• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LAMTUMIRE ADRIOLA!

October 19, 2014 by dgreca

KRONIKE DHIMBJEJE- QINDRA BASHKATDHETARË I DHANË LAMTUMIRËN E FUNDIT ADRIOLA SPAHIUT NË JACKSONVILLE, FLORIDA/
Nga Dalip Greca/
Të Shtunën me 18 Tetor 2014, së bashku me zv/kryetarin e Vatrës, Asllan Bushati dhe Adem Belliun e TV Kultura Shqiptare në New York, udhëtuam nga aeroporti Newark i Nju Xhersit që në orën 5 të mëngjesit. Me peshën e dhimbjes të humbjes së jetës të vajzës të mikut tonë të përbashkët, njëkohësisiht kryetar i degës së Vatrës në Jacksonville, Adriatik Spahiu, ishim nisë nga Bronxi-NY, që në orën 2 e 30 të mëngjesit. Vajza e Adem Belliut,Vera, na kishte përcjellë me makine në aeroport. Pesha e dhimbjes për moshataren e saj ndjehej dhe tek Vera. Pas rreth dy orëve fluturim u ndodhëm në aeroportin e Charlotte-s. Një orë qëndrim aty dhe pas një orë e 15 minutash arrijmë në aeroportin e Jacksonville. Aty takuam kryetarin e Vatrës, dr. Gjon Bucaj, që kishte udhëtuar që në mbrëmjen e së premtes, pasi kishim ngushëlluar së bashku, familjen e Anton Rajës, që humbi djalin e tij, Justin. Ishte një fundjavë e dhimbshme për komunitetin shqiptar, kjo që kaluam.
Vatrani Gjergj Lacuku po na priste me makinën e tij në hyrje të aeroportit.
Kur i afrohemi vendit të ngjarjes, ku u këput jeta e 19 vjecares Adriola Spahiu, Gjergji qëndron dhe na tregon dhimbshëm:- Ja këtu ndodhi tragjedia! E shkreta vajzë!
Në orën 10 e 30 arrijmë pranë Shtëpisë Mortore Ponte Vedra Valley . Jemi gjysëm ore para fillimit të shërbimeve funerale. Kemi kohë të mjaftueshme sa të porosisim aty pranë një kurorë lulesh në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. Na ndihmon bashkëshorti i vatarnes Lola Hodo, që së bashku me Adem Belliun, shkojnë dhe bëjnë porosinë. Kurora e tufa me lule ka në dërguar edhe dega e Vatrës në Jacksonville, dega e Vatrës së Queensit në New York, dërguar nga dr. Skënder Murtezani,dega e Vatrës në South Florida me kryetar Kolec Ndoja, i cila së bashku me bashkëshorten ka ardhë t’i shprehë ngushëllimet bashkëshortëve Spahiu, dega e Vatrës në Orlando. Në orën 11 me peshën e dhimbjes në shpirtrat tanë shkojmë drejt arkmortit, ku qëndron 19 vjecarja e pajetë Adriola Spahiu.
– Prehu në Paqë, Adriola!
Cfarë t’i thoshim Adriatikut, Lolës, Mateas, për t’i ngushëlluar? Ku t’i gjenim fjalët? Ishim bërë të pagojë nga dhimbja. Mbahu vëlla? Mbahu motër! Kurajo Matea!
Zoti i merr për vete ëngjejt! Zëri ka iku, psherëtima dhe lot!
Njerëzit vetëm se vijnë varg. Shtëpi mortore duket e vogël për numrin e madh të shqiptarëve që kanë ardhë nga cdo cep i Floridës, por edhe nga Nju Jorku, Michigani, Bostoni dhe shtete të tjerë. Shumë rrinë korridoreve apo në sallën ngjitur me atë ku ëshët vendosë arkmorti. Vargu i gjatë ka mbushur edhe hapsirën jashtë Shtëpisë mortore. Për shumë minuta nuk ka fjalë, dëgjohen vetëm psherëtima e dënesa! Zot, të lutemi! Pse na e more këtë gonxhe, që sapo kishte celë pranverën e jetës? Nuk i kishte mbushë ende 19 vjetët? Po Zoti i di vetë punët e veta! Ne vec na dhemb zemra e na rënkon shpirti ndaj i lutemi e i përgjërohemi!
Adriatiku qëndron i fortë. Lola në krah të tij vec loton, Mateas nuk i besohet se nuk do ta ketë më pranë fizikisht motrën e madhe. Rrëketë e lotëve i zbresin faqeve dhe vec shtërngon dorën e nënës së dashur…
…Vatranët duken se kanë ardhë nga të gjitha anët. Kështu është Vatra si një shtëpi e përbashkët që e ndjenë dhimbjen si një familje e madhe. Janë këtu vatranët e Jacksonvilles, ata të South Floridës, të Orlandos, të Nju Jorkut….Shpresa Gallo ka ardhë së bashku me të birin. Në duar mbanë një buqetë shumëngjyrshe lulesh! Avokatja vatrane Lola Hodo ka ardhë së bashku me bashkëshortin, Gjergji Lacuku bashkë me bashkoshorten,avokati vatran Adrian Gjoka, po ashtu Gjergj Shkurtaj, Zani Hakrama, Elton Hysesai, Janë dhjetëra..Bukurosh Curraj, është i kudondodhur, në krye të punëve, ….
Përvec shqiptarëve kanë ardhë dhe shumë amerikanë për të ngushëlluar familjen. Në funeral respektohet tradita shqiptare. Madje edhe simbolet tona kombëtare, përfshirë Flamurin Kuq e zi. Drejtuesi amerikan i ceremonisë flet gjatë për kurajon, qëndresën dhe historinë tonë Kombëtare, Gjergj Kastriotin Skëndërbeun….Për Adriolën….për ëngjëllin që po ikën…
Fjalime për të larguar dhimbjen. Flet edhe kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, dr. Gjon Bucaj. Fjalët mezi dalin nga dhimbja: E nderuar Familja Spahiu!
I nderuar Adriatik, Zonja Lola dhe Matea, dhimbjen e tuaj të thellë e kemi përjetuar nga larg, prej ditës, kur mësuam lajmin e idhët të tragjedisë që ju u goditi papritmas… Sot kemi ardhë të gjindemi pranë jush për të përcjellë së bashku Adriolën tuaj të dashtun me lamtumirën e fundit.
Adriola u nda nga kjo botë në pranverën e jetës së vet, duke lanë një lule më pak në kopshtin toksor, por prej tashit e deri në amshim, do të jetë një ëngjëll ma shumë në Parajsën qiellore.
Buzëqeshja e saj dhe dashuria për Ju, që i mori me vete, do të vijnë nga lart mbi ju prindët e dashur e të mirë, si rreze ngushëlluse, dhe mbi motrën e vogël Matean, për t’ju zbutë dhimbjen, për t’ju freskue zemrat, që të gjeni forcë ta pranoni me shpirt të qetë mungesën e saj mbi tokë.
Ngushëllim dhe forcë për ju do të jenë kujtimet e saj, dhe kujdesi me dashuni prindërore për lulen e vogël, që keni pranë, Matean,- ta keni me jetë të gjatë e fatlume!
Së fundmi, dr. Gjon Bucaj, ngushëlloi në emër të Vatrës dhe familjes së tij, duke përcjellë kurajo dhe qëndresë përballë dhimbjes.
Në emër të familjes Spahiu, miqëve dhe vatranëve të Jacksonville ka ngushëlluar me fjalë zemre e dhimbje shpirti, Bukurosh Curre. Duke u drejtuar nga arkivoli, ai pshertiu dhimbshëm:- Adriola…Adriola …Adriola…! Sytë përloten. Zëri dridhet…Fjalët s’binden.
– Na mblodhe sot në këtë kor dhimbjesh…Të vështrojmë me drithërima buzësh e psherëtima shpirtrash…Na mblodhe sot të derdhim lot, që nuk i pushojmë dot…Të themi fjalë që s’dalin zëshëm për t’u dëgjuar…
– Dhimbja u vë pengesë fjalëve…
Duke iu drejtuar qindar pjesmarrësve, ai i falenderoi ata qindra njerëz, që kishin ardhë për të ngushëlluar e për t’i dhënë kurajo familjes Spahiu; babait të Adriolës- Adriatikut, nënës Lola, që po i plas shpirti nga dhimbja, motrës Matea, që i rrjedhin lotët pa pushim.
Më pas Bukuroshi përcjell një jetshkrim të Adriolës, e cila lindi më 13 qershor 1995 në kryeqytetin shqiptar, Tiranë. Ishte fëmija i parë i Adriatikut dhe Lolës. Ishte një fëmijë i bukur, plot shëndet, lozonjare, që recitonte, këndonte e vallzonte, si për të shprehur gëzimin për jetën. Ishte e qeshur dhe e dashur përherë. Ishte motra e madhe e Mateas. Rrinin gjithëmonë bashkë si motra e shoqe, ku ndanin së bashku lumturinë e moshës, gëzimin që ndjenin në familjen e gëzuar. Të dyja ishin ëndrra e jetës së Adriatikut dhe Lolës. Të katër së bashku ndjeheshin të lumtur.
Fati e ndihu familjen Spahiu, që në vitin 2004 të vinin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gëzimi e lumturia në tokën e bekur të lirisë ua shtoi lumturinë. Adriola ishte e dedikuar që të sillte mirësi e dashuri për të gjithë.Edhe pse jetoi pak dhe jeta u tregua e padrejtë me të, ajo iku duke lënë pas mirësi. Gjërat më të mira e më të bukura , nuk mund të shihen, as mund të preken, ato i ndjenë vetëm zemra dhe shpirti.
Thonë se Zoti i merr ëngjëjt para kohe, packa se prindërve u drithëron zemrat e u thahen shpirtrat. Ëngjjëlli me emrin Adriola iku shpejt në fluturim drejt qiejve dhe na la pas mesazhin-amanet:-Duhet të duhemi, të jemi të gjithë bashkë, ta duam e ta ndihim njeri-tjetrin; ta kalojmë cdo cast në harmoni dhe të ndjejmë lumturinë…! Jeta është e shkurtër…!
Bukuroshi ngushëllon familjen duke u përcjellë kurajo dhe qëndresë dhe së fundi fton të pransihmit të ndajnë kujtimet që ruajnë për Adriolën. Dhimbja sikur lehtësohet për një cast, por sërish, kur arkivoli mbartet nga shtëpia mortore drejt varrezave aty pranë, pshërëtimat, ofshamat e dhimbjes shtohen. Vargu i qindra pjesmarrësve zgjatet tej rrugës kryesore. Në krye të ceremonisë është dervish Elidon Pashai, që ka ardhë nga Teqeja e Baba Rexhepit në Detroit. Ka bërë gjithë atë rrugë të gjatë me disa ndalesa për të qenë pranë vëllait shqiptar të besimit, Adriatikut, dhe familjes së tij, që shpirtrat u janë copëtuar nga dhimbja. Dervishi i ditur , Elidon Pashai,i ka fjalët e shqipes së bukur- balsam për zemrat që dhembin në këtëo ditë morti. Ai flet e ngushëllon shqip, përcjell kurajo cdo fjalë e tij. Këshillon që t’i qëndrojnë pranë familjes Spahiu për t’ia zbutë dhimbjen.Në Varreza ceremonia e varrimit kryhet në një diell të nxehtë. Flamuri kuq e zi me shqipen dy krerëshe ka mbuluar arkmortin. Fjala e dervish Edison Pashait në përcjelljen e fundme është një esse poetike e mrekullushme, që shkon drejt e në shpirtra. Ka aty dashuri për jetë, por edhe dhimbje mërgimi…. Adriatiku, Lola, Matea, me lule ndër duar i afrohen arkmortit, dhe vendosin mbi të lulet…Lule ishte dhe ajo që po varroset. Një dorë dhe’ sipas traditës, takimi dorë më dorë me familjen dhe gjithcka përfundon aty për të marrë me vete dhimbjen e madhe. Agimi, vëllai i Adriatikut, falenderon pjesmarrësit e shumtë dhe i fton ata që të mos mungojnë në drekën e lamtumirës së Adriolës.
Lamtumirë Ardiola!

Jacksonville, 18 tetor 2014

Filed Under: Featured Tagged With: Adriola Spahiu, dalip greca, kronike dhimbjeje, Lamtumire

ALO VAÇE!

April 9, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/ Midis 9:00 dhe 10:00, pak a shumë rreth kësaj kohe, kur mendoja se ajo e kishte kryer ritualin e mëngjesit dhe tash qëndronte e ulur përpara televizorit duke patur pranë telefonin, telekomandën dhe një orë të vogël, që i tregonte se kur duhej të merrte ilaçet, unë do ta merrja në telefon për t’i uruar ditën e lindjes. Sa niste muaji prill, gjëja e parë që mendoja ishte ditëlindja e Vaçes. Pushtimi nga Italia, lindja e princit trashëgimtar, ikja e Zogut – të gjitha vinin pas ose nuk vinin fare. Unë besoja se Zoti kishte bërë që Vaçja të jetonte afër nesh. Si për të na e lehtësuar peshën e mungesës së Atdheut. Prania e saj në Zvicër, edhe e zvogëluar prej sëmundjes në atë kolltukun e dhomës së miqve kur priste shqiptarë dhe ndiqte me vëmendje lajmet që vinin nga vendi i saj, përfaqësonte për mua 28 mijë kilometra katrorë të një Shqipërie europiane. Të një Shqipërie siç do të bëhet, ashtu siç e deshte zemra e Vaçes, të një Shqipërie që Zoti e ka vendosur në mes të të mirave. Kur kjo klasë politike që e ka lënë kockë e lëkurë atdheun tonë, të mos jetë më. Vaçe Zela simbolizonte Shqipërinë nuse, kur të bëhet si Zvicra e Ballkanit.

Rreth kësaj ore, midis 9:00 dhe 10:00 të paradites, si tani që po i shkruaj këto rradhë, në vend të telefonatës që do të bëja. Unë do t’i bija ziles dhe kur do t’i thosha „Alo, Vaçe“ – ajo nga ana tjetër do të më përgjigjej menjëherë „Elida“. Sepse e dinte shumë mirë që unë lumturohesha kur ajo ma njihte zërin menjëherë, kjo jo vetëm për shkak të veshit të saj të ndjeshëm muzikor. Por sepse midis nesh kishte një sintoni të bukur. Që unë e desha Vaçe Zelën, kjo nuk përbën ndonjë diçka të re sepse shqiptarët që deshën dhe e duan janë një oqean i madh, por sintonia jonë ishte e veçantë.
Sot provova t’i bie ziles me shpresë se mos më përgjigjej që nga parajsa. Këto janë gjëra që deri tani nuk kanë ndodhur. Por diçka është e sigurt se edhe prej parajse ajo rrezaton një diell dashurie për të na ngrohur e shkrirë ne shqiptarëve nga ngrica e përçudnimi.
Gjithë jetën më ka shoqëruar Vaçja. Me mrekullinë e zërit të saj jam rritur. Edhe kur dëgjoja fshehtas Beatles. Nuk vija ndonjë ndryshim midis tyre. Nuk e di nëse Beatles, John Lennon me shokë si do t’ja kishin dalë në Shqipërinë burg, ku këndonte Vaçja. Nëse do t’ia kishin thyer vargojtë diktaturës përmes këngës, ashtu si Vaçe Zela.
Tek Vaçja, Zoti i kishte dhuruar të gjitha bashkë. Ajo kishte zërin, talentin, zemrën, interpretimin, feminitetin. Ishte një artiste e kultivuar e cila i thyente të gjitha barrierat nën diktatin e një sistemi mizor. Si askush. Si asnjë.

Asnjëherë nuk pati lidhje me regjimin. Nëse do të kishte, regjimi do ta shpërblente ashtu si i ka shpërblyer të gjithë artistët dhe shkrimtarët që i pati shërbëtorë të bindur.
Vaçen diktatura e dënoi në mënyrën më kriminale të mundshme. Nuk mundi dot ta burgoste si i burgosi të tjerët. Sepse i friksohej Vaçes, dimensionit të saj gjigand. Atëherë gjeti mënyrën më tragjike. Duke ia hequr të drejtën e këngës. Duke e nxjerrë Vaçe Zelën në pension në moshën 45 vjeçare.
Ta nxirrje Vaçe Zelën në pension në moshën 45 vjeçare, t’i hiqje të drejtën e këngës, do të thotë që ta ekzekutoje me mënyrat më të përbindshme që përdorte diktatura. Si mund të ishte pushkatimi apo varja në litar.
Dhe më vjen keq, se mediat në Shqipëri vazhdojnë dhe e fshehin këtë fakt. Më vjen keq kur dëgjova në fjalët e lamturës që u thane për të, se Vaçe Zela iu largua vetë skenës si Greta Garbo! Kjo s’është e vërtetë. Vaçe Zelën e largoi nga skena diktatura. Sepse ajo ishte titane! Diktatura përpara saj dukej qesharake.
Sa nuk ishte sëmurë, gjatë qëndrimit të saj në Zvicër, kur ne të dyja flisnim bashkë dhe unë i referohesha kthimit të saj në skenë, ajo asnjëherë nuk më tha „jo“. Që do të thotë se ajo gjithnjë e mbante mendjen dhe shpirtin tek skena. E cila iu mohua nga diktatura dhe nga tmerret e tranzicionit. Sepse Vaçe Zela nuk do të largohej kurrë nga Shqipëria edhe fizikisht, ashtu si nuk u largua kurrë as mendërisht e shpirtërisht. Ajo vuante për të gjitha mbrapshtitë që i vuante Shqipëria dhe shqiptarët gjatë këtyre 23 viteve pasdiktaturë, kur shteti nuk kishte kohë për qytetarin, kulturën dhe artistët sepse ishte i përqendruar tek pangopësia për pushtet.
Kur ajo vdes, shteti e kujton Vaçe Zelën postmortum, kur shtanget nga pesha prej titaneje e Artistes, të cilën diktatura e largoi nga skena në prillin e vitit 1984 – plot 30 vjet më parë, ndërsa ajo vazhdon të qëndrojë në skenën e shpirtit të kombit që është i pavdekshëm. Sepse Vaçe Zela ishte një talenti i lirë dhe sovran, i pastër dhe i papërlyer. E kështu do të mbetet. Në përherësi.
Unë po i bie ziles së telefonit. Sinjali po bie pa pushim. Unë po pres mrekullinë që ajo pas telefonit të më përgjigjet « Elida ». Jam duke pritur që të paktën të më dërgojë një shenjë nga Parajsa. Padyshim që këtë shenjëz do ta marr.

Filed Under: ESSE Tagged With: Elida Buçpapaj, Lamtumire, Vace Zela

LAMTUMIRË PROFESOR NJACI

February 8, 2014 by dgreca

– FJALA E RASTIT NË CEREMONINË MORTORE TË PERCJELLJES SË NJAC LACUKUT, I CILI NDERROI JETE NE ÇIKAGO /

Nga: Bahri Asllani*

E nderuar familja e Njac Lacukut,/

E nderuar bashkshorte Age, /

Të nderuar djem të Njacit, Landi e Toni./

Të nderuar të afërm e pjesmarrës bashkatdhetarë!/

Kurr nuk ma kishte marrë mendja se me mijëra milla larg atdheut tonë të dashur, këtu në Çikagon e Amerikës, një ditë do ti thoja këto dy fjalë percjellëse per njeriun e dashur Njac Lacuku të cilit sot në moshën 82 vjeçare po i japim lamtumirën e fundit per në jeten e pasosur të pertejvarrit.

Per Njac Lacukun edhe po të mbajmë një fjalim shumë të gjatë, edhe po të zgjedhim fjalet më vlerësuese, më të mirat e më të gjeturat që i takojnë një njeriu, prap nuk do të kemi thënë shumë. “Zotni Njaci”, – siç e njeh dhe e thërret krejt Shkodra ka një vend të nderuar si njeri e si kuader, si sportist e profesor i sportit, si nenpunes e drejtues shembullor, si aktivist i palodhur shoqror me dekada të tera me ndikim të gjërë në fshat e në qytet.

Sot, në këtë ditë ndarje e percjellje të Njacit, na vjen si në ekran jeta e tij intensive e shembullore. I tillë ishte Ai si nxenes e sportist gjatë studimeve të mesme e të larta ku gjithnjë shquhej per zell e vullnet, per ndershmëri e figurë të paster pedagogjike e sportive. I tillë, shembullor mbeti deri në fund të jetës së tij.

Familja Lacuku, sot ka humbur të madhin e më të dashurin saj. Bashkshortin ka humbur Ag-ja, babain kanë humbur djemtë, gjyshin , nipat e mbesat. Por krahas familjes suaj të nderuar Lacuku, është dhe një familje tjeter edhe më e madhe, edhe më e njohur edhe më e degjuar gjithkund në Shkoder, në Shqipëri e jashtë saj, që sot bjen në heshtje e nderim per birin e paharruar;  -Ajo familje ka një emer historik:  –Vllaznia e Shkodrës!

Me emrin e Vllaznisë lidhet krejt jeta e ketij njeriu shembullor që sot po i japim lamtumirën. Shumë vite atlet i klubit “Vllaznia”, shumë dekada mësues, trajner e profesor në fshatrat e qytetin e Shkodrës, shumë vite kuader drejtues në sektorin e sportit në shkalllë rrethi. Zotni Njaci ishte më i papërtuari, më i palodhuri, njeriu që nuk e diti kurr fjalen ‘Jo”, njeriu i gatshëm aty ku ishte më vështirë. Dhe gjithëkund fjalëëmbël, gjithëkund buzëgas, gjithëherë frymëzues e mobilizues per të tjerët në rrugën e kapërcimit të veshtirësive, në rrugen e suksesit. Shumë dekorata e medalje flasin per vlerësimet ndaj punës së tij të gjithanshme në disa dekada.

Unë personalisht kam patur fatin e mirë ta kem mik e koleg per shumë e shumë vite kur isha mësues por edhe drejtues i Komitetit të Kultures Fizike e Sporteve të Rrethit. Unë isha Kryetari i zgjedhur dhe i emruar, por, ama, nuk e teproj të them se per mua, moralisht, Njaci ishte kryetari im. Per këtë njeri, ruaj konsideratat më të larta, vlerësimet më pozitive, respsktin më të madh.

Veshtirë të hasim nenpunes më korrekt, më sistematik, më të kujdesshem se zotni Njaci. Puna e tij sidomos në gjetjen, ruajtjen e pasurimin e dokumentacionit të sportit në vite në rrethin e Shkodres do vlerësohet edhe më shumë edhe në të ardhshmen. Puna me perkushtim shembullor e Njacit është në themel të historikut të sportit shkodran, në fototeken nga më të pasurat, në shenimet e ditaret nga më korrektët.

Jeta erdhi e tillë dhe Njac Lacuku po varroset sot në Çikago të Amerikës ku po percillet me shumë nderime jo veç nga komuniteti i Çikagos por edhe nga shumë shtete të tjera të Amerikes deri edhe nga Kalifornia e larget. Por, të mos harrojmë se po të ishte ky varrim atje, në Shkodren e dashur, në token tonë, në At’dheun e paharruar, me mijëra do ishin edhe ata shkodranë që nuk do mund të rrinin pa ju bashkue kësaj percjelljeje. Ish koleget, ish nxenësit qe janë aq shumë, ish sportistet e veprimtaret e sportit qe e ndjenë nga afer doren e tij në jetë, do i thoshin lamtumirë profesor Njacit.

Në kontributin e Njac Lacukut per zhvillimin e perparimin e sportit shkodran tash sa dekada, ka nje vend nderi edhe vet familja e tij. Injaci punoi dite-nate per sportin, per arsimin e kulturen ne pergjithesi por duhet thene se mbrapa i kishte krahet e sigurtë, kishte gruan e tij shembullore Agen, kishte dy djemt prej ma të mirëve që i ka Shkodra, Landin mësues e drejtor shkolle e Tonin basketbollist shembullor të Vllaznisë sonë të dashur. Ag-ja dhe djemtë, jo vetem nuk iu bene kurrë pengese Njacit në detyrat e tij të shumta, por perkundrazi ju bene krahë dhe e mbeshteten pafundësisht per të qenë ky pra, ky që po flasim sot.

Jam i bindur se Njac Lacuku do të mbetet një shembull frymëzimi per të gjithë ata që e kan njohur, per të gjithë ata që kan punuar apo edhe thjeshte kanë ndenjur qoftë edhe pak kohë me të.

-I paharruar qoftë emri e kujtimi i mirë i zotni Njacit.

-Shpirti i tij pastë dritë në jetën per ku po niset sot.

-Zoti e pastë nën kujdesin e tij.

-I lehtë të qoftë dheu i tokës së premtuar, dheu i Amerikës o zotni Njac!

-Ju qofshi shendosh të gjithë, pjesetarë të familjes, të afërm, miq e shokë, gjithë sa po len mbrapa i nderuari Njac Lacuku.

-E gjetshi dhe e takofshi njeriun tuaj të dashur në driten e Parajsës.

  -Nga Çikago, USA, Shkurt 2014-

* Ish kryetar i Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve të Rrethit të Shkodrës

 

 

 

 

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Lamtumire, Njac Lacuku

Koli , nuk mund te rri pa të thënë:Lamtumirë!

November 23, 2013 by dgreca

Nga Rafael Floqi/Michigan/

Koli ty mund të të them lamtumirë po kujtimeve s’u them dot.

Në botën e medias të qenit vazhdimisht në kontakt me atë që ndodh nga profesion kthehet edhe në hobi. Por kurrë ndonjëherë ndonjë lajm kronike, nuk më ka tronditur aq shumë, sa befasia e njoftimit për humbjen e jetës të mikut tim Sokol Olldashi.

Jeta është e shkurtër, ajo duhet jetuar me një qëllim. Dhe kjo ishte ajo që e karakterizonte mikun tim Sokolin për sa kohë e kam njohur unë. Por meqë, largësia të këput edhe lidhjet, janë kujtimet pozitive ato që më shume u tronditën kur mora vesh këtë humbje të madhe, për familjen, për PD-në dhe miqtë e shokët e shumtë që e kanë njohur.

Gjatë kohës që po konkurronte për kryetar të PD-së i thosha një shoku se si e njoh unë Sokolin, apo Kolin siç i thërrisnim te gjithë. Unë krenohem me të, i thashë një miku se unë i kam dhëne mësim , e kam pasur nxënës, vartës dhe koleg. Unë s’pata mundësinë ta njoh më vonë kur u ngjit në detyrë, pasi u largova në SHBA dhe distanca e koha bëjnë të vetën, por unë besoj se, ashtu siç e kujtojnë të gjithë, me atë buzëqeshjen, disi ironike, disi çamarroke nëqeshëse të rinisë, ai ishte po ai një njeri me zemër të hapur, ashtu siç e njoha në bangat e Shkollës së Mesme “Naim Frashëri”, kur unë sapo isha emëruar mësues i letërsisë dhe Sokoli ishte në maturë.

Ishte viti 90-të, ishte periudha e eksodeve dhe e shndërrimeve të mëdha politike. Shpirtin e revoltës të tij e ndjeja në orët e Letërsisë të Realizmit Socialist, ku përpiqesha që atë frymë demokracie që gëlonte t’ua induktoja edhe nxënësve, duke dhënë më shumë anën artistike se kufizimet ideore. Nuk harroj se në sytë e Sokolit dhe të nxënësve në klasë kishte një  dëshirë për diçka më shpresëdhënëse për më shumë liri. Ata të gjithë prisnin.

Si sot më kujtohet se si në atë shkollë mbi një mijë nxënës, megjithëse se një pjesë e tyre i pat marrë era e lirisë dhe eksodi i marsit, të mbledhur në hollin e brendshëm të shkollës, thërrisnin “Liri- Demokraci”, dhe më tej lanë mësimin dhe dolën dhe protestuan në rrugët e Durrësit. Sokoli ishte vetëm 18 vjeç dhe jo vetëm qe një nxënës i mirë, por kishte tipare e një lideri që në atë kohë, një lider që i bindeshin të gjithë. Si sot kam parasysh fytyrën e rreptë të drejtoreshës komuniste të shkollës, Sadete Çuçi e cila dukej si e zënë me faj përpara çiltërsisë së revoltës të një vullkani djaloshar si ai i Sokolit dhe i shokëve të tij, përpiqej t’i qetësonte dhe t’i pengonte të demonstronin jashtë shkollës.

Unë ia njihja disi fatin e familjes ku politika komuniste i kishte ndarë dy prindërit e tij, pasi me të ëmën Kozetën bënim shpesh herë rrugën Durrës- Rrogozhinë. kur unë jepja mësim aty  dhe udhëtonim me autobuzin pa xhama të Shkodrës në mëngjes herët, ku ajo zbriste diku në një fshat të Kavajës. Aty rreth viteve 88-89-të qe zbehur disi lufta e klasave e Kozeta qe pranuar në arsim. Ajo ishte pjesëtarë e zjarrtë e një grupi arsimtarësh që diskutonim diku në fund të autobusit për hapat e zbehtë demokratizues të Ramiz Alisë.

Por Kolin  e njoha më mirë në vitet 95-96, kur në vitin e fundit të studimeve për juridik, punuam së bashku në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në kohën kur unë qeshë drejtues i sektorit të brendshëm. Më kujtohet se vetëm një ditë mu desh t’i shpjegoja punën dhe më tej ai e çau vetë rrugën. Ishte një kohë idealesh demokratike, iluzionesh dhe deziluzionesh për demokraci. Ai ishte vetë në fund të vitit të Juridikut dhe e ndjente se duhet të bënte më shumë. I  kishte vënë vetes një qëllim.  Kishte një ideal, kishte një mision. Ai ishte rritur, edhe në ato pak vjet, ai djaloshi që njihja më parë në gjimnaz ishte pjekur. Ai kishte një pikësynim, ai e donte Shqipërinë, demokracinë, PD-në jetën, jo vetëm për veten e tij, por edhe për sakrificat që kishte për jetuar qysh në moshën dy vjeçare në fushat e Selenicës.

Një djalë i kompletuar si rrallëherë. Inteligjent dhe i pjekur ai bënte diferencën jo vetëm me moshën e tij por edhe me njohuritë e tij . Autoriteti i tij ishte i pa diskutueshëm ne shoqëri dhe në punë dhe buronte nga cilësitë e tij njerëzore dhe si gazetar. Në atë kohë nuk ishte ende një politikan i shquar, por një njeri ku kultura e tij e gjerë bashkohej me humanizmin në një shkrirje qe rrallë e gjen tek qeniet njerëzore.  Ai i kishte vënë një mision vetes.

Misionin e tij e kuptova më mirë kur të dy punuam së bashku tek gazeta “Albania” në vitet 1997-98 në vitet më të vështira kur mund të ishe opozitar. Koli ishte redaktor i politikës dhe unë i kronikës. Ishte interesant  përkushtimi i tij në ato vite të vështira. Ai ishte i vetmi gazetar nga “Albania” që mund të shkonte e të mblidhte informacion tek Partia Socialiste. Miku i gjyshit të tij Servet Pëllumbi ishte dhe mik i mirë i Kolit.  Ai ishte i lindur për politikën dhe e kuptonte atë si mision.

Gazetaria e bëri atë të qëndronte në kontakt me politikën, e bëri që të njihej dhe të afrohej edhe nga Sali Berisha më afër Partisë Demokratike, anëtar i së cilës qe qysh kur u krijua.  Sokoli nuk u akaparua në PD ai ia hapi vet rrugën e jetës së tij politike. Sokoli kishte një përkushtim për punën që nuk e hasje tek të tjerët, imagjinoni në mes të rebelimit komunist shkoi në Vlorë dhe përtej dhe intervistoi kryetarët e komiteteve të shpëtimit. E kuptoni ç ‘risk ishte për një gazetar të Albanias në ato kohë.

Ai ishte ende i ri kur e kam njohur, por jeta tregoi se ashtu të vrullshëm siç e kam ndjekur më vonë pas ardhjes sime në Amerikë, me gjithë sfidat e mëdha që iu vunë para, diti t’i përballonte si duhet. Vetë fakti që menaxhoi dikasteret me peshë dhe s’u dëgjua asnjë fjalë për korrupsion, flet për këtë

Sokolin nuk e kam njohur në detyrë pasi emigrova në Amerikë, e do të kisha dëshirë ta takoja, pasi vlera e vërtetë e njeriut tregohet thonë se ç ‘qëndrim mban me njerëzit që i ke njohur, kur i ke hipur kalit. Por besoj se nuk  kishte ndryshuar, ashtu siç nuk i kishte ndryshuar ajo buzëqeshja ironike në fytyrë, disi fëmijnore, disi shpotuese ndaj miqve edhe ndaj opozitës. Ai dinte të ruante dinjitetin e vet, ashtu dhe të kundërshtarit.  Fakti është që në mortin e tij të papritur të gjithë e nderuan miq dhe kundërshtarë,  tregon se vlerat e njerëzorë vlerësohen nga të gjithë. Ndaj dhe ky fatkob ndriçoi jetën e tij të shkurtër dhe fatbardhë.

Nuk e besoj, sesi jeta e Kolit u pre në mes në rrugën për të cilën insistoi shumë. Kur shoh arkivolin e tij në TV, më kujtohet ajo ç’më kishte thënë ai për arkivolin e torturës të gjyshit të tij, Dashnor Mamaqit. Gjatë torturave në hetuesi Dashnorin e kishin futur në arkivol të gjallë me një helmetë mbi kokë e të lidhur, një nga torturat më të çmenduara psikologjike të Sigurimit të Shtetit, që të pranonte ato që donin ata. Atij ky imazh i pat mbetur gjithnjë ne mendje siç i pat mbetur edhe balta e sertë e Selenicës , qysh nga mosha dy vjeçare. Por ai nuk qahej për këtë, shumë nga shqiptarët e morën vesh qe ai ishte i përndjekur politik i komunizmit tani, pasi ai nuk e përmendte kurrë. Ai mendonte të ndërtonte të ardhmen për të harruar, jo për t’u hakmarrë për të shkuarën. Ai e sfidoi të tashmen për të larguar të keqen e të shkuarës.  Në në këtë përqasim imazhesh të dy arkëmorteve është simboli i një jete të shkurtër të jetuar si ‘sokol’, ashtu siç e kishte emrin. Tani nga Koli mbetet imazhi i një djaloshi që u bë burrë, dhe burrë shteti, që mund ti jepte më shumë Shqipërisë dhe vendit, por iku shpejt, ashtu siç diti të ecte vetëm shpejt dhe drejt në jetë. Ai nuk i druhej vdekjes ashtu siç thoshte John Lenon “Unë nuk kam frikë nga vdekja se nuk besoj në të, është si të dalësh nga një makinë dhe të hipësh në tjetrën”, Po më mirë të mos kishte hipur në atë makinë…

 

Filed Under: Featured Tagged With: Lamtumire, Rafel Floqi, Sokoll Olldashi

Lamtumirë miku ynë i shtrenjtë!

November 21, 2013 by dgreca

Nga Astrit PATOZI /

Çfarëdo që të bëjmë dhe çfarëdo që të themi ne sot, në këtë ditë zie, do të ishin të pamjaftueshme për të nderuar dhe respektuar si duhet Sokolin. E unë, ndoshta më shumë se kushdo tjetër, e kam të vështirë të gjej fjalët. Sepse pata fatin e mirë, por edhe të keq, për shkak të kësaj gjëme, të jem një ndër miqtë e tij të afërt, për gati 20 vjet.
Sepse më kujtohet, që e kemi ndjellur këtë ditë, kur me shaka i kemi thënë njëri-tjetrit se çfarë do të shkruajmë në fjalimin e lamtumirës, kur Ai, që është lart, do të thërresë të parin prej nesh në radhë.
Dhe kjo ka ndodhur zakonisht pas ceremonive, kur në të shumtën e rasteve për të ndjerin thuren zinxhirë lëvdatash dhe ditirambesh. Kemi thënë jo pak herë, reciprokisht, se do të çoheshim nga varri, nëse dikush në fjalët e përcjelljes do të na fyente, duke na vënë mbi shpinë merita dhe atribute, që nuk i kishim patur dhe që nuk na takonin. Dhe ndonëse do të doja shumë që Sokoli të ngrihej, e kam të pamundur që të mos ia respektoj atij amanetin.
Që prej mbrëmjes së djeshme e derimë tani kam dashur të besoj se gjithçka ndodhi ishte një ëndërr, por në fakt e tillë duket se ka qenë jeta e shkurtër e Sokol Olldashit. E megjithatë, ai u largua nga kjo botë më i realizuar dhe më i plotësuar se askush tjetër, pavarësisht se dha shumë më tepër, se sa mori, në jetën e tij, të prerë në mes. Kurrkush si ai nuk i jetoi me aq intensitet vitet e jetës së vet. Por ky është gjithsesi një ngushëllim fare i vogël për një humbje kaq të madhe.
Do të na mungojë të gjithëve, por mbi të gjitha familjes së tij të mrekullueshme, ndaj së cilës ndjehemi në faj, që i shkuam në shtëpi pa Sokolin. Kozeta, Kela, Glauku, Kleiti, Vangjeli, Sula, Ardi dhe Alda do të ndjehen gjithmonë krenarë për njeriun e tyre më të shtrenjtë, por asgjë nuk do të mund t’ia zëvendësojë atyre burrin e shtëpisë.
Unë nuk dua të flas sot për Sokol Olldashin si politikan, jo se nuk kam gjë për të thënë. Përkundrazi. Por se çfarëdo vlerësimi që të kem, nuk do t’i shtoj ndonjë gjë të madhe asaj që ai vetë ndërtoi në këto vite karriere të vrullshme, ku la gjurmët e tij të pashlyeshme, kudo ku shkeli, kudo që foli, dhe kudo, ku veproi si shtetar i klasit të parë. Ato janë, gjithsesi, të njohura për secilin prej nesh, por edhe për çdo shqiptar tjetër, pavarësisht bindjeve politike.
Por kam shumë për të thënë për Sokol Olldashin njeri, për shokun tonë të paharruar. Sigurisht, që kam të pamundur të flas në emër të të gjithë miqve të tij të shumtë, të shpërndarë në çdo cep të kësaj Shqipërie. Sepse, unë jam thjesht vetëm njëri prej tyre.
Por besoj se kam edhe lejen e tij për të thënë se Sokol Olldashi nuk kishte asgjë heroike në qenien e vet. Asnjë grimcë patetizmi, ndonëse zanati ynë e kërkon, madje në disa raste me tepri, këtë dimension. Por kjo nuk e pengoi atë aspak të ishte njeri i vendimeve të forta dhe të drejta dhe këtu nuk kam parasysh vetëm karrierën politike. Kjo nuk e pengoi atë të ishte një adhurues dhe lëvrues pasionant i gjithçkaje të bukur, që ka krijuar mendja e njeriut. Muzika, poezia, piktura, filmi, libri në përgjithësi, ishin realisht mjedisi, ku ndjehej më mirë se kudo tjetër. Dhe jam shumë i sigurtë, se do të kishte arritur në të njëjtat kuota dhe të njëjtat maja, në rast se do të kishte vendosur për t’u marrë me secilin prej pasioneve të tij, në këmbim të politikës.
Sokol Olldashi bënte shaka me vdekjen, dhe kjo u ndodh gjithmonë atyre, që e duan dhe e jetojnë në thellësi jetën. Edhe pse një mendje e mprehtë dhe përgjithësisht racionale, ai ishte, gjithashtu më entuziasti midis nesh. Prej më shumë se 15 vjetësh evitonte në maksimum fluturimet me avion, duke besuar verbërisht se i sigurt ndjehesh vetëm me këmbë ose me rrota mbi tokë. Por, ndonëse nuk ishte ndonjë fanatik i teknologjisë, luante me makinën dhe me shpejtësinë, njësoj si me tastierën e kitarës së vet.
Duke e shndërruar, praktikisht, makinën në një avion të rrezikshëm. Ironia e fatit e deshi, që vdekja ta gjejë, pikërisht, në vendin ku ai ndjehej më i mbrojtur, se kudo tjetër.
Do të na mungojë, jo thjesht humori i tij i papërsëritshëm, edhe në situatat më të rënda, por mbi të gjitha, sensi i optimizmit edhe në ditën më të zezë, edhe në kohën më të keqe. Dhe kjo është shenja e parë dhe më e qarta, që i dallon burrat e fortë nga njerëzit e zakonshëm.
Sokol Olldashi ishte një shqiptar i madh, dhe unë këtë e them me bindjen time më të thellë, edhe pse për këto fjalë asnjëherë nuk do ta merrja miratimin e tij. Në këtë botë dhe në atë tjetrën, ku po e përcjellim sot, me pikëllim. Por jo nga ai soj shqiptarësh, që mendojnë për ta shkruar me dorën e tyre historinë e vet. Dhe si i tillë hyri në histori.
Një përfaqësues brilant i brezit të vet, i pjekur shumë para kohe, edhe për shkak të një jete të vështirë, arriti ta provojë veten dhe t’ia dalë, duke mbajtur barra tepër të rënda në një moshë fare të re.
Dhe ruajti të njëjtin ritëm dhe të njëjtin ekuilibër, që nga dita e parë, kur vendosi të marrë përsipër gjëra të mëdha. Dhe gjithçka e arriti vetë, pa marrë asnjë dhuratë Krishtlindjeje, që nga dita e parë, e deri mbrëmë, në çastin, kur u shua. Pa i hyrë në borxh askujt, por duke na bërë të gjithëve borxhlinj. Ndaj edhe me sa duket vendosi të ikë nga kjo botë i vetëm, edhe pse ishte personazhi, më me shumë miq, që unë kam njohur ndonjëherë.
Lamtumirë miku ynë i shtrenjtë! U prefsh në paqe Sokol Olldashi! I paharruar, kujtimi yt!

Filed Under: Featured Tagged With: Astrit Patozi, Lamtumire, Sokol

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT