nga Majlinda BUSHJA/
Koha për t’i shpërblyer si duhet/
Tri përqind pritet rritja e pensioneve për vitin 2017, për pensionistët në fshat dhe qytet. Pranvera e vitit që vjen do t’i gjej pensionistët me pensione më të larta, dhe kjo është gjë e mirë për këtë shtresë të harruar, të lënë mënjanë e të vetmuar, dhe të braktisur në kohën e sotme. Na pëlqen apo jo ta pranojmë, kjo është e vërteta.
Por, kjo “zemërgjerësi” e qeverisë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017 nuk përmirëson realisht gjendjen ekonomike të pensionistëve, pasi këto dy vitet e fundit rritja e pensioneve nuk e ka kaluar masën 2 përqind. Një rritje e papërfillshme që nuk është se ka ndryshuar gjë deri më tani, (por që në vetvete tregon shumë). Madje, qeveria në mars të vitit që vjen pritet të rris edhe pagat e mjekëve dhe infermierëve me 10 %, nga ku përfitojnë 4 650 mjek dhe 13 765 infermier, por edhe pagat e mësuesëve dhe të pedagogëve në masën 10%, ku përfitojnë rreth 34 630 mijë persona, madje ajo nuk ngurron të jetë zemërgjerë edhe me punonjësit e policisë ku pagat e nivelit bazë do të shkojnë nga 57 100 lekë në rreth 69 000 mijë lekë, ose do të rriten me 17% për 11 mijë punonjës të Policisë së Shtetit, dhe si për çudi në mars të vitit 2017, tre muaj para zgjedhjeve parlamentare. Por nuk është aq zemër gjerë me pensionistët, ku masa 3% nuk është se ngroh mirë portofolin e tyre.
Pavarsisht zhurmës mediatike që bën qeveria kur rrit pensionet, përqindja që vendos është e papërfillshme ose thënë shkurt, shumë zhurmë për asgjë. Kështu ndodhi edhe në korrik të këtij viti ku pensionet u rritën në masën 1.6%, thënë ndryshe, 130 lekë për pensionistët në fshat dhe 230 lekë për pensionistët në qytet. Një rritje e papërfillshme për rreth 635 000 pensionistë ku çmimet nuk janë rritur në të njëjtat nivele. Madje disa muaj më parë u fol në media dhe vazhdon të flitet se do të rriten pensionet e viteve 93’-96’ për disa kategoti të caktuara, si punonjësit e industrisë metarlugjike, saldatorët, industrisë së naftës, tekstileve, tezgjahistëve etj, por askush nuk është kujtuar për pensionistët në fshat që kanë dalë në pension në këtë periudhë, të cilët edhe këta kanë punuar në kushte të vështira ditën dhe natën dhe sot kanë një pension minimal, thënë shqip qesharak. Një pension që nuk i kalon 100 mijë lekë të vjetra në muaj, ose rreth 70 euro. Të ndërshkuar në atë kohë, por jo më pak tani, sepse ndërshkimi ekonomik është skllavëria e kohëve moderne. Të privon nga liria e vërtetë, por ta lë atë në parim.
Jam e bindur që sot pensionistët, veçandërisht në fshat konsideron një nga shtresat më të nëpërkëmbura për shkak të kushteve ekonomike në të cilat ndodhen, pavarsisht se është folur për të barazuar pensionin e fshatit me të qytetit asgjë nuk është bërë konkretisht. Nuk e ekzagjeroj po të them se gëzimi i vetëm i tyre është të mbushin barkun, e të mbyllin muajin pa lista borxhesh nëpër dyqane, pasi me pensionin që marrin ju duhet të paguajnë faturën e dritave, të ujit, të telefonit, ilaçet, veshjet, të jenë prezent në gëzime dhe hidhërime, etj, ndërkohë që për pushime as që mendohet. Dhe të bësh një llogari të thjeshtë me laps e letër, nuk është se mbet gjë sendi për konsum. Por këtë askush se vë re, pasi luksi i qeveritarve tanë, por jo vetëm, nuk i lë kohë të reflektojnë, udhëtime të shpeshta jashtë vendit, qendrim nëpër hotele luksoze, dreka- darka në restorantet nga më të shtrenjta, pushime përrallore. Madje Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit znj. Shtylla bën me dije duke informuar Byronë e Kuvendit se për vitin 2016 (periudha janar-tetor) janë kryer 362 udhëtime jashtë vendit, nga të cilat vetëm 70 me makinë, dhe për pjesën e mbetur të vitit fondi që do të shpenzojë Kuvendi është 3 600 000 milionë lekë për udhëtime ndërkombëtare të deputetëve. Pra, koha dhe koka është shumë e zënë me axhendën e ngjeshur të përditshme, që lë vend pak për t’u marrë me pjesën më të diskriminuar ekonomikisht në shoqëri, siç është mosha e tretë.
Ndërkohë, nga ana tjetër pensionistëve ju duhet të jenë korrekt me faturat dhe detyrimet e tjera të përmuajshme, ju duhet të punojnë të sforcuar dhe të sëmurë për të siguruar asgjë më shumë se mbijetesën. Rastet nuk janë të paktë, por në të njëjtën kohë janë dëshmi e asaj që pensionistët po përjetojnë kudo ndodhen, veçandërisht në fshat. Ndërkohë, politikanët të të dyja kaheve gjuajnë njëri-tjetrin me llumin e fjalëve në rastin më të parë, në vend që të ulen të shtrojnë probleme për diskutim e të japin zgjidhje konkrete, të prekshme dhe efikase, për gjithçka ata kanë marrë përsipër, dhe që është emergjente.