Nga Makensen Bungo/
Në sofrën e madhe të shkrimtarëve shqiptarë të kohës së Pavarësisë Etëhem Haxhiademi zë një vend të nderuar si dramaturg .
Në grupin e atdhetarëve shqiptarë, ai përmendet për ndjenjat e tij të pastra si republikan, për qëndrimin konseguent në luftën për çlirimin e Atdheut dhe për qëndrimin burrëror në burgjet e Diktaturës komuniste. Midis njerëzve, ai është dalluar për shpirtin e tij të pastër dhe zemren e tij të madhe .
Ne të rinjtë elbasanas, që porsa kishim nisur atëherë rrugën e vështirë, por të bukur të letërsisë, Etëhem Haxhiademin e nderonim dhe e respektonim, veprat e tij i lexonim me ëndje dhe, si bashkëqytetarë, krenoheshim me atë .
Me poetin dramaturg Etëhem Haxhiademi së pari jam takuar në një vizitë që i kam bërë tok me të nipin, në shtëpinë e tij, në fillim të vitit 1946. Më bëri përshtypje pritja e tij e ngrohtë, biseda e lirë që bëri, dashuria dhe interesimi që tregoi për ne dhe udhëzimet që na dha. Dy ishin këshillat e tij: të lexonim sa më shumë dhe të mësonim pa tjetër mirë një gjuhë të huaj. Duhet të shtoj se gjatë bisedës që bëmë, ai na tha se kur ishte student në Austri kishte shkruar nj roman erotik me titull “Tyrbja e Gocës”, dorëshkrimi i të cilit i kishte humbur gjatë udhëtimit, kur ishte kthyer në Atdhe. E shënoj këtë detaj, sepse deri tani autorët që janë marrë me këtë shkrimtar nuk e kanë përmendur këtë vepër .
Dihet se Etëhem Haxhiademi gjatë diktaturës komuniste ndejti në burg rreth njëzet vjet.. Ai u arrestua në vitin 1947, në mes të natës, në shtëpinë e tij, kur ishte duke korrigjuar hartimet e nxënësve, se atëherë ishte emëruar mësues i letërsisë në Shkollën Normale të Elbasanit. Nga shtëpia e nisën drejt në Tiranë, ku e mbajtën në hetuesinë e atjeshme muaj të tërë mes torturash të tmerrshme. E akuzuan se kishte riorganizuar organizatën “ Balli Kombëtar”. Prej kndej e kthyen prap në Elbasan për ta gjykuar. Kur kryetari i gjyqit ushtarak shqiptoi dënimin e tij me vdekje (si më ka thënë Abdulla Mema, që u dënua në një seancë gjyqësore tok me atë), Etëhem Haxhiademi me plot gojën thirri: “ Rroftë Shqipëria !”
Të dënuarit me vdekje, i mbanin me duar të lidhura me pranga, derisa vinte miratimi nga Gjykata e Lartë dhe nuk i torturonin më. Me Etëhem Haxhiademin ndodhi e kundërta. Edhe pse u dënua me vdekje, atë e torturonin vazhdimisht egërsisht, pothuajse çdo natë. Aq shumë e torturuan sa që u dobësua mjaft, sa kur e lejonin të shkonte në banjë, nuk kishte më fuqi të ecte vetë, por mbahej nëpër muret e koridorit dhe, së fundi, kur u dobësua fare, filloi të tërhiqej zvarrë.
Nuk e pushkatuan falë ndërhyrjes pranë Diktatorit të prof. Aleksander Xhuvanit dhe të prof. Kostaq Cipos .
Në këtë gjendje të rëndë shëndetësore e dërguan nga birucat e hetuesisë në Burgun e Armiqve të Popullit të Elbasanit, ku e mbajtën afër dy muaj me duar të lidhura me pranga hekuri , ditë e natë, pa ia hekur për asnjë çast. Faljen e jetës ia njoftuan shumë vonë .
Mbas një kohe të gjatë që e mbajtën në burgun e Elbasanit, e dërguan në Kalanë e Gjirokastrës dhe pastaj në burgun e Burrelit, ku vdiq me 18 mars 1965, gjashtë muaj prara se të mbushte dënimin. Të afërmit e tij dyshojnë se vdekja e tij nuk ka qenë natyrale. Per diktaturën, ky njeri nuk duhej të dilte i gjallë nga burgu.
* * *
Në vitin 1991, fillova të mbledh material për të shkruar një monografi për Etëhem Haxhiademin. Kisha lexuar veprat e tij, kisha mësuar mbi veprimtarinë e tij atdhetare, kisha jetuar me të për një kohë të gjatë në birucat e hetuesisë dhe në Burgun e Armiqve të Popullit në Elbasan dhe, mbi të gjitha, kisha një amanet që më kishte lënë ky poet i madh dramatik në çastet më kritike të jetës së tij .
Midis materialeve që mblodha, djali i tij, i madhi, më dha fotokopjen e një letre që Etëhem Haxhiademi i kishte dërguar Lasgush Poradecit, në vitin 1938, me kërkesën e këtij të fundit, sepse donte të hartonte – si më tha i biri – një antologji mbi shkrimtarët më të përmendur shqiptarë të kohws së bashku me biografitw e tyre.
Ja letra :
E mora në Elbasan
Sot me 9 prill 1938
Lasgush Poradeci .
SHENIME MBI JETEN T’ IME
Kam le n’Elbasan mbë 8 mars 1902. Im at, Emin Haxhiademi, aktiviteti patriotik i të cilit fillon qysh me 1877, d.m.th. përpara Kongresit të Prizrenit (sikundër asht permendun dhe nga komisioni i 25-vjetorit në jetëshkrimet e patriotëve të cilët nuk u botuen nga qeverrija) njihet n’Elbasan si bashkëpunëtor i ngushte i Kristoforidhit dhe i dyti patriot mbas atij në vjetërsi në këtëe qytet. Prej t’im eti kam mësue mbshehtazi gjuhën shqipe përpara shpalljes së Hyrrietit dhe, kur u hap e para shkollë shqipe n’Elbasan mbë 1908, kam qenë i pari nxënës që u shkrue n’atë shkollë. (Shkolla e parë shqipe asht hapun me inisiativen e disa patriotëve elbasanas ne krye të të cilëve ka qene im atë. Kam edhe origjinalin e telegramit të urimit qi i bante asi kohe nga Londra Faik Konica dhe pergjigjen qi i ka dhanë im atë). Si gjithë ata qi merreshin me çashtjen shqiptare dhe im atë përdorte të gjitha librat, revistat e gazetat shqipe qi ishin botue n’atë kohë te rregullueme në nji odë të posaçme ku unë rrija shpesh herë mbasi nxuna shqipen dhe ushqehesha me ato botime të vorfëna por mjaft të pasuna për atë kohë dhe për moshën time të ngjomë.
Nji ditë midis librave më rroku dora dramën e përkthyeme nga turqishtja të Sami Frashërit “Besa”. Si e këndova pak në fillim, më preku mjaft dhe kështu u mbylla në odë deri sa e sosa së kënduemi deri në fund. Aq tepër më pelqeu moshës t’ime të vogël sa qi mbusha sytë me lot .dhe qysh atëhere më ngeli në mendje interesimi për veprat theatrore. Efekti i asaj kohe më ka ngelun edhe sot mbi dramën “Besa” sa qi ndonëse i shoh mjaft të meta kryesore si vepër arti, por prap më pelqen ta këndoj mbasi ka lidhje me kujtimet e kohës s’ime të kalueme. Nji ditë (do të kemë qenë ndoshta ja 14 vjeç) u ngula në nji tryezë dhe fillova të shkruej gjoja nji dramë natyrisht me subjekt kombëtar si ç’ ishte koha . Rrija pra ditë me radhë dhe nga nji herë linja dhe shkollën pa e frekuentue. Kur më pyetshin njerzit e shtëpisë ç’ka baja, nuk dëftenja. Në fund mbas afër dy muejesh e sosa dramën (!) t’ime dhe kryenalt për punën qi kishje ba ja tregoj t’im eti, i cili ishte i aftë prej nature për të gjykue.Kur iu afrova pra dhe i thashë se kishja shkrue nji dramë, me priti me nji buzëqeshje ironike dhe as nuk deshi t’a këndojë, por ma vonë lutjet e momës s’ime më nji anë dhe kurioziteti i tij mbë t’jetrën anë filloi me e këndue. Zemra e ime rrihte dhe prisja me padurim gjykimin e tij. Në funt më thirri po këte radhë jo me qeshje ironike dhe më thotë se un ishja akoma i ri dhe se me shkrue nji vepër dramatike nuk asht nji punë e vogël për çuna. Un pra duhesh ma parë të mbaroja shkollën, të studjoja veprat dramatike të poetenvet të mëdhenj të huej dhe pastaj të bija në prehnin e theatrit. Pra kjo qi ke shkrue, më thotë i ndjeri im atë, asht gja për të qeshun dhe meriton të digjet. Kur ndëgjoj këto fjalë prej tij u idhnova shum. E mora të ashtu quejtunen veprën t’ime dhe së pari e rueja me kujdes midis librave te mija, por ma vonë u binda në këshillën atnore dhe nji ditë e dogja. Me gjithë këte dëshira e ime e jashtzakonshme për t’u ba autor dramatik nuk u shue kurrë prej zemrës s’ime .
Në shkollë vinja mjaft mirë. Të gjitha landët e mësimevet i ndiqja me interes. Qysh prej së vogli e deri sa lashë Atdheun e ika jasht për të studjue, vit për vit dilnja i pari i klasës. Mbë 1919 shkova n’ Itali, në qytetin Lecce. Kemi ndejtë në nji konvikt ja 60 shqiptarë përveç italjanëve dhe unë pregatitesha për vitin e katërt të gjymnazit, kurse të t’jerët shqiptarë klasa ma të ulta. Kur do të epeshin provimet në fund të vitit ka qenë koha ma e disfavorshme për shqiptarët, të cilët urreheshin nga italjanët nga shkaku i luftës së Vlonës. Në fund të provimeve vetem unë e kalova klasën nga të gjithë shqiptarët, gjithë të tjerët mbeten nga nji a dy lëndë. Për të vërtetue fjalën t’ime mund të pyetni z. (emër i pa lexueshem) i cili ka qenë nji nga shqiptarët qi pregatitesh për klasën e dytë të gjymnazit dhe ngeli edhe ai për vjeshtë si gjithë të tjerët. Pra po qe i ndershem, ndonëse me ka armik, duhet të thotë të vërteten. Në Lecce kishja nji profesor mjaft te zotin qi më pregatiste për gjuhën latinishte. Kur nji ditë po me pregatiste për shkollë ‘Bukoliket’ e Virgilit pa që u impresionova mjaft për bukurin e veprës. Më pyeti me buzëqeshje në se më pelqen. I thashë se kur ta mësoj mirë gjuhën latine do t’a kthej këte vepër në shqipet. Dhe me të vërtetë mbas tre vjetësh u mora me kthimin e Bukolikeve të Virgilit të cilën e ktheva jo krejt veprën në versin origjinal, në heksameter. Si bazë për përdorim të heksametrit në shqipet mora për model përkthimin e Bukolikeve në gjuhën gjermane nga Vossi i cili asht po në heksameter, tyke marrë për daktila e sponde jo si te vjetrit gjatësin e rrokjeve, por theksat. Këto lloje heksametra në bazë të rrokjeve në gjermanishten (si ç’e dini edhe ju) perveç Vossi-t në përkthimin e Homerit e të Virgilit e përdori edh Goethe–ja në ‘Hermanin und Dorothea’. Pra me përkthimin e Bukolikeve unë besoj se bana dy sherbime: 1) Jam i pari qi ktheva ne shqipet nji poet latin, 2) Jam i pari qi përdora në gjuhën shqipe heksametrin si mbas modeleve qi përmenda ma siper. (Rreth përdorimit të heksametrit nga unë shih edhe gazetën ‘Demokratia’ të Gjirokastres Nr. 453 datë 3 mars 1935).
Klasat e sipërme të gjymnazit i ndoqa n’Austri. Në Tirol bana edhe maturën dhe hyna me dieni të plotë të literaturës greke e latine. Autorët grekë e latinë nuk u kënduen prej meje sa për të kalue klasën si ç’e bajnë shumica e studentëve, por me etje të madhe. Mbasi dienia e gjuhës greke nuk më mjaftonte për autorët e nanës, si kulture përdorja edhe përkthimet në gjuhën gjermane.
Mbë 1924 ndodhesha në Berlin dhe ndiqja mësimet universitare n’atë qytet në fakultetin (fjalë që nuk lexohet) kundra dëshirës s’ime dhe si mbas deshirës së prindëvet. Në këte kohë pothue se njihja mirë jo vetëm literaturën greke e latine, por edhe literaturën gjermane, franceze e italjane dhe prej anglishtes Shakespeare-n, këte të fundit me përkthimin e (emër i palexueshëm ).
Nji ditë tyke këndue ‘Odyseen’ e Homerit pashë se Homeri e sillte fundin e veprës deri ke mbarimi i peripetive të fatozit t ‘Ithakës. U interesova të gjenje se ç’ka ka qene fati i këti fatozi mbaskëndej dhe gjeta në (fjalë që nuk lexohen) se Ulisi qenka vra prej të birit Telegon pa e njohun t’an i shternguem nga fati. Kjo landë m’ interesoj për të trajtue tragjedinë t’ime të parë ‘Ulisi’ tyke besue se asht adapte për të dalë nji tragjedi në frymën e Eskilit. Ky subjekt me sa kam hetue nuk asht përdorun deri më sot nga ndonji shkrimtar, vetëm se Aristoteli përmend në veprën e tij ‘Poetika’ se kjo landë ka qenë trajtue nji herë nga Sofokliu në veprat e humbuna. Atëherë historija greke, kultura greke dhe veçanërisht tragjeditë e Eskilit, Sofokliut e Euripidit më kishin marrë zemren, më kishin ba për vete. Vrapova pra dhe shkrova tragjedinë t’ime të parë ‘Ulisi’ tyke e punue dhe ripunue mjaft kohë. Heren e parë desha t’i ve edhe kore, por ma vonë tyke besue se koret nuk mund t çfaqen në sqenë, i lash e sikundër i lanë edhe shkrimtare të t’jerë që ndoqen gjurmët e tragjikëve grekë si Corneille, Racine deri edhe Goettheja në ‘Ephigenie auf Tauris’. Si vers pelqeva pesëkambat jambike të (fjalë që nuk lexohen) por u vuna rimë për t’i dhanë ma muzikë dhe i influencue nga Corneille e Racine. Ndertesën e tragjedisë e thura si mbas theorisë aristotelike tyke perdorun te tri njisit si klasiket franceze e greke. Vertetë se sot njisit aristotelike kanë vetem nji vleftë historike por me duket se në tragjeditë me subjekte të vjetër kanë mbetun prap si nji stoli. Dhe Goetheja që ka qenë nji ndër kryengritësit e Sturm und Drang në veprat e tij dramatike të djaleris, por kur shkroi ‘Iphigenin’ në moshën e mavonshme si mbas subjektit përdori të tri njisit . Landa e tragjedis s’ime ‘Ulisi’ asht lufta e njeriut me fatin. Çka asht thanë nga oraklli do të përmbushet dhe njeriu nuk ka si shpeton. Këte tregon edhe Sofokliu në ‘ Edipi mbret ’, këte dhe Shilleri (fjalë që nuk lexohen) këte edhe unë te ‘Ulisi’.
Në vitin 1926 erdha të vazhdoj mësimet ndë Vjenë, mbasi në Berlin me daljen (fjalë që nuk lexohen) u shtrejtue jeta sidomos për mue qi nuk kishja subvencion nga shteti dhe më mbante shtëpija. Nji ditë më erdhi në mendje të thur nji tragjedi të dytë me protagonist kryetrimin e ‘Iliadës’ së Homerit. Edhe ‘Iliada’ e çon Akilin deri sa vret Hektorin (fjalë që nuk lexohen) gojdhanën se Akili asht vra nga Paridi tyke e gabue Priami se do ta bante dhanderr e do t’i japë të bijen Poliksenin me të cilën Akili kishte dashuni. I hyna pra punës dhe mbas shume punimi dhe ripunimi në sistemen e ‘Ulisit’ doli tragjedija e ime e dytë ‘Akili’. Shpirti i tragjedisë ‘Akili’ asht ahmarrja. Çdo njeri qi vret sado i fortë me qenë në fund do ta pësojë. Nji mendim të tillë e gjejmë dhe ke ‘Agamemnoni’ i Eskilit dhe ‘Elektra’ e Sofokliut .
Këtu në Vjenë bashkëpunova dhe me revistën ‘Djalërija’. Asht e dyta revistë ku bashkëpunoja rregullisht. Për herën e parë kam bashkëpunue në ‘Kopështin letrar’ me 1918 qysh në moshën 16 vjeç, natyrisht me sende të lehta. Në ‘Djalërija’ botova dhe vjerrshat e mija të parat lirike. (Shih Nr. 1, voll. II, viti VIII datë Maj 1927). Ma e bukura e kësaj në këte numër asht ajo me titullin ‘Galates’. Kjo asht nji elegji për nji vajzë të vdekun. (Më ke shkrue ne letër dhe për shenime (fjalë që nuk lexohen) ke ndoji vetë dhe merr ato qi të pelqejnë). Vdekja e nji vajze qi e dashunoja nga lark më tronditi dhe kështu i bana nji permendore të vogel këte elegji me titullin e nji emni magjepes ‘Galates’.
Në fund të vitit 1927 u ktheva në Shqipni dhe mbë 1928 u emnova nënprefekt në Lushnje. Këtu tyke këndue nji ditë Plutarkun m’interesoi landa e Aleksandrit të math se si u ba mbret dhe se si u vra ati i tij Filipi nga rivaliteti i dy grave të tij. Pra mbas nji kohe të gjatë pune doli tragjedija ‘Aleksandri’, tragjedija e tretë nga numri, por e para nga vlera, mbassi te ‘Ulisi’ e ‘Akili’ njihen ende gjurma djalërije. Mbe 1930 kur u bane garat teatrale në Tiranë, grupi filodramatik i Elbasanit çfaqi ‘Aleksandrin’ t’im dhe mori çmimin e Mbretit. Ndonse grupi i Shkodrës dhe i Korçës qenë të pregatitun ma mirë ne pikëpamje sqenike, por si ç’thoshte edhe gazeta ‘Ora’ atëherë çmimin Elbasani e fitoi vetem nga vepra e bukur qi çfaqi .
Tragjedija ‘Aleksandri’ asht tragjedija e rivalitetit. Tregon se dy gra shemra me nji burr ku e çojnë nji familje dhe në ç’fatkeqsi .
Mbë 1933 e deri mbe 1936 ndodhesha në Gjirokastër si krysekretar i Prefekturës. Mbë 1933 atje shkrova idilin ‘Nymfat e Shkumbinit’ të cilin e botova n’ ‘Illyria’ Nr. 4 , datë 25 mars 1934 dhe Nr.5 , datë 1 prill 1934 . Nymfat dhe Muzat e Greqis së vjetër i solla nga Parnasi në Shkumbi qi të lahen dhe të kendojne neper pyjet gjatë buzës së tij gjersa gjahtarët shqiptarë qi nuk kuptojnë vlerën e kangës së tyne i rrembejnë. A nuk asht kjo nji ndodhje shqiptare ?!
Prap po në Gjinomastër tyke këndue jetën e Pirros nga Plutarku trajtova mbë 1934 tragjedin e katert ‘Pirrua’. Kjo asht vepra ime ma e dashun dhe kam besim të patundun se do të mbesi për shumë kohë kryevepra e Melpomenës shqipe. (Ju lutem ta këndoni krejt). Këtu prap shkrova Elegjin ‘Nata e zezë’ botue n’ ‘Illyria’ nr. 8 datë 29 prill 1934. Këtu vajtoj vdekjen e nanës s’ime të cilën e kam dashun ma tepër se çdo gja në këte botë. Shkrova po këtu odën ‘Naim Frasherit’ botue n’ ‘Illyria’ nr. 16 datë 24 qershor 1934. Në këte ode lavdoj vlerën e Naimit si poet e patriot dhe u thërras shqiptarëve (ma i pari e baj këte) të merren eshtnat e këtij njeriu të math e t’i sjellin n’Atdhe. Shkruej ma vonë poemthin ‘Lufta e dragonjvet me kuçedren’ botue n’ ‘Illyria’ Nr. 22 datë 14 shtator 1935. Tyke marrë për bazë gojdhanën popullore se kur bie shi dragonjt luftojnë me kuçedren, perpilova këte poemthë si balladë.
Prej vjerrshave të mija lyrike vetem këto po të permend se shumica s’e kanë pa dritën e botimit. Tani së shpejti do t’i nxirr në nji vëllim të posaçem, por për veprat e mija dramatike meriton te bisedohet ma ndryshe. Mbë 1935 shkrova tragjedin ‘Skenderbeu’. Kjo asht tragjedija e zilis. Zilija sjell tragjedin individuale dhe tragjedin kombëtare si ç’asht kjo e shtjellueme në tragjedin t’ime ku nuk tregohet vetem tragjedija e Skenderbeut por e krejt popullit shqiptar .
Mbë 1936 shkrova tragjedin e gjashtë ‘Diomedi’. Kjo asht tragjedija e dashunis. Dashunija asht e paperkulshme. E shkuemja në rrugë të kundërt sjell atë ma të tmerrshmen sa të vrasë i vllai të vllan, si ç’ngjet në tragjedin t’ime .
Përshkurtazi dhe si mbas porosis tande në dhitë faqe kjo asht jeta e ime artistike. Në letret qi më dërgoje ma tepër u jipje randësi poezive lyrike. Por tek mue randësija ma e madhe asht te tragjedit e mija. Dramatika ka gjetë mbarimin tek unë sikundër ka gjetë lyrika ke ti e novelat ke Koliqi. Pra tragjedit e mija: 1) ‘Ulisi’; 2) ‘Akili’; 3) ‘Aleksandri’; 4) ‘Pirrua); 5) ‘Skenderbeu’; 6) ‘Diomedi’, ndonse t’i përshkrova shkurtimisht mbrendit e tyne por po deshe nji mendim të sakët duhet t’ i këndosh, sidomos kater të fundit dhe veçanërisht ‘Pirrua’ që, si t’a thashë ma nalt asht vepra e ime ma e dashun. Në të gjitha tragjedit mija asht perdorun po ajo teknikë qi të permenda ke ‘Ulisi’, po ai vers, dhe po ajo thurje dramatike. Si mbas kërkeses tande me poste po të dërgoj 6 tragjedit dhe ‘Bukoliket’. Për vjerrshat lyrike ju kam kallxue gazetat dhe revistat ku janë botue deri sa nuk kanë dalë të botueme si liber. Vetem 5 vjerrsha të kam shenue se të tjerat nuk janë botue as në gazetë. Po ato të pesta nuk jane vetem vjerrsha, por mund të them sa janë poemtha të gjata. Vetem ‘Galates’ asht nji elegji e shkurten.
Tani do të shohim gjykimin qi do të bani ju vetë. Si mbas porosis tande 10 faqesh po t’i dergoj shenimet. Si t’i këndoni këto dhe veprat qi po ju dergoj, besoj se unë nuk jam ne takamin e (fjalë të pa lexueshme) me shokë por jam në degën e dramaturgjis si ç’je ti në lyrikën dhe Koliqi në novelat. (Dy rreshta të palexueshëm). Kurr nuk e kam pasë zakon të mburr veten, por vetem se m’i kërkove ti po t’i dergoj . Ji i drejt në gjykimet . Pra të fala .
* * *
Kjo është letra, të cilën unë po e botoj pa asnjë ndryshim. Unë nuk e di nëse kjo letër është botuar më parë në ndonjë organ, as edhe nuk e di se ku ndodhet origjinali i saj. Unë po e botoj për të ndihmuar biografët dhe studjuesit e ardhshëm që do të merren me jetën dhe krijimtarinë letrare të tij. Po për këtë qëllim unë po botoj edhe këto pak shënime mbi vuajtjet e këtij shkrimtari në hetuesinë e Elbasanit, të cilat janë më se të vërteta, sepse kam qenë vetë në hetuesi në atë kohë.
Me këtë rast dua të kujtoj qytetin e tij për vlerësimin e nderimin që duhet t’i bëhet figurës së këtij poeti dhe atdhetari të shquar. Elbasani ka monumentin e atdhetarit dhe gjuhëtarit të madh Kostandin Kristoforidhi, ka gjithashtu monumentin e atdhetarit Aqif pashë Biçakut, krahu i djathtë i Ismail Qemalit, ka bustin e atdhetarit dhe filantropit Ali Agjahut, ka bustin e atdhetarit, gjuhëtarit dhe mësuesit Aleksander Xhuvanit, pse të mos ketë, midis tyre, përballë nymfave të Shkumbimit, edhe monumentin e atdhetarit dhe poetit dramaturg Etëhem Haxhiademi?(Ne Foto:Makensen Bungo)
DR. SAFETE JUKA- GRUAJA SHQIPTARE QË GJITHË JETËN PUNOI PËR KOSOVËN
Nga Makensen Bungo/
Dr. Safete Juka gjithë jetën mendoi , punoi dhe luftoi për Shqipërinë dhe në vecanti për Kosovën tonë martire . Kosova ishte pika e saj e dobët. Ndarja e Kosovës nga trungu amë prej Fuqive të Mëdha në mënyrë të padrejtë, në vitin 1913, vuajtjet e kosovarëve nën robërinë serbe dhe masakrat barbare të shovinistëve serbë ndaj popullit të Kosovës kanë qenë plagët e saj të mëdha, brengat e saj të rënda e dhimbjet e saj të thershme. Me euridicionin e saj si shkencëtare , shkrimtare , kritike , përkthyese, eseiste , arkeologe , poliglote dhe humaniste, ajo punoi deri në ditët e fundit të jetës së saj për t’i mbyllur këto plagë , për t’i shëruar këto brenga për t’i zhdukur këto dhimbje . Shovinizmi serb zjarrin e luftës për gllabërimin e Kosovës e drejtoi në dy drejtime: në publikimin e tezave antishkencore të pseudoshkencëtarëve serbë mbi zbritjen e tyre në Ballkan dhe vendosjen në tokat e begata të Kosovës dhe në ushtrimin e masakrave barbare masive për pastrimin etnik të Kosovës .Edhe dr Safete Juka, si atdhetare shqiptare në këto dy drejtime e zbatoi luftën e saj si shkencëtare për mbrojtjen e Kosovës dhe shpëtimin e kosovarëve .
Dr Safete Juka që në rininë e saj filloi të gërmojë nëpër arkivat e huaja dokumenta të vërtetë mbi Kosovën dhe serbët , të gjurmojë në muzetë e ndryshme dokumenta që të zbardhte të vërtetën mbi zbritjen e serbëve në Ballkan e të shfletojë volume të ndryshme për të zbuluar masakrat e tyre ndaj kosovarëve për pastrimin etnik të Kosovës.
Bazuar në materialet që zbuloi, ajo botoi artikuj të ndryshëm mbi këto probleme në gazetat më të rëndësishme amerikane. Në vitin 1982, ideoi dhe organizoi një konferencë
shkencore në New York, ku kumtesa e saj u vlerësua nga të huajt për përmbajtjen shkencore , për forcën e argumentave e metodën shkencore krahasuese dhe botoi , zbuloi e përktheu vepra për të hedhur poshtë tezat antishkencore të pseudoshkencëtarëve serbë dhe për të fshirë pluhurin e zi që kishin hedhur ata mbi masakrat e tyre në Kosovë .
Kumtesën në fjalë, më vonë dr Safete Juka e ripunoi duke e plotësuar edhe me material të ri dhe e botoi si libër më vete , titulluar “ Kosova” dhe me nëntitull “ Shqiptarët në Jugosllavi nën dritën e dokumentave historikë”. Mbi rëndësinë e këtij libri po përmendim dy vlerësime nga persona të ndryshëm . z. Peter Titonski, profesor i universitetit të Georgetonit të Washingtonit , është shprehur : “ Unë e konsideroj këtë libër si një kontribut rrënjësor për kuptimin e historisë dhe politikën në Ballkan . Asnjë studjues nuk mund të shkruaj për Kosovën pa iu referuar këtij vëllimi të shkëlqyeshëm.” Ndërsa zonja Zenepe Dibra , presidente e shoqatës “ Gruaja intelektuale shkodrane” është shprehur : “…..ajo që do ta bënte Safeten një luftëtare të çeshtjes shqiptare do të ishte Kosova. I jashtzakonshëm nga hapësira e gjerë e njohurive historike si dhe materialet burimore aq të shumta të shfrytëzuara në disa gjuhë të botës …”
Zbulimi më i rëndësishëm i saj në drejtim të qëllimit që i kishte vurë vetes është gjetja në bibliotekën e Harvardit i librit “ Albanian Golgotha”, botuar në vitin 1913 nga gazetari dhe deputeti austriak Leo Freundlich . Në këtë vepër autori , një njeri i huaj për ne , ka përshkruar masakrat e shovinistëve serbë ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitet 1912- 1913 me një realizëm të rrallë dhe me një paanësi për t’u admiruar . Këtë libër dr. Safete Juka e përktheu nga gjermanishtja në anglisht dhe i bëri dy botime dhe shumë kopje ua dhuroi shkollave, librarive , institucioneve kulturore , personaliteteve të botës amerikane dhe vetë ish-presidentit amerikan, zotit Nikson , me të cilin kjo grua shqiptare atdhetare kishte korespondencë për problemet e e Kosovës . Qëllimi i përkthimit të këtij libri në gjuhën angleze dhe shpërndarja e tij në masë ishte për të sensibilizuar sa më shumë botën në drejtim të qëllimeve të errta të qëverive serbe ndaj Kosovës dhe të masakrave barbare të shovinistëve serbë për spastrimin etnik të Kosovës sonë martire .Megjithëse kishte punuar shumë për Kosovën dhe pleqëria i kishte trokitur në derë, atdhetarja shqiptare, dr Safet Juka, nuk e lëshoi penën nga dora për të shkruar për Kosovën .Ajo po punonte në librin e tretë për Kosovën , kur vdekja , mbas një sëmundje të gjatë e rrëmbeu dhe e nisi drejt amëshimit . Për librin e saj të pambaruar nuk mund të flasim. Botimi i tij i mëvonshëm do të ndihmojë kritikët dhe analistët për të folur e shkruar mbi te .
Dr Safete Juka gëzohej për sukseset e Kosovës dhe hidhërohej pa masë kur asaj i ndodhte ndonjë fatkeqësi . Ka qëlluar që kur ka ndodhur ndonjë e keqe ndër kosovarët , ajo është sëmurë. Para ca kohe, në një gazetë qëndrore të Amerikës është botuar fotografia e një vajze dyvjeçare që e kishin sjellur nga Kosova në Neë York , për ta operuar. Shovinistët serbë, në masakrat e fundit, i kishin vrarë të gjithë të afërmit.Vetëm kjo kishte shpëtuar gjallë , por e plagosur rëndë . Në Kosovë ishin munduar shumë që ta shëronin , por plagët kishin qenë të rënda .E kishin sjellur në Neë York . Por edhe këtu nuk e shëruan dot. Vajza e vogël ndërroi jetë. I gjithë fisi u shua nga masakrat serbe. Kur lexoi këtë lajm dr Safete Juka u dëshpërua shumë. Mori gazetën, e preu me kujdes fotografinë e asaj vajze dhe e vuri në murin e dhomës, ku pononte dhe e shikonte vazhdimisht me një drithërimë të madhe .
Dr Safete Juka ishte një grua humane, e njerëzishme me të gjithë e në çdo vend. Ajo i donte njerëzit, i respektonte, i ndihmonte; sidomos bashkëatdhetarët e në veçanti emigrantët . Dhe jo vetëm me fjalë , me këshilla e me porosi , por edhe materialisht . Unë s’jam as e pasur , as e varfër , i ka thënë një familjeje emigrante shqiptare , që kishte nevojë për një operacion të rëndë, por juve do t’ ju ndihmoj , se jeni shqiptarë nevojtarë , emigrantë . Dhe mori përsipër të gjitha shpenzimet e operacionit , që kapnin shumën e disa mijë dollarëve.
Dr. Safete Juka u largua nga Shqipëria në moshë të re, kur ishte 15 vjeç. Ajo u rrit e u arsimua duke u endur nëpër vende të ndryshme të Evropës , Afrikës dhe Amerikës. Ajo qe poliglote; dinte gjermanisht , italisht , frengjisht , anglisht e arabisht . Në këto vende rrallë komunikonte me gjuhën amtare, vetëm në familje . Por me gjithë ate, ajo nuk e harroi kurrë gjuhën shqipe. E fliste bukur dhe pastër gjuhën e saj , një gegërishte të ëmbël , një shkodranishte të qëruar .Në të folur nuk përdorte kurrë barbarizma. Ishte armike e tyre . Dhe kur ndonjë bashkëbisedues përdorte ndonjë fjalë të huaj, ajo, me takt, e ndërpriste , e këshillonte që të mos e përdorte atë fjalë dhe i tregonte fjalën shqip që zavendësonte barbarizmën .
Kjo shqiptare e madhe nuk u nda kurrë nga emigracioni shqiptar. Gëzohej bashkë me emigrantët dhe merrte pjesë në gëzimet e tyre. Ndjente një kënaqësi të madhe kur mësonte që nxënës të ndryshëm shqiptarë, të emigruar në Amerikë, ishin dalluar në mësime . Shpesh herë i merrte ata në telefon , i uronte e i përgëzonte. Jo rrallë i ka thirrur në tryezë, ka drekuar tok me ata dhe u ka dhënë porosi që , si të mbaronin studjimet e larta, të kthehen në Atdhe që të punojnë për përparimin dhe zhvillimin e Shqipërisë.
Ndiqte me interes botimet në gjuhën shqipe këtu në SHBA dhe i vlerësonte ato. Kur i pata dërguar një kopje të monografisë “Abaz Kupi”, ajo qe shprehur kështu: “Libër i shkruem me dashuni e ndjenjë . Përgëzoj autorin që figurën e Abaz Kupit e ka nxjerrë bukur si dhe që merret me figura të tilla që deri tash nuk janë vlerësue n’ Shqipni .”
Veçanërisht entuziasmohej për talentet e reja dhe i inkurajonte ato . Kështu p.sh.kur 15vjeçarja Anxhela Dilo i dërgoi një shkrim të sajin të botuar te “Dielli”, dr Safete Juka i qe përgjigjur :
E dashtuna Anxhela ,
Shkrimii jot kushtue ditës kur kishe shkue me familjen tande te ndëretesa e OKB-së më ka prekë shumë me përmbajtjen e tij ku shprehet dashtuni e vërtetë për vend-lindjen tande , për prindt dhe për t’afërmit e familjes që i ke në Shqipni e prej të cilve t’asht dashtë me u nda por për të cilët ti ndien mall . Vazhdo t’i mbajshë të pa prishuna këto ndjenja të bukura . Por edhe vazhdo të shkruesh se ti ke jo vetëm ndjenja të bukra por edhe shumë talent për t’i shprehë e nuk duhesh me e lanë pa e përdorë e pa e zhvillue kët talent .Tuej të falënderue shum për dërgimin e këtij shkrimi , të përqafoj tuej t’urue sukses e të mira .
Safete Juka
Safete Juka ishte doktoreshë, kishte qenë profesoreshë universiteti, kishte një kulturë të gjerë, ishte shkrimtare etj. , por mbi të gjitha ajo ishte një grua shumë e thjeshtë . Asnjë herë nuk pranoi mburrje dhe lëvdata; ishte armike e tyre . Kurrë nuk pranoi të flitej e të shkruhej për atë. Nuk fliste kurrë për veten e saj dhe kur të tjerët fillonin të flisnin për ate, ajo i ndërpriste njerëzishëm. Ishte grua e heshtur . Thjeshtësia dhe heshtja ishin të natyrës së saj. Ata që e kanë njohur habiteshin me këto cilësi të saja, të cilat i ruajti deri në vdekje .
Dr . Safete Jukës i qante zemra për gjendjen e mjeruar të Shqipërisë, për varfërinë , pasigurinë , korrupsionin , grabitjet legale e ato ilegale, vrasjet , emigracionin
galopant. Por, megjithate , ajo kurrë nuk shprehu një herë ndonjë shenjë pesimizmi . Ajo ishte optimiste për të ardhmen e Atdheut të saj , duke shpresuar te forca e rinisë shqiptare. .
Në një letër që Dr Safete Juka i ka dërguar zonjës Zenepe Dibra , midis të tjerave, është shprehur : “…unë kam shumë besim në popullin tem e mbajë në vetvete një shpresë të thellë se të rinjtë e sotëm shqiptarë , djelm e vajza , kanë me pasë mundësina me krijue e me prodhue e kur të rriten kanë me pasë ç’ka me diftue për jetën dhe krijimtarinë e tyre sigurisht gjana ma të bukura e ma të vlefshme se kam unë sot .
Nuk mund ta përfundojmë portretin e dr. Safete Jukës pa përmendur edhe talentin e saj si piktore. I pëlqeu piktura . Pikturoi , por edhe analizoi. Nuk duhet të mendojmë se dr. Safete Juka ishte vetëm një piktore amatore . Ajo ishte edhe një kritike arti . Studjimet e saj në këtë fushë, analizat që ka bërë në këtë drejtim na japin të drejtën ta përmendim edhe si të tillë .Ajo e pat lënë amanet që ta varrosnin në Shkodër pranë të afërmëve të saj .Dhe atje e varrosën , në Shkodër . Ishte dita 20 nëntor e vitit 2005.Shkodra vdekjen e saj e mësoi me një hidhërim të madh . Varrimin ia bëri si e meritonte Muarën pjesë shumë njerëz. E nderuan personalitetet e qytetit . U mbajtën fjalime, u vendosën kurora dhe buqeta lulesh . U shkruan edhe poezi .Ishte bijë e Shkodrës , ishte shkencëtarja shqiptare , ishte gruaja e madhe që mendoi , punoi e luftoi gjithë jetën për të drejtat e Shqipërisë , ishte gruaja shqiptare që gjithë jetën ia kushtoi Kosovës martire dhe mbrojtjes së kosovarëve .Por vetëm. Shqipëria heshti. Heshti shteti, heshti politika, heshti inteligjencia. Ku ishin ? Pse heshtën? Pse nuk u nderua kjo grua e madhe, që na nderoi ?Le ta kujtojmë këtë grua , se nderojmë kombin . Le ta nderojmë këtë shqiptare se nderojmë veten .