In memoriam me rastin e 93 vjetorit të vendosjes së mbretërisë shqiptare 01 shtator 1928-01 shtator 2021
Nga Ndue BACAJ
93 Vite më parë , me 01 shtator 1928 Asambleja Kushtetuese e dalë nga zgjedhjet e 17 gushtit 1928, vendosi që forma qeverisëse në Shqipëri të ishte Mbretëri (Royaume) Demokratike, Parlamentare dhe e Trashëgueshme dhe Mbreti i shqiptarëve ishte Zogu I. Deri atëherë “tradita” qeverisëse e shqiptarëve kishte kaluar rreth katër shekuj e gjysëm e “mbështjellë” me vellon e errësirës , kerbaçit dhe kulaçit që serviri sundimi Turko-Osman në Shqipëri, si dhe në kalvarin e intrigave e luftrave që sillte pa prerë grykësia e fqinjëve sllavë që kërkonin të shkyenin sa të mundnin nga trojet shqiptare. Gjithsesi errësira e gjatë kishte qenë mjaft e përshtatshme për punë të zeza, të cilat nuk kishin të mbaruar as mbasi Perandoria e të keqes (Osmane) vdiq, dhe Europa kënaqi jo pak grykësinë e “klyshëve” të Rusisë. Por dhe pas të gjitha këtyre ajo Shqipëri që “teprojë” nga konferenca e Londres (1913) nuk ra në paqe e qetësi, madje kaloi aq kohë të turbullta sa shpesh shkoi në zgrip edhe ekzistenca e saj, ndonëse për këtë u pagua mjaft shtrenjtë, veçanërisht në viset veriore dhe verilindore të Shqipërisë Etnike. Pas kësaj fature tragjike që paguan shqiptarët ndër të gjitha pushtimet që kaluam, ende Europa nuk shikonte pastërtinë e trojeve tona nga “erërat” e këqia që lanë pushtuesit , e veçanërisht ajo ende pretendonte se era e pushtuesit shumëshekullor turko-osman po “qelbte” vetë Europën. Padyshim shqiptarët këto erëra të këqia (të pushtuesve) herë pas here kërkuan t’i pastrojnë, ku mjerisht për të pastruar një “erë” të keqe sillnin një stuhi tjetër të keqe… Gjithsesi, duke qenë objekt i shkrimit kontesha Geraldinë, unë po e “lë” me kaq dhe po kaloj te viti 1928 kur në me 01 shtator në Shqipëri u vendos mbretëria. Mbretëri e cila përveç shpresës kishte brenda edhe mjaft element të perandorisë turkoshake, ku spikasin rreth këtij oborri mbretëror shumë përfaqësues në zë të familjeve feudale e të “nderuar” me tituj nga Turqit si ,”beg”, “aga” ,”bajraktar”, “pasha” ,”vezir” e të tjer të “zgjedhur” , kur në fakt këto tituj nuk ishin rrjedhim i formimit historik, por në shumicë i përkisnin atyre familjeve që me zellin shpesh edhe të tepruar i kishin shërbyer lakunisë së pushtuesit Aziatik turko-osman i cili i kishte shpërblyer ne kohen e tyre , por që mjerisht disa nga këta ende ishin “mina” me sahat për kombin tonë (kujtojmë Esat Pashë Toptanin e tjerë). Mbreti i kurorëzuar ishte në fakt një malësor i shkolluar nga Mati , i cili rrjedhte nga një familje (Zogollëve) që ndonëse kishin kohë që kishin ndërruar fenë (duke u bërë musliman), por që kishin vërtetuar se nuk kishin ndërruar atdheun e detyrimet ndaj tij. Këtë mund ta ilustrojmë të paktën me vetë mbretin Ahmet Zogu, i cili ishte një ndër pjesëmarrësit aktivë në Kongresin e Lushnjes (1920) dhe qeverinë e saj, por edhe pjesëmarrës në drejtimin e luftërave mbrojtëse të këtyre viteve (kujtojmë luftën e Koplikut 1920). Gjithashtu zhvillimet e mëvonshme, para dhe pas mbretërisë ende “rrezatonin” çehre të verdhë aziatike, ndërsa armiqtë e ndërgjegjshëm dhe të “pandërgjegjshëm” të Shqipërisë me “furçën” në dorë (në të shumtën sllavo-bolshevike) kërkonin t’ja shtonin ngjyrën e verdhë aziatike mbretërisë, ku edhe në mes kësaj “mjegullnaje” si për inat të armiqve të vjetër e të rinjë të kombit tonë kishte arritur mjaft suksese në krijimin e një shteti jo pak “modern” për kohën. Për të plotësuar këtë ia vlen të theksohet se në Europë kishin filluar të hedhin shtat dy ideologji e sisteme të kundërta në dukje por të përafërta në qeverim e mjerim, Komunizmi dhe “alternativa” e ekstremit tjetër Fashizmi. Natyrisht në këto kushte mbretëria shqiptare ishte më e sulmuar se kurrë, madje pika më e goditur ishte ajo se duke qenë musliman nga besimi mbretin Ahmet Zogu shpesh e akuzonin si Turko-Osman , anadollak dhe epitete të tjera të cilat jo pak e dëmtuan në arenën kombëtare dhe atë ndërkombëtare Shqiperinë. Roli i fqinjëve sllavë nuk kishte aq rëndësi sa roli i “ambasadorëve”, disa dhe me orientim Bolshevik që ishin shpërndarë nëpër botë, nën pretekstin e përndjekjes politike nga mbretëria “turkoshake”, “anadollake”, e deri fallsifikime të ndryshme tradhëtishë e shitblerjesh të Shqipërisë e trojeve të saj. tashmë në këto kushte aspak të favorshme, madje kur kishte filluar të fabrikohej edhe justifikimi i pushtimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste (në atë kohë ende ishte sekret i fashistëve…), një ndër “justifikimet” e pushtimit siç do të merrej vesh më vonë kishte qenë edhe pushtimi i trojeve shqiptare për t’i çliruar gjoja nga mbretëria “Anadollake” e Ahmet Zogut , shqiptarët e “robëruar”, ku si çlirimtarë do të “priteshin” fashistët. Pikërisht në këto ditë të vështira mbretit Zog I ju “servirën” tre fotografi të konteshës së re Hungareze me emrin Geraldina nga një gjeneral dashamirës i mbretërisë, ku ju dërgua dhe jetëshkrimi i shkurtër i kësaj konteshe katolike, që pas njohjes reciproke më 10 janar të vitit 1938, Kontesha Geraldine Appony pranoi të bëhej bashkëshortja e Mbretit Shqiptar, ndonëse ai ishte i besimit musliman ,dhe kjo katolike.. Oborri mbretëror e shpalli këtë fejesë më 30 janar 1938, dhe të nesërmen edhe parlamenti shqiptar e miratoi këtë fejesë pa asnjë kundërshtim, duke i dhënë një “leksion” të mirë Europës plakë e cila ende e shihte mbretërinë me syze turkoshake, por pas kësaj jo më kot disa gazeta të Europës fejesën e Konteshës katolike me mbretin musliman e quajtën më shumë se civilizim i mbretërisë…Por përpara se të shkojmë tek martesa po paraqesim një jetëshkrim fare të shkurtër të kësaj konteshe që do të vinte kurorën e mbretërisë sonë:
Geraldina lindi më 6 gusht 1915 në Gjenevë të Zvicrës, ajo ishte e bija e kontit Hungarez Xhula Appony, dhe e konteshës Gledis Stjuart nga Amerika e largët. I ati i Geraldinës konti Xhula, në fillim të luftës së parë botërore kishte marrë pjesë në forcat Austro-Hungareze duke luftuar kundër Serbëve. Mbarimi i luftës së parë botërore, dhe shpërbërja e perandorisë (Austro-Hungareze) shkaktoi probleme për këtë familje dhe vetë shtetin Hungarez i cili u copëtua jo pak në bazë të traktatit të Trianonit, ku pjesë të bukura të Hungarisë së bashku me tre milion e gjysëm hungarezë u lanë jashtë kufinjve etnikë të Hungarisë (“fat” i përbashkët me shqiptarët). Çifti Appony kishte pasur edhe dy fëmijë të tjerë, një djalë dhe një vajzë. Pas vdekjes së babait të tyre, kontit Xhula Appony në vitin 1924, “jetimët” shkuan në kolegjin “Sacre Coeur” të Petersburgut, Austri, ku edhe mbretëresha e ardhëshme Geraldina do të arsimohej duke kryer fakultetin e shkencave shoqërore dhe financiare. Për Geraldinën e motrën e saj u kujdes halla e saj (motra e babës), kontesha Karoly, e cila zotëronte një nga kështjellat më të bukura dhe më të famshme të Hungarisë në Zebegeny. Thonë se kjo konteshë e kishte bërë zakon që në periudhën verore të priste të gjitha mbesat e saja, ku për to kishte përgatitur një “fshat” ku kishte të mbjellura të gjitha llojet e luleve e dekoracionet më fantastike të gërshetuara me mjaft fantazi e bukuri. E mbesat e kësaj konteshe që kalonin verën këtu të gjitha kishin marrë një emër luleje. Për shkak të bukurisë të bardhësisë së saj natyrale Geraldina kishte marrë emrin Trëndafili i Bardhë i Hungarisë… Që pa vonuar do të “zbardhte” me ngjyrën e bardhë të krishtërimit, mbretërinë disi të “verdhëcitur” të shqiptarëve. E kjo ndodhi me martesën e Geraldinës me Mbretin shqiptar me datën 27 prill 1938, ku kjo datë koinçidonte me martesën e prijësit legjendar të shqiptarëve dhe europianëve Gjergj Kastriotii, Skënderbeut me Donikën nga Vlora (më 27 prill 1451).. e kjo “koinçidencë” nuk fliste pak për kohën… Kjo date e “njejtë” martese dhe vetë martesa flasin mjaft po të kujtojmë të gjithë personalitetet e botës që kishin uruar fejesën dhe uruan martesën e Mbretit Zog me konteshën Geraldinë, si Presidenti amerikan Ruzvelti, mbretëria e Italisë, Anglisë, Suedisë, Norvegjisë, Egjyptit e tjerë. “Krishtërimi” i çiftit mbretëror filloi që në mënyrën e organizimit të dasmës, celebrimit të vetë dasmës, si dhe mënyrën origjinale të kalimit të natës së parë të çiftit mbretëror, ku siç kujton bashkëkohësi, gjimnazist që ka marrë pjesë në dasëm, Beqir Ajazi në një shkrim të tij, se atë natë në hotelin që priti çiftin mbretëror nuk qëndruan çehrerëndët e tij për të ruajtur, por u ruajt nga të rinjtë (gjimnazist) që ishin ftuar edhe në dasëm, nga ku filloi një erë e re në lëvizjet e daljet publike të mbretit e mbretëreshës, të cilët u afruan më shumë me popullin e hallet e tij, nga ku do të fillonte një epokë e re e mbretërisë shqiptare. Duhet theksuar se Fan Noli një nga kundërshtarët permanent të mbretërisë e vetë Mbretit në vitin 1937 i kishte shkruar Mbretit për t’u “pajtuar” , dhe për të fituar një pension , të cilin mbreti si për “rastesi”, që në fillim të vitit 1938 kur ai fejohet me konteshën Geraldinë fillon t’i japë pensionin e kërkuar Nolit, madje dhe shumë kundërshtarëve të tij politikë, çfarë tregon për një shpirt më paqësor, më sentimental, e pse jo më kristian që ka në themel mëshirën e faljen të cilat ishin disi më të kufizuara në të shkuarën. Gjithsesi me këtë martesë kundërshtarëve të mbretërisë (shpesh edhe të Shqipërisë) u iku nga “dora” argumenti “kryesor” se mbretëria shqiptare është një derivat i rëndomtë i perandorisë anadollake, madje fillimi i një jete më moderne europiane i mbretërisë ishin disa nga premisat që rrisnin shpresat që shqiptarët të hynin më shtruar në sofrën europiane, nga ku për hirë të vërtetës duhet thënë se asnjëherë nuk qëndruam të përbuzur e braktisur si shpesh herë sot në shekullin e ri…(Kujtojme se me pasaporten e mbreterisë shqiptare udhtojë pa vizë (si sot) në Europë , madje edhe në Amerikë, ndërsa leku shqiptar ishte një monedhë e shkembyeshme e me vlerë në të gjithë Europën…). Pas kësaj martese fatlume e të bardhë për mbretërinë e vetë shqiptarët, nuk ishte thënë prej Zotit të zgjaste më shumë se rreth një vit, kur fashizmi (Italian) më 7 prill 1939 ndërmori aktin barbar të pushtimit të Shqipërisë, ndërsa mbretëria si të gjithë shoqet e saja në Europë u detyruan të lënë vendin e tyre, për të mos u bërë “graso” për grasatimin e ingranazheve të shtetit 40 milionësh fashist, e ndërsa Shqipëria kishte më pak se një-milion banorë. Kujtojmë se kishte dhe shtete të tjera që , për të mos prishur qytetet dhe historinë e tyre “lejuan” pushtimin pa luftë, e këtu vlen të përmendim Francën që dorëzoi Parisin… Gjithsesi shqiptarët qëndruan, por qëndresa nuk dha rezultat për arsye që dihen. Por me këtë rast shqiptarët lëshuan toka e troje, por jo shpirtin liridashës e trimërinë e tyre, të cilët e demostruan vazhdimisht në luftën e paprerë, si me fashistët italian dhe ata gjerman. Ndersa në keto kushte mbretëria u detyrua të marrë rrugët e kurbetit, që nga Greqia, Turqia, Anglia, Franca, Spanja, Egjypti, Afrika e Jugut e gjetkë. Mjerisht për Shqipërinë në këtë luftë që quhet lufta e dytë botërore , Mbretëria nuk arriti të bëhet palë bindëse në agjendat ndërkombëtare, për shumë arsye, por dy janë më kryesoret. E para sepse “ambasadorët” emigrant politik me të filluar lufta trumbetuan me shtypin e miqësinë e tyre antimbretërinë, duke e paraqitur si mbretëri tradhëtare e që kishte shitur vendin. Madje u arrit deri aty sa ti ngjiten të pabëra sikur ka vjedhur thesarin e tjerë e tjerë. Së dyti “Bota” sllavo-ortodokse ku po hidhte shtat komunizmi ishte bërë faktorë në luftë kundër fashizmit, pasi disa grupime anarshiste që dalngadalë Moska e Beogradi do t’i bashkonte e emërtonte si Partia Komuniste Shqiptare, që siç u provua më vonë ishte vegla më e mirë jo vetëm për të shtypur shqiptarët brenda kufirit 1913, por edhe për të ndihmuar në eleminimin e nacionalistëve dhe shpirtit kyrengritës të trevave shqiptare që sllavët i kishin gllabëruar prej vitesh.. Duke realizuar kështu ëndrrën e kahershme që Shqipëria të mos jetë “kurrë” një shtet i bashkuar e i zhvilluar. Gjithsesi Mbretëria në mërgim nuk qëndroi duarkryq, por aktiviteti i saj erdhi duke u zbehur fill pas marrëveshjes së Jaltës e konferences së Teheranit , kur kompromiset politike të forcave fituese e lanë Shqipërinë në duar të Stalinit e Titos, për t’u gllabëruar edhe kjo që kishte mbetur, por edhe për të vazhduar eksperimentet antinjerëzore të komunizmit deri shumë vonë. Natyrisht në kushtet e një emigrimi të pashoq mbretëria shqiptare mbijetoi, edhe pse më 24 maj 1944 komunistët kishin marrë vendimin “historik” të ndalimit të kthimit të Mbretit në Shqipëri. Mbreti Zog u sëmur dhe vdiq në vitin 1961, për t’u trashëguar nga djali i tij Leka i parë i cili u largua nga Shqipëria vetëm dy ditësh. Tashmë kollonisja e Mbretërisë në mërgim bëhej kryesisht nga Mbretëresha Geraldinë, e cila për të mos humbur dinjitetin e saj e të Mbretit sakrifikoi jo vetëm pasurinë që i mugnonte, por edhe kujtimet e fejesës e martesës, si relike, unaza e tjerë. E këto i bënte që edhe djali i saj, mbreti trashëgimtar të shkollohej e aftësohej që një ditë t’i shërbente Shqipërisë… Dinjiteti i Mbretëreshës që tashmë quhej Nëna Mbretëreshë, ishte më i larti i të gjitha mbretërive në mërgim, aq sa shkrimtari i shquar Ismail Kadare do të thoshte: “Mbretëresha Geraldinë është sovrania e vetme në Botë që pas përmbysjes së të shoqit nuk u përgojua ansjëherë , dhe gjithë jeta e saj është një model për mua…”. E përsëri kjo Mbretëreshë e Bardhë ka tërhequr vëmendjen e Papa Gjon Palit të dytë, i cili i kishte thënë Geraldinës: “Me kontributin tënd, me shpirtin tuaj Kristian do të mbeteni e Nderuar për Brezat”. Dhe për këtë Papa ka të drejtë, pasi kjo mbretëreshë në tërë kalvarin e saj të mërgimit 63 vjeçar, asnjëherë nuk mendoi apo shprehu një fjalë të keqe për shqiptarët e Shqipërinë, përkundrazi ajo mijëra herë i ka “bekuar” dhe është lutur për ta në kisha e faltore të ndryshme, duke u dëshmuar jo vetëm mbretëreshë e devotshme, por edhe si kristiane e bindur. Madje ajo asnjëherë nuk kaloi kufijtë njerëzorë e kulturorë në mallkimin apo përgojimin e klyshëve të kuq sllavë që kishin ndaluar jo vetëm mbretërinë, por një popull të tërë… Gjithsesi kur mosha e mbretëreshës po bënte “detyrën”, dhe ajo si çdo qenie njerëzore e tokësore filloi të mendonte për të ndërruar jetë, në shpirtin e saj vlonte dashuria për tja “besuar” trupin e saj tokës së shenjtë shqiptare për të cilën ishte sakrifikuar pa kursim.. Ketë deshirë të saj të fundit mbreteresha Geraldina do të shprehte me fjalet : “Do të vdes si shqiptare, në tokën shqiptare, në mes të shqiptarëve”. Me sa duket ketë dshirë të saj Zoti bëri emer tja plotësojë, pasi me 28 qershor 2002 ajo u rikthye përfundimisht në Shqipërinë e ëndërruar e dëshiruar gjatë. Por pa kaluar veçse pak muaj (me 22 tetor 2002) ajo ndërroi jetë, por tashmë e qetë, pasi do të prehet përgjithmonë në tokën që i kushtoi jeten e saj… Në perjetsim të emrit saj të mirë maternitetit (qendror) të Tiranës i është dhënë emri i mbretereshes Gelardinë…