Shkruan: Prof. Dr. SPIRO J. SHETUNI-Universiteti Winthrop-Rock Hill, South- Carolina-U.S.A./
Parashtrim/
Në rrafsh universal, kritika muzikore e kombeve, popujve, ose grupeve etnikë, ecën gjithmonë krahas krijimtarisë muzikore profesioniste të tyre. Duke qenë disiplina të një fushe të vetme—muzikës—, kritika muzikore dhe krijimtaria muzikore profesioniste, lidhen ngushtë midis tyre. Si rregull, sa më shumë që zhvillohet krijimtaria muzikore profesioniste, aq më tepër rritet edhe mendimi teorik për ‘të. Zakonisht, krijimtaria muzikore profesionsite, ecën më shpejt sesa mendimi teorik muzikor. Mirëpo, me kalimin e kohës, kritika muzikore mund edhe t’i paraprijë krijimtarisë muzikore profesioniste. Me përgjithësimet teorike që bën, kritika muzikore mund t’i tregojë krijimtarisë muzikore profesioniste, si mangësitë, detyrat, problemet, ashtu edhe drejtimet më të mundshme të saj, gjatë një periudhe të caktuar historike. Kritika muzikore shqiptare është një fushë diturore relativisht e re. Artikujt e parë kritikë muzikorë dolën bukur qysh gjatë gjysmës së parë të shekullit XX. Mirëpo, duke ecur vazhdimisht me hapa të ngadaltë, afirmimi i saj, historikisht, erdhi vonë. Në të vërtetë, një proces i tillë, u arrit, pak a shumë, gjatë dhjetë-vjeçarëve të fundit të shekullit XX.
Eshtë, pa dyshim, në nderin e kritikës muzikore shqiptare, që, historikisht, përfaqësuesi më i parë i saj mbetet Theofan Stilian Noli (1882-1965). Sa i mrekulluar me figura të mëdha historike të së kaluarës (Jezu Krishti, Jul Qezari, Gjergj Kastrioti—Skënderbeu, Napoleon Bonaparti), aq edhe i dashuruar pas fushës së muzikës, në vitin 1947, Noli botoi studimin muzikologjik me titull Beithoveni dhe revolucioni francez (Noli 1947). Në këtë libër, ai mbrojti pikëpamjen sipas së cilës kompozitori i madh gjerman, Luduig van Beithoven (1770-1827), u ndikua fuqimisht në veprimtarinë e tij krijuese nga idetë e Revolucionit Borgjez Francez të shekullit XVIII (1789-1799).
Midis kritikëve dhe studiuesve muzikorë shqiptarë me emër të gjysmës së dytë të shekullit XX, alfabetikisht, sipas mbiemrave, lejomëni të përmend: Pandi Bello (?-), Aleksandër Çefa (1935-?), Hysen Filja (1935-2009), Fatmir Hysi (1951-), Spiro Ll. Kalemi (1937-), Kosta Loli (1948-), Albert Paparisto (1925-2014), Hamide Stringa (1932-), Kujtim Shkreli (?-), Zana Shuteriqi (1953-), Spiro Theodhosi (?-), etj. Ndër ‘ta, kritiku muzikor më i njohur shqiptar i kësaj periudhe historike, është, pa dyshim, Kalemi. Kritikët dhe studiuesit muzikorë shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX janë më shpesh autorë artikujsh, të cilët u botuan kryesisht në gazetën Drita dhe revistën Nëntori: organe qendrorë letraro-artistikë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, gjatë kësaj periudhe historike. Por, midis kritikëve dhe studiuesve muzikorë, ka edhe autorë librash, si, p.sh.: Spiro Ll. Kalemi (Kalemi 1973, 1982), Hysen Filja (Filja 1979), Kujtim Shkreli (Shkreli 1987), Fatmir Hysi (Hysi 1991), etj. Kur flasim për kritikën muzikore shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, duhet mbajtur parasysh edhe ndihmesa e disa kompozitorëve në këtë lëmë, ndër të cilët lejomëni të përmend Çesk Zadejën. Ndërkohë, midis studiuesve ndërkombëtarë që kanë shkruar mbi çështje të muzikës profesioniste shqiptare, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, alfabetikisht, sipas mbiemrave, më lejoni të përmend: June Emerson (1937-), George Leotsakos (1935-), etj.
Duke i hedhur një vështrim të përgjithshëm kritikës muzikore shqiptare, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, periudhë e cila, afërsisht, përkon me kohën e sundimit të sistemit politiko-shoqëror të diktaturës komuniste në Shqipëri, në këtë artikull, do të bëhen përpjekje që të nxirren në pah veçanërisht disa rrugë themelore të përmirësimit të saj, si në ditët tona, ashtu edhe në të ardhmen, si:
përgatitje e dyfishtë–teoriko-estetiko-filozofike dhe praktiko-artistiko-muzikore—e kritikëve dhe studiuesve muzikorë;
botim librash, krahas botimit të artikujve;
zgjerim i radhëve të kritikëve dhe studiuesve muzikorë;
studim i teorisë së muzikës si fushë e pavarur;
specializime jashtë-shtetit të kritikëve dhe studiuesve muzikorë;
institucionalizim i kritikës muzikore;
mjedis shoqëror tolerues.
Radha e dhënies së çështjeve nuk është domosdoshmërisht shprehje e shkallës së rëndësisë–më të madhe o më të vogël—së tyre.
Përgatitje e dyfishtë—teoriko-estetiko-filozofike dhe praktiko-artistiko-muzikore–e kritikëve dhe studiuesve muzikorë
Përmirësimi i nivelit të kritikës muzikore shqiptare është, pa dyshim, një çështje e vështirë, komplekse, shumë-dimensionale. Ajo ngërthen një radhë nën-çështjesh të natyrave të ndryshme, disa prej të cilave ndoshta do të mund të formuloheshin si vijon: domosdoshmëria që, kritikët dhe studiuesit muzikorë, të punojnë vazhdimisht për një formim të përgjithshëm sa më të mirë teoriko-estetiko-filozofik;
nevoja që, kritikët dhe studiuesit muzikorë, të jenë praktikisht, artistikisht, muzikalisht, sa më të përgatitur;
domosdoshmëria që, kritikët dhe studiuesit muzikorë, të zotërorjnë sa më thellë metodat, rrugët, kriteret e analizës e të studimit;
nevoja që, prapa çështjeve, veprave, kompozitorëve të veçantë, kritikët dhe studiuesit muzikorë, të arrijnë të shohin çështje, prirje, dukuri të përgjithshme, të krijimtarisë muzikore profesioniste, ose të muzikës tradicionale;
domosdoshmëria që, kritikët dhe studiuesit muzikorë, të zotërojnë sa më mirë mjeshtërinë e të shkruarit;
nevoja që, kritikët dhe studiuesit muzikorë, të bëjnë një jetë vepruese shkencoro-artistike dhe të ndjekin me vëmendje proceset bashkëkohorë të krijimtarisë muzikore profesioniste, ose të muzikës tradicionale, etj.
Midis kërkesave të mësipërme, më themeloret mendoj se janë dy: formimi i përgjithshëm teoriko-estetiko-filozofik dhe përgatitja e ngushtë praktiko-artistiko-muzikore, e kritikëve dhe studiuesve muzikorë. Natyrisht, do të ishte me të vërtetë ideale që, një kritik o studiues muzikor, të plotësonte në shkallë të lartë, ose në mënyrë të kënaqshme, të dyja kërkesat e mësipërme. Por, mjerisht, në jetë s’ndodh gjithmonë kështu.
Botim librash, krahas botimit të artikujve
Kritikët dhe studiuesit muzikorë, ose, së paku, ata, që, me të vërtetë, i janë përkushtuar hulumtimit të muzikës profesioniste e tradicionale shqiptare, s’duhet të mjaftohen vetëm me botimin e artikujve të shkëputur në gazeta e revista letraro-artistike. Një dukuri e tillë do të ishte me të vërtetë pak, shumë pak, dramatikisht pak! Shpallja, pohimi, kristalizimi i personalitetit të një kritiku, studiuesi, historiani, ose esteti muzikor, krahas përmbledhjeve të ndryshme me artikuj, që rrahin çështje të caktuara, nënkupton, para së gjithash, punime të gjerë, të thellë e të shumanshëm. Pikërisht punime të tillë janë të paktë. Sidoqoftë, botimi si libra më vete i artikujve e studimeve të kritikëve dhe studiuesve muzikorë, është i domosdoshëm. I rëndësishëm është edhe botimi i atyre pak dizertacioneve, që janë mbrojtur në fushën e muzikologjisë dhe etnomuzikologjisë, derimë sot. Përmbushja e kërkesave të tilla përbën një detyrë të ngutshme.
Zgjerim i radhëve të kritikëve dhe studiuesve muzikorë
Krahas kritikëve dhe studiuesve muzikorë profesionistë, që e zhvillojnë veprimtarinë shkencore kryesisht në Tiranë, radhët e tyre mund të shtoheshin nëse pedagogët e lëndëve teorike (Folklor muzikor shqiptar, Histori e muzikës shqiptare, Histori e muzikës perëndimore, Harmoni, Kontrapunkt, Kompozim, Analizë forme, Orkestracion, etj.) të shkollave të mesme artistike dhe të vetë Fakultetit të Muzikës pranë Universitetit të Arteve, s’do të bënin sehir. Sipas prirjeve që kanë, ata mund të japin një ndihmesë të vlefshme në fushën e kritikës muzikore, historisë së muzikës, etnomuzikologjisë, etj. Në kohën tonë, janë të rrallë pedagogët që merren me veprimtari shkencore në fushën e muzikës. Ndonëse herë-herë të specializuar si muzikologë ose etnomuzikologë, më shpesh, pedagogë të tillë, mbeten thjesht mësim-dhënës.
Studim i teorisë së muzikës si fushë e pavarur
Nuk mund të flitet për një përmirësim të vërtetë të gjendjes së kritikës muzikore shqiptare, nëse nuk mendohet seriozisht për përgatitjen e kritikëve dhe studiuesve të rinj muzikorë. Fillimisht, ata delnin nga Fakulteti i Muzikës pranë Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve). Por, për disa dhjetëvjeçarë me radhë (duke filluar afërsisht qysh prej vitit 1975), ky Fakultet nuk përgatiti më muzikologë ose etnomuzikologë! Konkretisht, muzikologjia dhe etnomuzikologjia, tashmë nisën që të studiohen si nën-degë të Degës së Dirigjimit! Çfarë ironie: Nga njëra anë, ankesa për mungesë kritikësh e studiuesish muzikorë, nga ana tjetër, mbyllje de facto e Degës së Teorisë së Muzikës! (“O tempora! O mores!”)
Zbehja, mohimi, shuarja e emrit të Degës së Teorisë së Muzikës, brenda programeve mësimoro-edukative të Fakultetit të Muzikës pranë Institutit të Lartë të Arteve, ishte, pa dyshim, një veprim administrativ arbitrar. Nëse, prej vitesh, kanë dalë mjaft studentë, të cilët në jetë s’e kanë treguar veten profesionalisht të aftë, për këtë nuk mund t’i bjeri faji degës në vetvete. Ajo, parimisht, qëndron në pozita të barabarta me degët e tjera të këtij Fakulteti: asaj të këngëtarëve, të instrumentistëve, të dirigjentëve e të kompozitorëve. Nëse, shumica e studentëve të Degës së Teorisë së Muzikës, s’ka qenë aq e suksesshme në jetë, është, në radhë të parë, përgjegjësi e vetë Fakultetit të Muzikës, që thuajse vazhdimisht, për arsye nga më të ndryshmet, por asnjëherë të natyrës profesionale, ka pranuar elementë pa asnjë lloj të dhëne në fushën e teorisë së muzikës! Ose, s’ka ditur se, si të mund të përgatisë kritikë dhe studiues muzikorë të aftë, në rastet që atyre s’u kanë munguar prirjet!
Që, në Fakultetin e Muzikës pranë Institutit të Lartë të Arteve, për disa dhjetëvjeçarë me radhë, muzikologjia dhe etnomuzikologjia u studiuan si nën-degë të Degës së Dirigjimit, një zgjidhje e tillë ishte, sa teorikisht e gabuar, aq edhe praktikisht e dëmshme! Unë nuk besoj që të ketë, në botën akademike, ndonjë përvojë të tillë! Në shkollat e larta muzikore të universiteteve amerikane, p.sh., nuk veprohet kurrsesi në këtë mënyrë. Sigurisht, muzikologët dhe etnomuzikologët e ardhshëm, duhet të njohin mirë mjaft disiplina, midis të cilave, edhe disiplina të karakterit artistik: interpretues e krijues. Por, le t’a themi hapur dhe në mënyrë të prerë, se, objekti kryesor i veprimtarisë së muzikologëve dhe etnomuzikologëve, s’është as dirigjimi dhe as kompozicioni. Ata duhet të njohin, mbi të gjitha, mjeshtërinë e analizës dhe të studimit të veprave e dukurive muzikore.
Ideja që, muzikologjia dhe etnomuzikologjia të studioheshin si nën-degë të Degës së Dirigjimit, kam përshtypjen se u detyrohet kompozitorëve të veçantë. (Parapëlqej që të mos jap asnjë emër!) Prandaj, brenda këtij qerthulli, vijnë si të ligjshme një radhë pyetjesh të mprehta, të cilat meritojnë plotësisht përgjigje, si: Përse?! Përse vallë?! Përse vallë të ndodhë kështu?! Thjesht për shkak të mosnjohjes së rolit të rëndësishëm që luajnë muzikologjia dhe etnomuzikologjia në jetën kulturoro-artistiko-muzikore të një kombi, populli, ose grupi etnik?! Apo mos ndoshta edhe për të përmbushur, domosdoshmërisht, me çdo kusht, në çdo rast, dëshirat e kompozitorëve të veçantë për të mos pasur një mendim të specializuar muzikologjik e etnomuzikologjik?! Me këtë rast, nuk mund të mos vihet në dukje se, gjatë dhjetë-vjeçarëve të fundit, herë-herë, është vërejtur madje një shpërfillje e plotë e mendimit muzikologjik: një krijues, në vend që të presë se çfarë vlerësimi do t’i bëjë kritika muzikore veprimtarisë së tij, ai vetë, vetë-lavdërohet, vetë-vlerësohet, vetë-citohet, vazhdimisht! Por, fatmirësisht, një dukuri e tillë moralisht e shëmtuar, s’është e përgjithshme.
Shpresoj se, tashmë, teoria e muzikës, është duke u studiuar si fushë e pavaruar!
Specializime jashtë shtetit të kritikëve dhe studiuesve muzikorë
Duke marrë parasysh vështirësitë e Fakultetit të Muzikës pranë Universitetit të Arteve për të përgatitur kritikë, studiues, historianë, ose estetë muzikorë të aftë, mund dhe duhet menduar që të bëhen edhe specializime jashtë shtetit, në universitete publike, ose private, të vendeve të Europës Perëndimore dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Aq më tepër kur shihet se, ndërsa kanë shkuar e shkojnë për specializim mjaft këngëtarë, instrumentistë, dirigjentë e kompozitorë, derimë sot, s’ka shkuar as edhe një muzikolog o etnomuzikolog i vetëm. Një dukuri e tillë është thjesht një shprehje tjetër e nënvleftësimit të hapur të rolit të mendimit muzikologjik e etnomuzikologjik.
Institucionalizim i kritikës muzikore
Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, në Shqipëri, nuk ekzistoi as edhe një organ i specializuar për botimin e kritikës muzikore. Tashmë është vërejtur se, si organe shtypi, për ‘të, shërbyen kryesisht gazeta Drita dhe revista Nëntori: organe qendrorë letraro-artistike të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, gjatë kësaj periudhe historike. Natyrisht, organe të tillë, botonin artikuj për muzikën profesioniste ose tradicionale, në varësi të objektit, synimit, përfytyrës së tyre në përgjithësi, si edhe duke ruajtur raportet me shkrime për arte të tjerë. Për këtë arsye, zakonisht, vendi që i jepej fushës së muzikës ishte tepër i kufizuar.
Kritika muzikore shqiptare mund dhe duhet të bëjë përpara vetëm përmes një institucionalizimi të saj. Eshtë, sigurisht, detyrë e Qendrës së Studimeve Albanologjike, që të tërheqë pranë saj studiues të talentuar të fushës së vështirë e delikate të muzikës: profesionise ose tradicionale. Unë nuk mendoj në asnjë mënyrë që, aty të punojë një tabor i tërë muzikologësh e etnomuzikologësh. Por, sidoqoftë, mund dhe duhet që, në të ardhmen e afërt, të ketë disa punonjës shkencorë të këtyre specialiteteve.
Në ditët tona, është për t’u përshëndetur fakti se, tashmë, në Shqipëri, botohet në gjendje elektronike, midis të tjerash, revista dy-gjuhëshe—shqip dhe anglisht–, me titull Opus Alb. E drejtuar me aftësi nga kompozitori Nestor Kraja, brenda faqeve të kësaj reviste, lexuesi gjen artikuj të cilët trajtojnë çështje të rëndësishme të jetës bashkëkohore, sikurse edhe çështje të së ardhmes, së muzikës profesioniste e tradicionale shqiptare. Në kohën tonë, një organ i specializuar në fushën e kritikës muzikore shqiptare, sikurse revista Opus Alb, është më se i domosdoshëm. Atë e sjellin si kërkesë vetë çështjet e shumta e të vështira të artit muzikor profesionist e tradicional shqiptar, çështje të cilat, derimë sot, për shumë arsye, sidomos të karakterit politik, s’janë trajtuar sa dhe siç duhet. Prandaj, bota akademike muzikore shqiptare, brenda dhe jashtë vendit, e përshëndet me entusiazëm veprimtarinë e revistës në fjalë.
Mjedis shoqëror tolerues
Për mbarëvajtjen e kritikës muzikore shqiptare, është e nevojshme, sigurisht, një klimë më toleruese, më dashamirëse, më shoqërore, midis kompozitorëve, nga njera anë, dhe kritikëve e studiuesve muzikorë, nga ana tjetër. As kompozitorët s’duhet të nënçmojnë kritikët e studiuesit muzikorë, as kritikët e studiuesit muzikorë s’duhet të nënvleftësojnë kompozitorët. Ai që nuk vlerëson siç duhet punën e kolegut, ose e nënvlerëson me dashje atë, ka një mendim të gabuar, në radhë të parë, për vetë punën e tij.
***
Çështjet e shumta e të vështira estetiko-shoqërore, që shtrohen për diskutim e studim përpara kritikës muzikore shqiptare, kërkojnë njerëz të specializuar, të përgatitur e të aftë. Kritikët, studiuesit, historianët e derisotëm muzikorë, një pjesë e të cilëve tashmë është duke u tërhequr për shkak të moshës së madhe, kanë bërë aq sa kanë mundur. Çështjet estetiko-shoqërore, që ngërthen studimi i muzikës profesioniste e tradicionale shqiptare, do t’i përballojnë në radhë të parë, kritikët dhe studiuesit e rinj muzikorë. Prandaj, për përgatitjen e tyre profesionale, teoriko-praktike, duhet treguar një kujdes i madh, në radhë të parë, nga ana e institucionit kryesor përgjegjës për këtë qëllim: Fakulteti i Muzikës i Universitetit të Arteve të Shqipërisë.