• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRONIKA- SHKURT-KOSOVA NE 10 VJETOR

February 16, 2018 by dgreca

Nderime në Prekaz e Prishtinë/

-Kryeministri Haradinaj: Sot nderojmë sakrificën dhe punën e madhe të të gjithë atyre që u flijuan për Pavarësinë e Kosovës/

Prekaz-Prishtinë, 16 shkurt 2018-Gazeta DIELLI/

“Jemi këtu në vendin e sakrificës, në vendin e kthesës, në Prekaz, në varrezat e familjes Jashari, Komandantit Legjendar Adem Jashari. Përulemi me respekt. Lavdi të rënëve për liri dhe urime Kosovë dhjetëvjetori i Pavarësisë. Urime shqiptarëve kudo që janë”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas homazheve tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

I shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar, kryeministri Haradinaj, më pas ka vazhduar me homazhe edhe te shtatorja e Zahir Pajazitit, në varrezat e dëshmorëve në Velani dhe te varri i ish-Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Në këtë ditë, kryeministri Haradinaj ka kujtuar sakrificën e të rënëve për liri dhe punën e palodhshme të presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova për pavarësinë e vendit.

“Urime 10 vjetori i Pavarësisë gjithë qytetarëve të Kosovës, shqiptarëve kudo që janë. Nderojmë sakrificën, punën e madhe dhe flijimet e atdhetarëve. Në këtë rast, nderojmë presidentin historik Ibrahim Rugova, nderojmë veprën e tij për pavarësinë e Kosovës. Urime!”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

****

* Presidenti Thaçi dekorojë me Medaljen Presidenciale në 10-vjetorin e Pavarësisë të gjithë deputet që votuan dhe nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bazuar në kompetencat e tij ligjore dhe kushtetuese, ka dekoruar me Medaljen Presidenciale në 10-vjetorin e Pavarësisë të gjithë deputetët që më 17 shkurt 2008, votuan dhe nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës.Gjatë ditës, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka dekoruar me Medalje Presidenciale në 10-të Vjetorin e Pavarësisë personalitete kombëtare dhe ndërkombëtare, organizata vendore dhe ndërkombëtare.

***

Kosovë-Vizitorë nga Qeveria e SHBA-ve për 10 vjetorin e pavarësisë

PRISHTINË, 16 Shkurt 208-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë deklaroi sot se do të mirëpresë në Kosovë Ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes për Çështje të Sigurisë Ndërkombëtare, Robert Karem, dhe Ndihmës Administratorin e USAID-it për Evropë dhe Evroazi, Brock Bierman, të cilët vijnë për të nderuar festimet e Dhjetëvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. “Shtetet e Bashkuara janë krenare për përkrahjen tonë dhënë Kosovës që nga viti 2008, dhe presin që të festojnë me shumë miq dhe aleatë këtë javë”, thekson deklarata e dërguar, ku bëhet e ditur edhe axhenda e takimeve.Duke nisur prej sot e ditëve të ardhshme Karem dhe Bierman do të kenë takime të veçanta me drejtuesit e institucioneve më të larta të Kosovës. Karem do të mbajë fjalim në emër të Qeverisë së SHBA-ve në Pritjen Shtetërore.

***

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, uron presidentin Thaçi me rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës

Prishtinë, 16 shkurt, 2018 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë një letër urimi nga Presidenti i Komisionit Evropian, Claude-Juncker, me rastin e shënimit të dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Letra e plotë:

Shkëlqesia Juaj,

Ju faleminderit për letrën tuaj dashamirëse të datës 26 janar 2018 përmes së cilës më keni ftuar të marr pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, më 18 shkurt 2018, në Prishtinë.Fatkeqësisht, nuk do të kem mundësi të jap një përgjigje pozitive për ftesën tuaj për shkak të angazhimeve ekzistuese në ditën përkatëse.Megjithatë, kam kënaqësinë t’ju informoj se do të vij për një vizitë në Prishtinë më 28 shkurt 2018, në kuadër të vizitës sime në Ballkanin Perëndimor.Përfitoj nga kjo mundësi për t’ju përcjellur dëshirat e mia më të mira për ngjarjen solemne.

Sinqerisht i Juaji,

Jean-Claude Juncker
President i Komisionit Evropian

***

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier uron presidentin Thaçi për dhjetëvjetorin e pavarësisë

Prishtinë, 16 shkurt, 2018 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në prag të shënimit të dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë, ka pranuar një letër urimi nga Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

Letra e plotë:

Zoti President,

Në përvjetorin e dhjetë të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Juve dhe të gjithë qytetarëve të vendit Tuaj ju uroj nga zemra.Kur kthej kokën nga dhjetë vjetët e shkuar, gëzohem posaçërisht të shoh se shtetësia e Kosovës është arritur të konsolidohet në mënyrë të qëndrueshme. Më shumë se 110 njohje, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare dhe rishtazi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian paraqesin një bazë të qëndrueshme për zhvillime të tjera të suksesshme në vendin Tuaj.Në vitet e ardhshme mbetet qenësore që Kosova të vazhdojë me vendosmëri rrugën e reformave, para se gjithash në fushën e sundimit të ligjit dhe ekonomisë. Unë, veç kësaj, Ju inkurajoj që së bashku me Serbinë të bëni hapa përpara në kërkim të një zgjidhjeje të qëndrueshme për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe. Ju mund të jeni të sigurt se Gjermania do të mbetet edhe më tej një partnere e besueshme e Kosovës.Edhe në emër të bashkëkombësve të mi, të gjithë qytetarëve në Kosovë iu uroj një të ardhme paqësore në mirëqenie dhe liri, ndërsa Juve mbarësi.

Frank-Walter Steinmeier
President i Republikës Federale të Gjermanisë

***

Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, uron presidentin Thaçi për dhjetëvjetorin e pavarësisë

Prishtinë, 16 shkurt, 2018 – Në vazhdën e urimeve me rastin e shënimit të dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë një telegram urimi edhe nga Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella.

Letra e plotë:

Shkëlqesisë së tij Hashim Thaçi

President i Republikës së Kosovës

Me rastin e dhjetëvjetorit të Pavarësisë, kam kënaqësinë që në emër të popullit italian dhe në emrin tim t’Ju përcjell urimet më të mira të prosperitetit dhe mirëqenies për Republikën e Kosovës.
Gjatë këtyre dhjetëve vjetëve, Prishtina dhe Roma kanë ndërtuar një marrëdhëniet të fortë dypalëshe. Italia ka rikonfirmuar vazhdimisht afërsinë e saj me Kosovën, duke përcjellur – siç dëshmohet edhe nga pjesëmarrja jonë në misionet ndërkombëtare si EULEX-i dhe KFOR-i – forcimin e institucioneve dhe sigurisë së saj.Për më tepër, Kosova mund të llogarisë në mbështetjen e Italisë në rrugëtimin e integrimit evropian që nga pavarësia e saj, një synim që duhet realizuar përmes normalizimit të plotë të marrëdhënieve me shtetet fqinje, veçanërisht me Serbinë, dhe miratimin e reformave të brendshme që kanë për qëllim konsolidimin e rendit dhe ligjit.Duke Ju uruar sukses të plotë në ceremonitë për festimin e këtij përvjetori të rëndësishëm, ku për fat të keq nuk do të mund të marr pjesë, edhe një herë shpreh urime më të përzemërta për Ju dhe për popullin mik kosovar.

Sergio Mattarella

President i Republikës Italiane

 

***

Presidenti austriak Alexander Van der Bellen uron presidentin Thaçi për dhjetëvjetorin e pavarësisë

Prishtinë, 16 shkurt, 2018 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në prag të dhjetëvjetorin të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka marrë një telegram urimi edhe nga Presidenti i Republikës Federale të Austrisë, Alexander Van der Bellen.

Letra e plotë:

I nderuari z. President,

Ju faleminderit për ftesën për festimet e datës 18 shkurt me rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës.Me keqardhje më duhet të Ju njoftoj se pjesëmarrja ime në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës nuk është e mundur për arsye të agjendës së planifikuar kohë më parë.Megjithatë, më lejoni që me këtë rast të Ju shpreh urimet e mia të sinqerta me rastin e dhjetëvjetorit të ekzistimit të Republikës së Kosovës dhe të Ju dëshiroj suksese në realizimin e detyrave Tuaja të marrë me këtë funksion të lartë.

Me nderime,

Alexander Van der Bellen
President i Republikës Federale të Austrisë

***

Presidenti Thaçi për World Street Journal: Kosova është mrekullia e vogël e Evropës

Në një shkrim autorial për gazetën prestigjioze amerikane, “The Wall Street Journal”, në prag të shënimit të dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur se pas një dekade si republikë e pavarur, Kosova ka mjaft arsye për të festuar.Por, siç thotë ai, ndërsa ne i vlerësojmë arritjet dhe sfidat me të cilat përballet shteti ynë, duhet të kujtojmë pikën fillestare të zymtë dhe rrugën pasuese që Kosova ka marrë për të arritur shtetësinë.“Kam qenë ende student kur diktatori Sllobodan Millosheviq nisi një sërë luftërash në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë. Ai ngulmonte që ta krijonte atë që ai e ka quajtur “Serbi e Madhe” dhe imponoi me forcë regjimin e aparteidit ndaj shqiptarëve të Kosovë”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit theksoi se shqiptarët e Kosovës bënë përpjekje që të përgjigjen përmes rezistencës paqësore gjatë fillimit të viteve 1990, por racionaliteti nuk mbizotëroi. Ai tha se kjo ishte arsyeja pse duhej të fillonim të luftonim për lirinë tonë dhe të shpresonim që ata që besonin në vlerat perëndimore do të na ndihmonin.

“Pushkat tona të gjuetisë as që mund t’i bënin ballë ushtrisë dhe policisë serbe. Shpirti ynë dhe vlerat tona ishin të forta, por kjo kishte pak rëndësi pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të bashkësisë ndërkombëtare. Kosova u shpëtua nga ata që ndjenin përgjegjësinë për të mbrojtur civilët nga një gjenocid tjetër ballkanik”, ka shkruar presidenti Thaçi.I pari i vendit ka shtuar se që nga momenti që Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) çliroi Kosovën më 1999, ishte e qartë se një shtet i ri do të lindte. Republika e Kosovës u bë shteti më i ri në Evropë më 17 shkurt 2008.

Presidenti Thaçi ka shkruar se ata që e lexojnë deklaratën tonë të pavarësisë e kuptojnë se asgjë në përpjekjet tona për ndërtimin e shtetit nuk ishte e njëanshme. Negociatat e udhëhequra nga laureati i Çmimit Nobel për Paqe, Martti Ahtisaari, ishin të thella dhe shteruese. NATO, Bashkimi Evropian dhe aleatë të tjerë punuan së bashku për të siguruar paqen dhe stabilitetin pas pavarësisë. Puna e tyre ishte jetike për të siguruar një tranzicion të qetë.Ai ka theksuar se Kosova ka pasur kundërshtarët e saj që nga ditët e para.“E majta ekstreme konsideron Kosovën një kukull të imperializmit amerikan dhe britanik, ndërsa e djathta ekstreme nuk e çmon diversitetin tonë fetar dhe etnik. Këto ekstreme janë imponuar në peisazhin politik dhe mediatik trans-atlantik – dhe, fatkeqësisht, u ndihmuan nga makineria propagandistike e Rusisë – dhe trysnia ndaj Kosovës nuk është zbutur”, ka shkruar ai.Megjithatë, shkruan presidenti Thaçi, Kosova është shteti me rritjen më të shpejtë ekonomike mesatare në Ballkanin Perëndimor në dekadën e fundit.
“Ne ishim të parët në rajon që zgjodhëm një presidente grua. Sportistët tanë, producentët e filmit, muzikantët dhe personalitetet kulturore nga vendi ynë kanë fituar vëmendje ndërkombëtare”, ka shkruar ai.Tutje, presidenti Thaçi shkroi se sfidat mbeten. Ai theksoi se ka udhëhequr dialogun me Serbinë që prodhoi Marrëveshjen historike të Brukselit më 2013, e cila hapi një epokë të rë për paqen dhe bashkëpunimin mes dy shteteve, pas një shekulli të armiqësive. Gjithashtu, ai është shprehur se mbetet i angazhuar për të punuar drejt një marrëveshjeje të re përfundimtare që do të shënojë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Bashkimi Evropian është ngatërruar disi. Në strategjinë për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor që ka aprovuar së fundi, Kosova fare pak përmendet, e supozohet se kjo vjen si rezultat i shqetësimeve të Spanjës rreth separatizmit. Sidoqoftë, miqtë tanë në Madrid e dinë se Spanja nuk kishte një Sllobodan Millosheviq, dhe Kosova nuk është Kataloni. BE-ja, me pohimet e saj për zonat e përbashkëta tregtare dhe çështjet e tjera teknike, po ia huq thelbit. Sigurisht se ne duhet t’i përmbushim kushtet e BE-së për mjedisin, ekonominë dhe sundimin e së drejtës. Por, ne vërtetë jemi në rrugën e duhur”, ka shkruar presidenti Thaçi në editorialin e tij për gazetën amerikane “The Wall Street Journal”.

***

Presidentja kroate Kollinda Grabar-Kitaroviq uron presidentin Thaçi për dhjetëvjetorin e pavarësisë

Prishtinë, 16 shkurt, 2018 – Presidentja e Republikës së Kroacisë, Kollinda Grabar-Kitaroviq, në prag të dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës i ka dërguar një letër urimi Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Letra e plotë:

I nderuari z. President,

Përzemërsisht Ju falënderoj për letrën Tuaj në të cilën me ftoni në ceremoninë solemne të shënimit të dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e cila do të mbahet më 18 shkurt të vitit 2018 në Prishtinë.Fatkeqësisht, për shkak të obligimeve shtetërore të dakorduara më herët, nuk do ta kem mundësin të jem e pranishme në ngjarjen e cekur. Gjithashtu, dua t’ju informoj që në ceremoninë solemne të shënimit të dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, mua do të më përfaqësojë zonja Marija Kapitanoviq, ambasadorja e Republikës së Kroacisë në Republikën e Kosovës.Juve zotëri President, Ju dëshiroj mbajtjen e suksesshme të këtij përvjetori të rëndësishëm, i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm për shtetin Tuaj dhe tërë popullin kosovar. Republika e Kroacisë fuqimisht e mbështet pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës, si dhe realizimin e anëtarësimit në integrimet euro-atlantike.Shpresoj që se shpejti do ta kemi një rast ku mund t’i shkëmbejmë mendimet, si për perspektivat e avancimit të mëtejshëm e raporteve tona, ashtu edhe mbi çështjet e rëndësishme, që i kontribuojnë stabilizimit të gjendjes në Evropën Juglindore dhe përfundimit të projektit të unifikimit evropian.

Ju lutëm, i pranoni z. President, konsideratat e mia më të larta.

Kollinda Grabar-Kitaroviq

***

Rita Ora comes to Prishtina tomorrow

In honor of the 10th Anniversary of the Independence of Kosovo, the world famous singer with origin from Kosovo, Rita Ora, will join the Jubilee celebrations.Rita Ora will arrive in Kosovo tomorrow at 13:00 o’clock, and at 15:00 o’clock, together with the Organizational Council for the Marking of the Anniversary of the Independence, she will hold a conference for local and international media at the Swiss Diamond Hotel, who are staying in Kosovo these days.The singer with origin from Kosovo, Rita Ora, has personally expressed her readiness to come and sing in Prishtina, thus making a gift to the Republic of Kosovo on the big jubilee, on the tenth anniversary of the declaration of independenceThe performance of our world-famous singer will stretch from the “Skenderbeu” square, along the Mother Teresa” square, to the “Zahir Pajaziti” square in Pristina on February 17, 2018, at a festive concert that starts at 20:00 o’clock.

At the request of Rita Ora, the entire festive concert will be open to all citizens of Kosovo.We invite you all to join us at this jubilee celebration and to rejoice jointly the achievements of our country so far.

***

Veseli: Krenarë me partneritetin Kosovë-SHBA

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim Ndihmës Administratorin e USAID-it për Evropë dhe Evroazi, Brock Bierman.Në takim i diskutua për mbështetjen e vazhdueshme që populli amerikan, nëpërmjet USAID-it dhe organizatave të tjera, ka dhënë dhe po jep për Kosovën, në rrugën e saj të zhvillimit demokratik dhe shtetndërtimit.Kryeparlamentari Veseli tha se mbështetja e taksapaguesve amerikanë për Kosovën në vlerë prej 900 milionë dollarësh, ka dhënë efektet e saj pozitive në shumë segmente të jetës në Kosovë. “Tani, në prag të 10-vjetorit të pavarësisë, në emrin e gjithë popullit të Kosovës falënderoj të gjithë taksapaguesit amerikanë për këtë mbështetje. Si Kuvend i Kosovës jemi krenarë për partneritetin me USAID-n”, theksoi kryeparlamentari Veseli.Ndihmës Administratori e USAID-it për Evropë dhe Evroazi, Brock Bierman tha se Kosova ka shënuar zhvillim që nga vizita e tij e fundit në Kosovë. Ai tha se ndihet e kënaqur që po merr pjesë në shënimin e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës. “Jam këtu për të forcuar raportin me Kosovën dhe të uroj për përparimet që janë bërë që nga vizita e fundit. Jam këtu që një ditë dhe po shoh ndryshime të jashtëzakonshme”, theksoi Bierman.

***

Kosova e Shqipëria Konsullatë të përbashkët në Danimarkë

-Në Kopenhagë inaugurohet Konsullata e përbashkët Kosovë – Shqipëri/

Kopenhagë, 16 Shkurt 2018-GazetaDIELLI/  Në një ceremoni të veçantë në Kopenhagë të Mbretërisë së  Danimarkës, Konsulli i Republikës së Kosovës në Kopenhagë, Arton Krasniqi dhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Kastrit Robo,kanë bërë inaugurimin e Konsullatës së përbashkët të dy vendeve tona.

Në prani të autoriteteve daneze dhe trupit diplomatik të akredituar në Kopenhagë, konsulli Krasniqi ka theksuar nevojën e vazhdimit të projekteve të përbashkëta dhe inicimin e nismave të reja të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, si dhe për bashkëpunim në kuadër të agjendës bilaterale dhe multilaterale. “Sot është një ditë e veçantë, pasi po hapim konsullatën e përbashkët me Shqiperinë,  e treta e këtij lloji dhe gjithsesi jo e fundit. Këtë ditë e madhështon data e neserme, 10 vjetori i pavarësisë së Kosovës, pavarësi kjo që nuk u arrit leht kur kemi pasrasyshë sakrificën e shumë brezave”, tha konsulli Krasniqi.Nga ana tjetër ambasadori i Shqipersisë, Kastriot Robo në fjalën e tij para të pranishmëve e ka vlerësuar lartë aktin e hapjes së Konsullatës së përbashkët. ”Do të punojmë së bashku për t’i ofruar shtetasve si të Republikës së Shqipërisë ashtu edhe të Republikës së Kosovës, shërbime sa më pozitive sa më moderne, profesionale dhe nuk ka dyshim se qytetarëve tonë do t’iu ofrohen shërbime sa më të mirë të mundshme.Ai ndër të tjera tha se kjo konsullatë do jetë adresë kryesore të kërkesave të qytetarëve tanë për të mbrojtur interesat e tyre dhe për të promovuar të drejtat dhe identitetin e tyre.”Po ashtu, do të jetë një pikë reference për bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës e Danimarkës, pasi ky rajon përbën një hap të rëndësishëm në kuadër të partneritetit strategjik mes dy vendeve si dhe është ndër më të pasurit dhe më të zhvilluarit në botë dhe do të shndërrohet në adresën kryesore të kërkesave të qytetarëve tanë për të mbrojtur interesat e tyre e për të promovuar të drejtat dhe identitetin”, ka thënë konsulli i Kosovës Arton Krasniqi./b.j/

***

Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë Julie Payette uron Presidentin Thaçi për dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës

Prishtinë, 16 shkurt 2018 – Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë, Julie Payette, i ka dërguar një telegram urimi Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e shënimit të dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Letra e plotë:

Shkëlqesi,

Në emër të të gjithë kanadezëve, do të doja t’ju falënderoj për ftesën tuaj xhentile. 10 vjetori i pavarësisë së Kosovës është një mundësi për të festuar të gjitha arritjet që njerëzit tuaj kanë bërë në dekadën e fundit.

Më vjen keq që nuk do të jem në gjendje t’ju bashkohem më 18 shkurt, për shkak të një agjende tashmë të plotë; megjithatë, një përfaqësues kanadez do të jetë i pranishëm për të përcjellë rëndësinë e marrëdhënieve tona, të ndërtuara mbi vlerat e përbashkëta dhe interesat e përbashkëta

Ju dëshiroj juve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës gjitha të mirat përderisa ju shënoni këtë ditë të lumtur.

E juaja sinqerisht,

Julie Payette

***

Presidenti Thaçi dekoron kryeministrin e Republikës së Shqipërisë me medaljen presidenciale

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka dekoruar kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, me medaljen presidenciale në dhjetëvjetorin e pavarësisë.

Presidenti Thaçi shprehu falënderimin e tij kryeministrit Rama për vizitën në Kosovë, me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.Kreu i shtetit tha se “Sot pata nderin dhe kënaqësinë në autoritetin tim kushtetues dhe ligjor që të ndaj medaljen presidenciale me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë për kryeministrin e Shqipërisë, për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Duke e vlerësuar lartë kontributin e kryeministrit Rama, presidenti Thaçi tha se zëri i tij ka qenë i fuqishëm në mbështetje të lirisë, por edhe të shtetndërtimit. “Duke çmuar dhe respektuar shumë angazhimet për konsolidimin e shtetit të Kosovës, në proceset më të vështira që ka kaluar vendi, zëri i Edit ka qenë i fuqishëm në mbështetje të lirisë së Kosovës, në mbështetje të procesit të shtetndërtimit, edhe tash të konsolidimit dhe të integrimit të Kosovës sa më të shpejtë edhe në NATO, edhe në Bashkim Evropian”, tha presidenti Thaçi.Ndërsa Kryeministri Rama tha se është një nga momentet më emocionuese të tij. “Është pa diskutim një nga momentet më emocionuese për mua. Është një nder i jashtëzakonshëm, dhe dua t’ju shpreh gjithë mirënjohjen time juve personalisht dhe dua të falënderoj Kosovën për këtë emocion kaq të paharrueshëm”, tha Kryeministri Rama.Presidenti Thaçi tha se projekti i Kosovës së lirë dhe i pavarur, pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian është edhe projekt i përbashkët.

Filed Under: Kronike Tagged With: 10 vjet, Behlul Jashari, kosova, kronike

KOMUNITETI SHQIPTAR I DHA LAMTUMIRËN PASHKO GOJÇAJ

January 12, 2018 by dgreca

2 Gojçaj Pashku

Don Lush Gjergji: Vëllezerit Gojçaj i mbushën shumë sheshe dhe rrugë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe SHBA, me shtatoret e Nënës Tereze. Edhe më shumë i plotësuan shumë zemra me fisnikëri, bujari dhe bamirësi, duke bërë atë të famshme dhe të pranishme në mendjen dhe zemrën e  popullit tonë./

1 arkiv mesha1 Prifti larg1 tre prifta1 salle me arkiv1 a dom Pjet varrimi1 a Luigj Rakaj

Siç kishte njoftuar Gazeta Diellit, gjatë ditës së djeshme, e Enjte, 11 Janar 2018 nga ora 2.00 PM deri në orën 9.00 PM në Shtëpinë  Mortore Yorktown, komuniteti shqiptar nga SHBA, Kanada, Europa si dhe nga vendlindja, zhvilloi homazhe në nderim të Pashk Gjeto Gojçaj, i cili ndërroi jetë me 10 Janar 2018, pas një qëndrimi disaditor në spital prej një sëmundjeje të pashërushme. Komuniteti shqiptar e ka nderuar veprimtarin dhe biznesmenin bashkatdhetar, duke formuar radhë të gjata para funeralit.Ka qenë një pjesmarrje shumë e madhe.

1 a leka zonja varrim1 Leka Marjan1 a Lek mesazh Ipeshkevi1 a Mesha kjoIMG_92631 a StatujaHomazhe bënë edhe diplomatë nga Konsullata e Kosovës, drejtues te shoqatave te komunitetit, biznesmene, aktiviste etj. Kryetari i Vatrës, z. Dritan Mishto, i shoqëruar nga zv. Kryetari Agim Rexhaj dhe  bashkëpunëtorë të tij, ka ngushëlluar Familjen Gojçaj.

Sot, e Premte 12 Janar 2018, në orën 11.00 AM, në Kishën Katolike Shqiptare”Zoja e Shkodrës” u organizua Mesha e funeralit e udhëhequr nga Famullitari Dom Pjetër Popaj.

Ceremonia e varrimit u organizua në varrezat Gate of Heaven në Nju Jork. Pas Lutjeve fetare të udhëhequr nga Dom Pjetër Popaj, në emër të Familjes Gojçaj, z. Luigj Rakaj ka falenderuar meshtarët dhe pjesmarrsit në ceremoninë e varrimit si dhe të gjithë komunitetin shqiptar, që iu ndodh pranë Familjes në këto çaste të vështira.Rakaj përmes një fjalimi emocionues ka përshkruar jetën e Pashk Gojçaj si dhe kontributin atdhetar të familjes Gojçaj, e cili ka bërë më shumë se dhe vetë shteti shqiptar për përjetësimin e Shënjtëreshës shqiptare Shën Tereza.

Më pas aktivisti Lek Përlleshi, ka lexuar mesazhin e Bibliografit të Shën Terezës, Don Lush Gjergji, i cili në emër të Ipeshkëvit të Kosovës, Imzot Dodë  Gjergjit, ka përcjellë ngushëllimet më të thella dhe ka vlerësuar veprën Kombëtare të Familjes Gojçaj.

Në mesazh shkruhej:Edhe një mik, vëlla, bamirës, kaloi në amshim-Pashk Gojçaj. Ky njeri, shqiptar, i krishterë, familjar, së bashku me vëllanë Lekë Gojçaj, ishte i shquar dhe i dalluar si mërgimtar në SHBA jo vetëm për punë dhe sukses personal, familjar, por mbi të gjitha për angazhimin dhe veprimin në dobi të çështjes kombtare.

Qysh nga vitet 90-të, kur Shqipëria së fundi ishte hapur pas diktaturës së egër komuniste-ateiste, ndërsa Kosova ishte në gjendje tejet të vështirë, shumë të rrezikshme, me batica dhe zbatica të papara, me rreziqe të shumta, me thyrje të mëdha politike, shoqërore, kulturore dhe shpirtërore, vëllezërit Lekë dhe Pashk Gojçaj, ndër të parët nga SHBA-ja u bashkërënditën me prijësin tonë historik Dr. Ibrahim Rugovën në kërkim të zgjidhjes me mjete pasqësore jo dhunore. Ata shumë shpejt u bënë bashkëpunëtorë dhe përkrahës të tij, të popullit tonë në Kosovë.

Njohuritë, pasuritë, miqësitë e tyre i vunë në shërbim të të mirës së përbashkët, të mbijetesës sonë, dhe një pjesë të rëndësishme të jetës dhe veprimtarisë, ia kushtuan bashkëpunimit me miqtë tanë kombëtar dhe ndërkombëtar.

Mishërimi i kësaj strategjie dhe bamirësie erdhi në shprehje nëpërmjet Nënës Terezë, si pasojë e logjikshme dhe natyrore e nderimit, falenderimit dhe imitimit të saj në botën tonë shqiptare. Ata i mbushën shumë sheshe dhe rrugë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe SHBA, me shtatoret e Nënës Tereze. Edhe më shumë i plotësuan shumë zemra me fisnikëri, bujari dhe bamirësi, duke bërë atë të famshme dhe të pranishme në mendjen dhe zemrën e  popullit tonë.

Dhe së fundi angazhimi në ndërtimin e Shenjtërores dhe Katedrales”Nëna Terezë” në Prishtinë, që ishte sfidë për të gjithë ne. Edhe në këtë fushëveprim, vëllezërit Lekë dhe Pashk Gojçaj, nuk kursyen asgjë, për të qenë pjesë aktive dhe bamirëse, si bijë shpirtëror të Shën Terezës, të popullit tonë.

Në emër të Imzot Dodë Gjergjit, ipeshkëvit të Kosovës, të klerit dhe besimtarëve tanë, shprehim ngushëllimet tona të krishtera, të përcjellura me nderime, falenderime, uratë dhe dashuri.

Për këto dhe shumë vepra të tjera të mira, Zoti, të ndjerin pashk Gojçaj, e shpërbleftë me Paqe, dritë, jetë dhe lumturi të amshuar, ndërsa familjen e dashur dhe të nderuar Gojçaj, me ngushëllime!

Pushoftë në paqë!

Prishtinë, 10 Janar 2018

(Korresp. i Dielli-t)

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, kronike, Lamtumire, Pashko Gojçaj

KRONIKË-New York,Shembet muri në stacionin e trenave, 4 të plagosur

April 7, 2015 by dgreca

MANHATTAN NYC – Nga shembja e pjesëshme e një faqe muri në stacionin qendror të trenave në Manhattan – New York, katër persona janë lënduar , tha një zëdhënës FDNY.
Njerëzit ishin brenda dhe po lëviznin duke dalë dhe hyrë në satcionin e trenit në Madison Ave. porta pranë East 43 Street në Grand Central Terminal, rreth orës 10:09, të paradites së sotme tha zëdhënësi FDNY.
Duke shtuar se të lënduarit u dërguan menjëherë në spitalin Bellevue me lëndime që nuk janë konsideruar rrezik për jetën, thanë zyrtarët e FDNY.
Simbas tyre edhe Departamenti për Mbrojtjen e Ndërtesave ishte njoftuar për rrezikun e shembjes, në faqen e saj të internetit.
Policia thotë se janë duke hetuar ngjarjen mbasi sipas tyre ende nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi kolapsin e pjesshëm të murit në stacionin qendror të trenave Grand Central Terminal në New York./Beqir Sina/

Filed Under: Kronike Tagged With: 4 të plagosur, Beqir Sina, kronike

Kronikë e një mjerimi të paralajmëruar

September 3, 2013 by dgreca

Nga Albin KURTI/

Po bisedove me mërgimtarët tanë se cili është dallimi kryesor që vërejnë këtë verë në Kosovë krahasuar me herat e tjera kur vinin për pushime, pothuajse të gjithë të përgjigjen se janë të tronditur nga zhgënjimi i shtuar i qytetarëve, nga gjendja e pashpresë që lexohet në sytë e tyre. Nuk ka dyshim që kjo ka një bazë objektive: varfëria është thelluar e papunësia është zgjeruar sepse çmimet janë ngritur ndërkohë që shumë kollaj e humbet vendin e punës dhe shumë vështirë arrin të gjesh një vend (tjetër) pune. Shpenzimet mesatare për ushqim nga të ardhurat e qytetarëve në Kosovë arrijnë në plot 38%. (P.sh. në Zvicër kjo shifër është vetëm 7%, ani se ushqimet atje janë dukshëm më të shtrenjta dhe zviceranët kursejnë shumë më pak sesa kosovarët kur vie puna te konsumimi i ushqimit më cilësor e më të shëndetshëm.) Në anën tjetër, në Kosovë, jo vetëm që paga minimale nuk respektohet nga punëdhënësit, jo vetëm që ajo është tepër e ulët, por edhe me kalimin e viteve ajo nuk ngritet së paku aq sa është e nevojshme për ta mbuluar inflacionin vjetor. Kur kemi parasysh që paqen sociale e mirëmban kryesisht solidariteti familjar atëherë është e qartë që edhe ata me paga mbi mesataren, në fakt, përfundojnë në drejtim të pagës minimale porsa që me të ardhurat e tyre iu duhet të mbështesin edhe anëtarë të tjerë të familjes.

Numri i qytetarëve që viteve të fundit kanë rënë nga klasa e mesme në atë të varfër është gjithsesi shumë më i madh sesa i atyre pak individëve që mund të jenë ngjitur lart tek të pasurit. Kështu, pesëvjetori i pavarësisë së Kosovës përveçse solli bilancin negativ të standardit të jetesës së qytetarëve më parë sesa pjesëmarrjen e tyre në kremtimet e jubileut, paralelisht i përballi qytetarët me shpresat tashmë të humbura të vitit 2008 për zhvillim ekonomik e sovranitet, për mirëqenie e dinjitet. Sepse pa dyshim që zhgënjimi qytetar në Kosovë nuk është vetëm zhgënjim për shkak të të këqijave që kanë ndodhur, por edhe për shkak të të mirave që nuk kanë ndodhur.  Bazës objektive të zhgënjimit patjetër që i shtohet edhe aspekti subjektiv: ndryshimi i pritur me shpalljen e pavarësisë nuk është vetëm ndryshim i dëshiruar i gjendjes por, mbi të gjitha, edhe ndryshim i trendit të gjithëmbarshëm. Njerëzit besuan që gjërat do të ecin mbarë, do të nisin të ecin mbarë, dhe orientuan jetën e tyre me optimizën andejpari. Mirëpo, njerëzit mund të besojnë edhe në një model alternativ, në modelin e pesimizmit: gjërat nuk do të shkojnë mirë, që nuk do të bëhet më mirë se kaq, se e nesërmja do të jetë edhe më keq, se e keqja ka marrë hov e sa vie e do të rritet, se përgjithësisht bëhet fjalë për drejtim të keq. Sigurisht që numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës i cili dikur i përkiste modelit të optimizmit, mbase edhe për shkak se i përkiste atij modeli, tashmë ka kaluar në pesimizëm.

Dy çështje më duken posaçërisht të rëndësishme të theksohen këtu. Së pari, struktura e optimizmit paraprak. Njerëzit në Kosovë janë bërë aq të pashpresë pikërisht sepse duan rezultate të shpejta dhe njëkohësisht pse nuk besojnë në rezultate të shpejta. Prania e mjerimit dhe mungesa e shanseve në shoqëri është rritur aq shumë saqë s’bëhet dot mirë së shpejti. Mirëpo, në njëfarë mënyre, e gjithë kjo qasje është disi tregtare e financiare, dhe jo prodhuese. Dihet që financat, tregtia dhe shërbimet, janë degë të ekonomisë që e kanë kthimin e menjëhershëm. Nëpërmjet tyre trajnohesh të jesh i shkathët, por jo edhe aq të kesh vizion, të përpilosh plane, e të organizosh prodhimin. Mendësia e nevojshme e qytetarit aktiv që me angazhimin e vet e ndryshon për të mirë gjendjen e rëndë në të cilën  ndodhet, është ajo e bujkut që mbjell e korr dhe bashkëpunon me të tjerët në zinxhirin e kultivimit e prodhimit.

Populli nuk është i varfër e i papunë për shkak të kulturës e historisë së tij, gjeografisë e gjeologjisë së vendit të tij, por për shkak të orientimit aktual të gabuar ekonomik. Një ilustrim për këtë është qysh Qeveria e Kosovës, veçanërisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, lavdërohen se si qenka zvogëluar numri i ditëve të nevojshme për regjistrimin e biznesit në Kosovë. Thua se në Kosovë kishim vullnete të ndrydhura ndërmarrësie nga burokracia shtetërore! Në fakt, nga mbi 60 mijë ndërmarrje në Kosovë, rreth 80% syresh kanë vetëm një të punësuar, që është edhe vetë pronari i saj. Më shumë ndërmarrësi se kaq, s’është fer të kërkosh. Kosova nuk lëngon nga mungesa e ndërmarrësisë individuale të qytetarëve, dhe as nga pengesat për këtë ndërmarrësi, por nga orientimi i gabuar dhe i padrejtë ekonomik, i cili nuk sjell as zhvillim përmes prodhimit e punësimit dhe as mirëqenie përmes drejtësisë e barazisë.

Rimëkëmbja nuk do të jetë aspak e lehtë meqenëse njerëzit janë tjetërsuar e tëhuajësuar aq shumë nga të qenit qytetar i dinjitetshëm e punëtor i Republikës. Varfëria bëhet totalisht degraduese kur, ta zëmë, duhet të zgjedhësh nëse duhet t’i ushqesh fëmijët ose duhet ta ngrohësh dhomën. Jeta e dinjitetshme nis atëherë kur nuk bën (këso) zgjedhje. Pra, kuptimi i lirisë së zgjedhjes konsiston më shumë në çështjen e zgjedhur, sesa të lirisë për të zgjedhur. Mund të jesh i lirë pikërisht kur nuk bën zgjedhje (të atilla). Vetëm liria nga zgjedhje (të tilla) shënon fillimin e (vetë) zgjedhjeve të lira.

Për liri të vërtetë të zgjedhjeve që nuk të poshtërojnë, liria e zgjedhjet duhet të jenë për të gjithë e jo për disa, gjë që na sjell te barazia, te kërkesa dhe nevoja për barazi. Kjo është ajo që i nevojitet shoqërisë sonë për t’u ngritur e përparuar. Kur qeveritarët na flasin për përqindjen e rritjes ekonomike sivjet duhet shikuar se kush përfitoi nga ajo rritje e në kurriz të kujt. Tashmë s’ka dyshim që rritja ekonomike e vendit lidhet me mirëqenien e qytetarëve të shtetit po aq sa lidhet liria e kapitalit me lirinë e njerëzve, që do të thotë se më shumë janë të palidhura sesa të lidhura. Po ashtu, le të mos harrojmë që edhe vetë betejat për demokraci përgjatë historisë, në thelb, ishin beteja për (më shumë) barazi. Nga e drejta e votës për gratë dhe zezakët e deri te tatimi progresiv në Skandinavi. Të qenit të barabartë nuk do të thotë të jemi identikë. Por, gjithsesi, nuk jemi aq të ndryshëm që të jemi kaq të pabarabartë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Albin Kurti, e nje mjerimi, kronike, te paralajmeruar

KRONIKË NGA DEGA E VATRES NE JACKSONVILLE

December 22, 2012 by dgreca

Nga Gjergj Lacuku/

Me 28 Nëntor dega e Shoqatës “Vatra” në Jacksonville, Florida , organizoj kremtimin e 100 vjetorit të Pavarësisë, jubileu që edhe sheshin “Times Square” e veshi kuq e zi. E veçanta e kësaj mbrëmje ishte ngritja simbolike e flamurit , ku nën tingujt e Himnit Kombëtar , 92 vjeçari Asllan Hysaj nga Shkodra , si Shqiptari më i moshuar në Jacksonville, ngriti nalt Flamurin Kuq e Zi. Fjalën përshëndetse mandej e mori kryetari i degës “Vatra” , Z. Adriatik Spahiu, i cili ndër të tjera vuri theksin në mirëkuptimin dhe tolerancën qytetare ndërmjet shqiptarve për të mirën e Kombit. Festimi i 100 vjetorit u shoqnua edhe nga folës të tjerë si avokati Ardian Gjoka, Besim Hasani dhe artisti Shkodran, Aleksandër Ruçi, që me humorin e tij e bani këtë mbramje edhe ma t’kandshme. Përveç muzikës , kangës e valleve , mbramja festive u shoqnue edhe me poezi të poetve ma të mëdhaj të  kombit Shqiptar . Ato u sollën këtu nga recitimet e vet të pranishmëve. Kështu Naim Frashërin  na e solli përmetari Dr . Ali Lushnja ,mandej At Gjergj Fishtën na e solli shkodrani Enrik Baba, Gjirokastrën e përfaqsoj Juli Pollo nën interpretimim e poezisë së Çajupit “Mëmëdheut”.Një moment mallëngjyes ishte recitimi i poezisë së Bilal Xhaferit “Baladë Çame” nga 86 vjeçari , z. Rexhep Cano , tuj pasë parasysh çështjen Çame si nji plag e hapun në trupin e Atdheut. Poezinë kushtue Kosovës nga poeti e filozofi Arshi Pipa, e recitoj Teuta Agovi me origjinë Kosovare. Poetin Asdreni nëpërmjet “Himni i Flamurit” e solli patrioti nga Korça, z. Xhezmi Çuko. Me poezinë e Pashko Vasës ” O moj Shqypni”, recitusja Matilda Moja na kujtoj edhe nji herë se feja e Shqiptarit asht Shqiptarija. Z. Vebi Musta përcolli një fragment të euriditit Faik bej Konica në lidhje me Flamurin tonë si nji ndër ma të vjetrit në Botë. Recitimi i poezive u mbyll nga Gjergj Lacuku me poezinë e Fishtës ” Atdheut” ku nuk harrohen vargjet e pavdekshme ;

Dersá t’mundem me ligjrue

E sá gjáll me frymë un jam,

Kurr Shqypni, s’kam me t’harrue,

Edhe n’vorr me t’përmendë kam.

Filed Under: Kronike Tagged With: Gjergj Lacuku, Jacksonville, kronike, nga Vatra

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT