
Paulin Zefi/
Kisha mesjetare e Shën Eufemisë ndodhet në fshatin Kallmet, në lartësinë 373 m mbi nivelin e detit, në anën perëndimore të një shkëmbi natyror me përbërje gëlqerore dhe në zemër të Pyllit të Shën Efemisë (Monument Natyre). Nga vendndodhja e kishës mund të vëzhgohet me sy të lirë e gjithë Fusha e Zadrimës, treva e Anamalit, mali Rumija (1594 m), mali i Taraboshit (595 m), kështjella Rozafa dhe qyteti i Shkodrës së bashku me një pjesë të liqenit homonim etj. Kisha e Shën Eufemisë, e cila besohet të jetë ndërtuar në vitin 1300 (1), përmendet për herë të parë në një dokument të vitit 1343, ku Stefan Dushani e rendit në mes të kishave që i jepen Krujës (2). Po ashtu në letrën që Papa Innocenti VII i drejton nga Roma, më 12 nëntor 1404, ipeshkvit të Lezhës, Andrea, i jep atij të drejtën të gëzojë edhe të ardhurat e kishës famullitare të Kallmetit, Shën Eufemisë (3). Në vitin 1405 përmendet në burimet e kohës si S. Eufemia de Calineto (4). Dy vite më vonë, Kisha e Shën Eufemisë në Kallmet (Sancte Eufemia in Calameto) përmendet nga Papa Gregori XII në letrën e tij drejtuar Arqipeshkvit të Tivarit (Archiepiscopo Antibarensi) më 23 maj 1407, të cilit i kërkon të marrë masa për lirimin e 12 kishave të zaptuara nga Ipeshkvia e Lezhës në kurriz të Ipeshkvisë së Arbnit (5). Sipas një dokumenti të vitit 1418, në kishën famullitare të Shën Eufemisë, në Kallmet të Lezhës, shërbente Dom Pjetër Dukagjini, i cili me sa duket ishte abati i mevonshëm i Shën Aleksandrit (Shën Llezhdrit), i permendur ndër dokumente edhe si Pjetër Duka (6).
Bëhet fjalë pikërisht për bashkëpunëtorin dhe të afërmin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Pjetër Perlatin, të cilit Kryeheroi i besoi mbrojtjen e kështjellës së Sfetigradit në vitin 1448 gjatë rrethimit nga armata perandorake osmane e udhëhequr nga vetë sulltan Murati II. Pas pushtimit të Lezhës nga turqit, në vitin 1478, shihet se ipeshkvinjtë e Dioqezës së Lezhës nuk qëndrojnë më në qytet, por janë zhvendosur fillimisht në Malësinë e Lezhës, duke gjetur strehim te banorët e Velës, besnikë të besimit katolik, dhe më pas ata zbritën nga lartësitë e ashpra (7), duke u vendosur në Kallmet (. Në vitin 1629, ipeshkvi i Lezhës, Benedikt Orsini, e rendit Shën Eufeminë e Kallmetit (Santa Eufemia di Calmetti) në listën e kishave të Dioqezës së Lezhës (9). Ajo përmendet edhe në letrën e ipeshkvit të Sapës, Frang Bardhit, më 8 shkurt 1637, dhe, rreth dy muaj më vonë, përsëri në një letër të po këtij ipeshkvi, më 28 maj 1637 (10). Më 24 prill dhe 20 dhjetor të vitit 1638, Kisha e Shën Eufemisë së Kallmetit (Sancta Euphemia de Calameti), përmendet në dy letra të Kongregacionit të Shenjtë të Propagandës Fide, ku bëhet fjalë për përcaktimin e kufijve të Dioqezës së Lezhës (11). Thuhet se pikërisht pranë kësaj kishe, më 17 shkurt të vitit 1642, nis gjyqi i famshëm fetar ndaj Abatit të Shën Palit të Kabashit të Pukës, Nikollë Lekës. Ky i fundit akuzohej se kishte vrarë me dashje Pjetër Budin, duke e hedhur në ujërat e ftohta të lumit Drin pranë Vaut të Vjerdhës, në dhjetor 1622, ku pavarësisht kërkimeve, trupi i P.Budit nuk u gjet për ta varrosur (12). Gjyqi u zhvillua nën drejtimin e ipeshkvit raguzan të Lezhës, Benedikt Orsini, dhe abati Nikollë Leka u shpall i pafajshëm. Mirëpo, në anën e pasme të procesverbaleve të tij, Frang Bardhi, i cili kishte hartuar aktakuzën ndaj Nikollë Lekës, shënoi me dorën e vet se kurrë nuk mund ta pranonte këtë vendim pa u bërë më parë hetimet e nevojshme.
Siç do të shihet më vonë, koha do t’i jepte plotësisht të drejtë Frang Bardhit, duke faktuar se porositësi i vrajses së Pjetër Budit ishte pikërisht xhaxhai i tij, Gjergj Bardhi. Ndërsa, Abati vrasës, Nikollë Leka, pasi i zhveshi petkat e priftit, përfundoi si mercenar në Itali në shërbim të Republikës Veneciane. Në relacionet e viteve 1702-1703, të arqipeshkvit të Tivarit, imzot Vinçenc Zmajeviç, ndër të tjera thuhet se Kallmeti: “Ka kishën me titullin e Shën Eufemisë, një milje të mirë larg prej fshatit drejt malit. Është kishë e madhe, e dëmtuar vetëm në fasadë; [për meremetim duhet] një shpenzim 30 skudësh. Përmbi altar është një gur i madh, që natyra e ka bërë në trajtë të një kuadroje apo tabloje dhe është pikturuar aty fytyra e Zojës (Shën Marisë). Përposhtë, nga një shkëmb i vogël, del një curril uji me cilësi të përsosur e të shëndetshme, i cili, pasi humb pothuaj aty ku fillon në një vrimë të nëndheshme, del pastaj 100 hapa larg prej kishës. Kjo është e pajisur me orenditë e shugurueshme dhe ka dy palë të plota e të reja, me një kryq argjendi të praruar me reliev, që është katër pëllëmbë e gjysëm i lartë. Ka 27 shata vresht dhe kaq ara tokë të lërueshme, 22 pemë frutore të mëdha (13).” Emri i kishës së Shën Eufemisë sot gjendet i shndërruar nga banorët në “Kisha e Sh’Misë” ose “Shën Misë” dhe për fat të keq, ajo nuk i shpëtoi grabitjes së të gjithë ikonave nga ikonografistja ruse, Puzanova, në vitin 1957 (14). Ndërsa, në vitin 1964, gjatë ekspeditës përnjohëse të zhvilluar pranë kësaj kishe, Dharko Dhamo jep një përshkrim shumë të hollësishëm të afreskut shumëshekullor me përmasa 160 cm gjerësi x 140 cm lartësi, ku paraqitej imazhi i Shën Eufemisë, i realizuar nga një mjeshtër vendas mbi shkëmbin e madh natyror, që del në kungën e kishës (15). Dh.Dhamo, e ka datuar këtë afresk para vitit 1300, duke e cilësuar atë si më të vjetrin në grupin e afreskëve të Shqipërisë Veriore (16).
Mjerisht, vetë afresku, së bashku me Kishën e Shën Eufemisë nuk i shpëtuan histerisë së Revolucionit Kulturor Ateist të vitit 1967. Kishës ju hoq çatia dhe muret e saj u përdorën si depozitë uji për të furnizuar fshatin e Kallmetit, por devijimi natyror i burimit të ujit i detyroi komunistët të heqin dorë nga ky akt kriminal. Në vitet 90 të shek. XX, ky monument historik i kultit të krishterë katolik është restauruar tërësisht mbi themelet e vjetra mesjetare të fillim shek. XIV. Kisha ka një planimetri të thjeshtë, është njënefëshe, me përmasa 10.40 m gjatësi x 4.10 m gjerësi, Është e vendosur në drejtimin veriperëndim – juglindje, e pajisur me një portik që mbështetet në dy kolona, i cili hapet në anën veriperëndimore, para portës kryesore të saj, në formën e një hajati. Çatia është e ndarë në dy pjesë të mbivendosura, që krijojnë hapësirë ajrimi midis tyre, por që e mbrojnë nga reshjet atmosferike. Në pjesën jugore ka një hyrje të dytë dhe ndërsa nga këmbanorje e vjetër, e cila ndodhet në pjesën veriore, e shkëputur nga kisha, ruhen vetëm themelet e vjetra. Pranë strukturave murale të këmbanores janë ndërtuar 5 shkallare të gjata e të harkuara prej guri në formën e teatrit antik. Përballë tyre është vendosur një altar i gdhendur mbi një bllok të madh mermeri monolit, me qëllim për të kremtuar Meshën e Shenjtë në ambientin e jashtëm. Kisha nuk ka absidë, por në vend të saj, një shkëmb i gjallë gëlqeror është përfshirë në brendësinë e këtij objekti (17). Pikërisht në këtë shkëmb mbi të cilin ka qenë afresku i vjetër mesjetar për të cilin u fol më lart (Dh.Dhamo, Piktura e kishave në Shqipëri në shekujt V-XV, f. 153-158), është realizuar një altoreliev shumë madhështor me imazhin e Shën Eufemisë, kryevepër monumentale e skulptorit vendas, Tonin Prendi (18). Ndërsa, nën altarin e kishës rrjedh uji i pastër i një burimi gëlqeror, që jep efektin shpirtëror të ujit të bekuar (19).
Rrjedha e ujit, pasi e përshkon aksin qëndror të nefit të kishës në të gjithë gjatësinë e tij, vijon nën dyshemenë me pllaka guri të portikut dhe oborrit të kishës për t’u derdhur me zhurmë në shpatin e thikët të malit të mbuluar me dru lisi (20). Për Kishën e Shën Eufemisë ekzistojnë shumë gojëdhëna (21). Një gojëdhënë e lashtë, tregon se banorët e Kallmetit, të cilët vendosën të ndërtonin një kishë në fshat, ata i kishin grumbulluar materialet e nevojshme pranë vendit ku donin ta ndërtonin, por të nesërmen nuk i kishin gjetur aty, sepse materialet ngriheshin natën dhe gjendeshin në mal (22). Duke qenë se kjo ngjarje ishte persëritur dhe kishin filluar të kerkonin se ku ishin materialet që mendonin se ua kishin vjedhur, por ato i gjetën lart në mal, vendosën qe aty duhet ta ndërtonin kishën (23). Sipas një gojëdhëne tjetër, aty kishte një problem, se nuk kishte ujë, por problemi u zgjidh, sepse nga shkëmbi mrekullisht buroi uji, një mrekulli qe vazhdon deri në ditët e sotme dhe kështu u ndërtua kisha në atë vend (24). Zgjedhja e këtij vendi me një peisazh me shkrepa të ashpër, burime të freskëta dhe pemë përqark, në fakt nuk ishte e rastit dhe sipas Dh.Dhamo, nuk duhet marrë e shkëputur nga adhurimi i dikurshëm i tij, për çka flet edhe fragmenti i vjetër i afreskut të Shën Eufemisë (25). Mjedisi përreth kishës, i cili përbëhet nga shkëmbinj të thepisur gëlqeror dhe disa zgavra të vogla, vijon të përdoret me shumë devocion nga besimtarët, që pasi ndezin qirinjë, sillen tri herë rreth kishës, duke iu lutur Zotit dhe Shën Eufemisë. Kjo kishë impozante, e ndërtuar me një mjeshtëri të rrallë në një vend impresionues, ka qenë dhe mbetet një qendër shumë e rëndësishme pelegrinazhi, ku gravitojnë besimtarë nga treva të ndryshme të Shqipërisë.
BIBLIOGRAFIA:
1) Dh.Dhamo, Piktura e kishave në Shqipëri në shekujt V-XV, f. 157-158.
2) G.Hoxha, Sguardo storico sulla diffusione del cristianesimo e sulla situazione ecclesiastica della diocesi di Lezha lungo i secoli, në: Studia Albanica, XXXIX, Tirana: 2006, f. 69.
3) E.Coli, Kallmeti: Fakte dhe gojëdhëna, f. 232; G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 64.
4) F.Cordignano, L’Albania a traverso l’opera e gli scritti di un grande Missionario italiano il p. Domenico Pasi S.I.: (1847-1914), Volume III, f. 53.
5) A.Meksi, Peshkopata Arbanense, Gjon Kastrioti dhe grindja për kufijtë me peshkopatën e Lezhës, në: ResPublica, 27 shtator 2018.
6) J.Vlashi, Familja fisnike e Dukagjinëve dhe zotërimet e tyre në vendshtrirjen e Mirditës, në: Hylli i Dritës, Vjeti XLI, 1-2021, Shkodër: 2021, f. 201-202.
7) Th.Ippen, Shqipëria e vjetër, f. 147.
8)M.Shuflaj, Situata të Kishës në Shqipërinë paraturke: Zona e depërtimit ortodoks në “digën” katolike, Botimi II, f. 42.
9) P.Bartl, Albania Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 1: Diözese Alessio, f. 86.
10) E.Coli, Kallmeti: Fakte dhe gojëdhëna, f. 233.
11) D.Farlatus & J.Coletus, Illyricum Sacrum, Tomus septimus, Ecclesia Diocletana, Antibarensis, Dyrrachiensis, et Sirmiensis, cum earum suffraganeis, Venetiis: Apud Sebastianum Coleti, Superiorum permissu ac privilegio, MDCCCXVII (1817), f. 204, 286.
12) B.Demiraj – G.Hoxha, Fat’hupësit pa faj. (homazh për Pjetër Budin), në: Hylli i Dritës, Nr. 2 – 2017, Vjeti XXXVII, Shkodër: 2017, f. 40-60.
13) V.Zmajevich: P.Bartl / I.Zamputi, Relacion i gjendjes së Shqipërisë e Serbisë / Relazione dello stato d’Albania e Serbia (1702-1703), (Përgjegjës të këtij botimi: Albert Ramaj, Zef (Ahmeti) Noka), Prishtinë: Faik Konica, 2022, f. 113, 266-267.
14) M.Pema, Shënime historike për disa treva të Lezhës (Komuna Kallmet), f. 29-31.
15) Dh.Dhamo, Piktura e kishave në Shqipëri në shekujt V-XV, f. 153-158.
16) Ibidem, f. 158.
17) G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 64.
18) E.Coli, Kallmeti: Fakte dhe gojëdhëna, f. 235.
19) G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 67.
20) Ibidem, f. 67.
21) E.Coli, Kallmeti: Fakte dhe gojëdhëna, f. 233.
22) Dh.Dhamo, Piktura e kishave në Shqipëri në shekujt V-XV, f. 156.
23) E.Coli, Kallmeti: Fakte dhe gojëdhëna, f. 233.
24) Ibidem, f. 233-234.
25) Dh.Dhamo, Piktura e kishave në Shqipëri në shekujt V-XV, f. 156.