• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONTI I SONETEVE

February 1, 2023 by s p

NGA FERRI NË PARAJSË…

– për Uran Kostrecin, në 85 vjetorin

e lindjes, sa pa ikur janari i tij –

Nga Visar Zhiti

Edhe ti dje a pardje, njëlloj është, gjithmonë në të kaluarën, kishe datëlindjen, se në të tashmen s’ndodh asgjë për Ty, vetëm harrim…

Ke qenë në burg gjatë, shumë gjatë se nuk duronin dot kundërshtitë e tua, ëndrrën tënde të lirisë, por sot nuk durojnë dot poezinë tënde të shkruar në burg, janë me kafazin, jo me zogun flatra-dhëmbur, ndoshta kështu do të nisje ti një sonet të ri…

Por unë po shtoj fjalët që kam thënë për ty, bashkëvuajtës shpirti:

NJË TITULL NDERI

Më vjen të vë titullin “Kont” tani që shkruaj Uran Kostreci, jo vetëm pse kemi një Kont Urani në historinë e lavdishme të Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, të atij burrit plot besë, që i qëndroi në krah Heroit Kombëtar dhe, edhe kur Sulltan Murati I a II a të dy ishin gati që t’i jepte mushka me florinj, që ta shiste Skënderbeun dhe ai s’u korruptua kurrë, na e dëshmon historia, por kështu dhe Urani im, i qendroi besnik vuajtjes së tij, burgut, idealit, nuk u korruptuar asnjëhere, i pa epur deri në ashpërsi, nga shkaku i drejtësisë, i dhëmbshur deri në lotë, nga shkaku i mirësisë, poet, madje i sonetit, tringëllimës në shqip, që e shkruajti pa ndërprerje, e buronte, me një begati rimash, duke e bërë armën e tij, si një shpatë argjendi marciale, plot gurë të çmuar, me atë godiste të keqen që i dilte përpara dhe nderonte si një kalorës virtytet dhe emrat e lartë, ata të Ballit të Kombit. Secilit më të shquarve u ka kushtuar nga një sonet, që ua ka dhënë si dekorate. Vërtet Uran Kostreci kishte diçka kalorsiake prej konti, një vetmi fisnike dhe me miq plot, bredharak dhe i qendrueshëm, që s’të falte dhe falës, zë lartë dhe i urtë, dinjitoz e i hijshëm, i gjatë, me një kapele republike mbi krye, si një enigmë, me një shkak. Dhe me mendime republikane, konservatore, me cigaren në buzë si një shpotí, duhej ca tym, duhej. Portret dhe poeti dhe ashtu ishte. I përkiste letërsisë tjetër, asaj që erdhi nga burgjet dhe internimet. Dhe në librin tim, në sprovën “Kartela të Realizmit të Dënuar”, është dhe ajo e ustait të soneteve, qendrestarit të burgjeve që tha: “burgu s’më bëri asgjë mua”. E gjithë vuajtja për këtë sfidë…

KARTELA E DHËMBSHME

E URAN KOSTRECIT:

…pasionanti i soneteve të klasicizmit, i atyre tringëllimave që duket se u krijuan qysh në shekullin XIII për t’i kënduar dashurisë dhe gëzimeve, por që në poezinë moderne shqipe, në letërsinë tjetër, u kthyen në klithma apokaliptike. Që i vogël Uran Kostreci u njoh me persekutimin komunist, i arrestojnë babanë si nacionalist, i nxjerrin nga shtëpia familjarisht… duke u rritur, duke iu shtuar dëshira për shkollë, ia del të mbarojë “Normalen” e Elbasanit, bëhet dhe mësues, por do të shkruante keq në një poezi për Enverin, vetëm arratisja do të mund ta shpëtonte, por e kapin në Liqenin e Pogradecit dhe e dënojnë me burg, e mbyllin në Burrel… I burgosuri Ejëll Çoba i dha mësime italishteje dhe Danten, Koço Tasi i bëri filozofi, Kudret Kokoshi i përforcoi sonetin dhe nacionalizmin, ndërsa rebelizmin e kishte vetë në gjak. Kur ishte në vitin e 15–të të burgut, e dënojnë prapë me 8 vjet të tjera, me akuzën se kishte sharë Enverin, hakamarrje për poezinë që nuk ia gjetën dikur. Mbas 20 vitesh, e lirojnë, sipas tij nga shkaku i “Lëvizjeve në Kosovë”. Punon hamall dhe e arrestojnë prapë dhe prapë në internim dhe ai prapë do që të arratiset dhe arrestojnë në tren dhe ai u ikën prapë… kur përmendet nga goditja me hekur në kokë, e sheh veten me pranga në duar. Mbas torturave të shpejta, një gjyq i shpejtë në Elbasan dhe e dënojnë me 3 vjet të tjera burg. “Epopeja e karkalecave”, poemë e Uran Kostrecit doli nga burgu bashkë me të, jo e shkruar, e kishte në mbamendje dhe u bë e njohur si satire. s’bëhet fjalë për epideminë e karkalecëve, që ra kur komunistët morën pushtetin, por është si një kacafytje letrare me një satirë tjetër të një shkrimtari të socrealizmit, e cila qe futur dhe në tekstet e shkollave, nga që përqeshte patriotët dhe luftën e tyre duke shtrembëruar të vërtetat historike. Urani i soneteve, i zgjedhur dhe si kryetar i Partisë Demokratike në Elbasan, i përvishet punës së antigenocidit, heton nga ata që ishin përgjegjës për persekutimet komuniste, nja 30 të tillë i bëjnë gati dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë, por lirohen shpejt nga rrëmujat e ’97 dhe mbetet i rrezikuari përsëri Urani i burgjeve dhe ikën, tani ia del, shkon në SHBA, kërkon strehim politik dhe strehohet te shoqata shqiparo–amerikane “Vatra”. Në 2007 kthehet në atdhe, boton një libër me sonete dhe një novelë. Shkruan sonete vazhdimisht, edhe kur ishte 80 vjeç, ja atje mes njerëzve te një tryezë në kafenenë “Piazza” në qendër të Tiranës dhe nuk e heqte nga kryet borsalinën.

Ca kuqo artistë, a për frik’ a për pare,

Kur ferr qe Atdheu, iu lëpin tiranit:

Ja shitnë ata, gjer dje, shpirtin shejtanit!

Duke u tërhequr… këmba–dore zvarre,

Bënë ata filma e rrejtën ashiqare,

Se kuqot gjasme i dhan’ dërmën gjermanit..

Ndonse vran’ shqipo për qejf të Dushanit!

Çka u bë dje, s’po thotë askush gjë fare,

Po qysh dhe sot… ca filma me kulakë,

Spiunë amerikanë e priftërinj,

Prap’ shfaqen… çoroditin mjaft të rinj,

Që s’njohin komunizmë e s’dinë aspak

Qysh kuqua Atdhen burgosi, derdhi gjak

E n’ internim ai vrau dhe çiliminj.

Ishte soneti ÇORODITJE, një mesazh me vlerë për gjithë artet e letërsinë…

A e dinin pse Uran Kostreci e mbante borsalinën vazhdimisht, nuk e hiqte as brenda, në takime e salla veprimtarish, nuk donte që t’i dukej në kokë një vragë e përthellët plumbi. E kishte që nga atëhere, kur e qëlluan rojat në burg, teksa u ishte hedhur përsipër telave me gjëmba të ferrit për t’u vrarë, xhupi i të burgosurit iu shpupurit nga plumbat duke shpërndarë copëza pambuku të zi si pendë korbash dhe ai ra i vrarë. Kur ia zvarritën kufomën për te një nga birucat, një Zot e di se ç’engjëll erdhi dhe e ringjalli…Që të mos duket as si hero dhe as si viktimë, – do të shkruante studiuesi Uran Butka, – ai mban atë kapele republike.

* * *

Kaq herë i bëri dredha vdekjes dhe s’ja kishte frikën asaj. Dilte nga spitali si më buzagaz, pas çdo operacioni, Edhe me Covid-19 sikur tallej. Le të rivinte. E donte jetën, por më shumë nderin e saj. I pa lodhur, më së fundmi vendosi të shplodhej. 83 vjeç mbylli sytë përgjithmonë… por mbeti ajo xixëllimë sysh sikur donte të thosh që i pashë edhe ferr edhe parajsë. Në fakt tek ai më shumë panë… Ndizte një cigare dhe nën tymin e saj shkruante një sonet tjetër. Ai vërtet u bë një lloj konti i vonë i sonetit të harruar. Atdhetar së pari. Dhe shkruante dhe për Kosovën, dhe për Çamërinë, për demokracinë, SHBA-në, për burrat sërisht, për politikën e ditës… sonete morali. Si porositë. Pa zor. Dhe si të ishin frymëmarrja e fundit. Si poet ai ka shumë frymëmarrje të fundit. Lajmi u dha se do të kishte homazhe në nderim të tij. Dhe ku? Në Godinën e ish të Përndjekurve Politikë. Atje,.. një tjetë trishtim dhe ky, i përndjekur deri në vdekje. I ndarë. Atje…. Duket sikur homazhet kështu mund të bëheshin njëlloj dhe në qelitë e burgut të Burrelit. A s’kishte shteti salla institucionesh të kulturës, ku nën hijen e Flamurit Kombëtar, të silleshin dhe kurorat me lule, se Uran Kostreci u bë emër i njohur i poezisë së tanishme, mediatik me intervistat, emblematik si qendrestar, zë i kujtesës së vuajtjes së madhe, që përbashkon dhe jo që ndan popullin…

* * *

…mungon në tryezat me miqtë, në kuvende, në shëtitjet vetmitare rrugëve, por gjithsesi është më shumë se më parë, zë poeti, kumbimesh që në letra quhen sonete, që vuajtja e lartësoi si Njeri. Dhe kishte datëlindjen dje, pardje, do të ishte 85 vjeç në këtë fund janari…

Filed Under: ESSE Tagged With: Jozef Radi, Lazer Radi, Visar Zhiti

BURRË I MADHËRISHËM, TË PASHË ME ÇIZME TË ZEZA BALTE DHE THINJA SHENJTI…

January 31, 2023 by s p

PËR DR. LAZËR RADIN,

një ditë pas datëlindjes së tij

dhe 107 vitesh të tjera…

Mall për Ty… Ka 15 vjet që ke ikur, por prapë je, jo vetëm kujtesë dhe imazh, por dhe vepër dhe frymë…

Jo të gjithë mundin të të kujtojnë, edhe pse ishe mik i madh, as institucionalisht, megjithëse dhe vetë mbetesh një institucion, por edhe kanë frikë prej teje, megjithëse ishe tejet njerëzor, i urtë, at’ dhe kryefamiljar në atë kasollen tënde, në internim, se familjen nuk e bëjnë muret e pallatit, pasqylirat, pasuria, por dashuria dhe përkushtimi dhe dinjiteti…

Më shfaqesh në rrugët e Lushnjës, kur vije nga internimi për ndonjë punë, i heshtur dhe vetmitar, truplartë, me çizmet e zeza të baltës dhe thinja shenjti, vërtet monumental.

E dija që im atë të kishte mik, pastaj dhe unë, u miqësova me djemtë e tu, Ninin dhe Luçin, me dhëndrin, Dinen, kemi qenë bashkë në burg, flisnim dhe për ty, kur ti ishe liruar, por në internim gjithmonë, për dorëshkrimet e tua, esenë për Migjenin, që e kishe patur shok, kjo më mrekullonte atëhere, lexova dhe kujtimet e tua për vitet ‘30, sa shumë mësova e kuptova dhe ende nuk di gjë më informuese dhe më të bukur se libri yt. Të kam ardhur dhe në kasolle, në internim, ku përreth nuk kishte vetëm lehje qensh, por dhe spiunë, edhe në Tiranë, te ajo vilëz, ku u kthyet, edhe në Nju Jork u takuam, kur ti bridhje si djalë i ri, me Ervisin, nipin, ndoshta kujtoje vitet studentore në Romë. Atje studiove në Universitetin “La Sapienza”, shok me shkrimtaren Musine Kokalari, ajo studionte për letërsi e ti për jurisprudencë. Ti vije nga Prizreni, nga kryeqyteti historik i Bashkimit të shqiptarëve, erdhe në Tiranë, në kryeqytetin e ri, i ikët përndjekjes serbe, shkove në Shkodër, kryeqytet shpirtëror, u njohe me Profesor Ernest Koliqin, me Prof. Mirash Ivanaj, me të parin do të ishit bashkë në Romë, me të dytin dhe në burg, u shquajte dhe si gazetar dhe u doktorove në Kryeqytetin e Përjetshëm, siç e quajnë Romën dhe do të shkruaja për ty që ishit njeriu i kryeqyteteve, një metaforë kjo, për të treguar klasin tënd. U ktheve në Atdhe, të shërbeje, por fitimtarët, që mbas Luftës II Botërore dhe deri sa ra perandoria komuniste, një gjysmë shekulli të mbyllën si kundërshtar burgjeve dhe internineve. Edhe andej shkruaje, poezi, studime, përktheje… Dhe kanë frikë ende nga ty, edhe tani që s’je, edhe ata që s’janë dhe bënë diktaturën, që s’i dënoi e ardhmja, askush s’mbajti përgjegjësi, s’kërkuan falje dhe pasuesit e tyre, sundimtarë të rinj, politikanë, deputetë, akademikë, kritizerë, poetë, etj, kanë ndërruar maskat, veturat, vendet, mbase dhe sjelljet, por jo mendësinë dhe qendrimet, as strategjinë e harresës dhe të kujtesës së tyre…

Prandaj dhe Lazër Radi duhej të lihej, ja ashtu si dikur, në terrin e burgjeve dhe në braktisjet internimeve. Sidomos vepra e tij. Vuajtjen edhe mund t’ia nderojnë, edhe mund ta kenë dekoruar, atë a bashkëvuajtës të tij, aq më mirë pas vdekjes, thonë ata, por veprën jo, librat, poezinë, nuk ia durojnë dot, ka shkruar në burg, në internim, ku nuk lejohej dhe letërsia ishte e shtetit, i shërbente sundimtarëve ashtu siç i shërbyen ata dhe e kanë të pamundur shkëputjen si shkëputje nga vetja. Nuk e përballojnë dot, janë mësuar me poshtërimin e tyre fatlum e nuk besojnë gjë tjetër. Poetët janë të emëruar njëherë, hierarkia s’mund të prishet. Kjo është çështja…

e tyre. Se librat e tu, gjithë ajo letërsi që erdhi nga burgjet dhe internimet janë pasuri kombëtare, kulture e përbashkët…

Lazër i dashur,

fola gjatë dhe nuk s’t’u drejtova me “Ju” si dikur, kur ishit mes nesh, as Zotni Lazër, sepse tani je shpirt dhe frymë dhe frymëzim. Je shkrirë në ne…

Lejomë të kujtoj dhe humorin Tuaj, shakatë dhe po e mbyll bisedën me një të tillë, se mërzia është kudo, e di. Kam lexuar një tregim të tanishëm për një zoti Shyti, gjithollog si atëhere dhe tani, që befas i vjen një ide dhe bën propozimin e çuditshëm, që në letërsi të mos jepen vetëm çmime për veprat, por dhe përçmime, Përçmimi I, II, III.

Dhe e di çfarë mendova, e pse të mos jepen çmime dhe për vepra letrare që nuk janë bërë e nuk do të bëhen kurrë? Janë më të mirëprituarat dhe më të lavdêruarat sot, për të mos patur shqetësime e ngatërresa, sidomos me të kaluarën, se atë s’dimë ta bëjmë, thoshte Orwelli, se të ardhmen po, disa e kanë dhe të sigurtë.

Eh, buzëqeshin dhe ata që s’janë më këtu…

Tani më lejo të vë disa fotografi tuajat në fb, s’kam marrë leje kurrkund, po kështu bëhet tani, merren prona, ide, emocione poezie, gjetje të tuat në roman, se u duket se u takojnë gjithmonë atyre, tjetërkujt, sa më i dikurshëm, përkthime, psh, ato që keni bërë në burg ju me shokë, kanë dalë me emra të tjerë, etj, etj.

Fotografitë nuk ma hoqën mallin, por ma shtuan, jeni Ju i ri në Romë, me shoqe, shokë, pastaj burrë me thinja, familjar, me Zonjën Tuaj, asgjë s’thashë për të, por dhe ajo ka qenë në burg e qëndroi e ju ndejti pranë, besnike dhe e fortë, perëndesha e familjes, jeni ju me djemtë e rritur, shoh rrudhat në fytyrë – sa të mira, si llogore, ku u fute ti, për të ruajtur veten, se të tjerët ishin nëpër istikame kundër të tjerëve, po sa më pëlqen fotografia e Prizrenit, ku jeni fëmijë me prindërit, është historike, zaten çdo gjë juaja e tillë është, vura dhe foton që bëmë në shtëpinë tuaj, mes nesh është albanalogu i mrekullueshëm Robert Elsie dhe unë jam me Edën time, ja, dhe librat, i pari Juaji me Jozefin, at’ e bir bashkautorë, parathënien e shkruajta unë, pastaj librat e tjerë, sa ka punuar Jozefi për korpusin e veprës Tuaj, vërtet është si një ringjallje, ndërkaq kam vënë dhe një roman timin, do ma pranoni, besoj, “Në kohën e britmës”, ku jeni personazh, përgjysmë se gjysma tjetër është im atë dhe kam ato poezi që ju kushtohen…

Përzemërsisht,

V

Filed Under: LETERSI Tagged With: Lazer Radi, Visar Zhiti

Gëzuar ditëlindjen e 106-të në qiell, Dr.Lazër Radi

January 29, 2022 by s p

46 vjet i burgosur familjarisht, i internuar nën diktaturë

Nga Keze Kozeta Zylo

Do më kujtohet deri në më të fundmen ditë/ oborri i shkollës fsheh në mangë të kishës/ e në mes tij një pishë/ bijë e mirë blerimi/.

Kur më futën në burg/ lashë gruan me gjithë vajzë/ kur dola nga burgu, gjeta gruan në burg dhe vajzën të vdekur.  Nga libri: “Muret e muzgut”

Sot në këto kohë të çakërdisura, që udhëhiqen nga lider që prodhojnë vetëm ngrica dhe akullnaja nga arteriet e zemrave të tyre të zeza ke mundësi të gjesh shtigje për t’i përballuar këto drithma ftohtësirash dhe të marrësh frymë lirisht duke lexuar bardët e rrallë të kulturës kombëtare.  Kur them të rrallë ata numërohen me gishta si psh Dr.Lazër Radi.  

Kemi pasur nderin si familje të takoheshim në shtëpinë tonë në Tiranë, ashtu thjesht, pa bujë e trumpeta, ja si tek tavolina në foto, të kuvendonim burrërisht në odën me qilim të thjeshtë të punuar nga duararta e vuajtura nëna ime Liri. Sa çudi më dukej kur e takova në fillim sa kishte ardhur nga internimi në Savër dhe po banonte në Tiranë, prej atëhere nuk u ndamë kurrë familjarisht si për së gjalli dhe për së vdekuri…  Ju ishit njohur burgjeve dhe internimeve me elitën e Kombit, ju i latë popullit tuaj lehonë në shekullin e ri, djepin me shqiponjën e lirë dhe ne këndojmë këngët e pakëndueme këngët që t’i kemi borxh përjetësisht…  

Sa shumë figura të ndritura solle në bisedat tona të cilat janë tejet fryëmëzuese për mua dhe një pjesë të civilizuar të Kombit. Jeta juaj ishte burgjeve, por në shpirtin dhe shkrimet tuaja nuk gjej kurrë një molekulë hakmarrjeje, por vetem drejtësi ashtu siç ishte profesioni juaj mbaruar për drejtësi në Romë, profesion që s’e ushtruat kurrë denuar nga diktatura komuniste dhe hoxhiste.

Ne ikëm drejt Amerikës në acarin e shkurtit të 97-ës kur filloi lufta civile.  

Mbaj mend, kur u takuam për herë të fundit në një muzg tirane dhe po ecnim nëpër baltë e lloh përmes një kanali drejt shtëpisë suaj.  Juve ju kishim në mes, na kishit futur krahun mua dhe Qemalit dhe për një moment u ndalët nën krisma plumbash, nën gulçima të ecjesh, pak të rënduar dhe na thatë:  “Bijtë e mi, se shpesh kështu na thërrisnit, u bëmë vite bashkë, njeriun ke mundësi ta njohësh qoftë dhe në një bisedë, por me ju u bënë gati 7 vite.  Unë ndjej dhimbje që do ndahemi, mosha ime është e thyer më shumë nga hallet, por jam i gëzuar që do shkoni në vendin më të lirë në botë atje ku kam bijën e vetme Adrianën time… (O Zot sa shumë e donte, ishte në çdo bisedë tonën).  Une jam i sigurtë se ju një ditë do të ktheheni, e dini pse?  Gjaku thërret, Atdheu thërret.  Por unë dua te jem i sigurtë për ju, qëkur të ktheheni mos të keni fatin tim që u ktheva nga Roma dhe u mbyta burgjeve dhe internimeve.  Ju duhet ta jetoni Lirinë jo vetëm në Amerikë, por dhe kur të ktheheni në Shqipërine etnike… Sa e ëndërronte”!  

Tani që shkruaj nën flakën e qiririt të përshpirtjes ndjej dhimbje ngase do të desha që këto fjalë amanet të Dr.Lazerit të mos ishin aktuale dhe sot…  Mjerisht shumë parashikime të korifejve si Konica, Fishta etj janë shumë aktuale…      

Në këtë 106 vjetor fjalët shqip në librat tuaj më bëhen jehonë që vijnë si nga Bjeshkët e Nëmuna, apo nga Prizreni i vendlindjes suaj, ndërsa ju si Pëllumb Paqeje fluturoni për të takuar miqtë e besës dhe trondit kujtesën të ndërtuar mbi themele harrese… 

Në këtë 106 vjetor me fjalën e parë shqip që ju kujtoj, është poezia e shkruar nga ju me titull “Abetarja”, që është libri i shenjtë i shqiptarëve.  

Dhe ja disa vargje prej saj: “Do më kujtohet deri në më të fundmen ditë/ oborri i shkollës fsheh në mangë të kishës/ e në mes tij një pishë/ bijë e mirë blerimi/”.

Në këtë 106 vjetor ndez një qiri në shenjë përshpirtjeje të përëndishme e lutem në shenjtërinë e fjalëve si para një shenjti dhe bëhem vazhduese e denjë e mësimit të Abetares në Diasporë.

Jeta juaj është si një muze i hapur dhe rrëfeni historinë sa tragjike dhe të bukur të kombit tuaj.  Ecën nga njeri pavion në tjetrin me një trok shekulli e 6 vite të pandalur dhe pas një pushimi zanor lëshon në qiell një tufë pulëbardhash për të ikurit si Ju, për të ikurit prej Soi.  Petalet e shpirtit tuaj puthin me mall që djeg zhur, gërmat e ndritura shqipe, dhe rinisin një këngë që s’do të mbarojë kurrë.  Së bashku rinisim një melodi të pakëndueme, një melodi kujtese që çan gjokset e maleve hijerëndë.

29 Janar, 2022

New York

Filed Under: Histori Tagged With: Lazer Radi

AVE CEZAR

January 30, 2018 by dgreca

Lazėr Radi (1916-1998) – Ave Cezar (Poezi)/

AVE CEZAR/

Gladiatorė/
namėt e urrejtjes mbi ju kam hedhur,/
jo pėr fatin e keq tė skllavit,/
as pėr mallkimin e hidhur tė ndėshkimit,/
veē pėr qėndrimin e ulėt/
tė nėnshtruar,/
lajkatar/
atje poshtė, nė fund tė arenės:/
Ave Cezar, Ave Cezar!/

Ave Cezar!?/
I pėrgjakuri gjakatarin pėrshėndet,/
nė triumf buzėvdekjes!/
Gishti ogurzi, kthyer poshtė,/
nė teh tė shpatės
a nė bri tė demit,
mbytur nė gjak ju la…
E ju prapė
nė grahmat e mbetura tė jetės,
si tė marrė,
ulėrini atje poshtė, nė fund tė arenės
Ave Cezar! Ave Cezar!…

Savėr, 1984
(Nga libri “Muret e Muzgut”)

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: AVE CEZAR, Lazer Radi

Lazër Radi: Njeriu që mësonte ta dashuroje lirinë…

August 21, 2015 by dgreca

nga Jozef Radi/
Sot, Lazër Radi ka të 97 vitin të jetës së vet dhe n’at shenjtninë e tij solemne, sigurisht do t’falenderonte këdo që do ta kujtonte, e njiherësh do t’i përshëndeste edhe ata që s’patën fatin ta njihnin, gja t’cilën po përpiqem ta bëj unë sot, sepse Lazër Radin s’e kam pa dhe as s’e shoh thjesht si djali i tij, po në nji tjetër përmasë: në atë tridimensionale të Njeriut, Idealistit dhe Intelektualit!
Lazër Radi mbetet shoku im ma i mirë i ditve të vështira, ai që s’më shiti asnji herë; ai mbetet mësuesi im i papërsëritshëm, kur shplamja e truve ishte në stinën e luleve; ai mbetet kundërshtari im ma leal, që m’lejoi gjithnji të zgjidhja unë i pari armët e polemikës; ai mbetet strategu të cilit unë asnjiherë s’doja t’i bindesha verbërisht; ai mbetet filozofi që më fliste me orë pafund mbi parimet, që kurrë mos t’ua drejtoja gishtin të tjerëve, po të merresha me veten; ai mbetet pedagogu që e pati tejet të vështirë të ma dhuronte ledhen, po kurrë s’e la veten të rrëzohej tek ndëshkimi; ai mbetet shenjtori për të cilin unë do të falem gjithë jetën; po mbi të gjitha ai mbetet fati im, i mirë dhe i keq, për të cilin as jam ankue dhe as jam trishtue ndonjiherë… dhe vetëm mbas kësaj i jap të drejtë vetes të thotë pa drojë: po Lazër Radi është edhe IM ATË!
Kalvari i Lazër Radit s’dihet kur ka nisur!
Prej masakrës në Bishtazhin të Gjakovës ne fillim të shek. XIX, në deportimin nga Prizreni në1929, prej 23 nëntor ’44, kur ishte 27 vjeç deri te Rrëzimi i Murit kur ishte 74 vjeç ai kaloi plot 46 vjet 163 ditë, burgje, interrnime, kampe!!
Po qëndroi ne kambë dhe i paepun!
E pikërisht 75 vjeçar, Ai rishfaqet dhe e rinis andrrën e vet si të mos kish ndodhë asgja në jetën e tij! Atje ku ia kishin këputë Ai rishfaqej: hijerandë dhe krenar… I gatshëm me dëshmue jo vetën se ishte gjallë po se kishte edhe energji të mjafta për me e çue deri në fund at andrrën e lanun përgjysëm…
U shfaq si nuk e priste kush: Dr. Lazër Radi dhe Avokat Lazër Radi! Si ishte e mundun të dilte nji Doktor, e nji Avokat nga skëterra e burgjeve dhe kampeve komuniste? Si asht e mundub!!! E pra Ai doli!!! Si sfidë e tërbimit kuqalash që e dinin të vdekur e të kallur! Dhe nisi nji valë sulmesh të ulta e të paprincipta të cilave krahas përgjigjive dinjitoze dhe stoike, Ai qetesisht u çonte kopjen e Doktoraturës në Sapienca me 110/110 dhe at Licencën e Avokatisë, që aq shumë ia pat urrye komunizmi!
Lazër Radi s’pat kohë të merrej me diktaturën, shihte diku ma larg e ma nalt, edhe pse se kurseu asnjiherë denoncimin e krimeve të saj… “Merru ti! – më tha – Mjafton të tregosh ti të vërtetën tande, dhe ke rrëfye gjithçka edhe për mue…!”
Ai, ishte ndër të parët e zbritun prej kampeve që shkroi për Fishtën, Koliqët, Prennushin, Musine Kokalarin, Ivanajn, për Mëshkallën, dom Shtjefën Kurtin, për Gjyqin Special, për Shantojën, për Ndre Zadejën, Gjeçovin, për Rugovën e plot të tjerë… Do të ishte themeltar i Lëvizjes për Bashkimin e Shqiptarëve, në Partinë e Unitetit Kombëtar, antar nderi i Partisë Demokristiane, themelues i Shoqatës Katolike, botues i 52 numrave të gazetës “Bashkimi i Shqiptarëve”, përkthyes i poemës mbi krimet e Stalinit, përkthyes i Platonit, autor i 15 librave, i qindra artikujve, intervistave në RD, ZR, Kombi, Rilindja, Republika, Liria dhe në mjaft programe televizive… Shtëpia e tij në Tiranë u ba vend pelegrinazhi i gazetarëve, regjizorëve, artistëve, shkrimtarëve, deputetve, muzikantëve po edhe miqve të vjetër, njerzve të thjeshtë që hynin e dilnin lirshem në shtëpinë dhe shpirtin e këtij njeriu…

***
Lazër Radi ishte mjaft kristian dhe pak politeist, mjaft sokratian dhe pak komunist, mjaft zhanvalzhan dhe pak donzhuan, mjaft filozof dhe pak oportunist, ishte mjaft kosovar (që për të nënkuptonte patriot – i gatshëm për çdo kompromis që Kosova të ishte Shqipëri), po mbi të gjitha e mbi gjithçka ishte dhe mbeti njeri: shumë Njeri!
Lazër Radi vdiq kur vendosi vetë të vdiste… sepse ai s’mund ta pranonte vegjetimin… S’pranoi as doktorë, as kura e as këshilla… e la veten të shuhet ngadalë si nji qiri, i bindun se e kish dhanë gjithë dritën dhe energjinë e vet… Natën e ekuinoksit të vjeshtës, me 22 shtator 1998, mbasi u përpëlit gjatë në krahët e mi, shpirti i tij u ngjit në qiell… Fjetëm ashtu bashkë në at përqafje të fundit: jeta dhe vdekja, njeriu dhe andrra, besimi dhe shpresa… Kjo është e vërteta e këtij njeriu që kushdo e ka njohur e ka dashur, po që edhe kundërshtarët e tij ma të rreptë i ulën armët… Sot në të 97 vit të jetës, Ai mund të kujtohet edhe ashtu thjesht si njeriu që s’u lodh së mësuari të tjerët që ta donin jetën dhe ta dashuronin pa u epur lirinë…

Filed Under: ESSE Tagged With: : Njeriu që mësontë, Jozef Radi, Lazer Radi, ta dashuroje lirinë...

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT