-Në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, projektrezoluta e grupit parlamentar të opozitës, AAK-së, u votua nga 36 deputetë të pranishëm në seancë, prej të cilëve 28 ishin pro, 3 kundër dhe 5 abstenuan. Ndërsa projektrezoluta e propozuar nga dy partitë e maxhorancës, PDK-LDK, u votua nga 47 deputetë, nga të cilët 38 ishin pro, 6 kundër e 3 abstenuan/
-Çka kërkohej në Rezolutën trepikëshe të Kuvendit të Kosovës në 18 qershor 2015, një ditë pasi Ramush Haradinaj u ndalua në Aeroportin e Lubjanës në Slloveni?/
PRISHTINË, 11 Janar 2017-B.Jashari/ Kuvendi i Kosovës në seancën e jashtëzakonshme nuk ka arritur të miratojë rezolutë nga debati parlamentar në lidhje me mbajtjen në arrest të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në Francë, ku kërkohej lirimi i menjëhershëm.Seanca ishte ftuar me nismën e partisë së liderit Haradinaj, Alencës për Ardhmërinë e Kosovës, me nënshkrimet e 43 deputetëve, ndërsa pas debatit gjatë ditës së djeshme me replika e mospajtime, mbrëmë u nxorën në votim dy projektrezoluta të propozuara dhe asnjëra nuk kaloi.
Në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, projektrezoluta e grupit parlamentar të opozitës, AAK-së, u votua nga 36 deputetë të pranishëm në seancë, prej të cilëve 28 ishin pro, 3 kundër dhe 5 abstenuan. Ndërsa projektrezoluta e propozuar nga dy partitë e maxhorancës, PDK-LDK, u votua nga 47 deputetë, nga të cilët 38 ishin pro, 6 kundër e 3 abstenuan.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, nesër pritet të dalë përsëri para gjykatës, pasi në 4 janar është ndaluar në Aeroportin e Baselit sipas një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004 dhe po mbahet në paraburgim në Francë, ndërsa Beogradi ka kërkuar ekstradimin me akuza “për krime lufte në Kosovë” edhe duke i shtuar ato.
Arrestimi në Francë është i dyti për kryetarin e AAK-së, Haradinaj, pas të parit në Slloveni, brenda dy viteve me të njëjtën aktakuzë.Në 17 qershor 2015, Haradinaj u ndalua në Aeroportin e Lubjanës dhe u lirua më vonë, por duhej të qëndronte në Slloveni deri sa të përfundonin procedurat për verifikimin e urdhërarrestit. Atëherë, Kuvendi i Kosovës u mblodh në seancë të jashtëzakonshme një ditë pas arrestimit, në 18 qershor dhe miratoi rezolutën trepikëshe ku kërkohej që Haradinajt “pa asnjë kusht dhe menjëherë t’i kthehet pasaporta diplomatike dhe t’i lejohet kthimi në Kosovë”, që “qeveria e Kosovës të kërkojë urgjentisht nga Brukseli pastrimin e menjëhershëm të listave, respektivisht të fletarrestimeve të lëshuara nga Serbia për ish-ushtarët e UÇK-së” si dhe “drejtimi i notës së protestës shtetit slloven nga institucionet e Kosovës”. Në debatin e djeshëm në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës kishte deklarata sipas të cilave po të realizohej kërkesa e dytë e asaj rezolute nuk do ndodhte arrestimi në Francë i Haradinajt.Para 12 vitesh, menjëherë pasi ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës, Ramush Haradinaj është dorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës në 9 mars 2005, pasi një ditë më parë kishte dhënë dorëheqje nga funksioni i kryeministrit të Kosovës, derisa ishte afër të mbushë 100 ditëshin e parë nga zgjedhja në 3 dhjetor 2004.
Nga Tribunali i Hagës Haradinaj u shpall i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës, në 29 nëntor 2012.
“Më në fund, pas shtatë viteve të gjata, dhe dy gjykimeve të gjata, kjo Gjykatë ka sjellur drejtësi për Ramush Haradinajn dhe për popullin e Kosovës”, theksonte deklarata e Ben Emmerson në emër të ekipit mbrojtës.