NGA FRANK SHKRELI/ Kongresisti dhe miku i madh i shqiptarëve, njëri prej mbështetevse më të dalluar në Kongresin amerikan të të drejtave të shqiptarëve kudo, Eliot Engel, i dha fund karierës së tij politike në Washington, si anëtar i Kongresit dhe Kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqsuesve për Punët e Jashtme, pas 32 vjetësh në Kongresisn e Shteteve të Bashkuara, i votuar për 16 mandate nga votuesit në zonën elektorale numër 16 në New York , për herë të parë në moshën 41 vjeçare.
Në fjalimin e tij lamtumirës që e mbajti në Kongres me 17 dhjetor, Eliot Engel tha se ishte tepër i nderuar që ka shërbyer si anëtar dhe veçanërisht, vitet e fundit, si kryetar i Komisionit të Jashtëm të Kongresit. Ai, në fjalën e tij, rrëfeu se kur e kishte filluar karieren e tij në Kongresin amerikan, në vitin 1989, Kryetari i atëhershëm i Kongresit, Tom Foley, i kishte kërkuar që të jepte tri preferencat e tij se në cilin komision të Kongresist do të dëshironte të shërbente. Ai tha se përgjiga e tij kishte qenë se dëshironte vetëm të shërbente në Komisionin e Jashtëm të Kongresit, me shpresë se, eventualisht, do të caktohej anëtar i këtij komisioni.
Ai tha se qysh në rini kishte zhvilluar një interesim për çështje ndërkombëtare, kryesisht për arsye të origjinës së tij. Ai tregoi se gjyshërit dhe gjyshet e tij ishin imigrantë nga Ukraina, të cilët kishin emigruar në Amerikë për të shpëtuar jetët e tyre dhe të familjes, përndryshe me siguri do të ishin zhdukur në holokaustin e Luftës së Dytë Botërore.
“Amerika ka qenë dhe është një strehim për njerëzit e vuajtur”, theksoi Engel.
Ai kujtoi vitet e fëmijërisë dhe ditët studentore në periudhën e Luftës së Ftohtë, kur mësonte për Amerikën, si një fener i lirisë dhe demokracisë në botë, për të luftuar dhe për të kundërshtuar regjimIn dhe ideologjinë komuniste shtypëse. Por, bindjet e tij u formuan gjatë viteve të rinisë së tij nga babai i tij, një antikomunist i përbindur.
Engel tha se ka besuar dhe beson se Amerika mundet dhe duhet të jetë një forcë për të mirën në botë dhe se beson bindshëm në vlerat amerikane që mbështesin të drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerëzor, kudo në botë.
Ishin këto vlera dhe bindje që në vitin 1989 e bënë kongresistin e ardhshëm që të interesohej për të drejtat dhe vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi.
Në fjalimin e tij lamtumirës në Kongres, Zoti Engel përmendi shumë nga arritjet dhe sukseset në karierën e tij 32-vjeçare në fushën e politikës së brendshme dhe të politikës së jashtme, duke e filluar listën e gjatë me interesimin dhe veprimtarinë e tij për çeshtjen e Kosovës, si një prej çështjeve ndërkombëtare, për të cilën qysh prej fillimit mendonte të luante një rol “për të ndryshuar gjendjen” për të mirë atje, siç u shpreh ai.
Në fjalimin e tij, z. Engel e përmendi mikun e tij prej dekadash dhe aktivistin e dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan, z. Harry Bajraktari, njeriun që e kishte njoftuar për gjendjen e rëndë në Kosovë, në atë kohë, njeriun që e njohu me komunitetin shqiptaro-amerikan, komunitet ky që do t’i qëndronte pranë dhe do ta mbështeste deri në ditën e fundit të karierës së tij.
Kongresisti Engel ishte dhe vazhdon të jetë ndër ata politikanë amerikanë që beson se Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të jenë në krye të përpjekjeve në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në botë.
“Unë gjithmonë e kam pasur një vend të veçantë në zemrën time për Ballkanin, në veçanti për Kosovën”, nënvijoi z. Engel, në fjalimin e tij lamtumirës, në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.
“Në vitin 1999, unë e kam mbështetur fuqimisht ndërhyrjen e Administratës së Presidentit Klinton në Ballkan, ndërhyrje që tashmë e dimë se ka parandaluar një gjenocid të vërtetë. Që atëherë, unë kam vazhduar të jem një kampion i sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës. Ai vend ka bërë hapa të jashtëzakonshëm përpara dhe tani Kosova njihet nga Shtetet e Bashkuara, Anglia, Franca, Gjermania, Japonia dhe shumë kombe të tjera të rëndësishme”, tha Z. Engel në fjalimin e tij lamtumirës.
- Engel i tha gazetës “The Washington Post“ se angazhimi i tij për Kosovën ishte angazhim “kundër një gjenocidi që po ndodhte në zemër të Evropës”.
Në qoftë se më lejohet një shënim personal me këtë rast, pasi kam pasur nderin dhe privilegjin ta njihja nga afër, por edhe të punoja me z. Engel dhe me stafin e tij, sidomos gjatë kohës që kam shërbyer si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Unë e kam njohur Z. Engel si njërin prej antarëve më të vendosur dhe më parimorë të Kongresit amerikan kur vinte puna tek Kosova dhe çështjet shqiptare në përgjithësi.
E kam thënë edhe herë të tjera se është e vërtetë se, sidomos gjatë 50 vjetëve të fundit, shqiptarët kanë pasur edhe mbështetës të tjerë të njohur të politikës amerikane, nga të dyja partitë kryesore – republikanë e demokratë – nga presidentë e senatorë e deri tek kongresmenë, kontributin e të cilëve për të drejtat e shqiptarëve, kur shqiptarët ishin në një prej orëve më të zeza të historisë së tyre, unë dhe të tjerë, jemi përpjekur ta vemë në dukje, nga koha në kohë. Por, mund të them me bindje të plotë se, asnjë politikan amerikan tjetër, me gjithë qëllimet e mira dhe punën e tyre të mirë që kanë bërë për shqiptarët ndër vite, nuk ishte si Kongresmeni Eliot Engel, i cili e ka trajtuar çështjen shqiptare me seriozitetin më të madh – si një kauzë të tij morale, politike, kombëtare dhe ndërkombëtare, si çështje të lirive dhe të drejtave themelore dhe të dinjitetit njerëzor.
Thonë se mënyra më e mirë që ta njohësh dikë është të udhëtosh me të. Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA/NAAC), gjatë mandatit tim, kishte vendosur që së bashku me zyrën e Kongresistit Eliot Engel të bënte një turne në trojet shqiptare, për t’u njohur më mirë me problemet e shqiptarëve në trojet e veta. Vizita, e vetmja e këtij lloji për të cilën gazeta Illyria e Nju Jorkut, (shiko foton më poshtë) pat botuar një kronikë të gjatë me foto nga takimet e shumta të delegacionit të (KKSHA) dhe Kongresistit Eliot Engel me udhëheqësit shqiptarë, i pat bërë një jehonë shumë pozitive në Shqipëri, në Kosovë dhe në Mal të Zi, nga data 2 deri më 10 korrik 2005. Në atë kohë, Kongresisti Engel e kryesonte grupin e interesave shqiptare në Kongres (Albanian Caucus) me anëtarë demokratë dhe republikanë. Duke u këthyer nga vizita që bëmë në trojet shqiptare, ndodhi që, në në fund të vizitës, në Aeroplan në rrugë për në Nju Jork të isha vetëm unë me Zotin Engel dhe me djalin e tij, ashtu që pata mundësi të bisedoja gjerë e gjatë për hallet tona, në një atmosferë më të relaksuar dhe joformale. Më kujtohet se me atë rast më ofroi ndihmën e tij të pakursyer, sidomos për marrëdhëniet e KKSHA-s me Kongresin, duke më thënë se zyra e tij ishte e hapur për mua, si drejtor i NAAC-ut, dhe se stafi i tij në Washington dhe në Nju Jork do ishin gjithmonë në dispozicionin tim, kurdo që të kisha nevojën e tyre, si organizatë dhe si komunitet.
Fatkeqësisht, me largimin e kongresiststit Eliot Engel nga Kongresi, interesat dhe çështjet shqiptare në Kongresin amerikan mbeten pa përfaqësues të nivelit dhe të interesimit siç ishte Eliot Engel për 32 vjet. Me largimin e z. Engel nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara humbin shumë Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët në përgjithësi, jo vetëm sepse ai i njihte mirë punët e Ballkanit, por sepse kishte vërtet një përafërsi me shqiptarët dhe një përkushtim të madh ndaj të drejtave të mohuara të shqiptarëve gjatë dekadave. Mungesa e tij në Kongres, shtron nevojën urgjente për një ndërmarrje të re të komunitetit shqiptarm si edhe të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, që të bëjnë një shqyrtim serioz të boshllëkut të madh që ka lenë largimi i zotit Engel nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara, një boshllëk që mund të ketë pasoja serioze për situatën e përgjithshme në Ballkan dhe për marrëdhëniet deri tani të ngushta midis Shteteve të Bashkuara dhe dy shteteve shqiptare.
Thank You, Congressman Engel, për gjithë ndihmën që keni dhënë dhe për kujdesin që keni treguar për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe për shqiptarët në përgjithësi, gjatë tri dekadave të kaluara!
Falënderime dhe mirënjohje përgjithmonë, z. Engel, për miqësinë dhe për mbështetjen tuaj historike për të drejtat e Kombit shqiptar anembanë trojeve të veta shekullore!
Falënderimet tona të përjetëshme dhe mirënjohja jonë e përgjithmonëshm për Ju, z. Engel!
Faqja e parë e Gazetës Illyria 19-21 Korrik, 2005
Kronika e Gazetës Illyria 19-21 Korrik, 2005 për vizitën e delegacjonit të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA/NAAC) dhe Kongresistit Eliot Engel
Eliot Engel ne pritje te Ibrahim Rugova, 2005
Eliot Engel në Kuvendin e Kosovës, 2005
Eliot Engel në takim me Sali Berishën, 2005