• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SANDALET

January 10, 2019 by dgreca

1 Memisha.JPG

Pak humor nga Memisha Gjonzeneli

Unë shkoj çdo vit në vendlindje, në qytetin tim të dashur bregdetar Vlorë, në Shqipëri. Megjithëse i larguar, bashkë me vëllezërit dhe prej vitesh banoj familjarisht në Çikago të Amerikës, nuk më ndahet shpirti dhe zemra nga vendlindja, nga Vlora ime e shtrenjtë, qytet  shumë i bukur, i vendosur në një gji të mrekullueshëm të bregdetit Adriatik. Atje, te djali im i xhaxhait, në Skelën përrallore afër Portit, zë me qira një dhomë në Vilën e kushëririt , që ai e  përdor  gjatë muajve të verës, si burim për të siguruar të ardhura për jetesë. Vila është  e bukur, katër katesh dhe mjaft komode për banim. Unë porosit çdo behar një dhomë me ballkon në katin e dytë dhe pamje nga deti. Dhomat janë të pajisura me gjithçka të nevojshme për banim normal si me televizor, kondicioner, frigorifer, dollap, tavolinë, karrige, krevat, etj… Deti është 300m. larg, ndërsa rruga bregdetare, ku qarkullojnë autovetura e autobusë,  jo me shumë se 100 m. Është lagjja ku kam ende shumë të afërt, miq e shokë të çmuar. Dikur, për atë zonë dikush thoshte “te Tezgjahu” (sepse ka pas qenë një ndërmarrje qilimash) e disa të tjerë “te Kanali”, nga që është një kanal, që edhe tani vazhdon të përcjell ujëra të shumta. Ai mbledh gjithë ujërat e pellgut, nisur nga “Fabrika e Çimentos”, po dhe ato të “kanalit të Koloqithit” dhe i shkarkon në thellësi të detit.  E përshkruaj me hollësi atë zonë, se kam mall e nostalgji, ngaqë kam kaluar atje një pjesë të mirë të jetës, sidomos fëmijërinë e dhimbshme. E kam pasur shtëpinë tamam te ish “Turizmi i Skelës” ose te “DOM MARKU”, siç quhej objekti, në kujtim të një prifti të shquar edhe atdhetar.  Godina e turizmit, një përshtatje nga kisha e hershme katolike, ishte  një mrekulli në buzë të detit, mandej e rrethuar nga tre anët me det. Ajo ishte e vetmja shtëpi simbolike në Vlorë, po ndofta dhe në Shqipëri për pozicionin gadishullor.  Atje banuam edhe ne ca kohë. Në vitin 1954 atë e bënë “Klub Popullor” dhe ne na çuan në shtëpinë e Pavllo Bezhanit, që ishte përkarshi, po 400-500m më larg.  Arsyeja që behareve tani banoj po këtu është se më tërheqin kujtimet, ngaqë  gjithë fëmijëria ime ishte nga Moli 1, ose nga “Shtëpia e Shullës” deri te “Moli i Peshkimit”,  zonë kjo që me vonë u quajt  “Plazhi i Ri”. Nuk shkëputesha dot me të kaluarën. Çdo hap që hidhja me kujtonte mijëra kujtime, ca të këndshme e ca të trishtueshme…

Kështu që çdo vit shkoja te Mitati, im kushëri dhe  ai ma ruante dhomën, sado që kishte plotë kërkesa të tjera.

Zakonisht unë shkoj atje në muajin korrik dhe rri deri nga fundi gushtit. Sa mbërrij, lë valixhen në dhomë dhe shpejte dal anës së  detit, të shoh çfarë ka ndryshuar gjatë një viti. Mbasi lodhem nga soditja e gjatë, kthehem në dhome dhe shtrihem e bie në relaks e shoh ëndrra me sy hapur…Në mëngjes ngrihem shpejt. Mbasi mbaroj punët personale, zakonisht në orën 9 deri 12, shkoj  vrap në det  dhe mbas dreke nga ora 3 deri në orën 6 nisem drejt jugut, për nga bregdeti i bukur i Radhimës. Aty lahem te “Akademia” ku si përpara, kur ishim të rinj dhe tani prapë lozin me top, po çuditërisht, pa e ndjerë lezetin e kahershëm. Deti aty ende është i pastër, nuk ka gurë, mbeturina e zhavorr, po vetëm një kanal me ujëra të bardhë dhe rreth e rreth kum i imtë. Aty mblidhemi, dashamirës të vjetër po dhe të rinj dhe bëjmë shaka e humor, çka unë e kam shumë qejf, e pastaj futemi plot kënaqësi në ujët e ngrohtë të detit…

Në një nga ditë e ngrohta plot diell, shkova te vendi ku zakonisht lija rrobat. Gjithmonë unë mbaja veshur një pale sandale të zakonshme, qe i kisha blerë në qytetin e Çikagos këtë behar.  Ato, nuk qenë shumë të bukura, po ishin shumë të rehatshme e praktike, me ngjyrë hiri, që mua me pëlqenin.  Shkova atë ditë, si zakonisht te vendi ku laheshim. Si orientim kishim një varke plastike që e kishin lënë ne anë të detit, ku shpesh dhe herë të tjera, vinim rrobat mbi të. Sa vajta, si zakonisht,  hoqa sandalet dhe i hodha në kum, afër varkës. Aty kish dhe plot shokë të tjerë, të njohur e të panjohur, që po laheshin. Unë, sipas traditës, vajta  buzë detit, futa këmbët në ujë dhe fillova nga logjet e qyfyret, që unë, në natyrën time të çiltër e gazmore, i kam për zemër.

Në këtë kohë më tërhoqi vëmendjen aty pari, një burrë i veshur me rroba pune. Ai bëri një si rreth, rrotull barkës dhe shkoj drejtë e te sandalet e mija: i mori në dorë, i përplasi me njëra tjetrën për t’i shkundur rërën, i bëri bashkë dhe i futi të dyja ndenë sqetull. Unë i shkova menjëherë afër tij dhe i fola me kulturë:

-Zotëri, me leje!

Ai nuk e çau kokën fare…

Unë prapë i them:-Zotëri të lutem! Ai prapë në heshtje vazhdoi të eci. Atëherë, duke e humbur durimin dhe delikatesën u afrova dhe i them:

-Eeej, ty po të flas, qëndro pak!

Ai qëndroi…

-Dy herë të fola dhe nuk mu përgjigje!

-Po, tha ai, po mua nuk me quajnë “zotëri”. Unë kam emrin tim. Askush, nga ata që më njeh, nuk më thotë zotëri.

-Mirë nuk ka problem! Ato sandalet që ke ndenë sqetull mi jep mua, se janë të miat!

– Ik ore burrë me tha, si me të qeshur dhe deshi të ikte.

-Prit mos u nxito! i them unë. Pastaj ai mu kthye:

– Këto vjetërsirat janë të tua?

– Po!- I thash unë. Ai mi hodhi te këmbët sandalet. Unë u mërzita pak.

– Merri! më tha mua dhe deshi të ikte.

-Të të vijë turp! i them unë.

– Çfarë the! tha, ai. Unë prapë:

– Nuk të vjen turp!?

Qeshi si me sarkazëm dhe më tha:

– Ore xhaxho nuk qenke në vete!

– Po pse?- e pyes.

-Këtë zanat, më thotë ai, e kam filluar që kur nuk ngopeshim me bukë. Tani që jam mbi 50 vjeç, nuk më ka ngelur më turp.

 Mora sandalet në dorë dhe po ikja e qeshja. Edhe  ai u nis të iki…

-Dhe dëgjo i thash unë. Këto sandale i more gabim, mbasi nuk të bëjnë, se janë të mëdha! Ai ktheu kokën, si me tallje dhe me tha:

-Mos u bëj merak se unë kam katër djem dhe iku shpejt, pa e kthyer kokën mbrapa. Unë qesha dhe thash me vete:

-Ka lezet! Kur të sqaron kaq mirë hajduti, nuk të vjen keq se të vjedh… 

 

    ÇIKAGO, 27 DHJETOR 2018

Filed Under: Fejton Tagged With: Memisha gjonzeneli, rrefim humoristik, Sandalet

“RINGJALLJA”

December 26, 2018 by dgreca

Tregim i jetuar, nga Memisha Gjonzeneli/

Gjykatësen e quanin Ana.1 MEMISHAU

Anës punët i shkonin shumë mirë, ajo përpiqej shumë që t’iu vinte në ndihmë të gjithë hallexhinjve që i shkonin në zyrë dhe kërkonin ndihmën e saj. Ajo ishte korrekte me të gjithë, serioze, buzëqeshte rrallë. Të tillë e kishte bërë puna.

Në mëngjes çonte Henrin në kopsht, pastaj në punë deri në orën tre, kur shkonte të merrte Henrin nga kopshti. Shkonte shpejt, që të kishte kohë të rrinte me djalin. Ai sa e shikonte gjyshen turrej me vrap dhe i hidhej në qafë. Gjithë pjesën tjetër të kohës, e kalonte në shoqërinë e Nikos dhe të Elenës. Shpesh linte dhe Henrin me ta, dhe në mëngjes shkonte e merrte për ta çuar në kopsht.  

Ornela kishte filluar të shoqërohej me një djalë dhe rrallë e kërkonte Henrin, madje djali mërzitej se donte të rrinte vetëm me gjyshe Anën, ajo kishte makinë dhe e çonte ku të donte dhe blinin gjithçka që ai dëshironte.

Nikua kishte disa ditë që nuk ishte mirë, nuk kishte oreks, kishte temperaturë dhe ishte zverdhur në fytyrë. Ana i lutej ta çonte tek doktori por, ai nuk donte. Një ditë i ra të fikët, lajmëruan ambulancën. Ana nuk ishte në shtëpi. Eleni e telefonoi dhe ajo shkoi menjëherë. I gjeti duke hipur në ambulancë. Të dyja gratë e shoqëruan Nikon në spital. E futën së sallë. Të dyja gratë pritën tek dera. Pas tre orësh dera u hap. Doli një mjek mesoburrë. Ai më kokën të ulur u drejtua nga gratë dhe iu tha:

–         Ju jeni familjarët e të sëmurit?

–         Po. – iu përgjigj Elena, duke qarë. – Të lutem doktor, si është? Doktori tundi kokën i mërzitur.

–         Është shumë keq, ka kancer në mëlçi, metastazat janë përhapur shumë, sëmundja ka përparuar. Ka ardhur shumë vonë, nuk kemi se çfarë t’i bëjmë. Nëse dëshironi mund ta merrni në shtëpi.

–         Të lutem, doktor, edhe sa mund të jetojë? – pyeti Elena.

–         Jo më shumë së dhjetë ditë.

–         Atëherë, po e marrim në shtëpi.

–         Unë po shkoj përpara, të rregulloj shtëpinë, ti eja me ambulancë. – I tha Ana dhe u nis.

Ajo mbërriti në shtëpi, rregulloi çdo gjë. Kur erdhi ambulanca gjithçka ishte gati.

Infermieret e shtrinë, Nikon, në krevat. Ato lanë disa ilaçe dhe u larguan. Nikua dukej sikur flinte.

Në shtëpi mbetën dy gratë. Eleni qante mbi kokën e Nikos dhe e kishte humbur fare toruan.

–         Po shkoj të rregulloj djalin, po e dërgoj tek e ëma, të rrijë atje sonte dhe erdha. Të lutem qetësohu se do sëmuresh edhe ti. – tha Ana dhe iku.

Ana shkoi e mori gjithçka që duhej për këto raste.

Nikua ndërroi jetë pas dhjetë ditësh. E përcollën me nderime shokë të punës së Robertit, shokë e miq të lagjes. E vendosën të prehej afër Robertit.

Elena nuk donte të largohej nga shtëpia prandaj, Ana erdhi të qëndronte me të.

Shpesh Henri kërkonte gjyshin e tij të dashur, e atëherë Elena fillonte të qante.

Koha bënte punën e saj. Ana, si gjithmonë, në mëngjes çonte djalin në kopsht, pastaj shkonte në punë deri në orën tre, merrte djalin nga kopshti (ai mezi e priste, e puthte me shumë mall) shkonin blinin akullore dhe shkonin në shtëpi tek gjyshja tjetër. Shpesh të tre dorë për dore shkonin dhe rrinin në park. Ndonjëherë, drekonin jashtë.

Të shtunën, në orën nëntë, në mëngjes, Ana përgatiste dy tufa me lule, një për Robertin dhe një për Nikon e të tre shkonin në varreza.

Elena merrte Henrin për dore dhe ulej aty afër, në anë të rrugës, ku ishin disa stola. Ana rrinte vetëm, ajo fliste me Robertin sikur ai të ishte gjallë. Nuk i hiqej nga mendja çasti kur kishte parë Robertin, të cilin e la fare të vogël, tre-katër kilogram. Kur e pa, ai ishte bërë burrë, e kishte zënë gjithë krevatin.

–         O Zot, bir, kur të qafova, gjithë trupi mu drodh. Kisha droje dhe frikë mos më thoshte  se

ç’doja atje, por jo, ti vetëm hape sytë e bukur, më pe dhe me zë të fikur më the nënë. Doje të buzëqeshje por nuk munde, buzët të mbetën pak të hapura, nëna erdhi përpara se ti të largoheshe nga kjo jetë. O Zot sa të kam kërkuar, por nuk ishte e thënë të të takoja. O Zot sa fatkeqe jam. – i fliste Ana të birit.


Lotët nuk i pushonin. Të gjitha nënat, në botë, presin me mall, kur fëmija për herë të parë thotë fjalën e çmuar Nënë. Nga ai çast diçka për to ka ndryshuar, ato nuk kanë nevojë ta thonë, por e ndiejnë.  Edhe Ana, kur e dëgjoi atë fjalë, u drodh, pastaj i ra të fikët. Kur u përmend ajo e kuptoi se kishte humbur dy gjërat më të çmuara të jetës: djalin që nuk do ta shikonte më dhe fjalën nënë, të cilën nuk do ta dëgjonte më.

Kushedi sa herë i kishte kaluar nëpër mendje këto gjëra, por sot iu dukën më therëse.

Rregulloi edhe pak varrin dhe u ngrit. I tha vetes “Henri ka nevojë për mua” e u nis drejt tyre.

Kur bënë varrin, të tre vendosën që të shkruanin dhe emrin e babait. E mbi të shkruan Robert Eduard Vanda. Vendosën dhe një foto kur Roberti ishte fejuar. Dukej aq i bukur…

Të shtunën në varreza shkoi vetëm Ana dhe Henri. Ajo nuk donte që Henri të trembej prandaj kur shkonin bashkë në varreza nuk qante. Në ditë të tilla ajo merrej me rregullimin e luleve, i pastronin nga gjethet e kalbura, i ujisnin.

Pranë tyre kaloi një kortezh. Po përcillnin për në banesën e fundit njeriun e tyre. Henri donte vraponte por Ana i foli  dhe e ndaloi duke e kapur për dore. Zëri i saj iu tërhoqi vëmendjen. Ajo dukej shumë simpatike me rroba të zeza me një shall të madh të zi, me çizme të zeza. Të gjithë po e shikonin. Ajo mori Henrin dhe u largua…

                                                          ***

Eduardi u arrestua muajin e fundit kur do mbaronte universitetin. Ai merrej me veprimtari politike. Ishte një organizatë e madhe por, brenda në të ishin futur agjent të policisë, e kështu filloi të dukej se diçka po lëvizte. Ai kishte një të dashur që studionte për juridik, në vitin e fundit. Kishin katër vjet që ishin bashkë, e quanin Ana. Madje ata prisnin edhe një fëmijë, i cili donte dhe pak ditë që të vinte në jetë.

Eduardi u takua në mbrëmje me Anën. Ishte i mërzitur.

–         Çfarë ke shpirt? – e pyeti ajo. – Nuk po të shoh mirë, çfarë ke?

–         Ka mundësi të më arrestojnë, për ato që të kam thënë.

–         Nuk besoj.

–         Po ndodhi na mori lumi. Unë nuk kam askënd tjetër veç teje.

Të dy u ndanë të shqetësuar.

Dy ditë më vonë, atë e arrestuan, në shkollë. Ana e mori vesh pas disa ditësh kur, rektori tha emrat para shkollës. Aty dëgjoi edhe emrin e Eduardit.

Ai qëndroi 11 muaj në hetuesi dhe u dënua 25 vjet, nga të cilat bëri 21 vjet burg. Kur u lirua e çuan në një ishull për pesë vjet. Disa nga shokët e tij u pushkatuan. Kur u lirua nuk shkoi tek njerëzit e tij, ata ishin familje e njohur dhe e pasur. Me ndihmën e shokëve të cilët, nuk e kishin harruar, u rregullua, mori një apartament me qira dhe u fut mekanik në një ofiçinë. Kur e morën vesh njerëzit e tij filluan ta ndihmonin por, pa rënë në sy.

Ai shkoi në universitet të hidhte provimet që i kishin mbetur. Kur ishte në burg, kishte studiuar për mekanikën se e kishte për zemër. Kishte kohë vetëm tre muaj për të dhënë provimet, por edhe atij nuk i duheshin më shumë. Provimet i mori shkëlqyer.

Aplikoi në një kompani që prodhonte makineri bujqësore dhe pas një muaji i erdhi përgjigja që të paraqitej në sekretari. Shkoi dorëzoi dokumentacionin dhe pas dy ditësh filloi punë.

Ai ishte njeri serioz, por edhe burgu kishte bërë punën e tij, kishte trup mesatar, muskulor, i pashëm. Pamja nuk i tregonte pesëdhjetë vitet e tij. Ashtu si kishte bërë kur ishte fëmijë, student por edhe në burg, me pasionin për mekanikën, njësoj vazhdoi edhe në punë. Ai blinte libra dhe studionte. Shumë shpejt ra në sy dhe e emëruan krye inxhinier. Bleu një shtëpi në një kodër të vogël afër detit. Filloi të interesohej për Anën. Nuk e kishte harruar kurrë. Kur ishte në burg bënte veten fajtor për çdo gjë dhe Anën nuk e harroi për asnjë çast.

Kërkimet i kishin shkuar kot, e në fund ia la në dorë kohës. Një ditë në punë u aksidentua një mekanik dhe humbi jetën. Eduardi shkoi në ceremoninë e varrimit. Kur mbërritën në varreza atij i tërhoqi vëmendjen një zonjë e veshur me të zeza me një fëmijë, të cilët po rregullonin lulet pranë një varri.

Kur mbaroi varrimi Eduardi ktheu sytë nga varri ku qe zonja por, nuk pa njeri. U nis për të ikur, eci pak, qëndroi i menduar dhe menjëherë u kthye. Shkoi tek varri ku kishte qenë zonja me fëmijën. Kur mbërriti atje u tmerrua. Nga fotua iu duk sikur ishte varri i tij. Djaloshi në foto ngjante shumë me të. U ul në gjunjë, kapi kokën me duar dhe po i shtrëngonte fort derisa iu duk se erdhi në vete. Ktheu sërish sytë nga fotua. Djali kishte dalë duke buzëqeshur dhe shikonte drejt tij sikur t’i kërkonte llogari. Pastaj hodhi sytë tek emri dhe lexoi: Robert Eduard Vanda.

“O Zot, po ky jam unë!”, mendoi me vete. Vërtetë Roberti i ngjante shumë të atit.  U ul në buzë të varrit dhe nuk po e mblidhte dot veten. Kaloi gjysmë ore, ai po vazhdonte të ndihej i përhumbur. E kuptoi pak a shumë si ishte puna. Ai ishte djali i tij, që kishte ndërruar jetë. Filloi të qante pa zë. Qante për djalin dhe për veten e tij që kishte humbur një nga pjesët më të rëndësishme të jetës së tij. Gjithë trupi po i dridhej, kishte duruar shumë tortura, për njëmbëdhjetë muaj, por këtë nuk po mund ta duronte dot.

U ngrit dhe nuk la vend pa e puthur foton e të birit që nuk e kishte parë kurrë. Kur ishte në burg kishte parë shumë ëndrra për Anën, djalin, familjen, por të gjitha ishin zhdukur. Çfarë realiteti!. U largua, shkoi në shtëpi, u shtri në krevat dhe ashtu të veshur e kishte zënë një gjumë i rëndë. U zgjua shumë vonë e nuk fjeti më deri në mëngjes.

Mezi e priti mëngjesin. Shkoi tek zyrat e varrezave. U takua me një mesogrua dhe një burrë.

–         Me se mund t’ju ndihmojmë? – e pyetën ata.

–         Dua informacion për këtë varr. – dhe iu tregoi fotografinë e varrit dhe vendndodhjen e tij.

–         Çfarë lidhje keni me këtë varr?

Ai nxori pasaportën dhe iu tha se ishte i biri.

–         Për shkaqe të ndryshme unë nuk kam qenë me të. Ju lutëm më ndihmoni!

–         Dakord. – iu përgjigjën ata – ju lutemi, kthehuni pas njëzetë minutash.

Kur u kthye, ata e sqaruan, sa informacion kishin. I treguan se çdo të shtunë ne orën dhjetë e ëma vjen, nuk mungonte asnjëherë.

–         Faleminderit! – iu tha Eduardi. Ai donte t’i paguante, por ata nuk pranuan.

Ditën e shtunë që në mëngjes u nis për në varreza. Gjatë javë kishte shkuar disa herë tek i biri, por këtë të shtunën do takonte Anën.

U ul tek varri dhe mbante kokën poshtë.

Ana rregulloi krevatet, Elena doli në ballkon kur Henri për herë të parë i thotë Anës:

–         Nëna unë jam gati, do ikim?

Ajo kur e dëgjoi i ra të fikët. Nga fjala Nënë iu mbush trupi me mornica dhe sytë me lotë. Vogëlushi sa e pa ashtu shkoi me vrap, e kapi gjyshen për mezi.

–         Të lutem më fal!

Ana e rrëmbeu djalin dhe e mori në krahë.

–         Jo, të keqen gjyshja, – i tha – ti e di që mua më ke gjyshe, mami jot është në punë.

Ajo mezi e pushoi nga të qarat. Elena dëgjoi të qarat dhe shpejt hyri brenda.

–         Çfarë ka djali? – tha ajo, por kur pa Anën të tronditur pyeti përsëri: – Çfarë ndodhi këtu, a

nuk më thoni?

Ana e mblodhi veten.

–         Mos u shqetëso, asgjë nuk ka ndodhur. – i tha Ana dhe mbuloi djalin me të puthura.

Pas gjysmë ore mbërritën në varreza. Kur u afruan, panë një burrë që ishte ulur tek varri. Në fillim, Ana mendoi se mos ishte sherifi por, kur u afrua u bind që nuk ishte ai. Ajo iu drejtua:

–         Zotëri, ju lutem, jeni ulur gabim!

–         Jo! Jam ulur atje ku duhet. – iu përgjigj ai dhe u kthye nga Ana, me sytë e mbushur me lot.

Ana fërkoi sytë me habi.

–         Mos je gjë fantazmë?! – pyeti ajo.

–         Po. – i tha ai dhe të dy ballë për ballë me habi po shikonin njëri-tjetrin.

Nuk e dinin se sa kohë kishin ndenjur ashtu, kur qetësinë e prishi Henri.

–         Gjyshe, eja të ikim, se ky burri na ka zënë varrin e babit.

Eduardi nuk priti, e rrëmbeu djalin e hodhi në qafë dhe filloi ta puthte. Djali në fillim u tremb por pastaj u qetësua. Atij iu duk shumë i dashur xhaxhi që e kishte marrë në krahë.

–         Xhaxhi, të lutem, pse po qan? Mos të vrava gjë? Të lutem më fal.

Edhe Anës iu mbushën sytë me lot. Ajo nuk po lëvizte dot nga vendi. U ul puthi foton e të birit, shpërndau lulet e freskëta.

–         Bir, – i tha – tani jemi gjithë familja këtu. Pse na ndau fati kështu?

Eduardi me djalin në krah u larguan dhe e lanë Anën të rrinte pak më shumë me të birin.

–         Po ti xhaxhi, më ke xhan mua? – pyeti Henri.

–         Po, të kam shumë xhan. – I tha Eduardi dhe filloi ta puthte.

–         Mirë, po a të kam gjë unë ty? Unë kam dy gjyshe dhe mamin.

–         Po, –  tha ai – mua më ke gjysh dhe unë të dua shumë, shumë, ja kështu.. – dhe e shtrëngoi fort.

Eduardi ishte informuar për çdo gjë.

Ana u ngrit. Shkoi drejt tyre. Ajo i dha dorën Edit.

–         Mirë se erdhe.

Ai e uli djalin, vogëlushi sapo uli këmbët në tokë, iu ngjit gjyshes tek fundi. Ai e kapi për dore.

–         Si më gjete pas kaq kohësh? – e pyeti ajo.

Ajo ishte mësuar t’i linte njerëzit të flisnin dhe ajo dëgjonte, pastaj mendonte dhe përgjigjej.

Eduardi filloi të tregonte shkurtimisht historinë e jetës, çfarë i kishte ndodhur. I foli për burgun, për punën, për shkollën dhe në fund i tha se nuk kishte hequr dorë nga kërkimi për të.

–         Tani më trego ti. – i tha ai me të qeshur.

Ajo i tregoi gjithçka me sinqeritet.

–         Po, – i tha ai – unë pak a shumë tani e di se çfarë të ka ndodhur, na i ndërprenë jetën në

mes.

Të dy ishin me kulturë, nuk kishte nevojë të kërkonin fajtorin, por të shpëtonin çfarë të mundnin nga e gjithë kjo.

Dolën në rrugë, djalin në mes dhe ata të dy që formonin një treshe tepër simpatike. E filluan bisedën që nga shkolla, e filluan historinë atje ku e kishin ndërprerë.

–         Vetëm dashurinë mund ta fillojmë atje ku e lamë, gjithë të tjerat harroi.

Mbërritën tek makina, Eduardi kishte makinë të shtrenjtë dhe shumë të bukur. Djalit i pëlqeu shumë dhe vrapoi drejt saj.

–         E kisha ëndërruar takimin tonë, por asnjëherë kështu, s’ka imagjinatë ta kap këtë

çast. – i tha Eduardi.

Ana ishte pak e turbulluar, kaq shumë gjëra të ndodhura për një ditë ishin shumë, vetëm një mendje e fortë si e Anës mund t’i përballonte.

–         Rëndësi ka që ne u takuam dhe u sqaruam, të tjerat nuk kanë vlerë.

–         T’iu shoqëroj deri në shtëpi, të lësh djalin dhe dalim, pimë një kafe, ose hamë diçka, si të

duash? – propozoi Edi.

–         Më mirë nesër, jemi shumë të lodhur. – iu përgjigj Ana.

–         Atëherë, kështu do ta lemë. – tha Edi dhe nxori një kartëvizitë e ia la në dorë Anës. – Të lutem më jep dhe ti kartëvizitën tënde.

–         Po, – tha ajo, hapi çantën dhe nxori një copë e ia dha Edit.

Kaluan ditë, shoqëria e të dyve sa vinte e shtohej. Një ditë Ana i tha Elenës:

–         Ke kohë të bisedojmë diçka, si dy motra?

–         Si jo, – ia ktheu Elena – edhe unë kam diçka për të thënë.

–         Unë kam gjetur babain e Robertit. Për arsye të kushteve, ne kemi qenë të ndarë, pa

dëshirën tonë, tani kemi gjetur njëri-tjetrin dhe duhemi shumë. Të lutëm më ndihmo si t’ia bëj. Ti e di që unë të dua si motrën time dhe do bëj çfarë të më thuash ti.

Elena qeshi.

–         Edhe unë kisha diçka për të të thënë. Para një muaji motrës sime i vdiq burri, siç ti e di, e

tani po më lutet që të shkoj të jetojmë bashkë. Unë mendoj të shkoj. Aty, në sirtar, kam lënë testamentin, ço gjë ia kam lënë Henrit, të shtunën në mëngjes unë do të largohem.

Gjatë gjithë javën Edi, çdo darkë i nxirrte e darkonin jashtë por shpesh darkonin edhe në shtëpi. Një mbrëmje e kaluan në shtëpinë e Edit. U kënaqën shumë, ballkoni me pamjen nga deti, ushqimi i mirë, fjetën shumë mirë. Në mëngjes pinë kafe dhe Edi i çoi në shtëpi. Të nesërmen shkuan në aeroport të përcillnin Elenën. Para se të ndaheshin Elena e hoqi mënjanë Anën dhe i tha:

–         Ke burrë të mrekullueshëm! Të uroj gjithë të mirat e kësaj bote!

U përqafuan të dyja dhe filluan të qanin.

Edi e mori shpejt Anën që të mos qante Henri.

–         Lamtumirë, zonjë e nderuar.

Aeroplani u nis.

Atë natë të tre fjetën në shtëpinë e Edit, ndofta që t’i urojnë çiftit jetë të lumtur përgjithnjë, pas gjithë këtyre peripecive.

Çikago, Nëntor 2018

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Memisha gjonzeneli, Ringjallja

PENDIMI

July 31, 2018 by dgreca

2memisha-gjzeneli

Tregim nga Memisha Gjonzeneli/

Binte shi i rrëmbyer. Akrepat e sahatit tregonin orën 12 të natës. Një hije, me diçka në dorë, po ecte ngadalë gati sikur mezi hidhte këmbët, aq sa dukej sikur po pengohej. Shiu dhe errësira ia bënin edhe më të vështirë ecjen. Rruga mezi dallohej. Shpesh shkreptinte që shoqërohej edhe me rrufe, vetëm atëherë rruga dukej mirë, më pas shi dhe errësirë. Hija ecte ngadalë por e sigurt. Në kokë kishte hedhur një rrobë të leshtë që të mos i lagej çfarë mbante në dorë.

“Zot – tha hija me vete – për sonte i paske ruajtur të gjitha” dhe vazhdoi të ecte. Fuqitë po e linin kur, aty afër u duk një banesë me drita. Mblodhi forcat dhe shpejt u gjend tek shtëpia.

Ishte shtëpi pak e madhe me dy kate. Hija u mbështet tek dera. Gati po i binte të fikët. E uli atë që mbante në dorë. Ngriti rrobën që e mbulonte. Një rrufe shkrepi aty afër dhe gjithë vendi u ndriçua.

Tek dera u duk një grua, shumë e re në moshë. Ajo për momentin u tremb nga zhurma dhe drita e fortë. Sytë të mbushur me kot. Nuk ndahej dot nga gjëja që kishte në dorë. Në fund e uli me kujdes tek dera. E mbuloi mirë të mos e lagte shiu.

– Më fal bir, nuk mund të jemi bashkë!

U kthye dhe u nis të ikte. Kur bëri nja dhjetë hapa u kthye vrap si e çmendur. E mori në qafë e puthi dhe e uli menjëherë poshtë, iu duk se po ta mbante edhe pak nuk do ta lëshonte më kurrë.

Iku në fillim me hapa të ngadaltë pastaj me vrap, nuk pyeste më për shtrëngatën e shiut që vazhdonte. Në fund mbërriti në dhomën e saj. U hodh në një divan ashtu siç qe, e lagur. E pafuqishme, e shkatërruar nga gjendja shpirtërore. U ngrit rrëmbimthi. “Çfarë bëra” tha me vete. U nis me shpejtësi nëpër errësirë të natës dhe shiut nuk pyeste më për asgjë donte të merrte djalin.

“Jo, nuk mund ta lë” tha me vete. Kur mbërriti atje ku e kishte lënë djalin, ai nuk ishte aty. Tek shtëpia ishin ndezur të gjitha dritat. U kthye prapë për në dhomë. Rruga iu duk shumë e gjatë sikur nuk do të mbaronte kurrë. E uritur, pak kohë që kishte lindur, po i merreshin mendtë. Shiu binte me shtamba. Donte të ulej diku por iu kujtua se dhoma ishte aty afër, dhe nuk ndaloi.

Hoqi rrobat e lagura dhe ashtu lakuriq u shtri në divan. Në çast e zuri një gjumë i rëndë. U zgjua të nesërmen në drekë. E pa veten lakuriq dhe i erdhi turp nga vetja. U ngrit shkoi bëri dush dhe u kthye përsëri në divan. Donte të përqendrohej por e kishte të vështirë, u vesh dhe përsëri u mbështet në divan.

“Ç’bëra?” i tha vetes. “Ç’faj më kishte ajo krijesë që e lashë tek dera dhe ika?!”

 Tek shtëpia e fëmijës, një infermiere e re që po kryente shërbimin iu duk se dëgjoi të qarat e një fëmije. Jashtë stuhia vazhdonte me tërbim, një degë peme u thye diku aty afër.

Përsëri dëgjoheshin të qara fëmije por tani më qartë. Infermierja shkoi shpejt dhe zgjoi shefen. Të dyja shkuan tek dera, të qarat vazhdonin. Ato hapën derën shpejt, kur panë një fëmijë në anë të derës të mbuluar me kujdes. E rrëmbyen me shpejtësi dhe mbyllën derën. Shkuan tek dhoma ku rrinin fëmijët. I hodhën dru zjarrit dhe dhoma u ngroh shpejt. Fëmija pushoi së qari. Ato hapën rrobat me të cilat ishte mbuluar fëmija. Asnjë lloj informacioni, në gjoks ishte vetëm një copë letër ku shkruhej datëlindja 13 maj 1958 dhe “Ju lutem më falni ju dhe Zoti.”

Ato e lanë e veshën dhe e vendosën në një krevat për fëmijë. E kapi menjëherë gjumi.

Kaluan afro dy vjet, djali ishte rritur, ecte në këmbë. Ishte fëmijë i qeshur, me flokë të zinj dhe sy blu. Ishte një fëmijë i bukur. Në shtëpinë e fëmijës jetonin afro tetëmbëdhjetë fëmijë të moshave të ndryshme. Shpesh vinin familje për t’i adoptuar. Dhe numri i fëmijëve lëvizte. Fëmijës i kishin vënë emrin Robert. Me këtë emër u regjistrua në dosje, shkruanin historinë si e gjetën orën dhe datën bashkë me letrën që gjetën në gjoksin e fëmijës…

Elena me Nikon kishin më shumë se pesëmbëdhjetë vjet martuar, por fati nuk i kishte bërë me fëmijë. Vendosën të adoptonin ndonjë fëmijë. Shkuan në bashkinë e qytetit, atje ishte një zyrë që merrej me këtë punë. Aplikuan dhe garantuan që i kishin të gjitha kushtet për të mbajtur një fëmijë dhe t’ia plotësonin kërkesat për një jetë normale. Shefja e zyrës iu premtoi se shpejt do t’iu kthente përgjigje.

Familja e Nikos jetonte në qytet, të dy ishin mësues shumë të nderuar. Nikua jepte mësim në gjimnaz, kurse Elena në fillore… Kishte kaluar pak kohë kur iu erdhi përgjigjja, të shkonin në Brindizi dhe të shikonin.

Ishte ditë e hënë. U ngritën që në mëngjes dhe shkuan tek stacioni i autobusit, u nisën për në Brindizi. Rruga ishte e gjatë, rreth tre orë.

U lodhën, por prapë ishin të gëzuar sepse jeta e tyre këtej e tutje do të ndryshonte.
Autobus mbërriti në drekë në qytet. Morën një taksi, i dhanë adresën dhe shumë shpejt u gjendën para një shtëpie dy katëshe. Në të ishte një tabelë me mbishkrimin “Shtëpia e Fëmijës”. Nikua me Elenën i ranë derës, ajo u hap menjëherë, siç dukej ata i prisnin.

Përpara iu doli një grua rreth të pesëdhjetave e cila duke buzëqeshur i ftoi:

–         Ejani urdhëroni, po ju prisnim.

Të tre shkuan në një zyrë e cila ishte e pastruar dhe e rregulluar për bukuri. Çiftit i bëri shumë përshtypje rregulli dhe pastërtia e gjithë ambientit. U ulën. Gruaja ishte drejtoresha, ajo menjëherë hyri në temë. Nikua i dha letrën, ajo e lexoi, qeshi pak pastaj tha:

-Kemi një djalë shumë të mirë. – I ra një butoni dhe menjëherë hyri një grua e veshur me të bardha, e cila u përshëndet me mysafirët dhe drejtoresha iu drejtua – Shko sill Robertin këtu.

Ajo iki dhe u kthye me një fëmijë të vogël rreth 24 muajsh.

Ata sa e panë u pëlqeu. Hapën duart të vinte tek ta, ai qeshi dhe iu zgjati duart që ta merrnin.

Kur kishin mbaruar me të gjitha dokumentet Nikua pyeti drejtoreshën:

–         Se mos vijnë dhe na e kërkojnë djalin, pastaj do kemi problem.

Drejtoresha e garantoi dhe i tha se askush nuk e kërkon, se zyrat e kanë të ndaluar të japin informacion kujtdo qoftë.

Pasi firmosën letrat, morën dhe valixhen me rroba për Robertin sa të blinin të reja dhe ikën. Ku dolën u përqafuan, hipën në taksi dhe u nisën duke lënë pas dy gratë që qanin. Në mbrëmje taksia i ndali para shtëpisë. Vogëlushi gjithë rrugës nuk i shqetësoi, vetëm afër shtëpisë qau pak, i dhanë qumësht dhe ai fjeti përsëri.

Me djalin në krahë, ata hynë në shtëpi. Të dy ishin shumë të gëzuar, filluan ta përkëdhelnin me radhë dhe pastaj e vendosën në krevatin e tij. E kishin bërë gati dhomën e fëmijës, kishin blerë çdo gjë që i duhej një fëmije të vogël.

Derën e dhomës e lanë hapur, sado që një mur i hollë i ndante. Kishin merak dhe shpesh ngriheshin natën të shikonin si flinte Roberti i vogël. Të nesërmen shkuan në komunë dhe në bazë të dokumentit që kishte lëshuar shtëpia e fëmijës bën regjistrimin, e kështu Roberti u bë djali i Nikos dhe Elenës.

Elena mori dy javë leje që të mësohej me Robertin. Që javën e parë djali nuk ua ndante sytë të ëmës, kudo që shkonin. Nikua i shikonte dhe qeshte i gëzuar. Të tre ishin të lumtur. Nikua falënderoi sërish Zotin për këtë dhuratë kaq të bukur që iu dha. Shpesh i shikoje të tre tek parku në fillim me karrocë e pastaj djali ecte vetë derisa lodhej dhe zgjaste duart që ta merrnin në krahë.

Kur Roberti mbushi pesë vjeç, Nikua bëri një darkë të madhe. Hera e parë që ajo shtëpi pa aq shumë njerëz. Roberti u kënaq shumë sa mezi e zuri gjumi madje dy- tre ditë nuk fjeti mirë. Pas disa ditëve ai i tha së ëmës se i donte përsëri ata njerëzit.

–         Kur të duash e bëjmë prapë bir. – i thoshte ajo – madje edhe më të bukur.

Kur do të shkonte në klasën e parë, Robertit i kishin blerë një kostum shumë të bukur, madje vuri dhe një kollare të vogël, dukej shumë i bukur. Nikon dhe Elenën nuk i zinte vendi nga lumturia.

Shkolla bëri dhe një ceremoni për mirëseardhjen në shkollë. Fëmijët hynë në klasa. Prindërit u larguan për t’u kthyer në drekë që t’i merrnin. Nikua dhe Elena e pritën Robertin dhe sa e panë i dolën shpejt përpara dhe e përqafuan. Shkuan në shtëpi, pasi hëngrën u ulën para televizorit. Roberti u ngrit dhe shkoi në dhomën e tij të bënte detyrat.

–         Shko, bir – i tha Elena – po pate ndonjë problem, ne këtu na ke.

Koha kalonte shpejt. Roberti ishte djalë i rregullt, i dashur, i pëlqente të dilte me shokët ose të luante futboll. Ai mbaroi shkollën fillore me nota të mira, me mesatare 8.5 por, mund të dilte më mirë se të dy prindërit i kishte mësues.

Të tre morën pushimet dhe shkuan tek një kushëri që rrinte në bregdet. Edhe kushëriri kishte një djalë të cilin e quanin Albert. Ishte familje shumë e dashur. Kaluan 15 ditë shumë të gëzuara të cilat mbaruan shumë shpejt. Roberti dhe Alberti u lidhën shumë me njëri –tjetrin dhe i premtuan se do të komunikonin shpesh bashkë.

Koha kaloi dhe sërish ceremoni për fillimin e shkollës së mesme. Roberti kishte trup të bukur, kishte dhe një të qeshur të bukur që kur qeshte i çelej fytyra, sidomos sytë që i shkëlqenin.

Në ditën e parë të shkollës u prezantuan me mësuesen kujdestare, ajo i vendosi nëpër banka, Robertin e uli me një vajzë dhe nxënësit e tjerë po ashtu; një djalë dhe një vajzë. Dita e parë kaloi shpejt. Në shtëpi Robertin e priste e ëma gjithë gëzim, sa e pa i doli përpara.

-Të vaftë mbarë të keqen nëna. – e përqafoi dhe e puthi në ballë. – Jam e bindur – i tha ajo– se edhe këtë vit do na nderosh.

Ajo e pyeti për gjithçka, ajo vetë kushedi sa herë e kishte përjetuar ditën e parë të shkollës por si mësuese, ndërsa sot si nënë, që ka dërguar djalin në shkollë dhe kjo ishte një kënaqësi e veçantë.

Pas pak erdhi dhe Nikua e të tre u ulën të hanin. Elena e kishte mbushur tavolinën plotë me pije dhe ushqime për ta festuar këtë ditë.

Nikua ngriti gotën e verës dhe e tokën të tre duke thënë gëzuar në të njëjtën kohë.

Pas dreke i ati e pyeti për hollësira se si e kishte kaluar. Roberti nuk harroi t’iu tregonte se e kishin ulur me një vajzë. E ëma e pyeti menjëherë se si e kishte emrin e ai i tregoi se quhej Venera.

-Sa emër i bukur. – tha e ëma.

Roberti e kishte shumë për zemër shkollën. Sa mbaronte detyrat, dilte nga parku ku takohej me shokët por shpesh edhe me shoqe. Viti i parë kaloi shumë shpejt, e për pushime shkuan në bregdet. Plazhet ishin shumë ngarkuar e megjithatë ata ndenjën njëzet ditë.

Roberti ishte nxirë nga dielli sa dukej si ezmer, por prapë ishte simpatik. Ai filloi të përgatitet për shkollën, paradite shpesh dilte dhe luante basketboll me shokët, por luante edhe në darkë.

Filloi viti i ri shkollor, shpesh e ëma e shoqëronte deri në shkollë, po ashtu edhe në pasdreke kur dilte. S’kishte kënaqësi më të madhe për Elenën se sa kur shoqëronte të birin dhe duke bërë humor sa mbërrinin në shtëpi. Në vitin e dytë mësuesi e uli me një vajzë shumë simpatike, shokët bënin humor duke i thënë se ishte me shumë fat. Atij i vinte turp dhe ulte kokën. Edhe shoqen e vitit të parë kur e shikonte e përshëndeste. Vajza sa u ul në bankë u prezantua:

–         Mua më quajnë Olimbi, jetoj në anën tjetër të qytetit.

–         Mua më quajnë Robert – i tha Roberti dhe i zgjati dorën. – Jetoj me prindërit këtu afër.

Me kalimin e kohës ata u miqësuan me njëri-tjetrin dhe e ndihmonin njëri-tjetrin. Ajo u njoh dhe me nënën e Robertit dhe u pëlqeu shumë por më vonë edhe nëna e Robertit e pëlqeu atë. Kur mbaroi dhe viti i dytë, shkolla organizoi një mbrëmje ku nxënësit mund të shoqëroheshin edhe me prindërit. Nikua, Elena dhe Roberti u veshën shumë bukur. Për Nikon dhe Elenën ishte kulmi i kënaqësisë. Ata nuk para bënin vizita nëpër të njohur kështu që e pritën me kënaqësi këtë mbrëmje.

Mbërritën në shkollë. Kishte shumë njerëz por vendet ishin me bileta me numër dhe kështu që ata u ulën tek vendi i tyre. Të gjithë njerëzit që ishin në sallë dukeshin të gëzuar. Pas pak skena u hap dhe në mes të saj ishte një tavolinë me disa karrige. Disa drejtues ishin ulur në ato karrige, ata ishin të gjithë mësues. Gjithë salla u ngrit në këmbë me duartrokitje.

Drejtori përshëndeti dhe nxënësit  dhe në veçanti mësuesit dhe profesorët për punën e mirë që kishin bërë. Nxënësit i uroi për punën dhe rrugën e gjatë që do bënin. Pastaj drejtori tha:

-Kemi prurë për këtë rast një orkestër shumë të mirë, kështu që kush dëshiron të

vallëzoj të shkoj tek salla tjetër.

Në këtë çast u hapën disa perde dhe në pah doli një sallë e madhe vallëzimi. Sa filloi muzika Olimbia se nga doli para tyre dhe e ftoi Robertin që të kërcenin. Ai kërkoi leje nga prindërit dhe kur ata i dhanë leje ata u kapën dorë për dore dhe u futën në turmë për vallëzim. Aty ata ndjenë një kënaqësi të veçantë, aty qenë të gjithë shokët dhe shoqet e tyre që kishin pasur. Kur shkuan në pushim, Olimbia i tha Robertit:

–         Eja të të njoh me familjen time se po na shohin.

Roberti pranoi. Vajza e prezantoi me të atin pastaj me të ëmën dhe në fund me vëllain e vogël. Ishin një familje simpatike. Babai ishte oficer në ushtri, e ëma kimiste dhe vëllai në shkollë fillore.

Kur u kthyen në vend edhe Roberti e njohu me familjen e tij. Në fillim me babin pastaj me nënën të cilën e njihte më parë. Filloi muzika. Nikua mori të shoqen dhe u ngrit të vallëzoi po ashtu edhe Roberti me Olimbinë. Mbrëmja ishte e shkëlqyer, jo vetëm se kishte muzikë por kishte numra lotarie që nga të tre fitoi vetëm Elena, kurse tek Olimbia fitoi ajo dhe i ati. Ajo fitoi një pikturë kurse i ati një kuti shahu. Kurse Elena një çokollatë e shoqëruar me disa qëndisma për perde.

Vonë ikën në shtëpi të kënaqur por dhe të lodhur.

Koha ikte shpejt, marrëdhëniet ndërmjet dy familjeve ishin shumë korrekte. Më së fundi erdhi dhe koha e maturës duhej të punojë më shumë që të mbyllej viti me nota sa më të mira. Olimbia dhe Roberti studionin për ditë bashkë. Erdhi dhe dita e provimeve, Roberti i mbylli provimet me notën 8.5, Olimbia me notën 9. Të dy ishin afruar shumë me njëri-tjetrin dhe takoheshin pothuaj ditë për ditë.

Një ditë u mblodhën shokët që luanin basketboll dhe vendosën që të shkojnë në një qytet bregdetar që kishte afër por që ishte dhe shumë i bukur. Pasi folën me njerëzit e shtëpisë vendosën të shkonin. U bënë dhjetë djem dhe katër vajza. Ishte hera e parë që Roberti largohej nga shtëpia. Atje do të qëndronin rreth tetë ditë, folën në telefon me kompaninë dhe çdo gjë u bë gati. Kompania siguronte edhe hotel që kishte edhe restorant brenda. Rruga do bëhej me autobus dhe zgjaste rreth tre orë e ca. Ishte ditë e shtunë kur u nisën shumë prindër kishin ardhur për t’i përcjellë. Nikua me Elenën kishin shumë merak. Autobusi u nis, të gjithë të rinjtë përshëndetën me dorë nga dritaret dhe filluan të këndojnë. Mbërritën në qytet. Ishin shumë të lodhur. Kur qëndroi autobusi ishte qendra e qytetit, para ishte një pallat i madh pesë katësh me arkitekturë të vjetër po shumë i bukur. Para pallatit ishte një shesh i madh, i shtruar me pllaka në mes ishte një si rrethore, i mbushur me pëllumba që ushqeheshin me ushqimet që hidhnin njerëzit. Në ballë të pallatit ishte shkruar “BASHKIA”, pak më majtas “GJYKATA”. Grupi shkoi drejt dhe në hotel që ishte aty afër dhe u shpërndan nëpër dhoma. Disa u futën të bënin dush, të tjerët u shtrinë nëpër krevate të çlodheshin. Në darkë u mblodhën, bënë një shëtitje dhe shkuan të hanin  darkë dhe prapë shkuan nëpër dhoma. Gjumi i zuri shumë shpejt.

Në mëngjes u ngritën, u lanë, u veshën me rroba të holla se do venin nga plazhi. Plazhi ishte larg afro dhjetë minuta me këmbë. Ai ishte shumë i madh dhe shumë i bukur. Kur mbërritën në anë të detit u zhveshën shpejt dhe u futën në ujë. Ishte pak ftohtë por shpejt u mësuan. Ndenjën për rreth dy –tre orë pastaj të lodhur u shtrinë në rërë. Kishin dhe një top të vogël dhe filluan të luajnë por shpejt u lodhën, u futën në ujë për t’u shpëlarë, pastaj u bashkuan dhe duke qeshur e me humor u nisën për në hotel. Të gjithë shkuan dhe bënë dush pastaj së bashku shkuan në restorant të hanin.

Pasi hëngrën shkuan nëpër dhoma të shtriheshin. Në mëngjes u ngritën shpejt sa mbaruan mëngjesin dhe të gjithë u nisën për në plazh. Gjetën një vend të mirë, pak i mënjanuar dhe ata kështu e donin. U zhveshën dhe me vrap u futën në ujë. Në fillim lagnin njëri-tjetrin pastaj u futën në thellësi. Gjithë ditën kaluan në plazh dhe drekën po aty e hëngrën gjetën një dyqan që bënte ushqim të shpejt. Në darkë duke bërë shaka dhe humor shkuan në hotel. U shpërndanë nëpër dhoma por, kur po ndaheshin punonjësi i hotelit iu tha se po të donin në mbrëmje kishte muzikë në holl. Të gjithë u gëzuan. Ndenjën rreth një orë nëpër dhoma sa bënë dush, u shtrinë pak e pastaj shkuan si grup bashkë në hollë për muzikë. Nuk kishte shumë njerëz, ndofta ishte shpejt se më vonë u mbush plot. Roberti fliste me prindërit pothuaj çdo ditë në mëngjes dhe në darkë.

E kishte marrë malli shumë, ai nuk ishte mësuar larg shtëpisë.

Kaluan pesë ditë pa u kuptuar fare. Një ditë në mëngjes dolën nga hoteli. Sapo dolën një grup djemsh pothuajse moshatar me grupin u hodhën një top tek këmbët. Një nga djemtë e goditi keq në drejtim të kundërt, ata atë donin dhe u turrën e u kacafytën me grupin. Vajzat u tërhoqën mënjanë ndërsa Roberti me shokët po mbroheshin.

Nga zhurma u hapën dritaret e zyrave dhe po shikonin se çfarë po ndodhte. Mbërriti policia e bashkisë dhe u dëgjua një zë i qartë dhe i prerë.

-Merrini dhe çojini në komisariat, paskan ardhur mysafirë të na prishin qetësinë.

Roberti pak i gjakosur e dëgjoi qartë atë zë dhe si me komandë u kthye nga ajo që foli. Para tij qëndronte një çift shumë serioz, të veshur me rroba të zeza, gruaja po këshillonte policët për t’i marrë. Ajo ishte mbi të dyzetat, tepër simpatike.

Roberti nuk po ia hiqte sytë dhe i tha:

-Nuk po bën mirë.

-Këtë të parin! – tha ajo.

Robertin dhe tre shokë i shoqëruan në polici.

-Si urdhëron, zonja gjykatëse.

Atëherë Roberti e mori vesh se gruaja ishte gjyqtare e qytetit.

Policia nuk ishte larg. Ecën dhjetë minuta dhe dolën para një shtëpie dy katëshe, disa polic ishin aty para.

–         Prisni këtu. – tha një nga policët kur mbërritën.

Ai hyri brenda, pas pak doli një burrë civil mbi të pesëdhjetave, trup të lidhur dhe të rregullt, dukej më shumë si sportist. I qeshur u drejtua nga të rinjtë po në çast polici i tha:

–         Këta i sollëm me urdhër të gjykatëses.

–         Po, po e mora vesh – tha ai. – Nga jeni djema?

–         Nga Ostuni, – i tha Roberti – kemi ardhur si grup me pushime këtu, por të lutem unë jam fajtori, këta u futën në sherr të më mbronin mua. Pyete edhe zotin polic. Të lutem liroji ata.

–         Si e ke emrin morë djalë? – pyeti ai.

–         Robert. – u përgjigj.

–         Mirë, do bëjmë kështu. Ju të tre ikni. Roberti duke qenë se e pranon fajin do të rrijë këtu.

Kur vini me pushime mos bëni sherr.

Ata nuk donin të iknin, por Roberti prerazi, si urdhër iu tha të shkonin. U larguan pa qejf.

–         Tani ata ikën, kurse ti do të dënohesh.

–         Dakord. – tha Roberti.

–         Si fillim do të shkojmë të pimë nga një kafe të qetësohemi.

Të dy u ulën në një kafe që ishte aty afër. Kamerieri e dinte çfarë pinte sherifi por pyeti djalin dhe ai i tha për një limonadë.

–         Nuk ke filluar akoma të pish kafe? – i tha ai.

–         Jo, akoma. – i tha djali me të qeshur.

Kishin dhjetë minuta që ishin ulur në kafe kur, tek dera u duk gjyqtarja me të shoqin. Sa hynë brenda kërkuan më sy ku mund të ishte sherifi me djalin dhe u habitën kur panë që ata të dy po flisnin shumë miqësisht me njëri – tjetrin. Ata u ulën pak larg tyre. Porositën diçka për të pirë, kur Roberti pa dashur, kthen kokën dhe sytë e tyre u kryqëzuan. Ajo i hoqi dhe pa nga sherifi Ndenji pak dhe ia bëri sherifit me shenjë që të dilte pak jashtë. Të dy u ngritën dhe në të njëjtën kohë dolën jashtë. Ndenjën jo më shumë se pesë minuta dhe hynë sërish brenda.

Sherifi me Robertin mbaruan pijen dhe dolën jashtë. Sherifi i foli një polici të sillte makinën. Ai ia solli menjëherë. Roberti nuk po kuptonte asgjë dhe pyeste veten se çfarë po bante ky burrë babaxhan, ku do ta çonte. Por sherifi nuk i dha kohë të mendohej më shumë.

–         Robert – i tha ai – sot do të jesh mik tek unë.

Hipën në makinë. Roberti donte të ulej mbrapa por ai i tha:

–         Çfarë bën kështu? Të thashë që do të jesh miku im, ulu përpara.

Makina u nis. Roberti iu lut sherifit që të kalonin nga hoteli dhe të lajmëronte shokët që gjithçka ishte në rregull.

–         Si të duash. – i tha ai.

Shkuan në hotel. I gjithë grupi po priste jashtë, kishin rreth dy a tre orë që po prisnin, kur para tyre qëndroi një makinë policie. Prej saj dolën Roberti dhe sherifi. Të gjitha u hodhën ta përqafonin Robertin por ai i ndaloi.

-Ejani të gjithë këtu. – dhe kur të gjithë u afruan ai vazhdoi – Më parë njihuni me mikun tim të ri, sherifin e rajonit.

Të gjithë i dhanë dorën me respekt, kurse ai po qeshte me gëzim. Kjo ishte diçka e papritur për të dhe i pëlqyen këta djem e vajza. Pasi mbaroi me përshëndetjet i dha kohë Robertit të takohej me grupin dhe pastaj iu tha:

-Nuk më vjen mirë që ju prishëm pushimet, por ja që ka dhe keqkuptime. Ju nuk kishit faj,

ata iu kishin provokuar, megjithatë unë ju uroj pushime të gëzuara. Unë do shëtis me Robertin dhe do t’ua sjell para darke. Po të keni ndonjë shqetësim mund të na flisni. Eja Robert.

E mori dhe i ranë qytetit kryq e tërthorë pastaj e çoi nga e detit dhe në fund qëndruan tek një grykë që dukej si gadishull i vogël dhe deti ishte shumë i bukur e i qetë.

Ishte një bukuri e cila e la Robertin të mahnitur. Aty ishte një restorant shumë i mirë, ku shkonin njerëzit e pasur.

–         Ku po më çon? – e pyeti Roberti.

–         Sot mos fol fare, je miku im. – iu përgjigj dhe e u futën në restorant.

Vendi mahnitës, bukuri e rrallë, dielli në perëndim i jepte një pamje të paparë. Për Robertin porositën peshk të furrës dhe e shoqëruan me verë të kuqe. Sherifi e shikonte Robertin njësoj sikur e kishte djalë dhe i tha:

-Më fol pak për veten.

-Ç’të them. – i tha Roberti – Nuk kam shumë miq dhe është e hera e parë që largohem nga shtëpia dhe prindërit, të cilët i kam lënë me merak. Por meqenëse më pyete gjithë mirësi po të tregoj një sekret. Këta prindër nuk kanë pasur fëmijë dhe më kanë birësuar kur isha pak më i madh se një vjeç. Ata më treguan tani që mbarova gjimnazin dhe isha i rritur. Që nga ajo ditë, shpesh më del gjumi natën dhe pyes veten se pse nëna më la. Jam i bindur se ka pasur një arsye shumë të fortë që më ka lënë se nuk ka nënë në botë që të braktis fëmijën sa e ka lindur. Dhe më e keqja është se që të mos i mërzisja prindërit nuk mund të pyesja për ndonjë hollësi. Mirëpo fati më lidhi me ju dhe unë dua t’ju lutem që të më ndihmoni të gjej nënën time.

Sherifi ndenji pak, e pa në sy dhe i tha:

-Robert, nga një takim i rastësishëm, shiko ku mbërritëm. Megjithatë unë nuk kam asnjë të dhënë nga të nisem.

-Po, – i tha Roberti – ti e ke më kollaj të pyesësh prindërit e mi. Jam i bindur se ata mund të të japin hollësira.

Sherifi nxori bllokun dhe shënoi diçka.

-Më jep numrin e telefonit të shtëpisë.

Ndenjën dhe pak e u ngritën. Sherifi e çoi Robertin në hotel. Kur po ndaheshin Roberti iu hodh në qafë sikur e kishte prind e i tha:

-Ishte dita më e bukur e jetës sime kjo që kalova me ty, vështirë se mund ta harroj.

Kur po ndaheshin ai e pyeti:

–         Më fal, të lutem, çfarë tha gjyqtarja sot?

-Ajo kishte ardhur të më thoshte se ju ishit të pafajshëm. Kishte pyetur dhe i kishin thënë se nuk kishit faj, prandaj t’ju lija të lirë.

Ditën kur do të iknin sherifi erdhi për t’i përcjellë, ai i tha Robertit të mos shqetësohej se do të flinin. Autobusi u nis. Të rinjtë filluan këngën, tek stacioni po i prisnin familjarët. Zbritën nga autobusi, u përqafuan me njerëzit e tyre. Të gjithë ishin nxirë nga dielli dhe dobësuar pak ngaqë kishin lëvizur. Nikon me të shoqen s’po i mbante vendi derisa Roberti erdhi dhe iu hodh në qafë. Pastaj hipën në makinë dhe ikën në shtëpi. Elena e kishte rregulluar bukur shtëpinë dhe tavolinën e kishte mbushur me ushqime dhe me pije. Roberti shkoi bëri dush dhe pastaj shkoi në tavolinë. Në këtë çast bie dera. Nikua shkoi ta hap. Kishte ardhur Olimbia.

–         Eja, urdhëro brenda – i tha Nikua – Roberti sapo erdhi.

Të katërt u ulën në tavolinë shumë të gëzuar. Roberti me Olimbinë shpesh kryqëzonin shikimet, pra i kishte marrë malli për njëri – tjetrin.

Filloi viti i ri shkollor. Roberti shkoi me studime për arkitekturë kurse Olimbia për biznes. Ishin pak larg por megjithatë gjenin kohën të shëtisnin. Kur mbaroi vitin e parë, Roberti që nuk e kishte harruar mikpritjen e Sherifit e ftoi atë për vizitë në shtëpinë e tij, të rrinte sa kohë të donte. Për të do të ishte një nder i madh. Në fillim Sherifi nxori pak justifikime por më vonë u bind. Roberti lajmëroi prindërit dhe Olimbinë që do i vinte një mik i ngushtë. Sherifi iu kërkoi të mos shqetësoheshin se ai do vinte vetë dhe vërtetë ai me makinën e tij qëndroi përpara shtëpisë ku po e prisnin. Roberti e prezantoi me nënën në fillim, pastaj me babain e në fund me Olimbinë dhe u futën brenda. Një sallon i mbushur me lule dhe ushqime të ndryshme të gjitha ishin me porosi speciale. Sherifi ndenji tre ditë dhe u kënaq jashtë mase. Në veçanti i pëlqeu Olimbia e cila ishte simpatike dhe shumë e zgjuar. Kur Roberti dhe Olimbia shkuan të blejnë gjëra, sherifi gjeti kohën t’i pyes për Robertin për ato hollësira që dinë ata. Të nesërmen ai u largua shumë i kënaqur nga pritja dhe premtoi se do shiheshin së shpejti.

Vitet ikën shpejt, Roberti e kishte shumë për zemër arkitekturën dhe mësonte shumë, e përfundoi me notë 9.5 po ashtu edhe Olimbia me 9.5. Roberti ftoi sherifin në ceremoni, ai pranoi me gjithë qejf.

Ceremonia ishte organizuar më së miri, me koncert, dhurata dhe vallëzim.

Në shtëpi u kthyen të lodhur. Sherifi donte të ikte por ata nuk e lanë. Të nesërmen në mëngjes ai u nis për në qytetin e tij. Robertin e kërkoi një firmë e madhe ndërtimi dhe brenda pesëmbëdhjete ditëve filloi punë. Edhe Olimbia filloi punë në bashki. Kaluan dy muaj, ata takoheshin pak si rrallë, vetëm të shtunën ose të dielën dhe dilnin nga parku. Një ditë kur po shëtisnin dhe ishin në humor, Roberti i propozoi për martesë me bindje se ajo nuk do ta refuzonte duke qenë se kishin kaq kohë shoqëri dhe dashuri.

-Filluam shkollën e mbaruam, filluam punë e tani nuk kemi çfarë të presim më. – i tha.

Ajo u zverdh në fytyrë, po e shikonte e pastaj i tha:

-Më vjen keq, duhet të më jepje kohë të mendohesha që dhe unë të vendosja.

Roberti kishte blerë dhe unazë për këtë rast. Përgjigja ishte e prerë. Roberti e mblodhi shpejt veten dhe i tha me të qeshur:

–         S’ka gjë, ne jemi prapë shokë.

      -Po – iu përgjigj ajo.

–         Të mos lëvizim nga shoqëria, po e hedh poshtë dhe këtë unazën. – dhe e hodhi larg me sa fuqi që kishte.

–         Çfarë bëre? – i tha ajo.

–         Po të më duhet e blej prapë, edhe rrogën e kam të mirë. – iu përgjigj.

Shëtitën dhe pak e pastaj u ndanë miqësisht. Ajo natë ishte fillimi i mbarimit.

Robertit iu kujtua një poezi autori i së cilës nuk i kujtohej:

Te lisi i moçëm i linim letrat ne

Ishte shumë i plakur lisi por ishte dashuri e re

Një natë ti letër nuk le

Ishte nata e fundit e lisin e bëri shkrumb e hi një rrufe

Pa e kuptuar këmbët e kishin çuar tek dera e shtëpisë.

Kaluan gjashtë muaj në shtëpinë e Olimbisë shkon një zarf i bukur. Kur hapën gjetën një ftesë për martesën e Robertit me Ornelën. Të katërt po të kishte plasur ndonjë bombë do t’i kishte shqetësuar më pak se kjo ftesë.

–         Mos u habisni – u tha ajo – ai nuk ka faj, ai më propozoi, unë e refuzova.

Edhe prindërit e Robertit kundërshtuan por ai me qetësi i sqaroi.

-Unë prita kaq kohë, e ajo nuk më ktheu përgjigje. Unë mendoja se do më kthente një përgjigje, ajo e dinte sa e doja, por nuk kam se çfarë të bëj.

Roberti i dërgoi ftesë të veçantë sherifit.

Tani Olimbia i shmangej takimit me Robertin, megjithatë një ditë u takuan. Roberti ishte dobësuar por me humor. Ajo nuk e shikonte dot në sy.

–         Si kështu? – i tha ajo.

-Po – u përgjigj Roberti – një ditë më pyetën prindërit për ty dhe unë iu thashë siç më the ti. Ata ma gjetën edhe këtë. Kështu që javën tjetër martohem.

–         Mirë – i tha ajo.- Besoj se nuk do takohemi më se ti do jesh burrë i martuar.

Pas një jave Roberti u martua, dasmën e bënë në një lokal të madh dhe shumë të bukur, muzika dhe hareja vazhdoi deri në mëngjes. Olimbia me familjen nuk shkuan në dasmë. Të gjithë u habitën për mosvajtjen e tyre por ishte puna e tyre.

Pas një muaji edhe Ornela filloi punë tek kompania e Robertit, ajo kishte mbaruar ekonomikun.

Shpesh Roberti kryqëzohej me Olimbinë, ajo tani mbante rroba të errëta që më parë nuk i kishte qejf. Roberti i fliste gjithmonë njësoj, i qeshur kurse asaj i kishte ikur fare humori dhe buzëqeshja.

Një ditë asaj iu kujtua kur Roberti hodhi unazën që në atë moment diçka e kishte coptuar në zemër, nuk e besonte që gjithë ato vite të mbylleshin ashtu.

Pas një viti Roberti u bë me djalë, çfarë lumturie për prindërit, por dhe për Robertin, ai nuk përmbahej, sa dilte nga puna shpejt shkonte në shtëpi. Edhe familja e Ornelës nuk mbaheshin nga gëzimi. Tani ata vinin më shpesh edhe për fëmijën edhe për vajzën. Djalit ia vunë emrin Henri.

Sherifi nuk e kishte harruar porosinë e Robertit. Kështu sipas adresën që kishte shkoi tek shtëpia e fëmijës ku e kishin marrë Robertin, në fillim ata bënë ca naze por kur sherifi nxori medaljonin që ishte sherif ata nuk e penguan, por e ndihmuan. Sherifi kishte marrë leje nga gjykata. Ata nxorën regjistrin dhe dosjen e Robertit. Por për çudi ata gjetën në të vetëm një copë letër të vogël, ku shkruhej data e saktë kur kishte lindur dhe kërkonte të falur nga njerëzit dhe nga Zoti.

Sherifi iu tha se do ta merrte me vete letrën e do t’ua kthente prapë. Ai e mbajti sa kohë iu desh dhe e ktheu përsëri. U interesua çfarë objektesh gjendeshin afër shtëpisë së fëmijës dhe pa që jo shumë larg ishte shkolla e mesme dhe universiteti. Në fillim pyeti në universitet, pastaj i mori vitet radhë se mos gjente ndonjë lidhje, ndonjë emër. Në vitin që kërkoi rastësisht gjeti emrin e gjyqtares. Të nesërmen shkoi në shkollë dhe kërkoi hollësira për gjyqtaren, degën juridike në vitin e fundit, në datën që kërkoi sherifi ajo kishte munguar afro 25 ditë, që përputhej plotësisht me lindjen.

U kthye në zyrë dhe kërkoi letrat që kishte marrë nga gjykata. Ai mori një letër dhe e krahasoi me shkrimin që kishte lënë në letrën për Robertin. U çudit, ishte i njëjti shkrim. E nisi menjëherë në laborator, përgjigja i erdhi shpejt. Ishte i njëjti shkrim pra pa dyshim u gjet nëna e Robertit. Një ditë sherifi shkoi në gjykatë, do pyeste për diçka. Rastësisht pa gjyqtaren që po pinte kafe vetëm. Ajo sa e pa ia bëri me dorë. Ai me qejf iu bashkua. Duke biseduar ai e pyeti se ku e kishte mbaruar universitetin. Ajo ia tregoi por humbi në të kaluarën. Iu kujtua koha kur arrestuan të dashurin dhe tha me vete se ku mund të jetë. Më vonë kur lindi djali, “o Zot” mendoi “si i ka vajtur halli tim biri, do jepja gjithçka ta gjeja”. Sherifi e pa që ajo ishte futur në kujtime dhe nuk i foli pas pak ajo u kujtua dhe i tha:

–         Më fal, isha futur në kujtimet e kaluara. Të lutem edhe një herë, më fal.

Ndenjën dhe pak e u ndanë. “Po tani si do vejë halli, si do ia them” mendoi me vete sherifi.

Po afronin festat e fund vitit. Roberti edhe pse punonte shumë nga 14 orë në ditë, kishte frikë se nuk do ta mbyllte dot vitin. Ditën e fundit të vitit në datën 31 në orën dhjetë të natës, Roberti mbylli zyrën, i gëzuar se gjithçka qe në rregull dhe doli jashtë. Në këtë kohë një njeri me revole në dorë i doli përpara dhe i tha:

–         Boll u talle me motrën time! – dhe shtiu tri herë në drejtim të tij e u zhduk.

Roberti u mbush me gjak dhe ra në tokë. Sa u dëgjuan krismat erdhën njerëz. Ata e çuan shpejt në spital dhe lajmëruan edhe njerëzit e shtëpisë të cilën erdhën me një herë.

Robertin e futën në sallën e operacionit. Pas katër orë operacion, mjekët dolën shumë të mërzitur dhe kur i pyetën u thanë se nuk do mund të jetonte më shumë se gjashtë ose shtatë orë prandaj të afërmit mund të hynin ta takonin.

Nikua lajmëroi sherifin. Ai mori makinën dhe shkoi tek shtëpia e gjyqtares. I foli tek dera ajo erdhi menjëherë.

–         Çfarë ka ndodhur? – e pyeti ajo.

–         Vishu shpejt, – i tha ai – kemi rrugë të gjatë për të bërë. Të lutem shpejt.

Ajo iku dhe u kthye shpejt e gatshme. U fut në makinë.

Sherifi u nis me shpejtësi, ndezi sinjalet e urgjencës dhe u bë erë. Pasi u rregullua mirë në makinë, gjyqtarja i tha:

–         Tani më thuaj, çfarë është gjithë kjo urgjencë se jam bërë shumë merak?

Ai kishte marrë një foto ku kishte dal Roberti dhe ia dha.

-Ky është djali yt. Dikush e ka qëlluar me armë. Mjeku i ka dhënë afat 6 ose 7 orë. Eja të të shoh para se të mbyllë sytë. Ai mezi po të pret. – asaj i ra të fikët – Dhe kjo më duhej – tha sherifi.

Pasi u qetësua, ajo mori foton dhe po e shikonte me vëmendje, iu duk fytyrë e parë, po kishte plot tipare nga të sajat. Ajo e pyeti:

–         Ku e di ti që është djali im?

Ai nxori copën e letrës që kishte lënë ajo atë natë.

–         Më vonë ta tregoj të gjithë ngjarjen.

–         Jo, – i tha ajo – nuk më duhet. Çdo gjë duket qartë.

-Ajo që më shqetëson më shumë – i tha sherifi – është se ti nuk u interesove asnjëherë për të.

Ajo po e shikonte me vëmendje.

–         Po ti ku i di të gjitha këto dhe beson se unë jam e ëma?

–         Më thuaj a ka ndonjë gabim në ato që ta thashë? – e pyeti ai. – Ti je gjyqtare dhe kam bindjen se nuk do gënjesh.

–         Jo, – i tha ajo – gjithë sa the janë të sakta, por të lutem, çfarë të shtyu ta ndjekësh këtë punë?

–         Unë shumë pak kohë kam që u binda se ti je nëna e Robertit, kështu e quajnë djalin tënd.

Ai nuk e di që unë ia kam gjetur të ëmën dhe po prisja të kalonte dhe viti i ri e pastaj t’iu bashkoja. Por fati e bëri ndryshe.

Makina ecte shumë shpejt. Makinat e tjera i hapnin rrugën.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Memisha gjonzeneli, Pendimi, Tregim

PUTHJA E FUNDIT

August 14, 2016 by dgreca

Tregim nga Memisha Gjonzeneli/

Aparati dha sinjalin me ndezjen e dritës se kuqe. E sëmura kishte vështirësi në frymëmarrje. Menjëherë erdhi mjeku dhe kryeinfermierja.

-Të lutemi, largohu pak prej andej, -iu drejtuan Myzaferit.

Ai u ngrit si pa qejf dhe u largua disa hapa me tej, pa e hequr shikimin nga Sara. Ajo hapi sytë dhe me shqetësim pa nga Myzaferi, i cili i buzëqeshi lehtë dhe ia bëri me dorë që ta qetësonte. Sara mbylli prapë sytë dhe ra në kllapi. Doktori vështroi edhe një herë aparatet, tundi kokën i mërzitur dhe u largua pa folur asnjë fjalë. Nuk i hodhi sytë nga Myzaferi, por ai e kapi lehtë për krahu dhe e pyeti tërë shqetësim:

-Doktor, të lutem, si është Sara?

-Keq, me shumë se keq,-mori si përgjigje.

-Edhe sa mund të rri me të?

Doktori u mendua për disa çaste, qëndroi përballë tij dhe i tha:

-Ndofta njëzet e katër orë…jo më shumë.

-Vërtet thua, doktor?! –pyeti tërë dhembje.

Mori karrigen dhe e vuri pranë kokës së saj. Ajo sikur e ndjeu, hapi sytë me vështirësi dhe i buzëqeshi lehtë. Pas pak i mbylli sytë dhe ra në gjumë. Myzaferit i gjëmonin në vesh fjalët që i tha doktori: “Ndofta njëzetekatër ore…jo me shumë”.

-Po tani, si do të jetoj pa Sarën?-pyeti veten dhe u mbështet më mirë në karrige. Kishte tri net që nuk kishte fjetur dhe prapë nuk i vinte gjumë. I kapi dorën Sars dhe ia fërkoi ngadalë, nuk donte që ta zgjonte. Ashtu i mbështetur në karrige ra në kujtime.                                                                        …..

Në Ambasadën Amerikane u paraqit disa orë para takimit. S’e mbante vendi sa të merrte vizën dhe të bashkohej me djalin në Feniks. Kishte dhjetë vjet që ishte ndarë prej tij dhe e gërryente malli për të, veçmas për nipin e vogël, sidomos kur kishte mbetur vetëm, pasi e shoqja ishte ndarë nga jeta para disa vitesh. Dhjetë ditë pasi siguroi vizën u nis për udhëtim. Ishte një udhëtim i gjate, i lodhshëm,  s’ kishte udhëtuar kurrë me avion. Në mbrëmje vonë avioni mbërriti ne Feniks. Agroni kishte dalë për ta pritur në aeroport. Me vete kishte marrë edhe të birin, Gjonin. Sapo kaloi pikën e kontrollit, Myzaferi pa që drejt tij po vraponte i nipi, të cilin e drejtonte drejt tij Agroni. Në dorë mbante një tufë me lule. Sapo njohu  gjyshin, u shkëput prej të atit dhe iu hodh në qafë. Agroni u vonua pak, qëllimisht për të kënaqur të birin. Më pas u hodh edhe ai në krahët e të atit duke e përqafuar me mall. Myzaferit iu kujtua e shoqja dhe mendoi: “Sa gjë e bukur do të ishte  sikur të ishte edhe ajo me ne”, por nuk mundi të mendojë më gjatë, pasi ndjeu ta  tërheqin pas krahu:

-Baba, hajde shkojmë në shtëpi, -dëgjoi fjalët e të birit dhe e mblodhi veten. Agroni futi valixhen në makinë, kurse Gjoni nuk ia lëshonte krahun. Në shtëpi i priste nusja e djalit, e cila  kishte rregulluar shume bukur: tavolina ishte mbushur plot me ushqime, pije dhe fruta. Në mes të saj binte në sy një shishe e bukur shampanje.

-Je lodhur shumë sot, -i tha Agroni. -Qetësohu një herë dhe më pas mund të besh edhe nj dush që të mbledhësh kockat.

U ulen të katër rreth tavolinës. Agroni mori shishen e shampanjës dhe e hapi me zhurmë, mbushi së pari gotën e të atit e më pas me radhë të tjerat.

-Baba, merre ti gotën i pari dhe na uro. Sot e kemi shtëpinë plot, ka ardhur shtylla e saj.

Myzaferi mori gotën, u ngrit në këmbë, i puthi të tre me radhë dhe përmes lotësh që nuk i përmbajti dot, uroi:

-Gëzuar fëmijët e mijë të dashur e të shtrenjtë! Në radhë të parë falënderoj Zotin për këtë mirësi kaq të madhe që na bëri, po i lutem prapë që të na japë shëndet dhe lumturi. Gëzuar!… Prapë gëzuar!

 

…

…Një dorë që i ra papritur mbi supe e shkëputi nga kujtimet Myzaferin. Ishte kryeinfermierja.

-Të lutem, më fal, -i tha ajo, -më duhet të punoj pak.

-Jo, -ia ktheu ai, -ju duhet të më falni mua.

Sara hapi sytë kur Myzaferi i lëshoi dorën.

-Jam këtu, shpirt, nuk largohem.

Kryeinfermierja buzëqeshi, nxitoi që të përfundonte më shpejt punën dhe, pasi hodhi një vështrim keqardhjes në drejtim të Myzaferit, i cili po e shikonte në sy, u largua duke tundur kokën. Myzaferi u ul në karrige, kapi dorën e Sarës dhe filloi ta përkëdhel. Kaloi një farë kohe në heshtje dhe ra serish në kujtime.

…

…Gjatë viteve te burgut kishte mësuar të lexonte anglisht dhe italisht, kështu që Agroni tërhiqte nga libraria kryesisht libra në gjuhën angleze dhe Myzaferi gjente kënaqësinë duke lexuar. Në Shqipëri ishte diagnostikuar dhe kurohej si nga diabeti i sheqerit, ashtu dhe nga tensioni nervor, veç shpesh e shqetësonte edhe zemra. Dhembja e kokës ishte shoqëruese e përditshme. Të gjitha këto i vuri re nipi, Gjoni, kur ai shkonte çdo ditë për ta çuar apo marrë nga shkolla dhe i thotë të atit se gjyshi ishte i sëmurë. Një ditë Agroni i tha Myzaferit që të mos e shoqëronte Gjonin në shkollë, se do të shkonin tek doktori.

-Ah, mor bir, kemi vajtur plot herë dhe unë jam po prapë njësoj. Nuk ka shërim sëmundja ime.

Të nesërmen në mëngjes shkuan tek mjeku. Kur po e vizitonte erdhi edhe një mjek tjetër. E vizituan me shumë kujdes dhe në përfundim i dhanë një sasi të konsiderueshme ilaçesh. Në të ikur mjeku që e vizitoi i tha Agronit:

-Është mirë ta dërgosh babanë në nersin hom, atje ia bëjnë të gjitha shërbimet që i nevojiten. Ti nuk i shërben dot, prandaj është më mirë atje.

-Okej! -ia ktheu Agroni. -Do të mendohemi.

Gjatë rrugës së kthimit për në shtëpi at e bir po mendonin për nersin hom-et.

-Nesër do të më çosh të shoh si janë këto nersin hom-et, -theu heshtjen Myzaferi.

-Jo, baba, -ia ktheu Agroni, -më vjen rëndë nga bota.

Dhe sytë iu rimbushën me lot.

Të nesërmen shkuan në farmaci dhe morën ilaçet e rekomanduara. Rrugës vizituan edhe një nersin hom, që ndodhej pranë një pylli të virgjër. Përpara kishte një lulishte shumë të bukur të mbushur në çdo qoshe me lule. Përgjatë gjithë lulishtes ishin vendosur stola te punuar me shije artistike. Takuan një punonjëse e cila u shpjegoi çdo detaj të funksionimit të nersin home -es.

Myzaferi mbeti i kënaqur nga çfarë pa e dëgjoi, ndaj kur po ktheheshin në shtëpi,  i tha të birit:

-Fillo që nesër të përgatisësh dokumentet.

-Baba, po me vjen turp nga bota.

Myzaferi qeshi:

-Jo, bir, bota nuk ka menduar asnjëherë për ne, ne pse të mendojmë se ç’ thotë ajo. Ndaj bëj kështu si them unë, shpirt i babit.

Agroni përgatiti dokumentet. Kur çdo gjë ishte gati, ai shkoi  dhe i dorëzoi në zyrën përkatëse. Nëpunësja që punonte atje i tha:

-Pas një jave do të marrësh përgjigje.

Nuk vonoi dhe në krye te javës erdhi përgjigja. At e bir u paraqiten tek zyra. Përpara u doli një grua e veshur krejt me të bardha.

-Po u prisnim, mirëserdhët! -i përshëndeti dhe i shoqëroi në katin e dytë të godinës. Pasi ecën disa hapa në korridor, u gjendën para derës së hapur të dhomës që ishte përgatitur enkas për të. Ishte e rregulluar për bukuri. Në mes të saj ndodhej një vazo me lule të freskëta, shtrati i vendosur pranë murit, kurse televizori ishte vendosur në mur. Tek koka e shtratit ndodhej një komodine, mbi të cilën ishin vendosur telekomanda e televizorit dhe disa butona të tjerë, që shërbenin për të komunikuar me personelin për çdo nevojë që mund të kishe. Afër derës ndodhej frigoriferi. Nuk mungonte pothuaj asgjë.

-Tani çdo gjë është në rregull. Ti mund të ikësh në shtëpi, -iu drejtua Agronit.

-Na lejoni të shkojmë të dy në shtëpi, të marrim çfarë na duhet dhe të kthehemi. Për dy orë jemi këtu, -i kërkuan leje gruas me të bardha. Ajo nuk u ktheu përgjigje në moment, shkoi tek një zyrë aty afër, u vonua për disa çaste dhe, kur u kthye, u tha:

-Mirë, shkoni dhe ne po ju presim. Këtu jemi. Dhomën tani e dini.

Të dy dolën jashtë godinës. Agronit iu mbushen sytë me lot. Myzaferi e kapi për qafe dhe e puthi.

-Bir, -i tha, -jemi shumë afër njeri-tjetrit, kur të duam takohemi.

Por në vetvete mendoi: “Myzafer, kjo është rruga e fundit për ty. Kjo rruge s’ka kthim mbrapa”. Mbylli për pak kohë sytë si të donte të kyçte lotët që po tentonin të derdheshin jashtë. “Ç’ bën kështu, Myzo, -i tha vetes, -mbahu, mos u ligështo!”.

Shkuan në shtëpi. Myzaferi vendosi në valixhe gjithë çfarë i duhej, duke u kujdesur veçanërisht  për librat. “Kjo qenka ndarja, -tha me vete. -qenka shumë e thjeshtë”. Puthi fort Gjonin e vogël, nxori nga xhepi e i dha njëqind dollarë. Qafoi edhe nusen e djalit dhe u ndanë. Po ktheheshin për tek “shtëpia” e re e Myzaferit. Ai po e shikonte rrugën me trishtim. Hodhi sytë nga pasqyra e makinës. I biri po e shikonte me vërejtje. E mblodhi veten dhe, si për ta qetësuar të birin, tha:

-Është vend i bukur, bir, do të jem mirë atje. Të faleminderit.

Në nersin hom po i prisnin. At e bir u qafuan për një kohë të gjatë dhe më pas u ndanë. Agroni u kthye serish nga i ati dhe i tha:

-Baba, të lutem, po u mërzite, më njofto, dhe do të vij të të marr menjëherë.

Myzaferi qeshi.

-Po, bir, -i tha, -patjetër.

Myzaferi shkoi ne dhome dhe rregulloi të gjitha plaçkat. Agroni u nis me kokën mbrapa. “Ah, babi-babi! Çfarë fati”!

…U ngrit herët në mëngjes, mori një libër dhe doli jashtë në lulishte. Ajri i freskët e  shoqëroi deri tek stoli mes lulesh, ku u ul dhe filloi te lexonte. I përqendruar në lexim, nuk e vuri re kalimin e kohës.

-Oh, -tha, -qenka vonë, duhet të ngrihem se po kalon orari i ngrënies së mëngjesit.

Tek dera po e priste gruaja e veshur me te bardha.

-Mirëmëngjesi, zotëri, -i thotë ajo.

-Mirëmëngjesi, -ia ktheu Myzaferi.

-Mund të më shoqërosh, dua të të rrëfej disa gjera të domosdoshme, -dhe i kërkoi ta ndiqte pas për ne dhomën ku ndodhej Rregullorja e Shtëpisë. -Këtu ke informacion për çdo gjë. Tani shko në dhomë, rregullohu dhe eja të hash mëngjes, se me duket nuk ke ngrënë fare. Çdo ditë ushqimi do të ofrohet këtu sipas orarit. Tani më fal, je i lirë. Për çdo nevojë mund të flasësh me mua, unë do të jem tek zyra në fund të korridorit, mos kij turp, ne për këtë punë jemi, t’ju shërbejmë juve.

Të nesërmen u ngrit serish herët. Pasi bëri tualetin e mëngjesit, mori librin  dhe shkoi përsëri tek stoli ku kishte qëndruar një ditë më parë. Kur vajti ora, hëngri mëngjesin dhe u kthye tek vendi i leximit, ku kishte gjetur qetësinë, ajrin dhe pastërtinë e dëshiruar. Ne lulishten e nersin hom kishte edhe ambiente ku mund te luaje, por atij i pëlqente të lexonte. Një dite dëgjoi cicërimën e një zogu të veçante dhe ngriti kokën lart. “Sa zë të bukur që paska”! -tha me vete. Teksa po mendonte për zogun, sytë i shkuan tek stoli qe ndodhej rreth dhjete metra me tej, ku një grua po lexonte. Ajo kishte ngritur kokën lart, ndoshta edhe atë e kishte tërhequr cicërima e zogut apo prania e tij në stolin tjetër, dhe sytë e tyre u takuan. Edhe Myzaferi e shikoi me ngulm, duke e detyruar që të ulte serish kokën disi e turpëruar dhe të vijonte leximin. Ditët kalonin. “Gruaja e stolit tjetër”, siç filloi ta quaje ai, gjendej vazhdimisht aty, duke lexuar. Kur moti ishte i mirë, Myzaferi dilte edhe pasditeve, “Gruaja e stolit tjetër” po ashtu.

Një mëngjes moti u ftoh. Teksa ishte duke lexuar, afër tij u ndje një kollë e thatë. Pas pak po e njëjta kolle, por këtë here me e zgjatur. U ngrit dhe shkoi drejt gruas qe po kollitej, hoqi nga trupi xhaketën dhe ia hodhi krahëve. Ajo u gjend e papërgatitur, por nuk e refuzoi ndihmën. Myzaferi e ngriti nga stoli, dhe, duke e kapur për dore, e shoqëroi për në dhomën e saj.

…..

…Kujtimet e kishin shkëputur nga Sara. Ajo kishte hapur sytë dhe buzëqeshte me dashuri. Myzaferi i vendosi dorën në ballë dhe i buzëqeshi edhe ai. Mori peshqirin, e lagu me pak ujë të ftohtë dhe ia vuri mbi ballin që i digjej. Sara u qetësua. I fshiu pak sytë dhe në fund qafën. Ajo vazhdonte të buzëqeshte gjithë dashuri, pa ia ndarë shikimin. Pas pak i mbylli sytë. Nuk po ngopej me ajër. Dëgjohej një gërhitje. Më pas e zuri gjumi.  Myzaferi nuk lëvizte dot nga vendi, edhe  dorën nuk ia lëshonte, kishte frikë se mos e zgjonte. U mbështet serish në karrige, ku iu rikthyen kujtimet.

… Sara hapi sytë. Myzaferi u afrua, mori peshqirin e lagur dhe i fërkoi me të ballin e skuqur nga temperatura e lartë. Ajo i mbylli prapë sytë. Myzaferi u përkul dhe e puthi lehtë në ballë, pastaj në faqe…në buzë. Sara mezi lëvizi buzët, si të donte t’ia kthente të puthurën. Hapi sytë dhe vështroi sërish Myzaferin. Po e shihte si nëpër mjegull. Shtrëngoi fare pak buzët, nga sytë i rrëshqitën dy pika loti. U stërmundua që t’i dhuronte një buzëqeshje, ndoshta të fundit. Më pas u drodh dhe nuk lëvizi më. “Sara, të lutem, mos ik”! -foli me dhembje. Ndoshta ajo kishte shume kohë që priste të ndodhte ajo puthje, që do të ishte puthja e fundit e dashurisë, njëherit puthja e lamtumirës.

Aparatet tregonin ndërprerjen e aktivitetit jetësor. Buzët kishin ngrirë ashtu, duke qeshur. Myzaferi u ngrit në këmbë, u zmbraps  dy hapa pa i hequr sytë nga Sara. Në dhomë u futën mjeku dhe kryeinfermierja, te cilët konfirmuan vdekjen. Doktori ngriti kokën dhe pa nga Myzaferi.

-Ishe gjithë kohën këtu? -e pyeti.

-Po.

-Me fal që të pyeta, -tha doktori, -ajo duket. Dhe pa nga Sara.

-Të lutem, doktor, e lajmëruat vajzën? -pyeti Myzaferi.

-Po, -tha doktori, -vajza po vjen.

Pa mbaruar fjalën Myzaferi, Elena hyri ne dhome, u hodh mbi trupin e pajete të së ëmës dhe përmes të qarave me ngashërime, filloi t’i thoshte:

-Më fal, mama, të lutem, më fal!

Për një çast ngriti kokën lart dhe hodhi vështrimin drejt Myzaferit, që qëndronte kokëvarur. Sytë e mbushur me lot dëshmonin për dhembjen e madhe që kishte.

-Na la mami! -tha si të gjente ngushëllimin aq të nevojshëm në ato çaste.

 

-Jo, kurrë! Ajo është gjithmonë me ne! -ia ktheu Myzaferi, doli jashtë nga dhoma dhe u ul në stolin e parë që gjeti. Ishte hera e parë që humbiste kontrollin në jetë.

-Kaloni ne zyrë që të merrni sendet personale të mamasë, -i tha kryeinfermierja Elenës.

Ne zyre po e priste një grua, e cila, pasi e ngushëlloi për të ëmën, i dorëzoi një zarf të madh me ngjyrë të verdhë. Brenda zarfit të verdhë ndodhej një tjetër zarf i mbyllur, me ngjyrë të bardhë. Me zarfin në dorë u nis për tek dhoma e pritjes, ku nuk ndodhej njeri. E hapi me kujdes dhe brenda gjeti letrën ku ishte shkruar  amaneti i fundit i Sarës:

 

…Bije e dashur. Kur të lexosh këtë letër, unë nuk do të jem më. Te lutem,  unazën e lidhur me fjongo të kuqe që ndodhet brenda zarfit t’ia japësh Myzaferit. Atë unazë ma ka dhëne nëna ime së bashku me porosinë që t’ia jepja njeriut që do të më bënte të lumtur. Myzaferi më dha deri në fund gjithë lumturinë e kësaj bote…dhe ti e di mirë këtë…

 

…Ndërsa ajo vijonte të lexonte letrën e së ëmës, Myzaferi u ngrit nga stoli. Këmbët e çuan drejt e tek dhoma e Sarës. Nuk po e kuptonte se sa kohe kishte kaluar nga ndarja me të. Dhoma ishte e rregulluar, shtrati me Sarën nuk ndodheshin aty. Një infermiere po e vështronte me keqardhje. Dhoma dukej e heshtur, sikur nuk kishte ndodhur asgjë…dikush tjetër do të bëhej banor i saj dhe do të shtrihej në shtratin e Sarës. U bë dyllë i verdhë në fytyrë. Uli koke dhe doli nga dhoma. Elena vijonte t lexonte letrën e së ëmës:

…Bije e dashur, te lutem të mos qash as ti dhe as dikush tjetër, unë po iki e lumtur nga kjo botë. Dije, bije, se Zoti u tregua shumë bujar me mua. Ne hapat e fundit të jetës me fali gjënë më të bukur, atë që e ka emrin DASHURI! Që ditën që erdha këtu, mora librin dhe dola në park. U ula në stol dhe nisa të lexoja. Ngrita sytë për një çast dhe pashë se në stolin përballë je burrë, qe s’ishte i moshe sime, po lexonte ne biber të trashë. Nuk di si të them, por menjëherë konstatova se diçka më tërhoqi tek ai njeri. Vazhdova leximin, por nuk përqendrohesha dot, yste më çonin tek stoli përballë. Fillova ta shoh me shpesh: i veshur me sqime, folke të rrallë e të zbardhur dhe vetulla të zeza, krejt i rregullt. Me trup mesatar, ishte  njeri  fare  i  zakonshëm,veç mua mu duk i jashtëzakonshëm. U ngrit para meje dhe iu drejtua sallës së ngrënies. Më pëlqeu ta ndiqja pas. Burri ishte ulur i vetëm në tryezë, me sa duket i pëlqente vetmia… Kishin kaluar disa dite. Burrin e shihja vazhdimisht në të njëjtin vend, ku ai vinte ne po atë orë. Edhe vendi ku ai qëndronte po më dukej më i bukur. Diçka e pakuptueshme po ndodhte ne shpirtin tim.

…Në njërën prej këtyre ditëve ai mbylli librin dhe u drejtua për nga stoli ku qëndroja unë. Trupi mu mbush me mornica dhe fytyra më tradhtoi. “Ua, ç’ është kjo që po më ndodh tani në këtë moshë”? -pyeta veten. Ai më përshëndeti me një buzëqeshje që kurrë nuk e  harrova.

-Dëshiron të njihemi? -pyeti me një ton lutës. Unë u ngrita si me sustë, i dhashë dorën dhe u prezantova:

-Sara.

-Myzafer, -ma ktheu ai.

Që nga ajo ditë ne nuk u ndamë më, kudo bashkë. E kuptonim njeri-tjetrin pa folur, vetëm me shikim. Ishte diçka shumë e bukur. Nuk e di sa kohe vazhduam, por as më duhet ta di. Tek Myzaferi gjeta personin që i kalonte edhe ëndrrat e mia, i jepnim njeri-tjetrit energji pa limit. Kjo energji na mbante gjithmonë të lumtur. Nuk besoj se ishte dashuri, ishte diçka më shumë…shumë më shumë se dashuri. Mund të ketë emër, por unë nuk e di, as me duhet ta di. Nuk gjeja fjalë si të falënderoja Zotin që në fund të jetës na dhuroi gjithë këtë lumturi. Ndodhte shpesh që njerëz të njohur zhdukeshin, nuk i shihnim më. Ishim të ndërgjegjshëm se çfarë ndodhte me ta, po kurrë nuk i zinim në gojë. Kryesorja për ne ishte që të ishim të lumtur dhe të ndaheshim të lumtur me këtë botë. Nuk i luteshim kurrë Zotit që të na i zgjaste apo të na i shkurtonte ditët e lumtura, ishim të bindur se Ai e dinte vete se ç’bënte, pasi ishte Ai që na e dhuroi këtë lumturi.

Edhe një porosi nga nena jote: ndihmoji Agronin dhe Gjonin e vogël. Unë të kam lenë plot pare, ti ke edhe vete, ndihmoji ata, ti tani je motra e madhe e Agronit, ai është djalë i mrekullueshëm, i ngjan shumë të atit. Kur ta njohësh edhe më mirë, do të më falënderosh.

Te puth, mamaja jote, Sara! Lamtumire, shpirt!

P.S.: Të kujtoj edhe një herë se asnjeri nuk duhet të qajë për mua, veçanërisht ti…

Elena doli nga dhoma e pritjes duke parë orën. Kishte kaluar afro tri orë aty. Filloi të  ecte  nëpër  korridor. Pyeti  për  Myzaferin, të cilin e gjeti në dhomën e tij, ulur ne karrige, me vështrimin në dysheme. Elena hyri brenda. Myzaferi u ngrit menjëherë në këmbë dhe iu afrua si ta kishte bijën e vet. Ajo iu hodh në kraharor dhe e qafoi fort duke thëne: “Te faleminderit”!

-Të rroni vete! -e ngushëlloi Myzaferi duke u shkëputur prej krahëve  të saj.

Për herë të parë Elena po e shikonte ndryshe, ndoshta vijonte të ishte nën efektin e letrës që sapo kishte lexuar. Por nuk ishte vetëm kjo, Myzaferi te impononte vërtet respekt. Nëna e saj nuk mund te gabonte. E mori Myzaferin për dore dhe dole së bashku në park. U drejtua për tek stoli ku shpesh i gjente bashkë, por Myzaferi e ndali. Nga thellësia e shpirtit i dolën fjalët: “Kurrë më atje”!

Së bashku u ulën në stolin më të afërt. Elena nxori unazën dhe ia drejtoi Myzaferit duke i thëne:

-Mamaja ka lëne porosi që këtë unazë të ta jap ty, le te mbetet ne familjen tuaj këtej e tutje si simbol i dashurisë suaj…Më ka lenë edhe këtë letër, të cilën unë dëshiroj ta lexosh edhe ti.

-Jo, bije, -ia ktheu duke buzëqeshur. -Të faleminderit, po ajo letër është vetëm për ty. Unë e kam këtu,… në zemër. Tani ik në shtëpi, ajo nuk ka me nevoje për ne. Kaq ishte. Te gjitha punët i bëjnë këta…

Elena u ngrit dhe përmes lotësh e qafoi fort me sy të përlotur.

-Jo, -e qortoi Myzaferi. -Te lutem, jo kështu. Mamaja do të mërzitej po të shihte. Ne po e mbyllim shumë të lumtur dhe kështu do të jemi deri në fund.

Elena fshiu lotët me turp.

-Po, -tha me një buzëqeshje të lehtë, -ma ka thëne mami, e ka përsëritur edhe në letër, lexoje. Lamtumire, Zotëria im! – Dhe i  futi letrën ne xhepin e xhaketës.

U largua me hapa te shpejte se mos e tradhtonin serish sytë.

…Myzaferi u shtri ne shtrat, as dritën nuk e ndezi. Që kur u sëmur Sara, edhe ilaçet nuk i merrte rregullisht. Kishte dhembje koke dhe i merreshin mendtë. Edhe netëve flinte shume pak, ndaj e zuri gjumi sapo u shtri. U zgjua rreth mesnate: “Sara”! -thirri, po nuk mori përgjigje. Mbylli sytë fort dhe ra serish në gjumë. Ne mëngjes e zgjoi infermierja.

-Mirëmëngjesi, zotëri, -e përshëndeti. -Te lutem, hajde të hash mëngjes, ti duhet të qetësohesh, zotëri.

-Po, -iu përgjigj Myzaferi me një buzëqeshje të lehtë, -ju keni shume të drejtë, unë duhet të qetësohem. Shkoni përpara sa të lahem dhe erdha.

Shkoi në tualet, u la dhe u rrua me kujdes. Kur doli tek dera, takoi  infermieren që ishte bërë merak nga vonesa e tij.

-U vonove shumë! -i tha ajo me një ton ku ndihej shqetësimi mos kishte ndodhur ndonjë gjë e keqe.

-E po pleq, ç’ mund të presësh nga ne, -ia ktheu si përherë me të qeshur.

-Do të vish në sallën e ngrënies apo të ta sjell ushqimin në dhomë? -pyeti infermierja.

-Më mirë ma sill në dhomë.

Beri një xhiro në korridor dhe u kthye në dhomë, e cila ishte pastruar komplet, ishin ndërruar edhe çarçafët, këllëfi i jastëkut, peshqirët. E ndjeu veten të këputur dhe u shtri në shtrat. Nuk priti t’i vinte mëngjesi, ra në gjumë te thellë. Kur hyri në dhomë dhe e pa të shtrirë, infermierja nuk e zgjoi, tundi kokën me keqardhje, vendosi ushqimin në frigorifer dhe doli pa u ndjerë.

Myzaferi u zgjua pasdreke. Ndihej fare i këputur. Pasi hëngri pak nga ushqimi qe gjeti në frigorifer, mori një letër, u ul në tavoline dhe nisi të shkruaj:

…I dashur biri im. Ka shumë kohë, aq shumë sa nuk e mbaj mend, që të kam shkruar. Por ja që erdhi dita të të shkruaj letrën e fundit. Më beso, bir, qe po e shkruaj duke mu dridhur dora, pasi është jo vetëm letra e lamtumirës, por edhe mundësia që më jepet të të kërkoj me shpirt të falur. Më fal, bir, të jam bërë barrë gjithë jetën…Më kujtohet si sot, kur më pe të lidhur me pranga në sallën e gjyqit. Ti ishe vetëm pesë vjeç, i ulur në prehrin e nenës. Nuk e kuptoje se ç’po ndodhte, ndaj buzëqeshje, por në të vërtetë ai nuk ishte dënimi im. Unë po të dënoja ty, po te lija pa baba për pesëmbëdhjete vjet rresht, me damkën si bir i “armikut te popullit”. Më kujtohet se si, kur u lirova nga burgu, me tregoje për peripecitë që kishe kaluar, peripeci që i përjetonin vetëm fëmijët e të ashtuquajturve  “armiq te popullit”. Më tregove se si e kishe për zemër lëndën e letërsisë  dhe  shkoje  në shkollë gjithmonë i përgatitur dhe kurrë  s’e ngrije dorën për diçka qe nuk e dije. “Çohu ti Agron, na fol për Viktor Hygon”, -të kishte thëne mësuesi. Ti ishe përgjigjur shkëlqyeshëm edhe jashtë pyetjes. Profesori, qe deri atëherë nuk ta kishte dëgjuar zërin, të tha: “Bravo! Ku e ke mësuar kaq mirë?”. Ti nuk pate mundësi t’i përgjigjeshe, pasi njeri nga nxënësit tha:

-Atë e ka mësuar i ati që është ne burg si “armik i popullit”.

Ti, bir, ishe ulur në bangë kokulur.

…Biri im, unë punëtor isha edhe para se të hyja në burg, punëtor në burg, punëtor mbeta edhe pasi u lirova nga burgu, ndërsa ty të mërziten jetën. As unë nuk e dija se ç’ faj kisha bërë. Me quajtën fajtor pasi i thashë një bashkëqytetari se kisha tre muaj që nuk po merrja dot mish. Me quajtën fajtor se bashkëqytetari im më kishte thëne që donte të arratisej dhe unë nuk e denoncova tek Sigurimi i Shtetit. I mblodhën bashke këto dy “krime” dhe me dënuan pesëmbëdhjete vjet. Kur u lirova pas katërmbëdhjetë vjetësh, ty të gjeta ushtar. Edhe pse kalova një jetë shume të vështirë, kurrë nuk hoqa dorë nga këshillat për ty, si kur isha ne burg, edhe kur dola prej andej, u mundova të të qëndroja pranë. Tani jam shumë krenar për djalin tim. Shumë gjera nuk më lejuan t’i jetoja. Dashurinë, që është gjeja më e mrekullueshme e jetës, unë nuk pata fatin ta përjetoja në Shqipëri, prindërit me martuan me  nenën tënde, të cilën unë nuk e njihja më parë…

Në hapat e fundit të jetës Zoti më dha mundësinë të provoja një dashuri të madhe. Këtu në nestri hom u njoha me Saren, gruan që ti e njohe se ta pata prezantuar. Ajo i dha kuptim tjetër jetës sime. Ne i dhamë njeri-tjetrit një lumturi të pakufishme, pa e kuptuar as vete se nga buronte gjithë ajo lumturi. Morëm prej njeri-tjetrit çdo gjë të bukur e të pastër. Nuk e di si është Parajsa, por kam dëgjuar e lexuar për të. Tani besoj se e kam njohur Parajsën: ishte jeta që kalova me Saren time të paharruar. Tani e ndjej se jeta  pa Saren nuk ka kuptim, ndaj i lutem Zotit ta përjetësojë lumturinë , duke më çuar së shpejti tek Sara, ku të vazhdojmë jetën në Parajsën tonë të transferuar nga Toka në Qiell.

…Biri im, po te le porosite e fundit:

Së pari, në zarf po të le unazën që Sara e la si kujtim për familjen tone. Mbaje në gisht dhe trashëgoje tek Gjoni. Sa here ta shikosh të kujtosh dy njerëz të lumtur, babanë tënd dhe Saren, e të thuash: -Sa e bukur qenka dashuria!

Se dyti, Sara ka një vajzë të mrekullueshme, Elenen. Ajo është më e madhe se ti dhe nuk ka vëlla, ndaj të kërkoj që t’i bëhesh vëlla dhe ta konsiderosh si motër. Edhe Sara para se të ndërronte jetë i ka lëne të njëjtën porosi, të të konsiderojë vëllain e saj të vogël. Këtë porosi të ma plotësosh patjetër.

Lamtumirë, biri im. Dije se ju kam dashur shumë.

Të puth fort, babai yt, Myzaferi!

…..Me të mbaruar letrën, e vendosi në zarf se bashku me letrën e Sarës dhe e ndjeu veten më të lehtësuar, sikur të ishte çliruar nga një barrë e rëndë. U shtri ne shtrat dhe e zuri gjumi menjëherë. U zgjua pas katër orësh. Ndjeu dhembje koke e marrje mëndësh. U përpoq të ngrihej në këmbë, por nuk mundi. Po i rrotullohej gjithë dhoma. U ul serish ne shtrat, por përsëri  sendet rrotulloheshin. Kështu vazhdoi deri në mëngjes. Myzaferi po e ndjente veten gjithnjë e me keq, por nuk donte të thërriste mjekun. Rreth drekës erdhi infermierja, që e gjeti me temperature të lartë e ballin të mbuluar me djersë. Thirri menjëherë doktorin, që mbërriti në çast.

-Sa kohe ka kështu ky? -pyeti doktori.

-Nuk e di, në mëngjes ishte mire, -iu përgjigj infermierja.

-Nuk ka mundësi. Ky duhet të ketë ditë i sëmurë, -tha doktori.

Pas rreth një ore Myzaferi filloi të flasë përçart. Erdhi dhe një mjek tjetër për konsulte. I ndërruan mjekimin. Afër mëngjesit u duk sikur u qetësua. I vendosen një aparat dhe serum. Myzaferi me buzëqeshje i thotë infermieres:

-Mund të më besh një nder?

-Me gjithë qejf, -i përgjigjet ajo.

-Ju lutem, njoftoni Elenën te vije të më takojë.

Infermierja doli nga dhoma dhe iu drejtua zyrës në fund të korridorit. Pas pak doli prej andej, iu afrua Myzaferit dhe i foli ngadalë:

-Elena është duke ardhur.

I kërkoi ta çlironte nga aparatet qe te mos e gjente Elena në atë gjendje. Infermierja i tha se për këtë duhej te bisedonte me eproret.

…Ne dhome hyri Elena. Myzaferi u gëzua që mbërriti në kohë, ai ishte ende në gjendje të komunikonte me të. Ajo kishte takuar në korridor doktorin, që i kishte thënë se Myzaferi nuk i kishte punët mirë. Iu hodh ne kraharor dhe e qafoi fort.

-Erdhi vajza ime e mirë dhe e bukur, -foli duke buzëqeshur me mundim. -E dashur Elene, dëshiroja qe te takoja për herë të fundit. Tek ti janë qëndisur tiparet më të bukura të nënës tende dhe mua me kishte marre malli për to. Të faleminderit që erdhe. Kaq desha, tani, te lutem, ik.

Bëri të gjitha përpjekjet që të ngrihej, por nuk mundi; e kapi për qafe, po nuk kishte fuqi ta shtrëngonte. Elena u ngrit me sy te përlotur. Ai i buzëqeshi. Ishte më shumë një ngërdheshje se sa buzëqeshje. Nuk kishte më fuqi, ato po e linin tërësisht. Mbylli sytë.

-Baba, të lutem, mos ik, -zëri i vajzës i erdhi nga një botë tjetër.

Mjekët shënuan në kartelë: Pacienti ndërroi jetë në orën 10, të datës 21 janar 2016. Diagnoza:..

Filed Under: LETERSI Tagged With: Memisha gjonzeneli, PUTHJA E FUNDIT, Tregim

A R M I K U

August 4, 2013 by dgreca

Tregim i jetuar nga Memisha Gjonzeneli – Tragjasi/

Ne Foto: Memisha Gjonzeneli-Tragjasi, burgosur politik, dekoruar  me  Medaljen   e  ARTE  ”Naim   Frasheri”/

Kishin  kaluar  shumë  vite,  që kishja dalë nga burgu, ku vuajta dënimin si “armik i popullit”.  Ishja vetëm 16 vjeç kur më arrestuan… Nje pasdite  po shëtisja buzë detit. Ishte verë, kembet i fusja në ujë për t`u freskuar dhe këpucët i kishja lënë në anë të detit.   Kishja humbur në kujtimet e mia, por  me pruri ne vete  nje klithmë gruaje:- Po mbytet,  ndihmë , ndihmë,  më  shpëtoni djalin, amani ndihimë  dhe donte të futej  në  det ashtu siç ishte e veshur.

Ktheva kokën nga vinin klithmat dhe pashë  gruan që bertiste me të madhe.  Në det përpara saj, mezi  dallova  një kokë  njeriu që herë  zhdukej  herë  dilte mbi ujë. S`mendova më gjatë  u leshova me  shpejtësi drejt djalit që po mbyetj.   Ndofta ishin  lëvizjet e fundit të  tij.  Kur u afrova  djali  u fundos dhe më humbi nga shikimi. U zhyta thellë pa menduar se ç`po bëja   e kërkova me sy në thellësinë e detit dhe mezi e pikasa, që  po e tërhiqte tutje rryma detare.  Ca flluska  ajri  po i dilnin  nga goja.  E kapa, pa menduar se ai mund të më merrte me vete edhe mua dhe fatmirësisht  e nxorra në sipërfaqe.   Ishte një fëmijë rreth 15 vjeç. E tërhoqa me mundim deri në breg, ku ishin grumbulluar edhe njerëz të tjerë.

E  ktheva  përmbys  me kokën  posht. Uji  filloi  ti dalë nga  goja . Nëna e tij lebetiste dhe   s`të  linte të punoje . E hipëm në një makinë,  dhe drejt e në spital. Sa e futem brenda,  une doja  te  ikja,  ishja zbathur se kepucet   i  pata  lënë  te  ana e detit dhe i  lagur, por nuk më lanë deri sa doli infermjerja dhe më  tha:

– Bravo! Ke shpëtuar një jetë njeriu.  Ky fëmijë ta  ka borxh  jeten. Ejani ta shihni.

Ishte dyll  i verdhe,  por po  e merrte veten. Doktori  kërkoi të afërmit e fëmijës, dy  qytetarë që më shoqëruan mua  ë thanë se ne  nuk e njohim  fare, e pamë  që kishte  nevojë  për  ndihmë,  e ndimuam, detyra jonë mbaron këtu.  Ashtu bëra edhe unë.

– Jo tha mjeku, ti do rrish këtu deri sa të vijë ndonjë  i afërm.

Pas pak u dëgjuan  të bërtitura  tek dera, ishte e ëma e fëmijës që ne nga nxitimi nuk e kishim marrë në makinë.

-Amani,    amani,  më shpëtoni  djalin se vetem  atë kam,  dhe hyri  brenda, ishte katandisur në ditë të  hallit.  Doktor,  të lutem më  shpëto  djalin, por nuk priti përgjigje shkoj  me shpejtësi në dhomën e të birit. Ai i hapi syte. Ajo  filloi  ta  puth dhe ta përqafoi duke falnderuar për  mrekullinë që  bëri  Zoti, pastaj  u kthye nga  unë  më përqafoj fort dhe më  puthi në të dy faqet.

-Te faleminderit,  te faleminderit , më   thoshte mua pa pushim.

Ndërkaq po mbrinte edhe i ati i  fëmijës që ishte oficer i Sigurimit. Unë i kërkova leje doktorit dhe u largova me shpejtësi, që babai i djalit të mos më gjente aty.  Dola jashtë, po ku do  shkoja ashtu i lagur dhe zbathur?  Me vite  shumë  turp  e ndërsa ecja ashtu i menduar  më kaloi pranë  me shpejtësi  nje  makine  police.  Ktheva kokën dhe e pashë. Në këtë makinë thash do të jetë edhe babai i fëmijës që unë i shpëtova jetën.

Pa s ca ditësh, rastësisht takova doktorin.   Sa më pa filloi  të qesh.

Ç`fare ke?  i them.

–  Atë  ditë, më tha doktori, që  ti solle fëmijën e mbytur,  erdhi i ati  i djalit.  Kur e mori  vesh  qe të birin e kishje  shpetuar  ti,  ju kthye  djalit i nervozuar:

– E shikon  ç`farë  na  ke bërë  mor  palaço. Djali  mbuloj  koken  me çarçaf. Edhe këtë kishim  mangut të na shpëtoj  jetën  një armik i popullit, një  i burgosur  politik !   Ata i njeh gjithë Vlora.

Ua  tha e shoqja e habitur dhe e trembur po unë e putha  edhe në  faqe!  Si?  bërtiti ai,  te  pa njeri?  Jo  tha  gruaja  vetëm  doktori.  Epo  doktori  është  yni.

Po ku   e dija unë  more   burrë se cili ishte ai,  po ta   shikoje  si  notonte në det, ai  sikur ecte me  këmbë në ujë.   Sa bertita unë e ai  u gjend te  te djali.

-Ah  moj  grua, tha ai i merzitur,  ti  nuk i njeh  ata se ç`farë armiqsh janë. Dosjet  e tyre  u vem  gjurin  kur  i shtërngojm kaq shumë  krime  kanë,  por harroje atë njeri!

–  Te  faleminderit  doktor,  i thash i menduar.

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Armiku, Memisha gjonzeneli, tregim i jetuar

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT