• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AT GJERGJ FISHTA, PATRIOTI I MADH PENDARTË I KOMBIT SHQIPTAR

October 19, 2021 by s p

Nga Marash GILAJ */

Të shkruash një monografi për një kolos si At Gjergj Fishta është një sipërmarrje sa e guximshme aq edhe patriotike e vlerësuese. Kjo do të thotë të bësh një studim shkencor të gjërë, të hollësishëm deri në detaje. Është gjithë jeta e një njeriu të përkushtuar ndaj kombit dhe fesë. Kësaj ia ka arritur me sukses historiani dhe publicisti i mirënjohur i Malësisë së Madhe, Z. Ndue Bacaj. Me thjeshtësinë që e karakterizon autorin, ai pohon se ndihet i vogël para kësaj figure madhështore, prandaj, veprimtarí të tilla duan guxim, vullnet, durim, kohë dhe punë të madhe për të gërmuar e mbledhur gjithë materialin e nevojshëm. Këto karakteristika nuk i mungojnë autorit të kësaj vepre dhe këtë e tregon më së miri libri i tij i gjashtë që do të lexoni. Më tej autori i librit thotë se këtij patrioti, mendimtari e veprimtari të shquar i kemi një borxh të madh që rëndon “si guri i pendesës” mbi ndërgjegjën tonë. Dhe se ky borxh duhet paguar.

Që nga tituli i librit, “At Gjergj Fishta, patriot i madh, pendartë i kombit shqiptar” tregon se autori i ka dhënë vlerësimin e parë shumë të merituar. 

Duke lexuar librim do të mësojmë se At Gjergj Fishta e donte shumë kombin dhe fenë. Për këtë flasin veprat e tij në shumë fusha. 

Lahuta e Malcisë, si vepra më e madhe e shkruar në vargje, është krahasuar me Iliadën e Homerit, shoqërohet edhe me shumë vepra të tjera në poezi, që së bashku me veprën kryesore shkojnë në rreth 50 000 vargje. Ai na ka lënë edhe 700 faqe të shkruara në prozë, thotë autori. Gjergj Fishta nuk ishte vetëm poet, ai njihet si publicist, diplomat, filozof, psikolog, dijetar e fetar. Ai ishte poliglot, njihte dhe fliste 5 gjuhë të huaja. Në moshën 16 vjeç shkruan vjershat e para. Kur u bë 23 vjeç, celebron meshën e parë. Nga monografia mësojmë se ai kryesoi Kongresin e Manastirit, më 1908, kur u vendos për alfabetin që do të përdorte Shqipëria. 

Ai njihet si symbol i binomit Fe e Atdhe, na thotë autori i librit. 

Ka themeluar e botuar revista si: “Hylli I Dritës” apo “Posta Shqipëtare. Ka qënë bashkëthemelues i gazetës “Ora e Maleve.” Lufta e tij në mbrojtje të kufinjve të atdheut, e gjen pjesëmarrës në Konferencēn e Paqës në Paris më 1919. 

Është interesante, kur mëson se Fishta ishte edhe arkitekt i marrëdhënieve diplomatike Shqipëri – SHBA, pjesëmarrës në Konferencën e Bukureshtit për sheshimin e mosmarrëveshjeve ballkanike. Këto veprimtari dhe të tjera tregojnë gjithanshmërinë e tij në shërbim të kombit. 

Pa dashur të futem në hollësi të librit dhe të shuaj kureshtjen e lexuesve po vazhdoj të përmend shkurtimisht vetëm disa gjëra kryesore. Duke lexuar librin më në thellësi, mësojmë se Fishta ishte edhe piktor apo themelues teatri.

Edhe pse i ndaluar e i mohuar nga regjimi, malësorët, sado të pashkollë që ishin, dinin përmendësh qindra vargje të Lahutës së Malcisë. At Gjergj Fishta, siç na thotë autori, ka marrë shumë vlerësime, medalje, bile është propozuar edhe për çmimin “Nobël.”

Sidoqoftë, po t’i referohemi një thënie të A. Ajnshtajnit, i cili thotë: “Vlera e njeriut duhet të matet me ato që jep dhe jo me ato që merr”, del se At Gjergji dha shumë, por mori pak dhe për këtë, vlera e tij rritet edhe më shumë, nëse duam dhe dimë ta vlerësojmë.

Shumë studiues, historianë e shkrimtarë vendas apo të huaj kanë dhënë vlerësimet e tyre për këtë figurë që na bën krenar të gjithëve. Nuk mungon midis 40 vlerësuesve, që rreshton autori, as mohuesi i veprës së tij, Ismail Kadare, i cili e shpërfill dhe e denigron. 

Me të drejtë, autori ankohet dhe bën thirrje që kjo figurë kaq e madhe, kaq patriote, me një aktivitet dhe prodhimtari letrare për t’u admiruar e pasur zili, por e kritikuar dhe e lënë në heshtje nga regjimi hoxhist, duhet rivlerësuar, me të gjitha meritat që i takojnë, duke e përjetësuar emrin e tij tek ndonjë shesh, rrugë apo shkollë në Malësi të Madhe, në tabanin ku “mbështeti” Lahutë… E pse jo, edhe busti i tij, nuk duhet të mungojë. Pse duhet të tregohemi kaq mosmirënjohës ndaj një figure si At Gjergj Fishta? A nuk na mbush me krenari vepra e tij? Të mos dish historinë e kombit tend, do të thotë të mbetesh përherë fëmijë. Kur historia harrohet ajo përsëritet, kanë thënë njerëzit e urtë. Siç duket, ne shqipëtarët, (sunduesit tanë, më saktë) pasi e mohuam këtë figurë madhështore për gati 50 vjet, ende nuk e kemi vënë në piedestalin që meriton. Këtë e kanë bërë sunduesit tonë që punuan si Judë për vendin e tyre. Fjalët dhe veprat e Fishtës janë dhe mbeten aktuale edhe për ditët që jetojmë sot. Figura e Gjergj Fishtës i bën nder kombit, ia lartëson vlerat jo vetëm në sy të shqipëtarëve, por edhe të botës. Njerëz si ai lindin rrallë.  Duke përfunduar mendimet e mia shkurtimisht për këtë vepër dhe personazhin e saj, dua t’i uroj Z. Ndue Bacaj që pena e tij të mos pushojë së shkruari për patriotë të ngjashëm me Fishtën e madh dhe probleme të tjera që shqetësojnë kombin. Falemnderit që ma dhatë këtë mundësi. 

Libri është botim i një cilësie shumë të lartë nga Shtepia Botuese FIORENTIA -Shkodër dhe është sponsorizua nga Shoqata Atdhetare “Malësia e Madhe” Michigan-SHBA. 

*Redaktor i librit 

Shkodër, me 18 tetor 2021

Filed Under: LETERSI Tagged With: Marash Gilaj, Ndue Bacaj

Shqipëria e Ambasadorëve

September 19, 2021 by s p

Marash Gilaj

Kur lexuam intervistën e fundit të ambasadorit të BE-së, Luigi Soreca, i cili flet për një fillim të bukur pas zgjedhjeve, në këtë Shtator, për bashkëpunim midis dy forcave kryesore politike, për integrimin apo reformat që, sipas tij, po ecin krejt mirë, ne që jetojmë këtu, na duket se flitet për suksese imagjinare. Realiteti duket i zymtë dhe pa shpresë ndryshimi. Periudha 8 vjeçare e kaluar me njëmijë probleme e skandale tregon të kundërtën e asaj që predendon Z. Soreca dhe ndonjë tjetër. Të njëjtën gjë mund të themi për këshilltarër e qeverisë si puna e Batonit e të tjerëve. Në lidhje më këto, kam parasysh edhe reagimin e Z. Martin Henzë, këshilltar i CDU-së në Gjrmani, i cili e kritikon ambasadorin Soreca për ato që pohon në intervistën e tij. Midis të tjerave, ai i kujton këtij të fundit se ato që po thotë për reformat, integrimin dhe arritjet në përgjithësi janë qesharake, duke shprehur habi se si mund t’i quajë arritje apo suksese. Me ironi e pyet se ku i ka parë këto. Ku dhe kur kanë ndodhur?, do të shtoja unë.

Ju që monitoroni ecurinë e punëve të qeverisë, sidomos reformat, integrimin, korrupsionin, zgjedhjet, mungesën e sundimit të ligjit, drogërat, trafikimin e tyre, krimin e organizuar në përgjithësi, shpopullimin dhe varfërinë e popullit tonë, pse nuk u thoni qeveritarëve tonë se këto nuk ndodhin në vendet tona deri në këtë nivel dhe se kështu nuk ka përparim, reforma as integrim. Pse nuk ua bëni të qartë se me këto që ndodhin këtu, kemi vetëm kthim pas. Natyrshëm lind pyetja: “A lejohen këto në vendet tuaja?”Si do të vepronin qeveritë tuaja në kushte të tilla? Po populli si do të reagonte? 

Kur ju u bëni “marshallah” punëve të këqija që ndodhin tek ne,  bëheni bashkëpunëtorë dhe paterica për të mbajtur në këmbë një regjim të dale boje e mode, i cili i ngjan më shumë diktaturës se sa demokracisë. 

Z. Soreca na thotë se BE-ja i ka dhënë e do t’i jape Shqipërisë miliona euro për ta ndihmuar, por e di ky se ku shkojnë këto para? Si përdoren, e ku përfundojnë? Mjafton të shikoni tenderat për rrugët, ku një km rrugë asfaltohet me 4-5 fishin e normales, për kapelet e policisë me 10 fishin dhe do të nxirrni një farë konkluzioni. Për çfarë besimi flisni se medemek punët do tē shkojnë mbarë? Nuk i njihni ju këta? Aq më qesharake duket vlerësimi i këshilltarit Baton Haxhiu, kur bën bilancin dhe parashikon të ardhmen. Le të përmendim disa prej tyre. Flet për zgjedhje “të fituara”, edhe pse e quan “Vallëzimi i fundit i E. Ramës, për arritje në shumë fusha, se paska krijuar shtet modern, se tranzicioni mbyllet me mandatin e tretë dhe se do të mbahet mend si lideri që e realizoi këtë. Si cilësi dhe zotësi të tij na tregon se ai i ka tredhur socialistët dhe rilindasit, se është i pamëashirshëm, se armiqët e tij do të përpiqen t’i zbejnë “lavdinë e tij.” Na qënka edhe i lavdishëm qafiri!? Servilizëm i pashoq.

Por nuk mund të rrimë pa i kujtuar çdo ambasadori apo këshilltari se mjafton të analizojmë zgjedhjet e 25 Prillit 2021, për të parë sa të lira ishin, sa të ndershme dhe a nuk u përdor administrata në zgjedhje, paratë, patronazhistët, bllokimi i emigrantëve, bandat, legalizimet, shpërblimet për dëmet e termetit, punësimet shtesë, shantazhi e çdo gjē tjetër e jashtëligjshme. Tani “Dosja 184” përfshiu gjithë Shqipërinë, ndersa drejtësia e “reformuar” bën gjumin letargjik. Por, sipas atyre që i monitoruan, na doli se ato ishin zgjedhje të mirëorganizuara e të qeta, kur gjithçka ishte e paligjshme, edhe pse kryeqeveriu i përshëndeti patronazhistët, ato zgjedhje prodhuan një qeveri të paligjshme. Nuk duhet harruar se një palë zgjedhje para tyre ishin moniste, në vend që të shperndahej parlamenti dhe të shkonim në zgjedhje të reja. Çdo shtet normal, kështu do të kishte vepruar, duke filluar nga Kosova e të tjerë me radhë, por falë kundërshtisë së ambasadorëve, ishte më mirë të kishim zgjedhje si në diktaturë se sa zgjedhje të parakohëshme të pushtetit qëndror e pastaj atij lokal. 

Sa për reformën në drejtësi, mund të thuhet me plot gojën se ajo lindi e vdekur, s’është e pavarur, por e kapur, nuk funksionon, i ngjan asaj të kohës hoxhiste dhe është më e vjetër se e vjetra. 

Po me integrimin çfarë po ndodh? E dinë ambasadorët pse nuk integohemi? I dinë ata kushtet? Sa janë? Pse na lavdërojnë? Gjoja paskemi bërë përparime, por ato nuk duken. Ju merrni rrogat dhe nganjëhë dekoratat për moshapje negociatash! Kjo sjellje juaja na ndihmon apo na dëmton? I pari i katundit nuk e do Integrimin sepse livadhis më lirshëm. Pastaj konsultohet me Erdoganin dhe Vuçiçin, që të ketë sukses në këtë drejtim. Miqësia e tij me këta të dy ngjan me miqësinë që kishte dikur Enveri me Mugoshën e Popoviçin. Ky arrin deri atje sa ju jep këshilla BE-së, Kosovës, Bullgarisë apo NATO-s e kujtdo tjetër, edhe pse punët e veta i ka mysibet. Mbetet që Evropa të arrijë nivelin tonë dhe të shohim, nëse do ta pranojmë në gjirin tonë ose jo. Në këto kushte, na doli në dritë Minishengeni, pastaj Open Balkan, se ky emri dytë tingëllon më bukur, duke harruar të parin. Kështu ka ndërruar edhe emrin e partisë herëpashere. Nuk e di përse i këshillojnë qeveritarët tanë dhe nëse këta nuk i dëgjojnë cili duhet të ishte qëndrimi i ambasadorëve? Po Z. Blair për çfarë mund ta ketë këshilluar vallë z. Rama? Ndoshta e vetmja këshillë që vlen, por nuk duket se do të rregullohet ishte ajo që tha Batoni: “Rama duhet të rregullojë raportet me Kosovën.” Po diçka tjetër? Sepse ka shumë për ta këshilluar, për ta korrigjuar. I duhet thënë ndal se e djallose fare! E dinë ambasadorët se Shqipëria është” lavatriçe” e pastrimit të parave të pista?  

Gjatë 8 viteve në pushtet të PS-së apo Rilindjes, siç ka merak ta quaj I gjati, ky ka ushtruar pushtetin e tij personal, duke e treguar veten më të fortë se shteti, se demokracia, se ligjet dhe Kushtetuta, ndersa ju e lavdëroni dhe e mbështesni në çdo skandal si: zgjedhjet katastrofë e moniste, për drogën, shembjen vandale të teatrit, korrupsionin kapilar, duke e lejuar e miratuar kur flet për suksese imagjinare. Pse e lejoni të tregojë të njëjtat përralla dimrore, në çdo stinë të vitit?

A s’ju duket qesharake, kur tha se kishte caktuar 4 ministre shteti , edhe pse shteti mungon çdo ditë. Dikush pyeti me ironi:” Mirë se ministëre paska boll, por shteti ku është?” Deri në këtë derexhe kemi arritur. E dini ju se qeveritarët u janë turrur pasurive kombëtare si çakenj a ujqër të uritur. Ata bëjnë pazare e allishverishe me pasuritë e vendit. Pse drejtësia “e reformuar “nuk ndjek paranë si e vetmja rrugë për të vënë para përgjegjësisë grabitqarët, hajdutët apo “peshqit e mëdhenj”?

Ju ka shkuar mendja ndonjëherë si arritën këta qeveritarë të kenë apartamente, vila luksoze,para me thasë, lagje të veçanta, që populli i quan me respekt “Lagjet e hajdutëve.”

Besoj se edhe ju e dini, tashmë, se natyra është treguar bujare me vendin tonë duke na dhënë klimë të butë, det, lumenj, bjeshkë, vende, ku mund të lulëzojë turizmi. plazhi, të rriten bimë e fruta gjithfarësh, me tokë e nëntokë shumë të pasur. Megjithatë jemi shumë të varfër. Kjo ndodh për faj të atyre që bëjnë rolin e udhëhumburit dhe jo të udhëheqësit.

Ka 8 vjet që dëgjojmë vetëm gënjeshtra, por ato, siç thotë Volteri, të mbajnë gjithnjë nën zgjedhë. Dhe pastaj, gënjeshtrat mbrohen vetëm me gënjeshtra. Mashtrimi na qënka një çmenduri e bukur. 

Për ta pastruar këtë klasë politike duhet vetingu në politikë dhe testi i drogës që të zbulohet se kush ka bërë burg jashtë vendit, pse e ka ndërruar emrin etj. Ende nuk i nohët këta Judë të vendit të vet?

Nuk ju vjen keq që Shqipëria ecën së prapthi? Pse flisni me gjuhën e Ramës për suksese imagjinare?  Dështimet nuk janë suksese as përparime. Deklarimet tuaja vetëm po na përçajnë. 

Mbase, vetëm piktorit i lejohet ta bëjë të zezën të bardhë. Po ne të tjerëve a na lejohet?

Udhëhumburit i jepni statusin e “Shejtanit politik”, se e meriton. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Marash Gilaj, Shqiperia e Ambasadoreve

Pseudorilindja ishte dhe mbeti nostalgjike e diktaturës komuniste

September 6, 2021 by s p

Nga Marash Gilaj

Fjalimi manifest i të ndjerit Dritero Agolli në Kongresin e 10 – të të PPSH- së, 30 vjet më parë, u quajt si kongresi i rinovimit, por kundërshtimet e shumta nga  pjesëmarrësit treguan se ata nuk do t’i njihnin kurrë gabimet, fajet dhe krimet që kishin bërë gjatë periudhës diktatoriale hoxhiste, se ata nuk do të shkëputeshin kurrë prej asaj mizorie. “Duhen flakur dogmat e mbyllur ai kapitull turpi, duke ndryshuar mentalitetin, botëkuptimin, dënuar me fjalë e vepra të shkuarën komuniste, izolimin, luftën e klasave, burgosjet e internimet pa faj të mijëra shqipëtarëve, varfërinë e tejskajshme si rezultat i politikave të gabuara, që ndiqeshin atëherë në bujqësi e blegtori”, këmbëngulte Driteroi. Ndersa, më fanatikët i sillnin pusulla, e kundërshtonin, e kërcënonin me fjalë e gjeste, duke bërtitur me sa u hante gabzherri: “Parti – Enver, jemi gati kurdoherë!” Edhe pse kanë kaluar tre dekada, nostalgjikët, pseudorilindasit e sotëm, mendojnë se duke ndërruar emrin e partisë, kanë bërë metamorfozë të mirëfilltë, por, në fakt, ngjajnë bash me ata, edhe pse kanë ndryshuar emrat disa herë për të fshehur krimet e bëra jashtë apo brënda vendit. Kujtojmë PKSH -në, PPSH -në dhe së fundi PSSH- në. Për ta bërë edhe më interesante këtë lojë me emra të rinj, të sajuar nga ndonjë mendje djallëzore e cinike, tashmë, kemi Rilindjen, një emër fallso, që për nga fjalët e thëna nga ideuesit e saj bashkë me veprat, që kemi parë në tetë vite, ngjan më shumë me diktaturën se me demokracinë. Këtë e vërteton më së miri edhe deklarata e kryeqeveriut, kur tha se ata që sundonin në kohën e diktaturës ishin në anën e duhur të historisë. Këtë e përforcoi edhe deputetja stërgjyshe, kur tha se Enveri kishte më shumë anë të mira se të liga. Pra, kemi të bëjmë me një kthim pas dhe një qeveri antidemokratike, sepse të tillë e bën, në radhë të parë, mungesa e zgjedhjeve të lira e të ndershme, e përsëritur disa herë nga partia në pushtet. Kulmi arriti, kur ajo bëri zgjedhje lokale moniste, në vend që të jepte dorëheqjen dhe të organizonte zgjedhje të lira e të ndershme për pushtetin qëndror. Ambicja për pushtet të pakufizuar si në diktaturë, bën që votimet të mos jenë as të lira e as të ndershme, të mos kesh të drejtë të zgjedhësh njeriun e duhur, të ndershmin, intelektualin e vërtetë me dinjitet e integritet të lakmueshëm, duke deformuar vullnetin e shqipëtarëve

Po të ishte gjallë Tarrasi, do t’i kishte thënë: “Bravo! Ky është guxim prej të marri”. Heshtja e ambasadorëve që na monitorojnë, ishte aprovim. Ky lloj qëndrimi i vuri vulën dhe damkën e zezë asaj që bëri vaki. 

Të vish në pushtet me ndihmën “e çunave problematikë’, horrave dhe kriminelëve dhe ta mbash pushtetin bashkë me ta, do të thotë se ti je i paligjshëm. Ky është shembulli më i keq që i jep popullit tend, në veçanti, rinisë. Ti i ngjan atij që sundoi e masakroi këtë popull për afro 50 vjet. Pra, nuk je shkëputur nga Hitleri shqipëtar. Një qeveri si kjo që kemi nuk mund të bëjë asnjë reformë, në asnjë fushë të jetës, pasi kriminelët, edhe kur i votojnë ligjet në parlament, pengojnë zbatimin e tyre në bashkëpunim me mafian. Sepse ato ligje janë edhe kundër tyre. Kur qeveria dhe parlamenti janë kundër zbatimit të ligjeve, kur i shkelin ato në çdo hap, atëherë edhe prokuroritë e gjykatat veprojnë si ato, nën shembullin dhe kërcënimin e tyre. Edhe kur gjykata dënon ndonjërin, ajo, më së shumti është “gjueti shtrigash”, drejtësi selektive ose shantazh. Para 30 vitesh dënimet bëheshin me urdhër partie, qofshin ato me burg, me internim ose pushkatim. Kësaj hyllie i shkohet edhe sot. Është kryeqeveriu që jep opinionin i pari se kush ka faj e kush nuk ka, që na tregoi se zërin e një të akuzuari dhe akuzuesi e kishte verifikuar vetë në laboratorët e fjalës së fundit të teknikës dhe shkëncës. ( Kujtoni Babalen).

Sipas të gjitha të dhënave që vinë nga INSTAT apo organizma nderkombëtare të besueshme, jemi vendi më i korruptuar, ku krimi i organizuar bën hatanë, jemi më të varfërit, prodhues dhe shpërndarës droge, kampion Evrope e më gjërë, me shumë të papunë, me emigrim masiv sikur të ishim në luftë. Nga skllevër të bindur që ishim në diktaturë, tashmë, jemi këthyer në skllevër të shitur e të blerë. Ndersa “I gjati” simulon e aktron. Problemet që nuk i zgjidh drejtësia “e reformuar”, i zgjidhim vetë me kallashin që lan hesapet, duke bërë vetëgjyqësinë, si në kohën e Kanunit të Lekës. Sa larg kemi shkuar në kohërat e kaluara! Sa shumë i jemi larguar Evropës! Ky është rezultati i keqqeverisjes 8 vjeçare dhe nostalgjisë enveriste, edhe pse Rama flet për suksese imagjinare çdo ditë. Kështu fliste edhe Enveri. 

Pasi ka arritur të ketë në dorë të gjitha pushtetet, mediat, për të qënë mbi ligjin, për përfitim personal dhe fuqizim të pushtetit të tij, nuk ka mbetur pas Enverit. Tashmë, ia dimë huqet. Ai bën çmos për të kontrolluar gjithçka. 

Pseudorilindasit varrosën çdo shpresë për të pasur demokraci, për të ndertuar shtet dhe përdhosën çdo dinjitet njerëzor. Na mashtruan, na vodhën e na grabitën ekonomikisht, duke na vrarë shpirtërisht e moralisht. Nē anën tjetër, duke promovuar antivlerat, vranë nderin që të jetojë turpi. 

Prandaj i kemi rrogat kaq të vogla dhe rreth gjysma e pensionistëve paguhen nën minimumin jetik. Fukarallëk e maskarallëk. Po patronazhistët , nuk janë si spiunët e asaj kohe? E shikoni sa shumë ngjani me baballarët?!  E katranosët në çdo drejtim.  Popullit ia shtuat brëngat e dertet. Jeni klikë sunduese. 

Sloganet: “Shqipëria që duam”,” Policia që duam”etj. tingëllojnë aq hipokrite, qesharake e cinike sa edhe qëntë e rrugëve i bëni të qeshin. Edhe atëherë kishte slogane si: “Çfarë do populli bën partia.” Por ndodhte e kundërta. 

Kjo vërtetohet duke parë se ku jemi me lirinë, drejtësinë, ekonominë, sigurinë, borxhin, integrimin, korrupsionin, tenderat sekret, PPP-të dhe inceratorët, që mbajnë erë rilindje. Shohim një polici politike që i shërben pushtetit, që merret me trafik droge, që shkel ligjet çdo ditë.  

Çudia me këtë lloj politike, demokracie apo shkelje ligjesh duket edhe më e madhe, kur e dimë se monitorohemi edhe nga Bashkimi Evropian e të tjerë. 

Sipas asaj që ka ndodhur, institucionet nuk na duhen më. Ato i shqyen dhe i kapën me bekimin e nderkombëtarëve. Këta të fundit janë të interesuar vetëm për stabilokracinë. A nuk i kishim kështu institucionet edhe në diktaturë? Ata që e kanë jetuar atë kohë, e dinë mirë. Pseudorilindasit nuk e dënojnë të kaluarën komuniste, nuk shkëputen dot nga ai mentalitet e mënyrë sundimi. “Naltgjatësia” e tij mendon se është i pagabueshëm, si gjitholog, se ka të drejtë në gjithçka thotë e bën, se zotëron idetë më gjeniale njerëzore , se është i pazëvënsueshëm dhe i përjetshëm. Tamam sundimtar diktatorial e oriental. 

Tek ne është instaluar modeli i antivlerave. Populli jeton i lumtur në mizerje. 

Kështu ndodh e do të ndodh, kur i beson njeriut që e ke provuar dhe e di se nuk vlen. A nuk është si të blesh përsëri gomarin që ke shitur para do kohe , sepse kishte defekte të pariparueshme? Dhe vazhdon e krekoset pa asnjë arritje, pa asnjë meritë të qënësishme. Enveri jeton midis nesh, edhe pse e dinim të vdekur. O turp, ku e ke skuqjen e fytyrës! 

Duhet të zgjohemi e të bashkohemi për të reaguar fuqishëm ndaj së keqes që na ka zënë. 

6 Shtator 2021

Filed Under: Analiza Tagged With: Marash Gilaj, Pseudorilindja

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT