëve të mi kundër shqiptarëve dhe në favor të Sërbisë. Për këtë u grinda me figura të tilla si ishte Miqis Theodhoraqis, Manolis Glezos akoma dhe me poeteshën Kiki Dhimulla…Megjithatë askush nuk më shau, askush nuk më quajti “anti Helen, as edhe…i poshtër!” as më kërcënoi, si do të ndodhte shpesh me kundërshtarët e mi shqiptarë… Nuk jam penduar për qëndrimin tim, ashtu si nuk do të pendohem për ato që kam shkrojtur, megjithse nuk u pëlqen disa shqiptarëve që gjoja shajnë komunistët se nuk lejonin lirine e fjalës, ndërsa vetë, si fashistë, më të egër, nuk pranojnë një mendim që nuk pajtohet ne marrëzitë ose gënjeshtrat e tyre. Këta pseudodemokratë i rezervojnë vetes të drejtën të mohojnë të drejtat e të tjerëve, të përkrahin një mendim që shkon në kundërshtim me marrëzitë e tyre, të cilët nxijnë gazeta të tëra,ekrane të panumërta me gënjeshtra, poshtërsira akoma dhe me përpjekje të rrezikëshme për përçarjen e vendit dhe të kombit duke treguar fytyrën e tyre të vërtetë prej tradhëtarit dhe antishqiptarit, madje në këtë mënyrë na bën të besojmë se, për shumë nga këta, kishte të drejtë Enver Hoxha që i kishte ndëshkuar (në se me të vërtetë qenë ndëshkuar se unë shoh se të përndjekurit e vërtetë kanë mbetur udhëve të uritur dhe të braktisur pikërisht nga ata që rrëmbyen pushtetin pas shëmbjes komuniste dhe mashtrojnë vazhdimisht popullin me gjoja antienverizmin dhe antikomunizmin i tyre të rreme)
Kohët e fundit po bëhet shumë zhurmë për të ashtuquajturën ditën e çlirimit të vendit Dihet se i vetmi vend që nuk feston ditën e çlirimit nga okupatorët nazifashistë është Greqia, e cila bëri luftën më heroike kundër pushtuesve. Ajo e ka zëvendesuar këtë ditë me datën e 28 Tetorit kur Italia fashiste sulmoi nga Shqipëria Greqinë dhe kjo, se populli grek jo vetëm nuk lejoi të pushtohej, por korri një fitore krenare kundër fashistëve italianë duke i sprapsur e ndjekur deri në thellësi të Shqipërisë. Megjithatë mosfestimi i ditës së çlirimit ka arsyet e saj tragjike.Shkaktar për këtë u bë shpërthimi i luftës vëllavrasëse civile në këtë vend. Dihet se në Jaltë Çërçilli kërkoi me këmbëngulje që Grseqia të mbetej nën ndikimin perëndimor duke e bindur Stalinin, kurse Shqipëria nuk u përmend aspak, duke e lënë edhe njëherë popullin shqiptar në fatin e vet. Është e vërtetë se forcat që drejtoheshin nga komunistët(EAM) edhe në Greqi bënë rezistencën kryesore kundër nazistëve, por në Greqi edhe forcat nacionaliste krijuan frontin e tyre antinazist (EDES) dhe kur u desh nevoja të dy palët bashkëpunuan, bashkë me anglezët, sidomos në shëmbjen e urës strategjike të Gorgopotamit. Nga ana tjetër kishin një qeveri të “ligjëshme” në Kajro dhe forca ushtarake në Lindjen e Mesme që luftonin bashkë me britanikët. Në Greqi u krijua një qeverë e përkohëshme që njihej edhe nga britanikët, duke nxitur të gjitha forcat politike, nacionaliste dhe komunistë të nënëshkruanin një marrëveshje për demokraci dhe bashkëpunim pas “çlirimit”. Kjo ishte marrëveshja e shumënjohur e Varqëzës (kujtoni pak Mukjen shqiptare! Por nacionalistët grekë nuk hynë në shërbim të nazistëve gjermanë!) E keqja ishte se komunistët nuk e mbajtën fjalën dhe kur pane se po humbisnin pushtetin, rrëmbyen përsëri armët. Nuk ka dyshim se po të mos kishin ndërhyrë britanikët e general Skobi në dhjetorin e 1944-ës, komunistët do të kishin marrë pushtetin si ngjau në të gjitha vendet e tjera ballkanike. Që këtej e tutje asgjë nuk ishte e mundur të kontrollohej. Përçarja ishte e plotë dhe lufta civile,jo për fajin vetëm të komunistëve, duhet theksuar, dukej e pashmangëshme. Kjo luftë absurde vëllavrasëse që filloi në fund të vitit 1946, mbaroi në gusht 1949, kur të gjithë luftëtarët e së majtës që kishin mbetur, kaluan në Shqipëri. Në këtë luftë të tejzgjatur u vranë,midis tyre, me dhjetra mijra grekë madje thuhet se ishte më e egër akoma dhe nga lufta me nazistët. Pas kësaj gjyqet dhe ekzekutimet, bëheshin pa ndërprerje,-askush nuk e di sa u ekzekutuan- ishujt e shkretë u mbushën me të “internuar” (këto internime të shikonin shqiptarët!) kurse disa qindra mijra njerëz, si kaluan në Shqipëri, u shpërndanë në të gjitha vendet lindore, kryesisht në B.S. Në Greqi u vendos njëfarë demokraci borgjeze, P.K. u nxor jashtë ligjit(me të drejtë) dhe njerëzit ishin ngaherë të frikësuar se mos karakterizoheshin të majtë. I fundit u ekzekutua Bellojanis bashkë me shokët e tij dhe pas marrje së pushtetit nga Karamanlisi (plaku) ekzekutimet u ndaluan. Nga ishujt të internuarit u liruan në vitin 1964, kur pushtetin e mori Jorgos Papandreu (plaku) që të hapeshin pas tre vjet kur pushtetin e mori me grrusht shteti junda fashiste. Njëri nga të internuarit në Jaro dhe i përndjekur egërsisht nga junda fashiste ishte dhe shkruesi i këtyre radhëve.. Në vitin 1974, kur u shëmb junda fashiste, u bë i ligjëshëm menjëherë P.K. dhe u arrit pajtimi kombëtar, duke harruar fajet e së kaluarës nga të gjitha palët. U njoh zyrtarisht rezistenca antifashiste, u kthyen të gjithë ish luftëtarët e luftës civile në Atdhe dhe u vendos që të gjithë ish luftëtarët të pensonoheshin dhe të shpalleshin të nderuar!
Besoj se u bë e kuptueshme pse Greqia nuk ka ditë çlirimi. Po në Shqipëri? Dihet se të gjithë vendet e tjera kanë ditë të tillë, pse po diskutohet kaq shumë në vendin e shqiponjave? Ne nuk mundnim të dinim atëhere se ç’do të bënin fituesit më vonë dhe këta fituan kryesisht për fajin e nacionalistëve që bënin pallavra me politikën e madhe dhe që, kur e pane pisk,i u bashkuan okupatorit. Megjithatë dita kur okupatorët nazistë u larguan nga vendi duhet patjetër të nderohet dhe të respektohet, ashtu si duhet të nderohen të gjthata që derdhën gjakun e tyre për çlirimin e vendit nga pushtuesit. Nuk është e mundur, akoma dhe sot, pas 23 vjet “demokraci” dhe 29 vjet pas vdekjes së diktatorit, mbi çdo gjë në Shqipëri të mbizotërojë hija e tij! Nga ana tjetër duhet të kemi parasysh se gjysma e më shumë të kohës së diktaturës e kemi kaluar në demokraci dhe jemi të detyruar të pyesim: Çfarë të mira i solli popullit shqiptar kjo demokraci? Çfarë prodhohet në vend sot përveç hashashit? Ku janë veprat e mëdha që do t’i ndryshonin pamjen vendit, përveç disa rrugë të këqia ku vriten përditë kaq njerëz? Pse kaq mllëf dhe kaq urrejtje në vend? Dhe pse duhet të harrojmë kuotën famëkeqe zero të atij që beson edhe sot se duhet të marrë pushtetin?Apo duhet të harrojmë gjakmarrjen dhe qindra fëmijë të ngujuar? Përse mund të krenohet kjo demokraci shqiptare? Mos se ish bashkëpunëtorët e nazifashistëve kërkojnë të mbizotërojnë përsëri duke u përpjekur të mbajnë gjallë fantazmën e diktatorit? A nuk duhet që ky popull të shikojë përpara, të shpresojë për një të ardhme më të mire? Ç’kujtojnë pinjollët e tradhëtarëve të kombit se duke njollosur historinë e vendit që nga koha e Gjergj Kastriotit dhe deri sot, do të mundin të mbytin çdo ndienjë kombëtare të vendit? A nuk ka ardhur koha të harrojmë Enverin-ndëshkimi më i mire është harresa- dhe t’i përvishemi punës për diçka më të mire dhe njerëzit të kenë shpresa, mendime pozitive dhe jo të ushqehet vazhdimisht me propaganda helmuese negative? Si, kështu do të shkojë në Europa Shqipëria? Duke mohuar vetveten?
Shkruesi i këtyre radhëve nuk ka asgjë të shpresojë nga Shqipëria. Madje nuk ka ndërmend as mundësi të kthehet në ish Atdheun e tij. Sot jam qyetar i dy vendeve, i Shqipërisë dhe i Greqisë. Jam krenar që helenët më pranuan në radhët e tyre si qytetar i barabartë, akoma dhe kur zyrtarisht isha qyetar shqiptar. Por asnjëherë nuk do të mohoj krenarinë time për kombin shqiptar megjithse askush –ose shumë pak janë ata- nuk inetersohet për mua. Në këtë moshë, mund të them plotgoje, se e kreva detyrën time njerëzore si kundrejt ish atdheut tim ashtu dhe ndaj demokracisë greke që kaq më shumë nderoi dhe me respektoi.

Filed Under: Opinion Tagged With: GREQIAA- SHQIPËRIA…, KRISTO ZHARKALLIU, KUNDËRT HISTORIKE…, RRUGË TË

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT