–Letër e Hapur, John Bolton, Këshilltar i Sigurisë pranë Presidentit Donald Trump-/
I nderuar Z.Bolton, deklarata juaj e 24 gushtit tronditi opinionin shqiptar, sepse jeni Këshilltari për Siguri Kombëtare i Presidentit Amerikan Donald Trump dhe shqiptarët e konfonduan opinionin tuaj me atë të Presidentit të SHBA.
Shqiptarët ishin qetësuar më 13 Gusht kur Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel edhe një herë theksoi se nuk do të ketë ndryshime kufijsh në Ballkanin Perëndimor. Ky qëndrim i saj është i kahershëm dhe i unifikuar me atë të Perëndimit, ku SHBA kanë patur gjithmonë rol udhëheqës.
Ndërsa ju më 24 gusht nga Kievi thatë se “Nëse Kosova e Serbia bien dakord, nuk e kundërshtojmë rregullimin e territoreve”. Ju, diplomat kariere, e dini shumë mirë se Kosova dhe Serbia asnjëherë nuk kanë rënë dakord, duke e detyruar Perëndimin të reagojë përmes NATO-s ushtarakisht.
Kur Ju Z. Bolton thoni “Kosova” dhe “Serbia”, keni parasysh Thaçin e Vuçiçin, por që nuk e plotësojnë definicionin që ju shprehni. Rezonanca idilike e Thaçit me Vuçiçin shpreh interesat e Thaçit si individ dhe Vuçiç si burrështeti serb të cilit ende nuk i hiqen nga mendja mitet serbe në dëm të paqes dhe integrimeve të shqiptarëve dhe serbëve trungut europian.
Kosova është e gatëshme të anëtarësohet në NATO, ndërsa Serbia jo, si vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka hedhur poshtë ftesën e Perëndimit, ndërsa, disa ditë më parë se ju të lëshonit deklaratën bombë nga Kievi, dy MIG rusë aterruan në territorin e Serbisë, nga gjashtë të tillë që Moska i ka dhuruar Beogradit!
Hashim Thaçi nuk identifikohet me Kosovën. Pozita e tij si president është produkt abuzimesh dhe shpërdorimit të pushtetit politik.
Duke qenë se Thaçi nuk identifikohet dot me Kosovën, ai s’mund të flasë në emër të Kosovës. Dhe këtu mbyllet diskutimi.
Përpara se ju të lëshonit deklaratën tuaj, shumë ekspertë Amerikanë të Ballkanit, emra me autoritet janë shprehur kategorikisht kundër idesë për rregullime territoresh midis Kosovës e Serbisë. Që përjashton edhe idenë e referendumit, sepse, nëse fillohet me referendume, nuk i ndal dot as pakicat hungareze në Vojvodinë, as shqiptarët e Kosovës, të Shqipërisë, Maqedonisë e Malit të Zi për të shprehur vullnetin e tyre.
Me referendume shqiptarët do të ndreqnin atë që Konferenca e Londrës e 1913 u mori padrejtësisht duke e ndarë një komb në trojet e veta autoktone në 5 shtete.
Ju e dini se sovraniteti territorial i Kosovës mbrohet nga NATO dhe është konsideruar i pacënueshëm nga të gjithë Presidentët dhe administratat e SHBA dhe kështu duhet të konsiderohet edhe nga Presidenti Donald Trump.
Në vizitën e tij të fundit në Kosovë në pranverën vitit 2017, tre muaj përpara se të diagnostikohej me kancer në tru, Senatori John McCain u tha shqiptarëve diçka që ata e dinin se “për sa i përket Kosovës, Republikanët e Demokratët kanë qëndrime bipartizane”. Pro ndërhyrjes të NATO-s në Kosovë, kur u konsumuan të gjitha përpjekjet diplomatike të SHBA dhe Perëndimit, ishte edhe Presidenti Donald Trump.
Pra, pacënueshmeria territoriale e Kosovës është mbrojtur nga të gjithë Presidentët e Amerikës, Kongresi dhe Senati i SHBA në unison me BE. Kjo pacënueshmëri është vendosur me kusht që shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi e Luginën e Preshevës të mos kenë pretendime për t’ju bashkuar Shqipërisë, veç të bashkohen të gjithë shqiptarë, serbë, maqedonë e malazezë në BE.
Edhe ju z.Bolton e kishit këtë frikë kur, bashkë me zotërinjtë e nderuar Lawrence Eagleburger e Peter W. Rodman, u shprehët kundër pavarësisë të Kosovës dhe i dërguat më 31 Janar të 2008, 17 ditë përpara se Kosova të shpallte pavarësinë, letër presidentit George W.Bush.
Por siç e dini Presidenti Bush, nuk e mori parasysh letrën tuaj dhe e njohu menjëherë pavarësinë e Kosovës duke ndikuar edhe tek partnerët e fuqishēm Europianë. Dhe sot Kosova njihet nga 116 shtete.
Objektivi i SHBA dhe BE sot duhet të jetë anëtarësimi i Kosovës në OKB si dhe forcimi i shtetit ligjor e demokracisë, pasi vonesat, korrupsioni dhe krimi i organizuar rrezikojnë proçeset drejt konsolidimit të shtetit demokratik.
Konflikti i fundit 1998-99 në territoret e ish-Jugosllavisë i ka kushtuar shumë Perëndimit, por edhe ka qenë një fitore morale e vlerave të tij ndaj urrejtjes me bazë religjoze dhe etnike.
Perëndimi me në krye SHBA ndreqi në Kosovë atë që nuk mundi ta ndreqi kurrë në Srebrenicë. Prandaj shqiptarët e Kosovës me të drejtë janë kombi më proAmerikan në botë.
Shqiptarët në Ballkanin Perëndimor janë Asi në duart e Perëndimit dhe faktor paqeje në këtë rajon problematik. Ne vjeshtë në Maqedoni votohet referendumi i ndryshimit të emrit dhe, nëse ky referendum do të dalë sikur pret Perëndimi, kjo në sajë të votës së shqiptarëve.
Fatin e Kosovës në konfliktin e 1998-1999 e vendosi Perëndimi duke larguar prej territoreve të saj një pushtues barbar. Marrëveshja e Kumanovës midis NATO-s dhe Serbisë më 1999 sanksionoi kufijtë e sovranitetit territorial të Kosovës. Lugina e Preshevës, territor shqiptar, sot pjesë e shtetit të Serbisë. Sikur janë edhe trojet shqiptare brënda Maqedonisë. Por shqiptarët kanë bërë deal me SHBA dhe Perëndimin dhe nuk ia hapin petët lakrorit as nuk e hapin ata kurrë Kutinë e Pandorës, me kusht që të integrohen në NATO dhe BE, duke patur kësisoj të njëjtin objektiv si një emërues të përbashkët me Perëndimin.
Nuk kam parasysh këtu politikanët e formatit të Hashim Thaçit, që e kanë të mbushur dollapin me plotë skeletë nga e shkuara.
Për skeletët nëpër sirtarët e Hashim Thaçit, nuk ia vlen që Ballkani Perëndimor t’i rikthehet definicionit “fuçi baruti”, kur fatin e Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor e ka vendosur Perëndimi me në krye SHBA, si institucione të lirisë dhe vlerave!
Aq më tepër, kur sovraniteti territorial i shtetit të Kosovës është i sanksionuar me ligj. Ju e dini, i nderuari Zoti Bolton, se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me qendër në Hagë, si përfaqësuese në nivelin më të lartë e drejtësisë të Kombeve të Bashkuara, konkludoi më 22 korrik të vitit 2010 se pavarësia e Kosovës e shpallur më 17 shkurt të 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Me 10 vota pro, midis tyre pro votat e SHBA, Gjermanisë, Britanisë, Francës etj dhe 4 kundër, midis tyre kundër vota e Rusisë, gjykata shprehu mendimin se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, çka e sanksionon me ligj pacënueshmërinë e sovranitetit territorial të Kosovës që edhe pas 20 vitesh mbrohet nga KFOR, ndërsa Serbia furnizohet dhe i dhurohen MIG nga Rusia.
Pengesa nga Serbia e futjes të Kosovës në OKB, ka bërë që dialogu midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel të jetë i komprometuar dhe në stanjacion të plotë, pasi diplomacia dhe shteti serb kanë 20 vjet pas konfliktit në ofensivë të plotë jo vetëm për të ndaluar njohjet e reja të pavarësisë të Kosovës nga shtete të tjera, por edhe duke lobuar tek shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës që këto shtete ta anullojnë njohjen. Absurditeti në apoteozë siç e shihni. Dhe po të analizojmë të drejtat e pakicës serbe në Kosovë, kjo pakicë gëzon standarte të drejtash si asnjë pakicë në BE, ndryshe nga pakica shqiptare në Serbi që është e diskriminuar. Ky është shkaku kryesor që Lugina e Preshevës kërkon t’i bashkohet Kosovës, sepse 20 vjet pas konfliktit Hashim Thaçi dhe elita politike nuk ka kërkuar nga Serbia që në bazë të parimit të reciprocitetit edhe pakica shqiptare ne Serbi të ketë trajtim të barabartë sikur pakica serbe në Kosovë.
Dialogu Serbi-Kosovë në Bruksel do të duhej që të bazohej duke patur në themel barazinë, respektin dhe reciprocitetin e ndërsjelltë dhe bilateral në interes të banorëve dhe jo interesin e politikanëve që po mbajnë peng të gjithë rajonin dhe të ardhmen e brezit të ri.
I gjithë Ballkani Perëndimor është në stanjacion për disa arsye kryesore:
1.Serbia vijon të ketë synime territoriale ndaj Kosovës.
- Elitat politike të Ballkanint Perëndimor janë me hipoteka duke komprometuar të drejtat themelore të njeriut, sistemin dhe shtetin e së drejtës.
3.Korrupsioni i politikës dhe mafia në Ballkanin Perëndimor janë kthyer në aleatë të fuqishëm me njëri-tjetrin duke venë në rrezik jo vetëm sigurinë kombëtare të këtyre vendeve, por edhe më gjërë.
4.Mungesa e pranisë Amerikane në rajon ka krijuar terren që ky vakuum të mbushet nga prania e të gjitha forcave që nuk janë të interesuar që Ballkani Perëndimor t’i integrohet NATO-s dhe BE.
Lajm i mirë është baza e NATO-s në Kuçovë dhe shpresojmë edhe një bazë tjetër të Aleancës Verioatlantike edhe në Sazan.
Prania konkrete e NATO-s në Shqipëri do t’i ndikojë sigurisë, forcimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, prosperitetit e integrimit jo vetëm të vendit të shqipeve por të gjithë Ballkanit Perëndimor. Do të ndalë edhe eksodin e tmerrshëm. Rreth 400 mijë shqiptarë nga Shqipëria londineze kanë aplikuar këtë vit për Green-Card.
Sa për fatin e Kosovës me këta kufij e territore, ka vendosur SHBA, Perëndimi dhe populli i Kosovës, as Thaçi dhe as Vuçiç.
Të gjithë ekspertët më me emër të Ballkanit thonë se Hashim Thaçi kërkon t’i falë territore Serbisë që t’i shpëtojë Gjykatës Speciale.
E ardhmja e Kosovës nuk mund të jetë kurrë në dorën e një individi, aq më pak kur ky është Hashim Thaçi, një personi shumë problematik, që e uzurpoi postin e presidentit me kuorum të manipuluar dhe minimumin absolut me votat e LDK, e cila hyri në zgjedhjet parlamentare të 2014 duke i premtuar elektoratit të saj nxjerrjen e Hashim Thaçit nga politika.
Prandaj Kosova nuk identifikohet me emrin e Hashim Thaçit. Kosova identifikohet me popullin e saj. Ashtu sikur çdo shtet i botës demokratike!
Me nderime
Elida Buçpapaj