• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË LIBËR I RI PËR ÇAMËT

February 10, 2017 by dgreca


1 Namik

Nga Luan Çipi/Këto ditë doli në qarkullim një libër i ri i shkrimtarit Namik Selmani me titull “BIRI I SHQUAR I ÇAMËRISË, ADEM ZER TEME”.Namik Selmani ka lindur më 18 Nëntor të vitit 1950  në fshatin Ninant të krahinës së Çamërisë, që përfshihet në rrethin e Sarandës dhe është shkrimtar e gazetar i spikatur e mjaft produktiv.Ka kryer Shkollën e Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në qytetin e Elbasanit dhe studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në Degën Gjuhë-Letërsi Shqipe, pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës. Ka punuar mbi 35 vjet si mësues i gjuhës e letërsisë shqipe në disa shkolla të mesme, kryesisht në rrethin e Beratit dhe më gjatë po atje, në Shkollën e Mesme Pedagogjike “Kristo Isak”.

Krijimtaria letrare e tij është shumë e pasur dhe e larmishme. Ai ka shkruar gjashtë vëllime me poezi, disa libra me publicistikë, monografi, libra për kulturën e të folurit e të të shkruarit në shkolla të mesme, libra të karakterit fetar, etj., gjithsej 40 libra. Ka botuar gjithashtu me qindra shkrime të karakterit studimor, kryesisht të fushës së kulturës kombëtare, opinione të ndryshme në organe të shumta të shtypit shqiptar e të huaj, etj.Namik Selmani prej disa vitesh është një autor i njohur, që me botimet e tij është përfaqësuar denjësisht edhe në disa vende të botës si në ShBA, Zvicër, Maqedoni,Kosovë, etj.

Në krijimtarinë e Namik Selmanit zë vend edhe publicistika. Për disa vjet ai ka qenë kryeredaktor i gazetës “E vërteta” në qytetin e Beratit, si edhe bashkëpunëtor i disa gazetave kombëtare. Ka pasur shumë suksese edhe në lëmin e fotografisë artistike, duke hapur disa ekspozita vetjake në Shqipëri, Itali, Maqedoni, Kosovë, etj. Është fitues i disa çmimeve kombëtare në letërsi e në publicistikë dhe ka marrë pjesë e është ballafaquar me sukses, në disa tubime krijuesish në shkallë kombëtare.

Namik Selmani është anëtar kryesie në Shoqatën Kulturore “Bilal Xhaferri” dhe zëvendëskryeredaktor i revistës “Krahu i shqiponjës”. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe anëtar i Klubit të Shkrimtarëve “Konstantin Kristoforidhi” në qytetin e Elbasanit, etj.

Libri i ri monografik, për veprimtarin e shquar çam, Adem Teme, është një kulm i ri letrar e artistik i autorit, një vepër e mirëfilltë studimore e krijuese, ku paraqiten bukur të vërteta historike, kombinuar me kujtime, tregime, poezi, dokumente, fotografi e reportazhe. Libri është botuar nga “Mirgeeralb” Tiranë dhe ka 224 faqe.

 

Librin e ri me aromë krejt çame, diku edhe me të folmen karakteristike çame, e lexuam “me një frymë”, si unë dhe ime shoqe, (ish mësuese gjuhë letërsisë dhe mikeshë e hershme me bijat e protagonistit të nderuar të librit, Adem  Teme).

Ne, që i  njihnim direkt personazhet (xhaxhi Ademin, teto Eminenë dhe thuajse gjithë të tjerët), duke lexuar me shumë përqendrim, nostalgji e dashuri, kaluam çaste  të bukura ngacmimesh të vjetra, që shpesh na përlotën dhe gjithë kohës na përmallën, në kujtim të ngjarjeve interesante e të paraqitura bukur, që na kaluan para sysh si në ekran filmi. Kujtuam gjithë çamët e mirë të Vlorës, tragjedinë dhe rrugëtimin heroik dhe përpjekjet e tyre titanike e legjendare për mbijetesë me punë, vendosmëri, krenari e dinjitet.

Autori thotë për ta, që për mbijetesë i ndihmoi UNRA. Ndihma e UNRAS dhe e Shtetit Shqiptar të posa krijuar e të varfër, sipas meje dëshmitar okular, ishte minimale dhe simbolike. Ata i ndihmoi më shumë qëndrimi i tyre pa qibër, me dashuri për çdo lloj pune (mandej për më të vështirat). Çamët e Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë edhe pse të tronditur e të leqendisur nga masakra e barbaria greke, në Shqipëri zgjodhën të jetonin në kushtet të përafërta si në trojet e tyre, sa më afër detit, ullinjve dhe portokallieve. Ata punuan më së shumti si peshkatarë në det dhe si bujq e blegtorë, në vazhdim të traditës, në përjetim të mallit për vendlindjet e tyre të paharruara, të begata dhe me bukuri përrallore. Ata ushtruan profesionet e bujkut, blegtorit, peshkatarit, karroxhiut, qoftë dhe të punëtorit të thjeshtë të krahut në ndërtim, komunale e transport. Ata shumë shpejt i arritën dhe diku i kaluan mikpritësit dashamirë vendas, duke e përkrahur dhe mbështetur fort njëri-tjetrin, për të manifestuar kështu shkallën e tyre tradicionale të solidaritetit, fisnikërisë dhe të besës. Ata e ruajtën dhe përtërinë folklorin e tyre të bukur, duke kërcyer me patos vallen e veçantë madhështore e të paharruar çame, duke kënduar me nostalgji këngën polifonike karakteristike të tipit Çelo Mezani, apo këngën qytetare erotike të ëmbël çame. Ne, që i kemi parë e përjetuar, nuk i shlyejmë dot nga mendja ndër shekuj përshtypjet e pakontestueshme se, kur kërcejnë dhe këndojnë çamët, në festat apo dasmat e bukura dhe me shumë harxh që organizojnë, ata duken të tjetërsuar, duke shpërthyer dhe duke nxjerrë në shesh gjithçka që kanë thithur, brumosur dhe mbajtur në thellësinë e qenies dhe të shpirtit të tyre vital. Dhe në këto raste, si vëllezër të një gjaku, ata ngjajnë më shumë shqiptarë, mollos e thrako-ilir, njësoj si ne, ndaj dhe s’ka pse mos t’i duash më shumë. Prandaj thuajse pa përjashtim, çamët që erdhën me shumicë në qytetin e Vlorës kryesisht, po edhe rreth saj, imponuan te vendësit mirëkuptim, krijuan dhe ofruan dashurinë dhe përkrahjen pa rezerva të vlonjatëve dhe gjithandej të shqiptarëve, të njëjtë me ta në gen, mirësi e gjak.

 

Familjen e Adem Temes e ndihmoi dhe fati, që takoi dhe u strehua te shtëpia dhe kafeneja e atdhetarit të mençur Qamil Tushe, (babai i heroit të Topanasë, Barjam Tushe dhe gjyshi i sociologut zëmadh Gëzim Tushe) po dhe vet prezenca, urtësia, zotësia, ëmbëlsia, korrektesa dhe përvoja amerikane e Ademit buzagaz, ashtu si e ka përshkruar me besnikëri e vërtetësi, disa herë, autori i librit.

Adem Zer Teme, ishte për18 vjet emigrant ekonomik në Amerikë. Pjesëmarrja atje në veprimtari atdhetare në gjirin e Shoqërisë famëmadhe Vatra, lidhja me Shqipërinë dhe ndihmat monetare për të, kthimi në vendlindje dhe qëndrimi ndihmëtar e human në Çamëri, veprimtaria atje si Kryeplak i fshatit të tij Mazrek dhe në mbrojtje të tyre nga gjenocidi grek, si dhe më vonë përpjekjet për përshtatjen e mirë e të shpejtë dhe sidomos për mirërritjen, edukimin dhe arsimimin e pesë fëmijëve të vetë në Shqipëri, tregojnë për një figurë të shquar gjurmëlënëse.

Veç babë Ademit, unë kam njohur direkt në punë për shumë vjet djemtë e tij. Me Niaziun, teknik i mesëm elektrik, kam punuar në një zyrë, në Uzinën Mekanike Vlorë për pesë vjet rresht. Nuk gjeje nëpunës më të devotshëm e rezultativ se ai! Gjithnjë i gatshëm dhe i papërtuar, që kur nuk tërhiqej para asnjë vështirësie, pa pyetur për orar pune dhe gjithnjë i qeshur dhe dashamirës me të gjithë. Me Abedinin, vëllain më të madh, thuajse moshatar me mua, kemi punuar për gati dhjetë vjet në aparatin e Komitetit Ekzekutiv, ku ai ka kryer disa detyra në pozicionin e agronomit të rrethit të Vlorës për më shumëse 40 vjet. Ku shkonte Abedini ishte puna konkrete dhe e ndershme me nivel shkencor, zgjidhja praktike më optimale e problemit, mbështetur përherë në qëndrimin korrekt dhe dashamirës. Ishin të dy djemtë, kopje e babait të tyre, Adem Zer Teme, me shumë punë dhe pak fjalë.

Personalisht kam simpati dhe dashuri për Çamët dhe duke qenë në moshë mbi 80 vjeç, në punën 40 vjeçare shtetërore në administratën lokale, në bujqësi, industri e ndërtim dhe si mësues e pedagog mbi 30 vjeçar, kam pasur miqësi e njohje me qindra kolegë, miq, shok e nxënës çam, për të cilët jam krenar, se i kam ndër dashurit e zgjedhura. Shpreh dëshirën të veçoj,  të cilësoj e të përfshij në këtë listë nderi: Etem Suljotin, Emin Sejkon, Ali Hoxhën, Ismail Nuhun, Osmane Izet Rexhon, Nail Çamin, Sulo dhe Jakup Sulejmanin, Abedin Elmazin, Mersin Zenelin, Damin Sejkon, Abedin e Namik Xhemalin, Bido Hamitin, Mamo Habibin (me këta dy të fundit, miq stërgjyshëror), Jasin Balon, Mustafa e Remzi Suljotin, Abdulla Iljazin, Namik Veipin, Saqe Geran, Haki e Tajar Bardhin, Niazi e Mamo Brahimin, Skënder Beqirin me vëllezër e motra, Esat Hasanin, etj.

 

Duke shprehur kënaqësi për librin, do veçoja punën krijuese personale të autorit Namik Selmani, ngaqë kam mendimin se plotësimet nga të tjerët, janë ndenë nivelin e tij cilësor dhe them edhe të pa nevojshme e diku përsëritje, mandej që edhe mund të përjashtoheshin.

Mendoj se një thellim në origjinën më në  lashtësi të fisit “TEME” edhe të vet  fshatit Mazrek, të krahinës Marglliçit dhe krejt Çamërisë, do ishte me interes dhe bukuri, kështu mund të kishte dhe shpjegimet më të plota për arsimimin, punësimin dhe jetën e tanishme në Amerike për këtë familja kaq të madhe (ikën 65 dhe tani mund të jenë mbi 100), po edhe disa përsëritje të tjera panevojshme mund të evitoheshin, etj.

 

Vepra letraro biografike “BIRI I SHQUAR I ÇAMËRISË, ADEM ZER TEME, më se dinjitoze, është e autorit Namik Selmani dhe përfundimisht mendoj se është një arritje e dalluar për llojin e vet, si monografi. Unë si lexues, shpreh kënaqësi  dhe uroj për vepra të tjera me vlerë, të mirëpritura dhe të nevojshme për çdo familje shqiptare! Ndërkohë, kërkoj falje për sugjerimet, krejt personale e dashamirëse, jo si mangësi të librit, po që mund të shërbejnë për monografitë e ardhshme.

 

Tiranë, 10.02.2017

Filed Under: LETERSI Tagged With: ADEM ZER TEME, BIRI I SHQUAR I ÇAMËRISË, Luan Cipi, namik Selmani

SAFET BUTKA, QË I DONTE SHQIPTARËT MË SHUMË NGA VETJA

May 25, 2016 by dgreca

Nga Luan Çipi/
 Te Safet Butka gjen gjithçka të mirë: Traditën e Atdhetarisë, mbartur nga paraardhësit me pikë kulmore babën e tij, Sali Butka; kulturën dhe arsimimin superior, “dojç kulturë”; kontributin e tij direkt për arsimimin dhe kulturën e popullit, duke qenë deri drejtor dhe protagonist me peshë në Liceun e Korçës, Normalen e Elbasanit, Institutin Tregtar të Vlorës, Normalen e Gjirokastrës dhe Gjimnazin e Tiranës; krijues, studiues e botues librash; antifashist i orëve të para dhe i burgosur e internuar prej tyre; luftëtar për liri e prijës ushtarak direkt në disa aksione gjurmëlënëse kundër pushtuesve Italian e Gjerman dhe hero e trim i pashoq, pse si asnjë tjetër (siç kishte premtuar) vrau veten, për të shuar gjakderdhjen vëllazërore e “luftën civile”.
Sikur vetëm “sintezën” si mësipërm ta lexosh me dashamirësi, do bindesh për figurën madhore sipërore të këtij Atdhetari, që do ta lakmonte ta kish në historinë e vet edhe populli më krenar i botës.
 
Safet Butka u lind në Butkë të Kolonjës, më 10 gusht, 1901, në një familje me histori të lavdishme atdhetarie. Ai ishte fëmija i pestë i Sali Butkës. Pasi mbaroi shkollën fillore në fshatin e tij të lindjes, u dërgua për studime të mëtejshme në Linz, Austri, ku përfundoi shkollën e mesme dhe shkoi së fundmi për të studiuar në Universitetin e Gracit, ku në vitin 1928 u diplomua në filozofi me rezultate të larta. 
Gjatë qëndrimit të tij në Austri, ai ishte organizatori i shoqatës studentore Shqiptarë “Albania”, ku aderonin dhe Shqiptarët e tjerë të shquar për kohën: Aleks Buda, Eqerem Çabej, Krist Maloki, Lasgush Poradeci, kushëriri famëmadh Qemal Butka, Skënder Luarasi, etj.
Qysh student Safet Butka u dallua për hulumtime e krijimtari letrare dhe botoi në një koleksion të poezisë së zgjedhur dhe në vitin 1925 kreu një tjetër studim mbi veprën e Naim Frashërit, poetit të madh Kombëtar, prej nga e kanë dhe origjinën e lashtë familja Butka. 
Safet Butka, me diplomë filozofi, u kthye në Shqipëri në vitin 1928 dhe u emërua profesor në Liceun Francez të Korçës.  Në vitin 1929 ai u martua me Hatixhe Lubonjën, me të cilin pati 4 fëmijë.                                                                                   
Nga viti 1928 deri në 1939, ai punoi si mësues dhe drejtor në shkolla të ndryshme të mesme të vendit. Ai u zgjodh Kryetari i Klubit të parë Shqiptar të Mësimdhënësve dhe ishte një nga “profesorët” e parë, që zbatoi në Shqipëri metodat perëndimore në procesin e mësimdhënies. Si kryetar i kësaj shoqate Kombëtare, ai u bë nismëtar në një sërë aktivitetesh patriotike dhe kulturore, si në: vendosjen e pllakës përkujtimore tek Rrapi i Mashkullores në kujtim të dëshmorëve të çetës së Çerçiz Topullit; realizoi memorialin e Koto Hoxhit dhe përkujtimin e figurave të tjera të shquara si: Hoxhë Tahsini, Bajo Topulli etj.; bashkorganizator me Ministrin e Arsimit për kthimin e eshtrave të Naim Frashërit nga Turqia në Shqipëri, etj. 
Në këtë kohë ai shkroi artikuj në revista pedagogjike, sociale dhe filozofike dhe botoi mjaft shkrime problemore në shtyp si: “Për të nesërmen shqiptare”, “Për zhvillimin e gjuhës”, “Mbi edukatën kombëtare”, “Po, shqiptarizmit dhe Perëndimit”, etj.
Kulmin, si edukator në shërbim të brezit të ri, ai e arriti gjatë kohës që punonte si Drejtor i Gjimnazit të Tiranës, ku udhëhoqi intelektualët dhe “studentët” në demonstratat e para antifashiste në prag të pushtimit të vendit, qysh më 4 prill 1939, duke kërkuar armë dhe më pas, si mësues i shqipes në Gjimnazin e Shkodrës më 28 nëntor 1939 dhe 30 janar 1940, përkatësisht, kur u vu në ballë të demonstruesve.
Për këto aktivitete, i akuzuar si antifashist i rrezikshëm, u arrestua më 2 shkurt 1940 dhe u internua në ishullin e Ventotenes në Itali.
Në ishullin Ventotene, do gjente të tjerë idealistë, intelektualë e atdhetar si: Zai Fundon, Muzafer Pipën, Abas Ermenjin, Isuf Luzajn, etj., si  dhe federalistët e shquar italianë Altiero Spinellin dhe Sandro Pertinin. Në Ventotene, siç kanë dëshmuar ish të internuarit politik, gjithashtu ishte në krye: kundërshtoi nderimin fashist dhe vendosjen e shenjave fashiste në flamurin tonë kombëtar; refuzoi të ngrihej në këmbë kur ekzekutohej himni fashist; bënte propagandë kombëtare, si dhe u mësonte shkrim e këndim shqip atyre që nuk dinin. Në këtë mënyrë, Safet Butka, edhe në rrethana tepër të vështira të internimit, nuk përkulej, por qëndronte e luftonte për idealin kombëtar. Ai ishte i bindur dhe i vendosur se rruga drejt lirisë kalonte nëpërmjet luftës së palëkundur kundër pushtuesve. “Çdo gjë tjetër, thoshte ai, është iluzion”.
U lirua në shtator 1942, u kthye në Shqipëri dhe u vendos në Butkë, ku kishte lënë familjen. Më pas, si u këshillua me miqtë e tij më të mirë: Mitat Frashëri, Hysni Lepenica, Isuf Luzi dhe Abaz Ermenji, doli në mal dhe u bë një udhëheqës i shquar i lëvizjes kundër fashizmit në zonën e Korçës. Bërthama e çetës së tij ishte e përbërë nga 70 luftëtarë të kalitur dhe me shumë përvojë, dhe që në rast nevoje mund të zgjerohej deri në një mijë. 
Çeta e Safet Butkës qysh në fillim i dha një ndihmë të vlefshme luftëtarëve nacionalist të Vlorës dhe bëri gjithashtu, një tjetër gjest, sa atdhetar dhe human: mori nga depot ushtarake italiane në fshatrat Dardhë, Suli, Graçan, Progri, Pleshisht, dhe Verbinj gjithë prodhimin bujqësor (misri, duhani, leshi, etj) që kishin grabitur italianët dhe ua ktheu pronarëve. 
Forcat e tij, në mars të vitit 1943, sulmuan Italianët në Vithkuq, ndërsa më 25 mars 1943, sulmuan dhe shkatërruan një brigadë Italiane në afërsi të Voskopojës. Kishte shumë të vrarë nga të dy anët.  Në Voskopojë, Çeta e Safet Butkës liroi të gjithë të burgosurit politikë, dhe mori nga depot ushtarake Ersekë, një sasi të madhe me armë dhe municione.
Safet Butka ishte një nga themeluesit e Ballit Kombëtar dhe në bashkëveprim me çetat e tjera, bëri aksione të përbashkëta të suksesshme. Edhe pse një nacionalist i flaktë, ai përpoq në kohë të ndryshme për të bashkëpunuar edhe me Frontin Nacional-Çlirimtar, të drejtuar nga komunistët.  Kështu më 8 shkurt të vitit 1943 ai organizoi një takim me përfaqësues komunistë të Korçës dhe me 19 mars 1943 u arrit një marrëveshje për bashkëpunim. Ai gjithashtu bëri një marrëveshje tjetër lokale në gusht 1943 dhe më vonë, ishte gjithashtu një nga nismëtarët dhe mbështetësit e Marrëveshjes së Mukjes.
Më 8 gusht 1943 nënshkruan një marrëveshje me majorin  e forcave aleate britanike, Billy McLean. Dokumenti në shqip dhe frëngjisht, sanksionon luftën e përbashkët kundër gjermanëve. Me 13 gusht aksioni në Bermash të Kolonjës u krye me sukses, po nga një prej çetave të Safet Butkës që i ishte dhënë në dispozicion David Smileyt, ku u shkatërruan 4 autoblinda, një top dhe duke lënë 25 gjermanë të plagosur e të vrarë. 
Kështu gazeta “Daily Telegraph” e 26 marsit 1943, duke evokuar luftën e luftëtareve shqiptarë kundër pushtuesit, vë në dukje se ushtria e luftëtarëve shqiptare përbëhet prej 50 çetave ose grupe atdhetaresh, si i quante ajo.“Një prej grupeve kryesore të atdhetarëve shqiptarë – vinte në dukje gazeta në fjalë – është e komanduar nga profesor Safet Butka, drejtor i kolegjit të Tiranës, që vepron në zonën Korçë-Kolonjë”… Siç shihet edhe nga ky shkrim, burimet e paanshme të informacionit, e shohin luftën e Shqiptareve si një të tërë dhe jo me përkatësi politike, e shohin në funksion të detyrës që kishin të gjithë shqiptarët për çlirimin e vendit. Edhe vetë pushtuesi, në konstatimet dhe analizat, që bënte, nuk theksonte ndonjë dallim midis forcave të rezistencës shqiptare, bazë përkatësisë politike.
Në raportin që i bëhej Ministrit të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Anthony Eden, me 30 korrik 1943, nga Miss E. Durham, ku jepet një pasqyrë e veprimeve luftarake në Shqipëri dhe e drejtuesve kryesore të tyre, krahas Hysni Lepenices, Skender Muços, Myslim Pezes, Abaz Kupit, Muharrem Bajraktarit, Mustafa Kaçaçit thuhej se “Ne krahinen e Korçës, zemra dhe shtëpia e nacionalizmit shqiptar në jug, Dr. Safet Butka, ish-profesor, komandon një njësi vullnetare dhe një numër çetash”. Duke e konkretizuar me tej veprimtarinë e Safet Butkes i njëjti burim theksonte: “Grupi i Dr. Butkes në Korçë, kohët e fundit, ka luftuar me një detashment Italian. Ka sulmuar gjithashtu shtabin Italian në Voskopojë, ku u kapën shumë armë dhe municione dhe liruan një numër robërish Shqiptarë. Kanë sulmuar gjithashtu një kompani këmbësorie italiane në Gjonomadh, në zonën e Korçës, duke vrarë majorin fashist Amedeo, si dhe 2 togerë dhe 21 ushtarë. Çetat në këtë krahinë sulmojnë shpesh depot e ushtrisë Italiane dhe bereqetin e shpërndajnë në popull.”
Ishte përpjekja e përbashkët e çetave partizane dhe çetës së Ballit Kombëtar, për të gjetur rrugët e bashkëpunimit, që u finalizua me marrëveshje në zonën e Kolonjës, më 19 mars 1943. Sipas pikave të kësaj marrëveshjeje, rezulton se të dyja forcat politike në terrenin e Kolonjës, ku vepronte edhe Safet Butka, e gjeten gjuhën e bashkëpunimit, duke njohur dhe individualitetin e njëra-tjetrës.  Nga të dyja forcat u shpallej luftë e hapur spiuneve, vjedhësve dhe çdo elementi që komprometonte luftën kundër pushtuesit. Dhe, siç vihej në dukje, në fund të marrëveshjes, kjo punë bëhej me “bindjen e plotë se i sjellin një shërbim Atdheut”. 
Siç dihet Safet Butka, u bë komandant i gjithë çetave nacionaliste të Qarkut të Korçës (çetave të Kolonjës, Korçës, Devollit, Pogradecit) dhe atje i zhvilloi luftimet e tij kryesore kundër okupatorëve. Këtë e vërteton dhe Daily Telegraf, që për çetën e Safet Butkës, njoftonte: “Kohët e fundit ky grup shpartalloi një njësi të tërë italiane, duke vrarë ushtarët, ndërsa ata që mbetën u dorëzuan…” 
 
Në kuadrin e përgatitjeve të terrenit për Mbledhjen e Mukjes është domethënës takimi i Safet Butkes me Abaz Kupin në Teqenë e Fushe Krujës në Qershor të vitit 1943. I entuziazmuar nga ky takim Abaz Kupi ishte shprehur: “Lum Shqipnia që ka kësi burrash”. Po kaq thelle do ta shprehte hidhërimin kur mori vesh vrasjen e Safetit: “Medet, po shemben shtyllat e Shqipnisë. Këta janë burrat që e mbajnë atë, ndaluan luftën vëllavrasëse dhe gjakderdhjen”. 
Pas denoncimit të Marrëveshjes së Mukjes nga komunistët shqiptarë, Safet Butka, u dëshpërua deri në shqetësim. Ai, i ndruhej një luftë civile midis shqiptarëve dhe kur u pyet lidhur me këtë çështje, deklaroi: “I pari dhe i fundit shqiptar, që do të vras unë, është vetja ime”.
Pas kapitullimit të Italisë, më 8 shtator 1943, në qytetin e Korçës u organizua një demonstratë masive paqësore, me anë të cilës kërkohej që ushtria Italiane të bashkohej me forcat antifashiste kundër pushtuesit të ri Gjerman. 
Në demonstratën u hodhën parulla për bashkimin e popullit dhe u kënduan këngë atdhetare. Në këto rrethana komanda Italiane, në grahmat e fundit, nxjerr autoblindat që qëllojnë direkt mbi demonstruesit me mitraloz duke shkaktuar 59 të vrarë dhe 120 të plagosur. Pas kësaj masakre me 10 shtator 1943, trupat Italiane filluan të tërhiqen në drejtim të Tiranës. 
 
Nga 9 deri në 13 shtator në Poçestë në rrugën Pogradec-Korçë, forcat e Safet Butkës, së bashku me forcat partizane, të drejtuara nga Nexhip Vinçani, sulmuan karvanin Italian që ishte tërhequr nga qyteti i Korçës, duke bllokuar për 5 ditë përparimin e tij. Në këtë luftë të përbashkët ranë dëshmorë dy partizanë: Zenel Skënderi dhe Bato Pojani, si edhe një nacionalist, Nexhip Mileci. Ja se ç’shkruhet në një dokument të kohës: “Ndër ditët 9 deri 13 të këtij muaji, armiku ka qenë impenjuar prej trupave tona të udhëhequra prej Safet Butkes në beteja të ashpra në zonën Pogradec-Korçë. Armiku pësonte humbje të rënda në njerëz, nga ana jonë humbjet janë të lehta”.
Gjashtë ditë pas betejës së përbashkët të Pocestës, çetat partizane, pabesisht, rrethuan nga larg forcat  e Safet Butkës. 
Një dëshmitar okular atëherë, shkruante: “Ishte më tepër se një rrethim, një grackë, një provokim për luftë vëllavrasëse midis shqiptarëve”. Po viheshin në zbatim vendimet e Konferencës së Dytë të Labinotit, që i shpalli luftë të armatosur Ballit Kombëtar. 
Në Teqenë e Melçanit, ku ishin pozicionuar trupat e Safet Butkës, forcat partizane nuk mund të sulmonin, për shkak të diferencës numerike, por edhe të pozicionit gjeografik strategjik të Teqesë, që është një kështjellë e lartë natyrore. Kur dikush nga kryesia e Ballit të Korçës i tha: “T’u biem partizanëve!”, Safeti i revoltuar iu përgjigj: “Vetëm kur të kaloni mbi trupin tim!” Është e bërë proverbiale dhe dihet thënia e tij e përsëritur para vetëvrasjes: “Të parin dhe të fundit shqiptar, që do të vras, është vetja ime” 
 
I pafuqishëm për të ndaluar gjakderdhjen, Safet Butka, pati një çast dobësimi, një çast tronditjeje fatale dhe realizoi atë që kishte premtuar: Vrau veten më 19 shtator 1943 në Teqenë e fshatit Melçan, duke i qëndruar besnik fjalës së tij, të deklaruar e përsëritur botërisht disa herë.
Për këtë veprim fatal në një çast kulmor dëshpërimi,  patën thënë: “Safeti, kur dëgjonte fjalën vëllavrasje, përgjigjej: d.m.th. vetëvrasje”. Një edukator si Safeti e misionar atdhedashurie, me moral e ideal i kalibrit të tij tepër të lart, nuk mund të bindej kurrsesi që, vëllavrasja nuk ishte një vetëvrasje. E, kur puna shkoi me të vërtetë në vrasje, Safeti tha: “Është më mire t’ia nisim nga vetvetja se sa plumbat t’ia drejtojmë vëllait të sëmurë, të cilin duhet të përpiqemi ta shërojmë dhe verdiktin e çdo akti marrëzie, t’ia lemë ta thotë një ditë, Kombi dhe Historia”.
Safeti desh t’i shëronte vërtetë një pjesë të djemve të Shqipërisë, injektuar me virozë komuniste dhe, si udhëheqës me moral filozofi, vendosi t’u japë shembullin e flinisë supreme të tij. “Përpara jetës së Atdheut, nuk ka vlerë jeta ime fizike”. E ku mund të gjendet arsyetim më i saktë e më i argumentuar, për motivet morale e atdhetare,  si ato që e çuan Safet Butken në amshim, vetëm e vetëm për t’i zgjatur jetën dhe për të lejuar çlirimin dhe lulëzimin e Atdheut? Duke u shprehur për këtë akt vetëmohimi të Safet Butkës, David Smiley, konkludonte: “Balli Kombëtar humbi një udhëheqës të zotin dhe Shqipëria një nga patriotët e parë, që binin viktimë e komunistëve.”
 “Ai do të jetë monumenti i përjetësisë të nacionalizmit Shqiptar.“, ka thënë për veprën e Safet Butkës, korifeu i Nacionalizmit Shqiptar, kryetar i Kongresit të Manastirit, protagonist i Pavarësisë, Ministër i Ismail Qemalit, Kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, Ambasador i Shqipërisë në Greqi, etj. dhe kryetar i Ballit Kombëtar, Mid’hat Frashëri.
 
Do ta mbyllja esenëbiografike për këtë Atdhetar të shquar, me Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të vitit 2008, botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, në zërin “Safet Butka”, ku mes të tjerash shkruhet: “Studiues, pedagog, drejtues dhe reformator i arsimit kombëtar, veprimtar antifashist i Ballit Kombëtar… Zhvilloi veprimtari antifashiste në radhët e nxënësve e të intelektualëve në Tiranë dhe në Shkodër në prag dhe pas pushtimit të vendit. U burgos dhe më pas u internua për tre vjet në ishullin Ventotene. Bënte pjesë në krahun që kërkonte angazhimin e Ballit në luftë kundër forcave pushtuese. Safet Butka qe themelues dhe komandant i çetave të para të armatosura të Ballit Kombëtar në qarkun e Korçës, që zhvilluan luftime në Grykën e Barmashit kundër gjermanëve (13.08.1943) dhe në Pocestë ( 9-13.09.1943) e në Floq (23.1.1943) kundër italianëve… Është dekoruar me titujt “Martir i Demokracisë” dhe “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”.
 
Le ta kujtojmë me nderim të veçantë atdhetarin e shquar Safet Sali Butka, me shpresë se diku do tërheqim vëmendjen, për një vlerësim më dinjitoz të veprës së tij në dobi të Kombit.
 
 
Vlorë, më 25.05.2016

Filed Under: ESSE Tagged With: Luan Cipi, me shume, NGA VETJA, QË I DONTE SHQIPTARËT, SAFET BUTKA

ABAZ ERMENJI, NACIONALIST DHE ANTIKOMUNIST I VENDOSUR

May 11, 2016 by dgreca

Nga Luan Çipi/
Aq i vendosur ishte Abaz Ermenji, në kritikën dhe dënimin ndaj qëndrimit të “kolaboracionistëve shqiptarë” të Luftës së Dytë Botërore, sa pranoi ndeshjen e deri qortimet dhe ndarjen me ta. Ai, me veprimtarinë e tij jetësore, rezulton model korrektese, se qysh më 7 Prill 1939, (profesor i historisë në Liceun e Korçës), i priti me armë okupatorët italian, ndërsa më 28 Nëntor 1939, demonstroi në krye të rinisë Korçare, kundër fashistëve italian. Më vonë u burgos nga fashistët,  u internua në Itali dhe kur u kthye, luftoi direkt, si pushtuesit Italian edhe ata Gjerman, pavarësisht se ishte gjithnjë në pozicionin e një nacionalisti antikomunist.
Abaz Ermenji lindi më 12 dhjetor 1913, në fshatin e vogël e të fisëm Gërmenj, midis maleve e korijeve të Skraparit e të Gramshit, që atëherë përfshihej në rrethin e Beratit.
Ai, kreu shkollën fillore në Berat dhe shkollën  e mesme në Gjimnazin e Shkodrës dhe për 4 vjet, gjatë viteve 1934 – 1937, kreu studimet e larta në Francë në Fakultetin e Letërsisë të Sorbonës, me specializim Historinë.
Në vitin 1937 Abaz Ermenji, kthehet në Shqipëri dhe çuditërisht, thërritet në shërbimin ushtarak.
Në fillim të vitit 1938 Abaz Ermenji gradohet lejtenant i dytë dhe në Tetor të vitit 1938, lirohet nga ushtria dhe emërohet profesor i Letërsisë dhe Historisë në Liceun Francez të Korçës.
Në prill të vitit 1939, me fillimin e pushtimi të Shqipërisë nga Italia fashiste, Abaz Ermenji, formon në qytetin e Korçës me nxënësit dhe kolegët e tij,  një grup rezistence antifashiste. Shqipëria u pushtua brenda pak ditëve nga fashistët italianë, kundërshtarë të tij të shpallur, ndaj ai i rrezikuar, u largua për në Greqi nga ku filloi të punojë për zgjerimin e rezistencës kundër fashizmit. Qëndroi për pak kohë në fshatrat e provincës Kastori, nga ku u arrestua prej autoriteteve Greke në Follorinë, ku e mbajtën për 4 muaj. Atje ai kontaktoi refugjatë të tjerë nga Shqipëria, shkoj deri në Athinë dhe bëri përpjekje për t’u lidhur me shqiptarë në Egjipt, SHBA dhe vende të tjera, për krijimin e një organizate nacionaliste aktive në luftën kundër fashizmit.
Gjatë qëndrimit të tij në Greqi, ai mori disa ftesa nga autoritetet italiane për t’u kthyer në Shqipëri, me premtimin se asgjë e pakëndshme nuk kishte për t’i ndodhur. Duke menduar se do të gjente më shumë teren për rezistencë nga brenda Shqipërisë, ai pranoi ftesën dhe u kthye në Shqipëri në Tetor të vitit 1939, në përpjekje për të krijuar celula rezistence antifashiste, në disa qytete.
Në ditën e  përvjetorit të Pavarësisë Kombëtare, më 28 Nëntor 1939, në Korçë u organizua një demonstratë për festimin kombëtar, ashtu si dhe në mënyrë spontane në shumë qytete të vendit. Në këtë demonstratë të madhe, profesor Abazi ra në sy si drejtues kryesor dhe më 15 dhjetor 1939 ai u arrestua në Elbasan dhe u burgos. (U arrestua Abaz Ermenji dhe jo ndonjë komunist, si pretendohet të ishte drejtues ballor). Fillimisht e mbajtën në burgun e Elbasanit për dy javë, nga u transferua në Bari të Italisë, ku qëndroi në burg për 2 muaj dhe më pas u dërgua (së bashku me Safet Butkën dhe Llazar Fundon e Selman Rizën) në ishullin e Ventotenes, ku mbaheshin edhe mjaft autoritete të tjera antifashiste Shqiptare dhe Italiane. Këtu ai mori vesh se ishte dënuar nga Gjykata e Tiranës me 5 vite burg.
Në gusht të vitit 1941, Abaz Ermenji, së bashku me shumë shqiptarë të tjerë intelektual, u liruan, me pretekstin se për ta, kishte nevojë për arsimtarë, sidomos për krahinën tashmë Shqiptare të Kosovës. Nga ana tjetër Italianëve u dukej se në Shqipëri e Ballkan gjendja ishte qetësuar dhe për diplomaci e simpati popullore, vendosën  të jepej një amnisti, për një numër të madh të burgosurish.
Më 20 Gusht të vitit 1941 Abaz Ermenji u kthye në Shqipëri ku e zgjeroi veprimtarinë e tij antifashiste. Në këtë kohë, nxitur nga Serbët dhe nën ndikimin Rus edhe komunistët Shqiptarë kishin penetruar në mjaftë prej grupeve të rezistencës nacionaliste, te Myslym Peza, Haxhi Lleshi, Dali Ndreu, Abaz Kupi, etj., për t’i tërhequr pas vetes, drejt synimit final për marrjen e pushtetit.
Duke qenë se Abaz Ermenji ishte mjaft i vëzhguar dhe i kërcënuar nga Policia Italiane, vendosi të shkojë në mal, ku kishin filluar të krijoheshin çeta të armatosura. Ai, si intelektual i spikatur edhe me njohuri ushtarake, ndihmoi në organizimin dhe në zgjerimin e lëvizjes dhe me çetën e tij të krahinës, mori pjesë në disa sulme ndaj postave ushtarake italiane. Gradualisht çetat nacionaliste dhe partizane, në bashkëpunim dhe veç e veç, fituan forcë dhe autoritet dhe u kthyen në një kërcënim të vërtetë për autoritetet italiane, të cilave po u merrnin armë dhe municione e deri ushqime, jo vetëm brenda vendit, po dhe deri  në Greqi dhe Jugosllavi.
Në Maj të vitit 1943, këtë e konstatuan dhe e raportuan me shkrim edhe Misioni i Parë Ushtarak Britanik, që erdhi në Shqipëri nga Greqia me majorin Maclein dhe kapitenin Smajli. Ata, nga kufiri me Shqipërinë, i shoqëroi  Abaz Ermenji për çka ishin dëshmitarë edhe grupet e EAM.-it Grek. Mandej, Ermenji, ishte ndërmjetësi, që i paraqiti ata me çetat e komunistëve në Shqipëri, të njohura si të Frontit Nacionalçlirimtar, por edhe me çetat e tjera nacionaliste në veprim.

Duhet thënë se Balli Kombëtar ishte formuar në vitin 1942 nën drejtimin e Mithat Frashërit, një figurë dominuese politike, që kishte nga pas figura të tjera atdhetare balliste e nacionaliste ku dalloheshin: Hysni Lepenica, Safet Butka, Skënder Muço, Zef Pali, Isuf Luzaj, Abaz Ermenji, pa përjashtuar  drejtuesit në formacionet e tjera të mëdha Nacionaliste: Abaz Kupi, Muharem Bajraktari, etj.
Fronti Nacionalçlirimtar u kujdes që në fillim për Misionin Ushtarak Britanik për të ndikuar që grupet e tjera të përjashtoheshin nga kontakti me britanikët, duke u dhënë përshtypjen atyre se ata ishin të vetmet çeta aktive në vend.
Majori Maclein dhe grupi i tij u tërhoqën për në malet e Leshnjes në zonën e Skraparit, ku ngriti shtabin e tij në zonën që kontrollohej nga çetat partizane. Skrapari, duke qenë zona e lindjes së Ermenjit, dërgoi një grup prej 50 vetash te Shtabi i Maclein, së bashku me një letër për të. Majori Maclein ishte i kënaqur me përmbajtjen e letrës. Ata u takuan me Abaz Ermenjin në fund të muajit maj pranë fshatit  Përrenjas. Misioni Ushtarak Britanik filloi të furnizojë njerëzit e Ermenjit me armë dhe municione si dhe instruksione e porosi teknike operacionale. Në qershor të vitit 1943 ata u takuan serish me majorin Maclein, i cili kërkoi që të dyja grupet të bashkohen në një front të përbashkët dhe nën një komandë. Ermenji pranoi një koalicion të tillë, me kusht që bashkëpunim të ishte vetëm në fushën ushtarake.
Në fillim të gushtit 1943 Abaz Ermenji me Çetën e tij po përgatiste një sulm mbi një bazë  nafte në Kuçovë. Në këtë kohë pranë tij erdhi majori Neel, i dërguar nga Maclein, që sipas marrëveshjes, të kombinonte operacionin ushtarakisht dhe për ndonjë koordinim të mëtejshëm me forcat partizane për rreth. Për këtë Ermenji mori porosi nga Maclein, që të shtynte sulmin dhe të kryente më parë një takim koordinues të përbashkët me përfaqësuesit e partizanëve në prani të majorit Neel. Takimi u bënë fshatin Bogdan natën e 9 dhe 10 gushtit 1943. Komunistët nisen të diskutonin jo për organizimin e sulmit, por për politiken dhe të ardhmen e pushtetit dhe propozuan që sulmin ta shtynin ose ta anulonin, me pretekstin se kishin shumë pak forca. Ata mendonin se meritat e këtij aksioni, do t’i merrte Balli Kombëtar. Ermenji e humbi durimin dhe vendosi që të sulmoj kur forcat partizane e lanë atë  vetëm. Ai nisi sulmin me forca të shumta që arrinin në gati 3 mijë njerëz. Por armiku në numër e armatim ishte më superior, ndaj forcat  u tërhoqën, duke lenë 50  të vrarë.
Ky aksion, u përgëzua në një letër të posaçme të Maclein, ku cilësohej e miratohej sulmi dhe trimërinë e njerëzve të Ermenjit. Ai mori premtimin nga majori britanik, se më shumë ndihma dhe municion e armë do të vinin për të. Po ashtu dhe te Libri Julian Amerit “Bijtë e Shqipes”, jepen disa fakte, për aksionet e suksesshme kundër autokolonave Gjermane, organizuar nga Abaz Ermenji. Britanikë e kishin si parim që të furnizonin me armë, municione e ushqime ata që luftonin armikun, çka vërteton faktikisht edhe aksionet rezultateve të Abaz Ermenjit.

Në Gusht të vitit 1943 u mbajt takimi i përbashkët historik midis përfaqësuesve të  Ballit Kombëtar dhe të Frontit Nacionalçlirimtar në Mukje, (ku Abaz Ermenji, i angazhuar me aksione luftarake, nuk mori pjesë). Siç dihet në Mukje nga palët u arrit dhe një marrëveshje në lidhje me operacionet ushtarake të përbashkëta, si dhe për Kosovën dhe pushtetin e ardhshëm, por kjo marrëveshje, e miratuar nga përfaqësuesit Komunist dhe e mirëpritur me entuziazëm nga populli shqiptar, nën presionin Jugosllav, u refuzua nga Enver Hoxha.
Në Shtator të 1943-shit, me kapitullimin e Italisë fashiste, grupet e rezistencës, si ato të drejtuarat nga Ermenji dhe partizanët, hynë në Berat. Gjermanët erdhën më pas dhe pushtojnë qytetin, duke kërkuar që ata të largohen. Abaz Ermenji vendosi që të luftohej dhe t’u behej rezistencë, pikërisht në fshatin Kousitin. Komunistët sërish nuk benë asnjë lëvizje, mandej u duhej të dënonin “kompromisin” e përfaqësuesit tyre, Gjin Marku.
Në tetor komunistët e sulmuan  formacionin e Abaz Ermenjit, duke e detyruar të largohet nga  rrethi i Berati. Gjate evakuimit ai u takua me majorin Maclein dhe kapitenin Smajli dhe u shprehu zhgënjim për të gjithë situatën e ndodhur. Gjatë këtij takimi Ermenji, denoncoi edhe një letër të Partisë Komuniste, pas Konferencës së Dytë Labinot, e cila instruktonte të gjithë anëtaret e vet, që “t’i luftonin kudo Ballistët”. Ndonëse britanikët e kërkuan letrën, para se të niseshin për në Itali, Ermenji, në përpjekjet e fundit për bashkim, refuzoi që t’ua jepte atë. Ai qëndroi në male dhe tentoi të riorganizojë forcat e tij, por gjithnjë nën shqetësimin e Gjermaneve, tani dhe të komunisteve, derisa u detyrua të pezulloi përkohësisht intensitetin në operacionet e tij ushtarake.
Gjate dimrit 1443-1944 Ermenji ishte komplet jashtë çdo mundësie për ndihmë e bashkëveprim, dhe nisi të humbiste shumë nga njerëzit e tij, të cilët nuk kishin tjetër alternativ dhe rrugë shpëtimi, ndaj, ose dezertonin e largoheshin për në shtëpi, ose shkonin me partizanët. Grupi i tij filloi të shpërbëhet dhe vetëm pak besnikë qëndruan pranë tij.
Si konkluzion: Ermenji drejton një varg luftërash kundër forcave italiane e gjermane, në mënyrë të veçantë, në Skrapar, Kuçovë, Mallakastër, Berat e Pogradec… Janë të shumta dokumentet e huaja dhe shqiptare, që na bëjnë me dije rreth këtyre luftërave, të cilat pavarësisht pse u anashkaluan nga historiografia komuniste 50-vjeçare, krahas luftërave të çetave dhe brigadave partizane, kanë hyrë dhe bëjnë pjesë në fondin e artë të luftërave të popullit tonë ndaj pushtuesve të huaj. Pikërisht ky shtrembërim i historisë duhet ndrequr.
Në Maj të vitit 1944 Abaz Ermenji, midis dy zjarresh, i lodhur, i dëshpëruar dhe pa rrugë dalje, u takua edhe një herë me grupin e kapitenit britanik Hand, i cili po përgatitej për t’u larguar në Itali. Kapiteni britanik, pa që rrugët drejt bregdetit ishin të ruajtura mirë nga forcat e Ermenjit dhe vendosi të qëndrojë me të dhe të dëgjojë e të njohë situatën e vështirë në të cilën ndodhej.  Ermenji. Nevojat për ndihma jetike ushtarake ja dha atij, në një letër për Maclein. (Në këtë kohë Maclein ndodhej jashtë Tiranës me grupin e Abaz Kupit). Ai në përgjigje, i komunikoi kapitenit Hands, që të largohet i qetë për në Itali, se për forcat e Abaz Ermenjit do vinin shpejt ndihmat e nevojshme ushtarake. Kapiteni u largua në Itali me një letër tjetër kërkesash të Ermenjit, me porosinë që ajo t’u dorëzohej autoriteteve të larta britanike.
Në shtator të vitit 1944 Ermenji u takua me 3 oficerët britanike Maclein, Smajli dhe Amery dhe u ra dakord që të formohej një grup i përbashkët për të luftuar fuqimisht gjermanët.
Me tërheqjen e trupave Gjermane në Nëntor 1944, u nisën për në Itali edhe oficerët britanik. Gjate largimit të Maclein, Ermenji mori njoftimin se, me përfundimin e luftës asnjë grup rezistence nuk do të mbështetej më me ndihma. Në këto kushte ai i shpërndau njerëzit e tij, pasi i pa të panevojshme njësitë ushtarake të organizuara, se armiku u largua dhe nuk kishte ç’të bëhej më, veçse të hyje në një luftë vëllavrasëse dhe civile.
Abaz Ermenji, pati mundësi të largohej me Abaz Kupin për në Itali, por qëndroi në Shqipëri me ëndrrën e tij të përjetshme, për të formuar grupin “Lëvizja Liberale Demokratike” i cili do të vepronte jashtë Frontit Nacionalçlirimtar, me shpresën e pluralizmit politik, si në demokracitë perëndimore.
Abaz Ermenji, nga dhjetori 1944 e deri në tetor 1945, punoi shumë për krijimin e një partie të fortë opozitare, si dhe për rikthimin e Shqipërisë në një regjim demokratik. Por, me sa duket ai i kishte bërë hesapet thjesht si ëndërrimtar. Qëndrimi komunist ishte i fortë e deri asgjësues, sa opozita konsiderohej një krim politik, fare e papranueshëm. Duke parë edhe se nga aleatët nuk kishte më asnjë mbështetje financiare, morale e politike, Abaz Ermenji, vendosi që të largohej nga vendi jashtë kufijve, në kërkim të rrugëve të reja.
Abaz Ermenji historian, i analizon dhe i shpjegon kështu shkaqet e dështimit të Ballit Kombëtar: “E vërteta është që Balli Kombëtar, ndonëse si numër kishte shumicën e madhe të fshatarësisë dhe të shkollarëve, si forcë luftuese, u pa qysh në fillim se ishte i një shkalle më të ulët organizative dhe me një Parti të dobët, pa disipline e autoritet  dhe me të gjitha të metat e natyrës njerëzore ose të mendësisë së veçantë të shqiptarit.
Ndërsa Komunistët përgatitën më parë kuadrat e disiplinuara në djalërinë qytetare dhe mandej mblodhën ndër to fshatarësinë, Balli Kombëtar, e nisi punën nga fshatrat për të pasur numrin sa më të madh dhe kuadrat e çetave, ose të fuqive të armatosura të tij, qëndruan fshatarë gjer në fund. Këto nuk kishin as shkathtësinë, as bindjen, as disiplinën e kuadrove të fanatizuara dhe djaloshare komuniste. Djalëria e Ballit Kombëtar nuk u fut në fashat dhe nuk luajti as një rol në drejtimin e masave fshatare.
Në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste dhe te kuadrat e larta të asaj, kishte një pikëpamje, një mendim, një vendim. Ata që mendonin ndryshe, qëroheshin shpejt, kurse Balli Kombëtar mbeti gjer në fund, një marrëveshje ndërmjet njerëzish, me pikëpamje e interesa të ndryshme dhe shpeshherë të kundërta.
Ballit Kombëtar nuk i erdhi asnjë ndihmë nga të ashtuquajturit na¬cionalistë të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut. Në dukje, këta linin të kuptohej, ose edhe e thoshin vetë, se e bënin me qëllim, që Ballistë e Komunistë, të hanin kokat njëri me tjetrin, për t’iu mbetur më në fund fuqia këtyre”…
Abaz Ermenji, kaloi kufirin Grek, më 26 tetor 1945, me 18 mbështetës të tij. Në Greqi ai u arrestua nga autoritetet greke dhe u internua në kampin e Gladstone të Selanikut dhe qëndroi për më shumë se 6 muaj i burgosur, i dyshuar si bashkëpunëtor i Gjermanëve. Ermenji u mor në pyetje nga oficeret Britanikë, lejtenant Young, i cili më pas e përcolli dëshminë tek autoritetet më të larta. Ermenji deklaroi dhe vërtetoi se nuk kishte bashkëpunuar me Gjermanët, mandej se kishte luftuar e derdhur gjak, kundër pushtuesve Italianë dhe Gjermanë, për lirinë e vendit të tij, për çka ai u gjykua nga Britanikët dhe u la i lirë.
Që nga nëntori i vitit 1944 e deri në pranverën e vitit 1946, Ermenji, përkrah vëllezërve Kazazi, Muharrem Bajraktari, Hysni Dema dhe krerëve të tjerë nacionalistë të Kosovës dhe trevat e Maqedonisë Shqiptare, do të ndërhynte disa herë brenda kufirit shqiptar dhe do zhvillonte një varg aksionesh duke rrëfyer përveç antikomunizmit të tij dhe cilësi të tjera si prijës ushtarak. Pushka e tij do të ndihej në Postribë, Çermë, në Malësi të Madhe, Golaj, në Orosh dhe Bajzë, ndërkohë që Qeveria e Tiranës e pati shpallur kriminel lufte dhe i kishte burgosur të atin.
Më pas, kur lufta e prijësve nacionalistë në Shqipëri u bë krejt e pamundur, profesor Ermenji largohet përfundimisht nga Atdheu, i bindur në vetëdijen e tij se nuk do të ndalte kurrë të ndihmojë Kombin e vet, për të zhdukur komunizmin, në zëvendësim të pluralizmit dhe demokracisë.  Vendoset në Paris, ku drejton Komitetin Kombëtar Demokrat “Shqipëria e Lirë”, i cili ka lozur një rol të madh në përpjekjet për një Shqipëri të lirë nga regjimi komunist si dhe për çlirimin e Kosovës nga shtypja dhe tirania e Serbisë.
Pas përmbysjes së pushtetit komunist dhe vendosjes së pluralizmit, Abaz Ermenjit, ju rikthye mundësia e rikrijimit, me principe edhe  më të përparuara të Ballit Kombëtar në Shqipëri dhe kjo  qysh në vitin 1991. Ai, i rikthehet politikës dhe zgjidhet kryetar i kësaj partie dy herë radhazi në vitet 1994 dhe 1998. Gjatë kësaj periudhe, me gjithë moshën e tij të madhe, ka dhënë një kontribut në ngritjen e ndjenjës kombëtare të shqiptarëve, nëpërmjet një serie takimesh e konferencash, në të gjithë Shqipërinë. Profesor Abaz Ermenji dekorohet nga SHBA-ja me dekoratën “Ajzenhauer” me motivacionin “Luftëtar i shquar në luftën kundër komunizmit”.

Përfundimisht mund të themi se profesor Abaz Ermenji, si antikomunist i vendosur, ka qenë njëkohësisht mbrojtës i flaktë i çështjes Shqiptare dhe për më tej i Kombit Shqiptar, në kufijtë etnik. Ai, ka pasur si motiv kryesor për të vendosur mbi partitë, Shqiptarinë, duke luftuar në disa beteja, mandej dhe në front të përbashkët me partizanët, kundër pushtuesve Italianë dhe Gjermanë. Përpjekjet e tij antikomuniste nuk kanë reshtur deri sa vdiq. Me artikuj të shumtë, të botuar tek “Flamuri”, “Balli i Kombit”, tek përmbledhja “Albania” etj., për çka synon dhe vepra e tij studimore “Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë”, një apologji madhështore shqiptare.
Abaz Ermenji vdiq, në datën 10 Mars 2003 në Paris, Francë si atdhetar, nacionalist dhe antikomunist i vendosur, si i tillë për mos t’u harruar kurrë nga pasuesit dhe simpatizantët e tij dhe u varros në 14 Mars 2003, me një ceremoni madhështore, në kryeqytetin e vendit të vet, Tiranë.

SHKURTIME:
Vendlindja; Ermenj, Skrapar.
Datëlindja:12.12.1913
Arsimi: fillor në Berat, i lartë në Faculte de Lettres, Sorbonnes, Paris 1934-1938
Profesioni: Profesor Historie.
Aktiviteti profesional: 1938-1939, Profesor në Liceun e Korçës. 1939 në Normalen Elbasan.
Aktiviteti politik: 1939 organizator i rinisë së Liceut të Korçës kundër pushtimit italian.
1939-1941, internim në Ventoten nga italianët.
1941, anëtar i Ballit Kombëtar.
1943, anëtar i Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar.
1948, anëtar i Komitetit Kombëtar Demokrat “Shqipëria e Lirë” krijuar nga Mid’hat Frashëri në mërgim më 26 gusht 1949.
1955, një nga organizatorët e “Lidhjes kosovare”.
10 mars 1957, kryetar i Komitetit Kombëtar Demokrat “Shqipëria e Lirë” deri në vitin 1992.
1992 deri në dhjetor 2002 kryetar i Ballit Kombëtar.
Anëtar i “Lëvizjes Evropiane” dhe pjesëmarrës në të gjitha kongreset e saj.

BOTIMET:
1968, “Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë”.
Një studim mbi historinë e Shqipërisë, botimi i parë Romë, Itali dhe botimi i dytë Tiranë.
Kultura dhe morali kombëtar.
Autor i shumë artikujve dhe shkrimeve mbi Shqipërinë dhe çështjen shqiptare te gazeta “Flamuri”, “Le Monde”, “Përmbledhja” , “Albania”, “Balli i Kombit”, etj.
Nderuar me Dekoratën “Ajzenhauer” si luftëtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

LITERATURA E SHFRYTZUAR:
-Interneti Wikipedia, etj.
-Gazeta Panorama 15.02.2015 Rrëfimi i Abaz  Ermenjit…
-Gazeta Dita 29.11.15 “Luftën e fitoi Enveri…”
-Gazeta Balli Kombit  24.03.2004 Një jetë për Shqipërinë
-Gazeta Dielli Mars 28 2013
-Përkujtimorja  një vjeçare e Abaz Ermenjit – Shtypi
– Përkujtimorja dhjetë  vjeçare e Abaz Ermenjit – Shtypi
-Eugen Shehu – Abaz Ermenji…
-David Smiley – Albania Sssigmeny …
-Bledi Fevziu – intervistë janar 2009
-Robert Elsie 2012 “Biography…”
-Abaz Ermenji – “Vendi që zë Skënderbeu…”

Tiranë, më 15.04.2016

Filed Under: ESSE Tagged With: Abaz Ermenji, I VENDOSUR, Luan Cipi, NACIONALIST DHE ANTIKOMUNIST

FIGURAT HISTORIKE TË DEBATUESHME NË NJË KËNDVËSHTRIMIN HISTORIK

May 11, 2016 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia/
 1.Kjo është vërejtje e famshme e Bonapartit, që thotë: “Historia është një grup i gënjeshtrave, që njerëzit kanë rënë dakord”, ka pak dyshim se mitet, keqkuptimet dhe trillimet të drejta, të plota shpesh janë formuar për të  kuptuar  të kaluarën tonë. Në disa raste, këto legjenda janë rrënjosur,aq  sa errësojnë faktet aktuale të jetës së një figure historike. Në këtë hulli mund të quhet se ka ecur krijuesi Luan Cipi me një botim të fundit, duke u përpjekur të shpërbëjë mjegullnajën, që rrethon mjaftë prej figurave historike  të debatueshme .
Luan Cipi është një ,krijues  cilësor   me 10 botime brenda disa vjetësh  duke përfshirë disa gjini të ndryshme.“Urtësi,trimëri,por dhe humor e shaka vlonjate”,është botimi më i fundit i Luan Cipit.
Që analistët sasiore janë gjetur shpejtë  në “shtëpinë e tyre” dhe pikërisht   në disa fusha si:ekonomi,sociale dhe kulturore,mirëpo  në lidhje me historinë çfarë sjellin  me analizat  e tyre  sasiore ?Çfarë përmbajnë renditja dhe krahasimi me  reputacion historik  duke vlerësuar  çdo  figurë historike, duke  sjell gjurmët e  shumë njerëzve më të rëndësishme të historisë  së një qyteti  në shkencë, politikë, argëtim, dhe në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore.
 Nuk ka mënyrë më të mirë për të kuptuar ngjarjet në të kaluarën e tyre  se sa duke shqyrtuar burimet  si:revista, artikuj, letra, të artit, muzikës apo autobiografi  të lëna në dorëshkrim. Për të analizuar një burim primar autorit i është duhur  informacioni në lidhje me dy gjëra:faktin që mund të jetë dokument ,ky pra që grish mjegullën dhe kohërat për tu zbardhuar drejt  dhe epokën nga e cila ajo vjen.
 Nëse  e gjykojmë në këtë prizëm  edhe librin e fundit të autorit L.Cipi gjejmë të analizuar disa figura historike të qytetit të Flamurit, por edhe të vendlindjes së autorit . Disa prej tyre figurave të sjell në këtë botim janë shkruar si skica,portrete,analizë, reflektim, ese, homazh deri te shakat vlonjate  ose ka sjellë  dorëshkrime origjinale :Luftëtarët e lirisë,kujtoj Cerciz Topullin një dorëshkrim interesant, që vlen të  shikohet me interes nga historianët. Osman Haxhiu legjendar ,një portret  i bazuar fakte të reja .Bahri Omari nderi i kombit….Dr Omer Nishani,që ishte 8 vjet President. Sejfulla Malëshovën si e shoh sot,që është një reflektim. Lame Kodra dhe bota e re .Një analizë ë kushtuar figurës Ago Shero Agaj që ka mbetur ende midis dritëhijeve. Një portret, kushtuar inxhinierit, që studio dhe mori medalje të artë në Vjenës,por u  u pushkatua për kënetën e Maliqit:”Martiri Kujtim Beqiri na thërret një homazh.
 Spiro Koleka një atdhetar i shquar etj . Po shqyrtojmë vetëm dy momente të këtij botimi.  “Luftëtarët e lirisë”, nga Epopeja e Mashkullores  bazuar në dorëshkrimin e të atit të autorit Kaman Bektash Cipi,  është një rrëfim  interesant, që vjen për herë të parë  i zbardhur ,që duhet studiuar ,që duhet të merret  në konsideratë nga historianët e kësaj periudhe për ta pasuruar këtë epope dhe këtë periudhë.
 Duke analizuar, natyrën fizike të burimit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme  sepse kemi të bëjmë me një burim origjinal,d.m.th, një letër të vërtetë të  vjetër, dorëshkrimi i autorit Kaman Cipit ,bazohet në të  dhënat  e tij, që përfshinë harkun kohor kur ka ndodhur ngjarja. Autori  i dorëshkrimit përcjell historian e një prej betejave të zhvilluara në jug  kundër otomanëve, që nisën fillimisht me aksionin e vrasjes së majorit Halil Musa Beu komandant i xhandarmërisë në Gjirokastër dhe më tej  me “ Epopenë e Mashkullorës” ,të  18 mars 1908 ,pra ngjarje që ndodhën 4 vite  para pavarësisë kombëtare  .Për betejën e Mashkullores  ka pasur edhe më parë rajvizime historike me dokumente të kësaj ngjarje sidomos në periudhën 1920-44 dhe 50-90. Nëse kjo ndodhte ishte një arsye, regjimi u vinte detyrë institucioneve për të zbardhur  ngjarjet dhe periudhat e ndryshme historike  si dhe duke i përdorur ato. Janë sjellë dokumente, por dorëshkrimet origjinale janë të pakta, një ndër to është edhe dorëshkrimi origjinal i Kaman Cipit, për ngjarjen e Mashkullores, dëshmitë e tjera janë të mbështetura më tepër në librin e M.Gramenos           dhe më rrallë në botime të tjera.
Cili ishte mesazhi i autorit, ose argumenti? Zbardhja e një periudhe historike e një prej betejave në jug të vendit kundër pushtuesit otomanë. A mund të vlerësojmë burimin si dëshmi historike? Sigurisht duhet vlerësuar ,vetë autori i tij Kaman Cipi jo vetëm, që është nga Gjirokastra, por ai ka jetuar në këtë periudhë kur janë zhvilluar ngjarjet.
Një personazh tjetër historik i mbuluar më tepër nga misteri dhe zbardhur pak për të cilin shkruan autori, është figura e Ago Sherro Agaj,që ishte dikush sipas autorit.
Në fillim autori i këtij botimi , L.Cipi thotë me sinqeritetin  e tij. Nuk është fjala për të rehabilituar çdo kolaboracionist ,por për të shpjeguar jetën e gjithkujt, që duke rrojtur dhe madje edhe veprimtarinë atdhetare të dobishme dhe pse gaboi diku nuk mund ti shuash krejt veprimtarin   e tij dhe ti asgjësosh anët e mira duke e dënuar me heshtje e deri në mohim pa e gjykuar dhe analizuar. Pasi flet për vit-lindjen dhe arsimin e tij Ago,Agaj është ndër studentët shqiptarë që ka studiuar  në Austri,autori ndalet te punësimi dhe zgjedhja e tij si prefekt i Mitrovicës,me votë të lirë pas shumë sprovave Agaj bëhet prefekt i Mitrovicës,gjatë periudhës së luftës së dytë botërore.
 Dy çaste, që mrekullojnë nga qëndrimi atdhetar i A.Agaj në Mitrovicë.
28 nëntori i vitit 1941. Sipas autorit të këtij portreti L.Cipi, në këtë ditë historike, për të gjithë shqiptarët  dolën sheshit për të kremtuar ditën historike veshur me kostume kombëtare  të zbukuruar me ar e gurë të çmuar.
Rasti tjetër, ka të bëjë me detyrën e tij si prefekt. Komanda gjermane  kishte marrë vendim të burgoste gjithë hebrenjtë dhe jevgjit ,shkruan autori L.Cipi. Mirëpo në Mitrovicë nuk kishte shumë familje hebreje,por kishte rreth 4 mijë familje jevgjish ,
i quanin gabelë. Ata flisnin shqip dhe mbanin anën e shqiptarëve. Prefekti Agaj u shpjegoi gjermanëve se jevgjit ishin me orgjinë egjiptiane,kurse ciganët ishin me prejardhje nga India. A u bindë komanda gjermane,sigurisht që jo. Me anë të Vehbi Frashërit  u gjet libri i F.Novak që kishte studiuar racat dhe popullsinë  e tyre. Kjo ndërhyrje e prefektit shpëtoi 4 mijë jetë njerëzore,nga rrëzimi definitiv ,vdekja nga plumbi ose mbytja me gaz, që praktikonin nazistët gjatë periudhës së luftës së dytë botërore.Shkëputëm vetëm dy raste nga libri i fundit i publicistit Luan Cipi.
2. Struktura e librit është organizuar me mjeshtëri nga autori .Janë kapitujt e organizuar në mënyrë kronologjike, tematike nga grupi i aktorëve historike, nga të përgjithshme në të veçanta, ose në ndonjë mënyrë tjetër? Autori Luan Cipi, tregon edhe në botimin e fundit se është një mjeshtër i  vërtetë  i penës  ,një njohës i mirë fakteve dhe dëshmive historike, ai rrëfen  në gjuhën e thjeshtë të pangarkuar shkurtimisht, tregime historike ose përmbajtjen, por  gjithmonë i përqendruar në argumentin historik duke u bërë dhe se si në mënyrë efektive, autori e ka mbështetur këtë argument me prova historike. Si në lidhje me burimet dytësore? A ka një ose më shumë libra të mesme që autori duket të duhet të jetë  konsultuar shumë në mbështetje të argumentit?Them se autori L.Cipi ka studiuar shumë autorë, që kanë nxjerr në dritë  këto figura historike  për të cilat shkruan edhe Luan Kaman Cipi në përmbledhjen:” .“Urtësi,trimëri,por dhe humor e shaka vlonjate”.

Filed Under: LETERSI Tagged With: FIGURAT HISTORIKE TË DEBATUESHME, Gezim Llojdia, historik, Luan Cipi, NË NJË KËNDVËSHTRIMIN

KUJTESA E 7 PRILLIT DHE ABAZ KUPI

April 7, 2016 by dgreca

Nga Luan Çipi/

Abaz Kupi, i njohur për shumë kohë si “Bazi i Canes”, ishte një tjetër personazh i rëndësishëm që dominoi situatën politike në Shqipëri, me kulmin e vet në rezistencën e organizuar po me nismën e tij personale, ndaj pushtimit fashist Italian të 7 prillit 1939. Pavarësisht se, qysh herët, ai e deklaroi veten “Legalist” dhe betohej për ish Mbretin Zog, (shiko fjalën e tij në shtatorin 1942 në Konferencën e Pezës), këtë deklarim aso kohe, do ta konsideroja më shumë vetjak dhe pa lidhje e vartësi, sepse Zogu, nuk denjoi dhe nuk dha asnjë urdhër për ta kundërshtuar ushtarakisht pushtimin, por u largua jashtë Shqipërie, me gjithë shpurën dhe familjen e tij. Ky qëndrim, nuk ja ul vlerat Abaz Kupit, përkundrazi, rezistenca e tij heroike dhe përleshjet e mëpasme, në gjirin e Frontit Nacional-Çlirimtar dhe veças, (pa përkatësinë e aderimit në parti), e bënë atë një Atdhetar me emër të madh dhe me kontribut konkret. Mandej duhej thënë e përsëritur, se në fillimet e luftës antifashiste, nuk njihej tjetër lider më i shquar se “Bazi i Canes”, aqsa kur ra heroikisht në luftë, dëshmori i parë komunist, Qemal Stafa, kënga e popullit i këndohej me thirrjen e dhimbshme “ngrehu Qemal nga varri, të pret Bazi i Canit”.

Ja si shkruan vetë Abaz Kupi për rezistencën e 7 Prillit 1939: “Kur anijet e armikut arritën pranë molos, i lashë fashistët të zbrisnin në tokë, madje dhe të na afroheshin nja 200 metra. Atëherë dhashë urdhër që të hapej zjarr kundër tyre. Kështu, në ora 4 të mëngjesit kishte filluar një betejë e vërtetë. Gjatë këtyre luftimeve, të tre sulmet e tyre të njëpasnjëshme i zmbrapsëm, duke i detyruar agresorët që të ktheheshin e të futeshin sërish nëpër anijet e tyre. Gjatë sulmit të katërt, armiku, duke vënë në përdorim të gjithë mjetet dhe forcat e tij luftarake që dispononte, u përqendrua në një sulm të përgjithshëm kundër krahut tonë të djathtë. Në këtë mes, ne, duke mos i pasur mjetet e nevojshme gjatë 6 orë luftimesh të përgjakshme dhe të pandërprera, qemë të detyruar që të tërhiqeshim”. Kështu ka ndodhur, jo vetëm në Durrës, po edhe në Vlorë e Sarandë, dhe pati shumë të vrarë e të plagosur nga të dy krahët,  edhe pse propaganda fashiste e minimizoi rezistencën Shqiptare.Abaz Kupi lindi në lagjen Varosh të Krujës më 6 Gusht të vitit 1892, në një familje që e kishte origjinën nga Kurbini. Ai qysh në moshë të re 22 vjeçare, në Nëntor-Dhjetor të 1914, bashkë me “Parinë e Krujës” vendosin dhe marrin aksione konkrete kundër “Lëvizjes së Shqipërisë së Mesme”, që me sloganin “dum babën”, përkrahën përpjekjet e para për forcimin e Shtetit Shqiptar, të krijuar nga Ismail Qemali dhe që bënte hapat e para të konsolidimit, me  në krye Princ Vidin.

Me formimin e Qeverisë Kombëtare të Lushnjës, Abaz Kupi, së bashku me Bajram Currin e Ahmet Zogun,  mori pjesë në luftën kundër malazezëve në Koplik, në përpjekjet e gjata për të bashkuar Shtetin Shqiptar.

Abaz Kupi merr pjesë, gjithashtu, në kryengritjet e Mustafa Merlikës, Bajram Currit dhe Elez Isufit në Shkurt-Mars të vitit1922, kur edhe u konfrontua me Ahmet Zogun, por duhet thënë se gjatë kryengritjes Fanoliste të Qershorit 1924 ai, qëndroi neutral.

Kapiteni Prenk Pervizi, miku i tiji afërt, ishte ai që e afroi me Zogun, i cili më vonë e ngarkoi të shërbejë si Komandant i Xhandarmerisë në Krujë me gradën e kapitenit. Kjo detyrë e rëndësishme, zyrtarizoi ndikimin e Bazit në vendlindje dhe konsolidoi karrierën e tij të ardhshme ushtarake, deri te grada e “gjeneralit”.

Kështu, më vonë, në vitin 1934 u gradua major dhe shërbeu në Durrës me të njëjtën detyrë.

Në ditët e agresionit fashist italian kundër vendit tonë, më 7 Prill 1939, Abaz Kupi, me iniciativën e tij, udhëhoqi qëndresën e repartit ushtarak të Durrësit, veprim i cila e shndërroi  atë në një ikonë.

Abaz Kupi, me pushtimin e Shqipërisë, u largua në Stamboll të Turqisë, ndërsa në Qershor të vitit 1939 familja e tij, e  përbërë nga tre djemtë Petriti, Rustemi e Fatbardhi, bashkë me nënën dhe motrat, u internua në Himarë dhe pas disa muajsh, u dërguan në Itali. Në fillim u mbajt e burgosur në qelitë e burgut  të Brindisi-t, izoluar plotësisht. Më pas u transferua në një kamp internimi në Siena, deri në vitin 1942, kur u lanë të lirë për të  banuan pranë t’ afërmve, te familja e Sejfulla Merlikës.

Me hyrjen e Britanisë së Madhe në Luftë, si një alternativë oportune, u pa edhe mundësia e krijimit të rezistencës antifashiste në Shqipëri. Me këtë synim, Abaz Kupi, i rekomanduar  nga shokët e tij, kalon nga Turqia për në Beograd, në kryeqytetin e Jugosllavisë, i pritur dhe ndihmuar nga miku i hershëm i tij, Gani Kryeziu. Aty organizohet takimi me kolonelët Anglez Stirling dhe. Dayrell Oakley-Hill, (i fundit shef i zyrës së SOE në Beograd). Me ndihmën e tyre dhe direkt të Ambasadës Angleze të Beogradit, Abaz Kupi, kaloi në Shqipëri dhe u vu në krye të rezistencës antifashiste. Punët përgatitore për organizimin e qëndresës, u drejtuan nga Jugosllavia prej gjeneralit Anglez Julian Amery.

Në Shqipëri, koordinuar nga Anglezët dhe miqtë e tij, u sigurua bashkëveprimi i Abaz Kupit me Muharrem Bajraktarin dhe të vëllait të tij Ibrahimi, për të grumbulluar elementët e duhur dhe për të organizuar qëndresën kundër pushtuesit dhe krejt kjo punë e madhe u përballua me shpenzimet e tyre.

Një nga principet e Abaz Kupit ishte sigurimi i mirëkuptimit dhe bashkëveprimit i të gjitha forcave shqiptare antifashiste. Në këtë kuadër Abaz Kupi ishte një ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit kryesorë të “Konferencës së Pezës” të mbajtur më 16 shtator 1942, ku dhe u zgjodh anëtar i Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar. Ai si shumë figura tjera që përdoreshin nga komunistët për të tërhequr masat gjerësisht me emrin e bujshëm “Fronti Nacional-Çlirimtar”, ra në kurthin e tyre, u shfrytëzua në të gjitha kapacitetet dhe në fund, u mënjanua dhe hodh poshtë si limon i shtrydhur.

Nuk përjashtohen edhe përpjekjet direkte të forcave nacionaliste për bashkim: Më 26 Korrik 1943, ora 11 paradite, u mblodhën në shtëpinë e dr. Ihsan Toptanit në katundin Tapizë, Delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe Delegacioni i organizatës “Balli Kombëtar“. Me idenë e zgjerimit dhe të forcimit të frontit të përbashkët të luftës kundër Italianëve, ai u bë nismëtari i Konferencës së Mukjes të mbajtur në datat 1-2 gusht 1943 për të arritur bashkëpunimin midis Frontit Nacional Çlirimtar dhe të Ballit Kombëtar.

Pikërisht, Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, organizoi në datën 4 dhe 5 Gusht 1943, dy ditë pas Kuvendit të Mukjes, një betejë të përbashkët në afërsi të Qafë-Shtamës, kundër Ushtrisë Italiane që marshonte për në Mat. Çetat Partizane dhe ato të Ballit Kombëtar, nën komandën e majorit Abaz Kupi, e shpartalluan armikun, duke i shkaktuar humbje të rënda: 150 të vrarë, 40 të plagosur dhe 7 robër. Në mes të të vrarëve ishte edhe koloneli A.P. Skampa.

Kur E. Hoxha hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes, me Konferencën e Labinotit në shtator 1943, se binte ndesh me synimet e agjentëve Popoviç dhe Mugosha, Abaz Kupi u largua më 19 Nëntor 1943 nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar.

Më 21 Nëntor 1943, duke mos pasur tjetër alternativë, Abaz Kupi, formoi “Lëvizjen e Legalitetit” dhe vuri objektiv rikthimin e Mbretit Zog në Shqipëri.

Pas kësaj udhëheqja e PKSH urdhëroi asgjësimin fizik të Abaz Kupit. Megjithatë ai u mbrojt dhe iu shmang luftës civile të nxitur nga komunistët, deri kur ata nisën të sulmonin Krujën dhe zonat e Bazit në Mirditë.

Në pranverën e 1944, raportet drejt qendrës të oficerëve Billy McLean dhe David Smiley, iu bashkua dhe Amery, të cilët qëndruan për shtatë muaj pranë trupave të Kupit. Këto raporte  për operacionet kundrejt Gjermanëve do të ndeshnin me kundërshtitë e raporteve të oficerëve Britanikë pranë komunistëve. Aleatët ngulnin këmbë për më shumë aksione dhe ç’vlerësuan përpjekjet e mundshme të Abaz Kupit. Pamundësia për më shumë aksione e dëshpëroi edhe vet heroin tonë.

Më 24 Tetor 1944 Abaz Kupi, u largua nga Atdheu bashkë dy bijtë Petritin, Rustemin dhe përkthyesin Gaqo Goga, me ndihmën e një barke të siguruar nga Ihsan Toptani në Shkodër, (SOE e Barit nuk e ndihmoi të tërhiqej së bashkë me oficerët britanikë).

Ata ngelën për 6 ditë pa ushqim e pa ujë, derisa u gjetën nga një anije pastruese-minash kanadeze që i çoi në Brindizi të Italisë.

Familjen e Abaz Kupit ngeli në Shkodër. Djali i vogël, Fatbardhi, u arrestua më 1945, ndërsa pjesa tjetër e familjes, bashkëshortja e tij dhe vajzat, do të internoheshin në Tepelenë e më pas nëpër kampet e internimit të Myzeqesë.

Në emigracion Abaz Kupi, që tani thërritet “gjeneral”, merret me organizimin e mërgimtarëve për një bashkim politik, më pas u aktivizua në komitetin “Shqipëria e Lirë” me në krye Mit’hat Frashërin.

Më 1968 zhvendoset drejt Shteteve të Bashkuara.

Vdiq në vitin 1976 në ShBA, New York. Trupi i tij prehet në Kew Gardens Cimitery në Queens.

Për ta mbyllur do paraqes këtu më poshtë, se si ka shkruar vetë Enver Hoxha fillimisht, për Abaz Kupin (Bazin e Canit):

“Në ditët e para të prillit 1939, ditë të zeza të historisë sonë, populli shqiptar ishte më këmbë; me një zemër, me një parullë: Luftë invazorit fashist të urryer si bishë e Atdheut tonë të dashur, në fshatra dhe qytete të Shqipërisë, i madh dhe i vogël bërtiste në Durrës, Shëngjin, Vlorë për të mbrojtur Atdheun.

Në Durrës luftonte Abaz Kupi me djemtë e shqipes, luftonte me një grusht njerëzish kundër dëshirës së klikës dallkauke që ishte në fuqi, kundra mijëra dhe mijëra fashistëve që po zbarkonin në molo.

Bazi i Canes dhe djemtë e Shqipërisë, të frymëzuar prej një dashurie të madhe për Atdheun, me të vetmen pushkë të shqiptarit, e bënë armikun që të kthehej në vapore e të linte në Molo me qindra të vrarë.

Major Bazi ishte kudo, në çdo pozitë, zëri i tij dëgjohej: Djema! Godisni armikun pa mëshirë se kështu e lyp ndera e Atdheut!”- dhe pushkët e shqiptarëve kërcisnin mbi fashistët e fëlliqur që turreshin valë-valë.

Nga çdo anë, nga çdo mur, derë, nga çdo penxhere e Durrësit vlonte pushka. Bazi i Canes s’po ia lëshonte vendin, megjithëse armiku përdori topa e aeroplanë, djemtë e Shqipërisë s’trembeshin, sado që ishin një grup njerëzish.

Lufta vazhdoi me orë, armiku hidhte si në furrë, me mijëra bersalierë dhe përpara kësaj hordhi të madhe të veshur me çelik, Bazi i Canes u tërhoq, por i pathyer, i papërkulur, me zemrën plot dashuri për Atdheun dhe me urrejtje për okupatorin.

Në emigracion këtij s’i rrihej, ai e kishte zemrën në Shqipëri, në vëllezërit e tij që po luftonin me tërbim fashizmin dhe ky luftëtar çau malet me borë, çau bjeshkët e veriut dhe u fut në Atdhe, atje ku e lypte detyra, ku e lyp ndera e Atdheut, u fut me bashkue forcat e tij me atë të shokëve shqiptarë që ishin çue në këmbë.

Fshatrat e Krujës zienin, fshatarët rrokën armët, pse ora e hakmarrjes kish arritur, pse Bazi i Durrësit ishte kthye me marrë pjesë në LÇ e popullit shqiptar.

Mustafa Kruja u përpoq të kish zinxhirët, u përpoq ta bënte rajë të okupatorit, por Bazi i tregoi rrugën këtij korbi të zi, këtij birit bastard të tokës arbërore dhe si, patriot që ishte i shpalli luftë fashizmit, Merlikës dhe tradhtarëve.

Merlika i lëshua si një bishë me hordhitë e tij mercenare për me ndjekë çetën e Abaz Kupit, u derdh mbi miqtë e tij, mbi shokët e tij me i vra e varë.

Bazi i Canes i goditi fashistët pa mëshirë. Merlika e bëri sheshin e Krujës, shesh për varje për djemtë e Bazit. Por Bazi s’tutej dhe thoshte” Vallja vjen pas”.

Fashizmi dhe Mërlika i kanë milicët të lirë me pesë napolona kokën, kurse ne djemtë tanë i kemi vëllezër dhe shokë, por hakën s’e lëmë pa e marrë dhe për një njëqind.

Bazi i Canes që luftonte për një qëllim të shenjtë; çlirimin e Atdheut nga zgjedha e italianëve, e ka kuptuar fare mirë se trimi i mirë me shokë shumë, se ky hall i madh ka mbuluar gjithë Shqipërinë dhe se një bashkim i fortë e i shëndoshë i gjithë shqiptarëve në luftën kundër okupatorit do të jetë shpëtim i vendit tonë.

Patrioti i vërtetë s’lufton me fjalë, por me punë, me vepra dhe Bazi i Canes mendimet e tij i realizon në fushën e luftës dhe solidar deri në vdekje me të gjithë patriotët e tjerë shqiptarë, u hodh në Luftën NC, në luftë për Atdhe.

Me 10 tetor 1942, armiku i fëlliqur u godit nga të katër anët e Shqipërisë, kudo u goditën kolonat, depot, milicët e armikut, kudo në Shqipëri u prenë telat e telefonave.

Ky ishte rezultat i Kuvendit të burrave shqiptarë, që vendosën të luftonin me armë dhe pa pushim deri në fitore armikun e vendit tonë. Dhe Bazi i Durrësit, Bazi i Krujës, Bazi i Pezës dhe i 10 tetorit, po vazhdon dhe do ta vazhdojë deri në fitore luftën kundër okupatorit dhe tradhtarëve”.

Unë, nuk kam se ç’të shtoj! Grumbullova e sistemova ç’gjeta nga interneti, se ç’kanë shkruar të tjerët për trimin e pa epur, Abaz Kupi. Por si përfundim them se: nuk duhet hedhur poshtë lufta dhe përpjekjet e burrave të shquar të vendit tonë, thjeshtë duke gjykuar nga përkatësia e tyre partiake, as nga ndonjë gabim në jetën e tyre të gjatë, por të vlerësojmë, çmojmë e nderojmë veprën e tyre në tërësi, në dobi të Atdheut, në funksion të bashkimit dhe jo të përçarjes. Sidomos duhet të jenë më të kujdesshëm historianët dhe shtetarët!

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: abaz kupi, Luan Cipi, NJË TJETËR KULM TRIMËRIE

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT