• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Heshtja nuk tregon urtësi në këtë rast

February 13, 2017 by dgreca

-Intelektualit të sotëm po “i  griset” dinjiteti dhe durimi, përmes kësaj indiference të stërzgjatur/

nga Majlinda BUSHJA/

2 Majlinda Bushja

Nuk ke për çfarë të flasësh më parë, në këto kohë të vështira. Shqetësim ka krijuar grabitja e bankave për të disatën herë, nga ana tjetër vetingu dhe përplasja Llalla –Lu kanë krijuar tensione të vazhdueshme në politikë, në parlament vazhdojnë si serial i radhës, zënkat, dhe disa ditë më vonë kemi protestën e 18 shkurtit të organizuar nga opozita. Ikën dhe 8 thasë me para, jo pak por, 3.2 milionë dollarë citojnë mediat. Të dhënat janë kontradiktore si gjithmonë në media, disa thonë ishin 7 thasë, të tjerat 10, e disa të tjera 8. Fakti që përforcohet gjthmonë e më shumë në këtë vend dhe rast, është kriza e sigurisë.

Në javën që lamë pas, të enjten në mbrëmje, emisioni “Opinion” në televizionin “Klan”, shtroi si temë diskutimi këtë problematik të përsëritur që është vërtetë shumë serioze, ku Fevziu i qau hallin policëve privat që marrin një rrogë prej 18 000 mijë lekësh në muaj, dhe mirë bëri. Ç’janë 180 mijë lekë në ditët e sotme, ku ritmi i jetës aq më tepër në kryeqytet është shumë larg kësaj rroge dhe çmimet krahasuar me vendet e tjera janë të larta. Por gazetari që punon prej disa vitesh në median e shkruar dhe elektronike nuk ja ka qarë ndonjëherë hallin kolegëve gazetarë që keqpaguhen, paguhen me vonesë, apo nuk paguhen fare, apo nuk i hyn gjemb në këmb, ndërkohë këmbët e kolegëve janë mbushur plot, e në rastin më të parë nxjerrin në shesh problematikën. Pothuajse rrallë herë është shtruar kjo temë për diskutim dhe më të guximshmit kanë guxuar të flasin.

Pasi, disa ditë më parë Deutsche Welle publikoi një artikull për gazetarët shqiptar që u pasqyrua edhe në mediat tona me titull: “ Gazetarët e Shqipërisë të pambrojtur”, ku trajtohej problemi i vonesave të pagave, kontratat individuale apo moskontratat fare, puna në të zezë dhe drobitjen e gazetarëve shqiptar në kushte pasigurie për punën dhe ekzistencën e tyre. Ndërkohë që gazetarët ngrenë zërin me forcë për të gjitha shqetësimet e qytetarëve duke vrapuar nga një skaj i vendit në tjetrin në çdo kohë, nuk kanë zë për të drejtat e tyre. Kur puna shkon aty, mbizotëron heshtje, por heshtja në këtë rast nuk është maturi, por nënshtrim. E kur çdo gazetar pajtohet me këtë nënshtrim, me frikën e humbjes së vendit të punës, ai ka pranuar të gjitha presionet e tjera që vijnë si rrjedhojë e së parës. Ndërkohë që flet gjithë ditën për të drejtën e vërtetën, ai, gazetari, fsheh të vërtetën e tij, dhe të drejtën e tij e ka lënë të fundit për nga radha. Mirëpo, askush nuk guxon të flasë e të mbrojë gazetarin, as ai vet, vetveten, e të kthejë faqen e historisë njëherë e përgjithmonë. Të paktët që guxojnë harrohen shpejtë dhe humbasin mes problematikave të përditshme.

Në këtë rast me të drejtë lind pyetja:  Pse duhet të flas Deutsche Welle  për gazetarët shqiptar të katandisur e të pambrojtur ku vet të zotët e punës vegjetojnë duke pranuar realitetin që nuk dihet për sa kohë do të jetë i tillë. E ku protestat s’ekzistojnë e as që merren me mend përveç një protestë të gazetarëve të televizionit A1News, një televizion në vitin e parë të tij. Askush nuk duhet të ketë frikë nga e drejta, nëse e meriton duhet ta gëzosh. Por nëse je gazetar këtu në Shqipëri ke frikë nga e drejta jote, kështu ka ndodhur këto 27 vite, të pas ’90-tës. Heshtja ka qenë e para dhe e drejta ka shkuar pas saj po në heshtje.

Nëse rikujtojmë, një raport të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, 3 maj 2015 , (Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Medias), shifrat janë tronditëse përsa i përket realitetit. Një realitet i maskuar që sa herë heq maskën të lë pa fjalë nga ku ndër të tjera në raport thuhet; “Në 23 gazeta të përditshme të vendit, vetëm në 4 prej tyre respektohet dhënia e pagave korrekte në kohë; në 72 televizionet e vendit, vetëm në 10 prej tyre nuk ka vonesa të pagave dhe detyrimeve financiare të punonjësve, nga 71 radiot, vetëm në 8 paguhen rrogat në mënyrë korrekte dhe nga 250 webe dhe gazeta online të çelura pas periudhës 2014 e gjer më sot, në të cilat rezulton të jenë punësuar 320 gazetarë, vetëm në 50 prej tyre rezulton një sistem modest pagash. Pra, në 85 % të mediave të vendit gazetarët ose nuk janë paguar në kohë, ose nuk janë paguar fare”. Pavarsisht se, ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë që atëherë gjerat nuk kanë ndryshuar. Shkrimi i Deutsche Welle  përforcon edhe njëherë faktin se gjerat nuk kanë ndryshuar. Këto të dhëna nuk përbëjnë lajm për qarqet gazetareske pasi dihen prej kohësh, por askush nuk merr guximin për të ndryshuar gjendjen ku puna të fuksionojë në bazë të rregullave dhe të çmohet me seriozitetin e shpërblimit të merituar. Nëse tregu mediatik është në krizë, nisur nga situata që flet vet sot, atëherë pse nuk duhet ta pranojmë, ku gazetari i paguar keq, apo i papaguar është më gjyhnaqarë se ata policët që janë paguar keq dhe janë të pamotivuar për ta bërë punën mirë. Pasi nuk rrinë bashkë arti i të shkruarit, me këpucët e grisura, por këto të fundit mund të shërbejnë për art. Madje janë tregues që intelektualit të sotëm po “i  griset” dinjiteti dhe durimi, përmes kësaj indiference të stërzgjatur.

Filed Under: Analiza Tagged With: Heshtja, indiferenca, intelektualet, Majlinda Bushja

“Zemërgjërsia” paraelktorale e Qeverisë për pensionistët

November 30, 2016 by dgreca

nga Majlinda BUSHJA/
1-majlinda-bushjaKoha për t’i shpërblyer si duhet/

Tri përqind pritet rritja e pensioneve për vitin 2017, për pensionistët në fshat dhe qytet. Pranvera e vitit që vjen do t’i gjej pensionistët me pensione më të larta, dhe kjo është gjë e mirë për këtë shtresë të harruar, të lënë mënjanë e të vetmuar, dhe të braktisur në kohën e sotme. Na pëlqen apo jo ta pranojmë, kjo është e vërteta.

Por, kjo “zemërgjerësi” e qeverisë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017 nuk përmirëson realisht gjendjen ekonomike të pensionistëve, pasi këto dy vitet e fundit rritja e pensioneve nuk e ka kaluar masën 2 përqind. Një rritje e papërfillshme që nuk është se ka ndryshuar gjë deri më tani, (por që në vetvete tregon shumë). Madje, qeveria në mars të vitit që vjen pritet të rris edhe pagat e mjekëve dhe infermierëve  me 10 %, nga ku përfitojnë 4 650 mjek dhe 13 765 infermier, por edhe pagat e mësuesëve dhe të pedagogëve në masën 10%, ku përfitojnë rreth 34 630 mijë persona, madje ajo nuk ngurron të jetë zemërgjerë edhe me punonjësit e policisë ku pagat e nivelit bazë do të shkojnë nga 57 100 lekë në rreth 69 000 mijë lekë, ose do të rriten me 17% për 11 mijë punonjës të Policisë së Shtetit, dhe si për çudi në mars të vitit 2017, tre muaj para zgjedhjeve parlamentare. Por nuk është aq zemër gjerë me pensionistët, ku masa 3% nuk është se ngroh mirë portofolin e tyre.

Pavarsisht zhurmës mediatike që bën qeveria kur rrit pensionet, përqindja që vendos është e papërfillshme ose thënë shkurt, shumë zhurmë për asgjë. Kështu ndodhi edhe në korrik të këtij viti ku pensionet u rritën në masën 1.6%, thënë ndryshe, 130 lekë për pensionistët në fshat dhe 230 lekë për pensionistët në qytet. Një rritje e papërfillshme për rreth 635  000 pensionistë ku çmimet nuk janë rritur në të njëjtat nivele. Madje disa muaj më parë u fol në media dhe vazhdon të flitet se do të rriten pensionet e viteve 93’-96’ për disa kategoti të caktuara, si punonjësit e industrisë metarlugjike, saldatorët, industrisë së naftës, tekstileve, tezgjahistëve etj, por askush nuk është kujtuar për pensionistët në fshat që kanë dalë në pension në këtë periudhë, të cilët edhe këta kanë punuar në kushte të vështira ditën dhe natën dhe sot kanë një pension minimal, thënë shqip qesharak. Një pension që nuk i kalon 100 mijë lekë të vjetra në muaj, ose rreth 70 euro. Të ndërshkuar në atë kohë, por jo më pak tani, sepse ndërshkimi ekonomik është skllavëria e kohëve moderne. Të privon nga liria e vërtetë, por ta lë atë në parim.

Jam e bindur që sot pensionistët, veçandërisht në fshat konsideron një nga shtresat më të nëpërkëmbura për shkak të kushteve ekonomike në të cilat ndodhen, pavarsisht se është folur për të barazuar pensionin e fshatit me të qytetit asgjë nuk është bërë konkretisht. Nuk e ekzagjeroj po të them se gëzimi i vetëm i tyre është të mbushin barkun, e të mbyllin muajin pa lista borxhesh nëpër dyqane, pasi me pensionin që marrin ju duhet të paguajnë faturën e dritave, të ujit, të telefonit, ilaçet, veshjet, të jenë prezent në gëzime dhe hidhërime, etj, ndërkohë që për pushime as që mendohet. Dhe të bësh një llogari të thjeshtë me laps e letër, nuk është se mbet gjë sendi për konsum. Por këtë askush se vë re, pasi luksi i qeveritarve tanë, por jo vetëm, nuk i  lë kohë të reflektojnë, udhëtime të shpeshta jashtë vendit, qendrim nëpër hotele luksoze, dreka- darka  në restorantet nga më të shtrenjta, pushime përrallore. Madje Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit znj. Shtylla bën me dije duke informuar Byronë e Kuvendit se për vitin 2016 (periudha janar-tetor) janë kryer 362 udhëtime jashtë vendit, nga të cilat vetëm 70 me makinë, dhe për pjesën e mbetur të vitit  fondi që do të shpenzojë Kuvendi është 3 600 000 milionë lekë për udhëtime ndërkombëtare të deputetëve. Pra, koha dhe koka është shumë e zënë me axhendën e ngjeshur të përditshme, që lë vend pak për t’u marrë me pjesën më të diskriminuar ekonomikisht në shoqëri, siç është mosha e tretë.

Ndërkohë, nga ana tjetër pensionistëve ju duhet të jenë korrekt me faturat dhe detyrimet e tjera të përmuajshme, ju duhet të punojnë të sforcuar dhe të sëmurë për të siguruar asgjë më shumë se mbijetesën. Rastet nuk janë të paktë, por në të njëjtën kohë janë dëshmi e asaj që pensionistët po përjetojnë kudo ndodhen, veçandërisht në fshat. Ndërkohë, politikanët të të dyja kaheve gjuajnë njëri-tjetrin me llumin e fjalëve në rastin më të parë, në vend që të ulen të shtrojnë probleme për diskutim e të japin zgjidhje konkrete, të prekshme dhe efikase, për gjithçka ata kanë marrë përsipër, dhe që është emergjente.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: e qeverise, Majlinda Bushja, pensionistet, zemergjersia elektorale

Aftësia për të krijuar mundësi

June 20, 2016 by dgreca

Opinion nga  Majlinda BUSHJA/

 Aftësia e njeriut është vlerë, veçandërisht kur di ta shpërfaq në kushte të pa barabarta, duke krijuar vet mundësi. Të kesh mundësi do të thotë të zotërosh mjete për të arritur synimet. Por, mjete krijon edhe ai që di se si dilet nga gjendja ku ndodhet, për të kaluar në gjendjen tjetër në mënyrë të pranueshme. Mënyra e pranueshme është çelësi që pranon ndryshimin e pritshëm për tjetërsimin e gjendjes. Shumë nga ne rreken për t’i krijuar vetes mundësi, por ndonjëherë mënyra e zgjedhur është e pa pranueshme dhe refuzohet nga një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë. Ndaj t’i krijosh vetes mundësi duhet të fillosh së pari nga përzgjedhja e mjeteve të pranueshme të shoqërisë. Nëse nuk je në gjendje të bësh këtë gjë do t’i pakësosh vetes mundësitë e përparimit. Mjeti kryesor i mundësisë është aftësia për të ndryshuar. Por jo kushdo i aftë del në krye, sepse nëse aftësia për të ndryshuar është e para, ajo nuk është e vetmja, është thjeshtë fillimi i një rruge drejtë synimeve. Aftësia të jep  mundësinë e hapjes së shumë dyerve, por aftësia për t’i rezistuar presioneve të lë në fushën e synimeve.

Në çdo kohë presioni i shoqërisë është i lartë, për vet kushtet në të cilën zhvillohen ngjarjet dhe dinamikat e tyre. Çdo individ është në qendër me synimet e tij, i rrethuar nga shoqëria me synimet e saj të përbashkëta që e kufizon lirinë e individit dhe veprimet e tij. Pasi egoja e tij është përmbi logjikën dhe si e tillë nuk e njeh këtë të fundit. Prandaj shoqëria i tregon individit mjetet e pranueshme të cilat duhet të vendos në funksion të synimeve. Pasi për të përparuar je mes dy alternativave të kundërta, ke mundësi, ose nuk ke mundësi në arritjen e synimeve të vet përcaktuara.

Në të shumtën e rasteve hasemi në pamundësi për të arritur synimet, veçandërisht kur synimet tona janë shumë të larta. Aftësia për të krijur mundësi që ndryshon gjendjen është mjeti kryesor, por ajo pasohet nga aftësia për ta ruajtur dhe zhvilluar më tej. Problemi nuk është vetëm tek ndryshimi i gjendjes pozitivisht, por të bëhesh dhe i pranueshëm nga të tjerë, pasi të qenit i pranueshëm në këtë formë, nënkupton arritje. Çka jep shanse për t’u zhvilluar më tej në të tjera përmasa, të shfaqesh vetveten por të jesh dhe i vlefshëm njëkohësisht.

Të jesh i vlefshëm vetëm për vete nuk është arrittje, sepse njeriu nuk i përket vetëm vetes së vet. Mendoj se çdokush prej nesh në shoqëri lufton çdo ditë për të qenë i vlefshëm, pavarsisht se disa mënyra janë të pa pranueshme dhe refuzohen si mundësi ndryshimi. Pra, të jesh i vlefshëm brenda mundësive të pranueshme kjo konsiderohet arritje. Në të kundërt çdo arritje do të konsiderohej e padenjë e do të vihej në shënjestër të vazhdueshme nga ata që na rrethojnë. Si e tillë do të eklipsohej dhe do të ngushtonte zgjerimin e mundësive të tjera drejt synimeve që janë të vazhdueshme për gjatë gjithë kohës. Hyrja në një terren të tillë nuk është aspak i dëshiruar, ndaj përpjekjet tona duhet të jenë në krijimin e mundësive të pranueshme.

Por të krijosh mundësi përmes aftësisë për të ndryshuar, është më e vlefshme se të kesh mundësi për të shfaqur aftësitë. (Është si të marrësh diçka të gatshme dhe ta përdorësh mirë, dhe si të përgatitësh vet atë dhe ta përdorësh me të njëjtin nivel). Nisja në pikën zero është sfida e vërtetë,  por diversiteti i mundësive është i pashmangshëm dhe i gjithkohshëm. Pra, diversiteti mbizotëron në shoqëri, ashtu sikundër mundësitë diverse që secilit prej nesh i përgjigjen në mënyra të ndryshme. Të krijosh mundësi për disa prej nesh është primare, por jo të gjithë gëzojnë atësinë për të përshkuar rrugën drejt synimeve. Disa stepen dhe pajtohen me çka ju ofrohet duke bërë përpjekje të vogla, ndërsa të tjerët udhëhiqen nga vendosmëria duke marrë në konsideratë vështirësitë që të çojnë drejt synimeve. Njohin potencialet që zotërojnë  duke i përdorur me mjeshtëri dhe zgjuarsi drejt synimeve të veta. Në të gjithë këtë luftë kryesorja është përpjekja për të krijuar mundësi të pranueshme, të cilat shërbejnë si pikë kthese për të ndryshuar gjendjen e për të shpërfaqur vlerat që të çojnë në finalen e dëshiruar. Potenciali kërkon hapsirën e duhur për t’u vënë në dukje, për këtë duhet të dish t’ia nisësh, të zotërosh aftësinë për të ndryshuar. Shumëkush nga ne ka humbur vlerat e veta pasi nuk ka pasur aftësi për të krijuar mundësi. Nuk ka qenë në gjendje të shkojë në pikën e nisjes  dhe nuk është përballur me sfidat.  Ka qenë i vetëdijshëm për peripecitë që kërkon arritja e synimeve dhe është ndalur aty, duke përqafuar synime të kapshme lehtësisht. Ka shmangur përballjen me pengesa të forta që kërkojnë elasticitet në të vepruar. Ka pranuar një përballje të lehtë të shmangur nga barra e tyre që qendrojnë në krye. Ka zgjedhur të mos vendoset në radhët e para për nga rëndësia, për shkak të paaftësisë për të krijuar mundësi të pranueshme, që nuk e zotëron çdokush, dhe si e tillë kthehet në privilegjin e atyre që sfidojnë vështirësitë.

Kështu, aftësia për të krijuar mundësi të pranueshme, është vlera që i bashkëngjitet vlerës intelektuale duke i krijuar hapsirë kësaj të fundit, të shfaq dimensionet e saj me përmasa reale. Është sfida e zhvillimit që noton gjithmonë në “ujëra të turbullta” për të kaluar në anën tjetër. Është prova e mendjes që hyn thellë në analizën e vështirësive, për të gjetur rrugëzgjidhje më të thjeshta. Është ecja drejt synimeve, por përmes formës së drejt të gjithpranuar nga shoqëria.

Filed Under: Opinion Tagged With: Aftësia për të krijuar mundësi, Majlinda Bushja

Kur prona vendoset në krye*

June 9, 2016 by dgreca

Opinion nga Majlinda BUSHJA/*

Interesi të tjetërson, por gjithsesi është në dorën tonë për të mos e vendosur në radhën  e parë për nga rëndësia, sepse vitet e fundit është vënë re një rritje e numrit të konflikteve brenda familjes për çështje pronësie. Puna ka arritur deri aty sa djali nuk njeh më prindërit e vet, babanë, e nënën, por edhe vëllanë e motrën, e konflikti pastaj është përhapur në çdo degë të fisit, që nuk njohin më damarët e gjakut të tyre kur në mes është prona. Daja i merr pronën mbesës, xhaxhai, nipit, nipi, xhaxhait, kushërinjë njëri-tjetrit, etj duke e çuar konfliktin në hasmëri, e disa vjeçar. Tipik është rasti i zonjës Dilo ( këngëtare e njohur), që po lufton kundër tre burrave për të drejtën e saj, për pronën që pretendon se po ja rrëmbejnë. E një prej tyre është dajua i saj, një njeri i afërt i familjes që duhet ta mbrojë mbesën e vet. Mirëpo, situata flet ndryshe dhe konflikti është ende i hapur, dhe kushedi sa do të zgjasë. Por ky konflik për çështje pronësie është një nga mijëra raste që hasim në të gjithë Shqipërinë. Shumë kemi dëgjuar, po dëgjojmë, e do të dëgjojmë në të ardhmen, meqenëse është një nga çështjet më të mprehta të pazgjidhura, e që hap shumë debat. Prona që i mbivendendosen pronarë, e pronari i vërtetë e ka të vështirë të gëzojë pronën e tij i qetë, pa u rropatur gjyqeve për të gjetur të drejtën e tij për vite me radhë. Dhe në se përfshijmë këtu mosmarrveshjet mes fiseve të ndryshme për këtë çështje situata bëhet më e rëndë dhe e komplikuar.

Media qoftë e shkruar, apo elektronike ka ngritur këtë shqetësim herë pas here përmes artikujve dhe rubrikave të fokusuara në konfliktet e pronësisë. Kronika që paraqesin realitetin e hidhur në familjet shqiptare, konflikte të mprehta që ndonjëherë përfundojnë me humbje jete apo cënim të saj. Nuk janë të pazakontë tituj të tillë si, “ Çmenduri ala shqiptare, konflikti për pronat, 35 vjeçari godet me thikë të ëmën e moshuar”( Javanews 20.04.2016), “Konflikti për tokën, ekzekutohet me kallashnikov babai i tre fëmijëve, 50 vjeçari u qellua nga kushëriri i tij ish-polic”(Gazeta Shqiptare 03.04.2016), Babai i tre fëmijëve masakrohet me thikë nga djali i xhaxhait, dyshohet për motive pronësie”(Ballkan Ëeb 17. 09. 2015), “Konflikti për pronën, kushëriri qellon mbi 2 vëllezër, njëri i vrarë, tjetri i plagosur” (Mapo 23.03.2016), sepse konfliktet për çështjen e pronësisë janë të vazhdueshme dhe nuk po ndalen. Ndaj, për to duhet gjendur një zgjidhje që prona të shkojë te i zoti dhe çdokush të marr atë që i takon dhe e meriton.

Kush ndjek çdo të diel pasdite rubrikën “Shihemi në gjyq” te “e Diela Shqiptare” në televizionin “Klan”, dallon qartë se si prona ka sjell konflikte të mprehta dhe përçarje brenda gjirit të familjeve shqiptare. Tashmë flitet hapur dhe me gjuhë të ashpër, pa ndrojë “e cip”, ku egoizmi arrin kulmin, dhe ndjenja e dashurisë dhe respekti fshihen si me dorë, pasi etja për pasuri e prona nuk njeh kufi, e as arsye për të kuptuar se kush është më e rëndësishme. Prona apo familja, prindërit, motrat, vëllezrit dhe njerëzit e tjerë të gjakut. Sepse, prona sot ka dal mbi gjithçka dhe dashuria për familjen dhe njerëzit e gjakut është harruar prej makutërisë për prona e pasuri. Të plagosësh nënën për pronën, siç u përmend në titujt e mësipërm, apo qoftë dhe ta lëndosh atë për këtë motiv, duke e lënduar në sytë e të gjithëve siç ndodhi tek “Shihemi në gjyq” të datës 10 janar të këtij viti, (ku së ëmës i bien të fikët pasi i biri i mohon sakrificat), do të thotë se prona  ka kaluar kufijtë e vlerës së saj. E paimagjinushme situata që po përjetojmë në familjet shqiptare, apo thënë ndryshe, “thika ka shkuar në eshtër për këtë çështje”.

Në një kronik televizive të  “Zërit të Amerikës” të datës 14 shtator 2013 thuhet se, “ Në Shqipëri po rritet me shpejtësi numri i konflikteve për problemet që lidhen me pronësinë. Përfaqësues të Fondacionit “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrveshjeve” pohojnë se rreth 80% e konflikteve kanë zanafillën e tyre problemet ende të pa zgjidhura me pronësinë” Një përqindje e tillë është shqetësuese dhe kërkon një punë kurajoze nga institucionet përgjegjëse për sheshimin e tyre një orë e më parë. Për daljen nga gjendja, për mos të pasur mbivendosje të pronave të pronarëve që degjenerojnë më pas me konflikte të hapura disa vjeçare. Konflikte brenda në familjeve, apo mes familjeve të ndryshme që i detyrojnë të rropaten dyerve të gjykatave, që tek e fundit ka një kosto financiare dhe një afat kohor që zgjat në zgjidhjen e çështjes. Mungesa e mirëkuptimit  brenda anëtarëve të gjirit të familjes çon në këto situata aspak të këndshme dhe përçarëse që ndajnë pjestarët e familjes, pse jo përgjithmonë. Në kërkim të së drejtës në formë të padrejtë, përmes dhunës psikologjike, apo fizike deri në humbje jete, apo cënim. Disa ditë më parë më konkretisht, në 30 maj të këtij viti në Klos, djali godet me mjete të forta dhe plagos babanë, për çështje pronësie. Puna arrin deri aty sa babai përfundon në spitalin e traumës në Tiranë. Kaq rëndë përfundojnë konfliktet brenda familjeve shqiptare për këtë çështje. Por puna nuk duhet të shkojë më deri aty. Situatës së krijuar duhet gjendur zgjidhja një orë e më parë nga organet përgjegjëse, për të shuar  konfliktet brenda familjeve shqiptare dhe gjithkush të gëzojë atë që i takon.

*****

* Redaksia e Diellit e mirepret gazetaren Majlinda Bushaj per t’u bere pjese e kontribuesve nga Shqiperia. E falenderojme qe me kete opinion qe na dergoi sot ajo po kontribuon ne Gazeten me te vjeter te Botes Shqiptare, qe publikohet ne SHBA prej 107 vitesh. Problemi që trajton në shkrimin e saj është nga më shqetësuesit , ku ish udheheqesi i fundit komunist, Ramiz Alia, na la pas sherrin e diktatures me receten: toka dhurohet sipas frymeve!. Pa zgjidhjen e problemit të pronës nuk ka për të zënë vend shteti shqiptar i hibridizuar mes trashegimise komuniste dhe demokracisë në tranzicion.

Lexues të Diellit: Lexojeni shkrimi dhe shfaqni opinionin tuaj me shkrim.

Filed Under: Opinion Tagged With: Kur prona, Majlinda Bushja, vendoset në krye

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT