• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova në mes të betejave morale dhe pragmatike

January 30, 2023 by s p

Beteja në mes të parimeve dhe pragmatizmit gjithmonë ka qenë e pabarabartë dhe historia na ka mësuar se në jo pak raste pragmatizmi ka triumfuar mbi parimet. Kjo nuk do të thotë me automatizëm se Kryeminstri Kurti duhet të heqë dorë nga parimet, por vendimarrjen politike e shtetërore duhet ta bazojë mbi analizën e të gjitha rrethanave të brendshme e të jashtme, duke mos i lënë kurrfarë hapësire Serbisë që prej një agresori rajonal të shndërrohet në një faktor paqeje që i dikton rrjedhat gjeopolitike.

Shkruan Mehmet PRISHTINA

Të gjithë politikanët në Beograd pajtohen në një pikë: të zgjidhet problem i Kosovës, por me kusht që mos të njihet si shtet dhe mos t’i lejohet anëtarësimi në Kombet e Bashkuara. Mbetet e paqarta se si po mundka të zgjidhet “problem i Kosovës“ pa u njohur shetësia e saj. Ky qëndrim kontradiktor i Beogradit, nuk ka e marrë vëmendjen e duhur të diplomatëve të huaj, sidomos të atyre që janë të përfshirë në procesin e ndërmjetësimit dhe të tejkalimit të ngërçit që ekziston në mes të Kosovës dhe Serbisë. Mbetet të nënkuptohet se me zgjidhjen e “problemit të Kosovës“, politikanët serbë e kanë prasysh formimin e Bashkësisë së komunave serbe, si parakusht për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve. Me fjalë të tjera, Beogradi në njërën anë e mohon shtetësinë e Kosovës, kurse në anën tjetër insiston që në kuadër të shtetit të Kosovës të formohet një entitet i ri etnik që do të ishte përmbushje e nevojave të serbëve lokalë.

Në të ardhmen, nëse formohet Bashkësia e komunave serbe, Beogradi do të përqëndrohet që ky entitet i ri ta zëvendësojë Kosovën si shtet dhe mbi këtë bazë të ndërtohet një narrativë e re, ku Kosova si shtet do të anashkalohej në favor të këtij entitei të ri, të cilit Beogradi instiston t’i jep kompetenca ekzekutive.

Më 31 janar do të organizohet një takim nga Ambasada amerikane ku do të diskutohet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk është ftuar në këtë takim. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kurti tha se ky takim do të zhvillohet si pasojë e insistimit të të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ai tha se ka pritur nga Escobari që të thotë në Beograd se Serbia duhet ta njohë Kosovën, e jo të thotë në Prishtinë se Asociacioni do të bëhet, pavarësisht kryeministrit të Kosovës.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjeve të nënshkruaar në Bruksel (në vitin 2013 dhe 2015), Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Ndërkombëtarët vazhdimisht bënin thirrje për formimin e tij, madje, tani në projektin franko- gjerman për normalizim të marrëdhënieve Kosovë- Serbi, paraqitet pika që Kosova duhet t’i respektojë marrëveshjet.

Por ka plot zëra në politikën ndërkombëtare, por edhe analistë e studiues të ndryshëm, të cilët e shohin me skpeticizëm çëshjtjen e formimit të Asociacionit. Duke e komentuar këtë çështje, sidomos implikimet e propozimeve sipas nenit 7, deputetja britanike që drejton edhe Komitetin për Punë të Jashtme, Alicia Kearns, pas draftit të përditësuar, u shpreh se “askush nuk duhet të kërkojë të rrënjos, e lëre më të projektojë me qëllim, çdo formë të “vetëqeverisjes” në vijat etnike brenda Ballkanit. Nuk duhet të krijohet asnjë entitet i stilit “Republika Srpska”, ka shkruar ajo.

E përditshmja vieneze “Der Standard”duke komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë ka shkruar se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, refuzon Asociacionin e Komunave [me shumicë] Serbe si parakusht për një marrëveshje me Serbinë. Asociaconi, sipas “Der Standard”, nuk ka qenë në draftin e parë të propozimit, por është shtuar vetëm kohëve të fundit, dhe atë, siç thuhet në tekst, përmes një koncesioni që QUINT-i i ka bërë qeverisë serbe.

Se cilat janë qëllimet përfundimtare në insistimin për formimin e Asociacionit, profesori amerikan, profesori amerikan Daniel Serwer konstaton se këtë Asociacion Beogradi e kërkon “për të ushtruar kontroll”. Ai gjithashtu ka një kritikë të qartë sa i përket Asociacionit në raport me këtë plan evropian. Sipas tij, ky propozim nuk i referohet Kushtetutës së Kosovës si bazë. Gjithashtu, thotë Serwer, propozimi franko-gjerman nuk parasheh Asociacion të Komunave shqiptare brenda Serbisë, përkatësisht për Luginën e Preshevës.

Përmes planit franko-gjerman Kosovës nuk do t’i hapet rruga drejt anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ndryshe nga zgjidhja gjermano-gjermane e vitit 1972. Ky është një problem për të cilin ndërmjetësit ndërkombëtarë nuk kanë ndonjë përgjigje të prerë, ashtu siç janë të paqartë kur ballafaqohen me shantazhet direkte të Beogradit për moslejimin e Kosovës të anëtarësohet në Kombet e Bashkuar dhe në organizatat relevante ndërkombëtare.

Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë vërejtur se presionet e Brukselit dhe Washingtonit ndaj Kosovës dhe Serbisë nuk janë simetrike. Përderisa në Prishtinë ambasadorët e huaj e kërcënojnë hapur kryeminstrin Kurti se do të gjejnë partner të tjerë nga shoqëria civile për të shpie përpara çështjen e Asociacionit, në Beograd ky presion jo vetëm që nuk është ushtruar ndaj Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, por diplomatët e huaj kanë mbetur pa përgjigje kur janë pyetur nga gazetarët se pse Beogradi mbetet i pandëshkuar nga Perendimi për mos vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Diplomatët e huaj gjithashtu kanë mbetur pa përgjigje kur kanë marrë vërejtje nga analistë të ndryshëm për sjellje tepër të butë dhe tolerante të BE-së ndaj Beogradit pas furnizimit të forcave të armatosura të Serbisë me armë të sofisikuara të Rusisë dhe Kinës.

Në Serbi janë disa lokacione të cilat janë identifikuar nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare ku ndodhen mbi 1000 kufoma civilësh shqiptarë të masakruar në luftën e fundit në Kosovë, por që autoritetet serbe refuzojnë t’ua dorëzojnë familjarëve të tyre.

Ndërmjetësit ndërkombëtarë që merren me tejkalimin e problemeve mes Kosovës dhe Serbis, çështjen e të pagjeturve nuk e kanë trajtuar si problem të madh. Për ata, sidomos për diplomatët e BE-së, problem krucial është statusi i serbëve në Kosovë, i cili, sipas tyre, duhet të rregullohet edhe në kundërshtim me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Aplikimi i standardeve të dyfishta në diplomaci, nuk është praktikë e panjohur, por kur këto standarde mundohen të imponohen si instrumenta për zgjidhjen e problemeve, atëherë me diplomacinë e tillë nuk është diçka në rregull. Sidomos në rastin e Kosovës, diplomatët e huaj thirren në kushtetutë sipas momentit dhe rrethanave, duke krijuar në këtë mënyrë situata kontradiktore dhe aspak të qëndrueshme në aspketin etik e professional. Kështu, bie fjala, kur shtrohet për diskutim çështja e Asociacionit, diplomatët e huaj duan ta anashkalojnë frymën e Kushtetutës së Kosovës, por kur insistojnë që të mbrohet statusi i kishave dhe manastireve serbe, atëherë thirren në Kushtetutën e Kosovës e cila i jep të drejtë Manastirit të Deçanit të pëvetësojë tokën përreth që kishte qenë dikur (deri në vitin 1994) pronë e një kooperative bujqësore të Deçanit.

Pra, në rastin e parë kur duhet të favorizohet formimi i Asociacionit të komunave serbe, Kushtetuta e Kosovës anashkalohet, kurse në rastin e dytë, e njejta Kushtetutë merret për bazë për të argumentuar tezën se kishat dhe manastioret serbe në Kosovë duhet të kenë prona të përvetësusara arbitrarisht.

Vuçiqi është i rrethuar me bashkëpunëtorë (Radojçiq e Veselinoviq) të cilët janë të gatshëm në çdo moment të shkaktojnë trazira në Kosovë, siç ishin ato të fundvitit të kaluar me vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës, me ç’rast erdhi në shprehje shantazhimi i drejtpëdrejt i atributeve shtetërore të shtetit tonë.

Por askush në Kosovë nuk mund të ndikojë se çfarë udhëheqje do të ketë në Beograd. Atë çka e kanë në duar shqiptarët e Kosovës ka të bëjë me qasjen ndaj kërkesave të Serbisë që drejpërdrejt ndikojnë në qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e shtetit tonë. Deri më tani kjo qasje ka qenë disonante (njëri thumbit, tjetrit patkoit), ndërkohë që në Serbi ka një koncenzus të plotë (pushtet dhe opozitë) për mosnjohje të shtetit të Kosovës.

Në Kosovë, jo vetëm që nuk ka koncenzus të brendshëm, por ka madje edhe qëndrime diamteralisht të kundërta që në vetvete shprehin një mungesë të theksuar të sensit të përgjegjësisë mbi momentin historik në të cilin ndodhet Kosova. Kjo pastaj ka ndikuar që faktori ndërkombëtar ta lexoj gabimisht situatën në terren sikur gjoja vetëm Kryeministri Kurti është i pakënaqur me çështjen e Asociacionit të komunave serbe dhe për rrjedhojë këtu e ka burimin deklarata e Escobarit se “me apo pa Kurtin, asociacioni do të bëhet”, duke përmendur edhe “partnerët alternativë”. Ai madje kishte thënë se “Kurti nuk duhet patjetër të pajtohet me çështjen e Asociacionit, sepse Kosova ishte pajtuar”, duke aluduar në marrëveshjet e 2013- tës dhe 2015-tës.

Në anën tjetër, Kurti ka thënë se Kosova ka nevojë urgjente për njohje reciproke me Serbinë dhe se të gjithë ata që flasin për Asociacionin përderisa Serbia nuk njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës, e ndihmojnë atë.

“Njohja reciproke është në qendër. Presidenti [Joe] Biden ka thënë duhet të ndodhë normalizim i marrëdhënieve me marrëveshje që e ka në qendër njohjen reciproke. Është gabim i madh në diskursin politik dhe publik të hiqet njohja reciproke prej qendrës e aty të vendoset Asociacioni, siç po duket që po ngjan. Unë nuk mund ta pranoj këtë. Presidenti Biden ka dhënë udhëzime të tjera dhe ne do të duhej që shtetin tonë, atdheun tonë, ta duam edhe më shumë se presidenti Biden, jo më pak se ai”, ka deklaruar Kurti në një intervistë për REL.

Tani për tani nuk ka një përgjigje të prerë të Perëndimit ndaj një skenari të mundshëm i cili thotë: Çka nëse Vuçiqi e pranon planin franko-gjerman, kurse Kurti e refuzon?

Të gjitha spekulimet mund të prodhojnë një gjysëm të vërtetë, por asnjë e vërtetë nuk mund të lindë nga diplomacia e standardeve të dyfishta. Ashtu siç nuk mund të përkthehen në veprim efikas politik parimet e drejta, siç po pretendon Kryeministri Kurti sepse beteja në mes të parimeve dhe pragmatizmit gjithmonë ka qenë e pabarabartë dhe historia na ka mësuar se në jo pak raste pragmatizmi ka triumfuar mbi parimet. Kjo nuk do të thotë me automatizëm se Kryeminstri Kurti duhet të heqë dorë nga parimet, por vendimarrjen politike e shtetërore duhet ta bazojë mbi analizën e të gjitha rrethanave të brendshme e të jashtme, duke mos i lënë hapësirë Serbisë që prej një agresori rajonal të shndërrohet në një faktor paqeje që i dikton rrjedhat gjeopolitike.

Filed Under: Fejton Tagged With: Mehmet Prishtina

Kosova si boomerang i Serbisë dhe standardet e dyfishta ndërkombëtare

January 16, 2023 by s p

Sa më shumë që Serbia po përqëndrohet jo me paqë por me konflikte në Kosovë, mediat ndërkombëtare dhe ekspertët e ndryshëm kanë shtuar kritikat në adresë të Brukselit, sidomos po kritikohet hapur qëndrimi i BE-së kundrejt rolit destabilizues të Serbisë në Kosovë. Madje tensionet e fundit u bënë shkak që shumë studiues e analistë perendimor gjatë trajtimit të ngjarjeve në veri të Kosovës, të flasin pa dorashka, duke drejtuar gishtin e kritikës ndaj segmenteve të caktuara të diplomacisë evropiane.

Shkruan Mehmet PRISHTINA

Krizat e njëpasnjëshme në veri të Kosovës, të shkaktuara nga Serbia, përpos pasojave negative që reflektohen në stabilitetin e vendit, ato e kanë edhe një anë të mirë: përmes këtyre krizave gjithnjë e më tepër po zbulohet dhe del në pah fytyra e vërtetë e një politike hegjemoniste serbe e cila Kosovën po vazhdon ta përdorë si laborator i projekteve të të ashtuquajturës “bota serbe”. Pra sa më shumë që Serbia po përqëndrohet jo me paqë por me konflikte në Kosovë, mediat ndërkombëtare dhe ekspertët e ndryshëm kanë shtuar kritikat në adresë të Brukselit, sidomos po kritikohet hapur qëndrimi i BE-së kundrejt rolit destabilizues të Serbisë në Kosovë. Madje tensionet e fundit u bënë shkak që shumë studiues e analistë perendimor gjatë trajtimit të ngjarjeve në veri të Kosovës, të flasin pa dorashka, duke drejtuar gishtin e kritikës ndaj segmenteve të caktuara të diplomacisë evropiane.

Duke u ndërlidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, historiani zviceran dhe profesori në Universitetin e Vjenës, Oliver Jens Schmitt, i cili është një njohës i shkëlqyer i historisë së Ballkanit, ka kritikuar BE-në për mungesë presioni ndaj Serbisë, e cila, sipas tij, vazhdon të mbetet faktor negativ dhe destruktiv. Sipas Schmitt, kryeministri Albin Kurti dallon nga paraardhësit e tij ndaj të cilëve BE-ja mund të ushtronte lehtë presion ngase ishin të diskredituar nga aktivitetet me gjasë kriminale.

Në një intervistë dhënë gazetës austriake “Der Standard”, historiani i njohur Oliver Schmitt ka akuzuar Serbinë për eskalim të situatës në Kosovë. Ai theksoi se kriza në veri të Kosovës nuk mund të shihet jashtë kontekstit të sulmit rus në Ukrainë.

Në po të njejtat valë është edhe eksperti i Ballkanit në Institutin Leibniz për Studimet e Evropës Lindore dhe Juglindore, Konrad Clewing, i cili duke komentuar incidentet e fundit në veri të Kosovës, përfshirë barrikadat dhe plagosjen e dy të rinjëve serbë afër Shtërpcës, në një prononcim për gazetën gjermane Bild, ka kondstuatuar se ato mund të mos jenë të fundit.

Clewing është shprehur se “konfliktet e dhunshme lokale në veri të Kosovës janë veçanërisht të pritshme”, ndërsa ka shtuar se “zhvillimet janë ‘krejtësisht të hapura’ dhe përveç luftës dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, ‘pothuajse gjithçka është e mundshme’”.

Jo pak media serioze ndërkombëtare me të drejtë kanë vërejtur se veprimet destruktive të Beogradit nuk do të kishin mundur të kenë shtrirje në Kosovë, nëse diplomacia ndërkomnbëtare do të tregohej më rigoroze ndaj Vuçiqit. Për rrjedhojë edhe media prestigjioze amerikan, Bloomberg, në një analizë kushtuar zhvillimeve të fundit në Kosovë, ndër të tjera shkruan se SHBA dhe Evropa duhet të ushtrojnë presion më të madh mbi të dyja palët për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve dhe për të shmangur një luftë tjetër ballkanike përpara se ajo të fillojë

“Më shumë se dy dekada që kur NATO hyri në luftë për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë, rajoni i Ballkanit sërish është në rrezik. Përshkallëzimi i tensioneve midis qeverisë së Kosovës dhe pakicës etnike serbe të vendit kanë ngritur perspektivën e ripërtëritjes së luftës që mund të tërheq Serbinë fqinje dhe të rrezikojnë 3,700 trupat e NATO-s të stacionuara ende në Kosovë”, shkruan bloomberg.

Më tej në analizë thuhet se “me qeveritë perëndimore të fokusuara në Ukrainë, mosmarrëveshja e gjatë Kosovë-Serbi mund të duket si një shpërqendrim, por injorimi i problemit do të ishte një gabim fatal”.

Emërues i përbashkët i analizave dhe studimeve që po bëhen kohët e fundit mbi raportet Kosovë-Serbi, posaçërisht mbi rolin aspak konstruktiv të Beogradit në kontekst të tejkalimit të problemeve, është gjithsesi një qasje pak a shumë më objektive që jo me çdo kusht vendos simetri të fajit dhe përgjegjësisë, siç ishte vërejtur në të kaluarën kur Kosova fajësohej njësoj si Serbia për eskalimin e tensioneve në veri të Kosovës. Madje Greg Delawie, ish-ambasador i SHBA-ve në Kosovë në një prononcim për mediat tha shprehimisht se BE duhet të heqë dorë nga barazimi i fajit, në rastet kur Serbia ka më shumë faj

“BE-ja mund ta zgjidhë problemin, por ajo duhet të heqë dorë nga zakoni i saj i ‘bothsides-ism’ që i trajton masat serbe si grumbullimi i forcave ushtarake përgjatë kufirit të Kosovës në të njëjtën kategori si Kosova që kërkon targa të ligjshme për makinat brenda territorit të saj”.

Sigurisht që këto qëndrime ndërkombëtare nuk kanë mbetur pa u reflektuar edhe në Beograd, ku mediat e atjeshme po transmetojnë deklarata të ndryshme në të cilat del në sipërfaqe njëfarë zhgënjimi nga politikat e Vuçiqit ndaj Kosovës.

Nëse presidenti, Aleksandër Vuçiç, nuk e pranon planin evropian, franko-gjerman për Kosovën, të mbështetur nga SHBA-ja, nuk do të kalojë pa pasoja të rënda për qytetarët e Serbisë. Sipas Sreçko Gjukiq, një ish-diplomat, disa skenarë janë në lojë. – Njëri, më i favorshmi, të ofrohet sa më parë një plan tjetër që nuk do të përmbajë dispozitën e kontestuar për anëtarësimin e Kosovës në OKB. “Megjithatë, kjo është me të vërtetë e pamundur sepse gjithçka që po bëhet po bëhet për të legjitimuar Kosovën në organizatën botërore dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare, pa njohje formale ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, thotë Gjukiç. Së dyti, shton ai, në rast se negociatat dështojnë, padyshim se do të ishte sërish faji i Beogradit, do të fajësohet se nuk është bashkëpunues, historia nga Rambujeja po përsëritet.

Nga ana tjetër Goran Miletiç, drejtor programi i Civil Rights Defenders, thotë për gazetën e pavarur “Danas” se është e pamundur që Serbia ta refuzojë planin dhe gjithçka të mbetet e njëjtë, pa asnjë pasojë negative.

Kur jemi te pasojat, tani në Beograd mediat e pavarura haptazi shkruajnë se Serbia ndodhet në një pozicion shumë të vështirë. Duhet të zgjedhë mes Rusisë, ose Perëndimit. Nëse nuk e zgjedh anën e duhur , Brukseli mund të pezullojë dhënien e ndihmës financiare, e cila do të ishte fundi i investimeve të ardhshme dhe të mëparshme. Dhe mund të jetë shumë më keq: fundi i udhëtimit pa viza në BE, i cili është i mundur që nga viti 2009, dhe mund të ketë një pezullim të asistencës së madhe para anëtarësimit të BE-së nga fondet IPA, si dhe heqjen të statusit kandidat.

Për rrjedhojë, destabilizimi i Kosovës nga Serbia e ka edhe një anë të mirë dhe kjo e mirë është në duart e vet kosovarëve, nëse dijnë ta kanalizojnë drejt diskursin publik që do ta nxirte Serbinë lakuriq para syve të botës me veprimet e saj destruktive kundrejt shtetit tonë.

Prishtinë, 16.01.2023

Filed Under: Opinion Tagged With: Mehmet Prishtina

Kosova si “klinikë” shpirtërore e nacionalizmit serb!

January 3, 2023 by s p

Shkruan Mehmet PRISHTINA/

Çdo lëshim i Prëndimit ndaj aventurave nacionaliste të Vuçiqit është një favor për Putinin, i cili përmes Kosovës synon të destabilizojë Europën. Sa më pak të ketë ndikim Kosova si shtet në veriun e Kosovës, aq më e dukshme bëhet Rusia me politikën e saj destabilizuese në këtë pjesë të rajonit.

Viti që po lëmë pas u mbyll me heqjen e barrikadave serbe në veri të Kosovës. Largimi i barrikadave ishte kushtëzuar me lirimin nga paraburgimi të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiç, i cili u arrestua për dyshimet se kishte organizuar sulmin e kryer ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Kosovës në pjesën veriore në fillim të muajit dhjetor.

Barrikadat edhe kësaj radhe u përdorën si mjet shantazhi, ku Serbia tash më nuk po e fsheh qëllimin e saj grabitçar për të qenë bashkëpronare e Kosovës, për aq sa asaj i konvenon ta trajtojë çështjen serbe si proces të papërfunduar. Të gjitha qeveritë serbe në Beograd pushtetin e kanë mbajtur duke projektuar plane e ide të cilat janë përdorur për të mbajtur gjallë hegjemoninë përmes metodave më brutale. Tani Serbisë i ka mbetur Kosova si poligoni i fundit i kësaj hegjemonie dhe gjithkush që ka iluzione se Serbia tërhiqet vullnetarisht nga këto aspirata e ka shumë gabim. Në Serbi janë ndërruar disa pushtete me orientime të djathta e të majta, por të gjithë e kanë përdorur Kosovën si “klinikë” për të mbajtur gjallë gjendjen shpirtërore të nacionalizmit serb.

I fundit që po tregohet më këmbëngulës në trajtimin e Kosovës si terapi nacionaliste, është presidenti serb Aleksandar Vuçiq. I ardhur nga shkolla radikale serbe e urrejtjes dhe i kalitur në shkollën millosheviqiane të manipulimit, Vuçiqi aktualisht, pa e penguar askush nga Brukseli dhe Washingtoni, është dinozauri i fundit i politikës serbomadhe që ende po mbijeton me metodat e njëjta që shpien në shkatërrimin e ish-Jugosllavisë.

Kosova për Vuçiqin është një tokë e “shenjtë serbe”, prandaj ai në këtë tokë sillet si t’i teket dhe vendos barrikada sa herë që rejtingu i tij matet në kandarët e manipulimit me serbët e Kosovës. Po të ishte ndryshe, serbët e Kosovës deri tani do të nxirrnin një lider kredibil që do t’i përfaqësonte interest e tyre në institucionet e Kosovës. Serbët lokalë nuk kanë lider të tyre, sepse Vuçiqi vazhdon t’i manipuloj ata duke i përfaqësuar problemet e serbëve si pjesë e axhendës së tij kundër shtetit të Kosovës. Kjo axhendë do të jetë në fuqi deri sa Vuçqi ta bëjë Kosovën si Bosnjë dhe Hercegoninën, sepse një shtet i konsolidur i Kosovës atij jo vetëm që nuk i konvenon, por edhe ia zhvesh qëllimet hegjemoniste që ka. Për rrjedhojë, barrikadat mund të përdoren sërish si mjet shantazhi deri në krizën e ardhshme që Beogradi vet e shkakton, sepse vetëm në këtë mënyrë llogaridhënia për dështimet në luftimin e krimit e korrupsionit, për rënien ekonomike, për papunësinë, për migrimin masiv të të rinjëve, do të shtyhet deri në zgjedhjet e radhës kur Vuçiqi sërish do të del me një narrativë edhe më të dhimbshme për “fatin e mjerë” të serbëve të Kosovës.

Duke komentuar ngjarjet e fundit, Edward Joseph, pedagog në Universitetin e Uashingtonit dhe ish-zëvendës shef i misionit të OSBE-së në Kosovë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka zbërthyer më së miri synimet e mëpastajme dhe prapaskenat e Serbisë pas heqjes së barrikadave në veri të Kosovës.

“Ato barrikada, të cilat për fat të mirë janë hequr, janë vetëm një metaforë, sepse mes Serbisë dhe Kosovës ka ‘barrikada gjigante’. Ka edhe ‘barrikada’ në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian. Në të njëjtën kohë, këto ‘barrikada’ shërbejnë si ‘urë’ ndërmjet Serbisë dhe Rusisë”, ka thënë Joseph.

Eksperti amerikan ka paralajmëruar se Vuçiç po përgatit një tjetër skenar për krizë në Kosovë. Ai shton se nëse vendosen barrikada, mund të korren përfitime. Joseph shprehet se të gjithë e dinë se cila është çështja kryesore aktuale në veri të Kosovës dhe këtë e dinë edhe serbët atje.

“Çështja kryesore është sundimi i ligjit në atë fushë. Prandaj, është problem edhe për serbët në veri të Kosovës, e jo vetëm për institucionet në Prishtinë, të cilat përpiqen të zgjerojnë kontrollin e tyre në atë rajon. Më saktë, lind pyetja se kush është në krye të zbatimit të ligjit”, tha Joseph.

Njëra prej arsyeve se pse Beogradit i pengon konsolidimi i shtetit të Kosovës, është pikërisht çështja e luftimit të krimit dhe konrabandës që po mundohet ta zbatojë Qeveria e Kosovës. Siç raportuan edhe shumë media të pavarur të Beogradit, në barrikadat e fundit në veri të Kosovës nuk luftohej për kurfarë kauze serbe. Aty luftohej për më shumë kontrollë nga bandat e lidhura me Vuçiqin , prandaj me të drejtë mediat gjermane konstatuan se është irrituese që BE-NATO pranuan kushtet e Vuçiqit, sepse heqja e barrikadave nuk e zgjidh konfliktin. “Kosova mbetet një fuçi baruti”, ndërkohë që me të drejtë shumë analistë dhe vëzhgues e kritikojnë politikën e perëndimit kundrejt Serbisë si zbutëse.

Gazeta austriake “Der Standard” më së miri e ka trajtuar këtë politkë të pakuptimit të perendimit, duke konstatuar se përmes mënyrës se si u zgjidh konflikti nga BE, e mira më e rëndësishme e demokracive perëndimore, shteti ligjor u bë i negociueshëm.

“Është veçanërisht irrituese, që BE dhe NATO i pranuan kushtet e aktivistëve militantë, që janë nën kontrollin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç dhe nuk kanë mandat. […]Bilanci i krizës së inskenuar Serbi-Kosovë është fatal: Kosova nuk mund të kujdeset që të gjithë pronarët e automjeteve të përdorin targat e parapara, dhe nuk mund të mbajë në kohën e duhur zgjedhje. Njerëz, që ilegalisht, bllokojnë trafikun nuk mund të nxirren para përgjegjësisë, dhe policia e vendit nuk mund të zbatojë monopolin e pushtetit”, konkludon “Der Standard”.

Çdo lëshim i Prëndimit ndaj aventurave nacionaliste të Vuçiqit është një favor për Putinin, i cili përmes Kosovës synon të destabilizojë Europën. Por Brukseli si duket ende nuk e ka kuptuar se influenca ruse në Ballkan nuk mund të ndalet duke i bërë lëshime të njëpasnjëshme Vuçiqit. Fatkqeqësisht këto lëshime po bien mbi kurrizin e Kosovës, e cila është e detyruar të heqë dorë nga e drejta legjitime për të ushtruar ndikimin e shtetit ligjor në tërë teritorin. Sa më pak të ketë ndikim Kosova si shtet në veriun e Kosovës, aq më e dukshme bëhet Rusia me politikën e saj destabilizuese në këtë pjesë të rajonit.

Prishtinë, 01 janar 2023

Filed Under: ESSE Tagged With: Mehmet Prishtina

Mitrovicë, jemi me ty!

December 26, 2022 by s p

Pyetjeve të vështira të opozitës dhe shoqërisë civile se pse qeveria serbe nuk ka një strategji parandaluese kundër shpopullimit të hapësirave të tëra në Serbi, Vuçiqi po iu përgjigjet duke vendosur barrikada në veri të Kosovës. Sa herë që Vuçiqi zihet ngusht me tema të brendshme të karakterit politik, ekonomik e social, ai hap një front të ri në Kosovë, sepse deri më tani vetëm Kosova i ka shërbyer atij si gomë shëptimi.

Shkruan Mehmet PRISHTINA

Në veriun e Kosovës aktualisht po luhet një dramë e rrezikshme me aktorë të importuar nga nëntoka serbe. Serbët e Kosovës janë vetëm statista në këtë teatër tragjikomik, ku Aleksandar Vuçiqi po mundohet të inskenojë edhe njëherë aftësinë e tij për të mashtruar të tjerët duke luajtur rolin e viktimës, madje duke dalur hapur me një shantazh se “ barrikadat nuk do të tërhiqen deri sa Kosova të pranojë krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe”. Të gjithë e kanë kuptuar lojën e tij përpos disa burokratëve në Bruksel, të cilët ende besojnë në konstruktivitetin e Vuçiqit, ndonëse jo pak analistë dhe vëzhgues ndërkombëtarë tash më e kanë të qartë se kush qëndron prapa barrikadave në veri të Kosovës. Eksperti amerikan për Ballkanin dhe ish-diplomati Daniel Serwer në një intervistë për mediat në Kosovë ka thënë, ndër të tjera, se kriminelët që kryejnë operacione në veri janë nën kontrollin e Beogradit. Në të njëtjtën linjë është edhe kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, e cila duke folur për tensionet mes Serbisë dhe Kosovës ka deklaruar se Beogradi nuk është i interesuar për marrëdhënie normale me Kosovën, teksa theksoi se Rusia ka ndikim të madh në këtë çështje.

Kur jemi te Rusia tash më është e qartë se ndikimi i saj në prodhimin e krizave rajonale është evident. Të gjitha analizat ndërkombëtare shpiejnë në një konkludim se Putini ka nevojë për një vatër të re krize dikund në Ballkan. Arsyeja është e thjeshtë. Kremlini pretendon se një konflikt Serbi-Kosovë do të reduktonte mbështetjen ushtarke të NATO-s dhe SHBA-së për Ukrainën, dhe do ti jepte avantazh ushtrisë së Putinit.

Propaganda e Beogradit është munduar, por pa sukses, që situatën e fundit në verit të Kosovës ta paraqes si konflikt në mes të serbëve lokalë dhe Qeverisë së Kosovës. Kjo tezë tinzare dhe falce serbe ushqehet me iluzionin se fuqia e presionit do ta detyrojë udhëheqjen politike të Kosovës në Prishtinë që të gjunjëzohet para kërkesave serbe për krijimin e Asocacionit të komunave me shumicë serbe. Por ishte ish-emisari gjerman në bisedimet Kosovë-Serbi, Wofgang Ischinger ai i cili në një postim në Twitter, ndër të tjera, ka shtruar pyetjen nëse Serbia është e vetëdijshme që nxitja e dhunës në Kosovë do ta bënte të pamundur vazhdimin e procesit të anëtarësimit në BE. Rrjedhimisht, kjo deklaratë e diplomtatit gjerman na bën të kuptojmë se kurrfarë presioni nga ana e Beogradit nuk mund ta detyrojë Qeverinë e Kosovës të hartojë politika që dalin jashtë kornizës së saj kushtetuese.

Viteve të fundit rajone të caktuara të Ballkanit po zbrazen si pasojë e shpopullimit masiv, sidomos të të rinjëve që po mësyejnë Perëndimin për një jetë më të mirë. Mediat serbe për çdo ditë raportojnë për zbrazjen e fshatrave të tëra në thellësi të Serbisë, ku vetëm disa pleqë kanë mbetur t’i fikin dritat nëpër shtëpitë e vetmuara dhe të braktisura. Beogradi nuk ka një strategji parandaluese ndaj procesit të shpopullimit, por ka zell të tepruar të merret me Kosovën, duke i keqpërdorur serbët lokale për nevoja të konsumit të brendshëm politik. Pyetjeve të vështira të opozitës dhe shoqërisë civile se pse qeveria serbe nuk ka një strategji parandaluese kundër shpopullimit të hapësirave të tëra në Serbi, Vuçiqi po iu përgjigjet duke vendosur barrikada në veri të Kosovës. Sa herë që Vuçiqi zihet ngusht me tema të brendshme të karakterit politik, ekonomik e social, ai hap një front të ri në Kosovë, sepse deri më tani vetëm Kosova i ka shërbyer atij si gomë shëptimi. Dhe në shtypin e Beogradit ka me dhjetëra kolumna e analiza të autorëve të ndryshëm të cilët tash më e kanë kuptuar se Vuçiqi është i paaftë të notojë në ujërat e rrëmbyeshëm të politikës së brendshme, prandaj ai merret me serbët e painformuar duke ua imponuar atyre temën e Kosovës si një adrenalinë nacionaliste.

Fatkeqësisht në grupin e të painformuarve po del të jenë edhe disa diplomatë perendimorë, të cilët si duket ende nuk e kanë kuptuar se Vuçiqi po abuzon edhe me durimin e tyre.

Megjithat, ata që do të duhej ta kuptojnë më së miri Vuçiqin dhe qëllimet e tij tinzare, janë politikanët tanë në Prishtinë, të cilët veprimet e tyre politike e shtetërore është mirë t’i koordinojnë me miqtë tanë perendimorë, sidomos me NATO-n dhe SHBA, sepse vetëm në këtë mënyrë mbrohet pacenueshmëria e sovranitetit të Kosovës. Përvoja ka dëshmuar se kur këto veprime janë të koordinuara, Serbisë i ngushtohet hapësira manovruese, kurse shqiptarët shumicë kanë arsye më tepër të brohorasin: “Mitrovicë, jemi me ty!”

Filed Under: Fejton Tagged With: Mehmet Prishtina

Gjeopolitika e konfliktit në Kosovë dhe standardet e dyfishta diplomatike

December 14, 2022 by s p

Shkruan Mehmet PRISHTINA/

Duke qenë një çështje më vete, që ka pësuar evoluim historik, deri në pavarësimin e saj, Kosova paradoksalisht po rëshqet në çështje të brendshme të Serbisë. Sepse thelbi i dialogut Kosovë-Serbi, sipas politikës së Beogradit, nuk përbën rregullimin e gjendjes së serbëve në Kosovë, por falimentimin e Kosovës si shtet.

Rezoluta 1244, në të cilën thirret shpesh Vuçiqi, nuk e përmendet aksund Serbinë. Kjo rezolutë nuk ka fare të bëjë me Serbinë, sepse ajo i dedikohej një shteti tjetër – RFJ-së, i cili pushoi së ekzistuari në vitin 2006, kur Serbia u njoh ndërkombëtarisht si shtet i ri.

Mirëpo kjo nuk po e pengon Vuçiqin që të paralajmërojë një dislokim të forcave ushtarake serbe ne veri të Kosovës, duke u thirrur gjithmonë në rezolutën e sipërpërmendur.

Kjo retorikë luftënxitëse e Vuçiqit ka detyruar shumë kancelari të botës të reagojnë duke kërkuar nga ai që as të mos e mendoj një aventurë të tillë të rrezikshme.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka kërkuar nga Serbia që të ndalojë provokimet ndaj Kosovës. Në një intervistë për televizionin “France 24”, Stoltenberg ka folur për situatën e sigurisë në Kosovë, pas vendosjes së barrikadave në Veri nga serbët atje.

Sipas tij , NATO përmes trupave të saj në Kosovë në kuadër të KFOR-it është e gatshme, e aftë dhe vigjilente dhe po monitoron nga afër situatën në terren me shumë kujdes.

Stoltenberg, gjatë deklarimit ka kërkuar edhe që Kosova e Serbia të përmbahen nga retorika që rrjedhimisht mund të ushqejë përshkallëzimin e situatës në terren.

“Deutsche Welle”, ka raportuar pas një takimi të ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-të në Bruksel, të cilët shqyrtuan tensionet në veri të Kosovës, me ç’rast Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pas mbledhjes me ministrat ka thënë se “kjo situatë duhet të marrë fund”. Ai është shprehur se BE-ja është e gatshme të dërgojë më shumë personel për misionin e EULEX-it.

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, thotë se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.

SHBA-ja, thotë ai, e kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë.

Ndërkaq, shefja e diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock, duke iu referuar tensioneve në veri, ka akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë.

“Kosova uli tensionet duke shtyrë zgjedhjet lokale. Retorika e fundit nga Serbia bëri të kundërtën. Sugjerimi për dërgimin e forcave serbe në Kosovë është krejtësisht i papranueshëm“, ka shkruar Baerbock në llogarinë e saj në Twitter. “E gjithë mbështetja ime shkon për dialogun e udhëhequr nga BE“, shtoi ministrja e Jashtme gjermane.

Situata e tensionuar në veri të Kosovës ka nxitur retorikat politike. Pas deklartës së Presidentit Vuçiq se do të kërkonte nga KFOR dislolim të forcave ushtarake serbe ne veri, vjen reagimi i Kurtit. Ai thotë se Serbia po kërkon kthimin në kohën e Millosheviqit dhe kthim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ku ndodhet vetoja e Rusisë (dhe Kinës). “Agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi… Kosova është shtet evropian, demokratik dhe pro-amerikan. Me këtë udhëheqje që ka, Serbia është autokratike, pro-aziatike dhe luftënxitëse. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi. Tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak”, shprehet Kurti ndër të tjera.

Në mbledhjen e sotme (e martë) të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Kurti gjithashtu ka folur për vendimin e Kosovës që këtë javë të aplikojë për statusin e vendit kandidat në Bashkim Evropian.

“Ka ardhur koha që statusin potencial për kandidat që na është njohur shumë kohë më parë, ta kthejmë në status kandidat duke kaluar në një fazë të re të raporteve me BE-në. Kjo është në përputhje me aspiratat e qytetarëve që besojnë se e ardhmja jonë është BE-ja”, ka thënë Kurti.

Situata në Kosovë i ka dy dimensione: në njërën anë kemi dimensionin e brendshëm, të cilin e përbëjnë institucionet ligjzbatuese dhe dimensioni i jashtëm është Serbia me shantazhet e aj, e cila synon të faktorizohet aq shumë në Kosovë, sa që çdo vendim legjitim kosovar duhet paraprakisht ta merr aprovimin e Beogradit.

Duke qenë një çështje më vete, që ka pësuar evoluim historik, deri në pavarësimin e saj, Kosova paradoksalisht po rëshqet në çështje të brendshme të Serbisë. Sepse thelbi i dialogut Kosovë-Serbi, sipas politikës së Beogradit, nuk përbën rregullimin e gjendjes së serbëve në Kosovë, por falimentimin e Kosovës si shtet. Serbia po i përdor serbët lokal si vegëza për të lidhur sa më shumë nyje mbi qafen e Kosovës, sepe vetëm në këtë mënyrë realizohet plani për ta parandaluar bërjen e Kosovës shtet me të gjitha parametrat ligjorë e kushtetues.

Megjithatë, situata nuk do të dukej aq kaotike, sikur të mos ndikonin edhe deklaratat kontradiktore të diplomatëve të huaj, të cilët jo gjithmonë kanë qëndrime parimore mbi atë çka po ndodhë në Kosovë. Në retorikën e diplomatëve të huaj ekziton një prirje për të vendosur njëfarë simetrie të fajit dhe përgjegjësisë në mes të Kosovës dhe Serbisë, qasje kjo që i ka trimëruar bukur shumë bandat serbë në veri që të ndërmarrin veprime destruktive kundër shtetit të Kosovës.

Shpesh na ka rënë të dëgjojmë kritika, bie fjala, të ambasadorit amerikan në Beograd, Kristofer Hill, mbi politikat qeveritare të Kosovës kundrejt Serbisë, të cilat ai i shikon me një sy kritik, ndërkohë që nuk na ka rënë të dëgjojmë kritika të tilla në adresë të Serbisë nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey M. Hovenier.

Kosova dhe populli i saj besojnë fuqishëm në politikën e drejt amerikane, por kjo nuk do të ishte pengesë që të bëhet publikisht pyetja se si është e mundur që dy ambasadorë amerikanë kanë qasje pak a shumë të ndryshme mbi situatën në Kosovë dhe mbi faktorët destabilizues që vijnë nga Serbia.

Gjeopolitika e konfliktit në Kosovë nuk do të ishte dramatike sikur të mos ekzitonte një tendencë e hapur ruse që përmes Serbisë të destabilizojë gjithë Ballkanin. Por, këtij destabilizimi mund t’i kontribuojë edhe aplikimi i standardeve të dyfishta që po përdorin diplomatët e huaj, duke i vendosur padrejtësisht në një peshore të njejtë fajësie dhe përgjegjësie Kosovën (viktimë) dhe Serbinë (agresore).

Prishtinë, 13 dhjetor 2022

Filed Under: Komente Tagged With: Mehmet Prishtina

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT