Ne Foto:Tirana me 8 Korrik 2015 me rastin e vizites te Kancelares Gjermane Merkel-Foto nga Shefqet Kercelli/
Kancelarja Angela Merkel ka treguar përpikmërinë gjermane dhe në orën 13:50 minuta autokolona që e shoqëronte u nis nga Aeroporti i Rinasit drejt selisë së Kryeministrisë, aty ku u prit nga kryeministri Edi Rama.
Pas luajtjes së dy himneve, në pjesën e përparme të godinës së Kryeministrisë, Merkel dhe Rama ecën në drejtim të Hollit Kryeministror, për të nisur takimin kokë më kokë, që do të zgjasë rreth 15 minuta. Më pas, për 45 minuta do të mbahet takimi mes dy delagacioneve, që do t’ia lërë radhën konferencës së përbashkët për shtyp Rama-Merkel.
Në 16:15 parashikohet takimi i Merkel me Presidentin Bujar Nishani për t’iu drejtuar më pas Konferencës Ekonomike në “Tirana Business Park”, ku Merkel do të ketë një fjalë përshëndetëse, që shënon edhe fundin e vizitës.
Vizita e kancelares Merkel do të zhvillohet nën masa të forta sigurie. Policia e Shtetit ka njoftuar planin e masave, ku përfshihen ndalimi i qarkullimit të mjeteve nga ora 10:30-14:30 në aksin rrugor nga Rinasi në drejtim të Kasharit. Nga ora 13:30-14:30 segmenti rrugor nga Superstrada Vorë–Tiranë, duke filluar nga mbikalimi i Kasharit- mbikalimi i Kamzës dhe rrugët dytësore do të jenë të bllokuara.
Në vazhdim, tek segmenti rrugor nga mbikalimi Kamëz–Sheshi “Shqiponja”-Rruga e “Durrësit”, segmenti rrugor Sheshi “Skëndërbej”–Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”- Sheshi “Nënë Tereza”, rrugët lidhëse me to, nuk do të lejohet parkimi i mjeteve dhe do të bllokohet në momente të caktuara.
/ Top Channel
Berlini politik pas referendumit në Greqi
Qeveria gjermane është e hapur për bisedime, por për një paketë të re ndihmash nuk është menduar. Kancelarja Merkel kërkoi pas takimit me Preisdentin francez një propozim të ri grek që këtë javë./
U desh të vinte pasditja, derisa në Berlin u pozicionua për referendumin në Greqi anëtari i parë i qeverisë. “Edhe mua më trishton gjendja, e cila krijohet dhe do të krijohet tani përmes referendumit”, tha Ministri i Financave dhe Kryetari i Partisë Socialdemokrate Gjermane, Sigmar Gabriel pas një mbledhjeje të kryesisë së partisë së tij. Për qeverinë greke jeta tani do të bëhet shumë më e vështirë se sa ka qenë javët e fundit. “Paaftësia përfundimtare për të paguar e Greqisë kërcënon të jetë në prag të derës dhe jeta ekonomike do të ndalet edhe më shumë në pjesë të ndryshme të vendit.” Tani Greqia nuk duhet lënë në baltë, të gjitha vendet e BE duhet të jenë të gatshme të japin ndihmë humanitare, tha Gabriel.
Qeveria gjermane pret
Kjo nuk tingëllon sikur Gabrieli pret një zgjidhje të shpejtë në mosmarrëveshjen për borxhet. Kryeministri grek Alexis Tsipras ka shkatërruar me referendumin urat e fundit, nëpër të cilat Evropa dhe Greqia mund të ecnin për të arritur një kompromis, tha kryetari i SPD-së të dielën në mbrëmje, pas referendumit me Jo-në e qartë nga Athina.
Një pozicion, të cilin zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert e përforcoi një ditë më pas. “Përballë vendimit të qytetarëve grekë aktualisht nuk ekzistojnë parakushtet për të hyrë në negociata për një program të ri ndihmash”, tha ai. “Jo-ja e djeshme është edhe një refuzim i parimit, që ka drejtuar prej vitesh ndihmat për vendet e ndryshme, e pikërisht që solidariteti dhe përpjekja vetjake janë të pandara”, tha zëdhënësi i Qeverisë gjermane.
Merkel kërkon propozim të shpejtë të ri grek
Kancelarja gjermane, Angela Merkel u pozicionua të hënën që nga Parisi, pas një takimi pasdite për krizën greke me Presidentin francez, François Hollande. Të dy kryetarët e shteteve i bënë thirrje qeverisë greke të paraqesë sa më shpejt një propozim për zgjidhjen e krizës greke të borxheve. “Për këtë koha nuk pret dhe ne do t’i kushtojmë rëndësi faktit që propozime të tilla të vihen në tryezë këtë javë”, tha Merkeli pas takimit me Hollande. Dera për bisedime është e hapur, theksuan të dy politikanët. Përfundimi i referendumit grek respektohet, u tha. “Por ne themi njëkohësisht se parakushtet për të hyrë në negociata për një program konkret ESM nuk ekzistojnë”, shtoi Merkeli. Prandaj, shtoi ajo, në takimin e posaçëm të nivelit të lartë të Eurozonës të martën është e rëndësishme, që kryeministri grek Tsipras t’u thotë partnerëve se çfarë ka në mend të bëjë, për ta siguruar financimin e Greqisë në plan afatmesëm, tha kancelarja.
ESM si bazë
Në konferencën e shtypit të qeverisë gjermane, të hënën paradite pyetjet për Greqinë qenë të shumta. A është shtuar rreziku i një Grexit? A dështoi kancelarja me politikën e saj të dorës së fortë? Këto ishin pyetje që iu shtruan zëdhënësit të qeverisë Seibert dhe zëdhënësit të Ministrisë së Financave, Martin Jäger.
Jäger tha se të gjitha negociatat e ardhshme me Greqinë mund të zhvillohen vetëm mbi bazën e fondit të përhershëm të shpëtimit të Euros, ESM. Në bisedat e ardhshme nuk lëvizet në një “hapësirë të papërcaktuar qartë”. Vetëm në bazë të sistemit evropian të rregullave është e mundur ndihma për Greqinë, tha Jäger. “Kjo marrëveshje parashikon fare qartë se çdo ndihmë është e kondicionuar nga ndërmarrja e një përpjekjeje vetjake dhe se thjesht është e pamundur largimi nga ky parim.”
Është e paqartë nëse ekziston tashmë një kërkesë e qeverisë greke për ndihma nga Mekanizmi Evropian i Stabilizimit, ESM. Në 30 qershor, kryeministri grek Alexis Tsipras i dërgoi një kërkesë të përgjithshme për ndihmë kryetarit të Eurogruppit, Jeroen Dijsselbloem, pa përmendur megjithatë një shumë konkrete. Të paktën nuk ka një lutje që t’u përgjigjet kërkesave të ESM-së, tha Martin Jäger. “Tani e ka radhën pala greke, që të bëjë sërish të qartë se çfarë do.”(DW)
Merkel: Referendumi grek nuk lë hapësira për bisedime ndihme
BERLIN, 6 korrik /– Zëdhënësi i qeverisë gjermane deklaroi se kancelarja gjermane, Angela Merkel beson se nuk ka më hapësirë për negociata për një paketë të re shpëtimi pas refuzimit të Greqisë për reforma dhe shkurtime në buxhet nëpërmjet referendumit të së dielës.
”Referendumi nënkupton refuzimin e parimeve të ndihmës evropiane, e cila mbështetet në solidaritet dhe përpjekje individuale”, tha ai.
“Dera është e hapur për negociata”, tha Seibert, por ai hedh poshtë çdo marrëveshje të hershme me Greqinë duke theksuar procesin e gjatë për miratimin e një marrëveshjeje shpëtimi.
Steffen Seibert u shpreh se “nuk ka kushte për fillimin e negociatave të reja për program ndihme duke marrë parasysh zgjedhjen e djeshme të popullit grek,” dhe shtoi se Merkel e sheh votën si “sqarim” të qëndrimit të shtetit grek./
Merkel, kancelarja gjermane do të vizitojë Tiranën
Nga Gjergji Mima/ -Vizita që kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel do të zhvillojë në Tiranë në datën 8 korrik, do të jetë vizita e parë zyrtare që një kancelar gjerman zhvillon në vendin tonë.
Drejtori i Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga sqaroi për mediat se, vizita e vitit 1999, kur Tiranën e vizitoi kancelari Gerhard Schroeder, 12 vjet pasi u lidhën marrëdhëniet diplomatike midis Republikës Federale të Gjermanisë dhe Shqipëri, nuk konsiderohet si vizitë zyrtare e një kancelari gjerman në Tiranë, duke qenë se ishte pjesë e një delegacioni.
Fuga u shpreh se, në rreth 4 orë e 30 minuta të vizitës që kancelarja Merkel do të kalojë në Tiranë, do të ketë takim dhe konferencë të përbashkët me Kryeministrin Edi Rama, takim me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani dhe do të vizitojë ‘Tirana Business Park’.
Kancelarja gjermane Merkel do të mbërrijë në orën 13:50 në Aeroportin e Rinasit. Më pas do të drejtohet në Kryeministri ku do të pritet me ceremoninë në sheshin përpara Kryeministrisë dhe do të zhvillohen takimet kokë më kokë me Kryeministrin Rama dhe takimet mes dy delegacioneve. Rreth orës 15:30 pritet të mbahet konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Rama dhe Kancelares Merkel.
Më pas në orën 16:10 Kancelarja Merkel do të pritet nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani, ku do të ketë një takim të përbashkët.
Më pas nga ora 17:00 deri ën orën 18:00 Kancelarja Merkel do të vizitojë parkun e biznesit, ‘Tirana Business Park’ që është projekti më i madh privat gjerman në Shqipëri, një investim i kompanisë “Lindner Group” që arrin në vlerën 100 milionë euro. Në këtë aktivitet, ku do të marrin pjesë biznese të rnëdësishme nga të dy vendet, do të ketë një fjalë përshëndetëse të Kancelares Merkel dhe Kryeministrit Rama.
Sipas Drejtorit të Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga, kjo vizitë e Kancelares Merkel duhet parë në dy plane si në planin politik edhe në atë ekonomik.
Vizita e Kancelares Merkel në Tiranë vjen pas ftesës që Kryeministri Rama i bëri gjatë vizitës së tij në Berlin vitin e shkuar ku ajo premtoi që do të vizitonte Tiranën. Ky takim do të shënojë takimin e tretë mes Kancelares Merkel dhe kryeministrit Rama, pas dy të parëve të mbajtur në Berlin vitin e shkuar.
Integrimi rajonal do të jetë një çështje kryesore në vizitën e Kancelares Merkel në Tiranë, ku edhe në kuadër të Konferencës së Berlinit, Gjermania, e cila vitet e fundit ka rikthyer vëmendjn nga Ballkani, e sheh Shqipërinë si një partner të rëndësishëm gjeo-politik në rajon.
Ndërsa në rrafshin ekonomik ky takim do të jetë një mundësi e mirë për t’i bërë një minibilac arritjeve të deritanishme dhe çuarjen më përpara të angazhimeve që u morën në Konferencën Rajonale të Berlinit gushtin e kaluar.
Duke pasur parasysh se në fund të muajit gusht do të zhvillohet edhe Forumi Ekonomik i Vjenës, që është vijimi i atij të mbajtur në Tiranë në muajin maj, diskutimet mbi situatën ekonomike do të kenë mjaft rëndësi.
Mustafa pritet në Berlin me ceremoni shtetërore
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa takohet të martën në Berlin me kancelaren Angela Merkel. Berlini zyrtar ka organizuar pritje me ceremoni të larta shtetërore. Por edhe pritjet nga delegacioni i Kosovës janë të mëdha.
Kancelarja Angela Merkel pret sot (30.06) kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, me nderimet më të larta shtetërore. Ata të dy së bashku do të parakalojnë edhe para gardës së nderit, që organizohet për përfaqësuesit e shteteve. Takimi me delegacionin e Kosovës, të kryesuar nga Mustafa, i cili fillon në mesditë, pritet të zgjatë rreth dy orë. Gjermania dhe Berlini zyrtar po përballen për momentin me një krizë shumë të rëndë financiare në Greqi. Por as kjo nuk ka ndikuar në shtyrjen, apo shkurtimin e takimit me delegacionin e Kosovës. Zëvendësja e zëdhënësit të Qeverisë, Christiane Wirtz, ka bërë të ditur se kancelarja pret që nga dora e parë të informohet për gjendjen në Kosovë dhe për ecurinë e dialogut me palën serbe. Në këtë takim do të bisedohet për raportet bilaterale dhe mundësinë e thellimit të marrëdhënieve, si dhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, thuhet në kumtesën zyrtare.
Nga delegacioni i Kosovës mësojmë se ata janë të interesuar për thellimin e raporteve bilaterale, afrimin e mëtutjeshëm me Berlinin dhe Bashkimin Evropian, si dhe për shtimin e investimeve gjermane në Kosovë. Shtimi i investimeve do të jetë një prej temave kryesore në takimet, që delegacioni i Kosovës do të ketë ditën e dytë me përfaqësuesit e landit të Baden- Würtenbergut, por edhe me përfaqësues të institucioneve gjermane në Berlin.
Vizita në Berlin menjëherë pas bisedimeve në Bruksel
Takimi në Berlin mbahet menjëherë pas bisedimeve në Bruksel mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, të prira nga kryeministrat Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq. Në këto bisedime janë prekur disa nga çështjet më të rëndësishme për raportet mes Kosovës dhe Serbisë: Asociacioni i komunave me shumicë serbe; çështja e energjetikës; telekomunikacioni dhe i ashtuquajturi “Parku i Paqës”, mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë. Kryeministri Isa Mustafa ka deklarauar se nga vizita në Berlin pret thellimin e raporteve me këtë vend mik. Por pala kosovare do të ketë vështirësi të argumentojë mosthemelimin e Gjykatës Speciale, për krimet e pretenduara të disa pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Pala kosovare është e hendikepuar me këtë vendim”, deklaroi Mustafa për RTK.
Gjermania ka shtuar interesimin për Ballkanin Pertëndimor në disa vitet e fundit. Sinjalet e para shumë të qarta për domosdoshmërinë e zgjidhjes së problemeve në këtë rajon janë dërguar gjatë vizitës së kancelares gjermane Angela Merkel në Beograd, në gusht të vitit 2011. Interesimi i Gjermanisë dhe vendeve perëndimore për Ballkanin është shtuar në veçanti pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë dhe mundësisë që Moska të shtrijë influencën e saj edhe në Ballkan. Vitin e kaluar, me iniciativën e kancelares Merkel është mbajtur edhe konferenca e Berlinit, me krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nesër në Berlin kancelarja pret delegacionin e Kosovës. Ndërsa së shpejti do të vizitojë edhe Shqipërinë, Serbinë e ndoshta edhe Bosnje-Hercegovinën. Gjatë këtyre vizitave Merkel do të ritheksojë domosdoshmërinë e zgjerimit të bashkëpunimit rajonal, si një prej parakushteve për afrimin me Bashkimin Evropian. Por edhe zbatimin e reformave të domosdoshme në këto vende. Serbia shpreson se së shpejti do të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE. Por pikërisht Gjermania është vendi, i cili më së shumti insiston që negociatat me Serbinë të fillojnë me kapitullin 35, i cili nënkupton normalizimin e plotë të raproteve mes Kosovës dhe Serbisë. Pritet që në fund të dialogut, i cili po zhvillohet në Bruksel, të nënshkruhet edhe një marrëveshje, e cila do të rregullonte raportet mes këtyre dy vendeve.