NGA VALENTIN LUMAJ/
Kushdo që ndoqi mitingun madhështor të Metës në Bulevardin e Dëshmorëve, ka ndjesinë se gjërat po ndryshojnë. Nuk është e vështirë te kuptosh se “rrjedha e lumit” po shkon në “mudhirin” e LSI-së
Erdhën qindra e mijëra nga ana e anës, ashtu siç ju servir, në mbrojtje të Kushtetutës. Jam i bindur, sikurse mund të jeni edhe ju, që një pjesë e mirë e tyre as nuk e dinë egzakt se ku u shkel Kushtetuta. Shume të tjerë as nuk e kanë atë merak. Dua të them që shumica e tyre ishin qytetarë të sfilitur, të dërmuar nga keq-qeverisja, nga mashtrimet dhe varfëria. Në atë miting pati LSI-stë me bindje, apo më se shumti nga këta, punonjës administrate të emëruar në mënyra koruptive ndër vite nga LSi-ja. Pati edhe socialiste që me të drëjte ndihen të braktisur dhe që tek Meta shohin një socialist më të mirë se Rama. Por që shumica e tyre ishin demokratë. Po demokratët çfarë kërkonin në mitingun e Metës? Mbrojtjen e Kushtetutës? Une nuk mendoj ashtu. Demokratët janë të zhgënjyer dhe të papërfaqësuar. Ata, së bashku me kryetarin e tyre Basha, shpresën e kanë tek Meta. Pa Metën ata janë në opozitë përgjithmonë. Në qoftë se ky nuk është nje truk PS-LSI, atëherë i bie që Meta po i shfrytëzon me persosmëri dobësitë e të dyja partive të mëdha, dështimin e qeverisë realizimin e premtimeve dhe të integrimit nga njëra anë dhe dështimin e opozitës në misionin e vet nga ana tjetër. Ai po luan kartën e viktimës, të drejtit, te pastrit. Ai po e kryen detyrën e Presidentit, de-jure në mbrojtje të Kushtetutës, por de-fakto po fuqizon partinë e tij, po e rrit elektoratin me prurje te reja nga e djathta, po vetë-pastrohet nga akuzat e hershme per korrupsion, po ashtu po ju tregon nderkombëtarëve se ka mbështetjen e gjerë të popullit dhe është i paprekshëm.
Me flamurin Amerikan në dorë, nuk po kërkon mbështetjen e SHBA-ve, por të shqiptaro-amerikanëve. Janë të dukshme influenca dhe lobimi i LSI-së në popullatën shqiptare të Amerikës. Nuk ishte rastësi kur Meta në miting tha: ”ju lutem qetësi se po na dëgjojnë shqiptarët e Amerikës, VATRA dhe njerëzit tanë atje”. Le të prononcohet Vatra se kush janë njerëzit e Metës në Vatër. Unë si vatran, kam qenë dhe jam që Vatra duhet ta ruajë integritetin e saj apolitik, dhe e vetmja politike e saj duhet të jetë çështja kombëtare. Aq më tepër Vatra nuk duhet të bashkëpunojë apo mbështesë asnjë parti të majtë shqiptare përderisa ato akoma nuk kanë deklaruar dhe kryer ndarjen shpirtërore nga Partia Komuniste e Punës nga e cila derivojnë. Dikush mund te thotë se kjo ishte një mbeshtetje ndaj Presidentit dhe jo LSI-së. Unë ju përgjigjem se megjithëse z. Meta thotë se nuk është Kryetar i LSI-së dhe znj. Meta (Kryemadhi) thotë se nuk është Zonjë e Parë, në një cift, burrë dhe grua nuk kanë gjë të ndarë, cfarë është e burrit është edhe e gruas dhe anasjedhtas. Kush e lexon ndryshe të lexojë pak më shumë.
Nga ana tjetër, LSI-ja me kryetare Znj. Meta(Kryemadhi), me look-un e ri të saj, jo vetëm fizionomik, por më së shumti të komunikimit të hapur e të drejtëpërdrejtë, të demaskimit të qeverisë socialiste, me ekulencën shpirtërore dhe fetare të shprehjes që ta ka ënda ta dëgjosh dhe në premtimet e saj, po ngjall një shpresë dhe një frymë të re në popullatën e mbetur në Shqipëri por edhe në Diasporë. Deri këtu gjithcka në rregull, nuk kam ndonjë ankesë per ta. Ne fund te fundit kam zili për njerëzit që punojnë dhe i përgëzoj: Shumë bukur z. dhe znj. Meta. Bravo ju qoftë. Më në fund rilindja socialiste po vjen nëpërmjet jush. I vetmi problem është se unë si djathtë (dhe shumë të tjerë si unë) nuk perfaqesohem nga LSI-ja sado joshëse t’i keni ofertat. Ne botëkuptimin tim e ardhmja dhe prosperiteti i Shqipërisë do të vijë nga e djathta.
Ndërsa në botën përëndimore po triumfon e djathta, Shqipëria jonë mbetet socialiste, me Partinë Socialiste dhe Levizjen Socialiste që ka gjasa të bëhet parti e dytë për nga madhësia. Partia Demokratike dhe e djathta ndodhen në ditët e tyre më të vështira. Në shtatë vitet e fundit të qeverisjes famekeqe Rama, shtresa e ndjeshme e shoqerisë, studentët, intelektualët e rinj dhe masa punëtore, shpresat i varen tek Partia Demokratike, e cila denoncoi në cdo rast, dhe mbas qindra rasteve, pati qindra arsye që ta rrëzonte këtë qeveri-bande kriminelësh dhe hajdutësh të paskrupullt. E vërteta është se ajo dështoi totalisht në këtë mission. Dalja nga parlamenti pa një plan startegjik, dhjetra mitingjet e saj madhështore dhe retorika e pafund e denoncimeve nuk prodhoi asgjë. Qeveria ndihet më e sigurtë se në ditën sajë të parë.
Partia Demokratike është në rënie të lirë. E djathta shqiptare nuk perfaqësohet sot as në parlament e as në rrugë. Kjo pikiatë nuk filloi por kulmoi dje në mitingun e Metës. Ajo ka filluar qysh nga dalja e PD-së nga shtrati i saj ideologjik si parti konservatore, që mbështet të drejtën e pronës dhe lufton politikat socialiste të zhvillimit. Problemet me rikthimen e pronës, mungesa e një plani të mirfilltë për zhvillimin në stabilitet të biznesit te madh, apo qasja revolucionare e marrjes së pushtetit, nuk kanë të bëjnë shumë me një parti që pretendon se perfaqëson shtresat e djathta. Vlerat morale, cilesitë dhe idealet mbi të cilat u krijua kjo parti, sot janë të padukshme. PD ja dhe PS-ja për nga ana e programeve dhe politikave dhe demokracise së të brendshme ngjasojnë si veza me vezë, duke bërë që qytetarët të mos e ndiejnë dallimin, dhe kalimi nga njëra parti tek tjetra të bëhet mbi bazë përfitimesh dhe jo bindjeje apo ideje. Po ashtu rënia e PD-së vazhdoi me mungesen e demokracisë së saj të brendshme. Qënia demokratike e një partie fillon nga funksionimi i demokracisë së brendshme të saj. Ndërsa Berisha dha një shembull të mirë demokratik me dorëheqjen mbas humbjes, Basha la një shije të keqe mbas humbjes së dyfishtë dhe rizgjedhjes me 99% të votave si kryetar i PD-së. Kjo dhe aspekte të tjera si përzgjedhja e deputeteve nepermjet listave paraprake dhe jo konkurencës individuale të drejtpërdrejtë, krijon nje imazh totalitar më shume se demokratik.
Në historikun e 90 viteve të fundit të partive politike, suksesi kryesor i tyre ka qenë mbijetesa nëpërmjet krijimit te kultit të individit. Hoxha, Berisha, Nano, Rama dhe tashmë edhe Meta me këto daljet e tij spektakolare, kanë krijuar kultin e tyre unik, ndërsa Basha nuk ka arritur akoma të sajojë “unin” e tij të veçantë si lider i masave disa-milionëshe. Lidershipi i dyzuar Berisha-Basha, i pari nëpërmjet kontrollit të partisë si pasojë e inercisë së drejtimit shumë vjecare të saj, dhe i dyti nëpërmjet konjukturave të reja sipas stilit të tij, rezultuan se nuk funsionon si duhet. Njëri duhet të marrë drejtimin i lirë nga tjetri. Ndoshta një rikthim i Berishës qoftë edhe i përkohshëm në krye të PD-së, me një strategji të re integruese për shtresat e djathta, mund të ishte një zgjidhje më e mirë se çfarë është sot.
Ne fund te fundit, sido te jetë situata ne PD, shtresat e djathta duhet të rezistojnë fort, të riorganizohen dhe të gjejnë vetveten. LSI-ja dhe Meta nuk duhet të jenë destinacioni i tyre. E kam fjalen per familjarët dhe farefisin e të vrarëve dhe të pushkatuarve? A e mbani mend si jetuan, si dhe përse vdiqën? Mos e harroni gjakun e tyre?
E kam fjalën per të persekutuarit, të burgosurit, të internuarit, mos e harroni kërrbacin komunist? Unë nuk kam pasur të burgosur apo pushkatuar në familje, por prapë e ndiej dhimjen. Mbani mend se Meta dhe LSI-ja janë produkt i Partise Socialiste, e mbijetuar nga dekompozimi i Partisë së Punës? Mos harroni se Meta nuk ka kërkuar falje për krimet e partisë së tij origjinale.
E kam fjalen per studentët, a shohin ata më larg se tek hunda e vet? Si mund të ngriheni në greva për tarifa dhe të fleni gjumë për të ardhmen tuaj. Mbas diplomimit, sfida juaj e vertetë duhet të jetë puna dhe vënia në shërbim të vetes dhe vendit tuaj nëpërmjet profesionit tuaj, por në fakt është sigurimi biletës së ikjes përfundimtare! Në vend që e ardhmja juaj të jetë një realizim i ëndërrave tuaja të sotme, ajo çfarë po bëni dhe çfarë nuk po bëni sot, është një kërcënim i sigurtë i së ardhmes tuaj. Pse o popull shqiptar nuk po na jep prapë studentë dhe gjimnazistë si ata te viteve ’90, por po na jep këta “viça pa brirë” të demokracisë që zbuten me përkëdhelje.
Sa keqardhje që Partia Demokratike, dikur fituese me 70% dhe e perfaqësuese e këtyre shtresave vitale të djathta, sot nuk krijon më frymë. Bashkë me frymën ka vdekur dhe shpresa se Shqipëria do të bëhet një vend i qytetëruar dhe me dinjitet si gjithe Evropa. NUK ËSHTË NAMI KUR SHPRESËN E VRET PUSHTETI, POR E KEQJA ËSHTË KUR SHPRESEN E VRET VETË OPOZITA.