• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUSHTETUSJA, IKEN KURTI, VJEN HOTI

May 28, 2020 by dgreca

Gjykata Kushtetuese pajtohet me dekretin e Thaçit, rrëzohte ligjërisht Qeveria e Kryemnistrit Kurti

Nga Shkelqim Hysenaj*

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka thënë se dekreti i presidentit Hashim Thaçi, për ta mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për postin e kryeministrit, është në përputhje me Kushtetutën dhe se mocioni i mosbesimit ndaj në qeverie në kuvend nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të kuvendit.

Në vendim e Gjykatës Kushtetuese thuhet:

Gjykata vendosi që dekreti i kontestuar i presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e kuvendit] të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të kuvendit ndaj qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të kuvendit dhe mundëson formimin e një qeverie të re në pajtim me nenin 95 [Zgjedhja e qeverisë] të Kushtetutës”, thuhet në vendim.

Gjykata ka sqaruar se kur një qeveri nuk i mbijeton një mocioni mosbesimi në kuvend dhe partia fituese e zgjedhjeve, por nëse kjo parti dështon të mandatojë një kandidatë për kryeministër, atëherë e drejta i kalon një partie tjetër.

“Në të gjitha rastet kur dorëheqja e kryeministrit apo mbetja e postit përkatës i lirë për arsye tjera, ka rezultuar në rënien e qeverisë edhe kur dorëheqja e qeverisë është rezultat i një mocioni të suksesshëm mosbesimi, me kushtin që pas këtij mocioni nuk ka pasuar shpërndarja e kuvendit sipas parimeve të sqaruara më lart, aktivizohet paragrafi 5 i nenit 95 të Kushtetutës, i cili detyron presidentin për të mandatuar kandidatin e ri për kryeministër”.

“Partia politike ose koalicioni i cili e ka të drejtën e parë të propozimit të mandatarit për Kryeministër dhe formimit të qeverisë është sërish partia politike ose koalicioni fitues. Për formimin e kësaj qeverie duhet të ndiqet procedura e përcaktuar përmes paragrafit 2 dhe 3 të nenit 95 të Kushtetutës, ndërsa, dështimi i marrjes së votave të nevojshme në kuvend apo refuzimi i këtij mandati, kalon të drejtën e formimit të qeverisë te një parti politike ose koalicion që mund të ketë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë”, thuhet në vendimin e Kushtetueses. 

Ky vendim i Kushtetueses vjen pasi më 30 prill, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mandatoi Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për postin e kryeministrit të Kosovës.

Atëbotë, Thaçi tha se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, 2019, nuk e kishte shfrytëzuar mundësinë e saj kushtetuese për propozimin e mandatarit, kështu që këtë të drejtë ia kaloi LDK-së, partisë së dytë të dalë në zgjedhjet e tetorit.

Po të njëjtën ditë, Lëvizja Vetëvendosje iu drejtua Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar nga ky institucion vlerësim mbi kushtetutshmërinë e dekretit të Thaçit për Hotin.

Pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri tashmë në detyrë, Albin Kurti, partnerja e koalicionit, LDK-ja, nisi bisedimet për krijimin e një koalicioni të ri qeverisës me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe dhe partitë e tjera të komuniteteve joshumicë.

LDK-ja madje ka përpiluar programin qeverisës dhe e ka bërë publik atë para Grupit të saj Parlamentar, para se Gjykata Kushtetuese të vendoste rreth çështjes së formimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti insiston në mbajtjen e zgjedhjeve pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit dhe LDK-ja shprehet se vendi nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje, por të qeveriste nga një ekzekutiv i ri, me fuqi të plota kushtetuese.

 

Presioni mbi Gjykatën Kushtetuese

Që nga dita kur u rrëzua qeveria, u ashpërsua gjuha politike në Kosovë, kryesisht mes presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Derisa pritej vendimi i Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Thaçi për të mandatar Avdullah Hotin e LDK-së, shpeshherë ashpërsimi i gjuhës dhe kundërshtimeve u interpretua si presion mbi Gjykatën Kushtetuese

Më 1 maj, Gjykata Kushtetuese pezulloi përkohësisht zbatimin e dekretit të Thaçit për qeverinë e re deri më 29 maj.

Më 19 maj përmes një reagimi, Gjykata Kushtetuese tha se diskursi publik kërcënues i përdorur nga presidenti dhe kryeministri në detyrë ka për qëllim ndikimin apo paragjykimin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dekretit të Presidentit për caktimin e mandatarit për krijimin e Qeverisë së re.

“Gjykata Kushtetuese e dënon ashpër këtë ndërhyrje në pavarësinë e vet institucionale, si dhe përpjekjen e akterëve politikë dhe institucionalë për të përfshirë Gjykatën Kushtetuese në debate politike ditore”, u tha në reagimin e Gjykatës Kushtetuese.

Më 13 maj Vetëvendosje organizoi një aktivitet të cilin aktivistë të saj e quajtën “provë për protestë”. 

Në kohën sa vendi po përballej me masa të rrepta për kufizimin e lirisë së lëvizjes së qytetarëve shkaku i pandemisë së koronavirusit të ri, rreth 500 persona morën pjesë në këtë aktivitet.

Partitë politike e quajtën këtë organizim si presion mbi Gjykatën Kushtetuese lidhur me çështjen delikate që po trajtonte sa i takon mandatarit të ri për formimin e qeverisë.

Respektimi i vendimit

Gjatë kohës sa Gjykata Kushtetuese po trajtonte këtë lëndë, partitë politike kanë folur për respektimin e vendimit të Kushtetueses.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se do të respektojë vendimin që Kushtetuesja nxjerrë për dekretin e tij për t’ia dhënë mandatin partisë së dytë, LDK-së.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar vazhdimisht se pret nga Gjykata Kushtetuese që të bëjë intepretimin e Kushtetutës dhe jo, siç është shprehur ai, shkrimin e saj.

Edhe LDK-ja që priste vendimin e Gjykatës Kushtetuese për formimin e qeverisë së re, është deklaruar se do të respektojë çfarëdo vendimi që nxjerr ky institucion.

Thirrje për respektim të vendimit kanë bërë edhe vendet e Quint-it.

Çka ndodhi me qeverinë?

Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve pas shumë javësh negociata arriti marrëveshje për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës në fillim të muajit shkurt.

Por, koalicioni mes këtyre dy subjekteve politike zgjati vetëm 45 ditë.

Që nga ditët e para të bashkëqeverisjes u shfaqën mospajtime.

Heqja e tarifës për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, e që ishte kërkesë amerikane, ndau në dysh koalicionin qeverisës.

Vendimi final për tërheqje të LDK-së nga koalicioni me Vetëvendosjen u morr pasi kryeministri Albin Kurti, shkarkoi nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme Agim Veliun, një prej figurave kyçe të LDK-së.

Pas këtij vendimi LDK-ja mblodhi nënshkrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme ku do të votohej mocion mosbesimi për qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.

Më 25 mars, me shumicë votash, Kuvendi i Kosovës rrëzoi qeverinë.

Që nga ajo ditë Kosova vazhdon të udhëhiqet nga një qeveri në detyrë, në kuadër të së cilës, vazhduan punën edhe ministrat e LDK-së.

  • Kortezi Evropa e Lire

Filed Under: Analiza Tagged With: IKEN KURTI, Kushtetusja, VJEN HOTI

DEKRETIN E PRESIDENTIT THAÇI E PEZULLON KUSHTETUESJA, KUVENDI NUK MBLIDHET PËR QEVERI TË RE

May 1, 2020 by dgreca

-Gjykata Kushtetuese e Kosovës sot mori vendim për ta vendosur masën e përkohshme ndaj dekretit të Presidentit për mandatarin e ri të qeverisë së vendit, deri në një vendim meritor/

– LDK: RESPEKTOJMË NË TËRËSI VENDIMITM E GJYKATËS KUSHTETUESE

 PRISHTINË, 1 Maj  2020-Gazeta DIELLI/ Gjykata Kushtetuese e Kosovës  sot në mbrëmje njoftoi se ka vendosur masë të përkohshme deri në 29 Maj 2020 duke pezulluar deri në një vendim të plotë dekretin e djeshëm të presidentit të Republikës Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër të qeverisë së re.

Pas këtij vendimi të Kushtetutës, nuk do mbahet nesër seanca e jashtëzakonshme për votimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Dje u njoftua se Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Kuvend kërkesën me 61 nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme për të shtunën e 2 Majit, në ora 13:00, ku pikë e rendit të ditës do të ishte zgjedhja e Qeverisë së re Kosovës.

GJYKATA KUSHTETUESE E KOSOVËS – VENDIM NGA SEANCA SHQYRTUESE E MBAJTUR MË 1 MAJ 2020:

1. Vendim për masë të përkohshme
Lënda: KO 72/20
Parashtrues: Rexhep Selimi dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës

Objekti i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, i datës 30 prill 2020, me të cilin  z. Avdullah Hoti, i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës si kandidat për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës. Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se Dekreti nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e qeverisjes dhe ndarja e pushtetit], paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit], paragrafin 14 të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit], si dhe me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Parashtruesit e kërkesës kërkuan nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë edhe masë të përkohshme mbi Dekretin, “në mënyrë që të parandalohen dëmet e pariparueshme për palën dhe institucionin”. Më 1 maj 2020, brenda afatit të përcaktuar, Gjykata ka pranuar komente lidhur me masën e përkohshme nga palët në vijim: Presidenti i Republikës së Kosovës, Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës në detyrë, Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Arban Abrashi dhe deputeti Shkëmb Manaj.
Kërkesa bazohej në nenin 113, paragrafi 2, nën-paragrafi 1 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 29 [Saktësimi i kërkesës] dhe 30 [Afatet] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullat 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] dhe 67 [Kërkesa në pajtim me nenin 113.2 (1) dhe (2) të Kushtetutës dhe neneve 29 dhe 30 të Ligjit] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në mbështetje të nenit 116.2 të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe të rregullit 57 të Rregullores së punës, më 1 maj 2020, me shumicë votash, vendosi:

I. TË MIRATOJË masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 29 maj 2020, nga data e nxjerrjes së këtij Vendimi;
II. TË PEZULLOJË MENJËHERË zbatimin e Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, në kohëzgjatje të përcaktuar në pikën I të këtij dispozitivi;

Gjykata, pa paragjykim ndaj pranueshmërisë ose meritave të kërkesës, ka përfunduar se kërkesa e parashtruesve për masë të përkohshme përkitazi me Dekretin e kontestuar të Presidentit duhet të miratohet si e bazuar.

PRESIDENTI THAÇI: DO TA RESPEKTOJ NË PLOTËNI VENDIMIN E KUSHTETUESES

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi:

Sapo u njoftova për vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Si President i Republikës së Kosovës do ta respektoj në plotëni këtë vendim. Kosova ka tashmë një përvojë të çmueshme në respektimin e të gjitha vendimeve dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo përvojë është një dëshmi e fuqishme e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

Si President i Republikës së Kosovës i ftoj të gjithë politikanët dhe subjektet politike në vend, që të sillen me maturi në respektim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. 

DEKLARATË E KRYETARES SË KUVENDIT TË KOSOVËS, DR. VJOSA OSMANI-SADRIU:

Sot Gjykata Kushtetuese mori vendim për ta vendosur masën e përkohshme ndaj dekretit të Presidentit për mandatarin e ri të qeverisë së vendit, deri në një vendim meritor.

E vlerësoj lart faktin që Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta trajtojë këtë çështje, megjithëse ditë feste, në mënyrë që të mbrohet integriteti institucional në rrethanat e krijuara.

Në funksion të kësaj, unë i kam drejtuar sot Gjykatës Kushtetuese komente (në afatin që ishte caktuar nga ana e Gjykatës), me të cilat kam arsyetuar pse vendosja e masës së përkohshme është e nevojshme, pa paragjykuar vendimin final të Gjykatës për pjesën meritore të rastit. Në këto komente kam sqaruar se “vendosja e masës së përkohshme mbi ekzekutimin ose ndërmarrjen e veprimeve që rrjedhin nga dekreti është po ashtu e domosdoshme për shkak se vetëm në këtë mënyrë do të garantohet që Kuvendi i Kosovës, si institucioni më i lartë në sistemin tone politik, nuk do të marrë vendime që mund të rezultojnë kundërkushtetuese, e që për pasojë do të dëmtonin rëndë besimin e publikut dhe vetë integritetin e këtij institucioni. Në këtë mënyrë, përveç se është në përputhje të plotë me interesin publik, vendosja e masës do të parandalojë shkaktimin e një dëmi të pariparueshëm në kuptim të funksionimit kushtetues dhe ligjor të institucioneve më të larta kushtetuese në vend.”

Si kryetare e Kuvendit të Kosovës dhe njeri i që respekton gjithnjë vendimet e institucioneve të pavarura, do të kujdesem që Kuvendi t’i ndërmarrë të gjithë hapat në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe i ftoj të gjithë udhëheqësit politikë e institucionalë që t’i respektojnë vendimet e kësaj gjykate, pavarësisht nëse pajtohen me to ose jo. ​

PËRGJIGJA E KRYEMINISTRIT NË DETYRË KURTI MBI MASËN E PËRKOHSHME TË KËRKUAR

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese përgjigjen në emër të Qeverisë në lidhje me kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme ndaj dekretit të Presidentit Nr. 24/2020 të datës 30.04.2020.

Qeveria mbështeti kërkesën e deputetëve për vendosjen e masës së përkohshme dhe vlerësoi vendimin e Gjykatës për aprovimin e kërkesës së tyre për pezullimin e dekretit të Presidentit, sepse parashtruesit kanë dorëzuar një kërkesë e cila është prima facie e pranueshme si dhe është substancialisht e arsyetuar rreth pretendimeve përkitazi me dispozitat kushtetuese të saktësuara në kërkesë.

Qeveria konsideron që vendosja e masës së përkohshme është në interesin publik dhe gjithashtu i shërben administrimit të drejtësisë. Megjithatë është e nevojshme të kujtojmë që ky pezullim nuk e prejudikon vendimin përfundimtar të Gjykatës. Kështu që është tejet e rëndësishme që të mos entuziazmohemi, të rrimë të fokusuar në drejtim të qëllimit tonë për menaxhimin sa më të mirë të situatës me pandeminë COVID-19.

*** 

LDK: RESPEKTOJMË NË TËRËSI VENDIMITM E GJYKATËS KUSHTETUESE

-Komunikatë për Medie/

Prishtinë, 1 maj 2020

Pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pezullimin e Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës lidhur me caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë së Kosovës, deri më 29 maj, Lidhja Demokratike e Kosovës shprehet e vendosur që, si edhe deri më tani, të respektojë në tërësi këtë vendim.

LDK-ja, me anë të marrëveshjeve politike, ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme për formimin e Qeverisë së re.

LDK-ja mbetet e vendosur që, në përputhshmëri të plotë me normën kushtetuese, të krijojë Qeverinë e re.

LDK-ja dhe partnerët dje kanë dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, të mbështetur nga 61 deputetë, sencë e cila do të mbahet pas vendimit final të Gjykatës Kushtetuese, meqë LDK-ja është e bindur se procesi i mandatimit të z. Avdullah Hoti është bërë konform normës kushtetuese dhe kompetencave kushtetuese që ka Presidenti i Kosovës.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Dekreti I thacit, Kushtetusja

Kosovë-Kushtetuesja: E papranueshme kërkesa e opozitës lidhur me Gjykatën Speciale

September 21, 2015 by dgreca

-AAK: Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, një  shembull skandaloz për gjyqësinë  kosovare/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 21 Shtator 2015/ Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës njëzëri vendosi ta deklarojë të papranueshme kërkesën e opozitës lidhur me ndryshimet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale. “Ky vendim hyn në fuqi menjeherë”, thekson në përfundim “Aktvendimi per papranueshmeri” i publikuar sot, e ku bëhet e ditur se “më 11gusht 2015, parashtruesit e dorëzuan kërkësen në Gjykatë”.

Në 11 gusht 2015,  opozita kosovare i kërkoi  Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ta rrëzojë amendamentin kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale, të miratuar në Kuvend në seancën e 3 gushtit. Tre partitë opozitare kontestonin procedurën e miratimit dhe përmbajtjen e amendamentit kushtetues.

Në 3 gusht, Kuvendi i Kosovës me më shumë se dy të tretat e deputetëve – 82 vota pro, 5 kundër e 1 abstenim miratoi propozim-amendamentin nr.24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të riproceduar nga qeveria, pas mosmiratimit nga Kuvendi në 26 qershor. Për miratim të ndryshimeve kushtetuese nevojitet një votim i dyfishtë, me dy të tretat e të gjithë 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës  dhe dy të tretat e 20 deputetëve të komuniteteve pakicë, 10 prej tyre serbë.

Gjykata Speciale u rikthye në axhendën e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës në 3 gusht pasi në 26 qershor për miratim mungonin 5 vota për të arritur numrin e nevojshëm 80 – dy të tretat e deputetëve. Në procesin e votimit opozita nuk mori pjesë, ndërsa nga pozita, subjekti politik më i madh i koalicionit qeverisës PDK, 7 deputetë ishin kundër, 2 abstenuan e 4 mungonin.

Tre nga shtatë deputetët që votuan kundër në votimin e parë, në të dytin votuan pro amedamentit të riproceduar në Kuvendin e Kosovës.

Në 1 gusht, në mbledhjen e qeverisë, ku u miratua unanimisht propozimi për riprocedimin e amendamenteve kushtetuese, u tha se “Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Rregullorja e Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk e kufizojnë mundësinë që qeveria të riprocedojë me të njëjtat amendamente në Kuvend”.

“Gjatë riprocedimit kemi pasur parasysh po ashtu edhe opinionin e Gjykatës Kushtetuese, e cila në aktgjykimin e saj e ka deklaruar të pranueshme kërkesën e kryetarit të Kuvendit dhe e ka konfirmuar se amendamenti numër 24 nuk i pakëson të drejtat dhe liritë e njeriut të përcaktuara me kapitullin 2 dhe me kapitullin 3 të Kushtetutës”, theksonte qeveria.

Tre partitë opozitare, LVV, AAK e Nisma, insistonin se është shkelur procedura kushtetuese dhe kërkesën për rrëzimin e amendamentit e deponuan në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Në 7 mars qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Propozimin për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Me atë rast u tha se me këtë amendamentim po përmbusheshin obligimet që ka marrë qeveria nga Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar, për themelimin e Gjykatës Speciale.

Sonte, partia opozitare AAK, në një komunikatë deklaroi se “nuk është  aspak e befasuar me vendimin e sotëm të  Gjykatës Kushtetuese, që  as të  mos e pranojë  për shqyrtim kërkesën e opozitës për vleresimin e ndryshimeve kushtetuese që  mundësojnë  krijimin e Gjykatës Speciale.

 Ne nuk  kemi pasur pretendime se vendimi i Gjykatës mund të  jetë  tjetër, por kemi shpresuar se kjo Gjykatë  mund të  ketë  ndryshuar qasjen ndaj politikës, bile kur bëhët fjalë  për atakimin e sistemit gjyqësor, sic ka ndodhur me amandamentin për Gjykatën Speciale.

 Por duket se Gjykata Kushtetuese ka mbetur e infektuar deri në  palcë  nga politika. Konsiderojmë  që  me këtë  vendim të  Gjykatës Kushtetuese, ky institucion e ka shpallur veten ‘NUL’, sepse Gjykata Speciale, nuk do ta njohë  si autoritet gjyqësor as Gjykatën Kushtetuese të  Kosovës.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, e cila për shkak të  ndikimeve politike s’po mundet as të  kompletohet me të  gjithë  gjyqëtarët, është  një  shembull skandaloz për gjyqësinë  kosovare.

 Do të  dëshmohet se pasojat e kë tij vendimi do të  jenë  afatgjate”, përfundon komunikata e AAK-së.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behllul Jashari, Kushtetusja, per gjykaten speciale, rrezon Opoziten

KUSHTETUSJA RREZON AKTIN NORMATIV TE QEVERISE PER NEPUNESIN CIVIL

February 5, 2014 by dgreca

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur sot vendimin prej 41 faqesh në të cilin argumentohet rrëzimi i aktit normativ të qeverisë për ligjin e nëpunësit civil.Në vendimin e saj, Kushtetuesja thekson se ky akt normative është i papajtueshëm dhe në shkelje të parimeve të Kushtetutës dhe se ekzekutivi në këtë rast ka marrë kompetenca që i takojnë legjislativit.

“Urgjenca ‘thjesht subjektive’ e Qeverisë nuk mund të justifikojë përdorimin e institutit të dekretligjeve: ndonëse Qeveria ka një hapësirë të gjerë diskrecionaliteti, nevoja dhe urgjenca janë koncepte që nuk janë imune nga kontrolli kushtetues në kontekstin e kufizimeve të vendosura nga Kushtetuta.

Nisur nga vlerësimet e mësipërme, Tribunali Kushtetues spanjoll ka shfuqizuar dekretligje për mungesë të urgjencës, duke evidentuar se akti mund të ndiqte rrugën normale të aprovimit të ligjit, mbi arsyetimin se arsyet “teorike dhe abstrakte” nuk justifikojnë një situatë të jashtëzakonshme dhe urgjente nevoje (shih vendimin nr. 68, datë 28.03.2007 të Tribunalit Kushtetues spanjoll). Në vështrim të sa më sipër, Gjykata vlerëson se aktet normative mund të përkufizohen si instrumente ligjore të miratuara nga qeveria, bazuar në parashikimet kushtetuese, të cilat i njohin pushtetit ekzekutiv kompetencën për të zgjidhur situata të veçanta, subjekt i mbikëqyrjes së rreptë parlamentare. E drejta e pushtetit ekzekutiv për të ushtruar autoritet me anë të akteve normative me fuqinë e ligjit duhet të justifikohet në çdo rast me praninë e rrethanave të veçanta që e bëjnë të nevojshëm miratimin e rregullimit urgjent. Situatat e jashtëzakonshme, të cilat përcaktojnë legjitimitetin kushtetues të këtyre akteve qeveritare, përkufizohen në raport me nevojën dhe urgjencën e zgjidhjes së një situate, natyra e veçantë e së cilës nënkupton se duhet të merren masa të menjëhershme nëse duhet parandaluar një rrezik serioz publik”, thuhet në vendimin e Gjykates.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Kushtetusja, rerzon aktin normativ, te nepunsit civil

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT