• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TE GJITHA REAGIMET PER KONSENSUSIN E REFORMES NE DREJTESI, NGA MERKEL TEK NISHANI

July 20, 2016 by dgreca

Merkel telefonatë me Lulzim Bashën/

Zyra e Shtypit në PD njofton se kreu i opozitës Lulzim Basha ka zhvilluar një bisedë telefonike me kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila e ka përgëzuar atë për lidershipin e treguar për reformën në drejtësi.

Ky zhvillim vjen pak pasi Basha doli i pari në një deklaratë për mediat, ku njoftoi arritjen e konsensusit për miratimin e reformës.Më pas ishte kryeministri Rama që konfirmoi dakordësinë e palëve.Nesër ndryshimet kushtetuese do të miratohen në Kuvend
Ja deklarata e PD-së:

Kryetari i Partise Demokratike te Shqiperise Lulzim Basha zhvilloi nje bisede telefonike me Kancelaren Federale te Gjermanise Znj. Angela Merkel.

Ne fillim te bisedes zoti Basha e informoi Kancelaren Merkel per arritjen e konsensusit per draftin kushtetues te reformes ne drejtesi.
Zonja Merkel e falenderoi zotin Basha per kontributin e tij dhe lidershipin e treguar ne procesin e arritjes se konsensusit si nje kontribut madhor per Shqiperine dhe shqiptaret.
Kancelarja gjermane shprehu bindjen se zbatimi me sukses i reformes ne drejtesi do te jete nje ogur i mbare per integrimin dhe te ardhmen Europiane te Shqiperise dhe e siguroi zotin Basha per mbeshtetjen e saj te plote dhe te gjithanshme.
Zoti Basha shprehu mirenjohjen e thelle per mbeshtetjen e jashtzakonshme te Kancelares Merkel dhe Gjermanise ndaj Shqiperise, ne sfidat e rrugetimit te saj Europian dhe ne procesin e reformes ne drejtesi dhe e garantoi ate se Partia Demokratike do te vazhdoje te jete promotore e te gjitha proceseve reformuese duke u udhehequr nga  parimet dhe vlerat Europiane.
Beteja e Partise Demokratike ne procesin e reformes ne drejtesi ka qene prej fillimit e deri ne kurorezimin e saj me sukses nje beteje per standartet dhe parimet Europiane dhe Perendimore te demokracise, shtetit ligjor dhe per  te drejtat dhe lirite themelore te njeriut, theksoi zoti Basha.
Ne kete kuader sfida me e madhe qe Shqiperia ka perpara jane zgjedhjet e lira dhe te ndershme, theksoi zoti Basha . Kancelarja Merkel e siguroi kreun e opozites shqiptare per angazhimin dhe ndihmen e saj dhe te Gjermanise per zgjedhje te lira dhe te ndershme.

Eurokomisioneri Hahn përshëndet vendimin e PD/
Pas arritjes së konsensusit për reformën në drejtësi, ka reaguar edhe eurokomisioneri për zgjerimin në BE, Johannes Hahn. Ai ka përshëndetur vendimin e PD për të votuar reformën.“Kjo marrëveshje tregon përgjegjshmëri dhe aftëësi lidershipi për Shqipërinë në rrugn e saj europiane”, shkruan Hahn në faqen e tij në Tëitter. Ende nuk ka reagim nga ambasada amerikane dhe ambasadorja e BE.

Kryeministri Rama konfirmon arritjen e konsensusit për reformën në drejtësi/

Pas kreut të opozitës Lulzim Basha që foli për arritjen e konsensusit për miratimin e reformës në drejtësi, është kryeministri Rama që konfirmon këtë zhvillim të sotëm pas letrës së komisionerit të BE-së, Hahn.

Në konferencën për shtyp Rama tha se me miratimin e reformës së drejtësisë vjen përmbysja e kastës së të korruptuarve në sistemin e drejtësisë.

“Besoj është një moment lehtësimi për të gjithë shqiptarët, të cilët tanimë e kanë marrë lajmin se Partia Demokratike i është nënshtruar vullnetit të hekurt të popullit shqiptar dhe vullnetit të hekurt të partnerëve tanë strategjikë që bashkë me shqiptarët cojnë përpara një reformë historike që i hap rrugë revolucionit në sistemin e drejtësië, për përmbysjen përfundimtare të kastës së të korruptuarve dhe inkriminuarve që mban peng drejtësinë në në këtë vend. Është kënaqësi të ndaj me ju tekstin e mesazhit që unë kryetari i Kuvendit dhe kryetari i opozitës kemi marrë nga BE nëpërmjet komisionerit Hahn.”, u shpreh Rama.

Më tej kryeministri lexoi letrën e komisionerit Johanes Hahn, që iu dërgua atij vetë, kreut të Kuvendit dhe kreut të opozitës. Nishani përgëzon politikanët shqiptarë për konsensusin e reformës në drejtësi/

 Më në fund reagon dhe presidenti Nishani: Përgëzon politikanët shqiptarë për konsensusin e reformës në drejtësi.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i cili për një kohë të gjatë kishte heshtur për zhvillimet politike që lidheshin me reformën në drejtësi, ka reaguar sot pas arritjes së konsensusit.

Përmes një deklarate, Nishani përgëzon palët e angazhuara për konsensusin dhe thotë se ky konsensus është garanci që reforma në drejtësi të arrijë qëllimin e dëshiruar nga qytetarët.

Më poshtë deklarata  presidentit.

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani ka ndjekur me shumë vëmendje dhe orë pas ore situatën dhe zhvillimet më të fundit përsa i përket votimit të pritshëm të ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Shqipërisë, nesër më 21 korrik 2016.

Kreu i Shtetit shqiptar vlerëson dhe përgëzon  të gjithë aktorët dhe faktorët e përfshirë, si dhe klasën politike shqiptare në përgjithësi, mbi konsensusin e arritur përmes kompromisit që ofruan në këtë proces. Ky proces dhe të gjitha përpjekjet e bëra me persistencë treguan rëndësinë e padiskutueshme që reforma në drejtësi ka mbi të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë.

Që t’u shërbejë më së miri interesave të qytetarëve shqiptarë, është thelbësore që kjo reformë të finalizohet me sukses, duke ruajtur standardet më të larta profesionale dhe parimet e shenjta demokratike duke siguruar dhe garantuar së pari dhe mbi të gjitha liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.

Konsensusi dhe kompromisi garantojnë që reforma në drejtësi ose më saktë, ndryshimet kushtetuese do të arrijnë qëllimin aq shumë të dëshiruar e të mirëpritur nga të gjithë qytetarët shqiptarë, si dhe nga partnerët dhe aleatët tanë ndërkombëtarë për një drejtësi vërtet profesionale, efiçente dhe të pavarur.

Presidenti i Republikës, duke pasur parasysh dhe nënvizuar edhe njëherë rëndësinë jetike që përmban reforma në sistemin e drejtësisë jo vetëm për të tashmen dhe të ardhmen e vendit, por edhe për integrimin evropian me meritë të Shqipërisë, i uron punë të mbarë Kuvendit të Shqipërisë ditën e nesërme në votimin e projektit konsensual të arritur.

Edhe Meta përshëndet konsensusin për reformën në drejtësi /

Pas arritjes së konsensusit për reformën në drejtësi ka reaguar edhe kryeparlamentari Ilir Meta.

“Kryetari i Kuvendit, z. Meta pershendet vendimin e PD. Konsensusi është një arritje konsensusi. Mirënjohje Komisionerit Hahn. Reforma në drejtësi është një sukses dhe arritje për të gjithë shqiptarët”, thuet në reagimin e Metës, që erdhi pak pas reagimit të Bashës.

BERISHA: Piramida e re e drejtësisë do të jetë vetëm në duart e shqiptarëve

Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook,dr. sali  Berisha përshëndet rolin udhëheqës të opozitës dhe përcaktues, që sipas tij shpëtoi drejtësinë nga kthetrat e Edi Ramës.

Berisha thotë se pas miratimit të reformës, të gjitha vendim-marrjet për ndërtimin e piramidës së drejtësisë do të jenë ekskluzivisht në duart e shqiptarëve.

Më poshtë reagimi i tij i plotë:

Nje fitore e parimeve te larta te nje drejtesie te pavarur, efikase, transparente, te pergjegjshme!Te dashur miq, sot u finalizuan negociatat per nenin e fundit te reformes se sistemit te drejtesise ne vendin tone!

Me kete rast shpreh krenarine dhe vleresimin tim me te madh per rolin udheheqes dhe percaktues te opozites shqiptare ne teresi dhe PD ne veçanti, e cila me oponencen e saj ne dy projektet qe dergoi ne Komisionin e Venecias dhe projektin qe u perdor per propozimin hibrid, negociata konstruktive te javes se fundit arriti:

– garanitimin e nje projekti reforme qe shpetoi sistemin nga kapja qeveritare, nga kthetrat e njeriut qe donte te behej me cdo kusht kryehetues, kryegjykates, kryeprokuror i vendit, kujtoni vetem projektin e tij per FBI personale te tij, perpjekjet e tjera absurde per te bllokuar per kete shkak reformen ne cdo moment.

– garantimin per qytetaret shqiptare te lirive dhe te drejtave qe gezojne nga Konventa Europiane e te Drejtave te Njeriut dhe Kushtetuta e tyre duke hedhur ne kosh perpjekjet per t’iu mohuar me Kushtetute keto te drejta dhe zhvendosur ata ne hapsira orëelliane apo te te shkuares se tyre te zeze hoxhiste nga Old Mayer-i, Edvin Shullazi.

– garantoi nje proces vleresimi transparent, ligjor, objektiv te bazuar ne meriten dhe integritetin profesional dhe njerezor te prokuroreve dhe gjykatesve tane dhe jo ne opinione, thashetheme dhe marrezira qe deshironte i suksesshmi imagjinar!

– garantoi qe ne te gjithe procesin e ndertimit te piramides se drejtesise vendimmarrja te jete ekskluzivisht si ne çdo vend tjeter sovran ne duart e shqiptarve dhe jo te te huajve, siç iu deklaroi shqiptareve me qindra here Old Mayer-i, Edvin Kristaq Rama.

– garantoi mbeshtetje te çmuar nga miqte dhe partneret nderkombetar ne procesin e Vettingut, gje qe do ta beje me te besueshme dhe me transparent reformen e sistemit te drejtesise, defacto te udhehequr nga opozita, te cilen Edi Rama beri gjithcka qe ta perjashtonte qe ne fillim nga procesi por deshtoi ne menyre spektakolare.

Te dashur miq, le te falenderojme nga zemra te gjithe ata qe bene perfundimin me sukses te ketij projekti qe do votojme neser ne parlament.

Nje falenderim dhe mirenjohje te veçante miqve dhe partnereve tane, mbeshtetja e te cileve ishte e nje rendesie thelbesore ne perfundimin e hartimit te kesaj reforme te bazuar ne parimet e larta te drejtesise se pavarur, eficente, transparente, te pergjegjshme para ligjit.

Filed Under: Komente Tagged With: Berisha, Hahnn, merkel, Nishani, pershendet PD, Te gjitha reagimet

Gjermana do të vazhdojë të përkrah Kosovën

March 15, 2016 by dgreca

Kosovë-Kryeparlamentari Veseli takon kancelaren gjermane Merkel/

 – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në Berlin, në konferencën për antisemitizmin/

PRISHTINË-B.Jashari/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka udhëtuar në Gjermani, për të marrë pjesë në Konferencën ndërkombëtare parlamentare për luftimin e antisemitizmit. Konferenca e organizuar nga Bundestagu gjerman mbahet në Berlin, nga 13 deri 15 mars.
Me këtë rast, kryetari Veseli zhvilloi edhe takime të rëndësishme.Në vazhdën e takimeve me personalitete të larta të jetës politike e institucionale të Gjermanisë, sot në Bundestagun gjerman kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, takoi kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel.

Në emër të Kosovës, kryetari Veseli i shprehu kancelares gjermane mirënjohjen e thellë për ndihmën bujare të popullit gjerman për Kosovën dhe popullin e saj, në kohë dhe rrethana të ndryshme.

 KRYETARI VESELI ZHVILLOI TAKIME ME PËRFAQËSUES POLITIKË NË BUNDESTAGUN GJERMAN

Gjatë zhvillimeve të sotme në konferencën mbi luftën kundër antisemitizmit, e cila po mbahet në Bundestagun gjerman në Berlin, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, pati takime të shumta me përfaqësues politikë të grupeve parlamentare të Bundestagut.
Në këto takime, përveç çështjeve të ngritura në konferencë, u diskutua edhe për marrëdhëniet dypalëshe në mes të Kosovës dhe Gjermanisë, me theks të veçantë, për ato që kanë të bëjnë me legjislativin, roli i të cilit është vendimtar në avancimin e Kosovës në rrugën evropiane.Parlamentarët gjermanë shprehën përkushtimin e tyre dhe shtetit gjerman në mbështetje të Republikës së Kosovës dhe procesit të integrimit euro-atlantik të saj.

 KRYETARI I KUVENDIT TË KOSOVËS, KADRI VESELI U TAKUA ME PRESIDENTIN E BUNDESTAGUT GJERMAN, NOBERT LAMMERT

 Gjatë vizitës në Berlin, me rastin e konferencës ndërkombëtare parlamentare kundër antisemitizmit, sot në Bundestag, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, u takua me Norbert Lammert, President i Bundestagut gjerman.Kryetari Veseli falenderoi homologun gjerman për përkrahjen e vazhdueshme që në të gjitha drejtimet shteti gjerman i kanë dhënë dhe është duke i dhënë Republikës së Kosovës.Nga ana e tij, presidenti i Bundestagut, Lammert, duke shprehur interesimin për zhvillimet në Kosovë, potencoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërparlamentar në mes Bundestagut dhe Kuvendit të Kosovës, sidomos në fushën e reformes legjislative në Kosovë. Mes tjerash, Lammert theksoi se shteti gjerman do të vazhdojë të përkrah Kosovën si në rrafshin e drejtpërdrejtë të marrëdhënieve ndërshtetërore, ashtu edhe në kuadrin e Bashkimit Evropian, sidomos në proceset aktuale që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe proceset tjera integruese.

Në takim me z. Lammert, kryetari Veseli shtroi idenë që një konferencë e tillë si kjo që po mbahet në Berlin mbi luftën kundër antisemitizmit dhe rreziqeve bashëkohore, të organizohet edhe në Kosovë. Kjo ide u mbështet nga presidenti i Bundestagut, cili theksoi se këmbimi i përvojave pozitive në këtë fushë është një instrument i dobishëm në forcimin e vlerave demokratike, paqes mes shoqërive e shteteve.Kryetari Veseli falenderoi homologun gjerman për përkrahjen e vazhdueshme që në të gjitha drejtimet shteti gjerman i kanë dhënë dhe është duke i dhënë Republikës së Kosovës.
Nga ana e tij, presidenti i Bundestagut, Lammert, duke shprehur interesimin për zhvillimet në Kosovë, potencoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërparlamentar në mes Bundestagut dhe Kuvendit të Kosovës, sidomos në fushën e reformes legjislative në Kosovë. Mes tjerash, Lammert theksoi se shteti gjerman do të vazhdojë të përkrah Kosovën si në rrafshin e drejtpërdrejtë të marrëdhënieve ndërshtetërore, ashtu edhe në kuadrin e Bashkimit Evropian, sidomos në proceset aktuale që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe proceset tjera integruese.Në takim me z. Lammert, kryetari Veseli shtroi idenë që një konferencë e tillë si kjo që po mbahet në Berlin mbi luftën kundër antisemitizmit dhe rreziqeve bashëkohore, të organizohet edhe në Kosovë. Kjo ide u mbështet nga presidenti i Bundestagut, cili theksoi se këmbimi i përvojave pozitive në këtë fushë është një instrument i dobishëm në forcimin e vlerave demokratike, paqes mes shoqërive e shteteve./b.j/

Filed Under: Rajon Tagged With: merkel, ne Gjermani, Takimet e Veselit

PYETJA QË NUK I BËRA NË BERNË KANCELARES ANGELA MERKEL

September 8, 2015 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Kryeqytetin e Konfederatës Helvetike e vizitoi të ejten që shkoi Bundeskanzlerin Angela Merkel. Ishte një vizitë e shkurtër por intensive. U prit me të gjitha nderet nga Presidentja e Zvicrës Simonneta Sommaruga dhe tre Këshilltarë Federalë. Në përfundim të vizitës zyrtare e në prag të marrjes së Honoris Causa nga Universiteti i Bernës, që do të pasohej nga fluturimi i menjëhershëm për të diskutuar rreth krizës së refugjatëve me presidentin e Francës François Hollande, Merkel dhe Sommaruga patën një takim me gazetarë. Midis tyre ishim edhe ne nga Voal.

Që kur u paralajmërua vizita dhe morëm programin konfidencial, në vijim të një shkrimi që kam botuar disa ditë më parë, kisha menduar që në takimin me gazetarët, t’i drejtoja edhe unë një pyetje zonjës Merkel. Zakonisht në vizita të tilla,kur koha është shumë e kufizuar protokolli ka fjalën e parë.

Grupi i gazetarëve ishte vendosur në Bernerhof në Leuchtersaal në sallën e caktuar për konferencën për shtyp dhe paraprakisht drejtuesi i i saj, zvkancelieri dhe zëdhënës i Këshillit Federal z.André Simonazzi na tha se mendohet  të ketë rreth katër pyetje, fifty-fifty, gjysma nga pala gjermane dhe gjysma nga pala zvicerane.

Konferenca filloi dhe nga çasti në çast isha gati të kërkoja leje dhe aty për aty vendosa që pyetjen ta transformoja në një kërkesë apo lutje. Por, ndërkohë  katër pyetjet për dy Kancelaret u konsumuan shpejt dhe zoti Simonazzi duke lajmëruar përfundimin e konferencës, na kujtoi se duhet të nxitonim shpejt tek autobusat me drejtim Universitetin e Bernës. Megjithë nxitimin iu afrova z.Simonazzi. Ne kemi bërë shumë aktivitete dhe njihemi. Ishte për Kosovën më pyeti. Ne na identifikojnë përgjithësisht me Kosovën. Jo, i thashë, kësaj here e kisha për Ballkanin Perëndimor dhe ia tregova. Pyetje e mirë më tha. Kisha gabuar unë, nëse do ta kisha konsultuar me zotin Simonazzi më herët, pyetja do të ishte bërë.

Gjatë mbulimit të vizitës së Merkelit në Bernë, edhe një herë vumë re se ky vend i vogël si CH, të mbush me krenari për thjeshtësinë, përpikmërinë, disiplinën dhe funksionimin e shtetit ligjor. Një demokraci e drejtëpërdrejtë që buron nga populli. Natyrisht, tema e refugjatëve është e vështirë, por gjithmonë ekziston vullneti për dialog bilateral e multilateral me BE-në dhe shtetet e saj për zgjidhje me marrëveshje. Paçka se vizita u bë në masa të forta sigurie, gjatë parakalimit zyrtar të dy presidenteve në Münsterplatz, kjo ceremoni ishte e lirë të ndiqej nga kalimtarë, turistë e qytetarë, me të cilët Kancelarja Merkel ndau autografë dhe selfie.

Në pyetjet që iu bënë zonjës Merkel në presskonferencë dhe në auditoriumin kryesor të Universitetit të Bernës ku u nderua me Honoris Causa në fokus ishte kriza e refugjatëve, sidomos pas qendrimeve ekstremiste të Kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orbant, se feja e refugjatëve përbën shqetësim për kristianizmin dhe shoqërinë Perëndimore. Merkel mbajti qendrim të qartë, i përjashtoi frikërat dhe bëri thirrje për humanizëm e solidaritet, ndërkohë që tashmë shumë vende të BE, përfshi të parën Gjermaninë kanë hapur dyert për refugjatët e dërmuar nga qindra e qindra kilometra rrugë në këmbë që shpesh fiksohen nga kamerat dhe fotoaparatet e gazetarëve me pankarta ku lexohet Mother Merkel, Mutter Merkel, Mama Merkel. Një atribut i mrekullushëm për të cilën ata njerëz kanë nevojë. Që t’iu dalë dikush në mbrojtje, që t’iu dalë Europa në Mbrojtje. Dhe Europa sot identifikohet me zonjën Kancelare të Gjermanisë.

Po a është e mundur që Angela Merkel të jetë një Mutter Courage und ihre Kinder – një Nëna Kurajë dhe fëmijët e saj, por jo ashtu si e përshkruan në kryeveprën e tij Bertold Brechti? Që të mos lejojë  t’i sakrifikohen fëmijët nga luftrat dhe krizat. Fëmijë e Angela Merkelit sot është edhe Aylani i vogël.

Nga ana e tij, shtypi e kritikon Angela Merkel si Die ewige Kanzlerin – Kancelare e Përjetëshme, për BE-në thotë se ka mbetur pa para e pa lidërship, ndërsa Anne Applebaum shkon më tutje dhe e konsideron shumështresore hipokrizinë e Europës për refugjatët. Në fakt, preludi i kësaj krize startoi me krizën e refugjatëve nga Ballkani Perëndimor, të cilën BE-ja bëri sikur nuk e vuri re. Nga Ballkani Perëndimor ranë kambanat e para të alarmit. Në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ka Isis, por nuk ka as punë dhe as  perspektive. Në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ka Isis, por ka informalitet, papunësi, korrupsion dhe pak shanse për të jetuar normalisht. Vala e refugjatëve nga Ballkani Perëndimor ishte pasojë e harrimit dhe lënies së këtyre qytetarëve në mëshirën e regjimeve mizerabël, ku pushtetarët jetojnë në luks ndërsa populli në ferrin e mjerimit.

Ballkani Perëndimor, po flas për shqiptarët, ashtu sikur sirianët sot, megjithë zhgënjimin,vazhdojnë ta duan Europën e BE e të kenë besim tek Angela Merkel, por gjithmonë në kontekstin e Aleancës Verio-Atlantike.

Them zhgënjim sepse Ballkani Perëndimor, prej rënies të Murit të Berlinit, priti 25 vjet një Plan Marshall, që nuk iu akordua. Nuk them se përse BE vijon t’i japë miliarda Greqisë, por pyes përse për Ballkanin Perëndimor nuk bëhet asgjë. U bënë dy konferenca, ajo e Berlinit dhe e Vjenës, me temë Ballkani Perëndimor, por pa rezultate. Në kohën midis njërës Konferencë tek tjetra plasi kriza e refugjatëve nga Ballkani Perëndimor. Kjo është e vërteta.

Marie Colbin, një tell-truther trime thoshte se „Misoni i gazetarit është t’ua tregojë të vërtetën pushtetit, të fuqishmëve“, që këta të reagojnë. Marie Colbin e tregoi tragjedinë e fëmijëve sirianë dhe alarmoi gjithë Perëndimin. Por Perëndimi nuk e dëgjoi. Ajo foli e foli deri sa mbeti e vrarë në Homs nga regjimi kriminal i Baschar al-Assad. E prapë Perëndimi nuk reagoi dhe vazhdon ende të mos reagojë.

Pyetja ime, që në fund vendosa ta transformoja në lutje, kishte të bënte pikërisht me situatën tejet të rënduar të Ballkanit Perëndimor. Desha t’i kujtoja zonjës Kancelare Planin Marshall dhe Murin e Berlinit. Amerikanët në 1948 kur akorduan 13 miliardë $ që sot përkthehen në 130 miliardë $ për të shpëtuar Gjermaninë Perëndimore dhe Europën Perëndimore shtrënguan rripin, hëngrën nga një racion mish më pak, duke e patur si idéal sloganin e famshëm „Whatever the weather, we must move together“ – „Sido që të jetë moti, ne duhet të jemi bashkë“. Nëse amerikanët do t’i kërkonin Europës Perëndimore përmbushje standardesh, Stalini do të kishte dalë në bregun lindor të Atlantikut.

Ballkani Perëndimor ka mbetur në mëshirë të fatit dhe mëshirën e regjimeve të korruptuara që e keqqeverisin. BE-ja ka harruar se Ballkani Perëndimor është pjesë e Europës. BE e ka harruar sloganin që ishte edhe kauza e Planit Marshall. BE ka harruar se popujt e këtij rajoni kanë dalë nga pushtime dhe regjime kriminale diktatoriale. BE-ja ka harruar thelbin e vet që është humanizmi. Ballkani Perëndimor ndihet i huaj në shtëpinë e vet, në shtëpinë e përbashkët, që është Europa dhe paçka se Muri i Berlinit ka 26 vjet që është rrëzuar, tani BE-ja ka ngritur një mur të ri midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor duke i trajtuar qeveritë e korruptuara të këtyre vendeve si partnerë, ndërsa popujt e këtyre vendeve si qytetarë të dorës së fundit. Vala e refugjatëve nga Ballkani Perëndimor drejt Gjermanisë tregon se ky rajon vijon të mbetet Fuçi baroti, sepse kriza politike është transformuar në një krizë ekonomike, ndërsa banorët e tij i kanë sytë dhe shpresen tek Perëndimi, tek Gjermania, prandaj ata me fëmijët në krah, i pranojnë kushtet e pamëshirshme të trafikantëve të qënieve njerëzore, mjafton që të arrijnë në Gjermani. Por kjo nuk është zgjidhja që i duhet Ballkanit Perëndimor, ndërkohë kriza e refugjatëve nga Siria, Iraku etj nuk duhet të tërheqë  vemendjen e BE-së nga kriza e Ballkanit Perëndimor, e cila kërkon zgjidhje.

Prandaj, në presskonferencën në Bernë, do t’i perifrazoja kancelares Merkel lutjen që presidenti Ronald Reagan në Berlinin e ndarë e përpara Brandenburger Tor – Portës së Brandenburgut do ta drejtonte për Gorbaçovin, sado absurde që të duket, me një ndryshim, se unë besoj tek ajo: „Tear down this wall Madam Bundeskanzlerin“ – Shëmbe këtë Mur fantazëm midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Dhe me Ballkanin Perëndimor veproni ashtu si veproi Gjermania Perëndimore me ish-DDR pas rrëzimit të Murit të Berlinit. Duke u unifikuar!

Veç shpejt, mjaft u vonuat, që të mos jetë nesër vonë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, merkel, NË BERNË, PYETJA, QË NUK I BËRA

Presidenti Nishani priti Kancelaren gjermane, Angela Merkel

July 8, 2015 by dgreca

Tirane,8 korrik 2015-Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti në një takim Kancelaren e Republikës Federale të Gjermanisë, Sh.S.Znj. Angela Merkel, e cila ndodhet në Shqipëri në një vizitë zyrtare në kuadrin e një turi diplomatik në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen dhe falënderimet në emër të qytetarëve shqiptarë për vëmendjen e mbështetjen që Kancelarja Merkel dhe Gjermania në tërësi po i japin vendit tonë si dhe për kontributin e madh ndër vite që institucionet dhe populli gjerman kanë dhënë për zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin e institucioneve demokratike në Shqipëri. Duke theksuar se sot është një ditë historike për marrëdhëniet mes dy vendeve, Kreu i Shtetit u shpreh se: “Kjo vizitë përbën një mesazh i rëndësishëm inkurajues për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë, të cilët shohin tek Gjermania një vend simbol të punës, dinjitetit dhe prosperitetit”.
Nga ana e saj, Kancelarja gjermane u shpreh se: “Jam tejet e impresionuar nga përparimi i bërë nga Shqipëria pas viteve 1990-të, duke ditur dhe kuptuar vështirësitë historike nga jeni nisur dhe çka keni arritur deri më sot”.
Presidenti Nishani e garantoi Kancelaren Merkel se Shqipëria është e vendosur të vijojë me rrugën e reformave për konsolidimin e institucioneve demokratike që do të çojnë vendin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se: “Integrimi evropian mbetet alternativa e vetme për Shqipërinë dhe shqiptarët.”
Presidenti i Republikës theksoi se ndërtimi i institucioneve efikase dhe kultura demokratike janë dy sfidat madhore të vendit, dhe në këtë kontekst kërkoi vijimin e mbështetjes gjermane. Gjithashtu Presidenti siguroi se ndër 5 prioritetet e integrimit evropian, përparësi të veçantë merr reforma në drejtësi, duke e garantuar Kancelaren për angazhimin e tij maksimal në çuarjen e kësaj reforme përpara.
Kancelarja Merkel vuri në dukje se përkundër pretendimeve për një lodhje evropiane ndaj zgjerimit, ajo çfarë e shpejton procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, dhe vendeve të tjera janë reformat e thella e të suksesshme. Zonja Merkel veçoi reformën në drejtësi si çelësin e këtij suksesi, për të cilën Gjermania do të vazhdojë të japë ndihmën maksimale.
Zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve ekonomike, dhe veçanërisht rritja e investimeve direkte gjermane, ishte një prej temave të tjera të diskutuara mes Presidentit Nishani dhe Kancelares Merkel. Presidenti Nishani e garantoi Kancelaren Merkel se: “Investitorët gjermanë do të gjejnë tek Kryetari i Shtetit shqiptar një zë të fuqishëm dhe mbështetës”, duke shpresuar që kjo të ndodhë sa më parë.
Kancelarja Merkel vuri në dukje se ka mundësi dhe shanse për bashkëpunim më të mirë në fushën ekonomike, duke parë tek Shqipëria potencialin për një të ardhme të shkëlqyer përpara.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe bashkëpunimit rajonal, për të cilën Kancelarja Merkel përshëndeti zhvillimet pozitive dhe frymën e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit. Duke shprehur vullnetin e Gjermanisë për ta ndihmuar rajonin në realizimin e projekteve rajonale zonja Merkel veçoi projektin e shkëmbimeve mes të rinjve, sipas modelit franko-gjerman. Presidenti Nishani e garantoi Kancelaren Merkel se Shqipëria beson tek fqinjësia e mirë, paqja, stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit dhe se konsideron që vendet tona kanë një shans historik për të bashkëpunuar me vullnet të mirë.
Kreu i Shtetit u shpreh se procesi i nisur një vit më parë në Berlin, me nismën e Kancelares e që do të vijojë këtë vit në Austri, i ka dhënë një vizion dhe optimizëm të ri bashkëpunimit rajonal, duke prodhuar një komunikim, bashkërendim dhe koordinim më të mirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Një temë tjetër me interes ishte dhe çështja e azilkërkuesve, për të cilën Kancelarja gjermane theksoi se duhet të bëhet më shumë punë për përmirësimin e kushteve ekonomike të njerëzve në vendin e tyre, dhe se shqiptarët sot janë qytetarë të një vendi kandidat për në Bashkimin Evropian, dhe si të tillë kërkesat për azil përbëjnë një shqetësim.

Filed Under: Kronike Tagged With: merkel, Presidennti Nishani, priti kancelaren

VEÇOJMË NGA VIZITA E KANCELARES MERKEL NË TIRANË

July 8, 2015 by dgreca

*Angela Merkel: Ju mbështesim në rrugën drejt BE-së/
*Kryeministri Rama: Europa ka nevoje per Ballkanin Perendimor/
Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës së përbashkët me znj. Angela Merkel, tha se kancelarja gjermane e kupton vështirësinë dhe përpjekjen e Shqipërisë “në rrugën drejt një demokracie europiane”. Rama e falenderoi kancelaren Merkel në emër të të gjithë shqiptarëve për mbështetjen ndaj vendit në aspiratën për integrim në BE./
Fillimisht në fjalën e tij, Rama i ka shprehur mirënjohjen e tij kancelares Merkel për “dorështrëngimin e Shqipërisë dhe Gjermanisë”, që nënkupton, sipas tij, vëmendjen e Berlinit ndaj rajonit për çështje shumë të gjera.
“Kjo vizitë është një fakt kuptimplotë i bashkëpunimit dhe vullnetit për të forcuar partneritetin mes nesh. Zonja kancelare, ju falenderoj për mbështetjen tuaj për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe integrimin e saj”, ka thënë Rama.
Ai ka vlerësuar se “konferenca e Berlinit përshpejtoi një proces bashkëpunimi në një rajon që ka qenë peng i së shkuarës” dhe një vit prej andej është arritur një progres i pamenduar më parë, që kulmoi me vizitat e kryeministrave në Beograd dhe Tiranë.
“Ne jemi të vendosur të ecim përpara me fqinjin tonë serb, duke përforcuar marrëdhëniet me të”, ka thënë Rama, i cili sa i takon integrimit të rajonit në BE ka thënë: “Ballkani ka nevojë për Europën po aq sa Europa ka nevojë për Ballkanin. Ne synojnë të gjithë aderimin në BE, por edhe Europa duhet të bëjë pjesën e saj, duke mos e trajtuar integrimin tonë si një biznes”.
“Ne nuk kërkojmë lehtësime apo shkurtime të kushteve nga Brukseli dhe ato që po bëjmë për integrimin po i bëjmë jo sepse na i kërkon Brukseli, por sepse i kërkon vetë shoqëria shqiptare”, ka përfunduar Rama.
Nga ana e saj, kancelarja Merkel ka shprehur “kënaqësinë e madhe” të saj që mbajti premtimin për të ardhur në Tiranë. Ajo ka theksuar se, kjo vizitë duhet të shërbejë si shtysë për të forcuar partneritetin ekonomik mes dy vendeve.
“Shqipëria ka bërë një progres mjaft të madh. Kemi mundesi më të mëdha për të arritur nivele të tjera në bashkëpunimin ekonomik. Bashkëpunimi ekonomik është një aspekt që shënon një pikë të rëndësishme në rrugën tuaj drejt BE-së”, ka thënë Merkel.
Përmes bashkëpunimit, ka nënvizuar kancelarja, Shqipëria ka mundësinë të përfitojë nga ekspertizat më të mira për reformën në drejtësi, luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Një tjetër pikë ku është fokusuar ajo ka qenë edhe bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit, aspekt në të cilin, sipas saj, është bërë progres me vizitën e kryeministrit Vuçiç në Tiranë dhe atë të kryeministrit Rama në Beograd.
Më pas, përballë pyetjeve të mediave sa i takon procesit të integrimit dhe afateve të mundshme të tij, kancelarja dhe kryeministri shqiptar kanë dhënë këto përgjigje: “Nuk po përcaktojmë afate të qarta në procesin e integrimit, ajo ku jemi fokusuar është kryerja e reformave. Në reformën në drejtësi janë bërë progrese, por nuk është realizuar tërësisht. KE i kushton rëndësi të plotë kësaj. Ne e duam anëtarësimin e vendit tuaj, por është një proces që merr vlerësimet gradualisht”.
“Në fund të vjeshtës së këtij viti do t’i plotësojmë të gjitha kushtet, përfshirë paketën për reformën në drejtësi. Integrimi është një proces që në radhë të parë vlerën e ka këtu dhe për ne. Ato që bëjmë janë detyra që i vlejnë modernizimit të shtetit. Kur të kemi plotësuar këto kushte, unë jam i bindur se kancelarja Merkel do të jetë e para që do të na mbështesë”, ka thënë Rama.

Merkel:JO AZIL NGA SHQIPERIA, Kërkojmë fuqi punëtore të kualifikuar

Në lidhje me çështjen e azilantëve, kryeministri Edi Rama nënvizoi edhe një herë tjetër se “shqiptarët nuk kanë të drejtë azili në BE”, por nga ana tjetër tha se ky është një problem social që mund të lehtësohet me ndihmën e BE-së.
“Shqiptarët nuk kanë të drejtë azili në BE, por kjo çështje duhet parë jo vetëm si çështje sigurie, por si një problem social që lehtësohet përmes mbështetjes ekonomike të BE-së ndaj vendit tonë”, tha Rama.
Ndërsa kancelarja Merkel tha se “Shqipëria nuk është një vend prej të cilit azilkërkuesit do të njihen si azilantë”. “Por bën pjesë tek ato vende që mund të ofrojnë fuqi punëtore të kualifikuar”, shtoi ajo.

Merkel dhe Rama fjalim nëforumin ekonomik Shqipëri- Gjermani
“Bashkëpunimi ekonomik, baza e partneritetit”/
Kancelarja gjermane, Angela Merkel e përmbylli vizitën e saj në vendin tonë me pjesëmarrjen në forumin ekonomik Shqipëri- Gjermani, të organizuar në Vorë, pranë aeroportit të Rinasit.
Edhe këtu kancelarja gjermane i tregoi Shqipërisë, e cila tashmë e ka marrë statusin e vendit kandidat për në BE, që nuk ka pse të dërgojë emigrantë jashtë vendit, pasi Gjermania ka kërkesa për fuqi punëtore dhe Shqipëria i ka këto kapacitete të punonjësve të kualifikuar.
“Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat për në BE dhe këtë e merr një vend që ka krijuar kushtet bazë për t’u anëtarësuar dhe Shqipëria nuk ka pse dërgon emigrante jashtë vendit. Gjermania ka kërkesa për fuqi punetore dhe Shqipëria i ka këto kapacitete të punonjësve të kualifikuar. Unë dëshiroj t’ju inkurajoj në formimin profesional, pasi do të krijonte mundësine që të rinjtë të jenë të suksesshëm në fusha të caktura. Ne në Gjermani mund të mbështesim kualifikimin profesional të punonjësëve, si infermiere apo ekuivalentimit të diplomave”-tha Merkel.
Në fjalën e mbajtur në “Tirana Business Park” , Merkel vlerësoi shumë të rëndësishme marredhëniet ekonomike mes Shqipërisë e Gjermanisë.
“Është kënaqësi që shoh në këtë takim personalitete të shquara të biznesit gjerman. Kemi folur se çfarë mund të bejë politika dhe sipërmarrësit për intensifikimin e marredhënieve mes dy vendeve dhe ekonomia gjermane është e gatshme të investojë në Shqipëri kur ka garanci ligjore. Hapësirat e bashkëpunimit janë të mëdha në energji dhe në shumë fusha dhe ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë”- u shpreh ajo.
Nga ana e tij kryeministri Edi Rama duke i konsideruar si mjaft të rëndësishme investimet gjermane në vendin tonë, i shprehu mirënjohjen familjes Linder, e cila ka investuar 1200 milionë euro në vendin tonë.
“Kjo është një ditë e shënuar për raportet me Gjermaninë. I jemi shumë mirënjohës familjes ‘Linder’, jo vetëm sepse ka vendosur të investojë 100 milionë euro në vendin tonë, por sepse përmes këtij investimi po sjell një copëz Gjermanie në zemër të Shqipërisë. Po sjell një sipërrje të lirë si kontirubut ekonomik, social, urban. Një urë veprimi ku nuk do të qarkullojnë vetëm para, por edhe ide dhe kulturë baskëpunimi”-tha Rama.
Duke iu referuar, ‘Tirana Busines Park’, Kryeministri Rama theksoi se, “këtu parashikohet të punësohen deri në përfundim të investimit rreth 10 mijë vetë.
Por e rëndësishme është edhe fakti se sipërmarrja gjermane promovon biznesin në marrëdhëniet me ligjin dhe shtetin. Vendi ynë ka nevojë për para dhe punësim real, ndaj dhe sipërmarrja gjermane do të promovojë një kulturë të re pune në vendin tone”, tha Rama, i cili shtoi se me Gjermaninë diferencohemi jo vetëm me të ardhurat për frymë por edhe në dije.
Gjithashtu kryeministri solli shembullin e burimeve ujore dhe shfrytëzimin e tyre, që pavarësisht parasë së donatorëve vendi ynë vuan furnizimin me ujë dhe energji , edhe pse është vendi dytë më i pasur në Europë pas Norvegjisë.
Kryeministri Rama theksoi gjithashtu se donatrët kanë investuar edhe në rritjen e kapaciteteve.
“Donatori KFW nuk ka investuar vetëm në infrastukturë, por edhe në rritjen e kapaciteteve njerëzore përmes përcjelljes së dijes tek shqiptarët mbi sistemin e dijes dhe administrimin e dijes. Pra është një ndihmë që krijon sistem dhe sjell një kulturë të re menaxhimi”, tha Rama.
Kreu i qeverisë nënvizoi se, “Jemi në luftë me imazhin dekurajues që është krijuar për vendin tonë ndër vite të tëra dhe me korrupsionin në drejtësi që është një kancer.

Filed Under: Kronike Tagged With: merkel, ne Tirane, NGA VIZITA E KANCELARES, VEÇOJMË

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqipëtarët me besim të pakufishëm se Amerika se do të jetë miku ynë i përjetshëm
  • Eugene Pittard dhe kontributi i tij nё zbulimin e periudhёs sё Neolitit (7000-4500 p.Kr) nё Shqipёri
  • Argjentina një ëndërr e jetuar
  • “Kisha mesjetare e Shën Aleksandrit në Bokion (Pruell-Spiten): Historia dhe arkitektura”
  • 4 Korriku – Meteor i Demokracisë Botërore dhe Dritë Udhërrëfyese për Lirinë e Popujve
  • FEDERATA VATRA: AMERIKË, GËZUAR 4 KORRIKUN, 249 VJETORIN E PAVARËSISË
  • 10 arsye përse ne shqiptarët duhet të duam SHBA-në pa kushte
  • Jehona e Deklaratës së 4 Korrikut të vitit 1776 në SHBA dhe Shqipëria
  • Sotir Kolea, 4 shtator 1872 – 3 korrik 1945
  • Bajroni dhe dy këngë të Folklorit Shqiptar
  • Aty, ku fjala, kënga, vallja, lutjet, gëzimi e hidhërimi bëheshin vetëm shqip!
  • 7 Fakte Tronditëse Ujë me Akull ose me Temperaturë dhome
  • SHKOLLA VERORE SHQIPE NE KROACI, SELCE 2025
  • Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë Dr. Atdhe Hetemi priti në takim Dr. Elmi Berishën, kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA
  • Mësuesit e Shkollës Shqipe në Bavari

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT