Luljeta Progni/
Historia e medias shqiptare është një rrugëtim që tregon përmasën e lirisë së shoqërisë tonë gjatë një shekulli e gjysmë. Sfidat e fillimeve janë ndër më të vështirat, pasi i përkasin kohës kur Shqipëria ishte nën pushtimin e Perandorisë Osmane. Në një vend ku nuk kishte shkolla në gjuhën amtare, ku thuajse e gjithë popullsia ishte analfabete, përpjekjet e para për të botuar një gazetë shqiptare, ishin në kufijtë e së pamundurës. Megjithatë, në atë kohë të zymtë, arbëreshët e Italisë, e më pas të tjerë patriotë shqiptarë nga vende të ndryshme të botës, do të bashkonin përpjekjet për të nisur historinë e medias shqiptare.
Në kapërcyellin e shekujve, përmes betejash të jashtëzakonshme, do të niste të konsolidohej media shqiptare, e cila do të kthehej në pararendëse të zhvillimeve historike të Shqipërisë. Revistat dhe gazetat e fundit të shekullit të XIX dhe fillimeve të shekullit të XX patën një kontribut shumë të rëndësishëm për fatet e vendit, për momentin historik, pavarësinë e Shqipërisë. Media do të kalonte nëpër disa etapa të rëndësishme zhvillimi, për t’u kthyer në një institucion emancipues të shoqërisë shqiptare, që po dilte e verbuar prej rreth 500 vitesh pushtimi nga Perandoria Osmane.
Sfida e medias në vitet e para pas shpalljes së pavarësisë, ishte përballja me elitën politike qeverisëse, e cila në mungesë të tolerances për raportimin e paanshëm, kishte tendencën për të krijuar raporte jo miqësore me median. Gjithsesi, në vitet ’30 media përjetoi kohët më të lavdishme, ndonëse u deshën sakrifica të mëdha nga gazetarët dhe botuesit, të cilët njëkohësisht ishin edhe elita e intelektualëve shqiptarë. Më pas do të vinte një moment i errët në historinë e Shqipërisë, kur kjo elitë të asgjësohej nga diktatura komuniste.
Në vitin1944 do të fillonte përmbysja e elitës, vrasja e intelektualëve ku përfshiheshin edhe gazetarët, për t’u zëvendësuar me të paaftët, që do të viheshin në shërbim të regjimit diktatorial, për ta kthyer propagandën në armë vrasëse për fjalën dhe mendimin e lirë, me qëllim nënshtrimin e shoqërisë shqiptare nën diktaturën komuniste. Kjo është pika e kthesës, që i dha goditjen fatale zhvillimit të medias dhe elitës intelektuale shqiptare. Gjatë 45 viteve të diktaturës komuniste, media u drejtua nga strukturat më të larta të partisë-shtet, duke e humbur tërësisht rolin e saj informues dhe raportin me të vërtetën.
Pas rrëzimit të diktaturës komuniste, në vitin 1990 rikthehen përpjekjet për median e lirë. Padyshim që sfidat do të ishin të vështira pas një periudhe të errët 45-vjeçare, ku media e lirë nuk kishte ekzistuar. Liria e fjalës nuk mundi ta ndryshojë mendësinë e vjetër të pushtetarëve për ta përdorur median. Tranzicioni i gjatë, i shoqëruar nga mungesa e kulturës demokratike, si nga politika ashtu edhe shoqëria shqiptare, nuk ka bërë të mundur krijimin e një mjedisi të përshtatshëm, që media të luajë rolin e saj kryesor në informimin transparent të publikut dhe garantimin e standardeve të demokracisë, siç ndodh në të gjitha vendet e zhvilluara. Por, pavarësisht të gjithë problemeve që ka ende media në Shqipëri, shumë gazetarë kanë lënë gjurmë në profesion dhe kanë vazhduar misionin e tyre, ndonëse janë përballur me dhunën e pushtetit, fyerjet e kërcënimet.