• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kuvendi me dy projektrezoluta për Haradinajn, asnjëra nuk kalon

January 10, 2017 by dgreca

-Në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, projektrezoluta e grupit parlamentar të opozitës, AAK-së, u votua nga 36 deputetë të pranishëm në seancë, prej të cilëve 28 ishin pro, 3 kundër dhe 5 abstenuan. Ndërsa projektrezoluta e propozuar nga  dy partitë e maxhorancës, PDK-LDK, u votua nga 47 deputetë, nga të cilët 38 ishin pro, 6 kundër e 3 abstenuan/1-kuvendi

-Çka kërkohej në Rezolutën trepikëshe të Kuvendit të Kosovës në 18 qershor 2015, një ditë pasi Ramush Haradinaj u ndalua në Aeroportin e Lubjanës në Slloveni?/

PRISHTINË, 11 Janar 2017-B.Jashari/ Kuvendi i Kosovës në seancën e jashtëzakonshme nuk ka arritur të miratojë rezolutë nga debati parlamentar në lidhje me mbajtjen në arrest të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në Francë, ku kërkohej lirimi i menjëhershëm.Seanca ishte ftuar me nismën e partisë së liderit Haradinaj, Alencës për Ardhmërinë e Kosovës, me nënshkrimet e 43 deputetëve, ndërsa pas debatit gjatë ditës së djeshme me replika e mospajtime, mbrëmë u nxorën në votim dy projektrezoluta të propozuara dhe asnjëra nuk kaloi.

Në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, projektrezoluta e grupit parlamentar të opozitës, AAK-së, u votua nga 36 deputetë të pranishëm në seancë, prej të cilëve 28 ishin pro, 3 kundër dhe 5 abstenuan. Ndërsa projektrezoluta e propozuar nga  dy partitë e maxhorancës, PDK-LDK, u votua nga 47 deputetë, nga të cilët 38 ishin pro, 6 kundër e 3 abstenuan.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, nesër pritet të dalë përsëri para gjykatës, pasi në 4 janar është ndaluar në Aeroportin e Baselit sipas një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004 dhe po mbahet në paraburgim në Francë, ndërsa Beogradi ka kërkuar ekstradimin me akuza “për krime lufte në Kosovë” edhe duke i shtuar ato.

Arrestimi në Francë është i dyti për kryetarin e AAK-së, Haradinaj, pas të parit në Slloveni, brenda dy viteve me të njëjtën aktakuzë.Në 17 qershor 2015, Haradinaj u ndalua në Aeroportin e Lubjanës dhe u lirua më vonë, por duhej të qëndronte në Slloveni deri sa të përfundonin procedurat për verifikimin e urdhërarrestit.  Atëherë, Kuvendi i Kosovës u mblodh në seancë të jashtëzakonshme një ditë pas arrestimit, në 18 qershor dhe miratoi rezolutën trepikëshe ku  kërkohej që Haradinajt “pa asnjë kusht dhe menjëherë t’i kthehet pasaporta diplomatike dhe t’i lejohet kthimi në Kosovë”, që “qeveria e Kosovës të kërkojë urgjentisht nga Brukseli pastrimin e menjëhershëm të listave, respektivisht të fletarrestimeve të lëshuara nga Serbia për ish-ushtarët e UÇK-së” si dhe “drejtimi i notës së protestës shtetit slloven nga institucionet e Kosovës”. Në debatin e djeshëm në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës kishte deklarata sipas të cilave po të realizohej kërkesa e dytë e asaj rezolute nuk do ndodhte arrestimi në Francë i Haradinajt.Para 12 vitesh, menjëherë pasi ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës, Ramush Haradinaj është dorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës në 9 mars 2005, pasi një ditë më parë kishte dhënë dorëheqje nga funksioni i kryeministrit të Kosovës, derisa ishte afër të mbushë 100 ditëshin e parë nga zgjedhja në 3 dhjetor 2004.

Nga Tribunali i Hagës Haradinaj u shpall  i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës, në 29 nëntor  2012.

“Më në fund, pas shtatë viteve të gjata, dhe dy gjykimeve të gjata, kjo Gjykatë ka sjellur drejtësi për Ramush Haradinajn dhe për popullin e Kosovës”, theksonte deklarata e Ben Emmerson në emër të ekipit mbrojtës.

Filed Under: Opinion Tagged With: asnje nuk kalon, Dy projektrezoluta, Kuvendi i kosoves

Kosovë-Kuvendi, seancë të jashtëzakonshme për Haradinajn

January 7, 2017 by dgreca

-Të martën, në 10 janar, në orën 11:00, Kuvendi i Kosovës mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, në të cilën do të debatojë për mbajtjen në arrest të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, në Francë/

1-prishtine

-Në 4 janar, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është ndaluar në aeroportin e Baselit, sipas një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004, dhe po mbahet në paraburgim në Francë, ndërsa Beogradi ka kërkuar ekstradimin/

1-kuvendi

-Ramush Haradinaj është dorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës në 9 mars 2005, pasi një ditë më parë kishte dhënë dorëheqje nga funksioni i kryeministrit të Kosovës, menjëherë pasi ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës. Nga Tribunali i Hagës Haradinaju shpall  i pafajshm për të gjitha pikat e akuzës, në 29 nëntor  2012/

PRISHTINË, 7 Janar 2017-B.Jashari/ Kuvendi i Kosovës, edhe pse në kohë pushimi mes dy sesionesh, do mblidhet ditën e martë në orën 11:00 në seancë të jashtëzakonshme me vetëm një pikë në axhendë: “Mbajtja në arrest e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në Francë”. Seanca ishte kërkuar për sot pasdite, por shkaku i kohës së pushimeve në Kuvend e mosndodhjes së një numri të deputetëve në Kosovë u vendos që seanca të mbahet në 10 janar.Shqyrtimi i kërkesës për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme, u bë në mesditë në një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me kryetarët e grupeve parlamentare, të ftuar mbrëmë. U vlerësua se kërkesa me 43 nënshkrime të deputetëve i plotëson kushtet për të thirrur seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit. Pas një proteste në Prishtinë, marshimi të qetë deri të Ambasada e Francës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dje pasdite njoftonte se grupi parlamentar i saj në nismën për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës kishte mbledhur nënshkrimet e nevojshme, “me kërkesë që kthimi në atdhe i Ramush Haradinajt të konsiderohet detyrë shtetërore, si dhe të pezullohen bisedimet me Serbinë”.

Në 4 janar, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është ndaluar në aeroportin e Baselit, sipas një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004, dhe po mbahet në paraburgim në Francë, ndërsa Beogradi ka kërkuar ekstradimin.Qeveria e Kosovës deklaroi dje se  “fletarresti për Haradinajn është i motivuar politikisht dhe armiqësisht nga Beogradi” dhe se “do të vazhdojë angazhimin e gjithanshëm që aktakuzat e paligjshme, të padrejta dhe tendencioze të Serbisë ndaj personaliteteve kosovare, sa më parë të shpallen të pavlefshme”.Ramush Haradinaj është dorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës në 9 mars 2005, pasi një ditë më parë kishte dhënë dorëheqje nga funksioni i kryeministrit të Kosovës, menjëherë pasi ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës. Nga Tribunali i Hagës Haradinaju shpall  i pafajshm për të gjitha pikat e akuzës, në 29 nëntor  2012.Kuvendi i Kosovës, me miratimin me procedurë të përshpejtuar të Ligjiit për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të ndryshuar dhe plotësuar, në seancën e zhvilluar në mbrëmjen e 30 dhjetorit përmbylli sesionin vjeshtor dhe punën  e vitit 2016,  ndërsa sesioni i ri, pranverori, u paralajmërua të niste në 16 janar të vitit të ri 2017.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kuvendi i kosoves, per Haradinaj, te marten seance

Kuvendi miraton Rezolutën për heqjen e murit

December 29, 2016 by dgreca

1-kosove-kuvendiKuvendi i Kosovës ka miratuar me shumicën prej 74 votash Rezolutën e paraqitur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për çështjen e murit të ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës.Deputetët e Kuvendit, të te gjitha partive politike, kanë kërkuar përmes miratimit të Rezolutës rrënimin e murit që në janar të vitit 2017.

Rezoluta në Kuvendin e Kosovës u paraqit nga shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, i cili tha se “projekt-rezoluta është përkrahur edhe nga grupet tjera parlamentare të Kuvendit të Kosovës”.

“Të rrënohet muri ilegal në pjesën veriore të Mitrovicës, kjo të ndodh brenda muajit janar të vitit 2017. Qeveria e Kosovës të angazhohet që organet kompetente për trajtimin e ndërtimeve pa leje, t’i ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore për murin që është në ndërtim e sipër në pjesën e urës se Ibrit. I njëjti të trajtohet si veprim politik dhe ndërtim pa leje”.

“Në projekt rezolutë veç tjerash thuhet se Qeveria e Kosovës duhet të merr masa të nevojshme që të mos ndryshohet ura e Ibrit dhe e njëjta t’i përmbajë të gjitha elementet që kishte pa vitit 1999 dhe jo t’i shtohen elemente tjera ilegale, siç është muri dhe shkallët”.

“Të bëhet e mundur që sa më shpejtë qytetarët të kthehen në pronat e tyre në të dy pjesët e qytetit të Mitrovicës”, ka thënë Lekaj.

Projekt-rezoluta u paraqit afro një javë më parë në Kuvendin e Kosovës, por ajo u kërkua që të ndryshohet dhe të plotësohet dhe prandaj edhe u fut në rend të ditës në ditët e fundit të vitit 2016.

Nga rezoluta janë tërhequr dy pika, që kanë të bëjnë me shkarkimin e ministres për Dialog, Edita Tahiri, dhe ndërprerja e bisedimeve me Serbinë, që ishin diskutuar të premten e kaluar deri në orët e vona të mes natës.

Fillimisht, disa deputetë në Kuvend kanë kërkuar në debat që edhe një herë të riformulohet projekt rezolut, duke saktësuar subjektin që i drejtohet ajo dhe për cilën mur bëhet fjalë.

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, ka thënë se mesazhi i rezolutës është i qartë dhe që Qeveria e Kosovës duhet të rrënojë murin në Mitrovicë.

“Kjo rezolutë duhet të kalojë kështu siç është nënshkruar, e ka mesazhin e plotë. Por, besoj se qeveria dhe të gjitha institucionet që kanë përgjegjësi, edhe pa u nxjerrë kjo rezolutë mund të veprojnë që ai mur të hiqet sa më shpejtë. Jam i sigurt që mesazhi ka shkruar në drejtimin e duhur, por ne do të bëjmë edhe rezolutën”, ka thënë Pajaziti.

Deputeti tjetër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sadri Ferati është shprehur se muri duhet të rrënohet sepse është jo legal dhe i papranueshëm.

“Çdo herë kur institucionet e Republikës së Kosovës janë akterë edhe në të ardhmen nuk duhet të dyshohet se nuk duhet kurrë të ndodh pajtueshmëria rreth murit. Prandaj, muri duhet të rrënohet sepse nuk është legal dhe është i papranueshëm”, shprehet Ferati.

Duke u pajtuar me qëllimin e rezolutës Rexhep Selimi, deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se duhet të qartësohet në rezolutë se cili subjekt duhet të merr masa ndaj këtij muri.

“Përveç që duhet të gjendet subjekti se kush duhet të bëjë, duhet të përcaktohet se për cilin mur bëhet fjalë, sepse këtu thuhet muri ilegal në pjesën veriore të Mitrovicës, sepse ka shumë mure ilegale në pjesën veriore të Mitrovicës. Jo pse ne nuk e dimë se për cilin mur bëhet fjalë, por pse mos të saktësohet”.

Në anën tjetër, deputeti nga Nisma Për Kosovën, Zafir Berisha, ka thënë se autoritetet kompetente është dashur të veprojnë edhe pa miratimin e kësaj rezolute, sepse thotë ai ndërtimi i murit është ilegal. “Pse duhet të kemi një rezolutë, për diçka që është ilegale. Por, meqë ky Parlament nuk ka përmbushur as 30 për qind të objektivave të veta, ne do të vazhdojmë të bëjmë debate shtërpe pa mbulesë dhe të arsyetojmë pse ekziston ky Parlament”, ka thënë Berisha.Muri në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës ka filluar të ndërtohet në fillim të këtij muaji, duke ngjallur reagimin edhe të qytetarëve edhe të politikës. (REL)

Filed Under: Kronike Tagged With: heqja e murit, Kuvendi i kosoves, Rezolute

Kuvendi i Kosovës miraton Buxhetin e Shtetit

December 23, 2016 by dgreca

-Sot në seancë për adresimin e Presidentit të Republikës/

2-thaci

-Pritet seancë edhe për murin në veri të Mitrovicës/

PRISHTINË, 23 Dhjetor 2015-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kuvendi i Kosovës në një seancë të zhvilluar pas mesnatës së kaluar miratoi me shumicë votash Buxhetin e Shtetit për vitin 2017 prej më shumë se 2 miliardë euro.Ishte kjo seanca e dytë e veçantë për Ligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017, pas miratimit në parim në mbrëmje në përmbyllje të seancës së zhvilluar gjatë ditës, ku fillimisht me shumicë votash u vendos që të renditet pikë e parë dhe të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar.Kuvendi i Kosovës u mbledh sot edhe në një seancë tjetër të veçantë në mesditë me të vetmen pikë në axhendë adresimin vjetor të Presidentit të Republikës Hashim Thaçi deputetëve.“Është kënaqësi të ndjek hapat e presidentëve të mëparshëm të cilët i shërbyen Kosovës me tërë qenien e tyre, duke u bërë shembull se si duhet të punojmë për vendin tone”, u shpreh ai.“Ju ofrojmë bashkëpunim institucioneve vendore e partnerëve ndërkombëtarë për forcimin dhe zhvillimin e vendit tonë, që të jemi krahë për krahë me botën e qytetëruar”, theksoi Presidenti Thaçi.Pasditën e sotme Kuvendi, sipas vendimit që mori dje me shumicë votash, do të zhvillojë edhe një seancë debati parlamentar për çështjen e ndërtimit të murit në mënyrë ilegale në pjesën veriore të Mitrovicës.Gjatë ditës së sotme Kuvendi i Kosovës është paralajmëruar të vazhdojë edhe seancën e nisur dje paradite me pikat e mbetura pa u shqyrtuar, që në axhendë renditeshin pas shqyrtimit të parë të Projektligjit për Buxhetin e Shtetit.Sot paradite zhvilloi mbledhje edhe qeveria e Republikës së Kosovës, të 122-tën që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, të 54-tën në 2016-tën.

1-thaci

Fjalimi i plotë i presidentit Hashim Thaçi, në Kuvendin e Republikës së Kosovës/

I nderuar Kryetar i Kuvendit të Kosovës z. Kadri Veseli,

I nderuar Kryeministër, z. Isa Mustafa,

Të nderuar ministra të kabinetit qeveritar,

Të nderuar përfaqësues të korit diplomatik,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,

Qytetarë të Republikës së Kosovës,

Zonja dhe zotërinj, 

Është kënaqësi dhe privilegj që sot t’ju drejtohem si President i Republikës së Kosovës.Kjo mundësi dhe detyrë më jep nder dhe përgjegjësi.Është kënaqësi të ndjek hapat e presidentëve të mëparshëm të cilët i shërbyen Kosovës me tërë qenien e tyre, duke u bërë shembull se si duhet të punojmë për vendin tonë.Në fillim të mandatit dhashë betimin para juve, deputetë të nderuar, se do të ruaj pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës.

Se do të garantoj liritë dhe të drejtat e njeriut për tërë qytetarët e Kosovës.

Se do të mbroj Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Se do të ruaj paqen dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve.

Në sheshin “Nëna Terezë” u zotova se do të jem president i të gjithë qytetarëve, në shërbim të të gjithë qytetarëve.Edhe një herë faleminderit për besimin e dhënë.Në fund të këtij viti, jam i lumtur të them se puna ime është udhëhequr nga këto parime dhe kam nisur të realizojë këto synime.

3-thaci

Të nderuar deputetë,

Gjatë kësaj periudhe kohore, si president kam ndërmarrë veprime konkrete për të garantuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve të Kosovës, për të fuqizuar rendin e ligjin dhe integritetin e shtetit të Kosovës.Vendi ynë edhe ashtu ka Kushtetutën dhe legjislacionin më të avancuar në rajon.Por, ne kemi identifikuar disa mangësi, prandaj edhe kam vepruar menjëherë duke kërkuar ndryshim-plotësimin e Kodit Penal me qëllim që t’i korrigjojmë ato dhe të mos lejojmë askënd që t’i shmanget apo abuzojë me drejtësinë dhe ligjin në Kosovë.Ministria e Drejtësisë dhe organet tjera relevante kanë filluar punën dhe tani janë duke përgatitur rekomandimet për ndryshimet që duhet bërë.Në qershor të këtij viti, ne filluam t’i marrim kompetencat ekzekutive në sektorin e drejtësisë, që deri atëherë ishin në duart e institucioneve ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.Prandaj, i vetëdijshëm për progresin e shënuar në fushën e drejtësisë në Kosovë, përkundër sfidave, i bindur në profesionalizmin e organeve vendore dhe në fuqizimin e tyre me transferimin e kompetencave të EULEX-it, e kam adresuar edhe nevojën për të punuar në çështjet që shqetësojnë qytetarët e Kosovës:

–                      krimet e luftës,

–                      krimet e pasluftës,

–                      sulmet dhe dëmtimet kundër trashëgimisë sonë kulturore e historike,

–                      si dhe për viktimat e luftës, me theks të veçantë tek të pagjeturit dhe viktimat e dhunës seksuale.

Jam i inkurajuar me reagimin e menjëhershëm të organeve relevante për të punuar rreth këtyre pikave.Çdo hap në zbardhjen e së vërtetës është një gur tjetër në themelin e shoqërisë sonë si një shoqëri e barabartë për të gjithë.Të gjithë duhet ta kuptojnë se drejtësia nuk njeh kufizim kohor, status social apo etnik.Një nismë tjetër e imja është edhe puna për përfundimin e reformës elektorale, e cila ka filluar vite më parë dhe nuk është përfunduar.Reforma elektorale bëhet për t’i siguruar qytetarët e Republikës së Kosovës se ata do të votojnë në një proces të drejtë, transparent dhe fer, në të cilin vota e tyre nuk mund të humb dhe të manipulohet.Por, do të jetë besim për të udhëhequr institucionet.Ekipi im ka kryer punën e vet në përpilimin e propozimeve konkrete për reformën elektorale dhe mbetet në vullnetin tuaj politik, deputetë të nderuar, që propozimet që kanë rrjedhur nga konsultat e përbashkëta me përfaqësuesit e partive politike parlamentare, shoqërinë civile, mekanizmat ndërkombëtarë, etj., të shndërrohen në vendime të Kuvendit të Kosovës.Kam mbledhur Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit në të cilin ekspertët e fushës kanë debatuar për mënyrat më të mira të luftimit të këtij fenomeni në Kosovë.Korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdimisht paraqiten lart në listën e shqetësimeve të qytetarëve të Kosovës.Prandaj, lart janë edhe në listën e prioriteteve të çështjeve që duhet zgjidhur menjëherë nga politika dhe institucionet e Kosovës.Organet tona të drejtësisë kanë hapur raste të korrupsionit.Hetimeve, akuzave e dënimeve nuk u kanë shpëtuar as zyrtarët më të lartë shtetëror.Kjo punë e bërë është për çdo vlerësim, por duhet bërë edhe më shumë.E përsëris, para ligjit të gjithë jemi të barabartë.Kam mbledhur edhe Këshillin Kombëtar për Integrim në Bashkimin Evropian, në të cilin konfirmuam se nuk kemi alternativë tjetër përveç se NATO-n dhe BE-në.

Por, kërkuam që edhe BE-ja të mendojë në mënyrë strategjike për rajonin e më gjerë.Kam mbledhur edhe Këshillin Konsultativ për Komunitetet.Kam vlerësuar punën e tyre në promovimin e të drejtave dhe barazisë për të gjitha komunitetet.Në kuadër të punës për forcimin dhe ruajtjen e sovranitetit tonë shtetëror, të inkurajimit të atyre pjesëtarëve të policisë kufitare dhe oficerëve të doganave të Kosovës, kam vizituar pikën kufitare në Jarinjë, në mes Kosovës dhe Serbisë, në veri të Leposaviqit.Puna dhe përkushtimi i pjesëtarëve të policisë dhe doganës së Kosovës me bindi se sovraniteti shtetëror i Kosovës nuk mund të cenohet nga askush.Kosova është një, e pandashme, nuk do të ketë barrikada dhe mure, por vetëm ura që na bashkojnë.Muri nuk do të qëndroj aty e askund tjetër.Muri nuk do të shkurtohet e as zvogëlohet për disa centimetra, por do të hiqet nga baza.

Nuk do të ekzistoj fare.

Por, në mes të këtyre sukseseve, kemi përjetuar edhe sfida.Sfida më e madhe është mos mbajtja e zotimit të dhënë para partnerëve ndërkombëtarë.Që t’u qëndrojmë prapa zotimeve tona kushtetuese dhe ligjore, qoftë për të themeluar asociacionin e komunave me shumicë serbe, qoftë për miratimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.Kjo marrëveshje është e drejtë.Është sipas Kushtetutës dhe interesave të vendit tonë, e cila do të çonte tutje konsolidimin e integritetit shtetëror.Reagimet kundër kanë dëmtuar më të pafajshmit, qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët ende nuk mund të udhëtojnë të lirë në Bashkimin Evropian.Reagimi kundër ishte agjendë e interesit të ngushtë politik dhe injorancës profesionale, e në asnjë rrethanë kauzë kombëtare apo ngadhënjim i argumenteve.

Prandaj, shteti ynë do të qëndrojë prapa të gjitha obligimeve ndërkombëtare që ka marrë mbi vete.

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar deputetë,

Qytetarë të Republikës së Kosovës,

Në kuadër të promovimit të të drejtave dhe lirive njerëzore, kam marrë pjesë dhe kam përkrahur marshin e komunitetit LGBTI dhe kam përkrahur punën e shoqatave që u dalin në ndihmë viktimave të dhunës seksuale të luftës.Kam vizituar komunitetin kroat në Janjevë dhe komunitetin malazez në Gorazhdec të Pejës, për t’i siguruar të gjithë se Kosova është shtëpi e të gjithëve.Se në shtetin tonë të gjithë janë të barabartë, të lirë për të gjetur lumturinë e tyre.Ndërsa sot, me lejoni të rikonfirmoj se asnjë individë apo grup nuk do të mbetet i margjinalizuar, i harruar apo i përjashtuar në shoqërinë tonë.Në Kosovën tonë ka vend për të gjithë ata që e shohin Kosovën si atdhe dhe shtëpi të tyre.

Kam vizituar dhe kam takuar afaristë dhe ndërmarrës në tërë Kosovën, odat ekonomike të Kosovës dhe ato të rajonit.Jam inkurajuar nga sukseset e bujqve dhe blegtorëve të Kosovës.Investimet disavjeçare në bujqësi kanë sjellë dobi për tërë Kosovën, duke krijuar të hyra të mëdha që kontribuojnë në mirëqenien e qytetarëve tanë.Me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim, bujqit dhe blegtorët tanë, vreshtarët dhe prodhuesit e verës, tashmë kanë qasje në tregun më të madh në botë, atë të Bashkimit Evropian.Në kuadër të punës sime, një pjesë të konsiderueshme i kam kushtuar edhe përfaqësimit të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare.Në samitin Brdo-Brione dhe në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore kam konfirmuar se pavarësia e Kosovës ka sjellë paqe dhe stabilitet në rajonin tonë.Në vizitat bilaterale në Slloveni dhe në Maltë, jo vetëm që kemi konfirmuar marrëdhëniet e mira në mes vendeve tona, por kemi eksploruar edhe mundësitë e bashkëpunimit ekonomik.Në Kanada kemi hapur përfaqësinë e Republikës së Kosovës dhe jemi pajtuar së bashku me autoritetet e Kanadasë për intensifikimin e bashkëpunimit bilateral.Në Vatikan kam pasur audiencë private me Atin e Shenjtë, të cilit i konfirmova edhe një herë se Kosova është e pa luhatur në promovimin e vlerave euroatlantike.E kam ftuar Atin e Shenjtë për vizitë në Kosovë dhe kjo vizitë do të ndodhë në kohën më të përshtatshme.E kemi konfirmimin edhe nga vetë Ati i Shenjtë.Në Vjenë kam takuar Presidentin e Austrisë, ndërsa në Tiranë tërë lidershipin e Shqipërisë.Në të gjitha këto forume është theksuar integriteti dhe sovraniteti shtetëror i Kosovës dhe është lavdëruar konsolidimi i shtetësisë sonë në botë.Por, pjesë e veçantë e të arriturave të këtij viti, për tërë Kosovën është edhe pjesëmarrja në Lojërat Olimpike në Rio.Falë performancës së shkëlqyer të sportistëve tanë, veçanërisht falë medaljes së artë të Majlinda Kelmendit, janë hapur dyer për takime me krerë shtetesh e qeverish nga e tërë bota që merrnin pjesë në Rio, me të cilët kam biseduar për Kosovën, për vendin tonë të ri, të vogël, por me potenciale të mëdha.Ishte kënaqësi të takoja diplomatë nga e tërë bota dhe ta shfrytëzoja rastin për të dëshmuar edhe një herë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës dhe rolin konstruktiv që po luan vendi ynë në skenën ndërkombëtare.Isha edhe në Finlandë, në ndeshjen e parë të përfaqësueses sonë në futboll, ku isha dëshmitar i pikës së parë të fituar në garat ndërkombëtare.Pjesëmarrja në këtë garë u bë e mundur pas pranimit të Kosovës në FIFA dhe UEFA.Pas gati një çerekshekulli izolim, tash futbollistët dhe talentet tanë në sportet e tjera janë të lirë të zhvillojnë talentet e tyre, të konkurrojnë, të ëndërrojnë dhe të punojnë që ëndrrat e tyre t’i bëjnë realitet.Si çdo kosovar tjetër, në garat dhe fitoret e sportistëve të Kosovës jam ndier i lumtur dhe krenar me flamurin dhe me himnin tonë.Janë këta gurët mbi të cilët ndërtojmë dashurinë dhe respektin në shoqërinë tonë, për shtetin tonë.Kam pasur fatin që të eci së bashku me Kosovën në ndërtimin e historisë, në dekadat më të rëndësishme tonat.Kemi ditur se çfarë angazhimi kërkon secila epokë, prandaj edhe sot jemi të suksesshëm.Dikur ishte koha të angazhohemi për barazi dhe liri.Kemi guxuar të kërkojmë liri edhe kur askush tjetër nuk ka shpresuar dhe besuar.Kemi qenë të gatshëm që të sakrifikojmë çdo gjë për të arritur këtë liri.Pas lirisë, guxuam ta ëndërrojmë dhe realizojmë edhe pavarësinë.Jam krenar që në të gjitha këto procese, të çlirimit të Kosovës, të shpalljes së shtetit të Kosovës, kemi qenë së bashku me ju dhe me të gjithë qytetarët e Kosovës shtylla kryesore të realizimit të këtyre aspiratave.Por, sikurse atëherë që e kemi ditur se është koha për sakrifica deri në pavarësim, ashtu e dimë edhe sot që është koha për integrim.Është koha për dialog dhe për pajtim, brenda në Kosovë dhe në rajon.Për ketë qëllim, gjatë këtyre muajve kam takuar edhe familjarë të viktimave të luftës dhe të të pagjeturve.Dhemb shumë të shohësh që të gjithë ende vuajmë nga plagët e luftës.Ndoshta plagët nuk do të mbyllen kurrë, por ne duhet që së paku t’i japim fund agonisë, sidomos për familjet e të pagjeturve.Duhet të nxjerrim mësime nga kjo e kaluar e hidhur, që të mos lejojmë të përsëriten tmerret që kemi parë me sytë tonë, që kemi përjetuar me zemrat tona.Nuk do të lejojmë që asnjë fëmijë i Kosovës ta mbushë zemrën me urrejtje e me vuajtje.Qëllimi im, por edhe i juaji, është të punojmë që fëmijëve të Kosovës t’ua mbushim zemrat e mendjet me dashuri për njëri-tjetrin, për vendin e tyre dhe për të ardhmen e tyre.Gjatë verës dola sërish që të nderoj dhe kujtoj viktimat e luftës dhe t’i inkurajoj organet e drejtësisë dhe pajtimin ndëretnik.Këtë herë shkova në Grackë të Lipjanit.Aty vendosa lule tek pllaka përkujtimore në qendër të fshatit që përkujton 14 qytetarë serbë, bujq e punëtorë.E theksova atje dhe po e them përsëri këtu se ky akt dhe aktet e tjera të dhunës kanë qenë vepra kundër lirisë dhe së ardhmes demokratike të Kosovës, dhe jo vetëm kundër viktimave dhe familjeve të tyre.Krimi është krim, kundër kujtdo qoftë të jetë bërë apo nga kushdo qoftë që është kryer.Edhe sot lutem me dhimbje dhe shpreh edhe një herë keqardhje për të gjitha viktimat civile të të gjitha komuniteteve, të vrarë gjatë dhe pas luftës.Në muajin gusht përkujtova vrasjen e dy dhe plagosjen e katër fëmijëve serbë në fshatin Gorazhdec në afërsi të Pejës, që kishte ndodhur në vitin 2003.Në qendër të fshatit u ndala me banorët vendas, serbë.Pas këtyre vizitave, kishte opinione të ndryshme.E dija se ende ka njerëz të lënduar apo të helmuar nga urrejtja ndërnacionale.Prandaj këtu menjëherë ftojë të gjithë që të ngrehemi mbi urrejtjen dhe jotolerancën.Dikush thoshte se është herët për gjëra të tilla, kurse unë vlerësoj se jemi vonë.Fundja, viktimat ishin produkt i ferrit historik të raporteve serbo-shqiptare dhe atyre rajonale, që kurrë nuk u ushqyen me vullnet mirëkuptimi apo pajtimi, por vetëm me urrejtje dhe armiqësi.Çuditërisht, sulmet kundër këtyre veprimeve takoheshin dhe bëheshin bashkë në ekstremet e tyre.U ngritën disa pyetje legjitime: pse po nderoja serbët kur ata na kanë vrarë? Kur në pllakat përkujtimore shkruante në çirilicë: “viktima të terroristëve shqiptarë dhe të agresionit të NATO-s”.U tha se po cenoheshin vlerat e luftës së popullit të Kosovës për liri.Po fyheshin dëshmorët dhe lufta e shenjtë e UÇK-së dhe popullit të Kosovës.Në anën tjetër vazhdonin akuzat e stërvjetëruara tash e dekada kundër shqiptarëve në tërësi.Në tërë këtë, më i urti ishte reagimi i familjarëve të të vrarëve, shqiptarë e serbë, të cilët edhe një herë patën vetëm një kërkesë, vetëm një dëshirë: “duam të vërtetën”.Prandaj të sakrifikojmë nga pak të gjithë për të vërtetën.E vërteta nuk duhet ta pengojë dhe frikësojë askënd.Isha i vetëdijshëm dhe i bindur se po bëja punën më të mirë për vendin.E dija se çfarë shkruante në pllakat përkujtimore në alfabetin çirilik.Nuk pajtohem me tekstin, sepse është paragjykim dhe gënjeshtër.Por, kjo nuk duhet të na ndalojë t’i nderojmë viktimat.Me këtë nderim ne nuk cenojmë vlerat e lirisë sonë dhe as luftën e UÇK-së.Vlerat e lirisë sonë e të luftës së UÇK-së i cenojnë mu ata që i kanë bërë këto krime dhe ata që sot i arsyetojnë këto krime.Përpjekja për t’i arsyetuar krimet duke thënë se janë bërë në emër të kauzës kombëtare, duhet të jetë arsye për brejtje të ndërgjegjes, sepse po keqpërdoret çështja kombëtare, në dëm të interesit dhe së ardhmes së shtetit të Kosovës.Ata që i kanë kryer këto veprime, individë apo grupe, kanë fyer e cenuar vlerat e lirisë dhe vetë luftën e UÇK-së.Ne duhet t’i standardizojmë vlerat çlirimtare dhe të mos e lejojmë askënd që t’i degjenerojë ato.Gjykata speciale nuk është produkt i vendimeve politike të gabuara.Nuk duhet të shikohet si ndëshkim, por si avantazh për vendin.Presioni ndërkombëtar për themelimin e saj ka ardhur si rezultat i përvojës së keqe në mbrojtjen e dëshmitarëve.Unë besoj në Zot dhe vlera morale, ndërgjegje, drejtësi e pajtim, duke mos e akuzuar apo ofenduar askënd për asgjë.Por, duke i ftuar të gjithë për drejtësi, solidaritet dhe pajtim ndëretnik.Këtë vit kemi vendosur marrëdhënie kontraktuale me BE-në dhe kemi nisur dialogun politik me NATO-n.Janë këto dy pika të përcaktuara si qëllimet tonat dhe për këtë kemi konsensus të plotë politik dhe shoqëror.Do të dëshironim që udhëtimi ynë drejt NATO-s e BE-së të jetë më i shpejtë.Por, kjo nuk varet vetëm nga dëshira dhe nga puna jonë.BE-ja dhe shtetet anëtare të saj sot kanë sfida të mëdha dhe kanë nevojë që t’i rimendojnë raportet në mes tyre dhe pozitën e tyre në vetë Unionin Evropian.Përgjigjet nuk do jenë as të shpejta, as të lehta.Kosova më shumë se të gjitha shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor është duke vuajtur pasojat e kësaj situate komplekse.Si pasojë, jemi ende të fundit në rajon në kuadër të procesit të integrimit në BE dhe jemi padrejtësisht të izoluar nga BE-ja në aspektin e lëvizjes pa viza në Zonën Shengen.Pavarësisht këtij fakti të hidhur, BE-ja që synojmë ne, më shumë se Brukseli apo Komisioni Evropian, se Parlamenti Evropian apo Këshilli i Ministrave, është BE-ja e vlerave për të cilat angazhohemi ne.Paqja dhe dialogu, bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, toleranca dhe bashkëjetesa në mes etnive e feve, gjithëpërfshirja dhe të drejtat e liritë e njeriut. Këto janë vlerat që ne ia përshkruajmë BE-së, por janë edhe vlerat me të cilat ne dëshirojmë të udhëhiqemi e të bashkëjetojmë.Jetojmë në një botë më dinamike se kurdoherë më parë, me trende dhe lëvizje përplot me të panjohura.Por, ne kemi arritur t’i identifikojmë aleancat tona strategjike dhe të qëndrueshme.Jemi përcaktuar për marrëdhënie të veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për bashkëpunim me BE-në deri në anëtarësim të plotë në këtë organizatë.Jemi përcaktuar për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe për bashkëpunim rajonal.Jemi përcaktuar që idetë ekstremiste e radikale, pa marrë parasysh se nga çfarë ideologjie janë nisur, idetë përjashtuese të komuniteteve e individëve, të mos i pranojmë si parime apo ideologji në shoqërinë tonë.Kosova është shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, shembull i dialogut dhe pajtimit, tolerancës dhe bashkëjetesës.Kosova është shembull se si të gjendet fuqia që të tejkalohet e kaluara e hidhur, me lufta e dhimbje, dhe të ndërtohet e ardhmja në paqe e prosperitet.Kjo është ajo për të cilën kam punuar këtë vit.Kjo është ajo për të cilën do të punoj edhe katër vitet e ardhshme.Ju ofrojmë bashkëpunim institucioneve vendore e partnerëve ndërkombëtarë për forcimin dhe zhvillimin e vendit tonë, që të jemi krahë për krahë me botën e qytetëruar.Këtë e kemi obligim. Këtë presin qytetarët nga ne. Për këtë do të angazhohemi.

Ju faleminderit!

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: flet Thaci, Kuvendi i kosoves, miraton Buxhetin e Shtetit

Kosovë-Kuvendi me mungesa kuorumi edhe në mbledhje të Kryesisë

November 15, 2016 by dgreca

-Shkaku i mungesës së kuorumit në mbledhje të Kryesisë ende pa vendim për seancë të re plenare të Kuvendit të Kosovës/

1-kuvendi-Tërhiqet një nga 40 nënshkrimet e deputetëve – nuk plotësohen kushtet për seancë të jashtëzakonshme/

PRISHTINË, 15 Nëntor  2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës edhe sot mbeti pa kuorum, të cilin nuk e kishte as dje për mbledhjen e ftuar të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare.Kryesia nuk pati kuorum për të vazhduar mbledhjen e nisur sot, pasi e lëshoi grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.Fillimisht, Kryesia u njoftua me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të deputetë nënshkrues, për seancë të jashtëzakonshme, për datën 16 nëntor, në lidhje me zhvillimet e fundit hetimore në rastin e vdekjes së aktivistit të LVV-së Astrit Dehari në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si dhe me shkresën e deputetit të PDK-së, Bislim Zogaj, për tërheqjen e nënshkrimit të tij nga kjo kërkesë.

“Deklaroj se me dt. 12. 11. 2016, kam firmosur kërkesën e GP VV për mbajtjen e një seance plenare për sqarim lidhur me rastin. Mirëpo, ju njoftoj se firma ime është përdorur për një seancë të jashtëzakonshme, për të cilën nuk jam i gatshëm. Preferoj që paraprakisht të priten rezultatet e hetimit nga institucionet përkatëse”, thuhet në sqarimin e deputetit Zogaj.

Në këto rrethana, u konstatua se kërkesa, e mbetur me 39 nënshkrime, nuk i plotëson kushtet për seancë të jashtëzakonshme, meqë duheshin së paku 40 nënshkrime deputetësh.

Në këtë situatë, përfaqësuesit e grupit parlamentar të Vetëvendosjes  e lëshuan mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, duke bërë të ditur se nuk janë të gatshëm të marrin pjesë në asnjë seancë të rregullt, pa u mbajtur seanca e jashtëzakonshme.
Mbledhja e Kryesisë ishte ftuar për përgatitjet për vazhdimin e seancës plenare të 28 tetorit, e cila u ndërpre në mungesë kuorumi, si dhe për seancë të re plenare të Kuvendit të Kosovës me mbi 10 pika në axhendë.Në seancën e re plenare, për të cilën Kryesia nuk vendosi as sot në mungesë kuorumi, rreth gjysma e pikave pritet të janë për shqyrtimin e parë të 5 projektligjeve: për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit  për procedurën përmbarimore, për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës penale, për kontrollin e mbrendshëm të financave publike,  për Inspektoratin Shëndetsor dhe për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit  për liritë fetare në Kosovë.Një nga pikat tjera pritet të jetë rekomandimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2017.Kryesia e Kuvendit të Kosvës, kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, para se të mbetet pa kuorum sot, vendosi që seanca plenare e ndërprerë të vazhdojë të enjten, në 17 nëntor.

Filed Under: Komente Tagged With: Kryesia, Kuvendi i kosoves, mungoesa

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 9
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Gjuha shqipe dhe alfabeti shqip, shprehje e identitetit të shqiptarëve dhe kërkesave për unitetin kombëtar
  • Kthimi ynë në Kosovë me Premierën Amerikane të Filmit Dokumentar Return to Kosovo
  • 113th Anniversary of Albanian Independence in NYC
  • BEDRI PEJANI – JETA, VEPRIMTARIA DHE IDEALI I PASHUAR PËR SHQIPËRINË ETNIKE
  • “Nëntori i Parë”…
  • Frontespici i Mesharit të Buzukut
  • Jetëshkrimi i Dom Nikollë Kaçorrit 
  • ZEF PALI 1910 – 1977
  • Ambasadori Jürg Sprecher: Zvicra dhe Kosova – Miqësi që ndërton të ardhmen
  • Z. Harry Bajraktari, faleminderit për gjithçka që keni bërë për Kosovën
  • 28 Nëntori — drita e rilindjes dhe amaneti i përjetshëm
  • LIVERPOOL ECHO (1939) / NËPUNËSI ANGLEZ : “JU RRËFEJ UDHËTIMIN TIM NË SHQIPËRI PAK DITË PARA PUSHTIMIT NGA ITALIA”
  • Hasan Prishtina, njëri ndër ideologët kryesorë të çlirimit dhe bashkimi kombëtar të shqiptarëve
  • SHTËPIA E BARDHË KA SHPALLUR “JAVËN E ANTI-KOMUNIZMIT”
  • DOM PJETËR POPAJ, 40 VJET NË SHËRBIM TË ZOTIT, ATDHEUT DHE SHQIPTARËVE TË AMERIKËS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT