• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MARJANA BULKU: GJUHA DHE VLERAT,NA BASHKOJNE PER JETE

April 21, 2018 by dgreca

-Nëse do t’i ktheheshit retrospektivës së viteve të fëmijërisë suaj, si do i kujtonit ato?

Ah fëmijëria, ajo është “mbretëria jonë e humbur” (kështu e konsideroj  unë atë) edhe pse ne jemi një brez i rritur në errësirë kishte më shumë lumturi brenda saj, ndoshta për shkak të naivitetit të kohës, të izolimit, pa lirisë, mungesave të disa kushteve minimale që kur ua tregoj fëmijëve sot u duken të pa konceptueshme. E,megjithatë dy gjëra të mrekullueshme  që e kanë mbështjellë fëmijërinë tonë unë dua ti kujtoj gjithmonë. Ato janë:1.Përkujdesja e jashtëzakonshme prindërore dhe 2. Miqësia e mirë. Gjithësesi është mirë që në çdo etapë të jetës, njeriu duhet të gjejë të mirën, ta ruajë atë në shpirt e pse jo edhe tia përcjellë brezave.

-Keni përfunduar studimet e larta në universitetin Histori-Filologji të Tiranës,dega Gjuhë Letërsi dhe më vonë studimet pas universitare, institutin e Studimeve Europiane, Master për Politika  dhe Institucionet në Bashkimin Europian. A e kishit menduar se po bënit zgjidhjen e duhur për të ardhmen tuaj? 

 -Kur përmenda mangësitë e rritjes pak më sipër, kisha parasysh edhe mungesën e lirisë për të zgjedhur profesionin e së ardhmes bazuar në merita dhe preferenca, për këtë as flitej e mendohej para viteve 90-të. Janë mijëra të rinj që u mohohej e drejta e studimit për shkaqe politike dhe qindra të tjerë që nuk e kishin të drejtën e zgjedhjes të degës për të cilën donin të studionin. Duket qesharake sot kur kujtojmë se partia shtet vendoste për ne. Shkollimi i lartë i limituar dhe sistemi i politizuar deri në robëri e kushtëzonte lirinë tonë madje mundej që edhe të na e privonte atë.Brezat e rritur në izolim nuk mundën ta liberalizonin shkollën e lartë edhe pse për hir të së vërtetës ajo konsiderohej “paja” për ne gjeneratat e para 90- tës.Por unë e kam dashur letërsinë edhe pse ëndërra ime ishte mjekësia. E në mangësi të saj fjalën e kam përdorur si “mjet shërimi” pasi vërtet besoj se komunikimi i butë, zbut dhe shëron. Letërsia u bë pasioni dhe profesioni im.

-Ndonëse po i kushtonit kohë dhe vëmëndje letërsisë, mësimdhënies, çuditëtisht  një ditë në jetën tuaj zë vend dhe politika.  Si ndodhi?

  -Politika kjo gjë e ndaluar për qytetarët shqiptarë, ka qenë diku në familjen time, e nëndheshme, e padukshme. Gjyshja e mamës time , një grua stoike siç e përshkruajnë bashkohësit ishte delegate e Dibrës në kongresin e parë të gruas antifashiste në Berat në vitin 1943, madje edhe kishte mbajtur një fjalim atje. Për familjen e saj Kadiu , një derë ku predikohej fe dhe moral kjo nuk ishte ndonjë gjë e jashtëzakonshme, ndërsa për Dibrën e izoluar të asaj kohe, madje edhe të kësaj kohe ky fakt duhej të ishte historik, por historitë tona janë prej lapsi dhe gome …Tek unë u gdhend ajo grua e cila mbajti në shpirt dashurinë për fenë dhe jo për partinë nga e cila familja e saj do të kishte goditje të njëpasnjëshme.Mamaja ime ka qenë kryetarja e parë e Lidhjes Demokratike të gruas në Dibër, lidhje të cilën më pas do ta drejtoja unë. Krijimi i Partisë Demokratike në Shqipëri,pavarësisht turbulencave, kishte mision përmbushjen e të drejtave të mungura, dhe i parë nga ky kontekst ishte domosdoshmëri e vonuar që për shkak të izolimit të gjatë dhe pamësimit me lirinë, derivoi në një lloj pluralizmi kaotik. Unë i përkas asaj shkolle politike mbase pak klasike por që beson se politika është arti i zgjidhjes kur aplikohet nga njerëzit e duhur. Sot tabloja politike është e mjerë por kjo nuk mendoj se duhet ti stepë intelektualët dhe patriotët , përndryshe vendi do ti nënshtrohet një lloj diktature edhe më brutale e më të padrejtë se ajo që na izoloi nga bota e zhvilluar për më shumë se pesëdhjetë vjet.

-Vjen një ditë,largimi nga të afërmit, miqtë, shoqet, vendlindja… Shqipëria,  duke shtegëtuar në Amerikë. E prisnit këtë  shkëputje?

-Ka qenë korriku i vitit 2011, dita kur u larguam nga Shqipëria, jo me një vendim definitiv, por që më vuri përpara një vendimi shumë të vështirë kur im bir fitoi një edicion arkitekture dhe iu rezervua një vend studimi nëe Art and design hight school Manhattan. Aty unë ndalova, mora njëdrejtim krejt tjetër, ishin ëndrrat e tij që udhëhiqnin hapat e mija jo të lehta në Amerikën që nuk ka qenë kurrë destinacioni im për të ndërtuar jetën.

-Sa i vështirë ishte për ju  integrimi në Amerikë,veçanërisht në  jetën  gjigande  Nju Jorkeze ? 

-Për mua ka qenë e vështirë shkëputja nga Shqipëria, ishte një ikje e pa vullnetshme, e diktuar nga rrethanat dy -tri vitet e para pothuajse vetëm fizikisht ndjehesha këtu sepse shpirtërisht dhe mendërisht ndjehesha në Shqipëri, atje ku edhe sot ndjej se jeton pjesa më vitale e jetës time. Njeriu është i detyruar të përshtatet e për më tepër në Nju Jork,në këtë vend ku popullsia pothuajse shumicë emigrantësh, ndjehet ngrohtë në një shtet gjigand si ky ku të gjithë jemi të huaj por askush nuk ndjehet i tillë. Këtë lloj sistemi, adaptimi që vetëm Amerika e ka, fillova ta pranoj , kuptoj dhe sot realisht e vlerësoj shumë si një model kulturor që diversitetin etnik e konsideron vlerë dhe pasuri. Integrimi është një proçes që nis me përshtatjen ndaj një ritmi tjetër pune e përditëshmërie që unë e konsideroj si përvojë. Ka pothuaj tri vjet që unë punoj në shërbimin shëndetsor ambulator brenda një korpusi spitalor nga ku ke aq shumë për të mësuar që nga cilësia e kujdesit për pacientin që këtu konsiderohen si klientë e deri tek teknologjia e avancuar e të dhënave për pacientin, të drejtat e tij dhe rëndësinë e jetëve njerëzore në realitetin amerikan sidomos krahasuar me vendet nga ne vijmë.

-Në shumë shtete këtu në Amerikë,funksionojnë jo pak televizione shqiptare. Përse zgjodhët për të punuar në televizionin“Albanian Culturë” dhe jo në një televizion tjetër?

-Kontaktet e mia me televizionin Albanian Culture kanë qenë rastësore, rastësi e bukur do ta quaja në dy evente prezantime librash ku njërin e moderoja unë dhe tek tjetri thjesht u intervistova nga drejtuesi i këtij televizioni zoti Adem Belliu. Që nga ajo kohë ne kemi një bashkëpunimshumë të frytshëm me televizionin Kultura Shqiptare, i cili tashmë ka një histori më se 20-vjeçare në komunitetin shqiptaro-amerikan këtu. Unë jam part time aty për shkak se puna ime e përditëshme i përket një fushe tjetër por që në fakt shpesh herë bëhet burim frymëzimi për mjaftë emisione, mendime dhe vlerësime për jetën që janë bazë e emisionit tim “Një jetë…disa histori”.

-Prej katër vitesh drejtoni emisionin”Një jetë…disa histori”, ideuar  dhe realizuar nga ju.Si lindi ky produksion?

-Kur u ula për herë të parë në atë studio modeste televizive gjëja e parë që ndesh aty është arkivi i pasur Aty pata rast që vetëm në pak ditë të”njoh” shumë çka nga shqiptaro amerikanët, veprimtari, intervista, kronika, madje pata nxitjen e bashkëthemelueses së këtij televizioni, zonjës Mimoza  Belliu për të vazhduar një cikël të hershëm “Bota e gruas” por jo, tashmë në mendjen time ishte kristalizuar “Një jetë…disa histori “, e cila tashmë është një historizës katër vjeçare.

-Si ndiheni përballë ekranit, i cili padyshim ju merr jo pak kohë që nga projekti, takimin me personazhin, deri tek realizimi i emisionit?

-Ekrani është përgjegjësi ,është komunikim, është qasje me kohën edhe kur koha , dita apo çasti jot ka preokupime të tjera e megjithatë ajo çka është gjithmonë me mua, gjithmonë një është serioziteti në veshje, sjellje,komunikim.Për mua ajo studio është një marrdhënie shumëplanëshe me problematikën,të ftuarit dhe ata që e ndjekin komunikimin. Miqtë e televizionit Albanian Culture, janë shikues konservatorë që vlerat e familjes, traditës , historisë i kanë të shenjta , edhe unë po ashtu , jo vetëm për të qenë sinkron me ta, por sepse ato janë në tërësinë e qenies time.Të ftuarit e mi janë individë të fushave të ndryshme, që të gjithë kanë vëmendjen time maksimale sepse të kuptohemi në shumicën e rasteve ato biseda janë spontane,të natyrshme,  pa  asnjë  truk apo parapregatitje ,por shumë prej të ftuarve janë inspirim për mjaftënga shkrimet e mia për arsye të multi problematikës që derivon nga ai bashkëbisedim historish personale e kolektive.

-Keni mundur të intervistoni personalitete nga fusha të ndryshme të jetës,jo vetëm këtu në SH.B.A.por madje nga Kanadaja dhe Shqipëria. Cilin prej tyre mund të përmendësh  si më mbresëlënës?

-Janë vërtet me dhjetra e   dhjetra personalitete, njerëz të zakonshëm, artistë edhe pse i kam të gjithë në kujtesë nuk do bëj specifikime , janë miq të albanian culture tv, janë në fondin e arkivit dhe kam bindjen që në të ardhmen do jenë në nje botim po me këte titull.

-Cili mbetet çelësi i suksesit në punën tuaj,që pas çdo emisioni, edhe  pse e lodhur,sërish ndjeheni e kënaqur?

-Është kënaqësi kur sheh se ekranit i rritet shikueshmëria ,është edhe përgjegjësi dhe detyrim për të rritur cilësinë, për të sjellë histori por edhe vlera në studio që natyrisht mbart edhe vështirësi objektive brenda.Televizionet shqiptare këtu nuk janë aq të fuqishme në teknologji dhe mjedisin fizik,e megjithatë ato mbeten kampione të mbajtjes gjallë të kujtesës, promovimit dhe ruajtjes së kulturës shqiptare, gjuhës dhe historisë tonë si dhe promovimit të vlerave të fushave të ndryshme, e kjo është jo vetëm kënaqësi por edhe mision që natyrisht mbart shumë aktorë brenda. Pra nëse ka sukses në komunitet ky sukses do të pasqyrohet edhe në ekran,ne jemi një korelacion veprimesh që ekziston dyanshmërisht.

-Çfarë do të thoshit për bashkëpunimin, konkurencën që ekziston  midis  jush dhe kolegëve të televizioneve të tjera?

-Unë  nuk e konsideroj si konkurencë ekzistencën e disa mediave , është një marrdhënie paralele, ne kemi shumë gjëra të përbashkëta, por në një fushë të lirë veprimi çka nënkupton se ka kaq shumë hapësira në Amerikën e madhe, ku kreativiteti nuk duhet të na bëjë konkurues ndaj njëri- tjetrit por të ndryshëm, të larmishëm dhe partnerë në çështje të përbashkëta.Sa për ta ilustruar:kur në studio kam dibran unë detyrimisht dua të kem në krah Beqir Sinën, dibranin që nuk u ngop kurrë me Dibrën.

-A pretendoni se veten tuaj e shprehni më mirë,kur shkruani artikuj e poezi,apo gjatë punës suaj në televizion?

Unë nuk besoj në përsosmëri edhe pse kam idhuj të cilët i konsideroj të përsosur, por kur dëgjoj veten jam kritike ndaj saj. Mendoj se shkrimi është një mënyrë më e maturuar e prezantimit të mendimit, madje proza ime edhe pse pak  botuar, është më e bukur. Më pëlqen stili telegrafik ku teksti dhe konteksti i shkojnë lexuesit në mënyrë të shpejtē, të ngjeshur, konçize. Kam dashur gjithmonë që çdo akt leximi të nxisë reflektime e kritika dhe të mos jetë vetëm vargëzim shkronjash. Mesazhi e bën veprën jetë gjatë.

-Mendoni se tematika që shtrohet në shkrime apo komunikimet tuaja i jep vlerë atyre? 

-Natyrshëm që tematika, të qenit sinkron me realitetin natyrisht edhe fleksibël, sepse ne jetojmë në SHBA dhe sensi i realizmit këtu apo atje kanë masën e vet çka e bën edhe më të vështirë rolin dhe vërtetësinë e shënimeve, por ky pozicion këtu dhe atje ka edhe bonuset e veta që të vejnë në pozita solide kur lexon objektivisht dhe i nënshtrohesh logjikës të së vërtetave.Është me shumë rëndësi sensibiliteti dhe reflektimi, tipare këto që të mbajnë gjithmonë në kontakt me temat e kohës.

-Ku e shikoni Ju tashmëMarjanën,si nënëe dy fëmijëve, bashkëshorte, njëkohësisht poete dhe gazetare?

-Kur shikoj vitet qërendin,mosha,djemtëqërriten e shkollohen, natyrshëm  aty ështëMarjana dhe Iliri,bashkëshorti im, roli ynëi padiskutueshëm nëkonsolidimin e edukimin  e dy djemve. Padyshim e përditëshmja, e ardhmja  brënda meje ështëpoezi,prozë, letërsi.

-Sa kanë  ndikur tek ju përfundimi  i studimeve Europiane, krijimtaria   juaj si poete, në gazetari , moderim?

-Shkollimi dhe përvoja janë dy anë paralele që nxisin dhe rrisin njëra tjetrën, ndaj dhe pas çdo cikli studimi kam pyetur veten se si do ti ruaj çka mësova edhe nëse ato nuk do më duhen. Dhe e vërteta është se më janë dashur gjithmonë. Dijet nuk të tradhëtojnë kurrë. Në punën e përditëshme mësuesia më vjen në ndihmë kur më duhet ti kujtoj diabetikut dietën, të moshuarit ilaçet, depresivit dashurinë për jetën dhe njeriut në përgjithësi se shëndeti i mirē është kapital.E natyrisht që dijet e studimeve master politikash evropiane janë një bagazh që merr dhe i jep formë çdo komunikimi.Jeta është më e thjesht dhe e bukur kur din, padija të burgos , të bën të pa lirë dhe këtë ne e kuptojmë kur largohemi nga Shqipëria.Megjithatë unë e konsideroj edukimin si një bonus individual që gjithë se cili e ve në përdorim mbi bazën e kapaciteteve personale intelektuale.

 Kohët e fundit, jeni zgjedhur në Kryesinë e Vatrës. Çfarë do të thotë të jesh në Vatër e për më tepër në forumet drejtuese të saj

-Federata Panshqiptare “VATRA” ,është faqja më e bukur e historisë së Shqipërisë, që i dha emër dhe jetë Shqipërisë edhe përpara shtet formimit, është vendi ku të gjithë shqiptarët pavarësisht mureve gjeografikë,apo politikëndarës ndjehen bashkë.E konsideroj përgjegjësi   angazhimin tim apo të çdokujt tjetër aty. Është ai lloj vendi ku ligjëroi Konica e Noli e ku çdo fjalë e mendim duhet të ketë peshë e maturi. Për shqiptarët e vjetër këtu Vatra është lidhja me atdheun ndërsa për ne rishtarët është mohimi i padrejtë i lirisë, prandaj ne kemi të nevojshme ti takojmë këto dy kohë që mbartin shumë histori të pashkruara ende.Le ta quajmë një muze shqiptarie që nëse do ndrijë do na nderojë, e nëse do e denigrojmë do jetë përgjegjësi dhe faj historik. Unë besoj që po jetojmë atë lloj moment historik ku çdo lloj përgjegjësie apo angazhimi shoqëror i duhet dhe i vlen  Kombit sot më shumë se kurrë.

-Çfarë mendoni për rolin dhe cilësinë e shkollave shqipe në diasporë.

 -Pa dashur të paragjykoj ato dua të nxis dhe përkrah çdo lloj vullneti për të mbajtur gjallē gjuhën shqipe. Dhe ky vullnet mundet të vijë nga familja,intelektualët, televizionet, organizatat, individët, nuk ka rëndësi se si vjen por është shumë e rëndësishme që të institucionalizohet  dhe shkolla është vendi i duhur.Nuk ka investim më patriotik sesa ai gjuhësor, ndër të gjitha të shumtat që na ndajnë, gjuha është vlera që na bashkon sot e përjetë.

– Cila ështënjëditëe zakonshme për Ju?

-Gjëja e parë, me të cilën nis dita ime, është kafja,letra dhe lapsi.Tre botimet e librave të mi me poezi“Zemër e Thinjur”, “Lutja e Vetmisë” dhe “Muzg egzistence” që tashmë i përkasin një epoke tjetër  (Qesh ciltërsisht)së shpejti do të shoqërohen nga “lindja “ e një libri të ri,Duke mos harruar kurrësesi prozën,ku po përpiqem të gjej kohën dhe momentin e duhur,të mbledh krijimet e kohëve të fundit,në rrugëtimin e librt të dytë në prozë. Ndonëse këto “hoje mjalti”, i përkasn retrospektivës së disa viteve të mëparshme të Marjanës,e cila fizikisht jeton në Amerikë, por shpirtërisht jetoj në Shqipëri

                                             INTERVISTOI :FADIL SHEHU

                                                        Nju Jork ,Prill 2018

Filed Under: Interviste Tagged With: Fadil Shehu, Interviste, Marjana Bulku

Demokracia,problemi i saj dhe antropologjia demokratike

April 15, 2018 by dgreca

1-ok-marjana-bulku
Nga Marjana BULKU/
Peter Fecher , vetëm 18 vjeç banonte në Berlinin Lindor dhe e dinte që muri që e ndante qytetin , i ndërtuar në vitin 1961 u bë simbol i ndarjes midis shteteve diktatoriale dhe atyre demokratike në Europë deri në vitin 1989,kohë kjo kur ky mur u shemb. Një ditë gushti të vitit 1962 , teksa po kapërcente murin për në Berlinin Perëndimor demokratik qëllohet nga rojet gjermano-lindore dhe përfundon në mënyrë tragjike tentativa e këtij të riu për të prekur Demokracinë…
Sa mijëra fate të ngjashme…qindra histori për tu rrëfyer!Rasti i Shqipërisë ku numërohen mijëra të arratisur politikë , të vrarë në kufinj, të internuar burgosur politik e qindra të dënuar na rrëfen se ne jetuam një diktaturë ekstreme mbi të cilën do ta kishte shumë të vështirë lulëzimin një demokraci e kulluar. Edhe pse përkufizimin më të saktë për demokracinë e sjell Linkolni si” Pushtet i popullit ,dalë nga populli dhe për popullin” demokracia është term grek :demos -popull dhe kratis-sundim,pushtet.Sipas Sartorit definicioni është shumë më kompleks pasi nuk përputhet plotësisht me etimologjinë e fjalës “demokraci”edhe për shkak se demokracia keqpërdoret nga regjimet.Nëse i referohesh Greqisë së lashtë aty dallohej se gjendja e lirisë civile lejohej vetëm për një grup të ngushtë ku përjashtohej masa e madhe e skllevërve,grave, të huajve dhe qytetarëve që merreshin me punë çnderuese dhe të vështira.
Sipas Aristotelit, Soloni ishte babai i demokracisë athinase.Kaosi politik dhe social në shekujt VII dhe VI p.e.s bëri që mjaft qytete greke të qeveriseshin nga tiranë .Athina u përpoq të shmangte këtë regjim duke zgjedhur Solonin dhe reformat e tij si mjet për zgjidhjen e krizës shoqërore dhe ekonomike.
Por a ishte Soloni demokrat?!
Le të analizojmë vargjet e tij ;
  “U kam dhënë masave pozitën që u përshtatet nevojave të tyre/
As nuk u kam vjedhur nderin, as nuk i jam nënshtruar lakmisë së tyre.
E ata që kishin shumë pushtet
që Ishin të lavdishëm e të pasur,
kam gjykuar se asgjë nuk duhet t’i privonte nga luksi dhe nga pozita e tyre.
Atëhere,u ngrita me mburojën time
për të mbrojtur të pasurit dhe të varfrit.
Kështu populli do të jetë më i gatshëm për t’u bindur zërit të udhëheqësve të vet.
Kur “kapistra” nuk është shumë e lirshme ,
as shtrëngimi shumë i madh”…
…Pra Soloni shfaqet si dhurues i çdo të mire , të gjitha veprimet e vetës së parë na bëjnë të kuptojmë se ky udhëheqës nuk pyet askënd për veprimet e veta politike.Prirjet autoritare shpalosen në brendi” Kështu populli do të jetë më i gatshëm për tu bindur” . Por që këtu mund të dallosh se si populli është ai që i ushqen sistemet ,cilatdo qofshin ato ,duke ua pakësuar ose shtuar jetëgjatësinë.
Babai i demokracisë nuk ishte demokrat , kjo shpaloset në të gjitha poezitë e tij të cilat ishin edhe platforma nëpërmjet të cilave ai e shmangu tiraninë.Pushteti ekonomik për Solonin kishte rëndësi të veçantë,ai njihet si themelues i Timokracisë e cila shtresëzonte shoqërinë ku një rol i madh i jepej shtresës së mesme për të thyer monopolin e aristokracisë.Solomoni mund të ushtronte pushtet apsolut duke u lidhur me cilëndo parti por ai parapëlqeu të mos i pëlqente askujt , duke u bërë shpëtimtar i vendit dhe ligjvënës shembullor. Përmes modelit të tij kuptojmë se misioni i Demokracisë është SHMANGIA E TIRANISË.
Rasti i Shqipërisë (antropologjia e sistemeve)
Për shkaqe historike tek ne ka munguar antropologjizmi borgjez që sipas shkollës anglosaksone formulonte :Demokraci përmes Ligjit.
Ne jetuam dhe jetojmë në një antropologjizëm feudal  ku formula është ; Turma dhe prijësi . Retrospektivisht sistemet e dikurshme ishin; Mbretëria me popull dhe mbret.
Komunizmi ; populli heroik dhe sekretari i partisë.
Ky lloj evolucioni i komanduar nga sistemet nuk arriti të prodhojë asnjëherë Antropocivilizim . Mungesa e individit si institucion , në një mjedis ku jeton parimi autotitarist” shteti jam unë” e mohon rolin e individit me të drejtat e tij dhe përgjegjësitë çka janë themel i demokracive.
Demokracia mund  të rrezikohet nga qetësia dhe rendi sikurse dhe nga trazirat dhe mungesa e rendit sipas Brucher. Dhe pyetja që lind është : A janë protestat dhe tubimet pjesë e demokracive?!
Dhe pse protestohet?!
Është shumë e rëndësishme të dihet se si protestohet duke përdorur mjetet e duhura që nuk dhunojnë masën që proteston por as palën të cilës i drejtohet protesta.Cënimi i të mirave , mosgarantimi apo mohimi i tyre çon në protestë ,edhe krizat apo fatkeqësitë krijojnë klimë proteste madje edhe irritimi kur autoritetet bëjnë indiferentin.
Po përse goditet protesta?
Ka vetëm një përgjigje ; sepse mungon institucionalizimi i protestës. kur njerëzit protestojnë kundër një individi a kemi vallë të bëjmë me shtet demokratik?!
Jo , sepse njerëzit nuk besojnë në demokraci derisa protestojnë kundër një individi.Demokracia reale nuk është ajo që krijon një klub të fortë mes njerëzve, por ako që lejtëson marrdheniet e tyre të ndërsjella. Kur paqja rregullon vetë punët e veta ajo shndërrohet në demokraci.
*Fragment nga studimi i Marjana Bulkut gjatë programit Master në Institutin e strudimeve evropiane(2010-2012 )

Filed Under: Analiza Tagged With: antropologjia demokratike, demokracia, Marjana Bulku

Tingujt që mbrojnë jetën

March 29, 2018 by dgreca

Pranverë shqiptare zërash dhe shpresash në Scandinavia house Manhattan/
1 Koncerti
Nga Marjana BULKU
Fotografia: Ilir RIZAI/
Janë dhjetra mesazhe që transmeton kultura e stërlashtë në një prej shfaqjeve të saj të rralla në mbrojtje të jetës së artistit që i ka falur aq shumë artit dhe kulturës shqiptare,Bekim Lumit i cili po i nënshtrohet një mjekimi shëndetsor të kushtueshëm në çdo aspekt. Por artistët : Riad Ymeri,Ergin Oda,Donika Ukshini Gjokaj,Kushtrim Hoxha,Lori Miho,Bekim Çela,Faton Macula,Lekë Salihu,Taulant Mehmeti,Arens Leka,Angelo Miho,Lorivert Çobo,Shpend Xani, ose Bekim Lumi NYC’ friends triumfuan përmbi plagët e sëmundjes përmes magjisë që fal arti ku ndërthureshin zhanret artistike, tingujt e kultivuar, ato të lashtë dhe historikë , rebelë klasikë dhe modernist dhe ku spektatori , ky suportues i ndjeshëm kauzash të vërteta , u duk se shijoi një performancë të veçantë artistike e njerëzore. Të mbrosh me medikamente jetën tashmë është një e përditëshme që duam apo nuk duam bëhet pjesë e segmentit jetë, por ta mbrosh me tinguj atë ,është madhështorja sublime që vetëm magjia prej arti mundet ta falë. Ideja e Leonora Mehmetaj për të  ngjitur në skenë Miqtë e Bekim Lumit udhëtoi me shpejtësi nga shpirtrat e artistëve tek suportuesit  e eventit :Dr Shpresa Xhakli e Fadil Berisha , mbështetja e Motrave Qiriazi , objektivi fin dhe smart i mjeshtrit Ilir Rizaj e deri tek mbulimi i shpejtë nga kamerat e Albanian Culture TV  e Vera Belliu .
Një skenë e zotëruar nga artistët është gjithmonë plot me mesazhe që i drejtohen përtej skenës, ato depërtojnë thellë nëpër traditën tonë dukë i dhënë frymën dhe shpirtin e kohës që jetojmë. Tek artistët nuk mungon kurrë optimizmi për jetën sepsë arti është ngjyra, tingulli valsi i saj kompozuar mjeshtërisht nga gjenialët që muzeun e  kanë në çdo  skenë që i jep jetë vargut të tingujve të tyre të pavdekshëm : Simon Gjoni, Preng Jakova, Limoz Dizdari, Avni Mula.
Solidariteti i artistëve të cilët zhanret artistike i ndërthurën artistikisht me personalitete hibride që i këndon jetës jo kajmak thënë nga plaku i motshëm e rithënë përmes këngës udhës me trenin e jetës që ndalon edhe aty ku nuk duam ,triumfoi përmes mesazheve për jetën,pranverat e saj në 26 marsin e ftohtë në Manhattanin shumëngjyrësh.

Filed Under: Featured Tagged With: Ilir Rizai, Marjana Bulku, që mbrojnë jetën, Tingujt

“Motrat Qiriazi”, një demonstrim i dashurisë njerëzore

March 9, 2018 by dgreca

Albanian -american women’s organization (AAWO) “Motrat Qiriazi një demonstrim i dashurisë njerëzore/1 BetiNga Marjana Bulku/

Photo credit Arbërie Hetemi/

1 ok nena e deshmoreveAAWO “Motrat Qiriazi”numëron vitin e 25 -të e bashkë me vitet janë qindra aktivitete ku në qendër është familja , gruaja, fëmijët , edukimi, sakrificat njerëzore të cilat na bëjnë edhe më fort humanë dhe përkrahës të njeriut, atij që i përket botës së suksesit por edhe njeriut të thjeshtë,atij që përballet me sakrificat dhe vështirësitë e jetës që nuk janë të pakta.

2 MeritaËshtë bërë traditë tashmë 25 vjet që 7-8 marsi të bashkojë mes qindra pjesmarrësish festën me kujtesën, argëtimin me vlerësimin , mirnjohjen me falenderimin në salla të tejmbushura me miq e familjarë që urojnë motrat, bijat , bashkëshortet e që nderojne edhe arritjet e tyre, sakrificat dhe përkushtimin që i karakterizon motrat, nënat, bijat tona Është një traditë e bukur që avokate Beti Beno Esq, drejtuesja aktuale e AAWO “Motrat Qiriazi” po e çon dhe pasuron edhe më tej gjë që u demonstrua edhe një here , këndshëm pasditen e 3 marsit 2018 në Battery Gardens me një prezencë prej 260 burrash e grash që përreth 6 orë që rrodhën pa u ndjerë iu nënshtruan një programi të drejtuar mjeshtërisht nga Rejhan dhe Luan Bexheti, zëri i mrekullueshëm i sopranos Dëshira Ahmeti Kërliu, interpretimet e fuqishme të Ludmilla Baballëkut , kulminacionet e rralla vokale të tenorit Riad Ymeri dhe natyrisht me shoqërimin instrumental mjeshtëror të Raid Hysenit dhe Merita Halilit që kishin një rol të veçantë në këtë natë festive përveç këngës .3 Vjosa

Nuk është vetëm një natë ku ndahen vlerësime dhe mirnjohje për arritjet por një akt që bashkon histori suksesesh, pune dhe sakrificash njerëzore .4 Teuta5 Marku
Gruaja e Vitit 2018 është shpallur Artistja Merita Halili, e cilësuar “bilbili i këngës popullore shqiptare”.Ajo ishte 16 vjeç kur këndoi për herë të parë në Shqipëri,ndërsa sot pas kaq shumë vjetësh së bashku me bashkëshortin e saj Raif Hyseni njohin pafund suksese dhe janë ato që muzikën shqiptare e kanë berë objekt mësimi edhe për amerikanët.

4 BehxhetiMe një çmim të AAWO në dorë dhënë nga soprano Dëshira Ahmeti Kërliu, Merita Halili shprehet plot emocion…-“Motrat Qiriazi ” i kam ndjerë pranë në çdo moment të jetës time në Amerikë. Ato organizuan baby shower kur vajza ime do të vinte në jetë” .7 Beti Grup

Mësuesja e vitit 2018 është vlerësuar Vjosa Nikçi e lindur në Rugovë, emigruar në USA në moshë shumë të vogël e ka pasur arsimin një shtysë dhe shtyllë të fortë në edukimin e saj familjar dhe universitar.

10 Vera BelliuMagjistre e historisë moderne evropiane dhe aktualisht e angazhuar në arsimin dygjuhësh Vjosa shprehet se do t’ju qëndrojë edhe më pranë studentëve shqiptarë. Raza Sinanaj ia dorëzon këtë vlerësim mësueses së vitit 2018 që është një më shumë në vargun e gjatë të nderimeve të AAWO e cila çdo vit na kujton se EDUKIMI është mision që ka në thelbin e vet dashurinë.
Është gjithmone e bukur prezenca e Ambasadores së Kosovës Teuta Sahatçija e cila ia din plagët Kosovës dhe jo pa emocion do ndante një çmim të veçantë që lidhet me kontribute humanitare ,të jashtzakonshme të Gruas dëshmi e gjallë se liria dhe pavarësia e Kosovës i kanë rrënjet te sakrificat njerëzore .Është zonja Bahrije Bytyçi , nëna e Dëshmorëve të Kosovës Agron 23vjeç, Mehmet (21) dhe Ylli (25) e cila fjalët i ka të pakta por historia e familjes së saj është e rekorduar në memorjen e Albanian Culture Tv e cila ka transmetuar gjërësisht aspekte nga Batalioni Atlantiku. Tri djemtë e saj edhe pse të rritur në Çikago kur Kosova rënkonte nga lufta , shkuan atje si heronj për të mbetur përjetësisht atje edhe pse trupat e tyre u sollën të prehen në Amerikë. Fjalët e nanë Bahries janë të pakta por përmes emocioneve të saj lexohet qartësisht se si ndjehet një nënë me tri djem të vrarë. Ajo mban për dore të shtrënguar nipin e saj, ai ka emrin Agron atë emër që ia mban të gjallë kujtimin e të birit. Ky nderim ndaj zonjës Bytyçi me bijtë e vrarë në luftë është një nderim që i bëhet jetës , vazhdimësisë së saj, atij shtrëngimi duarsh të Agronit të vogël pas gjyshes së vet që rrit heronj. Kjo natë gala zonjash lotët e nënë Bahries i shndërroi në një mirnjohje ndaj akteve të rralla e heroike që meritojnë mirnjohjen e përjetshme të të gjallëve.
Ky zinxhir veprash që rrjedh në këtë natë ku argëtimi dhe përjetimi janë paralelisht bashkë ka në thelb punën sistematike të një bordi që falenderohet e përmendet me mirnjohje nga drejtuesja e tij zonja Alda Mosko. -Pas çdo vullnetarizmi mirnjohja dhe falenderimi jane më e pakta e domosdoshme- shprehet ajo.
AAWO përmes një nate festive dëshmon pjekurinë e vet 25 vjeçare dhe kjo duket në organizimin perfekt të çdo akti ceremonial festiv ku Dr . Zana Dobroshi përmend në fjalën e saj sipas të cilës historiku i gjatë dhe vijimësia e kësaj organizate vitale në Amerikë e ka bazën tek njerëzit që bënë këtë histori dhe ato që e mbajnë gjallē atë.
Nuk do ti mungonte kësaj nate as fjala e zotit Mark Gjonaj një suportues i zonjave si një gjini që përfaqson motrat, miket, bashkëshortet që na e bëjnë jetën më të mirë.
AAWO Motrat Qiriazi , përtej ngjyrave të festës ndan me ne akte humanizmi dhe kauzave që perveç misionit të saj shkon dhe u vjen në ndihmë fëmijëve të sëmurë , atyre që kanë nevojë për atë që fati, familja, ekonomia e tyre nuk ua mundësoi dot. Edhe ky vit shënon një tjetër bilanc që i ka të dyja anët ; solidaritetin njerëzor dhe fatin e trishtueshëm të një fëmije shqiptar të sëmurë që do të ndihmohet nga kontributet e grumbulluara nga shorti i kêsaj nate që tejkalon ngjyrat e festës.
Nisur prej këtyre akteve tërësia e të cilave na dhuroi një mbrëmje të bukur përmes mikrofonit të Albanian Culture TV i afrohem atyre që janë pas këtij organizimi , dy zonjave që janë pas sukseseve të vazhdueshme të qasjeve të AAWO-s në publik zonjave Beti Beno dhe Alda Mosko të cilat modestisht thonë se AAWO ka lindur për të qenë kështu: humanitare, edukative e pse jo edhe një mundësi më shumë për tu argëtuar dhe solidarizuar mes nesh.
Batery Garden, NY 3 mars 2018

Filed Under: Featured Tagged With: Arberie Hetemi, festa, Marjana Bulku, Motrat Qiriazi

Dy ambasadorë mendjendritur në Vatrën Panshqiptare

January 8, 2018 by dgreca

Ilir Rizaj
Nga Mariana Bulku/
Me 6 janar pikërisht në datlindjen e Fan S Nolit në mjediset e Vatrës Panshqiptare në Nju Jork u prezantua botimi më i fundit i studjuesit dhe diplomatit Mal Berisha (anëtar nderi i Vatrës) ;Herman Bernstein,ambasador i ShBA në Shqipëri në vitet 1930-1933″ Një vepër që ka ngjallur interes nga analistët dhe mediat e Tiranës nuk kishte se si të mos prezantohej pikërisht në ato mjedise që duan të mbajnë gjallë histori për të cilat historia shqiptare ka heshtur për 50 vjet. Në dhjetor të vitit 2014 ambasadori Mal Berisha pas një pune kërkimore nxorri nga arkivat dhe solli nën dritën e botimit publikimin e parë mbi Bernstein duke ia prezantuar një audience mjaft të larmishme amerikano hebreje por edhe shqiptaro-amerikane në mjediset e Yivo Institute for Historical research. Pak vjet më vonë vjen edhe botimi i plotë , një studim tashmë i thelluar mbi jetën e Bernstein , antologjinë e veprës, letërkëmbimet, publikimet dhe deri tek diplomacia e tij , raportet me Tiranën e asaj kohe, rolin që mundet të luajë diplomacia aktive në kushtet e një vendi që përjeton kriza të njëpasnjëshme deri tek ato që vejnë në pikpyetje identitetin. Vepra më e fundit është në vazhdën e botimeve “Shqiptarët lisa mbi truallin ilir”, “Jeta e jashtzakonshme e Charls Telford Ericksonit në Shqipëri” ,”Realite  shqiptaro- britanike” e të tjera vepra që  Shqipërinë e shohin me sytë e të huajve, sy që dijnë ta dallojnë realitetin dhe që dijnë ta duan dhe ta mbrojnë Shqipërinë në ditët e saj të vështira.
Në vatrën e ftohtë të 6 janarit 1018 nuk munguan vatranët e vjetër dhe të rinj që nga Agim Karagjozi ish drejtues i Vatrës deri tek Andrra Berisha më e brishta dhe bukra andërr shqiptaro- amerikane. Nuk mund të mungonte mendimi i bazuar në fakte e dokumenta nga studjuesi dhe ish gazetari i Zërit të Amerikës zoti Idriz Lamaj, apo mendimi i hollësishëm i editorialistit të Diellit zotit Dalip Greca, përshendetja e hyrëse e kryetarit të Vatrës Dritan Mishto e dashamirësia e tij për ti pasur në fondin e vatrës këto histori por natyrshëm diplomacia kulturore që ambasadori Berisha aplikoi sukseshëm
në Londër funksionoi dhe në këtë rast përmes prezencës së tenorit kosovar Riad Ymeri i cili Fjalët e Qiririt të kryerilindasit Naim Frashëri i solli me tingujt e Limoz Dizdarit duke i bërë ato mure të ftohtë veshur me foto shekullore të perjetojnë rilindje të vërteta me evokimet e veprës së Mal Berishës, fjalë të kryerilindasit Frashëri në ditlindjen e Nolit .
Një ambasador amerikan i viteve 30 në Shqiperi  përmes një studimi të hollësishëm nga një prej ambasadorëve shqiptarë më të suksesshëm i cili aplikoi me sukses gjatë shërbimit të tij diplomatik diplomacinë kulturore , historike , akademike duke lënë gjurmë aty por janë veprat studimore e historike te zotit Mal Berisha që do lejnë gjurmë historike mbi të shkuarën tonë të pashkruar.Pse autori rrëmoi në vitet më të ndritshme të historisë tonë për të cilat ajo vet pak flet?!Nuk munguan as pyetje si këto dhe natyrshëm edhe falenderimet mirënjohëse të veprimtarit të spikatur zotit Harry Bajraktari.
Cilat janë analet burimore ,dokumentet historike që shfrytëzon Berisha kur arkivat shqiptare nuk i shpëtuan dot kurrë tranzicioneve politike me bazë historike?!
Si lindën kontaktet me Yivo institute for historical research ?!
Si një prezantim në mjediset e atij institucioni model të kujtesës, udhëtoi në kohë e u shndërrua në një dokument historik , trashëgim me vlerë për brezat.
Është pikërisht vepra “Herman Bernstein 1930-1933” që vjen në vemendjen e lexuesit, studjuesit, diplomatit , shqiptarit që përmes punës së dy diplomatëve :Bernstein&Berisha ndriçon anët e panjohura të historisë tonë. Është një vepër ku kupton shumëçka por mbi të gjitha pohon se Amerika e ka dashur shumë Shqipërinë dhe shqiptarët atyre viteve kjo duket në përmasën shumëdimensionale të ambasadorit amerikan në Shqipëri Bernstein.
Një studim i thelluar në antologjinë e veprës së Bernstein, historinë e jetës, raportet njerëzore me miq e bashkëpunëtor ku theksohet ajo me mbretin Zog, dokumenta, letërkëmbime, meditime çka e sjell të gjallë portretin human të atyre viteve në ditët tona përmes prezantimit të veprës nga ana e autorit i cili nuk harron kurrë të ndalojë në vatër pavarësisht angazhimeve dhe detyrimeve të tij profesionale dhe personale. Tashmë përkrah amerikanit të jashtëzakonshëm që e donte aq shumë Shqipërinë Charles Telford Erickson radhitet një tjetër amerikan, është Herman Bernsteini gazetar , poet , polemist, diplomat.
Dhe natyrshëm më bren kureshtja cili do të jetë dashamirësi tjetër që din ta dojë Shqipërinë jo me fjalë por me vepra dhe akte që na mësojnë çka na u mohua, ndriçojnë çka na u errësua ,dhe rrojnë përtej kohës së vet përsa kohë ka studjues që historinë dijnë të na e sjellin të gjallë me cdo mjet, të vërtetë,argument dhe logjikë.(Fotot nga Ilir Rizaj)

Filed Under: Featured Tagged With: dy ambasadore, Marjana Bulku, mendjendritur, ne Vater

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 24
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT