• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

9 persona të vrarë dhe 21 të arrestuar në Kumanovë ishin nga Kosova

May 19, 2015 by dgreca

Nga Bekim Bislimi/
Bazuar në informatat të cilat deri me tash i kanë institucionet e Kosovës, gjatë përleshjes së armatosur në Kumanovë të Maqedonisë, janë vrarë 9 dhe janë arrestuar 21 shtetas të Kosovës.
Autoritetet e Maqedonisë nuk kanë bashkëpunuar mjaftueshëm lidhur me shkëmbimin e informacioneve, ndërkohë që Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe Policia e Kosovës nuk kanë poseduar asnjë informatë të mëhershme, e cila do të paralajmëronte përleshjen në Kumanovë.
Kështu kanë thënë drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Policisë së Kosovës, në raportimin e tyre para Komisionit parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni ka theksuar se Kosova ka qenë në pozitë të palakmueshme për sa u përket informatave nga Maqedonia dhe se një situatë e tillë po vazhdon ende. Për më tepër, sipas tij, autoritetet e Kosovës nuk kanë mundësi që në mënyrë zyrtare t’i njoftojnë as familjet e personave të vrarë, lidhur me vrasjen e të afërmve të tyre.
“Të vetmet informacione që ne i kemi marrë kanë qenë ato që kanë të bëjnë me verifikimin e identitetit të personave dhe kjo është bërë pas një presioni që ne kemi bërë ndaj autoriteteve maqedonase, pas kërkesave të pareshtura, pothuajse në baza ditore, pas incidentit”.
“Përfundimisht, i kanë dërguar informacionet, shënimet gjenerale, të atyre njerëzve në përgjithësi, të cilat ne, përmes sistemeve tona i kemi verifikuar dhe kanë rezultuar si të tilla”, ka theksuar Maxhuni.
Ai ka shtuar se në bazë të verifikimit të informacioneve që i kanë bërë autoritetet e Kosovës, e të cilat i kanë marrë nga autoritetet maqedonase, rezultojnë të jenë 9 shtetas të Kosovës të vrarë dhe 21 të arrestuar.
Ndryshe, mediet në Kosovë, menjëherë pas ngjarjeve në Kumanovë, patën raportuar se Agjensioni Kosovar i Intelegjencës, paraprakisht e kishte lajmëruar kreun e Kosovës, lidhur me konfliktin e mundshëm në Maqedoni.
Anëtarët e Komisionit parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë insistuar në atë se ka pasur paralajmërime për incidentet e mundshme në Maqedoni dhe kanë shprehur habinë se si nuk janë vërejtur lëvizjet e qytetarëve nga Kosova në Maqedoni.
Ministri i Punëve të Brendshme në qeverinë e Kosovës, Skënder Hyseni, të hënën, e ka mohuar një gjë të tillë.
Ai ka theksuar se as ministria që ai drejton e as policia, nuk kanë pasur asnjë informacion të mëhershëm, që do të shërbente për të tërhequr vëmendjen për ato që më pas kanë ndodhur.
Ministri Hyseni, ka bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar të asaj që ka ndodhur në Kumanovë.
Ajo që ka ndodhur atje është nën përgjegjësinë ekskluzive të autoriteteve të Maqedonisë dhe unë sërish po insistoj – është qëndrim i imi personal në këtë rast- që do të duhej lejuar një hetim ndërkombëtar, kompleks, që të evitohen të gjitha mundësitë e spekulimeve, të natyrës çfarë i kemi parë”, tha ministri Hyseni.
Ai ka shtuar se është i gatshëm ta ndajë me qytetarët e Kosovës çdo informacion të cilin e kanë institucionet e Kosovës dhe sipas tij “Kosova, qeveria dhe institucionet, nuk fshehin asgjë dhe nuk kanë sponsorizuar asgjë.
“Qeveria e Kosovës dhe unë si ministër , insistojmë që krizat qeveritare në një vend fqinj, nuk e kemi ndërmend që t’i importojmë në Kosovë, sepse kjo është e rrezikshme politikisht dhe në mënyrë strategjike e gabueshme”, ka thënë Hyseni.
Por, Aida Dërguti, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje dhe anëtare e Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjensionit Kosovar për Intelegjencë , ka theksuar se menjëherë pas ngjarjeve në Kumanovë, AKI-ja i ka konfirmuar këtij komisioni se me datën 23 shkurt të viti 2015, ‘raporti për këtë grup i është dorëzuar kryeministrit dhe presidentes, ashtu siç e kanë obligim ligjor”.
“Ndërkohë, kanë thënë, gjithashtu, se për ngjarjet. do të thotë, për zhvillimet e mëhershme kanë qenë në dijeni ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Drejtësisë, si dhe drejtori i policisë…. Meqë kryeministri e ka pasur këtë raport, që nga data 23 shkurt, a u është drejtuar juve si ministër i Punëve të Brendshme, që të ndërmerrni diçka në këtë drejtim, për indiciet që i ka ky raport?”, ka pyetur Dërguti, ministrin e Brendshëm, Hysenin.
Ky i fundit ka thënë se është në diskrecionin e plotë të kryeministrit dhe të presidentes, por edhe të një anëtari të komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së, se çfarë ndan me dikë dhe çfarë nuk ndanë.
“Është në të drejtën ekskluzive tuajën por edhe në përgjegjësinë e juaj në këtë rast, si anëtare e komisionit, se çfarë bën publike nga mbledhjet e mbyllura të trajtimit të AKI-së. Aty ju e mbani përgjegjësinë”.
“Pavarësisht nga kjo që thoni se ju kanë thënë juve dhe unë nuk mund ta marr si valide këtë që e thoni, sepse mënyra se si e trajtuat, e keni humbur besueshmërinë time që të besoj në ato që i thoni se Ministria e Punëve të Brendshme ka qenë e njoftuar. Ministria e Punëve të Brendshme as nuk ka pasur raport e as nuk ka pasur asnjë njoftim nga ato që janë dhënë në opinion”, theksoi Hyseni.
Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, të hënën ka thënë se për shkak të shprehjes së shqetësimeve në Kuvend, lidhur me gjendjen shëndetësore të shtetasve të Kosovës të arrestuar në Maqedoni, të ndërlidhur me rastin e Kumanovës, institucionet e Kosovës janë duke tentuar që të aranzhojnë një vizitë të një organizate joqeveritare, për shtetasit e Kosovës të arrestuar në Maqedoni.
“Ne jemi duke tentuar që ta autorizojmë Këshillin për Mbrojtjen e Lirisë dhe të Drejtave të Njeriut, që t’i lejohet që t’i vizitojë të burgosurit atje dhe në të njëjtën kohë të na e sjellë një raport neve, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Keni parasysh se që nga dita e premte – duhet të dihet publikisht – jemi duke pritur një përgjigje zyrtare nga autoritetet maqedonase”, ka theksuar Veseli.
Ai ka shtuar se lidhur me këtë e kanë kontaktuar ambasadorin e Maqedonisë në Prishtinë, por edhe autoritetet e Ministrisë së Drejtësisë të Maqedonisë.

Filed Under: Rajon Tagged With: 21 te arrestuar, 9 kosovare te vrare, Kumanove

VRASJA E KOMANDANTËVE TË UÇK-SË NË KUMANOVË, KRIM KUNDËR NJERËZIMIT

May 15, 2015 by dgreca

VRASJA E KOMANDANTËVE TË UÇK-SË NË KUMANOVË ËSHTË KRIM KUNDËR NJERËZIMIT QË I ÇON IDEATORËT NË HAGË/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Tash Gruevski e ka kuptuar se çfarë i ka bërë vetes. Se nuk do të jetë si herët e tjera. Inskeno vrasje e akuzo shqiptarët. Edhe dorëheqja e treshes – e tre njerëzve më të afërt të Kryeministrit të Maqedonisë, e ministres të Brendshme, Gordana Jankullovska dhe shefit të Shërbimeve Sekrete të Maqedonisë, Sasho Mijallkov, – nuk ka për ta shpëtuar Gruevskin nga Gjykata e Hagës nën akuzën për krime kundër njerëzimit. E kur Gruevski do të shkojë në Hagë, ai nuk do të pyesë më për të tjerët, sipas asaj të njohurës maksimë që e kanë si moto politikanët e Ballkanit, „après moi, le déluge“ se pas Gruevskit „u bëftë qameti“.
Së pari, dua të nënvizoj se shteti i Maqedonisë kreu një masakër, një krim shtetëror, sepse nuk bëri asnjë përpjekje për ta parandaluar konfrontimin dhe nuk njoftoi asnjë institucion ndërkombëtar me të cilët Republika e Maqedonisë mban kontakte permanente, që kur lindi si shtet më 1992, që janë NATO, BE, SHBA, OSBE, zyrat dhe zyrtarët e të cilëve janë në Shkup.
Tani kam përpara syve letrën informuese që Gruevski ua ka dërguar shteteve të Bashkimit Evropian, ku Qeveria e Republikës së Maqedonisë i ka njoftuar ato për rrjedhën e aksionit të armatosur të së shtunës në Kumanovë, ku thuhet se „Maqedonia nuk ishte në përleshje ndëretnike, por në një operacion kundër grupit terrorist“. „Grup terrorist“, kështu e etiketon qeveria e Gruevskit dhe e Ali Ahmetit, për të larë duart për ato gërmadhe dhe jetë të humbura.
Por tash duart e shtetit të Maqedonisë janë të përgjakura me jetë njerëzish dhe për këtë krim përgjegjësit duhet të paguajnë, edhe për policët, edhe për shqiptarët.
Etiketimi i Gruevskit me “grup terrorist” bëhet për të fshehur një krim shtetëror terrorist, siç është vrasja e njerëzve të pafajshëm, deri sa kundër tyre nuk vërtetohet asnjë akuzë.
Sepse deri sa u krye i shtuquajturi konfrontim, qeveria e Maqedonisë nuk ka patur në evidence asnjë krim terrorist të atyre djemve e burrave. Tash rezultojnë të vrarë Komandantët UÇK-së dhe policët, që sipas Gruevskit u vranë nga Komandantëve të UÇK-së! Logjikë të tillë kriminale ka vetëm Koreja e Veriut që udhëhiqet nga një xhuxh-barbar si Kim Jong-uni.
Aktorët kryesorë politikë shqiptarë në Maqedoni kanë konfirmuar se ata prej një viti kanë patur informacione dhe kontakte me personat që sot rezultojnë të përfshirë në përplasjen, po përse Ali Ahmeti dhe njerëzit e tij nuk kanë njoftuar SHBA dhe BE.
Po shteti i Maqedonisë vetë përse nuk mori masa parandaluese dhe përse e toleroi zbarkimin e një arsenali të vërtetë armatimi lufte në Lagjen e Trimave, përse nuk e ndali sjelljen e këtij arsenali nga burimi ose rrugës për të evituar një luftë me pasoja tragjike.
Ata njerëz të vrarë barbarisht të shtunën në mesnatë, siç pohon vetë Ali Ahmeti, kanë luftuar bashkë me të në konfliktin e 2001, që solli Marrëveshjen e Ohrit, e cila ka mbetur e paimplementuar dhe për këtë gjë ka përgjegjësi direkte vetë Ali Ahmeti, i cili prej 2001, pra për gati 15 vjet është në bashkëqeverisje me qeveritë e Maqedonisë. Duket sikur Marrëveshja e Ohrit u bë vetëm që Ali Ahmeti dhe klani apo partia e tij të përfitojnë privilegje, ndërsa shqiptarët e tjerë të vijojnë kalvarin e segregacionit dhe aparteidid antishqiptar.
Në letrën informuese dërguar shumë vonë shteteve të BE, të publikuar tek KD në Prishtinë thuhet se „Liderët kryesorë të këtij grupi, sipas Qeverisë maqedonase, janë: Muhamed Krasniqi, shtetas i Kosovës, i njohur si “Komandant Malisheva”; Mirsad Ndrecaj, shtetas i Kosovës, i njohur si “Komandant NATO”; Sami Ukshini, shtetas i Kosovës, i njohur si “Komandant Sokoli”; Beg Rizaj, shtetas i Kosovës, i njohur si “Komandant Begu” dhe Demë Shehu, shtetas i Kosovës, i njohur si “Juniku”. Liderët, sipas letrës, figurojnë si themelues të strukturave paramilitare dhe kanë pasur tentativa të pasuksesshme për të siguruar mbështetje politike.“
Them shumë vonë, sepse kur qeveria e Maqedonisë ka dalë me konkluzione të tilla, se ka të bëjë me organizatorë strukturash paramilitare, e përse nuk i ka paraqitur me kohë këto prova tek partnerët strategjikë të Maqedonisë, që duhet të jenë BE, NATO, SHBA dhe OSBE?
Përse priti makineria ushtarake e shtetit të Maqedonisë të dërgojë blinda e tanke tek Lagjia e Trimave për të djegur e kthyer shtëpitë e civilëve në gërmadhë dhe nuk i neutralizoi ata njerëz duke i çuar në kohen e duhur përpara drejtësisë. Ose më mirë, kur ka patur prova kundër Komandantëve të UÇK-së si të përfshirë në grupe paramilitare përse nuk i paraqiti këto prova në NATO dhe përse nuk ua paraqiti qeverive përgjegjëse të Hashim Thaçit e Isa Mustafës?
Tani thuhet se Mirsad Ndrecaj, i njohur si “Komandant NATO” apo Beg Rizaj, i njohur “Komandant Begu” kanë patur lidhje me Ramush Haradinajn. Por ky fakt nuk përbën as krim dhe as terror, veç shpreh frikën e politikanëve shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë, që duan të përjetësojnë mbajtjen e pushtetit, duke eleminuar çdo kundërshtar që për ta përbën rrezik. Dhe këtu është tejkaluar çdo limit. Këtu ka arritur kulmi. Sepse sapo është ngritur sipari i riciklimit të krimeve politike, duke u kthyer në vitin 1998 e përtej kur krimet politike kanë mbetur ende të pazbardhura.
Si konkluzion, deri tani nuk ka asnjë provë që Mirsad Ndrecaj,“Komandant NATO” apo Beg Rizaj, “Komandant Bega” apo Komandantët e tjerë të vrarë, të jenë përfshirë në aktivitete terroriste, veç faktit se këta djem kanë luftuar në konfliktin e Maqedonisë më 2001 në krah të Ali Ahmetit për të çliruar Maqedoninë nga një regjim kriminal që i konsideronte shqiptarët si skllevër. Regjimi i Gruevskit bën të njëjtën gjë, edhe ai i konsideron shqiptarët të tepërt, „mish për top” dhe i djeg e i vret kur t’i shkrepet. Duke patur në krah për absurd kësaj here Ali Ahmetin.
Sepse, nëse shteti i Maqedonisë do të kishte prova kundër Komandantëve të UÇK-së, siç pretendon, këto prova do të duhej të ishin formuluar në akuza për hetim dhe asessi të përdoreshin që këta njerëz të eleminoheshin barbarisht pa gjyq me një skenar të përkryer permes terrorit shtetoror.
Unë do të hipotezoja se skenari ka qenë i tillë që të vriteshin nga shteti i Maqedonisë ata që janë vrarë, duke krijuar pastaj një tymnajë të madhe. Vrasja e policëve, që edhe ata janë viktimë, është pjesë e inskenimit por nuk është assesi kurrë akuzë për t’i shpallur terroristë ata që i vrau terrori i shtetit të Gruevskit dhe atyre që janë aleatë me të.
Komandantët e vrarë të UÇK-së, që Gruevski i akuzon të vderkur si terroristë, janë ata që do ta çojnë Gruevskin në Hagë si terrorist!

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Hage, Krim, Kumanove, Vrasja e Koamndanteve

NGJARJET NE KUMANOVE- REAGON KOMUNITETI SHQIPTAR NE ILLINOIS

May 13, 2015 by dgreca

REAGIM NGA KOMUNITETI SHQIPTARO AMERIKAN NË ILLINOIS RRETH SITUATES SË SHQIPTARËVE NË KUMANOVË, MAQEDONI/
Kryesia e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në Illinois, me seli në Chicago, në mbeledhjen e vet të mbajtur me 11 Maj, 2015, lidhur me situatën në Kumamovë, lëshon ketë:/
DEKLARATË/
Kryesis e ketij komuniteti bashkë me anetaresinë e gjerë, solidarizohet tërësisht me popullin shqiptar të Lagjës së Trimave si dhe me tërë banorët e terrorizuar ne Kumanove nga ana e qeverise se Maqedonise.
Në të njejtën kohë Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois me seli në Chicago kërkon doreheqjen e tërë qeverisë Grujevski, e cila terrorizon qytetarët e saj dhe e ka sjellur vendin në këtë gjendje të mjerueshme.
Ky komunitet gjithashtu kërkon nga dy shtetet shqiptare reagime të ashpra diplomatike lidhur me situatën në Kumanovë. Ky komunitet e ka humbur besimin në organet hetuese të qeverisë Grujevski , prandaj kërkon me këmbengulje invalvimin e organeve ndërkombëtare të hetuesisë.
Komuniteti Shqiptaro-Amerikan i bashkangjitet kërkesës së Ligës Qytetare të DioGuardit për shkarkimin e zv/ministrit të punëve të Jashtme të Kosovës Petrit Selimi, i cili në mënyrë adoleshenti ka ofenduar figurën e Zt. DioGuardi.
Dhe në fund, ky komunitet, është krejtesisht i zhgënjyer me liderët politikë të trojeve shqiptare në Ballkan, prandaj edhe mendon se të njejtit për një kohë nuk do të jenë të mirëpritur nga Komuniteti Shqiptar në Illinois.
Kryesia e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në Illinois.
Maj 12, 2015

Filed Under: Komunitet Tagged With: Kumanove, ne illinois, reagon komuniteti shqiptar

KUMANOVË, KALLXOMË NË BESË TË ZOTIT..

May 11, 2015 by dgreca

Ramiz LUSHAJ/
1./
Kumanovë dardane e shqiptarit rrënjas,/
Leka i Madh:/
Sot a linde Adem Jasharë…?/
Apo i kie në genet e gjakut,/
Në istikame brigjeve të Vardarit./
Në Lagjen e Trimave,/
Në kokrrën e shkreptimave…/

Kumanovë, kallxomë në Besë të Zotit,/
Kush u kallë në flakë/
Kush mori plagë/
Në kit’ 9 maj, në ditë të sodit?!/
Europa e Bashkuar…?!/
Marrëveshja e Ohrit…?/
Andrra Shqiptare e Bashkimit…?!/
Rrgallja e Maqedonisë drejt shkatërrrimit…?!

2.
Kumanova dardane e Gjergj Kastriotit:
Nuk po të shoh nga tymi i barotit
Nga pika e lotit.

E bana fjalën time shigjetë e hark’për sllavët
A të duhet me të derdh gjak në prag…
Me i mbrojt tokat, djepet, plagët, varret…
Vij aty, si dikur të parët e mi:
Në Shtimje, Slivovë, Karadak.

Sot po i flas në gjunjë lutjeje,
Me fjalë gjaku…
Ashtit të trollit,
Palcës së kombit,
Mos ia ktheni Kumanovës shpinën
Si ,dikur, në Shkupin kryengritës, Hasan Prishtinës.

Vlora e Flamurit Kombëtar Shqiptar,
Pa Kumanovë, Preshevë, Podgoricë, Rrozhajë…
Gjithnji do të ketë 2015,
Gjithnji do të ketë 9 Maj…

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: KALLXOMË, Kumanove, NË BESË TË ZOTIT, Ramiz Lushaj

Kumanove, 22 të vdekur pas përleshjeve të armatosura

May 10, 2015 by dgreca

SHKUP, 10 maj /ATSH-AFP/ – Përleshjet e armatosura dje dhe sot në veri të Maqedonisë, në Kumanovë në kufi me Kosovën, kanë shkaktuar 22 të vdekur, tetë prej të cilëve policë dhe 14 anëtarë të një grupi të armatosur, theksoi policia.“Tetë policë janë vrarë dhe 37 të tjerë janë plagosur”, deklaroi për shtypin një zëdhënës i policisë, Ivo Kotevski duke shtuar se operacioni ishte drejt fundit.“Nga ana tjetër, 14 trupa të veshur me uniformë u gjendën në vend”, shtoi ai duke konfirmuar se anëtarët e grupit të armatosur ishin pjesë e një grupi terrorist prej 30 personash.(Sipas Agjensise Telegrafike Shqiptare)

Filed Under: Kronike Tagged With: 22 të vdekur pas përleshjeve, Kumanove, të armatosura

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT