
Prof.as.dr Hasan Bello/
Piano është një nga instrumentat më të rëndësishëm muzikor. Fillesat e saj datojnë në fund të shek. XVII dhe në fillim të shek. XVIII. Që nga kjo periudhë ajo u përhap nga qytetet italiane në kryeqytetet dhe qytetet kryesore të botës. Në territoret shqiptare, piano i ka fillesat në gjysmën e dytë të shek. XIX. Sipas dokumentave arkivore, pianot e para kanë hyrë në qytetin e Shkodrës.
Në një letër që Engjell Çoba i dërgon Shtjefën Biankut në Venedik në vitin 1877 ai e informon mbi largimin e ushtrisë osmane drejt Tivarit, bashkë bandën publike (daullen) të qytetit. Por, ai ngushëllohej se vendin e saj për t`u argëtuar e kishte zënë Filipi i Kolës me pianon e tij, që luante përnatë.
Një përdorues tjetër i pianos ishte edhe muzikanti i vjetër shkodran Palok Kurti, i cili e përdorte në ahengjet e ndryshme.
Piano e familjes Çoba e cila datonte që në vitin 1877 kishte ngjallur xhelozinë e gruas së konsullit austro-hungarez të Shkodrës, Lipik, e cila e kishte ngacmuar të shoqin me fjalët se çfarë konsulli ishte ai, kur gruaja e tij nuk kishte piano siç kishin disa familje shkodrane. Në vitet 70 të shek. XIX, ky instrument i muzikës klasike filloi të përdorej edhe nga shoqëria “Don Bosko” e jezuitëve.
Sipas të dhënave të pakonfirmuara, thuhet se nga viti 1877-1912 në qytetin e Shkodrës ekzistonin 26-28 piano. Ky instrument përdorej kryesisht nga familjet e shtresës së mesme dhe të lartë katolike, që kishin marrëdhënie tregtare me Venedikun dhe qytete të tjera të Italisë.
Në fund të shek. XIX përdorimi i pianos filloi edhe te disa familja të shtresës së lartë myslimane. Kështu, në konakun e familjes Vlora ekzistenca e saj vijon të jetë e pranishme edhe sot e kësaj dite.
Një dëshmi interesante për përdorimin e pianos nga femrat në fillim të shek. XX vjen nga përkthyesi i njohur shqiptar Jusuf Vrioni. Në librin “Kujtimet e një evropiani”, ai shkruan se ëma e tij, e cila ishte vajza e Hysen Pashë Dinos, pinjolle e familjes së njohur shqiptare nga Preveza dhe mbesë e ish-ministrit të Jashtëm të Perandorisë Osmane, Abedin Pashë Dino, kur ishte martuar me babanë e tij, kryetarin e bashkisë së Beratit, Iliaz Vrionin përveç pajës dhe sendeve të tjera personale kishte sjellë me vete edhe një piano. Megjithëse ishte akoma periudha e sundimit osman, me të mbaruar prezantimet, Iliaz beu e kishte ftuar bashkëshorten që të ulej në piano dhe luante himnin shqiptar. Për shkak se ajo nuk e kishte dëgjuar më parë, disa të pranishëm ia kënduan lehtazi dhe me vesh. Ndërsa ajo filloi t`i përshtaste notat e tij mbi tastierë. Ky veprim kishte ngjallur habinë e grave të tjera, të cilat, çuditeshin sesi një grua arrinte që të luante muzikë përpara burrave.
Në vitet 20-30 piano ishte një instrument i cili po përhapej në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë. Në disa institucione arsimore, ajo u bë pjesë e programeve shkollore. Në këtë periudhë filloi edhe diplomimi i muzikantëve të parë profesionistë në konservatorët e Austrisë, Francës dhe Italisë, të cilët, organizuan koncerte, siç ishte ai i Tefta Tashkos (me lejen dhe mbështetjen e qeverisë, jo si falsifikimi i filmit “Koncert në vitin 1936”).
Foto: zhurnal.mk