• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

mafia Vs. Mafia

August 22, 2018 by dgreca

1-Astrit-Lulushi-286x300

Nga Astrit Lulushi/

The Italians

Libri monografik  “The Italians” botuar që në vitin 1964, sot konsiderohet klasik dhe është paraqitja më e mirë që italianëve u bëhet para lexuesve anglo-sakson. Libri është shkruar nga gazetari i njohur italian i mes shekullit XX, Luigi Barzini. Është e vërtetë se disa gjëra janë përmirësuar dhe një numër mënyrash mendimi kanë ndryshuar, por në parimi, mënyra e jetesës dhe e të menduarit janë pak a shumë të njëjta.

Autori mbulon periudha të gjera të historisë me një mënyrë koncize dhe, megjithatë, jep detaje. “Italianët” është shqyrtim i hollësishëm, i hulumtuar, i shkruar mirë i historisë politike, fetare dhe kulturore të Italisë. Barzini i bën analizë thelbësore karakterit të një populli të ndërlikuar, të gjallë dhe plot diversitet të një vendi të qeverisur nga dy kultura; ajo e atyre që jetojnë në Italinë Veriore dhe ata që jetojnë në rajonin me diell, jugor të vendit.

Italianët përveç sasisë së vlerave të shumta,  janë ngarkuar edhe me një sasi krimi,  ku Mafia zë vendin kryesor. Në libër, Barzini shkruan se fjala Mafia njihet për dy gjëra; një, e cila duhet të shkruhet me “m” të vogël, por është nëna e së dytës, me “M” të madhe, e cila përfaqëson mafiozët.

Mafia me “m” të vogël është filozofi e jetës, konceptim i shoqërisë, kod moral, ndjeshmëri e veçantë, që mbizotëron midis të gjithë sicilianëve. Ata mësohen që në djep se duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin, të shoqërohen me miqtë e tyre dhe të luftojnë armiqtë e përbashkët edhe kur miqtë janë të gabuar dhe armiqtë kanë të drejtë, secili duhet ta mbrojë dinjitetin e tij me çdo kusht dhe kurrë të mos lejojë që pështjellimet dhe fyerjet më të vogla të harrohen, dhe gjithmonë të kenë kujdes nga autoritetet zyrtare dhe ligjet. …

Mafia, në kuptimin e dytë, dhe me “M” të madhe, është organizatë ilegale me famë botërore, që sundon mbi vetëm një pjesë të Sicilisë: kërcënimet e saj janë të tmerrshme në Palermo, Partinico apo Agrigento, por injorohen në Messina, Catania dhe Syracuse Nuk është një shoqatë e organizuar në mënyrë strikte, me hierarki, statute të shkruara, seli qendrore, elitë sunduese dhe shef të padiskutueshëm. Mafia është një formacion spontan, si një koloni milingonash ose një mbledhje e lirshme dhe e rastësishme, ku çdo pjesëmarrës i bindet rregullave të tij entomologjike, secili grup i fuqishëm në zotërimin e tij të vogël, i pavarur, i nënshtruar ndaj vullnetit të udhëheqësit të vet, secili duke imponuar formën e ngurtë të drejtësisë primitive. Në raste të rralla emergjence, Mafia mobilizohet dhe bëhet një konfederatë e lirshme….

 

Mafia operon kryesisht në perëndim të Sicilisë, në zonat me prodhim të pasur bujqësor. Askush nuk e di sa mafiozë ka. Vetëm një pakicë e sicilianëve janë mafiozë, në kuptimin kriminal të fjalës. Shumë nuk e dinë sinqerisht nëse janë mafiozë apo jo. Sicilianët perëndimorë duhet, si rregull, të mbajnë marrëdhënie të mira me Mafian në fshatin e tyre të lindjes ose në lagjen e qytetit, ata duhet të mbrojnë familjen, punën, pronën ose biznesin e tyre dhe për të mos patur probleme. Mafia është për ta një fakt i jetës, një nga kushtet e përhershme të ekzistencës, si klima, me rreshje a diell. Shpesh është e pamundur të heqësh një vijë ndarëse mes mafiozit dhe jo mafiozit.

Gjithkush, sigurisht, e di (ndonëse këto gjëra kurrë nuk janë pranuar hapur) se problemet që Mafia mbron janë pothuajse gjithmonë probleme të krijuar e kontrolluar nga vetë Mafia. Dihet se tributet që një viktimë i paguan shefit lokal mafioz mund të krahasohet me haraçin e një feudali të fuqishëm. Por marrëdhënia midis Mafies dhe viktimave të saj nuk është e kufizuar vetëm në mbledhjen e parave, por vjen gjithmonë një ditë kur edhe Mafia ka nevojë për një favor në këmbim, dhe tjetri zbulon se ai nuk mund të refuzojë. Një biznesmen gjen se duhet të japë një vend pune për një ish-të dënuar, një bankier i jep një hua një klienti të rrezikshëm, një fermer strehon persona të panjohur për disa ditë pa bërë pyetje se kush janë, dhe njeriu i ndershëm mban mend diçka që nuk e njihte kurrë dhe harron diçka që ai pa, duke u bërë dëshmitar i rremë. Të gjithë këta njerëz gradualisht futen në rrjet, me shpresën për të shmangur probleme, që nuk mund t’i zgjidhnin dot vetë.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Mafia, The Italians

Refugjatët sirian kurban për mafien klandestine dhe trafikut të organeve

March 9, 2016 by dgreca

Nga Arben LLALLA/

Refugjatët sirian dhe irakian që janë të bllokuar prej disa kohësh në Greqi janë në pritje për të nisur rrugëtimin e tyre për vendet e BE nëpërmjet kufirit të bllokuar të Maqedonisë. Rruga e tyre drejtë Gjermanisë ka qenë prej disa vitesh nga Greqia në Maqedoni-Serbi-Kroaci-Austri, por ka kohë që Maqedonia ka mbyllur kufirin e saj. Janë hedhur ide që refugjatët e bllokuar në Greqi të hyjnë në territorin e Shqipërisë. Por çfarë i pret refugjatët në Shqipëri? Shqipëria është një vend kodrinor-malor ku policia shqiptare e ka të vështirë të kontrolloj kufirin dhe mafien e klandestine që është gati të filloj trafikimin e tyre drejtë Italisë. Prej vitesh jemi dëshmitarë që mafia e trafikut detar disa herë i ka hedhur në det klandestinët duke i lënë në mëshirën e fatit refugjatët e kombësive të ndryshme. Një problem tjetër është se ka mundësi që refugjatët të bien pre e mafies së trafikimit të organeve dhe shitjes së fëmijëve për tu adoptuar në familjet e pasura duke humbur përgjithmonë identitetin e tyre kombëtar. Ideja për ngritjen e kampeve në Shqipëri për të pranuar mijëra refugjat nuk është zgjidhje, por izolim i këtyre refugjatëve ku parashikohet që të qëndrojnë me vite në këto kampe si në burgu. Ku do të ushqehen me racione të kufizuara, nuk do kenë mundësi të kryejnë nevojat e tyre të përditshme, nuk do mund të dalin lirshëm jashtë territorit të kampit. Këto kushte do çojnë në një lodhje psiqike të shumë refugjatëve deri në vetëvrasje. Jemi dëshmitarë se gjëra të tilla kanë ndodhur ditëve të fundit në kufirin greko-maqedonas.

Pra çështja për të pranuar refugjatët sirian dhe irakian në Shqipëri nuk është aq e thjeshtë sepse kushtet ekonomike, pamundësia e policisë për të kontrollua kufirin me Greqinë i cili është malor-kodrinor bënë të pamundur rrugëtimin e sigurt të këtyre refugjatëve për në vendet e BE.

Prandaj do të ishte mirë që BE të marri vendime pozitive për të përfunduar me suksese rrugëtimi i refugjatëve dhe mos të japi ide për ti çuar në Shqipëri dhe më tej këta refugjatë të bien pre e mafies duke u bërë kurbane nëpër salla operacionesh të trafikut të organeve, të shitjes së fëmijëve apo ti hedhin në det ashtu siç ka ndodhur me qindra shqiptar e mijëra kinezë. Që të shmangim një tragjedi edhe më të dhimbshëm për këta njerëz duhet që tu lehtësojmë udhëtimin duke përdorur linjën hekurudhore nga Selaniku e deri në Austri. Kështu, kryejmë një akt human njerëzor. Pranimi për kalimin e refugjatëve nëpërmjet Shqipërisë për në vendet e BE është sa i dështuar edhe tragjik duke patur parasysh problemet që ngritëm më lart.

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, Mafia, REFUGJATET SIRIANE, trafiku

Shqiptarët ndërmjetës të italianëve dhe të huajve në trafikun e drogës

September 19, 2015 by dgreca

Nga raporti 296 faqesh i ekspertëve  të DIA-s i DIA-s/

Që shqiptarët prej vitesh zënë një rol të rëndësishëm në kriminalitetin në Itali, kjo është e vërtetuar në qindra raste, por Drejtoria Investigative Antimafia në Itali ka paraqitur në Parlament raportin e 6 mujorit të dytë të vitit 2014 lidhur me veprimtarinë e grupeve mafioze në territorin e Italisë, goditjen e tyre, por dhe lidhjet e tyre me grupe të tjera.

Në raportin prej 296 faqesh, ekspertët e DIA-s, i kanë kushtuar një hapësirë dhe grupeve kriminale të huaja që veprojnë në Itali, ku një ndër organizatat kriminale të huaja me depërtuese, siç cilësohet prej tyre, është ajo shqiptare, që dallohet për metodat veçanërisht të dhunshme; të  cilës i atribuohen aktivitetet kriminale të rrezikshmërisë më të madhe.
“Struktura e saj prezantohet me grupe në bazë familjare ose të të afërmve, brenda të cilave del figura e kapos dhe ku brenda saj aplikohen marrëdhënie jashtëzakonisht të forta, të rregulluara nga ligje të pashkruara. Grupet kriminale shqiptare, fillimisht të ndara dhe të shpërndara kryesisht në veri të vendit, janë bashkuar dhe tashmë veprojnë në të gjithë territorin, duke bashkëvepruar me organizatat kriminale lokale dhe në sinergji të plotë me eksponentët kriminal që ndodhen në vendin e origjinës”, thuhet në raport.
Më tej, thuhet se grupet shqiptare kanë arritur tashmë një nivel organizativ, të tillë në mënyrë që mund të zënë një pozicion kyç në skenën kriminale në vend, e favorizuar kjo dhe nga afërsia gjeografike me Italinë, shpeshherë e përdorur si hyrje e privilegjuar në Bashkimin Europian, si dhe nga bashkëpunimi i provuar me grupet e tjera kriminale.
“Për shkak të pozicionit të saj gjeografik, Pulja përfaqëson një stacion të detyruar për trafikun e paligjshëm që vjen nga Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit, kështu që marrëdhëniet me  organizatat kriminale puljeze janë të forta, duke i dhënë mundësi këtyre të fundit, që nëpërmjet organizatave kriminale shqiptare, të ketë akses të leverdishëm në çdo produkt të jashtëligjshme”, shkruhet në raportin e Drejtorisë Investigative Antimafia. Duke u ndaluar tek marrëdhëniet e organizatave kriminale shqiptare, veç grupeve kamorriste, kohët e fundit është vërejtur dhe një afrim me mafien tradicionale. “Është provuar gjithashtu ekzistenca e raporteve mes elementëve kriminal shqiptarë dhe eksponentëve të klanit “Casalese”, ashtu siç është konfirmuar dhe rëndësia e “Drejtorisë së Ballkanit”, si kanal furnizimi me lëndë narkotike për grupet e Camorra-s. Së fundi, janë intensifikuar edhe në terma kualitativ, raportet me mafien tradicionale. Ku gjatë një hetimi të mbyllur së fundmi, është provuar anëtarësia e një shqiptari në organizatën mafioze “Stidda”, në veçanti me klanin “Dominante-Carbonaro”, e cila vepron në provincën e Raguzës”, shprehen ekspertët italianë të antimafias. Duke u ndalur tek burimi kryesor i fitimeve, sipas DIA-s, padyshim që mbetet ai i lëndëve narkotike, pasi në raport evidentohet se grupet shqiptare janë të gatshme për të hyrë në shkëmbime ndërkombëtare, janë operativ në zona të ndryshme të botës dhe mundësia për të shfrytëzuar mbështetjen logjistike në territorin e origjinës, i ka mundësuar atyre që të fitojnë një rol kryesor në trafikun e drogës, aq sa të bëhen ndërmjetës të privilegjuar të bashkëpunimeve mes organizatave italiane dhe atyre të huaja. Në raportin e 6-mujorit të dytë të 2014, janë paraqitur dhe disa raste të arrestimit të shqiptarëve me sasi të mëdha lëndësh narkotike, apo raste të tjera ku ata janë përfshirë në krime të rënda, si vendosje eksplozivi apo shkëmbime zjarri.

Filed Under: Featured Tagged With: Mafia, mes te huajeve dhe italianeve, shqiptaret

MAFIA QE SHFRYTEZON FATKEQESINE E BANOREVEV TE LUFTES

September 4, 2015 by dgreca

PERSE EMIGRIMI DREJT EVROPES FILLOI TANI-KUR LUFTA NE SIRI KA TRE VJET QE KA FILLUAR?/
Nga Gëzim Llojdia/
1.Emigrimi drejt Evropës ka nxitur Gjermaninë të përgatisë kampet e pritjes.Ndërsa emigrantë mërijnë nga dy drejtime:Nga vendet e Mesdheut,kryesisht vendet e luftës dhe nga vendet e Ballkanit. Për të parët janë bërë gati dhe kanë hyrë në veprim kazanët e supës. Për të dytët shikohet mundësia e rikthimit nga vendet e origjinës.Madje ditët e fundit u panë foto tmerruese që tregojnë fëmijë emigrantë të vdekur në brigjet e Mesdheut. Mirëpo edhe pas këtyre pamje tmerruese shqyrtohet se dora e mafies së Mesdheut ,fshihet prapa këtij emigrimi.Pyteja ethjeshtë që bëhet nga milona njerzë është përse emigrimi i sirianëve filloi pasivisht këto ditët e fundit kur lufta në Siri ka tre vjet që ka filluar?
Por emigrimi drejt Evropës ka një shtysë. Assad në kërkim të mbajtjes së pushtetit pas tre vjetëve luftë dhe 300 mijë viktimave siriane, ka gjetur një zgjidhje për të vijuar qëndrimin e tij në pushtet. Emigrimin e sirianëve .Kështu sirianët tashëm për ti shpëtuar konfliktit nisen drejt Evropës,kryesisht Gjermanisë ndërsa Assad qëndron dhe kontrollon një shtet që ka degjeneruar totalisht të rrënuar nga luftya e gjatë civile,copëtuar prej ISS,me emigracion masiv me pasoja të tjera e cfardo gjëje tjetër. Nëse sirianet nisen drejt Gjermanisë,për ti shpëtuar luftës kanë një arsye të thellë. Pritën tre vje, që të ndërhynte ndokush nga bota. Pritën dhe shpresuan tre vjet,plot 1000 ditë ,por askush nuk shkoi në ndihmë të popullatës së pafajshme. Në kushtet kur shpresa, që vdes e fundit kishte muaj që ka humbur zgjodhën emigrimin për ti shpëtuar luftës. Mirëpo drejtimi i emigrimit të sirenave mbetet pak i çuditshëm.
a-Përse sirianët dhe të tjerë emigrantë të këtij rajoni ,emigrimin e shikojnë tej detit Mesdhe diku në Evropë dhe jo pranë fqinjëve të tyre të pasur e të dehur nga bollëku i parasë që buron nga nafta?
b-Kush i orienton emigrantët e Lindjes së mesme të këtij rajoni të pasur drejt Evropës,Flitet se ka organizata kriminale mafioze që përfitojnë mbi 800 mijë euro?
c-Përse vendet e këtij rajoni nuk organizojnë pritjen dhe mbajtjen e emigrantëve të luftës deri në përfundim të saj pranë kufinjëve t,ë tyre por i depërtojnë emigrantët në zemër të Evropës?
Mjafton të pyesësh në shumë shtete dhe fjala është se pranohet azil si u theksua edhe në samitin fundit të Vjenës , vetëm për emigrantët, që vijnë nga vendet e luftës,midis të cilave është edhe Siria.
d-Mirëpo lufta nuk është në Evropë,lufta nuk është fare në rajonin tonë .
Pa mohuar vlerat humanizmit dhe të tjera si këto ndihma që u duhen dhënë emigrantëve të pafajshëm me strehim e akomodim të shpejt, dua të shtrojë ca pyetje:
1-Përse Evropa nuk e bëri këtë me shqiptarët në vitin e mbrapsht ‘97,kujtoni vetëm Otranton. Sa vite u rropatën shqiptarët ndër ambasada që pasuruan këta të fundit dhe i kujtojnë shqiptarëve :rrini rehat se rivëmë sërish vizat.
Përse Evropa nuk mbanë banorët e saj të ardhshëm, që vuajnë për bukën e gojës,ndërsa vendet e pasura arabe kanë mbyllur dyert për emigrantët?
2-Sa kohë do të vazhdojë kjo gjendje. Po qe për Assad, ai kështu mund ta mbajë pushtetin jo më për 30 vjet dhe për 300 vjet po ti jepej kjo mundësi.Assad kështu është mësuar tirënët po nuk i rrëzove ,vet nuk ikin nga pushteti.
3-Përse Evropa dhe vendet tjera nuk ndërhyjnë me zgjidhje të problemit qoftë edhe me luftë për të larguar tiranët mes të cilëve Assad shkaktarë të kësaj gjendje,por ka gjetur rrugën e fundit,atë të strehimit të emigrantëve ?Dihet se në të gjithë këtë mori emigrantësh që mbrijnë në Evropë shumica janë sirianë dhe po vazhdoi kjo gjendje kështu i mbetet që 15 milion milion sirian të mërijnë në Evropë dhe një pakicë ta udhëheq Assad atje në Siri,i bie që 10 milion mysliman ti drejtohen për ndihmë Evropës së krishterë,ndërsa vëllezërit e tyre syni kanë mbyllur dyert e vijojnë ngritjen e gratacelave duke shpikur edhe ashensor 20 km. I bie që edhe vendet tjera të këtij rajoni të bëhen gati për emigrimin mos vallë pushkët,që u ngrehën edhe te fqinjët e afërm të Sirisë ka këtë arsye sepse Evropa ka bukë,strehim ,asistencë. Pritja dhe akomodimi i emigrantëve është fjala e fundit që duhet të kryej Evropa. Personazhet e këtij rebusi janë-një diktator që qeverisë veten,mafia që pasurohet dhe Evropa që bënë gati kazanët e supës. A shikoni ndonjë zgjidhje në këtë mes,përveç në vendnumëro.
4-C’kuptim ka që Evropa lë shtetasit e saj rrugëve dhe merr masa për emigrantët e huaj,përse rajoni i tyre një vend i pasur i mbytur nga luksi ,gratacelat,miliardat,makinat nuk afron mbështetje për emigrantët, që kanë tre vjet në luftë me regjimin e Assadit?
5-Çdo të ndodh me shtetasit e saj të ardhshëm apo më mirë me banorët e hershëm të kësaj toke e të këtij kontinenti do ti ngop vallë Merkel me dekorata,zyrtarët e BE me buzëqeshje,të tjerët me burokracira do ti lënë si i kanë lënë në pikë të hallit,20 vjet ua nxinë jetën sporteleve të ambasadave,tash me mashtrime projektesh në letër dhe me gurë në trastë. Ju do të thoni fajtore është qeveria. Qeveria ka fajin e saj ,po Evropa rri e vështron Ballkanin përtej hirit të saj ,ndërsa shtetarëve ballkanas u ngrënë murre, gardhe me tela karriq ,brenda Evropës,duke formuar kështu:”Mure berlinësh “në miniaturë.

Filed Under: Analiza Tagged With: fatkeqesia e luftes, Gezim Llojdia, Mafia

MAFIA NUK BËN DOT ZGJEDHJE – OSE MEDITIM PËR 23 QERSHORIN

February 27, 2013 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

I pyetur më 2001 nga një media e Tiranës se a mendoj që në Shqipëri atëherë mund të bëheshin zgjedhje të lira, të ndershme, demokratike, unë jam përgjigjur se mafia nuk mund të bëjë as zgjedhje të lira, as zgjedhje të ndershme, as zgjedhje demokratike, mafia nuk mund të bëjë fare zgjedhje, mafia mund të bëjë vetëm farsë zgjedhore, mafia mund të bëjë vetëm mashtrim zgjedhor.
Medet për të, klasa politike e Shqipërisë, pa folur për periudhën para 2001, nuk e ka përgënjeshtruar ndonjëherë as gjatë këtyre 12 viteve të mëvonshme përcaktimin e mësipërm, përkundrazi vetëm sa e ka përforcuar bindjen time dhe bindjen e gjithkujt tjetër që i shikon me sytë e realitetit zgjedhjet në Shqipëri dhe të gjitha dukuritë që burojnë nga ato zgjedhje.

Nga njohësit e saj, mafia përshkruhet si një sistem i mbivendosjes së më të fortëve ndaj më të dobtëve. Bosi më i fortë kryeson kupolën e klanit, klani më i fortë kryeson kupolën e mafias përkatëse rajonale, mafia më e fortë rajonale kryeson mafiat më të gjera në shkallë vendi apo në shkallë ndërkombëtare. Ligjin e bën më i forti dhe pasojat i vuan më i dobëti. Meritat i merr më i forti dhe fajet i merr më i dobëti. Kurorat i merr më i forti dhe gjembat i merr më i dobëti. Të gjitha përplasjet, të gjitha marrëveshjet, të gjitha grindjet, të gjitha pajtimet bëhen për hapësira në terren dhe për hapësira në fusha të veprimtarisë – si politikë, ekonomi, trafiqe, kontrabanda, korrupsion. Për mbarëvajtjen e punëve të saj, mafia ka ritualet, kodet, rregullat, instancat. Në dukje xhungla të karakterizuara nga kaosi, nga anarshia, në të vërtetë, nga brenda mafiat karakterizohen dhe shquhen nga organizimi i përkryer, nga disiplina e hekurt, nga profesionizmi i lartë. Prej këndej mafia edhe ka marrë emërtimin tjetër: krim i organizuar. Armiku kryesor i mafias është shteti ligjor, është ligji, prandaj ajo synon që ta bëjë të pamundur funksionimin e ligjit, ta shdërrojë shtetin në një realitet iluzor, ta shndërrojë ligjin në një realitet iluzor, t’i bëjë njerëzit që, në skenat me iluzionistë, të mos iu besojnë syve të tyre, por t’iu besojnë asaj që iu servirin iluzionistët me ekipet e tyre dhe me rekuizitat e tyre.

Në vend që ta forcojë, konsolidojë dhe përkryejë institucionin e zgjedhjeve, si institucionin e vetëm ku populli ushtron sovranitetin e tij drejtpërdrejt nëpërmjet votës së tij të lirë, klasa politike e Shqipërisë ka bërë gjithçka për ta dobësuar këtë institucion, për ta komprometuar, për ta manipuluar, për ta shpërfytyuar dhe çoroditur, nga një palë zgjedhje tek të tjerat. Kështu institucioni i zgjedhjeve në Shqipëri është shndërruar në arenën më të madhe e më të sofistikuar ku klasa politike ka ushtruar profesionin e saj të iluzionistes mafioze, i vetmi profesionizëm të cilin ajo e ka përfituar në këto vite të të ashtuquajturit pluralizëm politik.

Pikërisht më 2001, zgjedhjet në Shqipëri prodhonin një rezultat thellësisht të shtrembëruar, prodhonin edhe një dukuri monstër, siç ishte dukuria “Dushku”, ku nga një fshat i vetëm prodhoheshin 13 deputetë. Kjo realizohej falë ligjit zgjedhor mazhoritar me korrigjim proporcional, i cili favorizonte partinë kryesore, duke grabitur në mënyrë të përbindshme votat e partive të tjera. Ky ligj zgjedhor do t’i shndërrohej të njëjtës parti në bumerang katër vjet më vonë, më 2005, nëpërmjet dukurisë “SuperDushku”. Një tjetër truk iluzionist më 2009 do të prodhonte përsëri zgjedhje të diskutueshme.

Nga zgjedhjet qendrore tek ato lokale, deri edhe sot e kësaj dite, ka vazhduar dukuria e regjistrave të banorëve, dukuria e listave zgjedhore, dukuria e mbushjes masive të kutive, dukuria e hedhjes së fletëve të votimit nëpër kuti edhe nga ata që njëkohësisht ndodheshin në Alaskë, edhe nga ata që njëkohësisht ndodheshin në Australi apo në Zelandën e Re, dukuria e hedhjes së fletëve të votimit në kuti edhe nga ata që kishin ndërruar jetë prej dhjetëra vitesh tashmë, dukuria e votimit disa herë brenda të njëjtës ditë nëpër qendra të ndryshme votimi. Për të përmbysur realitetin e votës, klasa politike ka përdorur shërbimet shtetërore të informimit dhe të rendit, ka përdorur administratat shtetërore qendrore dhe lokale, ka përdorur hordhitë e militantëve, ka përdorur deri grupet kriminale më famëkeqe, ka përdorur autoritetin dhe ndikimin deri tek bosëve më të famshëm të krimit.

Shiblerja e drejtpërdrejtë apo e tërthortë e votave, nëpërmjet parave të thata në dorë, nëpërmjet punësimeve të familjarëve, nëpër dhënies së vizave për jashtë shtetit, nëpërmjet dhënies së favoreve apo premtimeve të favoreve, ka qenë dhe mbetet një nga dukuritë e shtrembërimit të realitetit të votës gjatë gjithë këtyre viteve. Tregu i shitblerjes bëhet më fitimprurësi duke përfshirë në vertikalen dhe horizontalen e tij komisionet dhe komisionerët nga instancat më të larta deri tek ato më të ulëtat.

Klima që i ka karakterizuar zgjedhjet deri sot ka qenë gjithnjë mbytëse për elektoratin, ka qenë frikësuese, e mbushur me shantazhe, me sulme, kundërsulme, sharje, me shtim galopant të krimit, sidomos të krimit makabër, ka qenë mediatizimi ekstrem i kësaj klime, kanë qenë tonet e larta, thirrjet mbi thirrje, britmat mbi britma, skenat ngjethëse në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, çjerrjet në konferencat e shtypit, shkëmbimet e sarkazmave mes zëdhënëseve të haremeve partiake dhe qeveritare, shpërndarja nëpërmjet ekranave të vegjë e duhmave të alkoolit, duhmave të parfumeve, shfryrjet e gogësimave nga gojët e hapura të politikanëve drejt e në fytyrën e publikut të tulatur e të nemitur.

Elektoratit në Shqipëria asnjëherë nuk i është mundësuar të dijë se për kë po voton, të dijë se kë ka sjellë në pushtet nëpërmjet daljes së tij tek kutia e votimit, nuk e di se çfarë lidhjesh kanë pasur me Sigurimin e Shtetit, me strukturat e spiunazhit brenda Partisë së Punës së Shqipërisë, çfarë lidhjesh kanë pasur me shërbimet e huaja antishqiptare, çfarë lidhjesh kanë pasur e kanë me botën e krimit të periudhës së tranzicionit drejtuesit e zgjedhur apo të emëruar gjatë këtij tranzicioni. Kundërshtimi i elektoratit shqiptar ndaj kësaj dikurie është bërë gjithnjë e më pasiv, duke parapëlqyer të rrijë në shtëpi, duke pranuar që të qeveriset jo nga më të mirët e më të mirëve, pora nga më të këqijtë e më të këqijve.

Në qoftë se në Shqipëri do të arrihet që votuesi të hedhë fletën e tij të votimit në mënyrë krejtësisht të pandërmjetësuar nga frika apo nga trysnia e kujtdo, në qoftë se kjo votë e tij do të numërohet, në qoftë se ajo do të shkojë në adresën e koalicionit apo partisë për të cilën ai ka votuar, në qoftë se të gjithë votuesit do t’iu binden vetëm urdhërave të ndërgjegjes së tyre, në qoftë se kjo bindje e çdo votuesi do të zbatohet pikë për pikë në rezultatin zgjedhor atëherë do të kemi realizuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike, atëherë do t’ia kemi siguruar Shqipërisë institucionin e zgjedhjeve, atëherë do të kemi siguruar institucione të dala nga vota e popullit, atëherë do të kemi institucione që mund të flasin në emër të sovranit, pra në emër të popullit.

Në qoftë se votuesi do të marrë zemër që të dalë masivisht në votime, të hedhë fletën e tij të votimit për të përzënë nga ekranet e vegjël të përditshëm e të përnatshëm të buhaviturit nga viagrat, të nxirët nga injeksionet apo tymosjet, të çakërqejfurit a të çakërdisurit nga pushteti i gjithanshëm, të krekosurit nga plotfuqia, të pëlciturit nga vetëkënaqësia, pra, në qoftë se votuesi do të gjejë guximin të çlirohet nga tranzicioni, atëherë do të kemi një rezultat të zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike, një shtet, një shoqëri të shanseve të reja, një shtet dhe shoqëri të shpranguar në vullnetin e tyre për t’i kundërshtuar mafiat.

Duke folur në emër të sovranit, shumicat e derisotme, në të vërtetë vetëm sa kanë keqpërdorur, nëpërkëmbur, shkelur dhe poshtëruar emrin e sovranit, nderin e sovranit, fytyrën e sovranit, dinjitetin e sovranit, vetëm sa kanë uzurpuar institucionin e sovranit, kanë bërë vetë sovranin, ndërsa sovranin e kanë dëndur me iluzionin e lirisë, demokracisë, fanarit evropian dhe perëndimor, sa për t’ia pasur zili gjithë bota. Në të vërtetë, mafias iluzioniste të Shqipërisë, sidomos për lehtësinë e pashembullt me të cilën ka realizuar qëllimet e saj, është për t’ia pasur zili edhe vetë i famshmi Copperfield, iluzionisti deri sot me suksesin më të madh komercial, me një rekord të paarritshëm Gines, me çmime të panumërta ndërkombëtare nga industria argëtuese.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Mafia, nuk mund te beje, Skender Bucpapaj, zgjedhje

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT