• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kuvendi i Kosovës, me 23 vota pro kalon rezoluta për EULEX

July 23, 2015 by dgreca

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 23 Korrik 2015.- Në Kuvendin e Kosovës, në një seancë të re të nisur sot, kaloi një rezolutë me 23 vota pro, 17 kundër e 23 abstenime, ndërsa dje në një vazhdim seance nuk u hodh në votim për shkak të mungesës së kuorumit, pas një debati parlamentar zhvilluar pasdite lidhur me veprimtarinë e misionit të BE-së në Republikën e Kosovës. Rezoluta që kishte hyrë në axhendë me kërkesën e deputetes Albulena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje, e mbështetur nga 5 deputetë nënshkrues, në debatin e zhvilluar nuk mbështetej nga grupet parlamentare të partitve më të mëdha të koalicionit qeverisës.
Deputetja Haxhiu, duke paraqitur arsyetimin e këtij debati, tha se, “misioni i BE-së që nga themelimi e deri në ditët e sotme nuk ka funksionuar mbi bazën e një kornize juridike, përmes së cilës do ta njihte shtetin e Kosovës, përkatësisht statusin e saj si Republikë sovrane”. Sipas saj, ky mision dështoi në zbatimin e kompetencave ekzekutive.
Shefi i grupit parlamentar të partisë më të madhe të koalicionit qeverisës, Adem Grabovci, theksoi se, “PDK-ja mbështet zhvillimin e debateve konstruktive në Kuvend të ngritura nga kushdo, por nuk pranon të përfshihet në debate shterpe të mbështetura në shpifje e sajesa mediale dhe jo në fakte dhe dokumente konkrete”.
Poashtu, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, partisë së dytë të koalicionit qeverisës, Ismet Beqiri, theksoi se, kjo forcë politike “nuk mund të përfshihet në debate për probleme të pavërtetuara apo të ngritura nga dikush që nuk ka kompetencë në vendimmarrje për probleme të tilla”.
Shefi i grupit parlamentar të VV-së, subjektit më të madh opozitar, Glauk Konjufca, theksoi se, “duhet të debatohet për një institucion të tillë si EULEX-i, pasi vetë ky Kuvend e ka miratuar qëndrimin dhe zhvillimin e aktivitetit të këtij institucioni të BE-së në Kosovë”.
Sipas deputetetes Time Kadriaj – grupit parlamentar të AAK-së, partisë së dytë të opozitës, “jo vetëm te qytetarët e Kosovës, por edhe brenda BE-së ka pakënaqësi për aktivitetin e EULEX-it”.
Shefja e grupit parlamentar të Nisma-s, subjektit të tretë opozitar, Valdete Bajrami, theksoi “dështimin e EULEX-it në fushën e drejtësisë”.
Mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës , e ndërprerë në 16 korrik për shkak të mungesës së kuorumit, gjatë pasditës së djeshme, vijoi me pikat e mbetura, fillimisht me votimin e Projektligjit për Sigurimet, i cili u miratua në parim.
U miratuan në parim edhe Projektligji për faljen e borxheve publike, Projektligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Projektligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave dhe Projektligji për Tatimin në të Ardhurat Personale.
Seanca e sotme e re e Kuvendit të Kosovës ka nisur me “koha për deklarime jashtë rendit të ditës” për të vazhduar me “koha për pyetje parlamentare”.
Në axhendë është edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat e Autorit dhe të drejtat e përafërta, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Armë, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Pajisje me Armë, Municion dhe Pajisje Përkatëse të Sigurisë për Institucionet e
Autorizuara Shtetërore për Siguri, si dhe shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2014.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, kalon rezoluta, Kuvendi i kosoves, me 23 vota pro, për EULEX

Kosovë-Kuvendi drejt vendimeve të reja, pas mungesave në kuorum dhe vota

July 19, 2015 by dgreca

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 19 Korrik 2015/-Në një verë me vapë të këtyre ditëve në Kosovë, Kuvendin e presin edhe më punë para se të shkojë në pushim. Miratimi i Ligjit që i hapë rrugë rishikimit të Buxhetit të Shtetit për vitin 2015, ishte vendimi i fundit i Kuvendit të Kosovës në këtë javë, 16 korrik, pasi për shkak të mungesës së kuorumit për votimin e projektligjeve seanca plenare ndërpreu punimet.
Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015 kaloi shqyrtimin e parë dhe të dytë në procedurë të përshpejtuar pasi në 24 korrik Bordi i FMN-së në Uashington do të diskutojë marrëveshjen me Kosovën.
Në prezantimin e projektligjit nga qeveria i është dhënë një rëndësi e veçantë marrëveshjes me FMN-në, ruajtjes së fondeve për investime dhe uljes së shpenzimeve në mallra dhe shërbime.
Vazhdimi i seancës së ndërprerë të Kuvendit të Kosovës pritet javën e ardhshme, duke nisur me votimin e Projektligjit për Sigurimet, të shqyrtuar tashmë për herë të parë.
Qeveria e Kosovës, në 17 qershor, ka miratuar Projektligjin për Sigurimet, i cili përcakton procedurat, parimet dhe rregullat themelore për licencimin dhe mbikëqyrjen e siguruesve, re siguruesve, ndërmjetësuesve të sigurimit. Projektligji rregullon funksionimin e industrisë së sigurimeve në Republikën e Kosovës në mënyrë të sigurt, të qëndrueshme dhe transparente si dhe mbrojtjen e interesave të policë mbajtësve, ka theksuar qeveria.
Në Kuvendin e Kosovës pritet edhe që qeveria të riprocedojë për votim amendamentin kushtetues që ka të bëjë me Gjykatën Speciale pasi për këtë edhe të sigurohet numri i nevojëshm prej dy të tretave.
Në 26 qershor, Kuvendi i Kosovës me 75 vota pro, 7 kundër, 2 abstenime nuk e miratoi propozim-amendamentin nr. 24 në Kushtetutën e Republikës për krijimin e Gjykatës Speciale. Votat kundër dhe abstenim ishin nga pozita – PDK, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim. Për miratim mungonin 5 vota, duheshin së paku 80 vota të Kuvendit 120 anëtarësh, përfshirë këtu edhe dy të tretat e 20 deputetëve të komuniteteve pakicë.
Dy të tretat e votave duheshin, por nuk u arritën, edhe për zgjedhjen e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në seancën e 16 korrikut të Kuvendit kosovar.
Për axhendën e mëtejme dhe përgatitjet e seancës plenare në fillimjavë pritet të ftohet mbledhja e përbashkët e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës me kryetarët e grupeve parlamentare.
Qeveria e Kosovës, e zgjedhur në 9 dhjetor 2014, për vitin 2015 ka parashikuar të përgatisë dhe të dërgojë për miratim në Kuvend rreth 100 ligje.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi i kosoves

KOSOVA RISHIKON BUXHETIN E SHTETIT 2015, RËNDËSI E VEÇANTË MARRËVESHJES ME FMN-në

July 16, 2015 by dgreca

-Kuvendi i Kosovës, kërkohet raportim për bisedimet Prishtinë-Beograd në Bruksel/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Korrik 2015 – Shqyrtimi i dytë i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, me procedurë të përshpejtuar, është një nga 10 pikat e axhendës së seancës së sotme plenare të Kuvendit kosovar. Ligji sapo u miratua me shumicë votash. “ Kanë votuar 63 deputetë pro, 4 kundër dhe 1 ka abstenuar. Kuvendi miratoi Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015”, konstatoi pak më parë kryesuesi i seancës, nënkryetari Sabri Hamiti.
Miratimi në parim u bë javën e kaluar, në 10 korrik, në vazhdimin e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës pas debatit të një dite më parë, ndërkohë, si u theksua dje në mbledhjen e qeverisë, projektligji ka kaluar diskutimet në komisionet parlamentare me ndryshime të vogla.
Komisioni Parlamentar për Buxhet nuk ka propozuar amendamente që e ndryshojnë strukturën e Buxhetit dhe që do të rezultonin nevojën që të rikonsiderohet edhe njëherë.
Në prezantimin e projektligjit nga qeveria i është dhënë një rëndësi e veçantë marrëveshjes me FMN-në, ruajtjes së fondeve për investime dhe uljes së shpenzimeve në mallra dhe shërbime.
Në seancën plenare të shqyrtimit të parë, Komisioni Parlamentar për Buxhet u deklarua për shqyrtimin e dytë të projektligjit në 16 korrik pasi në 24 korrik Bordi i FMN-së në Uashington do të diskutojë marrëveshjen me Kosovën.
Miratimi sot në Kuvendin e Kosovës i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin do t’i hapë rrugë rishikimit të Buxhetit të Shtetit për këtë vit, ndërsa sipas paralajmërimeve të qeverisë shpenzimet e parashikuara do të jenë më të ulëta për 49 milionë euro. Rishikimi i Buxhetit është bërë në harmoni të plotë edhe me marrëveshjet e arritura me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ka theksuar qeveria.
Buxheti i Kosovës 2015 me të hyra të planifikuara 1 miliard e 576 milionë euro, me një rritje prej rreth 8.1% krahasuar me vitin 2014, është miratuar në 29 dhjetor nga Kuvendi i zgjedhjeve të 8 qershorit, i konstituar pas gjashtë muajsh.
Seanca e sotme e Kuvendit ka në axhendë edhe kohën për deklarime jashtë rendit të ditës dhe për pyetje parlamentare, zgjedhjen e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, shqyrtimin e parë të Projektligjit për Sigurimet, shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave dhe shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Tatimin në të Ardhurat Personale.
Pika e fundit e axhendës është kërkesa e deputetes Albulena Haxhiu (e Lëvizjes Vetëvendosje), e mbështetur nga 5 deputetë nënshkrues për debat parlamentar lidhur me veprimtarinë e misionit të BE-së në Republikën e Kosovës.
PYETJE NË SEANCËN E KUVENDIT: KUSH MUND TË NA GARANTOJË SE BRENDA KOSOVËS NUK DO TA KEMI NJË “REPUBLIKA SRPSKA”?
Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, të nisur sot me deklarime jashtë rendit të ditës, u kërkua raportim për bisedimet Prishtinë-Beograd në Bruksel.
“Kërkojmë nga kryeministri dhe ekipi negociator që të jenë transparentë për të gjitha vendimet të cilat i marrin në këto bisedime”, tha deputetja Valdete Bajrami, nga grupi parlamentar i Nisma për Kosovën.
“Duhet të raportonit këtu në Kuvend se si shkuan këto bisedime dhe çfarë vendimesh keni marrë”, vijoi ajo duke kërkuar që “me asociacionin-bashkësinë e komunave serbe të mos lejohet krijimi i një minishteti brenda Kosovës në veri”.
“Kush nga ju mund të na garantojë se brenda Kosovës nuk do ta kemi një ‘Republika Srpska’?”, ishte pyetja e deputetes Bajrami.
Sipas saj, “krijimi i kësaj bashkësie do të jetë jashtë rendit kushtetues të Kosovës dhe pikërisht do të jetë Beogradi që do të vendosë për ato komuna”.
“Pra, ky asociacion neve nuk do në na mundësojë që të kemi qasje në atë pjesë të vendit, sepse rendi dhe ligji do të funksionojë nën kompetenca të Beogradit dhe llogaria do t’i jepet vetëm Beogradit”, ka shprehur opinionin e saj deputetja Bajrami.
Gjatë këtij deklarimi kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa nuk ishte në seancë, ndërsa në 8 Korrik në mbledhjen e qeverisë ka thënë se në dialogun me Serbinë në Bruksel “temat të cilat tani i kemi në rend të ditës nuk janë shumë të lehta, janë tema që kërkojnë vëmendje të veçantë, sepse janë zgjidhje specifike të cilat ne nuk i kemi pasur deri më tani në Kosovë”.
“Në katër tema që i kemi tash në shqyrtim, mund të them se ne e kemi përfunduar praktikisht marrëveshjen për kodin telefonik. Marrëveshja është e gatshme, nuk është nënshkruar”, ka shtuar ai.
“Kemi përafruar qëndrimet sa i përket Asociacionit të Komunave, jo të Statutit, por vetëm të parimeve themelore, mirëpo kanë mbetur disa çështje të cilat duhet të diskutohen dhe të sqarohen edhe më tutje, në mënyrë që çdo gjë që merremi vesh atje të jetë e zbatueshme dhe të jetë e aplikueshme”, ka theksuar Mustafa.
“Janë diskutuar, por nuk janë përfunduar edhe çështjet e marrëveshjes për energjinë dhe lidhur me Urën mbi Ibër që kanë mbetur që të diskutohen në vijim”, ka vijuar ai.
“Ne kemi prezantuar qëndrimin tonë, që jemi për atë që të bëjmë përpjekje që këto katër marrëveshje t’i përfundojmë, dhe që si pako t’i realizojmë, natyrisht duke e nënshkruar secilën veç e veç, sepse e konsiderojmë që në to është punuar gjatë, në disa prej tyre mbi dy vite, si në marrëveshjen për kod telefonik dhe atë për energji dhe se mundemi që ato përnjëherë t’i pranojmë dhe t’i aprovojmë, natyrisht pas një dialogu i cili është përmbajtjesor dhe kemi një angazhim shumë të madh të ekipit tonë”, ka thënë kryeministri kosovar Mustafa në mbledhjen e qeverisë pas kthimit nga Brukseli.
Në 30 qershor njoftohej se, nuk është arritur asnjë marrëveshje finale në bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel të raundit të 27-të në nivel të lartë kryeministror, të nisura një ditë më parë në mëngjes, e të përfunduara pas mesnate.(Foto-Arkiv)

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi i kosoves, Prishtine-Beograd, raportim

Kosovë- Kuvendi pro rishikimit të Buxhetit të Shtetit 2015

July 10, 2015 by dgreca

*Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deklaroi se, “ndërhyrjen e kryesuesit të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, me ndalimin e fjalës së shefes së grupit parlamentar të AAK-së, e konsideron ndërhyrje arbitrare në zërin e 33 mijë qytetarëve të vendit, nënshkrues të peticionit kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike”.
“AAK e konsideron këtë goditje ndaj demokracisë dhe të drejtës së deputetit për t’u shprehur”, u tha në deklaratë./
Nga Behlul Jashari/
PRISHTINË, 10 Korrik 2015- Kosova do bëjë rishikimin e Buxhetit të Shtetit. Votimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015 u bë sot në vazhdimin e seancës plenare të Kuvendit kosovar pas debatit të ditës së djeshme dhe mungesës së kuorumit. “Kërkohet nga Komisioni Funksional dhe komisionet e përhershme që të shqyrtojnë Projektligjin dhe Kuvendit t’ia paraqesin raportin me rekomandime për seancën plenare që do mbahet në 16 korrik”, tha pas votimit me shumicë e miratimit në parim kreyesuesi, Xhavit Haliti.
Kuvendi i Kosovës dje fillimisht votoi për shmanige nga rregullorja – shqyrtim të parë dhe të dytë me procedurë të shpejtuar të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Shtetit 2015.
Në prezantimin e projektligjit nga qeveria iu dha një rëndësi të veçantë marrëveshjes me FMN-në, ruajtjes së fondeve për investime dhe uljes së shpenzimeve në mallra dhe shërbime.
Nga Komisioni për Buxhet u tha se shqyrtimi i dytë i projektligjit duhet të bëhet në seancën plenare në 16 korrik pasi që në 24 korrik bordi i FMN-së në Uashington do të diskutojë marrëveshjen me Kosovën.
Miratimi në Kuvendin e Kosovës i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin do t’i hapë rrugë rishikimit të Buxhetit të Shtetit për këtë vit, ndërsa sipas paralajmërimeve të qeverisë shpenzimet e parapara do të jenë më të ulëta për 49 milionë euro. Rishikimi i Buxhetit është bërë në harmoni të plotë edhe me marrëveshjet e arritura me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ka theksuar qeveria.
Buxheti i Kosovës 2015 me të hyra të planifikuara 1 miliard e 576 milionë euro, me një rritje prej rreth 8.1% krahasuar me vitin 2014, është miratuar në 29 dhjetor nga Kuvendi i zgjedhjeve të 8 qershorit, i konstituar pas gjashtë muajsh.
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, i miratuar nga qeveria në 26 qershor, është një nga 12 pikat e seancës plenare të Kuvendit kosovar, të nisur dje e që vazhdoi sot.
Në vijim të seancës, u bë shqyrtimi i parë i Projektligjit për faljen e borxheve publike, por nuk kishte kuorum për votim.
Sot u bë edhe votimi për katër pikat e bartura nga seancat e kaluara, i Rekomandimit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione lidhur me Peticionin e qytetarëve të Rahovecit për ndriçimin e fatit të Ukshin Hotit; Votimi i Rekomandimeve të Komisionit për të Drejta e Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione lidhur me Peticionin kundër shtrenjtimit të çmimit të Energjisë Elektrike; Votimi për emërimin e anëtarit në Këshillin Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës dhe Votimi i Raportit vjetor për gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës për vitin 2014.
Deputetë të opozitës lëshuan seancën pasi deputetetes së AAK-së, Donika Kadaj –Bujupi, iu ndërpre fjala nga kryesuesi dy herë radhazi.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila thirri konferencë shtypi në ambientet e Kuvendit deklaroi se, “ndërhyrjen e kryesuesit të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, me ndalimin e fjalës së shefes së grupit parlamentar të AAK-së, e konsideron ndërhyrje arbitrare në zërin e 33 mijë qytetarëve të vendit, nënshkrues të peticionit kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike”.
“AAK e konsideron këtë goditje ndaj demokracisë dhe të drejtës së deputetit për t’u shprehur”, u tha në deklaratë.
Në axhendën e sotme të Kuvendit është edhe shqyrtimi i Raportit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2014 dhe Raportit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2014.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Buxheti, deklarata e AAK, Kuvendi i kosoves

KUVENDI I KOSOVES, SEANCE PER DEKLARATEN KUSHTETUESE TE 2 KORRIKUT

July 2, 2015 by dgreca

Kongresmeni Engel duke folur për proceset në Kosovë përgjatë 20 viteve të kaluara tha se ishte koha që Kosova të lëvizte para, të bëhej shtet i pavarur e sovran./
Kuvendi i Republikës së Kosovës mbajti një seancë solemne për shënimin e 25-vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, në të cilën u tha se kjo Deklaratë përbën një moment të rëndësishëm të historisë së Kosovës.
Në këtë seancë ishin të pranishëm edhe deputetët e asaj kohe si dhe miku i Kosovës, Eliot Engel.
Kongresmeni, Eliot Engel në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës tha se kur vjen në Kosovë ndihet si në shtëpinë e tij dhe kosovarët janë shumë mikpritës.
“Sa më shumë që kam dëgjuar për padrejtësitë që po i bëhen Kosovës, aq më shumë kam dashur ta luftojë këtë padrejtësi”, tha ai.
Engel përmendi një ngjarje të viteve 90-ta kur kishte dashur të vinte si vëzhgues zgjedhjesh, por që regjimi i Millosheviqit nuk e kishte lënë të hynte në Kosovë, duke e quajtur njeri problematik. Ai me këtë rast tha se pati mbajtur konferencë për media në kufi me Maqedoninë.
Kongresmeni Engel duke folur për proceset në Kosovë përgjatë 20 viteve të kaluara tha se ishte koha që Kosova të lëvizte para, të bëhej shtet i pavarur e sovran.
Ka shumë gjëra për të cilat tha se duhet të bëhen në Kosovë, si sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, zhvillimi i ekonomisë. “Dua të shoh demokraci, sundim ligji”, u shpreh Engel. “Prej zemre e dua Kosovën dhe do ta keni mbështetjen time gjithmonë”, tha Engel.
Kongresmeni foli edhe për Gjykatën Speciale, për të cilën tha se duhet të formohet nga institucionet e Kosovës. Ai tha se nëse nuk do të formohet nga institucionet e Kosovës, ka frikën se do të formohet nga Kombet e Bashkuara, e kjo tha se do të ishte problematike për Kosovën pasi ka vende që nuk e njohin shtetin e Kosovës.
“Kjo do të ishte problem shumë i madh për Kosovën”, tha Engel. Ai tha se dëshiron të shoh Kosovën në BE dhe të bëhet liberalizimi i vizave.Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se Deklarata kushtetuese e 2 Korrikut përbën një moment të rëndësishëm të historisë së Kosovës.
“Ishte një përballje e madhe me nacionalizimin e egër serb”, tha Veseli.
Kryeparlamentari tha se delegatët e Kuvendit të Kosovës bën atë që ishte vullnet i qytetarëve të Kosovës të asaj kohe.
Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës u shfaqën sekuenca të asaj kohe, ku bëheshin përgatitjet për miratimin e Deklaratës kushtetuese, 1990.
Ndryshe, Më 2 korrik të vitit 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës, miratuan publikisht, para Kuvendit të Kosovës, Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.
Ky ishte një akt historik që shprehte aspiratat shekullore të popullit të Kosovës për mëvetësi shtetërore e territoriale nga Serbia.
Miratimi i kësaj deklarate paraqet padyshim një akt me rëndësi vendimtare për historinë më të re të Kosovës e të popullit shqiptar.

Filed Under: Featured, Kronike Tagged With: Eliot Engel, Kuvendi i kosoves, per 2 korrikun, Seance

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT