• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

IKJA E ING.AGIM KARAGJOZI- HUMBJE E MADHE PËR PATRIOTIZMËN SHQIPTARE

April 3, 2018 by dgreca

1 Mal BerishaNga Mal BERISHA/

Ndërron jetë ish – Kryetari i “VATRËS” (1992-2010) dhe Presidenti i Saj i përhershëm i Nderit, Ingj. Agim Karagjozi.Kur VATRA humb një burrë si Agim Karagjozi, i tërë Kombi Shqipëtar ka pësuar të njetën gjë.
Ai ishte njeriu që jetoi bashkë me ngjarjet më të mëdha të historisë tonë, i rreshtuar gjithmonë dhe përherë në frontin e të mirës së Kombit Shqipëtar, i frymëzuar nga idalet demokratike – perëndimore.
Ai ishte pasardhës i denjë i Konicës dhe Nolit. Patriotizma e vërtetë shqiptare humbi një emër të madh, një aktivist të shquar, një atdhetashës të paepur, modelin e urtësisë dhe mençurisë shqiptare, një antikomunist të betuar, njeriun që për dekada punoi dhe luftoi për kthimin e mardhënjeve normale midis Shqipërisë dhe SHBA – së dhe forcimin e tyre në vitet e post-diktaturës.
Nëse do të rrjeshtoja njerëzit e shquar të kombit tonë me të cilët kam patur nderin të njihem në tëra rrugët e jetës, një ndër të parët që do ta shënoja do të ishte Presidenti, tanimë i ndjerë i VATRËS, ingj. Agim Kargjozi.
Askush nuk jeton përgjithmonë, por lum ai që ikën nga kjo jetë dhe len një emër të nderuar si ky burrë.
U prehtë në Paqë!

(Kujtim i paharruar: Foto me Presidentin Agim Karagjozi, me të birin Zydiun, familjen time dhe Vatranët, me datën 6 Janar 2018, në Selinë e VATRËS në New York)

Filed Under: ESSE Tagged With: Humbje e madhe, Ikja e Agim Karagjozit, Mal Berisha

VATRA SHPALOS STRATEGJINË E ELABORIMIT TË MARRDHËNIEVE SHQIPTARO AMERIKANE

January 7, 2018 by dgreca

1 BerishaVATRA SHPALOS STRATEGJINË E ELABORIMIT TË MARRDHËNIEVE SHQIPTARO AMERIKANE PËRMES PREZANTIMIT TË LIBRIT “HERMAN BERNSTEIN” TË AMBASADORIT MAL BERISHA/

1 dritan

NGA DALIP GRECA/

Foto: ILIR RIZAI/*

1 grupiVatra ishte e ngrohtë edhe në një ditë me temperetuara ekstreme të pasborës, kur termometri shënonte -14 gradë C. Vatranët, miq të Ambasadorit Mal Berisha, njëherazi anëtar Nderi i Vatrës, kishin ardhë për të qenë të pranishëm në promovimin e librit më të fundit të tij”Herman Bernstein-Ambasador i SHBA-ve në Mbretërinë Shqiptare 1930-1933”. Surprizë ishte ardhja e Presidentit të Nderit të Vatrës, z. Agim Karagjozi, i cili sfidoi moshën 92 vjeçare dhe temeperaturën e ulët. I shoqëruar nga i biri Zyhdi Karagjozi, anëtar i Këshillit të Vatrës, ai befasoi të pranishmit.

Moderatorja e veprimatrisë Marjana Bulku, anëtare e kryesisë së Vatrës, ka ftuar fillimisht Kryetarin e Vatrës z. Dritan Mishto për t’i uruar mirëseardhjen të pranishmëve si dhe autorit të librit, Ambasador Mal Berisha.Mishto, ka përgëzuar autorin e librit për punën studimore plot pasion dhe sjelljen para lexuesëve të figurës brilante, mikut të Shqiptarëve, ambasadorit Herman Bernstein, ashtu siç kishte bërë më përpara me një tjetër figurë të shquar që punoi aq shumë për Kombin shqiptar, amerikanin Erickson, përfaqësues i Vatrës në Konferencën e Paqes në Paris si dhe atë të San Franciskos. Kjo veprimtari e sotme, tha z. Mishto, nuk është një promovim i thjeshtë, por shpalosje e strategjisë së Vatrës për të elaboruar marrdhëniet dhe urat e miqësisë mes Shqipërisë dhe Amerikës dhe se kjo do të pasohet nga të tjera veprimtari.

Më pas z. Mishto ka sjellë në Kujtesë se dita e promovimit, 6 Janari, përkon me Festën e Ujit të Bekuar dhe me këtë rast ai uroi besimtarët ortodoks, kudo ku jetojnë. Po ashtu ai solli në kujtesë 6 Janarin , si Dita e Lindjes të bashkëthemeluesit të Vatrës dhe udhëheqësit shpirtëror të vatranëve Fan S. Noli.

Më pas z. Mal Berisha ka prezantuar jetën dhe veprimtarinë e gazetarit, shkrimtarit, përkthyesit, diplomatit Herman Bernstein, shoqëruar me projektimin në ekran të fotografive, që shpalosnin aktivitetin e ambasadorit Bernstein në Mbretërinë Shqiptare gjatë viteve 1930-1933.

Autori spjegoi se për të ardhur deri tek përfundimi i librit ai kishte përshkuar një rrugëtim të gjatë dhe se do ta kishte pasë të vështirë pa ndihmën  dhe bashkëpunimin e shumë personaliteteve dhe Institucioneve, veçanërisht të Institutit YIVO(Institute of Jewish Research New York). Po ashtu ai vlerësoi dr. Elez Biberaj për ndihmesën me pasqyrën e arkivës  së YIVO-s botuar në Gazetën Dielli ne vitin 1980 si dhe historianin Ilir Ikonomi për materialet e ofruara, si dhe shumë personalitete të tjerë, përfshi edhe mikun e shqiptarëve, britanikun Noel Malkolm.

Përmes fjalës së autorit Mal Berisha të pranishmët u njohën me figurën e Herman Bernstein, një personalitet shumëplanësh i Kohës, gazetarit që mbuloi ngjarjet më pikante  të kohës së vet, si revolucionin e tetorit, Konferencës së Paqes në Paris, që përshkoi si gazetar kontinente, që raportoi nga frontet e luftës, që shkroi 14 libra dhe përktheu 17 kryevepra, polemistit, diplomati brilant, që pati marrdhënie të shkëlqyera me Mbretin Zog,për të cilin shkroi të parën biografi, që e lartësoi emrin e  Kombit shqiptar tek amerikanët, njeriu që ngriti ura miqësie mes shqiptarëve dhe hebrejve, etj….

Pas prezantimit të z. Mal Berisha e ka marrë fjalën studiuesi, ish gazetari i Zërit të Amerikës, anëtar i Këshillit të Vatrës z. Idriz Lamaj. Ai ka përgëzuar autorin për librin kushtuar Herman Bernstein dhe është ndaluar në detaje në një nga vizitat e ish Ambasadorit Herman Bernstein në Elbasan në manastirin Shën Gjon Vladimirit. Kjo vizitë në librin e z. Mal Berisha është përfshirë në Kapitullin”Toleranca fetare në Shqipëri e përshkruar nga Bernstein.”… Një nga cilësitë fisnike që Bernstein vuri re tek shqiptarët është tolerance fetare, bashkëjetesa në Paqe dhe mirëkuptim, madje kremtimi i përbashkët i njerëzve me përkatësi të ndryshme fetare në një qendër kulti. Askush më mirë se Bernstein nuk do ta përshkruante dhe ta ilustronte këtë fakt në Ditën e Shën Gjon Vladimirit në fshatin Shijon në Elbasan. Libri sjell mbresat e drejtëpërdrejta nga peligrinazhi i datës 5 qershor 1931 në Kishën Shën Gjon Gjon Vladimirit në Elbasan.Studiuesi Idriz Lamaj solli detaje nga kjo ditë plot mbresa e Herman Bernstein.

Moderatorja ka paraqitur në vazhdim artistin, tenorin e  njohur shqiptar Riad Ymeri, i cili ka apeluar për një Qendër Kulturore të Shqiptarëve të Nju Jork-ut. Nuk mund të matemi me kombe të fuqishme, por me kombe e shtete të krahasushme si Maqedonia, që e ka qendrën e  vet, PO-argumentoi artisti.

Për kënaqësinë e pjesmarrësve Riad Ymeri ka interpretua Fjalët e Qirit të Poetit Kombëtar Naim Frashëri.Interpretimi është shoqëruar me duartrokitje.

Editori i Diellit paraqiti trajtesën e tij”Herman Bernstein i Ambasador Mal Berisha dhe gjurmët e mikut të shqiptarëve në Gazetën Dielli”.

Editori vlerësoi librin për nivelin shkencor të realizimit, për stilin e të shkruarit, për informacionin që sjell. Libri i ambasadorit Mal Berisha, tha editori, është fryt i një rrugëtimi të gjatë kërkimor rreth jetës dhe veprës së Herman Bernstein,veçanërisht të shërbimeve plot vlera që ai i bëri Shqipërisë. Autori i librit ka arritë që t’na përcjellë mesazhin e një personaliteti të fuqishëm, mik i tre presidentëve amerikanë, i shumë personaliteteve të larta të kohës, shkrimtarë, gazetarë, shkencëtar, artistë, njerëz të shquar. Libri na përcjell qartazi qëllimin e autorit:Zbulimi i Shqipërisë dhe shqiptarëve përmes njerëzve të Shquar, atë që Bota sot e quan –Pushteti i butë i Kombeve të vegjël në marrdhëniet ndërkombëtare.

Editori solli detaje nga kronikat, komentet dhe intervistat e Diellit për dhe me këtë përsonalitet të jashtzakonshëm. Dielli  i nis kronikat që nga 31 Janari i vitit 1930 e deri në gusht 1935, kur u shua në moshën 59 vjeçare  në shtëpinë e tij verore në Masachussets, miku i shqiptarëve Herman Bernstein.

*Per me shumë fotografi shihni në facebook

 

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Herman Bernstein, Ilir Rizai, Mal Berisha, promovim

Robert Elsie, një prej korifejve dashamirës të popullit shqiptar

October 4, 2017 by dgreca

Amaneti i tij i fundit: “Më varrosni ose në Shqipëri ose në Kosovë”!/

NGA MAL BERISHA/

Të dielën, papritmas ndërroi jetë njëri prej njerëzve më të dashur të popullit shqiptar, studiuesi dhe historiani i kulturës tonë, Profesor Robert Elsie. Ai ka sjellë në vëmendjen e lexuesve në gjuhën angleze dhe gjermane materiale të shkruara nga njerëzit më të shquar të botës, për në shqiptarët. Puna e tij ka filluar që në vitin 1975.
Robert Elsie do të meritonte një nekrologji ku t’i thuheshin ato që ka bërë për ne shqiptarët. Por në vend të saj, më mirë se kushdo flet uebfaqja e tij në internet aty ku çdo shqiptar dhe i huaj do të gjejë materiale me vlera të jashtëzakonëshme.
Interesi i këtij studjuesi për disa dekada ka qenë kultura, letërsia dhe historia shqiptare. Shumica e botimeve të tij janë pikërisht nga këto fusha. Çdo material i tij është i vendosur në faqen e tij të internetit dhe i përkushtohet fushave të veçanta të historisë, gjuhës, letërsisë dhe fotografisë së hershme.
Tek “Arti shqiptar” ai ia ka kushtuar punën e tij artit në Shqipëri në kuptimin më të gjerë të fjalës përfshirë përpjekjet e artistëve shqiptarë që në fillimet e veta si dhe punëve të artistëve të huaj të lidhur me Shqipërinë e shqiptarët. Ajo paraqet historinë gjithëpërfshirëse të artit shqiptar dhe tregon aspekte dhe fenomene që janë me interes për vëzhguesin e huaj dhe në shqiptarët po ashtu.
Në “Tekste dhe dokumente të historisë shqiptare” gjëndet një përmbledhje e teksteve që hedhin dritë mbi vendin tonë dhe që siç thotë autori, “shpesh injorohet nga historianët dhe dijetarët”. Ato nuk janë hartuar si një Histori e Shqipërisë apo e shqiptarëve, por janë dhënë si një përmbledhje kronologjike e teksteve historike të rëndësive të ndryshme që nga shekulli i XI – të deri në shekullin XXI, shumica prej të cilave të papërkthyera më parë.

“Gjuha shqipe” e studjuar nga Robert Elsie është e lidhur më rregjistrime në audio për të folmen tonë. Tek “Dialektet Shqiptare” ne mund të dëgjojmë të folmen dialektale rajonale të shqipes dhe mënyra sesi flitet gjuha shqipe në pjesë dhe krahina të ndryshme të botës shqipfolëse.
“Letërsia Shqiptare në Përkthim” përmban përzgjedhjen më të madhe të letërsisë tonë që është paraqitur ndonjëherë e përkthyer në gjuhën angleze. Ajo përfshin një gamë të gjerë autorësh nga e kaluara dhe e tashmja dhe përfshin shkrimtarë nga Shqipëria, Kosova dhe Diaspora Shqiptare. Ka prej tyre që janë publikuar, por shumica paraqiten para lexuesit për herë të parë.
Në “Fotografi të hershme në Shqipëri” Rebert Elsie paraqet koleksione të hershme të fotografive të Shqipërisë dhe shqiptarëve, kryesisht nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të njëzetë, e cila, në fakt ofron pamje të mrekullueshme të së kaluarës së popullit shqiptar.
Vdekja e tij është një humbje e madhe për kulturën dhe historinë e vendit tonë. Se sa e donte ai popullin shqiptar, më mirë se çdo gjë flet amaneti tij i fundit.
Ky nuk është rasti i parë. Edhe Harry Hodgkinson gazetar dhe shkrimtar famshëm anglez, mik i shqiptarëve, para vdekjes në vitin 1994 la amanet: “Të varrosej me arkivolin e mbuluar me flamurin shqiptar”.
Jam tejet i prekur nga vdekja Robert Elsit miqësinë me të cilin e kam konsideruar si gjërat më të veçanta të jetës time. Në takimin e fundit me të në Londër, qershor 2015 ai nuk mund të largohej pa bërë një fotografi tek busti I Skënderbut. Ai mban Medaljen e Mirënjohes akorduar nga Presidenti I Republikës së Shqpirëise z Bujar Nishani në vitin 2013.
U preftë në Paqë!

Filed Under: Opinion Tagged With: dashamires i populist shqiptar, korife, Mal Berisha, Robert Elsie

Vendimi i Gjykatës së Hagës për Kosovën dhe pengmarrjet e Ramush Haradinajt

March 21, 2017 by dgreca

NGA MAL BERISHA/

1 Mal Haradinaj

Drejt Hagës për Shpalljen e Ligjshmërisë së Pavarësisë së Kosovës./

Atë ditë të 21 korrikut të vitit 2010 po udhëtoja nga qendra e Tiranës, drejt aeroportit të Rinasit dhe dëgjoja programin botëror të BBC. Papritmas dëgjova një lajm që ndërpreu programin: Udhëheqësi i guerilëve shqiptar të Kosovës Ramush Haradinaj sapo është arrestuar dhe është duke u dërguar në burgun e Scheveningenit në Hagë. Ai do të ballafaqohet me akuza të reja për krime të rënda të kryera gjatë  luftës në Kosovë.U shokova, dhe thashë me vete: Si është e mundur? Nesër shpallet opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Dhe ja përsëri dikush e godet kaq fort Kosovën. Në moment telefonova kryeministrin dhe e njoftova për lajmin. Ai ende nuk ishte informuar. i tregova se isha udhës për në Hagë për të ndjekur seancën e nesërme të gjykatës ku pritej të jepej opinioni mbi ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Më uroj rrugë të mbarë. Ndjeva shqetësimin në zërin e tij dhe pak para se të mbyllnim telefonat më tha:

-Dëgjo, sa ditë do qëndrosh në Hagë?

-Tre  ditë,  i thashë.

-Shko bashkë më ambasadorin tonë dhe takojeni Ramush Haradinajn në burg. Bëji të fala nga unë dhe siguroje për mbështetjen tonë. Rrugë e mbarë!

Ankthit të pritjes për dhënien e opinionit përfundimtar mbi legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga GJND, iu  shtua edhe ky fakt. Përse tani? Përse sot? Përse duhej kompromentuar çdo gjë? A nuk prisnin dot edhe dy ditë, tri apo katër?

Pengmarrja e Parë në Hagë

Ramushi nuk ishte nga ata burra që fshihej. Ai u dorëzua herën e parë në mënyrën më burrërore. Vetëm një burrë, një shqiptar nga Dukagjini mund të bënte atë që bëri ai. Në rastin e arrestit të parë, kur ai ishte Kryeministër, mblodhi kabinetin e tij dhe ju shpërndau detyrat si çdo ditë tjetër. Askush nuk dalloi dot qoftë edhe një drithërimë në zërin e tij. Komunikoi, bisedoi, bëri edhe shaka. Mbledhja mbaroi. Kur anëtarët e kabinetit të tij ishin gati të largoheshin, ai iu tha:

-Oh me falni se kam edhe diçka për t’ju kumtuar sot: Që prej këtij momenti unë nuk jam më Kryeministri juaj. Sapo të dalim nga kjo sallë unë iu dorëzohem organeve të drejtësisë ndërkombëtare dhe udhëtoj për Hagë i akuzuar për krime lufte. Kosovës i uroj suksese!

Gjithkush që ishte në atë sallë mbeti i shokuar. Ai u dorëzua vetë. U bë edhe gjyqi ndaj tij. Ai doli i pafajshëm dhe u kthye në atdhe. Natyrisht që postin e Kryeministrit e humbi por fitoi një emër të madh. Në politikë ai u bë edhe më aktiv. Por ja, tani gjendet në Hagë përsëri.  Përsëri peng për herë të dytë.

Në Hagë, në pritje për vendimin e GJND

Në mbrëmjen e datës 21 korrik 2010, arrita në Hagë. Aty më priti ambasadori ynë z. Gazmend Barbullushi. Ai ishte një mik dhe koleg shumë i mirë. Atë natë darkuam bashkë dhe u takuam edhe me delegacionin e Kosovës të drejtuar nga Ministri i Jashtëm z. Skënder Hyseni.  Gjatë darkës shkëmbyem shumë biseda, tregime, shqetësime.

Ambasadori i Kosovës në Hagë na tregoi për ndodhinë e asaj dite më delegacionin serb. Kishte koinçiduar që pala kosovare ishte vendosur në një hotel në qendër të Hagës dhe kishte arritur më përpara se pala serbe. Anëtarët e delegacionit të Kosovës po pinin  kafe në lobin e hotelit. Në atë çast vjen delegacioni serb i drejtuar nga Vuk Jeremiç, Ministër i Jashtëm i Serbisë. Ata futen në hollin e hotelit dhe ndërsa stafi i ambasadës po merrej me sjelljen e bagazheve dhe check – in, Jeremiç vuri re se në hollin e hotelit ishte Ministri  Hyseni dhe pala kosovare. Ai menjëherë i drejtohet ambasadorit të vet:

– Në një hotel me këta jemi të vendosur ne?

– Nuk e di, ishte përgjigjur ambasadori i tij. Nuk e  kam idenë për këtë.

– Si nuk e ke idenë?! Në një hotel me këta do rri unë? iu hakërrye ambasadorit.

– Nuk më paska vajtur mendja, ishte përgjigjur ambasadori.

– Atëherë, mu zhduk që këtej dhe nuk dua të shoh më! Ju tjerët merrni valixhet dhe të ikim menjëherë.

Kështu delegacioni serb u largua menjëherë dhe u vendosën në një hotel tjetër në Hagë.

Kjo ngjarje dukej si një ugur i mirë për ne  shqiptarët. Në fakt, gjykata e kishte mbajtur aq mirë sekretin e opinionit të vet, saqë askush nuk mund të thoshte me siguri se cili do të ishte vendimi. Thjesht mund të hamendësohej.  Kështu kaloi ajo mbrëmje me ethet e pritjes së të nesërmes…

Shpallja e Opinionit të GJND

Ambasadori Barbullushi kishte njohje të lavdërueshme me anëtarë të ndryshëm të Gjykatës Ndërkombëtare. Por frika e tij se kishte gjykatës që ishin tërësisht kundra dhe sa ata mund të përbënin shumicën ishte shumë e madhe. Ai merak i tij tanimë ishte kthyer në një ankth edhe për ne tjerët. Sidoqoftë tani duhej thjesht të prisnim orën 15.00 të datës 22 korrik 2010 dhe të dëgjonim kumtimin e vendimit.

Në orët e para të paradites bëmë një shëtitje para ndërtesës së gjykatës. Ajo është një ndërtesë shumë e bukur, ndoshta më e bukura e Hagës e njohur me emrin Pallati i Paqes ose në gjuhën hollandeze: Vredespaleis.

Pallati i Paqes, Vredespaleis, Hagë

Kjo gjykatë është hapur me datën 28 gusht të vitit 1913. Ajo është krijuar fillimisht si një ndërtesë  simbolike për Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit për ti dhënë fund luftës, si produkt i Konferencës së Paqes së Hagës së vitit 1899. Në atë kohë Andrea Dickson White ishte njeriu që kontribuoi më shumë për ndërtimin e kësaj gjykate. Për këtë ai i shkroi mikut të tij Andre& Carnegie. Në fakt ideja ideja për ngritjen e Pallatit pat filluar në një diskutim midis diplomatit rus Frederik Martnes dhe diplomatit amerikan Andreë &hite në vitin 1900. Ata donin të gjenin një vend për Gjykatën e Arbitrazhit dhe ta  vendosnin në Hagë.  White iu drejtua mikut të vet filantropist Andre& Carnegie. Ky i fundit në vitin 1903 i dha atij një milion e gjysëm dollarë, një shumë e jashtëzakonshme për kohën.  Andre & Carnegie ishte një industrialist i famshëm skocez – amerikan i lindur në vitin 1835 dhe një nga filantropistët më të famshëm në botë. Ai është njeriu që i dhuroi Ne& Jorkut atë që sot quhet Carnegie Hall, një nga qendrat më të bukura muzikore në botë, pa përmendur sa e sa vepra tjera që ka dhuruar gjatë jetës së tij. Pallati është i stilit të rilindjes së vonë.  Ndërtesa është vërtetë një vepër arti. Të tilla janë edhe dhuratat që e dekorojnë atë. Aty ka vazo 3.2 tonëshe e dhuruar nga Rusia, dyer të rënda të dekoruara të dhëna nga Belgjika, mermer të sjellë nga Italia, një shatërvan nga Danimarka, qylyma murale nga Japonia, orë për Sahatin e Kullës nga Zvicra, qylyma persiane nga Irani, dru prej Indonezisë dhe Shteteve të Bashkuara. Brenda tij gjenden buste, portrete të kampionëve të paqes nga e tërë bota dhe nga të gjitha fushat. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është organi më i rëndësishëm juridik i Kombeve të Bashkuara. Gjykata u themelua në vitin 1945 bazuar në një Kartë të Kombeve të Bashkuara dhe filloi punë në muajin Prill të vitit 1946.
Me pak fjalë, ky ishte pallati në të cilin do të futeshim atë ditë për të dëgjuar vendimin mbi opinionin e asaj gjykatë të përbërë prej 15 anëtarësh. Stuartët e gjykatës na treguan se ne duhej të uleshim në anën e djathtë të sallës.  Pasi ishim ulur, erdhi delegacioni serb. Jeremiçi hyri me kokën lart, “parakaloi” (përsëri gabim) para delegacionit tonë dhe me shpejtësi shkoi dhe u vendos në anën tjetër të sallës. Këto veprime më kujtonin plotësisht veprimet diplomatike të kohës së luftës së ftohtë, kur thjesht gjetja rastësore në një mjedis me diplomatin – armik, mund të pasohej me masa represive ndaj atij që nuk kishte bërë kujdesin e duhur.

Në atë moment mu kujtua një histori e treguar nga Konsulli i Përgjithshëm në Stamboll, Enver Zeneli kur po e dorëzonte detyrën në vitin 1992. Ai më pat thënë se ju jeni me fat që do punoni në këtë kohë. Gjatë kohës së punës time, më thoshte ai,  këtu kam qenë i instruktuar që në asnjë rrethanë të mos i jepja dorën rusit, amerikanit, izraelitit.  Nëse kjo ndodhte, unë duhej të kthehesha vetë në shtëpi dhe të mbaja përgjegjësinë. Kështu që ndonjëherë kur shkoja në pritje futesha në salle dhe fap, psh me shfaqej përpara rusi, ndërsa menjëherë djathtas hopa më shfaqej amerikani. Pastaj i shmangesha atij dhe ja ku më dilte përpara një tjetër, izraeliti për shembull. Mos o zot po të qëllonte edhe kinezi! Çfarë duhej të bëja atëherë? Menjëherë duhej të largohesha, ose…

Çastet e shpalljes së vendimit

Gjatë kohës kur Presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, Hisashi Ovada po lexonte vendimin, një gjykatës trupmadh, mbante një kontakt me sy me ambasadorin tonë dhe dukej sikur i thoshte që: Edhe pse unë nuk desha, ja që e arritët atë që deshët. Në fakt më vonë ambasadori më tregoi se ai ishte një gjykatës nga Republika Ceke, i cili kishte qenë kategorisht kundër. Por natyrisht kur shumica në atë gjykatë voton pro ose kundër, pakica i bindet plotësisht shumicës. Kështu vendimi shpallet si vendim unanim.

Leximi i materialit zgjati aq sa nuk e mbaj mend. Ajo që u skalit në kujtesën tonë ishte fjalia magjike e shqiptuar nga gjykatësi Ovada:

“Gjykata ka konkluduar se miratimi i Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit të vitit 2008, nuk e shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit ose Kornizën Kushtetuese. Rrjedhimisht, miratimi i Deklaratës nuk e shkel asnjë ligj të zbatueshëm të së Drejtës Ndërkombëtare”.

Në u ngritëm në  këmbë dhe filluam të përqafoheshim nga gëzimi. Ishte përjetim i rrallë. Dhe në atë përjetim atë ditë më mbeti në mendje largimi kokulur i Vuk Jeremiçit dhe anëtarëve të delegacionit të tij. Pastaj edhe ne u larguam të lumtur sa më s’ka për të festuar bashkë me delegacionin e Republikës së Kosovës.

Vizitë tek i Pengmarruri për herë të Dytë

Ditën tjetër bashkë me ambasadorin vajtëm të shihnim heroin e Kosovës, Ramush Haradinajn  në burgun e Hagës, Scheveningen. Pas procedurave të gjata dhe shpjegimeve për natyrën e takimit, një seri dyersh prej hekurash u hapën dhe u mbyllën njëra pas tjetrës. Arritëm në kafenenë e burgut, u ulëm pranë një tavoline në një si ndarje më vete, ose një dhomëz e ndarë midis tjerave prej nga shiheshim shumë mirë për çdo veprim që mund të bënim nga një treshe policësh të cilët ishin ulur në një si podium. Pas pak aty dha ballë Ramushi. i fortë,  i qeshur, i vendosur, ai shtrëngoi duart me ne dhe u ulëm. Patëm një bisedë interesante dhe unë së pari e urova për Opinionin pozitiv të Gjykatës së Hagës për Kosovën. Ai e shfaqi hapur gëzimin për këtë. Pastaj biseda u përqendrua tek arresti i tij dhe tek pafajësia  e cila do ta kthente përsëri si hero në Prishtinë. Në një moment të bisedës e pyeta:

A e keni parë ndonjë prej serbëve që  gjenden këtu?

Po më tha, i pata parë më parë kur isha herën tjetër, por edhe unë ju shmangem edhe ata më shmangen mua. Milosheviçin e shihja por sa herë e shihja më kapte një ankth dhe ai e ndjente si dukej sepse përherë fshihej pas rojeve dhe qëndronte larg. Radovanin nuk e kam parë. Ai vazhdoi me emrat dhe sapo përmend Sheshelin, ky i fundit kaloi aty pranë na pa dhe u ndal.

O Ramush, si je? i foli ai në serbisht.

Mirë, mirë u përgjigj Ramushi,  ia ktheu me indiferencë. Pastaj ai i tha disa fjalë të cilat ne nuk i kuptuam por Ramushi na i përktheu. I kishte thënë se këtë radhë je këtu sepse  deshën t’ia bënin më të lehtë Tadiçit vendimin e GJND së. Ti je kurbani i kësaj dite.

Ndërsa Shesheli fliste unë pashë në sytë e atij krimineli tërë urrejtjen e tij ndaj shqiptarëve të përmbledhur në atë vështrim agresiv ndaj Ramushit.

Patëm bisedë të gjatë me Ramushin derisa u ndamë me premtimin se asgjë nuk do të kursehej për çlirimin e tij.

Gëzimi i fitores në Hagë kishte edhe brengën për sakrificën e Ramush Haradinajt. Në atë aspekt ndoshta Shesheli kishte të drejtë. Ishte peng për herë të dytë, i atij vendimi të Hagës.

Pengmarrja e Tretë

Prej disa kohësh, z. Haradinaj gjendet i marrë peng për herë të tretë. Tani ai pret një vendim të një gjykate tjetër të një rajoni të Francës, vendit të lirive njerëzore(!)

Edhe pse z Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm nga GJND në Hagë, ai përsëri është ndaluar në Francë, bazuar në një urdhër të lëshuar nga Interpoli me kërkesë të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, lëshuar në vitin 2004!(?) Të ndalosh çlirimtarët me kërkesën e një krimineli, pastaj ti gjesh të pafajshëm, pastaj ti zësh prapë, prapë ti lëshosh dhe prapë ti ndalosh, nuk është asgjë më pak se pengmarrje.

Si atëherë në vitin 2010 kur e vizitova në Hagë, vajta dhe e takova në Strasburg me datën 18 mars 2017. Këtë radhë jo me detyrë shtetërore por në një gjest individual respekti për veprën dhe sakrificat e tij. Kësaj radhe ishte një vizitë tek një mik, tek një patriot, tek një çlirimtar i Kosovës, tek një luftëtar i paepur për lirinë, tek një njeri që e ka gjakun e vëllezërve në themelet e kësaj lirie. Kjo nuk ishte aspak një vizitë tek një politikan kosovar, madje as tek një ish-kryeministër, por tek një shqiptar i ballafaquar me padrejtësinë në emër të drejtësisë.

Mirë u kthefsh në Kosovë!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Gjykata Hages, kosova, Mal Berisha, Ramush Haradinaj

BESA- “ARMA” ME TË CILËN SHQIPTARËT MBROJTËN HEBREJTË

February 6, 2017 by dgreca

IMG_2536-Nga fjala e diplomatit dhe historianit, Mal Berisha, mbajtur në Universitetin e Hawardit në Boston/IMG_2537

Nga Fuat Memelli/IMG_2538Në një nga sallat e Universitetit të Hawardit në Boston,dipllomati dhe historiani Mal Berisha, mbajti një ligjëratë për mbrojtjen që i bëri populli shqiptar hebrejve, gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore.Kjo veprimtari që u zhvillua në kuadrin e Ditës së Holokaustit,u organizua nga Shoqata e Studentëve të Izraelit që banojnë në Izrael dhe studentëve me prejardhje hebraike, që studiojnë në “Kennedy  School University” në Amerikë. Ndihmuan në organizimin e takimit edhe aktori Njazi Isufi, me origjinë nga Kosova , i cili ka mbaruar Universitetin e Emersonit, nga i cili kanë dalë talente në fushën teatrit e kinematografisë si dhe studenti shqiptar në Haward, Kreshnik Berisha.Në takim mernin pjesë studentë me prejardhje hebraike, përfaqësues të shoqatave shqiptare që veprojnë në këtë qytet, studentë shqiptarë studiojnë në Boston, si dhe nga kisha e Shën Gjergjit. Ndodhej edhe perfaqëuesja e studentëve hebrej, Endrju Levine, Agim Rexha, zv. kryetar i “Vatrës”, kryetar i Shoqatës “Mas.Besa” Mark Kosmo, veprimtari nga New Yorku, Marjan Culli, etj. Dipllomati Mal Berisha, me një anglishte të rrjedhëshme, duke e shoqëruar edhe me fotografi e titra ligjëratën e tij, foli për kontributin e shqiptarëve në mbrojtje të hebrejve. Ai solli shëmbuj të familjeve shqiptare që kishin mbrojtur hebrejtë si dhe hebrej të cilët kishte njohur vetë, të shpëtuar falë mbrojtjes nga shqiptarët. Takimi i cili u moderua nga gazetari i shquar Christofer Lydon, i Rdio Open,u ndoq me interes nga pjesëmarrësit. Ata bënë edhe mjaft pyetje , të cilave u dha përgjigje referuesi.

IMG_2540Pas takimit , i morëm një intervistë zotit Mal Berisha.

Pyetje:Cili ishte qëllimi i mbajtjes së kësaj ligjërate?

Përgjigje: Mendova të organizohej kjo veprimtari në kuadrin e Ditës së Holokaustit, e cila është më 27 janar, për të shpalosur para studentëve hebrej e dhe pjesëmarrësve të tjerë, virtutet njerëzore të popullit shqiptar,në mbrojtje të hebrejve nga Holokausti, në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Kjo temë më ka tërhequr vazhdimisht dhe kam lexuar mjaft për këtë çështje. Biseda me këtë temë kam mbajtur qysh nga viti 2013, kur isha ambasador në Londër. Kam qënë në qendrën hebraike në si dhe në sinagogën në Londër,në qendrën hebraike të Vjenës, që është nga më të mëdhatë në Europë. Biseda me këtë temë kam mbajtur në ambasadën tonë në Londër, me trupin dipllomatik në Tiranë, etj. Pra, biseda në Universitetin e Hawardit, është një vazhdim i kësaj punë që kam nisur vite më parë.

1 fuad

Pyetje: Për mbrojtjen e hebrejve nga ana e shqiptarëve, është folur e shkruar mjaft. Cila ishte e veçanta e referatit që mbajtët këtu?

Përgjigje:  Krahas informacionit të përgjithshëm, unë u ndala t’i jap përgjigje një pyetje që bëjnë shpesh hebrejtë: çfarë i shtyu shqiptarët për të mbrojtur hebrejtë, në një kohë kur Europa po i vriste? Përgjigja ishte kjo: besa dhe mikpritja shqiptare që për ne janë të shenjta. Kjo është “arma” që shqiptarët i mbrojtën hebrejtë. Kur një njeri i huaj troket në derën e shqiptarit dhe kërkon ndihmë, ai e hap derën ,e pret dhe e mbron atë.Fakte të tjerë që përmenda në kreferat,ishin disa raste që unë i kam gjetur duke studjuar jetën e Herman Brensteinit, ish ambassador amerikan në Shqipëri, në vitet 1930-1933. Ai vdiq shpejt, por ka lënë një arkiv të pasur. Ndër gjërat që kam parë aty , është arritja e një marrëveshje midis mbretit Zog dhe Ambasadës Amerikane, të përfaqësuar prej tij. Sipas marrëveshjes, konsullatat shqiptare kudo që ishin, do jepnin viza për hebrejtë që donin të vinin në Shqipëri. Ata do të qëndronin sa të kishin nevojë aty ose mund ta përdornin Shqipërinë si tranzit. Ambasada Amerikane do t’i jepte vizë atyre që donin të shkonin në Amerikë.

Pyetje: A kini ndonjë rast interesant me hebrej të shpëtuar njohur?

Përgjigje: Kam një rast të veçantë. Kur isha ambasador na Angli, kam njohur një grua me emrin Scarlet Epstejn. Ajo kishte mundur të shpëtojë falë mbrojtjes nga shqiptarët. Atëherë ishte vetëm 16 vjet. Unë e takova disa herë këtë grua dhe e publikova edhe në Angli rastin e saj. Ka vdekur në vitin 2014,në moshën 93 vjeçare. Kam gjetur edhe ndonjë rast tjetër por më shumë kam studjuar për jetën e tyre. Është i njohur fakti që në një monument për Holokaustin në Jeruzalem, janë skalitur emrat e 73 familjeve shqiptare që mbrojtën hebrejtë.Në raport me popullsinë, në kemi numrin më të madh familjeve që mbrojtën hebrejtë.  Ky është një fakt shumë domethënës. Britania e Madhe ka vetëm 3 emra, ndërsa Amerika 18. Të strehojë një hebre në vitet e Luftës së Dytë Botërore, duhet të merje përsipër një rezik të madh. Ishte njëlloj sikur të kishe në shtëpi një bombë me sahat. Në AND-në shqiptare, miku dhe Zoti, janë të zotët e shtëpisë.

Pyetje: Është folur e shkruar sikur edhe  shkencëtari i shquar me origjinë hebreje, Albert Ajshtajni,është paisur me pasaportë shqiptare, ka marë vizë amerikane në Shqipëri e pastaj ka ardhur në Amerikë. A e kini ndeshur gjëkundi këtë fakt?

Përgjigje: Do kisha shumë dëshirë të ishte i vërtetë ky fakt, por deri tani, nuk e kam ndeshur. Siç përmënda më sipër, unë kam studjuar jetën e ish ambasadorit amerikan në Shqipëri , Herman Bernstein,i cili ka qënë mik i ngushtë i Ajshtajnit. Hermani ka qënë edhe bashkëpunëtor i Ajshtajnit, për ngritjen e Universitetit Hebraik në Izrael. Po të qe i vërtetë ky fakt, pashaportën shqiptare do t’ja jepte Zogu, ndërsa vizën , Hermani. Sikur shkencëtari i shquar, të kishte marë vizë në Shqipëri, Hermani do ta kishte përmendur diku. Edhe në 3000 faqe që unë kam studjuar për hebrejtë dhe Holakaustin, nuk e kam gjetur këtë fakt. Me që ra fjala te ambasadori amerikan Herman Bernstein, dua të përmënd edhe diçka tjetër. Ky ambassador ka lënë shkrime për Shqipërinë, midis tyre edhe një me titull “Tirana, siç e shoh unë nga dritarja e zyrës time”. Është një shkrim shumë interesant për Tiranën e atyre viteve. Edhe diçka tjetër. Ambasadori Herman ka vizituar edhe kishën e Shën Gjon Vladimirit në rrethin e Elbasanit, ku shkonin të krishterë, katolikë e myslimanë. Ai ka lënë një botim prej 13 faqesh ku flet për harmoninë fetare në Shqipëri.Hermani është themeluesi i Ambasadës Amerikane në Tiranë. Kjo është ambasada e parë që ishte pronë amerikane, pasi deri atëherë, godinat e saj në vende të ndryshme të botës, nuk ishin pronë e tyre. Për mua, Ambasada Amerikane në Tiranë, është një monument me vlerë historike.

Pyetje: Ligjërata juaj ishte e ilustruar me mjaft foto. Ju kishit përgatitur edhe një katalog. Çfarë përmbante katalogu?

Përgjigje: Katalogu përmbante foto të disa familjeve shqiptare që kanë strehuar hebrej, hebrej të shpëtuar,foto të ambasadorit amerikan , Herman Bernstein, etj. Kishte edhe sinagogën e Sarandës, ndërtuar në shekullin e pestë. Përmendet fakti që një në fshatin Fterë të Sarandës, ka një vend që quhet “Varri i hebreut”. Një emërtim i tillë, është edhe në brigjet e lumit Osum në Berat. Mendohet se i përket hebreut, Sebbatai Tsevi . Sulltani e ktheu në mysliman dhe e internoi në fillim në Ulqin pastaj e dërguan në Berat ku ka vdekur. Edhe këtë fakt e kam gjetur në botimet e Hermanit, i cili ka bërë hulumtime për hebrejtë në Shqipëri.

Pyetje: A e kini në plan publikimin e ndonjë libri?

Përgjigje: Po, kam një plan. Pas 2-3 muajsh, dua të botoj një libër për jetën dhe veprimtarinë në Shqipëri e më gjerë, të ish ambasadorit amerikan, Herman Brenstein. Ai ka një veprimtari shumë të pasur. Ka shkruar edhe biografinë e Ahmet Zogut, siç ia ka treguar vetë Zogu. Është biografi i parë i mbretit shqiptar. Ka qënë mik i tre presidentëve amerikanë. Është njeri me kontribut edhe në arenën ndërkombëtare në mbrojtje të paqes.Them se do të jetë një libër me interes.

Faleminderit për intervistën.

***

CILI ESHTE MAL BERISHA?

Ka shërbyer si ambasador i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, Irlandës së Veriut dhe Irlandës, nga viti 2012 deri në vitin 2015. Më parë ka qenë  konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Stamboll, nga viti 1993-1997. Në vitin 1998, pas përfundimit të misionit në Turqi, iu bashkua Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane (LQSHA) e udhëhequr nga ish kongresmeni, Hon. Joseph DioGuardi si dhe Federatës Pan – Shqiptare të Amerikës “VATRA”, duke kontribuar në përpjekjet e palodhura të shqiptaro-amerikanëve për të zgjidhur çështjen e Kosovës. Në vitin 2000 iu bashkua Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) në Kosovë, për të ndihmuar në ndërtimin e institucioneve demokratike. Pasi kaloi thuajse një dekadë në Kosovë, u kthye në Shqipëri, ku u emërua  drejtor i Përgjithshëm i Çështjeve Rajonale dhe Iniciativave në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ështe diplomuar në Akademinë e Arteve të Shqipërisë. Jeta e tij ka qenë e lidhur ngushtë me jetën kulturore në Shqipëri. Ai është  studjues, historian dhe ka botuar një numër librash e artikujsh në lidhje me tema të ndryshme të historisë, kulturës dhe diplomacisë.

Mal Berisha ka iniciuar ngritjen e dy monumenteve të heroit kombëtar shqiptar Skënderbej. I pari është përuruar më 28 Nëntor 2012, në njëqind vjetorin e Pavaresise së Shqipërisë dhe është e vendosur në 113 Inverness Terrace, London W2 6JH. Një tjetër bust është vendosur në Sheshin Skënderbej, në Munxhufuni (Montecilfone), në Molise Regione, një fshat i populluar nga arbëreshë.

Mal Berisha është mbajtës i Urdhërit ” Kalores i Francis se Pare”( KFCO)”.

Filed Under: Featured Tagged With: BESA- "ARMA" ME TË CILËN SHQIPTARËT MBROJTËN HEBREJTË, Fuat Memelli, Mal Berisha

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 12
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT