Nga Marjana Bulku/New York/
Po bëhet pothuajse një vit nga bashkëpunimi me Albanian Culture TV këtu në New York cka përkon me 18 vitet e ekzistencës së këtij televizioni që mbulon cështjet shqiptare në SHBA dhe më gjërë. Pa dashur të bëj histori dua të specifikoj disa epërsi që komunikimi televiziv sendërton duke bashkuar njerëz, ide, mendime pavarësisht distancave që na ndajnë.
Kur u ula për herë të parë në atë studio mes një arkivi të dendur 17-vjecar, në kujtesë më mbeti një personazh, do ta quaj kështu qytetarin Paqësor Hasanaj , i cili u bë shtysë për ndërtimin e formatit të ciklit ”Një jetë…disa histori”. Paqësori kishte emigruar në prag të viteve 90 -të në SHBA dhe mbante me vete enigmat e një persekutimi të padrejtë në Shqipëri që këtu ishin shndërruar në një të drejtë jo vetëm për të jetuar ,shkolluar,punuar,por edhe për të qenë sipërmarrës dhe ndihmuar të tjerët sic njeriu me emrin Paqësor kishte bërë në këto vite. I heshtur dhe punëtor ai mbante mjaft brenga në shpirt ku vetëm pak arriti të artikulonte ,me një fisnikëri që përshkon jo rrallë herë njerëz që regjimet ndëshkojnë padrejtësisht. Ai dëshmoi se nuk e kish merituar persekutimin,mosshkollimin, dhe trajtimin e pabarabartë ,pa e ngritur kurrë zërin,por duke punuar, falenderuar të parët njerëz që i kishin dhënë ndihmën e parë në këtë vend të madh, duke mos u lodhur, duke ndihmuar të tjerët.
…Duke ndjekur rrugëtimin e këtij njeriu të thjeshtë dhe fisnik përmes kronikës së larmishme të të papërtueshmit Adem Belliu, bujarisë dhe vizionit të bashkëshortes së tij Moza Belliu, kreativitetit dhe gadishmërisë të Vera Belliut që më duket herë si bijë, herë si nxënëse dhe padyshim bashkëpunëtorja më e afërt për mua që mundëson shumcka aty , arritëm të formatonim ” Një jetë…disa histori”.
Nuk di të them me saktësi nëse ajo studio u dha jetë historive të shqiptarëve apo historitë e tyre i dhanë jetë asaj ( historia e Albanian Culture TV daton me 28 nëntor 1997),por një gjë mund ta them me siguri : rrugëtimet tona(shqiptaro-amerikane) kanë udhëkryqe të përbashkëta dhe qëllimi i këtyre komunikimeve nuk ka qenë prezantimi vetëm i suksesit,shkëlqimit që të fal fama dhe paraja, jo aspak…Përmes komunikimit mediatik kemi dashur të prezantojmë udhëtimin që përshkon një qytetar shqiptar në SHBA -në ku jo gjithmonë hapësira është e shtruar me mundësira dhe shkëlqimi është i garantuar dhe doemos nënkupton sukses.Rrugëtimi si proces ku sakrifica është sublime dhe nxit të tjera hapa janë edhe fokusi ynë i vazhdueshëm. Historitë e Lumi Hadrit ku forca dhe brishtësia frymëzojnë, dhimbja -forcë e dr.Shpresa Xhaklit, humanizmi me emrin e Ismail Ketës & Ambra Medës, tingulli -peneli i Luka Hajdinit, humori i zgjuar dhe botimet e Pëllumb Kullës, Gjilberta Luca ,vajza që më bën të pëlotem por edhe të qesh shkodrance , zërat e rinj të Pranvera Cobës, kënga e Era Hoxhës,saktësia precize e sistematikut Dalip Greca,prezenca Vera Kurtit,ekselenca e Enea Jankos, Aleksandër Micit, dhurata historike në studio Tinka Kurti, pjekuria e parakohëshme e Granit Limanit, filmi shqip i Ariot Myrtaj, shkathtësia e Rina Lilës, vargu meditativ i Veneta Callpanit , qytetaria e Pandeli Simsias, historitë fisnike të Beqir Sinës autorit të lajmit ,Dielli i Vatrës, platformat dhe ekspertiza bankare e financierit Nick Markola si dhe vezullimet e eksperiencave të jashtëzakonshme diplomatike të Mal & Donika Berishës…janë kaq shumë dhe pas cdo komunikimi me ta ka një tërësi cështjesh të hapura nga të cilat mund të mësosh shumë. Jo më kot televizionet janë konsideruar universitete …tryeza të mendimit , debatit, vizioneve rreth një realiteti që për ne ,shqiptarët që jetojmë në Amerikë është shumë i madh edhe gjeografikisht. Jeta jonë zë fill atje në atdheun e shtrenjtë dhe degëzohet këtu, por me rrënjët atje, kujtimet, frymëzimet por edhe shqetësimet ,ankthin , enigmat në kushtet e një stabiliteti të munguar. Eshtë vetëm një jetë tek gjithsejcili nga ne, brenda të cilës jetojnë kaq shumë histori, ku theksoj suksesi nuk është i vetmi qëllim, por procesi i ecjes, vështirësive, përvojave nga ku mësohet , janë historitë shpesh edhe të përbashkëta ku fatet na bashkojnë duke na bërë edhe më solid në kushtet e heterogjenitetit. Ndodh që edhe në një studio të vogël të jetojnë tema të mëdha ,mendje e njerëz që fatet e tyre personale i kanë inspiruese dhe udhëzuese për të tjerët. Nuk janë vetëm librat ato që na udhëzojnë por edhe njerëzit, veprat mendimet të cilat urojmë ti takojmë e pse jo ti kemi miq të përjetshëm.
Marjana Bulku (shkurt 2015)
New York
Maratona e leximit dhe ajo e religjionit
Shkruan: Marjana Bulku,New York/
Debatet e kohëve të fundit që kanë përfshirë aktorë të ndryshëm të politikës ,fesë, medias, etj ,në themel të tyre kanë Njeriun , atë prej mishi dhe gjaku, mëkatar dhe hero,tradhëtar dhe të besës, virtuoz dhe monstruoz, inspiruesin,rebelin, misionarin, ordinerin…Eshtë kaq e larmishme qënia njerëzore ndaj shpesh është vështirë dhe mbase e padrejtë ta kategorizosh si mallin në vitrinë siç sapo unë gabimisht bëra. Por ajo që dua të them është diferenca që përbën dallimin thelbësor mbi çdo lloj humanoidi , është e drejta, ky koncept antik që ka shoqëruar çdo fazë të evolucionit shoqëror. Tërësia e të drejtave që artikulohet sot, përfshirë këtu edhe ato të kafshëve , më bën të ndërhyj drejt e në thelbin e fenomenit që ka pushtuar çdo mjedis mediatik sot . E drejta kushtetuese mbi lirine si paraprijëse e të drejtës njerëzore ,bazuar në ato shpirtërore ku hyn edhe besimi fetar është ajo që ka mbetur nëpër ”vitrina” pa prekur ende siç duhet ,aty ku duhet, mendjen ,shpirtin. Falë kontakteve sistematike me librat, në mjediset e bibliotekës ku kam pasur rastin të punoj përkohësisht kam pasur fatin të shfletoj ,shqyrtoj literaturë fetare të të gjitha besimeve, nuk më kanë ndryshuar botkuptimin tim mbi fenë të cilës i përkas, përkundrazi ma kanë përforcuar atë. Madje mendoj se sa më shumë lexon dhe ndjek aspekte të tilla mësohesh të kuptosh sesa vlerë ka besimi fetar, a duhet besimi fetar, si mund të ushtrohet ai, pa garuar, pa iu imponuar me asnjë lloj mjeti tjetrit.
Kam dëgjuar 18 -vjeçarë gjimnazistë që leximin e kanë përtim,ashtu siç kam degjuar edhe nga ata besimtarë 18 -vjeçarë që të mahnisin me fuqinë e mendimit dhe thellësinë e gjykimit. Preferencat fetare nuk mund të më minimizojnë simpatinë që të krijon individualiteti njerëzor që konsolidohet përmes leximit të Biblës apo Kuranit,ajo që maksimalizohet përballë të rinjve të tillë është respekti për personalitetin e ndërtuar me studim pavarësisht religjionit.Ashtu siç shokohem nga besimtare që trumpetojnë besimin pa lexuar asnjë faqe të librave të shenjte ku ata ulërasin se besojnë. Besimi i sinqertë është i heshtur, i qartë , ndriçues.Studimi , ky akt që konsolidon besimin, dhe skalit kulturën e maturimit. Ky ka qenë përfundimi im i kahershëm që e kam mbrojtur edhe përmes debatit pse jo si një mjet i shëndetshëm edhe pse i munguar (a nuk na janë imponuar bindjet ne historikisht pa thirrur logjikën dhe faktet por duke i anashkaluar ato?!).
Çështja që mbetet ende e debatueshme është thellësisht humane: A duhet të përbuzen mendimet që lindin nga besimi dhe adhurimi?
Ajo që lind nga mendimi quhet bindje ndërsa ajo që lind nga besimi quhet ndjenjë. A duhet ti vriten njeriut këto?!
Jemi pikërisht aty ku e drejta si koncept i përgjithshëm përfshirë dhe ato të kafshëve merr kuptim human duke prekur ndjenjat ,hendekun që na ndan .
Rasti i Francës rihap dhjetra teza për të cilat miliona zëra, shpirtra ,mëndje sot janë aktive ,por edhe veprimet gjithashtu ( të dhunshme dhe të padhunshme).Kur shpallej pluralizmi e njeriu ishte i lirë të besonte jo vetëm në një parti, për ne shqiptarët në mënyrë të dyfishtë na u shfaq edhe një tjetër liri, ajo e besimit…Dhe sikurse çdo liri tjetër ajo vinte nga një rrugë e gjatë ku koha kishte bërë të vetën,,, Librat e shenjtë ashtu si ato shkencor kishin qenë viktima dhe nuk ka dënim më të madh për humanoidët se sa tu mohosh të drejtën e iluminimit të mendjes.Liria u shfaq si koncept por a u kuptuan ndonjëherë se ajo është tërësi të drejtash dhe përgjegjësish. Kur flitet për lirinë , në të është fjala, lapsi, mendimi, kundërshtimi, rregulli, reagimi. Ajo është një tërësi që të kufizon nëse e shkel dhe të lartëson nëse e respekton. Kjo kohë edhe pse me ngjarje të dhimbshme na e rikujtoi këtë. Edhe nëse dikush e ka të pamundur për ta kuptuar ; Kujdes. Edhe nëse mjedisi politik a shoqëror nuk na edukoi me konceptin e lirisë ka tjera mjedise ku ajo mund të mësohet…Për të mos abuzuar me lirinë nuk do rendis mjediset që kristalizojnë atë por ju kujtoj LIBRIN. Ka gjithmonë një kohë për t’ju kthyer librave,leximit, atje flitet me zë të ulët, atje ka pafund rafte, zgjedhje, liri, atje nuk të sheh askush shtrëmbër për zgjedhjen që bëre. Një maratonë leximi do ia kalonte çdo marshi apo ecje -paradë me duar shtrënguar por me shpirtra të lënguar.
New York
Janar 2015
Sasha Pajevic, gruaja që cështjet gjinore i shndërroi në një të drejtë shoqërore
Nga Marjana Bulku-New York*/
Ne kishim punuar mjaft muaj bashkë në Shqipëri.Ndoshta në kohë të ndryshme por që falë programeve që NDI(Instituti demokratik amerikan)ofroi pas viteve 90 -të në Shqipëri në ndihmë të ndërtimit dhe konsolidimit të proceseve demokratike atje.Ndoshta në mënyra të ndryshme por në funksion të një kauze të përbashkët.Ajo në mënyrë globale e rajonale ndërsa ne ,në rrafshet tona lokale ku shpesh herë politika, ajo e vogël dhe meskine na kishte ndarë, deformuar ,transformuar,,,pa arritur të na zbulohej kurrë vizioni ynë i vërtetë, qëllimet tona të përbashkëta, përpjekjet , në dukje të vogla por me efekte dhe rezultate konkrete,kontributet tona reale brenda subjekteve të ngushta ku politika shihej vetëm si flamur partie dhe jo si platformë e saj. Sasha do të shndërrohej natyrshëm në një lidere të vërtetë nga ku liderët politikë në Shqipëri do kishin cfarë të mësonin, nëse do ekzistonte ky i fundit vullnet.
Janë qindra zonja që e njohin Sashën : e palodhur, organizatore e mirë e qindra trajnimeve ku mësimet reciproke na vlejtën edhe pse mosha jonë e të nxënit ishte ndoshta një cikël i mbyllur për shumëkënd,,,thirrjet e saj përtej lodhjes së natyrshme që puna me gratë ndonjëherë jep; ”vajza,vajza” na bënim të ndjeheshim vërtet rinore dhe energjike në moshë,por edhe në kontribute. Ajo mbante shënime për cdo herë shtoheshin ato tryeza shkollash plot dije që Instituti Demoktatik Amerikan në Shqipëri ofronte për Liderët politikë në Shqipëri si dhe për trajnerët e Partive politike ku shume nga ne patën rastin të certifikohen pas shtjellimit të disa moduleve studimore. Me humorin e hollë ajo din të bëjë miq ndërsa me zgjuarsinë di të ndërtojë partnership afatgjatë.Ka dicka që ajo din ta bëjë gjithmonë mirë ; rekrutimin e kapaciteteve njerëzore dhe motivimin e tyre për të bërë cfarë ata dinë dhe munden.
Teksa bisedoj me të në zemër të Manhattanit kujtoj me nostalgji vizitat e saj në Peshkopi,,,ecjet nëpër qytetin e ftohtë me hapin sportiv por edhe me aparatin on, ku lagja e vjeter historike do ta tërhiqte ndoshta më shumë sesa ish-banorët nostalgjikë të atij qyteti ku bukuritë janë braktisur pa kthim…Atë e tërheq cdo qytet shqiptar,,,kemi shumë të përbashkëta ,shprehet ndërsa i mbivlerëson shqiptarët si njerëz paqësorë që pranojne realitetin ,rrjedhimisht edhe bashkëjetesën me të.
Kujtojmë së bashku emra,,,që janë dhe s’janë (kujtesë brilante),,, por që thjeshtësia e saj nuk lë asgjë për të neglizhuar, një lloj thjeshtësie që është sekret madhështie në të njejtën kohë. Nuk i ka harruar shakatë, udhëtimet, takat e larta të grave që menjëherë pas takimeve zyrtare zevendesoheshin me të sheshtat e thjeshta…”Ato ishin femra me shije e klass që politikës do ti falnin civilizim dhe mjaft efikasitet”
Eshte specifik rasti se si ajo arriti ti bënte gratë të linin mënjanë mëritë dhe ndasitë e politikës kur projektonin kauza mbi shëndetin, sigurinë, mirëqenien. Familjet e shëndetëshme dhe gratë, politika jo si pronë vetëm e njërës gjini, gratë shqiptare dhe mania e shkollimit pafund , vetëvlerësimi ishin pafund kauza që u shndërruan në projekte rajonale ku Dibra, Gjirokastra, Tirana, Berati , Shkodra ,etj kishin strategji të përbashkëta mbi shendetin, sigurinë, higjenën …
Ajo negocionte me liderët lokale të subjekteve politike duke ju bërë prezentë se kontributi i grave tejkalon kufijtë partiake dhe në fakt partitë janë institucione që normalisht duhet të normalizojnë raportet ndërnjerëzore,,,por dëshpërimisht ndodh e kunërta ato shpesh herë i ndezin fitilat e konflikteve mes njerëzve që subjektet politike i kanë shndërruar në barrikada ku lufta zhvillohet me mjete të fyerjes, poshtërimit, mohimit …
Kur e pyes për Shqipërinë e ku me vete kam gjithmonë mallin e ikjes dhe nostalgjinë e kthimit atje ,natyrisht përzier me dashurinë e gjërave të bukura që bëmë e mund të bënim për atë vend ,ajo menjëherë përgjigjet se;” ai vend ka progresuar,,, ka ecur nëpër një udhë ku jo të gjithë ia kanë lehtësuar ecjen…por është një proces”.
Unë kam takuar shumë njerëz që e duan Shqipërinë, ëndërrojnë për të ,kontribojnë atje ,por janë të rrallë ata që shfrytëzuan energjitë më të mira që ka ai vend në funksion të programeve, misioneve, kauzave. Sasha Pajevic, gruaja qe u be Lidere ndoshta e pashpallur e cështjeve të grave në Shqipëri, ajo që dinte të menaxhonte saktësisht burimet ( njerëz ,kohë,para) ajo që tejkaloi programimet kur pa se nevoja e tejkalonte kërkesën,ajo që gratë e partive i bëri bashkë në një rrjet kombëtar (”Barazi në Vendimmarrje”),ajo që axhendat e varfra partiake i pasuroi me teknika dhe profesionalizëm, ajo që di të thotë ”Faleminderit” pas cdo kontributi, ajo që bashkëpunëtorët i quan pasuri të shtrenjtë dhe i ” shpërblen” me mos harrim, ajo që Shqipërisë nuk i pëlqen vetëm peisazhin dhe ushqimin e shijshëm ,por edhe njerëzit dhe vyrtytet.Ajo që Shqipërinë nuk e harron kurrë e meriton mirënjohjeen e atyre që e njohin dhe vemendjen edhe të të panjohurve.
Teksa pijmë një kafe së bashku me Sashën , diku në Manhattan,,,edhe pse tashmë asnjëra nga ne nuk jeton më në Shqipëri,por duket se jo vetëm biseda jonë ka mbetur atje,por një kohë shumë e madhe e jona jeton ende në Shqipëri.
Ndodh që edhe pse jetojmë në vende të ndryshme,udhët të na takojnë prapë në Shqipëri, ajo me miqtë e saj prej Malit të Zi e unë me miq …prej nga kudo,por një gjë është e sigurt tek Sasha padyshim që ka mbetur dicka shqiptare aty, vitet që jetoi atje, njerëzit që nuk i harron dot kanë lënë gjurmë Shqipërie madje edhe shumë fjalë shqip në fjalorin e saj. Ndërsa tek zonjat shqiptare ajo ka lënë një network që për fat është ende i gjallë dhe aktiv” Barazi në vendimmarrje” , një format më shumë në vazhdën e përpjekjeve për ti dhënë frymë demokracisë në Shqipëri.
Faleminderit Sasha, edhe në emër të zonjave për të cilat ju investuat aq shumë .
Marjana Bulku
New York
2015
* Ne Foto, autorja e shkrimit me zonjen Sasha Pajevic
Përtej ligjëratës së një DIPLOMATI
…(Proud to be albanian)/
NGA MARJANA BULKU/New York/
Eshtë e zakonshme që shqiptarët e Amerikës ti shohësh bashkë duke festuar data e ngjarje që mbartin ngjyrat e atdheut amë, por 14 dhjetori i 2014 -tës i gjeti ato përsëri bashkë në një mjedis jo fort të zakonshëm , jo vetëm për nga rregulli dhe mirëorganizimi,por edhe për nga tradita strikte e ruajtjes së historisë si dokument, si debat, si film,diskutim dhe ligjëratë.Ambasadori shqiptar në Londër Zoti Mal Berisha në një ligjëratë që përcjell informacione të larmishme , ekstrakte historike, akademike, letrare, politike e diplomatike për një personalitet të gazetarisë, shkrimit dhe diplomacisë që vitet e fundit të jetës së tij, kishte shëbyer si Ambasador ne Shqipëri,Herman Bernstein. YIVO Institut për kërkime historike këtu në New York , u bë kështu një mjedis ku historia e Shqipërisë, shfaqet përmes ligjëratës brilante të një ambasadori shqiptar ,por edhe pyetjeve që nuk reshtnin prej audiencës të të pranishmëve në sallën e tejmbushur. Janë kryesisht amerikanë ata që historia plot drithije shqiptare ,i ysht të dijnë më shumë pse ky vend i bëri vend me një bujari të pashembullt hebrejve të pa atdhe?! Si shpjegohet që kodi i Besës është në ADN-në e tyre dhe i përcakton si qenie të rralla në mes të qytetërimeve ku jo gjithmonë nacionaliteti përcakton vyrtytet njerëzore.Pse shqiptarët mikut i falin garanci jete edhe kur e tyre ndoshta është në kufijtë e mbijetesës ?!…
Janë disa Përse??? që një diplomat karriere si ambasadori ynë z. Mal Berisha ,i cili na bëri të ndjehemi shumfish krenarë në atë sallë, u përgjigjet pa u lodhur me qetësinë karakteristike dhe me diapazonin e gjere të njohurive që ai dëshmon në cdo akt që shoqëron veprimtarinë e tij si diplomat i vlerave historike, kulturore, humane , etj.
Komuniteti shqiptaro -amerikan, vatran dhe aktivistë që patriotizmin nuk e ndajnë nga jeta e tyre e përditëshme patën rastin të prekin nga afër vlera qe historia krijon, por kujdesi dhe solidariteti njerezor i përjetëson.
Përmes ligjëratës ku paralelisht shpaloseshin faqet e një broshure të realizuar enkas për këtë event, patëm rastin të kuptojmë se sa e rëndësishme është regjistrimi i fakteve në kohën e duhur, se sa shumëplanëshe është historia, se si ajo e shkuar projekton të ardhmen edhe pse nëpër udhëkryqe spekulimesh .Patëm rastin të shohim sesi institucionalizohet e vërteta kur investohet për të;pëmes shkrimesh, investimesh, fotosh, filmimesh,debatesh, letërkëmbimesh që kujtesën e bëjnë aktive dhe njeriun e pasurojnë edhe kur atdheu është larg(rasti shqiptar) apo atdheu nuk ekziston (rasti jew).
Interaktiviteti komunikativ në sallën ku historia valëvitej si flamur ,ishte efekti më i bukur që një event mund të ketë. Metodikisht kur cdo komunikim pasohet nga pyetje dhe kureshtje ,,,gjithcka s’është vecse një jehonë ku historia shfaqet si ”diamant” shumëfaqesh, dritash, këndvështrimesh, ngjyrash, ku gjithsecili pavarësisht qëllimit pse ndodhet aty , ka cfarë merr dhe mëson, kupton dhe reflekton, nxë apo maturohet duke u pasuruar.
Personalisht i takoj asaj kategorie njerëzore që historisë përpiqem t’ia përvetësoj të gjitha efektet, ta ruaj dhe konservoj ti kthehem dhe rikthehem si refleksion dhe avancim nga ku cdo akt është eksperienca e një suksesi apo dështimi.
Shqiptarët dhe amerikanët ,bashkë ,me histori tashmë të përbashkëta luftrash dhe mbijetese , kujtese dhe qëndrese nga ku e kaluara shpjegon shumcka mbi të ardhmen tonë kur themelet e saj plurosen me harresë , xhelozi , mëri dhe luftra të padrejta. Dhe në momente të tilla ,ndërveprimi i mendjeve të kthjellëta na ndihmojnë dhe qartësojnë duke u mirëorientuar drejt asaj që nuk kemi arsyje ta harrojmë kurrë edhe në kohët gri :”Proud to be albanian” , tashmë është flamur shpirtëror i shqiptarëve.
Marjana Bulku (dhjetor 2014)
Faktorët që nuk u faktorizuan dot!
Nga Marjana Bulku/
Gjithmonë i kam drejtuar sytë nga rinia,jo vetëm sytë por edhe shpresat. Arsyjet janë shumë , brenda dhe jasht meje ,për shkak të profesionit (duke qenë mësuese për shumë vjet kryesisht me maturantë), duke qenë prind që gjithmonë te fëmija sheh tejkalimin e vetvetes, duke qenë qytetare që beson se e reja është ajo që triumfon përherë pavarësisht barrierave. E meqënëse kjo ndodh , ridimensionohet rëndësia që ka modeli që implantohet te ky brez, tek statura që ndërtohet aty, tek shembulli që përcohet dhe reminishencat që e kaluara ngulit aty.
Kemi një rini aktive, që vrapon drejt dijes me shpejtësinë që teknologjia bashkëkohore ofron, një rini që tenton të ketë edhe reputacionin, edhe paranë , që ka frikë të flasë për politikën edhe pse shpesh është preja e saj ,një rini që pret shumë ,sheh shumë,shpreson , zhgënjehet .E cfarë mbetet në një rast të tillë??? Që DIKUSH t’ju krijojë kushte që keta të veprojnë.
Tashmë në të gjitha territoret shqiptare duket se ndërveprojnë disa faktorë : – Klasa politike , -Diaspora, -Brezi i ri që po edukohet globalisht, brenda territoreve shqiptare dhe jasht tyre .
Po ti analizosh vec e vec ,cka do të ishte dhe duhet të jetë objekt i tryezave të vecanta, do të rendisje pafundësisht epërsi, dobësi , resurse …
Nuk dua të ndalem tek Klasa politike , atë e kemi ushqimin dhe helmimin tonë të përditshëm.
Dua të cikloj dicka që më bën ta shoh me mirënjohje diasporën si një faktor që padyshim hijeshon shqiptarinë me modelin e punës, ruajtjes së traditës, lidhjeve të forta me trojet amë dhe patriotizmin e natyrshëm ,aspak formal apo sezonal por të përhershëm dhe inspirues. Mjafton të ndjekësh veprimtaritë e tyre ku duket se malli , dashuria dhe distanca shkrihen duke ”ndërtuar” një mini atdhe në mjediset e tyre familjare,shoqërore, të festës dhe më gjere, që edhe pse mund të duken patetike, mbartin vlera të trashëguara, të ruajtura,të ripërtërira , vlera që dëshmojnë se te e djeshmja jonë e ndritëshme ka shkëlqime shprese, ashtu sic po atje gjen edhe histori e persekutime të padrejta që nuk duhet të përsëriten kurrë më.
Diaspora është jo vetëm një faktor por edhe një thesar nga ku historia merr kuptim , shkëlqim dhe pasurohet duke ofruar shpresat e alternativës.
Faktorizimi i rinisë do ishte tejkalimi i ngërceve, dilemave por edhe i padijes si trashëgim, mallkim apo solidarizim. Në 25 vjetët e post komunizmit ka mundur të rritet një brez tjetër , një brez ndryshe , që dijnë të tejkalojnë prindërit e tyre mëkatarë ose jo ,sigurisht përmes dijes, studimit dhe eksperiencave më të mira. Ky brez frymëzon tre breza duke bërë bashkë ato :bashkëmoshatarët , prindërit dhe gjyshërit e zhgënjyer apo shpresëëndërrimtar.
Dikur shkruaja një draft me titull ”Profile adoleshence” ku me emra ,portrete dhe arritje kisha ndërtuar një ”familje ” me nxënës që sot në fakt, shumë prej tyre shkëlqejnë ,emrat e tyre më rrijnë në mendje po aq sa progresi nëpërmjet të cilit ato rriteshin e maturoheshin…Unë mbaja shënime,,,Erda, Selmani, Orgesta,,,,janë me dhjetra e dhjetra , brenda dhe jasht Shqipërisë ,por me qindra janë idetë e tyre , arritjet, ëndrat ku ka mbidoza të dashurive tona me të cilat ato u mëkuan. Profileve të tyre të adoleshencës mund të shohësh mjekun e ardhshëm , diplomaten , sociologen,,,po aty mund të shohësh edhe karakterin e dubluar dhe frikacak,,, atë që heziton , tenton , trembet nga përballja me jetën, atë që guxon.
Jetës nuk i thuren plane(ndoshta) ,por me siguri asaj i rrihet pranë me kujdesin e mendjes , shpirtit dhe materiales.