• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryengritja e Postribës/ Zbardhen kujtimet e dëshmitarit të ngjarjes, Sami Repishtit

September 11, 2021 by s p

SAMI REPISHTI, PH.D.*

9 shtator 1946. “Mbas mesit të natës, gjumi i qytetit të Shkodrës u prish nga nji breshni qitjesh me armë që më erdhi e papritun. Ishin katundarët e Postribës që mbrojshin tokën e tyne, me gjithë shpirt.

“Pushteti” i ri komunist kërcënonte me kolektivizim. Nji grup i madh afër 200 vetash, i guximshëm por i paorganizuem, sulmoi qytetin, kazermat ushtarake e ndërtesat qeveritare, por pa sukses. Përleshja me “forcat e Sigurimit” vazhdoi deri në mëngjez, kur sulmuesët u tërhoqën.

Rrjedhimet e këtij akti vetëmohues u treguen katastrofale. “Lëvizja e Postribës”, ashtu si u quejt nga të gjithë, nuk la shumë viktima në fushën e betejës, por bani shumë viktima në ditët që vazhduen. Ditën e parë, në nji fushë afër qytetit u ekzekutuen njizetë e tetë katundarë. Batalionet e Sigurimit të Shtetit invaduen katundet e Postribës e pushkatuen pa faj, pa gjyq, shumë fshatarë që nuk u arratisen sepse nuk morën pjesë në kryengritje! Shumë shtëpi u dogjën e tymi i tyne dukej qartë nga qyteti.

Arrestimet u banë në masë dhe jashtë çdo kontrolli. Ky akt guximtar u ba shkak “të pastrohej” gjithë qyteti i Shkodrës me rrethe nga elementët “armiq të popullit”. Mbrenda nji mueji, qyteti kishte dymbëdhetë burgje të përkohëshme, e ma shumë se njimijë e dy dyqind të arrestuem. Hija e randë e ekzekutimeve ishte kudo. Por natën, kur filloi pushka në rrugët e qytetit, Shkodra u elektrifikue. Ideja e rrëzimit të “pushtetit komunist” ndezi fantazitë e të gjithëve. Monstri i kuq mishngranës ishte plagosë! Nga dritarja e hapun në atë natë shtatori, krizmët e pushkëve më mbushën me shpresë. Nuk ashtë melodi e re për këte popull që ashtë “ushqye” me gjak e lotë.

Nga Rozafa, sot e zymtë dhe e zemrueme, në këte natë martirizimi, zana numëron dëshmorët e ramë për liri, ndërsa në ledhet tremijëvjeçare të kështjellit, legjenda kalitë emnat e tyne për përjetësim. Historia e jote, o Shkodër, ashtë tingulli i daltës së çeliktë që pret thellë në granitin që copton, e në mermerin e lëmuet ajo kalitë pavdekësinë e atyne që dhanë jetën, flijime të ndërgjegjëshme të njerëzimit të lirë. Fjala shqipe “kryengritës” më pëlqen shumë!

Sa e bukur; sa tërheqse! Fjala “kryengritje” që në gjuhët e hueja perëndimore përkthehet me “insurrectio”, (nga latinishtja), ngritje kundër nji autoriteti civil ose politik, nji seri aktesh dhe ngjarjesh që synojnë nji qellim të caktuem: ndryshimin e rendit shoqënor ekzistues, ka nji kuptim të veçantë në shqipen tonë. Ajo ka nji prejardhje ma të përcaktueme, ma “burrënore”: “të ngrejsh kokën nalt”, (“Nalto ballin, çetë luftare” e D.Ndre Zadejës) të refuzosh dhe të përbuzësh nënshtrimin, të mos përulesh, as të thehesh as të përkulesh, të kundërshtosh kamxhikun e shtypësit me nji guxim që sfidon vdekjen, dhe në përpjekjen fisnike me jetue “kryenaltë” pranohet humbja e nji jete që, pa liri dhe pa dinjitet njerëzor, nuk ka kuptim.

Nderi para jetës! Kryengritësi! Kryengritje! Sa titull magjepës! Ky ashtë koncepti që unë kam formue gjatë viteve të gjata në burgjet komuniste të Shqipërisë, e në kontakt me individë të thjeshtë, të paarsimuem, besnikë të traditave tona të besës, nderit, burrënisë, mikpritjes dhe trashëgimisë që na jep trimnia e fitueme në situata të vështira, “shtigjet e ngushta”, “rruga e kryqit” e Kalvarit tonë kombëtar.

Ky ashte koncepti që unë kam formue nga takimet e përditëshme me ish-të burgosunit nga krahina e Postribës, në Veri të Shkodrës sime, landa kryengritëse që me guxim marramendës sulmoi “pushtetin” e terrorit komunist në Shkodër, më 9 shtator 1946. Sot, këte akt guximi të rrallë e quejmë “Lëvizja e Postribës” dhe e festojmë në kujtim të kryengritësve që shkruen me gjak nji epope, si dhe të viktimave që shkaktoi lufta në qytet, e masat ndëshkimore që nuk përfunduen asnjiherë për 45 vjet kundër kësaj popullsie vendëse. Por identifikimi i këtij akti spontan guximtar si “lëvizje” asht i pasaktë. “Kryengritja e Postribës”? Po!

Leckamanët guximtarë të Postribës u mundën! Por, miti i “pushtetit të popullit”, i trumbetuem aq shumë nga sundimtarët e kuq u shemb. Ata që sulmuen ishin shumica katundarë të vorfën, landa që reklamohej nga “pushteti” si baza e tij, e që tashti ngrente kokën si rezistencë kundër “pushtetit”uzurpues.

Disfata politike e komunizmit në Shqipëri ishte e plotë! Në ato ditë, entuziasmi, unë shkrova: “… Digju flakë, o Shkodra e ime plakë, digju! Sot në errësinën që të ka mbulue anembanë, për ushqim ka nevojë përsëri liria, për djelm ende të parritun si duhet, për burra që nanat kërkojnë pse duhen ushqye fëmijtë që qajnë për bukë, e për babën që nuk jeton ma! Ngreje zanin e kushtrimit përsëri, ti o qyteti i Rozafës, shpërndaje errësinën që mbretnon, o Shkodra plakë, e me flakadanin e ndezun në dorën që shkrumbohet nga zjarri i lirisë, digju, digju flakë, o Shkodra e ime plakë, digju!”. ((Nën hijen e Rozafës, f.125)

* * *

Në mbasdrekën e 22 tetorit 1946, u arrestova nga organet e Sigurimit të Shtetit. Mbas nji hetuesie barbare që kërkonte nënshtrimin tim ma shumë se “informatat” mbi veprimtarinë anti-pushtet, dola para “Gjyqit të Popullit”, nji shaka e pashpirt, nji komedi sa banale aq vdekësore. Nga 22 të akuzuemët, nandë fatmjerë u dënuen me vdekje, dhe ma vonë u ekzekutuen. Unë mora 15 vjet burgim të randë mbi kurriz. Nga ata që shpëtuen nga vdekja ishin edhe katundarë nga Postriba, pjesëmarrës aktivë të sulmit të 9 shtatorit. Njeni nga ata, i akuzuem si “kryetar” i kryengritjes, pranoi akuzën me dinjitet. Nuk mohoi veprimtarinë e vet në këte akt të armatosun.

I thjeshtë, me pak fjalë, rreth pesëdhjetëvjeçar, por i lodhun nga jeta e vështirë e katundit, kufizohej me përgjegje të shkurta: po ose jo. Emni i tij, Osman Haxhija! Shpeshherë kishe përshtypjen se nuk kuptonte as akuzat e prokurorit, as vrejtjet banale të kryetarit. I veshun me nji palë rrobe të vjetra, që nga qendrimi në qelitë e flliqta të burgut dukeshin edhe ma të vjetra, Osman Haxhija qendronte me trupin drejt, kokën nalt, dhe shikimin e përqendruem në trupin gjykues sikur donte me sfidue autoritetin e tyne sa herë që e sulmojshin me ngulm e egërsi.

Nuk e di se çka mendonte në ato momente kritike për jetën e tij, por shihej qartë nji shprehje mosperfillëse për të gjithë procesin, njerëz e ngjarje, me ftohtësinë e nji stoiku i përgatitun për gjithçka, i tronditun nga asgja. Nga banka e të akuzuemëve shikojshe me admirim të sinqertë këte viktimë të rrethueme nga ujq mishngranës që kercënojshin atë dhe të gjithë të mjerin vendin tim. Cili do të ishte fati i jonë në duer kriminelësh vandalë të kuq të vendosun me mbajtë pushtetin me çdo kusht e të nënshtrojnë me çdo mjet nji popullsi që nuk i pranonte? Më 27 nandor 1947, u dhanë dënimet.

Osman Haxhija u dënue me burgim të përjetëshëm. Akoma më tingëllojnë në vesh britmat histerike të aktivistëve të grumulluem në sallën e gjyqit, ish-kinemaja e qytetit. Turma e pamend as na njihte, as kuptonte skenën makabre të përgatitun nga “pushteti” që ata i bindeshin verbënisht. “Trathëtarët në litar! Trathëtarët në litar!” shkyheshin gurmazet e qindra “spektatorëve” tashma aktorë pa ndërgjegjsim të valles së vdekjes që bahej para syve të tyne, të verbuem nga injoranca! Shumë qenie të thjeshta, ndërgjegje të papërlyeme, e mendje të çorodituna nga propaganda kambëngulëse për hakmarrje e frika e përgjithëshme, ranë viktimë e iluzionit komunist! Më 28 nandor 1947, përfunduem në Burgun e Shkodrës.

* * *

Ditën e parë të shetitijes njiorëshe në oborrin e burgut lëvizëm poshtë e nalt pa folë. Ma vonë, u afrova me Osman Haxhinë, e përshëndeta, i shtrëngova dorën, e përgëzova që i kishte shpëtue jeta nga pushkatimi. Ai uli kokën! “Na kushtoi randë”, më tha, “por nuk kishte rrugë tjetër”. Shqetësim i madh, por asnji shenj pendimi. Heshti e hodhi sytë rreth e rrotull. Ishim të rrethuem nga nji mur i naltë. Në kullat e ngrituna qendrojshin kercënues ushtarë të armatosun. Përmbrenda ishin rojet e burgut me shkopij.

Mbas asaj dite, Osman Haxhija më kërkonte, sikur kishte dëshirë, me thanë diçka që e mundonte. Disa herë ecshin krah për krah, pa folë, që të mos krijohej dyshimi te rojet. Por heshtja e vazhdueshme nuk mund të zgjatej ma. Ishte e qartë se ai kishte nevojë, nji nevojë të madhe me folë e me tregue. Më dukej sikur kishte frikë se do të vdiste e të merrte me vete “sekretin” që përpiqej me zbulue. Unë kishe nji dëshirë të papërmbajtun me ditë ma shumë, me kuptue ma mirë rrjedhjen e ngjarjeve që sollën katastrofën e pa parashikueme, ku kishim ra viktimë të gjithë.

Nji ditë, gjeta guximin e duhun me ba pyetjen kryesore: “Osman”,- thashë,- “pse ngritët krye?”. Ai u mendue pak, tërhoqi edhe nji herë në cigaren që mbante mes dy gishtave të dorës së djathtë, të zverdhun nga duhani, e u përgjegj thjesht: “Na erdhi thika në asht! Nuk durohej ma! S’kishte rrugë tjetër për ne!”, e heshti. Në atë moment kritik për këte njeri të mbushun me inat e deshprim, nuk gjeta fuqi as fjalë me ngushëllue këte figurë tragjike. Por ai nderpreu heshtjen e dhimbëshme e vazhdoi: “Me reformën agrare të vitit të kaluem na damtuen, por përsëri e bajshim jetesën.

Ti e din se na mbjellim duhan kryesisht, e me shitjen e tij në pazar na sigurojmë të ardhunat me plotësue nevojët tona shtëpiake. Me reformën e vjetit 1946, këte të tashmen, na hoqën edhe atë mundësi. Nuk na mbeti tjetër veçse me u ba punëtorë të thjeshtë me pagesë të Shtetit. U vendos nga të tjerët me u ba kooperativa bujqësore, me drejtor nga jashtë katundit, nëpunës të panjohun për ne, e na rrogëtarë me pagesë ditore. Këte, as e kuptojshim as e pranojshim. Gjithë jeta e jonë ndryshoi për të keq. Na u duk sikur nuk jemi ata që kemi qenë brez mbas brezi…!

Por e keqja ma e madhe ngjau kur vendosen me mobilizue të rinjtë e katundit për ushtri. Kjo na këputi dy krahët. Sepse me djelmtë ushtarë na ishim robë të tyne… nuk mund të bajshim asnji kundërshtim”. “A ishte ky nji mendim i përgjithëshëm?”, e pyeta unë. “Po!”, më përgjegji. “Për këte kemi qenë të gjithë të nji mendimi. Jeta që na priste ishte nji jetë pa nder, jetesë rrogë- tari…!”. E heshti. Fjala e fundit u shqiptue me nervozitet. Dukej se dilte thellë nga zemra e tij e plagosun.

Kam mendue shpeshherë për këte “jetesë rrogëtari”. Për nji katundar të pavarun, ndryshimi në varësi të Shtetit duhet të ketë qenë me të vërtetë tronditës. Të ngrihesh në mëngjez e në vend që të punojsh arën tande e të kujdesesh për nevojët tueja e të familjes, duhej tashti të rreshtohesh bashkë me të tjerët e të marrësh urdhën nga të tjerët, ku të shkosh e çka të punosh, ndërsa për familjen përcaktohen pagë të vendosuna përsëri nga të tjerët. Po “unë”, cili jam unë atëherë?

Ishte psikoza e skllavërisë që e frikësonte! Në ditët e ardhme, vazhduem bisedët tona ma me lehtësi, sepse akulli ishte thye. Tashti, ai kishte zbrazë kupën e helmit që e mundonte; megjithatë, priste që edhe unë të çfaqë arsyetimin për dënimin tim. I thashë se si student, si i ri qytetar, ishe shumë i shqetësuem nga terrori ushtarak e policor që ushtrohej në të gjithë vendin, nga nënshtrimi poshtënues i vendit ndaj “shokëve jugosllavë” dhe nga censura e fortë që rritej çdo ditë e ma shumë kundër fjalës së lirë, qoftë me gojë, qoftë me shkrim….

E të tjera arsyetime si këto! Osman Haxhija më shikonte me kujdes, e besoj për respekt ma shumë se për interesim! Nuk pyeti. Nuk di në se e kuptonte sqarimin tim, por nji lloj kureshtjeje dukej qartë në fëtyrën e tij. Ma në fund më tha: “Për këte ke ra në burg?”. “Po!”, i thashë. “Për këte shkelje të drejtave të mia qytetare… Janë me randë- si” shtova,” për nji jetë me dinjitet, jetë me nder. Si mendon ti?”. “Edhe ne na kanë prekë në fe”, shtoi ai me nji gjysëm zani, sikur kishte zbulue diçka të re. “Nuk kemi hoxhë, sepse kanë frikë me ardhë në katund”, shtoi ai me thjeshtësinë e vet… E shikova! “O. sancta simplicitas!”, thashë me vete!

* * *

Osman Haxhija nuk vuente nga ndjenja e vdekjes, “asgjasimit të pareparueshëm të jetës”, që ashtë tema e intelektualit të angazhuem, aventurierit, e revolucionarit të edukuem. Ideja e heroit modern që nuk beson në Zotin nuk kishte vend në arsyetimin e tij. Ai revoltohej me mbrojtë të kaluemen e tij që e dëshironte me gjithë shpirt, i pandamë nga ajo. Ideja e revoltimit me shpresë se do të përmbysej e tashmja dhe do të rilindte nji botë e re, ishte e panjoftun për këte katundar kryenalt. Ai kërkonte vetëm të vazhdonte jetën, ashtu si të parët e tij.

Por kambëngulja ishte e fortë, si dhe guximi që ajo krijonte. “Shqetësimi” modern nuk ishte ai i Osman Haxhisë. Ai besonte në Zotin me bindje, dhe pranonte pa u revoltue idenë e vdekjes, ashtu si e jepte feja (“kështu ka qenë shkrue”), që ai përqafonte pa kondita, me premtimin e nji bote tjetër “të përherëshme e të pasosun”. “Shqetësimi” i tij kishte nji karakter ma imediat, të përditshëmen, të thjeshtë, traditën, shoqëninë tradicionale, e njikohësisht themelore për jetën me nder, si baba, si gjyshi, si brezënitë e pafund.

“Shqetësimi” i tij ishte për shokët që humbën jetën në aksionin vëllaznor dhe familjarët e tyne, për të rinjtë që indoktrinoheshin nga nji rregjim shtypës, për lirinë e fesë që kercënohej me zhdukje, për ruejtjen e së drejtës së pasunisë private, dhe për humbjen e gjendjes së qytetarit që respekton ligjin në nji shoqëni ku çdo njeni ashtë nji vlerë e pa zavendsueshme. Aspekti tragjik i jetës së “kryengritësit” Osman Haxhija gjindej në ballafaqimin e tij me “pushtetin” që i mohonte lirinë, thirrjes së tij për jetë të lirë dhe grushtit të hekurt të “pushtetit”, vendosmënisë tij me ruejtë identitetin për vete dhe për shoqëninë ku jetonte, në ndërhymjen e jashtëme me dhunë dhe guximit tij civil me i thanë “Jo!” forcës së ushtrueme, plotësisht i ndërgjegjshëm se ajo “forcë brute” do të shkatërronte punën dhe përpjekjen e tij me u çlirue…

Ballë për ballë me vdekjen, ai kishte zgjedhë me jetue i lirë! Plotësisht i ndërgjegjshëm ishte katundari i Postribës, “kryengritësi” i thjeshtë Osman Haxhija… E “osmanët” e krahinës heroike që e ndoqën atë deri në vdekje. Dhe ky ashtë shpirti i “kryengritjes së Postribës” që na përkujtojmë sot me respektin ma të madh që meriton. Ushtarakisht, “Kryengritja e Postribës” ka qenë nji akt guximtar, i papërgatitun dhe që përfundoi në tërheqje.

Këte përfundim kam arritë mbas bisedave të gjata me udhëheqës të “Kryengritjes” gjatë viteve të gjata të burgimit tim. Por, politikisht, ajo hapi nji humnerë në mes të propagandës gënjeshtare dhe realitetit të përditëshëm. “Pushteti popullor”, Qeveria dhe militantët e PKSH të vendosun me dhunë në vendin tonë, ballafaqoheshin me zemërimin e masave të revoltueme e refuzojshin “diktaturën e proletariatit”. “Faji” joekzistues për të pafajshmit u “krijue” me propagandë e torturë. Këte detyrë monstruzoe e mori përsipër Sigurimi i Shtetit kriminel…

Me torturat ma çnjerëzore, viktimët e arrestimeve masive u detyruen me deklarue se kanë qenë pjesëmarrës, ose të paktën se kanë pasë dijeni për “Kryengritjen”. Unë kam qenë njeni nga këto viktima. Kështu “pushteti” filloi me folë për qytetarë shkodranë, tregëtarë, pronarë tokash, intelektualë perëndimorë, e sidomos për klerin katolik, si organizatorë të “Kryengritjes” dhe për kryengritësit si “fshatarë të gënjyer”. “Për ne”, më tha oficeri hetues, “armiku i vërtetë janë intelektualët e sidomos kleri katolik. Tregtarëve u marrim pasurinë dhe mjafton.

Kulakëve u marrim tokën, dhe mjafton. Por pasuria e juej është në kokë, kulturë e ide perëndimore. Prandej do të ju presim kokën… Kleri katolik? Kemi shembullin e Revolucionit francez; ata janë armiqtë e popullit…”. Dhe kokët u prenë, e xhelati duergjak kalon sot qetësisht, pa u trazue nga ligji, nji jetë të qetë që nuk meriton. “Kryengritja e 9 shtatorit 1946” ka qenë disfata e parë e madhe, politike dhe morale e sistemit komunist në Shqipëri. Ajo që ngjau ma vonë ka qenë thellimi i “diktaturës së proletariatit” dhe degjenerimi i plotë në shtypje hakmarrëse “gjeorgjiane”….

Akoma sot, nga bota e nëntokës ku pushojnë viktimët, nga varret e humbuna dhe të mospërfilluna ku mbulohet pafajënia e viktimave të komunizmit, unë ndigjoj çdo ditë nji thirrje të fuqishme e gjysëmhyjnore: “Para Zotit dhe ndërgjegjes sonë, na jemi të pafajshëm! Jemi prindët e juej, jeni fëmijtë tonë! Na kujtoni! Ju lutemi, mos na harroni!”… “… Ata kurrë mos u harrofshin/Në kangë e në valle, por u këndofshin!”. (Atë Gjergj Fishta)

Ridgefield, CT.USA *Ish-i burgosun politik (1946-56)

Filed Under: Histori Tagged With: kryengritja e Postribes, Sami repishti

KRYENGRITJA E POSTRIBES – KUJTIME

September 9, 2016 by dgreca

  • Me rastin e 70 vjetoriti/

* “….Ata kurrë mos u harrofshin/ Në kangë e në valle por u këndofshin!” (Atë Gjergj Fishta)/

1-gjergj-fishta-276x300Shkruan: Sami Repishti, Ph.D. */

1-kryengritja-e-postribes-ok9 shtator 1946.-“ Mbas mesit të natës, gjumi i qytetit të Shkodrës u prish nga nji breshni qitjesh me armë që më erdhi e papritun. Ishin katundarët e Postribës që mbrojshin tokën e tyne, me gjithë shpirt. “Pushteti” i ri komunist kercënonte me kolektivizim. Nji grup i madh afer 200 vetësh,i guximshëm por i pa organizuem, sulmoi qytetin, kazermat ushtarake e ndërtesat qeveritare, por pa sukses. Përleshja me “forcat e Sigurimit” vazhdoi deri në mëngjez, kur sulmuesët u tërhoqën.

Rrjedhimet e këtij akti vetëmohues u treguen katastrofale. “Lëvizja e Postribës”, ashtu si u quejt nga të gjithë, nuk la shumë viktima në fushën e betejës, por bani shumë viktima në ditët që vazhduen. Ditën e parë, në nji fushë afër qytetit u ekzekutuen njizetë e tetë  katundarë. Batalionet e Sigurimit të Shtetit invaduen katundet e Postribës e pushkatuen pa faj, pa gjyq, shumë fshatarë që nuk u arratisen sepse nuk morën pjesë në kryengritje! Shumë shtëpi u dogjën e tymi i tyne dukej qartë nga qyteti. Arrestimet u banë në masë dhe jashtë çdo kontrolli.

Ky akt guximtar u ba shkak “të pastrohej” gjithë qyteti i Shkodrës me rrethe nga elementët “armiq të popullit”. Mbrenda nji mueji, qyteti kishte dymbëdhetë burgje të përkohëshme, e ma shumë se njimijë e dy dyqind të arrestuem. Hija e randë e ekzekutimeve ishte kudo. Por natën, kur filloi pushka në rrugët e qytetit, Shkodra u elektrifikue. Ideja e rrëzimit të “pushtetit komunist” ndezi fantazitë e të gjithëve. Monstri i kuq mishngranës ishte plagosë!

Nga dritarja e hapun në atë natë shtatori, krizmët e pushkëve më mbushën me shpresë. Nuk ashtë melodi e re për këte popull që ashtë“ushqye” me gjak e lotë. Nga Rozafa, sot e zymtë dhe e zemrueme, në këte natë martirizimi, zana numron dëshmorët e ramë për liri, ndërsa në ledhet tremijë vjeçare të kështjellit, legjenda kalitë emnat e tyne për përjetësim. Historiae jote, o Shkodër, ashtë tingulli i daltës së çeliktë që pret thellë në granitin që copton, e në mermerin e lëmuet ajo kalitë pavdekësinë e atyne që dhanë jetën, flijime të ndërgjegjëshme të njerëzimit të lirë.

Fjala shqipe “kryengritës” më pëlqen shumë! Sa e bukur; sa tërheqse!

Fjala “kryengritje” që në gjuhët e hueja perendimore përkthehet me ‘insurrectio’,(nga latinishtja), ngritje kundër nji autoriteti civil ose politik,nji seri aktesh dhe ngjarjesh që synojnë nji qellim të caktuem: ndryshimin e rendit shoqënor ekzistues, ka nji kuptim të veçantë në shqipen tonë.Ajo ka nji prejardhje ma të përcaktueme, ma “burrënore”: “të ngrejsh koken nalt”, (“Nalto ballin, çetë luftare” e D.Ndre Zadejës) të refuzoshdhe të përbuzësh nënshtrimin, të mos përulesh, as tëthehesh as tëpërkulesh, të kundërshtosh kamxhikun e shtypësit me nji guxim që sfidon vdekjen, dhe në përpjekjen fisnike me jetue “kryenaltë” pranohet humbja e nji jete që, pa liri dhe pa dinjitet njerëzor, nuk ka kuptim. Nderi para jetës!Kryengritësi!

Kryengritje!Sa titull magjepës! Ky ashtë koncepti që unë kam formue gjatë viteve të gjata në burgjet komuniste të Shqipërisë, e në kontakt me individë të thjeshtë, të pa arsimuem, besnikë të traditave tona të besës, nderit, burrënisë, mikpritjes dhe trashëgimisëqë na jep trimnia e fitueme në situata të vështira, “shtigjet e ngushta”, “rruga e kryqit” e Kalvarit tonë kombëtar.

Ky ashte koncepti që unëkam formue nga takimet e përditëshme me ish të burgosunit nga krahina e Postribës, në Veri të Shkodrës sime,landa kryengritëse që me guxim marramendës sulmoi “pushtetin” e terrorit komunist në Shkodër, me 9 shtator 1946. Sot, këte akt guximi tërrallë e quejmë “Lëvizja e Postribës”, dhe e festojmë në kujtim  të kryengritësve që shkruen me gjak nji epope, si dhe të viktimave që shkaktoi lufta nëqytet, e masat ndeshkimore që nuk perfunduen asnjiherë për 45 vjet kundër kësaj popullsie vendëse. Por identifikimi i këtij aktispontan guximtar si “lëvizje” ashti pa saktë. “Kryengritja e Postribës”? Po!

Leckamanët guximtarë të Postribës u mundën! Por, miti i “pushtetit të popullit”, i trumbetuem aq shumë nga sundimtarët e kuq u shemb. Ata që sulmuen ishin shumica katundarë të vorfën,- landa që reklamohej nga “pushteti” si baza e tij,e që tashti ngrente kokën si rezistencë kundër “pushtetit”uzurpues. Disfata politike e komunizmit në Shqipëri ishte e plotë! Në ato ditë, entuziasmi, unë shkrova:

“…Digju flakë, o Shkodra e ime plakë, digju! Sot në errësinën që të ka mbulue anembanë, për ushqim ka nevojë përsëri liria, për djelm ende të parritun si duhet, për burra që nanat kerkojnë pse duhen ushqye fëmijtë që qajnë për bukë, e për babën që nuk jeton ma! Ngreje zanin e kushtrimit përsëri, ti o qyteti i Rozafës, shpërndaje errësinën që mbretnon, o Shkodra plakë, e me flakadanin e ndezun në dorën që shkrumbohet nga zjarri i lirisë, digju, digju flakë, o Shkodra e ime plakë, digju!” ((Nën hijen e Rozafës,f.125)

*

Në mbasdrekën e 22 tetorit 1946, u arrestova nga organet e Sigurimit të Shtetit, Mbas nji hetuesie barbare që kërkonte nënshtrimin tim ma shumë se “informatat” mbi veprimtarinëanti-pushtet, dola para “Gjyqit të Popullit” , nji shaka e pashpirt, nji komedi sa banale aq vdekësore. Nga 22 të akuzuemët, nandë fatmjerë u dënuen me vdekje, dhe ma vonë u ekzekutuen. Unë mora 15  vjet burgim të randë mbi kurriz.

Nga ata që shpëtuen nga vdekja ishin edhe katundarë nga Postriba, pjesëmarrës aktivë të sulmit të 9 shtatorit. Njeni nga ata, i akuzuem si “kryetar” i kryengritjes, pranoi akuzën me dinjitet. Nuk mohoi veprimtarinë e vet në këte akt të armatosun. I thjeshtë, me pak fjalë, rrethpesëdhjetë vjeçar por i lodhun nga jeta e vështirë e katundit, kufizohej me përgjegje të shkurta : po ose jo. Emni i tij Osman Haxhija!

Shpesh herë kishe përshtypjen se nuk kuptonte as akuzat e prokurorit, as vrejtjet banale të kryetarit. I veshun me nji palë rrobe të vjetra, që nga qendrimi në qelitë e flliqta të burgut dukeshin edhe ma të vjetra, Osman Haxhija qendronte me trupin drejt, kokën nalt, dhe shikimin e përqendruem në trupin gjykues sikur donte me sfidue autoritetin e tyne sa herë që e sulmojshin me ngulm e egërsi.

Nuk e di se çka mendonte në ato momente kritike për jetën e tij, por shihej qartë nji shprehje mosperfillëse për të gjithë proçesin, njerëz e ngjarje, me ftohtësinë e nji stoiku i përgatitun për gjithçka, itronditun nga asgja.

Nga banka e të akuzuemëve shikojshe me admirim të sinqertë këte viktimë të rrethueme nga ujq mishngranës që kercënojshin atë dhe të gjithë të mjerin vendin tim.Cili do të ishte fati ijonë në duer kriminelësh vandalë të kuq të vendosun me mbajtë pushtetitn me çdo kusht e të nënshtrojnë me çdo mjet nji popullsi që nuk i pranonte?

Me 27 nandor 1947, u dhanë dënimet. Osman Haxhija u denue me burgim të përjetëshëm. Akoma më tingëllojnë në vesh britmat histerike të aktivistëve të grumulluem në sallën e Gjyqit, ish kinemajae qytetit. Turma e pamend as na njihte, as kuptonte skenën makabre të pergatitun nga “pushteti” që ata i bindeshin verbënisht. “Trathëtarët në litar! Trathëtarët në litar!”shkyheshin gurmazet e qinda “spektatorëve” tashma aktorë pa ndërgjegjsim të valles së vdekjes që bahej para syve të tyne, të verbuem nga injoranca!

Shumë qenie të thjeshta, ndërgjegje të papërlyeme, e mendje të çorodituna nga propaganda kambëngulëse për hakmarrje e frika e përgjithëshme, ranë viktimëe iluzionit komunist!

Me 28 nandor 1947. përfunduem në Burgun e Shkodrës.

* **

Ditën e parë të shetitijes nji-orëshe në oborrin e burgut, lëvizem poshtëe nalt pa folë. Ma vonë, u afrova me Osman Haxhinë, e përshëndeta, i shtërngova dorën, e përgëzova që i kishte shpëtue jeta nga pushkatimi.

Ai uli kokën! “Na kushtoi randë”, mëtha, “por nuk kishte rruge tjetër”. Shqetësim i madh, por asnji shenj pendimi. Heshti e hodhi sytë rreth e rrotull. Ishim të rrethuem nga nji mur i naltë. Nëkullat e ngrituna qendrojshin kercënues ushtarë të armatosun. Përmbrenda, ishin rojet e burgut me shkopij.

Mbas asaj ditë, Osman Haxhija më kërkonte, sikur kishte dëshirë me thanë diçka që e mundonte. Disa herë ecshin krah për krah, pa folë që të mos krijohej dyshimi tek rojet. Por heshtja e vazhdueshme nuk mund të zgjatej ma. Ishte e qartë se ai kishte nevojë, nji nevojë të madhe me folë e me tregue. Më dukej sikur kishte frikë se do të vdiste e të merrte me vete “sekretin” që përpiqej me zbulue. Unë kishe nji dëshirë të papërmbajtun me ditë ma shumë, me kuptue ma mirë rrjedhjen e ngjarjeve që sollën katastrofën e pa parashikueme ku kishim ra viktimë të gjithë.

Nji ditë, gjeta guximin e duhun me ba pyetjen kryesore:“Osman”thashë,“pse ngritët krye?”

Ai u mendue pak, tërhoqi edhe nji herë në cigaren që mbante mes dy gishtave tëdorës së djathtë, të zverdhun nga duhani, e u përgjegj thjeshtë:

“Na erdhi  thika në asht! Nuk durohej ma! S’kishte rrug]ë tjetër për ne!”, e heshti.Në atë moment kritik për këte njeri të mbushun me inat e deshprim, nuk gjeta fuqi as fjalë me ngushëllue këte figurë tragjike. Por ai nderpreu heshtjen e dhimbëshme e vazhdoi:

“Me reformën agrare të vitit të kaluem na damtuen por përsëri e bajshim jetesën. Ti e din se na mbjellim duhan kryesisht, e me shitjen e tij në pazar na sigurojmë të ardhunat me plotësue nevojët tona shtëpiake. Me reformën e vjetit  1946, këte të tashmen, na hoqën edhe atë mundësi. Nuk na mbeti tjetër veçse me u ba punëtorë të thjeshtë me pagesëtë Shtetit. U vendos nga të tjerët me u ba koperativa bujqësore, me drejtor nga jashtë katundit, nëpunës të panjohun për ne, e na rrogëtarëme pagesë ditore. Këte, as e kuptojshim as e pranojshim. Gjithë jeta e jonë ndryshoi për të keq. Na u duk sikur nuk jemi ata që kemi qenë brez mbas brezi…! Por e keqja ma e madhe ngjau kur vendosen me mobilizue të rinjtë e katundit për ushtri. Kjo na këputi dy krahët.  sepse me djelmtë ushtarë na  ishim robë të tyne…nuk mund të bajshim asnji kundërshtim.”

“A ishte ky nji mendim  i përgjithëshëm?” e pyeta unë.

“Po!” më përgjegji. “Për këte kemi qenë të gjithë të nji mendimi. Jeta që na priste ishte nji jetë pa nder, jetesë rrogëtari…!”.  E heshti.

Fjala e fundit u shqiptue me nervozitet, Dukej se dilte thellë nga zemra e tij e plagosun. Kam mendue shpesh herë për këte “jetesë rrogëtari”. Për nji katundar tëpavarun, ndryshimi në varësi të Shtetit duhet të ketë qenë me të vertet tronditës. Të ngrihesh në mëngjez e në vend që të punojsh arën tande e të kujdesesh për nevojët tueja e të familjes, duhej tashti të rreshtohesh bashkë me të tjerët e të marrësh urdhën nga të tjerët, ku të shkosh e çka tëpunosh, ndërsa për familjen përcaktohen pagë të vendosuna përsëri, nga të tjerët.  Po “unë”, cili jam unë atëherë? Ishte psikoza e skllavërisë që e frikësonte!

Në ditët e ardhme, vazhduem bisedët tona ma me lehtësi, sepse akulli ishte thye. Tashti, ai kishte zbrazë kupën e helmit që e mundonte; megjithate, priste qëedhe unë të çfaqë arsyetimin për dënimin tim. I thashë se si student, si i ri qytetar ishe shumëi shqetësuem nga terrori ushtarak e policor që ushtrohej në të gjithë vendin, nga nënshtrimi poshtënues i vendit ndaj “shokëve jugosllavë” dhe nga censura e fortë që rritej çdo ditë e ma shumë kundër fjalës së lirë, qoftë me gojë, qoftë me shkrim…. E të tjera arsyetime si këto!

Osman Haxhija më shikonte me kujdes- e besoj për respekt  ma shumë se për interesim! Nuk pyeti. Nuk di në se e kuptonte sqarimin tim, por nji lloj kureshtje dukej qartë në fëtyrën e tij. Ma në fund, më tha:

“Për këte ke ra në burg?”

“Po!” i thashë.“Për këte shkelje të drejtave të mia qytetare….Janë me randësi” shtova,” për nji jetë me dinjitet, jetë me nder. Si mendon ti?”

“Edhe ne na  kanë prekë në fe” shtoi ai me nji gjysëm zani, sikur kishte zbulue diçka të re. “Nuk kemi hoxhë, sepse kanë frikë me ardhë në katund”, shtoi ai me thjeshtësinë e vet…. E shikova! “O. sancta simplicitas!” thashë me vete!

***

Osman Haxhija nuk vuente nga ndjenja e vdekjes, “asgjasimit të pareparueshëm të jetës” që ashtë tema e intelektualit të angazhuem, aventurierit, e revolucionarit të edukuem. Ideja e heroit modern që nuk beson nëZotin nuk kishte vend në arsyetimin e tij.  Ai revoltohej me mbrojtë të kaluemen e tij që e dëshironte me gjithë shpirt, i pandamë nga ajo. Ideja e revoltimit me shpresë se do të përmbysej e tashmja dhe do të rilindte nji botë e re, ishte e panjoftun për këte katundar kryenalt. Ai kërkonte vetëm të vazhdonte jetën ashtu si të parët e tij. Por kambëngulja ishte e fortë, si dhe guximi që ajo krijonte.

“Shqetësimi” modern nuk ishte ai i Osman Haxhisë. Ai besonte në Zotin me bindje, dhe pranonte pa u revoltue idenë e vdekjes, ashtu si e jepte feja (“kështu ka qenë shkrue¡”) që ai përqafonte pa kondita, me premtimin e nji bote tjetër “të përherëshme e të pasosun”. “Shqetësimi” i tij kishte nji karakter ma imediat, të përditshëmen, të thjeshtë – traditën, shoqëninë tradicionale, e njikohësisht themelore për jetën me nder, si baba, si gjyshi, si brezënitë e pafund.

“Shqetësimi” i tij ishte për shokët që humbën jetën në aksionin vëllaznor, dhe familjarët e tyne, për të rinjtë qëindokrinoheshin nga nji rregjim shtypës, për lirinë e fesëqë kercënohej me zhdukje, për ruejtjen e së drejtës së pasunisë private, dhe për humbjen e gjendjes sëqytetarit që respekton ligjin në nji shoqëni ku çdo njeni ashtë nji vlerë e pa zavendsueshme.

Aspekti tragjik i jetës së“kryengritësit” Osman Haxhija gjindej në ballafaqimin e tij me “pushtetin” që i mohonte lirinë, thirrjes së tij për jetë të lirë dhe grushtit të hekurt të “pushtetit”, vendosmënisë tij me ruejtë identitetin për vete dhe për shoqëninë ku jetonte, në ndërhymjen e jashtëme me dhunë dhe guximit tij civil me i thanë“Jo!” forcës së ushtrueme, plotësisht i ndërgjegjshëm se ajo “forcë brute” do të shkatërronte punën dhe përpjekjen e tij me u çlirue….Ballë-për-ball me vdekjen, ai kishte zgjedhë me jetue i lirë!

Plotësisht i ndërgjegjshëm ishte katundari i Postribës, “kryengritësi” i thjeshtë Osman Haxhija….e “osmanët” e krahinës heroike që e ndoqën atëderi në vdekje. Dhe ky ashtë shpirti i “kryengritjes së Postribës” që na përkujtojmë sot me respektin ma të madh që meriton.

Ushtarakisht, “Kryengritja e Postribës” ka qenë nji akt guximtar, i pa përgatitun dhe që përfundoi në tërheqje. Këte përfundim kam arritë mbas bisedave të gjata me udhëheqës të ”Kryengritjes” gjatë viteve të gjata të burgimit tim.

Por, politikisht, ajo hapi nji humnerë në mes të propagandës gënjeshtare dhe realitetit të përditëshëm. “Pushteti popullor”, Qeveria dhe militantët e PKSH të vendosun me dhunë në vendin tonë, ballafaqoheshin me zemërimin e masave të revoltueme e refuzojshin “diktaturen e proletariatit.

“Faji” jo-ekzistues për të pafajshmit u “krijue” me propagandë e torturë. Këte detyrë monstruzoe e mori përsipër Sigurimi i Shtetit kriminel……Me torturat ma shnjerëzore, viktimët e arrestimeve masive u detyruen me deklarue se kanë qenë pjesëmarrës, ose të paktën se kanë pasëdijeni për “Kryengritjen”. Unë kam qenë njeni nga këto viktima. Kështu “pushteti” filloi me folë për qytetarë shkodranë, tregëtarë, pronarë tokash, intelektualë perendimorë, e sidomos për klerin katolik, si organizatorë të “Kryengritjes” dhe për kryengritësit si “fshatarë të gënjyer”.

“Për ne” më tha oficeri hetues, “armiku i vertetë janë intelektualët e sidomos kleri katolik. Tregtarëve u marrim pasurinë dhe mjafton. Kulakëve u marrim tokën, dhe mjafton. Por pasuria e juej është në kokë, kulturë e ide përendimore. Prandej do të ju presim kokën…Klerikatolik? Kemi shembullin e Revolucionit francez; ata janë armiqtëe popullit….”

Dhe kokët u prenë, e xhelati  duergjak kalon sot qetësisht, pa u trazue nga ligji, nji jetë të qetë që nuk meriton.

“Kryengritja e 9 shtatorit 1946” ka qenë disfata e parë, e madhe, politike dhe morale e sistemit komunist në Shqipëri. Ajo që ngjau ma vonë ka qenë thellimi i “diktaturës së proletariatit”, dhe degjenerimi i plotë në shtypje hakmarrëse “gjeorgjiane”….

Akoma sot, nga bota e nëntokës ku pushojnë viktimët, nga varret e humbuna dhe të mospërfilluna ku mbulohet pafajënia e viktimave të komunizmit, unë ndigjoj çdo ditë nji thirrje të fuqishme e gjysëm-hyjnore:

“Para Zotit dhe ndërgjegjes sonë, na jemi të pafajshëm!Jemi prindët e juej,jeni fëmijtë tonë! Na kujtoni! Julutemi, mos na harroni!”….

“….Ata kurrë mos u harrofshin/ Në kangë e në valle por u këndofshin!” (Atë Gjergj Fishta)

Ridgefield, CT. USA

* ish i burgosun politik (1946-56)

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: kryengritja e Postribes, kujtime, Sami repishti

LËVIZJA ANTIKOMUNISTE E POSTRIBËS

July 14, 2013 by dgreca

Shkruan:Eugen SHEHU/Berne/ Zvicer/

Për qindra e mijëra shqiptarë që dualën të mundur të vrarë e prerë prej fashizmit,në „fitoren“ e nëndorit të vitit 1944,u duk se pat lindur dita e madhe.Ata mbushnin rrugët dhe trotuaret e qyteteve duke përqafuar e përshëndetur nacionalçlirimtarët,duke u dedikuar pikërisht atyre luftën çlirimtare. Por kjo fitore do të ishte tejet e hidhur,ndofta si ajo e Pirros mijëra vjet më parë, e cila pat çuar në tragjedi.Paralele me këtë entuziazëm,i cili nuk zgjati më shumë se muaji nëndor 1944,u nder mbi viset shqiptare reja e zezë e diktaturës së kuqe.Ka qenë sigurisht një fat i mbrapshtë i shqiptarëve,fitorja e bujshme e bollshevizmit sllav,fitore e cila do t’u jepte të drejtë „fitimtarëve“ që të ndanin gjahun e majm.Famkeqja mbledhje e Jaltës (ashtu si famkeqi traktat i Shën Stefanit apo ai i Londrës) e ngarkoi Stalinin të luante rolin mbizotërues në rrjedhat e popujve ballkanik,me ç’rast Shqipëria detyrimisht do të hidhte vallen sipas melodive,ruse të ardhura nga stepat e Uraleve.Klika e Tiranës,asaj kohe jetonte muajin e mjaltit me Titon dhe niste përpjekjet për të shtypur me zjarr dhe hekur çdo revoltë popullore kinse ato organizoheshin prej „ballistëve dhe reaksionarëve“.

E vërteta është se me luftë kundër „reaksionit“ komunistët e Tiranës,të mësuar në shkollën e Dushanëve e Miladinëve,nisën të terrorizojnë,vrasin dhe djegin krejt ato shtëpi në Veriun  e Shqipërisë,të cilët nuk patën përkrahur lëvizjen nacionalçlirimtare.Ky revansh i tipit bollshevik,nuk ka qenë aspak rastësor siç janë munduar ta paraqesin më vonë komunistët lapsaxhinj por një veprim i qartë politik i planifikuar dhe i ideuar në zyrat e Tiranës dhe Beogradit.Në krye të këtij veprimi luftarak aventuror dhe makabër,klika e Tiranës vendosi Mehmet Shehun i cili edhe gjatë viteve 1942-1944,ishte dalluar në strukturimin e veprave të tilla kriminale.Në krye të këtij operacioni,në funksionin e gjeneral-kolonelit,Mehmet Shehu i mbushi radhët e nacionalçlirimtarëve me djem të rinj nga Jugu i Shqipërisë,i armatosi ata deri në dhëmbë duke propaganduar se do të luftohej dhëm për dhëmbe me bandat e „reaksionit“.Në fakt,urdhërat që ai i pat lëshuar,nuk kishin të bënin aspak me „reaksionin“ por me vetë popullin i cili po binte tashmë nga shiu në breshër.Në një prej këtyre urdhërave zbulohet qartë terrorizmi i klikës komuniste të Tiranës,në gjoja aksionin për grumbullimin e armëve.U kërkohej me çdo kusht arma shqiptarëve të trevave veriore të cilët e patën nder ta kishin ate të varur në mure të kullës,ç’prej kohëve të Skenderbuet.Goditej në këtë mënyrë,ballazi,dinjiteti aq shumë i vyer i shqiptarit.Ja ç’thotë më konkretisht urdhëri i Mehmet Shehut,këtij bollsheviku të vendosur për luftë vëllavrasëse,dërguar komandantëve të brigadave nacionalçlirimtare që vepronin në veri të Shqipërisë: „Nëse ndonjëri e fsheh armën,apo në vend të dy armëve dorëzon vetëm njërën,ndaj këtyre të merren masa më ekstreme,duke i pushkatuar edhe pa gjyq.Reaksionarët që kapen me armë ose pa armë,të pushkatohen menjëherë pa gjyq.Dezertorët në radhët e luftës antifashiste nacionalçlirimtare të paralajmërohen që të kthehen nëpër formacionet që kanë qenë,duke iu dhënë një afat të shkurtër.Më pas,të ziren dhe të pushkatohen në vend pa gjyq.Reaksioni pa përjashtim të asgjësohet fizikisht.Populli të mobilizohet me detyrim“.

(Arkivi Qendror i ushtrisë-Tiranë.Fondi i korporatës së Tretë dosja 10 , fleta 19 ).

Pas këtij urdhëri dhe të tjerave me radhë,shqiptarët e këtyre trevave të veriut e kuptuan se nuk kishin të bënin me vëllezërit e tyre të një gjaku,por me një kope ujqish që veç gjak kërkonin.Kësisoj,revoltat do të shpërthenin njëra pas tjetrës dhe ku më pak e ku më shumë,ato do të tregonin se populli martir do të luftonte kundër komunizmit ashtu siç pat luftuar pak më parë,kundër fashizmit.Kjo ishte dhe mbeti kurdoherë në logjikën e ftohtë të shqiptarëve të cilët patën ëndërruar që kur luftonin me Skënderbeun,të ishin në anën e popujve të Evropës së qytetëruar të perëndimit.

Në nëndorin e vitit 1944,revoltat filluan në Mat dhe Mirditë.Kjo ngase nacionalçlirimtarët,në përpjekjet për të vendosur pushtetin e tyre nëpërmjet këshillave,pushkatuan pa gjyq qindra nacionalistë apo simpatizantë të Monarkisë.Valë-valë,këto revolta shkuan deri në Shkodër e Peshkopi,të udhëhequra tanimë prej burrave të shqyar të atyre trevave.Malësia e Shkodrës kish dhënë prej kohe kushtrimin dhe çetat e guerilëve nacionalistë po mbusheshin plot djem e burra që nuk donin të dëgjonin as emrin e komunizmit.Tamara,ka qenë vendi i parë i revoltave antikomuniste.Më pas disa beteja u ndezën në Vukel për të ardhur në malësitë e Kelemendit.Këtu duhet thënë se kelemendasit patën rregulluar fort bukur pozicionet luftarake,për t’u ndeshur me „nacionalçlirimtarët“ e Mehmet Shehut.Ata i bënë thirrje t’i udhëhiqte trimi Preng Cali i cili pat luftuar vite me radhë kundra hordhive serbe,mandej ish plagosur dy herë në luftë me ta.“Preng Cali ka shkuar aty me një grusht trimash të vet dhe ka parë pozicionet.Por është menduar thellë burri,duke pirë duhan me çibuk.S’e ka dashur askurrë këtë luftë,vëlla me vëlla për hir të ideve“.

Për më tej,dy tri herë ai ishte thirrur nga komunistët të cilët i patën premtuar boll grada e hierarki ushtarake,nëse do të virej në shërbim të nacionalçlirimtarëve.Por Preng Cali se ka pranuar këtë ofertë.Ai pat shkuar në kullë të tij e tash që e thirën malësorët e Kelemendit,nuk mund të rrinte.Por bashkëluftëtarëve të vet u ka thënë ;“Na do t’i bëjmë komunistëve nëse ata vijnë me flamur të Rusisë“.Mehmet Shehu,duke dashur të bënte sa ma shumë malsorë për vete,dha urdhër të mos marrshohej me flamurin me yll,ngase e dinte karakterin e kelmendasve.Ai mundi të fuste një brigadë nacionalçlirimtare deri në pyjet e thella të Kelmendit,ngase atdhetari Preng Cali pat urdhëruar që të mos hapej zjarr kundra vëllezërve të një gjaku.Sigurisht që Mehmet Shehu e ka kuptuar këtë besë shqiptari dhe e fton kreshnikun Preng Cali, në shtabin partizan në Rrafsh të Hotit. Mes tyre dhe malësorit trim e bujar shpërthejn replikat.Kur Shehu e sheh se e ka të kotë bisedën,përfundon me fjalët: „E Preng Cali,të pat ardhur dita të mbyllësh historinë tënde me shkronja ari,po të ishe bërë me ne.Pse e bëre kështu ? Zotni,ju përgjigj preng Cali,faji bie mbi ju, se ju u bëtë aleat me armikun shekullor tonin,serbin“.( Gazeta „Rilindja Demokratike“ 7-IX-1995 ).

Prej atij momenti,Preng Cali nuk hoqi pushkën nga dora.Tashmë çeta e tij arrinte deri në 300 guerrill të armatosur,të vendosur deri në fund të luftojnë kundër komunizmit.Preng Cali bashkëpunon me Muharrem Bajaraktarin,Mark Gjonmarkën,Mark Lukën,Kol Gjon Bajaraktarin dhe Gjok Marashin.Ai do të jetë jo vetëm organizator i aftë por edhe trim i rrallë.Në disa luftime sporadike,ndaj nacionalçlirimtarëve,zinte për vete pozicionin më të rrezikshëm duke qenë shumë afër vdekjes.Por plumbi nuk e kapte.Ka qenë kjo arsyeja që shtabi i Lartë i Ushtrisë Nacionalçlirimtare,prej kohësh pat vënë rreth 200-300 partizanë që ndiqnin veprimet e Preng Calit.Por ngase njihte mirë terrenin,Prenga u pat shpëtuar goditjeve.Për më tej,vetë Enver Hoxha ( i ushtur nga beogradi sigurisht) me dorën e vet firmos një urdhër ku pos të tjerave thotë : „ Të goditen në mënyrë të menjëhershme dhe të asgjësohen plotësisht forcat e Preng Calit, ç’do rezistencë e popullit të Vermoshit dhe zonave për rreth tij,duhet ti përgjigjemi me gjithë forcat tona“. (Arkivi Qendror i Ushtrisë – Tiranë.Fondi i komandës së Përgjithshme, Dosja Nr.1,fl.13,dt.18-1-1945)

Pushkatimi i disa muaj më pas i Preng Calit prej komunistëve,nuk zbehu revoltën popullore antikomuniste të trevave të veriut shqiptar,për të ardhur tek Postriba martire.

E vërteta është se kryengritja antikomuniste e Postribës (4-5 kilometra në verilindje të qytetit të Shkodrës) pati një inicim prej intelektualëve nacionalistë të këtij qyteti.Burime të arkivave i bëjnë me dije se atdhetarët Jup Kazazi,Riza Dani,Muzafer Pipa,Gjergj Vata,Paulin Pali,ç’prej kohe ishin organizuar për t’u paraprirë revoltave popullore antikomuniste.Për më tej,shumë prej këtyre nacionalsitëve,patën përgaditur edhe platformën konkrete për veprimtarinë antikomuniste.Anipse në vitet 1945,në Shkodër e rrethina,mësyjnë mijëra nacionalçlirimtarë,popullsia martire e Veriut shqiptar nuk e uli kokën të pajtohej me trillet e fatit.Mbi njëzetë çeta të armatosura të guerilëve shqiptarë vepronin në fillim të vitit 1946,dhe në luftë kundra tyre ishin vënë gati 8 mijë nacionalçlirimtarë.Ka qenë shumë e njohur fakti se me ndihmën e Koçi Xoxes (agjend jugosllav) në pikat kyçe të sigurimit të shtetit shqiptar të asaj kohe,vepronin agjentë të zbulimeve sllave.Këta , ndonëse kanë vepruar në mënyrë tejet të fshehtë,sigurisht që kanë qenë nxitësit kryesorë të dhunës ndaj veriut shqiptar i cili pat qenë kurdoherë në gjendje lufte me Serbinë.Në fillim të korrikut të vitit 1946,disa atdhetarë Shkodran,duke parë se komunizmi nuk mund të goditej vetëm me parulla e takime të fshehta,aq më tepër,të zhgënjyer edhe prej qëndrimet të ftohtë të angloamerikanëve, vendosën të organizojnë kryengritje të armatosur kundër komunizmit.E vërteta është se takimi i këtyre nacionalistëve u bë në mënyrë tejet të fshehtë,në shtëpinë e Cin Serreqit.Por nisma ishte e atdhetarit të shquar shkodran Riza Dani.Ky burrë i mençur e trim,asaj kohe ishte zgjedhur deputet i Shkodrës.Por shpejt u zhgënjye nga parlamenti shqiptar,kur pa se në ate tempull të shenjtë të besimit,askush nuk mendonte për të mirën e popullit , por përkundrazi për ideologjinë sllave të cilat çdo ditë e më shumë binin pedrejtësisht mbi kurriz të popullit.Riza Dani kish mbajtur disa fjalime të ashpra në parlamentin shqiptar të mbushur deng me bollshevikë.Askush se kish dëgjuar ate,përkundrazi kishin filluar ta shihnin si reaksionar që „mbron interesat e borgjezisë shqiptare“.Në shtëpinë e Cin Serreqit,në tubimin e dhjetra burrave,Riza Dani bëri thirrje për kryengritje në Shkodër me ç’rast revolta mund të përfshinte krejt veriun dhe më tej,krejt Shqipërinë.Përveç intelektualëve nacionalist,në këtë tubim merrnin pjesë edhe disa priftërinj katolikë,të vendosur në bindjet e tyre antikomuniste.Ata ishin plotësisht të një mendjeje me planin e kryengritësve.U vendos pikërisht aty,në mënyrë unanime që data e kryngritjes të ishte pikërisht 16 shtatori.

Sigurisht vera e vitit 1946,nuk mund të ishte aq e bukur për popullin e Shkodrës me krejt rrethinat.Në qendër të qytetit,aty ku dikur ndodhej Selia e Kuvendit Franceskan,Mehmet Shehu vendosi burgun dhe hetuesinë së bashku.Mandej kur dhomat e mëdha të Selisë u mbushën plot me të burgosur,prej forcave të sigurimit të fshehtë u muarën edhe disa reparte ushtarake.Shkodra jetonte çdo natë me ankthin se kujt do t’i trokisnin në portë,për ta arrestuar e më pas shumë prej tyre nuk ktheheshin askurrë në vatrat e tyre.Në fund të korrikut 1946,komanda e qarkut të Shkodrës,kërkoi mobilizimin e djemve të rrethinave të Shkodrës,me ç’rast ata do të shkonin të kryenin shërbimin duke ndërtuar rrugë apo tharë këneta.Përballë kësaj gjendjeje,organizatorët e kryengritjes , Jup Kazazi, Riza Dani,Rasim Gjyrezi,Abdulla Kazazi,Gjon Serreqi etj,menduan të shpejtojnë përgaditjen ngase ata djem do t’u duheshin për të mbushur radhët e kryengritësve antikomunistë.Për këtë,në vendin e quajtur Kodër – Boks,në Postribë,organizohet një tjetër tubim.

„Në pasditën e 8 shtatorit 1946,në Kodër-Boks,pranë fushës së vjetër të aeroplanëve,te kratuli i Bajram Rexhepit,krerët e postribës,Osman Haxhia,Abaz Sulejmani,Zyber cafi,Kasëm Rakipi nga Boksi,Jemin Zyberi,Selim Raci,Dervish Nuzi dhe Ismail Duli nga Dragoci,Abdulla Zeiti,Jakup Dani,Muho Fetahi nga Kullaj,Myrto Dani,Ali Brahimi,Metush halili,Ram Fari nga Drishti,Muho Dyl Sul Osja nga Muselimi,Haxhi Tahiri dhe Idriz Tahiri nga Vorfa e Rrashi,si edhe 150 kryengritës të tjerë u mblodhën dhe pas një kuvendi të gjatë të drejtuar nga bajraktari Osman Haxhia,vendosën që sulmi të bëhej të nesërmen në agim të 9 shtatorit,me pjesmarrjen e gjithë burrave të krahinës“.( Uran Butaka – „Rilindja „ faqe 135 ).

Sigurisht,më parë se të organizojë këtë tubim,bajraktari Osman Haxhia,ka biseduar gjatë me Jup Kazasin i cili jetonte ilegal dhe ka marrë prej tij fjalën që të sulmojë në po atë ditë,në anën e kundërt të qytetit për të hutuar sa më shumë nacionalçlirimtarët.Po kështu,ishte biseduar edhe me krerët e tjerë të guerilëve si Pjetër Luli nga Hoti dhe Tish Pashku nga Rragami i Gurrit të Zi.Të nëntë fshatrat e Gurrit të Zi i udhëhiqte trimi Martin Sheldia.

Agu i 9 shtatorit i gjeti luftëtarët antikomunistë në përgaditjet e fundit.Qëllimi i tyre i parë ishte që me sulm të fuqishëm,të goditeshin forcat qeveritare pranë gazermave ushtarake e më pas të sulmohej burgu i qytetit ku ndodheshin djemtë më të mirë të Shkodrës,në duartë e kriminelëve.Në këtë mënyrë,guerilët kryengritës u ndanë në dy grupe për të shfrytëzuar befasinë si element i rëndësishëm i betejave të tilla.Në orën 2 të mëngjezit të kësaj date,pushkët e guerrillëve shqiptarë,shtinë bataret e para kundër forcave të regjimit komunist.Në të vërtetë,akti i madh i kësaj revolte,mund të ketë qenë i pari,në krejt evropën komuniste.Mesazhi i dhënë ishte i qartë,shqiptarët nuk donin komunizmin,ata do ta luftonin ate deri në sakrificën më sublime të tyre.Përgjigjja e komandës ushtarake nacionalçlirimtare ka qenë e menjëhershme.Duke parandjerë rrezikun,ata mundën për pak kohë,të bllokojnë të gjitha udhëkryqet që të çonin në brendësi të qytetit të Shkodrës dhe përforconin me mjete të rënda,burgun e qytetit.Krejt forcat e ashtuquajtura të Divizionit të mbrojtjes së Popullit,të armatosur  deri në dhëmbë,u lëshuan mbi formacionet e guerilëve antikomunistë,madje me britma e të sharra të gjithfarshme.Në ndihmë të tyre,shkuan edhe forcat e shërbimeve sekrete shqiptare të cilat prej muajsh terrorizonin Shkodrën.Në momentet e para të betejës,guerrila antikomuniste arriti të deportojë pothuaj në largësinë 1- 1,5 kilometra nga qyteti i Shkodrës.Ata të stërvitur në sa e sa beteja kundër serbëve,malazezëve,mundën të përparojnë edhe pse toka shqiptare po mbulohej nga gjaku i bijve të saj.Ndër burrat trima,që detyruan tërheqjen dhe fshehjen në bodrume shtëpish të nacionalçlirimtarëve,vlen të përmenden : Haxhi Tahiri,Idriz Tahiri,Tom Gjini,Zyber Hyseni, GjetoZyberi, Jakup Dani,Ymer Beqiri,Abdulla Seiti,Pjetër Luli,Smaijl Duli,Brahim Aliaj,Selim Rraci etj.Duke vikatur e shtënë kundër forcave të regjimit,në fakt këta burra shtinin kundër vet komunizmit bollshevik për të cilin ishin betuar se nuk do ta futnin kurrë në vatrat e tyre.Kur luftimet kishin dy orë që patën filluar,atëherë në drejtim të Shkodrës,u nisën urgjentisht forca të tjera qeveritare të cilat ndodheshin jo shumë larg qytetit.Ata pos të tjerave mundën të bllokojnë Urën në Zall të Kirit duke penguar kështu ardhjen e guerilëve të tjerë nga Guri i Zi.Madje kur panë se në drejtim të urës po afroheshin formacione nacionaliste,ata derdhën mbi ta zjarr e hekur duke vënë në shërbim edhe grykat e armëve artilerike.Zënia e urës në Zall të Kirit, nga forcat komuniste,do të ligështonte së tepërmi prijësat e guerrilëve antikomunist të krahut tjetër ngase u gjendën tashmë mes zjarrit të fuqishëm.Por ata burra e patën dhënë besën njëherë dhe nuk do të mund të ktheheshin më mbrapa.Edhe pse ishin fare pranë qytetit,edhe pse forcat qeveritare shtinin nga bodrumet dhe dritaret e këtyre shtëpive,guerilët shqiptarë nuk shtinë asnjëherë kundër popullsisë së pafajshme e cila jetonte me ankthin e nacionalistëve.Për më tej,kur e panë se po rrethoheshin,këto guerilë nuk rendën të futen në qytet e të fshihen pasi dihej pastaj se çfar do të ushtrohej mbi  qytetarët e pafajshëm Shkodran.Edhe përmes rrebesheve të plumbave,prijësit e guerilëve,udhëheqësit e bajraktarëve,dhanë urdhër për tërheqjen duke mbetur vetë në pozicionet e para të luftimit.Historiografia shqiptare,u ka mjaft borxhe këtyre,prijësave që ranë në fushën e nderit pa iu dridhur qerpiku,mandej të lehtësuar ,se e patën qëlluar me armë komunizmin ortodoks rus në atdhe të vetin.Rasim Koksi dhe Murat Haxhia, e panë se ishte e pamundur tërheqja e tyre.Ata u dhanë urdhër bashkëluftëtarëve të tyre të largohen në fshehtësi dhe vetë nuk i lëshuan pozicionet deri në çastin e fundit.Jup Kazazi,kur shihte se po i rrethoheshin shokët,në krye të 10 burrave,u doli përpara qindra forcave qeveritare dhe vetëm tërheqja e tyre,bëri që të jetojnë edhe disa ditë të tjera. Atdhetari Osman Hyseni plagoset në gjoks dhe plumbat i dalin në shpatull.Kur shokët vrapojnë ta marrin në supe,ai me dashuri i përqafon dhe u tregon se nga duhet të kalojnë.Më tej,për gjysëm ore,mban të gozhduar 10-12 vetë nga forcat qeveritare.Kur ka mbaruar krejt fishekët,ka ndjerë të hidhet përsipër 3-4 nacionalçlirimtarëve.Këta,për ta terrorizuar popullin e marrin trupin e Osman Hysenit,ende pa dhënë shpirt e lidhin pas një makine ushtarake dhe e tërheqin zvarë deri në Postribë.Edhe pse pat dhënë shpirt rrugës, e lënë në qendër të Postribës 3-4 ditë,pa e varrosur.Në një prej telegrameve që komandanti ushtarak i Qarkut të Shkodrës,Musa Daci,i dërgonte ate ditë Tiranës zyrtare,pos të tjerave thuhej ; „Më datën e sotme 9.9.1945,në orën 2/15 minuta të mëngjezit disa forca kriminelësh të ardhur nga ana e Shllakut,goditën rojën e regjimentit në gazermat.Një rresht tjetër goditën rojën e regjimentit në rrugën  Shkodër – Pukë.Nga ana e jonë,një aspirant i rojës u vra dhe dy vetë të regjimentit janë plagosur.Nga ana e tyre mbetën dy të vrarë…“

( Arkivi i Ministrisë së Rendit – Tiranë , Dosja „Postriba „ fleta 64 ).

Në mesditën e po kësaj date,duke parë se ishte e pamundur të çahej dora e hekurt e forcave qeveritare,prijësat e guerilës antikomuniste urdhëruan tërheqjen për në drejtim të fshatrave përreth.Ata u ndoqën disa kilometra prej nacionalçlirimtarëve,me ç’rast dhanë jetën edhe dhjetra luftëtarë të tjerë.Kështu e ka mbyllur si parim kjo tragjedi shqiptare,një prej të shumtave në  historinë e saj. Kryengritja e antikomuniste Postribës,në shtetin amë,është shtypur me zjarr dhe hekur.Klika komuniste e Tiranës ndonëse ato ditë, e ka quajtur këtë betejë,një fitore të madhe , e pat kuptuar në vetvehte se nuk do të kishte të lehtë të sundonte me komunizmin e saj mashtrues,veriun e Shqipërisë.Menjëherë pas kësaj,mbi popullsinë e pafajshme të Shkodrës dhe rrethinave,nisin terrorin dhe dhuna e pashembullt.Por kjo dhunë makabre do të fillonte me kryengritësit.Urgjentisht nga Tirana,po ate ditë mbrrin në Shkodër,major Zoi Themeli,i njohur për grushtat e hekurta që u ka pas dhënë „reaksionarëve“ dhe ballistëve,ata që nuk e donin regjimin gjakatar komunist shqiptar.Në krye të qindra forcave të ashtuquajtura speciale,Zoi Themeli,ka bllokuar menjëherë rugëkalimet e guerilës antikomuniste shqiptare.Të nesërmen,më 10 shtator 1946,në mesditë ata kanë mundur të kapin 12 djem të rinj,që pasi iu mbarua  municioni u dorëzuan të gjallë.Me urdhër të Zoi Themelit,këta djem të rinj e trima,u çuan në Fushë të Shtoit (pranë Qytetit) dhe në mënyrë publike janë pushkatuar pa gjyq,brenda 2 minutave.Pas vrasjes duke hapur një gropë kolektive,i kanë hedhur trupat aty dhe i kanë lënë të pa mbuluara,njëkohësisht duke urdhëruar edhe qytetarët e Shkodrës që askush të mos afrohet pranë tyre.Përmes gjakut që gurgullonte,ashtu me gjymtyrë të coptuara,shkonin drejt pavdeksisë ; Halil Dauti,Ymer Zeneli,Elez Bajrami,Metush Alia,Muhi Fetahu,Brahim Selimi dhe Qazim Roji.Vetëm pas 48 orëve,Shkodranët bujarë kanë shkuar në Fushë të Stojit dhe i kanë varosur trimat sipas zakonit të tyre.“Të nesërmen,datë 11 shtator e në vazhdim, për javë e për muaj nuk pushoi terrori në fshatrat e Postribës.Komandanti i operacionit Zoi Themeli,me kartabjanke të kryexhelatit Enver Hoxha,vendos në çdo fshat të kësaj krahine,nga një qendër hetuesi-torture!“.( Gazeta „Balli i Kombit „ 7 shtator 1995 ).

Trimin e guerilës shqiptare,Ymer Beqiri nga fshati Boks,forcat qeveritare e kapin pas një rezistence gati prej dy orësh.Prijësin e lidhin me litar dhe 70 nacionalçlirimtarë e shoqërojnë për në Kodër-Boks.Lehtësisht ata mund ta pushkatonin ate,si i pushkatuan qindra burra të tjerë,por masakra e tyre duhej të ishte sa ma e plotë.Ymer Beqiri,pushkatohet brenda në oborr të xhamisë me ç’rast Zoi Themeli e ndyrësirat e tjera,dhunonin këtë vend të shenjtë për t’u treguar shqiptarëve se çfarë tmerresh,mund të prisnin nga ortodoksizmi sllav.Pjetër Shan Deda , (ati i të cilin ka pas përfaqsuar Shkodrën në Lidhjen Shqiptare të Prizërenit)ç’prej 9 shtatorit del në mal.E shoqja Maria,e ka parandjerë dramën ndaj një muzg,ajo do të niset vetë në mal,në bazën ku rrinte Pjetri.Ajo ka dashur të sihte pranë tij,edhe në çastin e mbramë.Në malet e Mazrekut,në një mëngjez të zymtë nëndori të vitit 1946,ata e shohin veten të rrethuar prej qindra forcave komuniste qeveritare.Në krye të çetës së Vogël,Pjetër Shan Deda nis luftën dhe pas disa orësh luftimesh,gjaku i tij,së toku me ate të gruas Maries kanë lagur ndershmërisht tokën arbërore.Në vendin e quajtur Zalli  i Kirit,në hyrje të qytetit të Shkodrës,janë  pushkatuar në ate muaj zie e turpi kombëtar;Cin Serreqi,Kel Coba,Abdulla Kazazi,Murat Haxhi,Nuh Oroshi,Paulin Pali,Gasper Simoni,Rifat Kopliku,Caf Dragusha e dhjetra martirë të tjerë.Askush nuk i gjykoi ata,askush nuk i mbrojti,gjyqet sipas Zoi Themelit dhe klikës së Tiranës komuniste kanë qenë të „tepërt“ për „reaksionarët“.Se çfarë gjendjeje kaosi e terrori,jetonte Shkodra në vjeshtën dhe dimrin e vitit 1945, e mëson pos të tjerave në rrëfimet që ka bërë me ndershmëri,ish shifranti i Komitetit Qendror të PKSH-së.Lidhur me ngjarjet e Postribës,pos të tjerave ai ka deklaruar se ; „Zoi Themeli,Niko Cela e shumë të tjerë,urdhëroheshin nga komiteti Qendror i Partisë,për pushkatime të qytetarëve të ndryshëm.Kjo më linte të kuptoja se këto urdhëra jepeshin nga Partia dhe jo nga gjykatat kompetente… Ndodhte që të nesërmen që ishte dhënë urdhëri për pushkatim,jepej urdhëri tjetër që e anullonte të parin,por ndërkaq viktima mund të ishte egzekutuar.Kjo ka ndodhur shpesh gjatë periudhës që unë punova në këtë detyrë“.( J.Kadesha , rrëfim në gazetën „Rilindja „ më 13 dhjetor 1995 ).

Lisit të nacionalizmit madhështor,gjatë viteve 1943-1945,ia prenë degët.Tashmë,klika komuniste e Tiranës,godiste fort trungun me sopatë për ta shtrirë në tokë ate vigan.Dhe në fakt lisi u end dhe u përkund prej stuhive.Por ai askurrë nuk u rrëzua ngase kish rrënjë të thella në shpirtërat e antikomunistëve shqiptarë.Postriba e vërtetoi plotësisht këtë.

Zvicër-Bern

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: e Postribes, Eugen Shehu, kryengritja e Postribes, Levizja antikomuniste

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT