NGA DALIP GRECA
Si sot, dy vjet të shkuara, ndërroi jetë një nga ikonat e Kelmendit, Marash Mrnaçaj. Ishte paraditja e së Enjtes të 10 tetorit 2019, kur zemra e lodhur e Marashit pushoi së rrahuri në White Plaince Hospital.Familja e dashur që e pat rrethuar me aq shumë dashuri gjatë të gjithë jetës, edhe në ato çaste ishte pranë tij. Në sytë e tyre u shua njeriu që e kishte udhëheqë me zotësinë e një kapiteni të sprovuar familjen e tij, që e kishte drejtuar me mençuri anijen në dallgët e rrezikshme të jetës. Nuk ishte e lehtë t’i prije familjes së madhe të kapërcente kufirin në kohën e diktaturës,me pleq e fëmijë të vegjël, së bashku me bagëtitë, në një natë me terr e stuhi bore. Po me zotsinë e një kapiteni ai e voziti anijen(familjen) nëpër Ish Jugosllavi, Itali, derisa e ankoroi në portet e Lirisë amerikane. Të gjitha betejat jetësore Marashi i fitoi me zotsi dhe familja e tij e madhe ndjehet krenare për kapitenin e saj, edhe pas vdekjes.
Sot në Kishën Katolike Shqiptare ’Zoja e Shkodrës’ në Hartsdale, Nju Jork, do të mbahet meshë për shpirtin e Marashit, ndërkohë që familja do të shkojë në varrezat Gate of Haeven në Westchester, ku prehet Marashi dhe pjestarët e tjerë të familjes së Mrnaçajve.
Edhe vitin e kaluar me 10 tetor 2020, një vit pas ikjes nga jeta toksore, Marash Mrnaçaj u përkujtua me nderim e respekt të thellë nga familja e madhe dhe miqtë. Edhe pas ikjes së tij, familja e madhe ( Mrnaçajt e kalojnë numrin 100 e pjestarëve), ndjehet e bashkuar rreth simbolit të tyre,kapitenit të tyre, ikonës së Kelmendit,njeriut që sfidoi dhe u kthye në simbol qëndrushmërie. Dera e Shtëpisë së Mrnaçajve është përherë e hapur për miqtë falë frymës së dashurisë njerëzore që u përcolli ai fëmijëve, mbesave dhe nipërve. Mësimet e Marashit mbeten jetësore, njerëzore, përcillnin besim dhe shpresë.
Duke pasë pranë vetes gjysmën e Tij, një bashkshorte si Mrija, Shtëpia e Mrnaçajve mbetet derë e hapur Kelmendase në Nju Jork.Marashi i edukoi pasardhësit e vet me frymën e besimit,miqësisë, respektit për veten dhe të tjerët, i edukoi me frymën e dashurisë, Lutjes e Besimit në Zot!
Filozofia e tij jetësore mbështetej në porosi të tilla si: Kembengul dhe mos u dorëzo asnjëhere!Nëse do të arrish diçka ,puno shumë dhe kurrë mos u dorëzo!
Shembull ishte ai vetë, kurrë nuk u dorëzua-Qëndroi stoik, i patundur nga shtërngatat jetsore, si malet nga vinte, edhe kur jeta ndodhej e rrezikuar buzë honeve që mund ta përpinin atë dhe familjen, ai sërish ia dilte.
Marashi ishte një njeri me karakter të forte, që e kishte sfiduar vdekjen shumë herë gjatë jetës se tij.E kishte sfiduar vdekjen duke besuar fort tek jeta.Kurrë nuk qe dorëzuar, as kur i arrestuan e burgosën vëllanë Nikollën,-që i kaloi dy dekada në burg dhe gjithë familjen të internuar kampeve të vdekjes; as kur humbi jetën, në emër të idealeve, i biri, Nika(I kthyer në simbol të Ditës së Lirisë Shqiptare në Nju Jork).
Ka shumë sfida në jetën e Marash Mrnaçajt, që ai i kapërceu me zotsi. Sfida me e rrezikshme ishte ajo e arratisjes pas burgosjes të vëllait Nikollës. Arratisja u bë në një mot të ashpër me acar, erë dhe borë. Ishte 21 dhjetori i vitit 1959. U arratisën burra e gra, pleq, fëmijë e bagëti-dele, lopë e mushka. Edhe sot Mrija e ka të vështirë të heqë nga kujtesa imazhet e akullta të asaj nate me terr, të ftohtë të acartë, bore mbi një metër, kur ajo shtërngonte fëmijët në gjoks dhe i ngrohte me frymën e saj prej nënë. Prindërit e Marashit që ishin në moshë të thyer dhe fëmijët e vegjël, e kishin të vështirë ta përballonin atë rrugëtim, gati ishin ngrirë nga stuhia. Ndoshta ata, fëmijët dhe pleqtë, ishin ëngjëjt që i shpëtuan edhe të rriturit atë natë dimri. Guximi i Marashit, besimi në Zot, u dha fuqi të gjithëve që ta kapërcenin kufirin, edhe pse u endën për shumë kohë nëpër terr e borë, në një rrugë që normalisht nuk mbante më shumë se 1 orë nga shtëpia e tyre, ndërsa ata e përshkuan për 22 orë nga që edhe mjegulla e terrin ua pengonin orientimin. Disa here u kthyen në pikën e nisjes.
Sfidë tjetër ishte sigurimi i jetesës në Titograd, ku e vendosën me familjen. Marashi punoi fort, siguroi jetesën dhe e ndërtoi vetë shtëpinë, falë forcës së krahëve, pa i hyrë në borxh kujt.
Marashi ishte si ai timonieri i mirë, që falë zotsisë, arrinë ta nxjerrë anijen në breg edhe në shtërngatë. Pas tetë vitesh në Ish Jugosllavi, arriti të emigrojë në Itali dhe që andej më 1967 në krye të familjes mbërriti në Amerikën e ëndrrave, ku u ankorua anija e fatit të tij.
Pa shumë shkollë, pa e ditur gjuhën angleze, me guxim iu fut biznesit dhe sërish sfidoi duke shënuar sukses. Ai u kthye në një biznesmen të suksesshëm me ndërtesat e veta, që i gëzon dhe i administron familja edhe sot.Por suksesi më i madh i Marashit ishte edukimi i fëmijëve, përcjellja e dashurisë dhe respektit për njeri-tjetrin, për mikun,fqinjin, dashuria dhe besimi i patundur në Zot. Jo vetëm fëmijët e Marashit, por dhe fëmijët e fëmijëve, e donin me shpirt, edhe sot betohen ‘për kokën e tatës’. Ai ishte gjithçka për ata, një gjysh frymëzues, një ikonë e gjallë.
Edhe sot, familja Mrnacaj nuk mungon në asnjë prej ngjarjeve të komunitetit, në ngjarje të gëzuara apo në morte, ajo përcjell respekt dhe fisnikëri të trashëguar nga Marashi.
Tek i pyesja gjatë përvjetorit të parë të pasvdekjes, mbesat dhe nipat- Si e kujtoni gjyshin Marash? Përgjigja që marr është kjo : Tata (kështu e thërrisnin) ishte gjithçka për ne. Ne mezi prisnim të takoheshim me atë gjat fundjavëve.
Citoj të bijën, Verën: Mëngjesin e 10 Tetorit 2019,Zoti e mori pranë vetes babain për t’ju bashkuar pjesës tjeter të familjes në parajsë. Me ne fund ai u lirua nga dhimbjet dhe vuajtjet,duke u preh në paqe bashkë me prindërit, vëllezërit dhe djalin e tij Nikën e dashur…Tani po na shikojnë të gjithë nga parajsa. Im atë nuk u dorëzua asnjëherë deri ne fund….Për të gruaja, fëmijet dhe më vonë nipërit dhe mbesat ishin krenaria dhe gëzimi më i madh në jetë.Babai im erdhi në këte vend me mendimin për të punuar shumë,për të bëre një jetë të ndershme në mënyre që të mos i detyrohej askujt një ditë…dhe ashtu bëri.Siç e dimë te gjithë,historia e jetës së tij flet vetë…Ishte shumë e vështire për të të gjente kohën e lirë por çdo moment që kalonte me ne ishte shumë i veçantë.E diela ishte padiskutim dita jonë,një dite që i dedikohej vetëm familjes.
Tata thoshte gjithmonë që të punosh të dielën është e ndaluar, është dita e Zotit,e familjes dhe miqëve për të qendruar sëbashku.
Ai ishte një gjysh i përkushtuar dhe krenar deri në ditën e fundit të jetës.
Marashi pati fatin t’i shikonte nipërit e tij (shpirtrat e tates) tek rriteshin dhe që ishin shumë krenar që e kishin në jetën e tyre.Dhimbja qe ne perjetuam me ikjen e tij nuk ka kaluar,por ne e dimë dhe e pranojmë qe ai është në një vend shumë më të mirë…Nëse secili nga ju do te mbyllte sytë për një moment dhe të kujtonte tim atë,jam shumë e sigurtë që me të keni ndier dashuri,siguri,respekt,kënaqësi dhe krenari…Ne si fëmijet e tij ndihemi të bekuar që kishim një baba model dhe një shembull shumë të mire per secilin nga ne. Ne mësonim jo vetëm nga fjalët e tij por edhe nga veprat.
Ai ishte një njeri që bëri çfare tha dhe fjala e tij ishte e pathyeshme.Babai im na dha mesime shume të vyera per jeten qe kur ishim të vegjël:
-I pari dhe më i rendesishmi: Besimi, lutja dhe dashuria për zotin.Ne ndjekim meshën çdo te dielë dhe themi rruzarën si familje.
‘’Respekti’’ është dinjitet,siç thoshte ai,’’respekto veten dhe të tjerët’’.
‘’Je i dashur me të tjerët’’ nuk humbet asgjë të jesh i sjellshëm.
‘’Këmbëngul dhe mos u dorëzo asnjëhere.Nëse do të arrish diçka ,puno shumë dhe kurrë mos u dorëzo.Ai thoshte gjithmonë që asgjë në këtë jetë nuk është falas, edhe nëse është,do ta paguash dyfish ose më shumë më vonë]….Dhe mësimi më i madh që na dha në jetë ishte sesi të kemi besim dhe të mos gabojmë me Zotin…Babai im Ishte një njeri i jashtëzakonshëm dhe fjalet nuk mjaftojnë për të folur për të. Ai ishte një i krishterë i përkushtuar,që për të shpëtuar nga një vend komunist dhe duke rrezikuar jeten e tij dhe të familjes, na bëri të besojmë sesa të fortë e kishte besimin.
Një bashkëshort i përkushtuar,që thoshte shumë herë që Kur të largohej një ditë ,i vetmi peng i tij ishte që po linte gruan pas.Nëna ime ishte gjysma që plotësonte tim atë.Ai ishte burri,babai,gjyshi dhe miku që nëse ti kishe nevojë ai do gjendej gjithmonë aty! Jemi krenar për Atin tone fisnik!-përfundon Vera.
Familja Mrnaçaj edhe pas vdekjes së Marashit përcjell mesazhe për komunitetin shqiptar, mesazhe dashurie e respekti. Një vit më pare tek po përcillja një kronikë të shkurtër për TV Albanian Culture në Nju Jork me rastin e përvjetorit të ikjes nga jeta, thashë se nëse At Gjergj Fishta do të ishte gjallë, patjetër Marash Mrnaçaj do të ishte personazh i “Lahutës së Malcisë” dhe se aty do të këndoheshin e hymnizoheshin bëmat e tij dhe të familjes së tij.
Marash Mrnacaj ishte dhe një vatran i mirë, mbështetës familjar i Vatrës. Edhe sot familja e tij mbetet vatrane, e përkushtuar ndaj Kombit!
I përjetshëm kujtimi i Marash Mrnaçaj!
Nju Jork, 10 tetor 2021