• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOMUNITETI SHQIPTAR DHE VATRA DO TË PËRKUJTOJNË MITHAT FRASHËRIN NË PËRVJETORIN E LINDJES

March 17, 2018 by dgreca

-Ditën e Shtunë, 24 Mars 2018, Ora 11.00, do të vendosen lule pranë varrit të Mithat Frashërit që ndodhet në  Ferncliff Cemetery, ne Westchester County, New York. Ftohen bashkatdhetarët të bëhen pjesë e këtij takimi përkujtimor-/1 mitatMithat Frashëri mbetet një ndër ikonat e Shqiptarizmit dhe një model i papërsëritshëm i intelektualit që jetën ia kushtoi Kombit të vet. Është kjo arsyeja që shqiptarët e Amerikës e nderojnë shërbestarin e Kombit në cdo përvjetor të lindjes apo të ditëvdekjes.

Edhe këtë herë Komuniteti Shqiptar në NY-NJ do ta përkujtoi Mithat Frashërin në Përvjetorin e Lindjes, 138 vjetorin e Lindjes së tij. Mithat Frashëri lindi në Janinë me 25 Mars 1880 dhe mbylli sytë në Nju Jork me 2 tetor 1949.

Federata Vatra I bashkohet këtij takimi përkujtimor, pasi e ndjenë detyrim që ta respektojë Mithat Frashërinë  jo vetëm pse ai ishte etalon i atdhetarit, intelektualit, publicistit, diplomatit, historianit, por edhe për faktin se Mithat Frashëri ishte një ndër kandidatët për të drejtuar Vatrën, së dyti ai ishte një ndër ambasadorët e emëruar dhe paguar nga Vatra, së treti ai ishte i dërguari i Qeverisë së Sulejman Delvinës pranë Vatrës për të organizuar Huanë Kombëtare me 1921, Huaja që i dha shtetit shqiptar 198 mijë Dollarë dhe e shpëtoi nga kriza financiare.

Organizatorët ftojnë bashkatdhetarët që të Shtunën me 24 Mars 2018, në orën 11.00 të bëhen pjesë të takimit përkujtimor pranë varrit të Mithat Frashërit, që ndodhet në  Ferncliff Cemetery, ne Westchester County, New York.

Adresa: 280 Secor Rd, Hartsdale, NY 10530

Filed Under: Opinion Tagged With: Komuniteti, Mit'hat Frasheri, perkujtim, Vatra

LURE’49-MISIONI I MADH I PRERË NË MES

September 15, 2017 by dgreca

KUVENDI I LURËS i  28 GUSHTIT 1943, MISIONI  I  MADH I PRERË NË  MES/1 Mithati Abazi Ne Foto: MIT’HAT FRASHËRI  DHE  ABAZ KUPI  –  Londër 1949/

Shkruan:Eugen SHEHU/

eugen_shehu[1] Pas firmosjes nga ana e nacionalistëve shqiptarë dhe nacionalçlirimtarëve,të marrveshjes së Mukjes,si edhe krijimit të komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë me atributet e një qeverie provizore,u duk se fatet e shqiptarëve do të ridhnin ndryshe.Vërtet se Shqipëria ishte futur pa dashur në vorbullën e luftërave,por në Mukje u parapa se fryma e mirëkuptimit dhe vëllezërisë do t’a çonte vendin drejt një të ardhmje të sigurtë.Pikërisht me këtë meszh të madh,burrat e shquar të kombit tonë,Mid’hat Frashëri,Abaz Kupi,Hasan Dosti,Ali Bej Këlcyra etj,iu drejtuan trevave të Veriut të shtetit amë,duke u kumtuar bashkimin e madh,për çlirimin e kombit dhe atdheut,sa më parë.

Lajmi i rënies së Musolinit,u përcoll me përqafime e këngë patriotike qysh në Mukje,por kjo s’do të thoshte se lufta kish mbaruar.Forcat italiane zotëronin qytetet më të mëdha të Shqipërisë dhe qëndrimi i mëvonshëm i tyre do të varej prej Romës.Ndërkaq,që në ditët e para të gushtit 1943,komanda gjermane e Beogradit,pat dërguar disa reparte speciale të saj,në fushat e Aviacionit të Tiranës,Shkodrës,Shijakut,Kuçovës,Berat e Vlorës.Zënia e menjëhershme e këtyre fushave dhe masat e larta të sigurimit,parakuptonin ofensivën e shpejtë gjermane në shtetin amë shqiptar.Për RAIHUN E TRETË ngushtia detare e otrantos kishte një rëndësi të jashtzakonshme.Përmes kësaj ngushtice detare,mund të depërtonin në Ballkan,focat Aleate me ç’rast mund të goditnin në shpinë ato gjermane.Pikërisht për këtë shkak thjesht gjeografik,fati i shqiptarëve do të përkundej ende në dallgë detesh.Midis kapitullimit të ushtrisë italiane,ardhjes së ushtrisë gjermane si edhe rritjes së hovit të aradhave nacionalçlirimtare me ndihmat e mdhaja serbosllave,nacionalistët shqiptarë ngarendën të thërrasin bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje,krahine dhe ideje,për mos t’a lënë atdheun e tyre si plaçkë lufte në duart e të huajve por të përpiqeshin e luftonin për indipendencën e trojeve etnike.Në të njejtën kohë,inkursioni i nacionalistëve shqiptarë drejt trevave veriore në gushtin e vitit 1943,lidhej padyshim me vendimin e marrë në mukje për vetvendosjen e Kosovës. Nëse në vitin 1943,midis shtetit amë,Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare realisht nuk egzistonin kufij,shtrirja e frymës së Mukjes edhe në këto treva,do të krijonte premisa më të lehta,për ardhmërinë etnike të shqiptarëve.Kërkesa e natyrshme e nacionalistëve shqiptarë që viset e Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare,t’i bashkangjiten shtetit amë i shkonte për shtat parimeve të lirisë së kombeve,të shprehura në kartën e Helsinkit,apo dokumentet të tjera të bashkësisë ndërkombëtare.

Por ndërsa burrat atdhetarë të Shqipërisë,shkonin nëpër malet veriorë të Shqipërisë,për të lidhur besën që të luftohej si kundër okupimit të shkuar edhe kundër serbosllavëve,në kampin komunist shqiptar,ngjarjet vraponin në kahje tjetër.Me të mësuar mbi vendimet e marra në Mukje,udhëheqësia e lartë e beogradit shoven,reagun menjëherë me ashpërsinë e tyre,sidomos ndaj emisarëve të tyre ushtarak në Shqipëri.Me dhjetra telegrame e dokumente të tjera,rrëfejnë zemërimin e beogradit dhe kërkesat e tyre për të përmbysur gjendjen e krijuar.Është kjo aryseja që në mesin e muajt gusht,Miladin Popoviqi,nga shatbi i përgjithshëm nacionalçlirimtarëve, i raporton pos të tjerave beogradit se ;”Kemi biseduar me shokët kryesorë të Komitetit Qendror të PKSH dhe studiuar çështjen,situatën dhe atëherë vendosëm që të nxjerrim një trakt ku të shpreheshim që të mos njihej mënyra e organizimit të komitetit për Shpëtimin  e Shqipërisë dhe as funksionimi i tij si instanca më të larta në luftën nacionalçlirimtare”. ( V.Dedijer. ”Marëdhëniet shqiptaro jugosllave” – Beograd 1949 ).

Pra komunistët jugosllav me mision në Shqipëri në muajin gusht 1943,u hodhën në sulm për të prishur samëparë marrveshjen e mukjes,me ç’rast do ta kishin më të lehtë,në të pastajmen, problemin e Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare.Vukmanoviç Tempoja ish-anëtar i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë NCJ dhe i dërguar i Titos në Shqipëri,u lidh më 10-15 gusht menjëherë me E.Hoxhën e M.Shehun dhe duke patur si mbështetës të parë të tij,Koci Xoxen,thirri një mbledhje urgjente të klikës komuniste shqiptare,në fshatin Kucakë të Korçës.Në takimin e Kucakës,Tempoja,i cili sapo kthehej nga takimet me komunistët grek,nuk mungoi të shfaqte idenë e një konference ballkanike,me çrast problemi i Kosovës nuk mund të konsiderohej preokupim i forcave politike shqiptare.Gjithashtu,ai nuk harroi të kritikojë qëndrimin “e butë” të Partisë Komuniste ndaj Ballit Kombëtar.Ndërsa për antarët e delegacionit nacionalçlirimtar në Mukje,haptaz tha të shihej jo vetëm qëndrimi por edhe goditja si “tradhëtar” të frymës komuniste.Veçanërisht në Kucake,u denua veprimtaria antibolshevike e Mustafa Gjinishit dhe Ymer Dishnicës,të cilët sipas procesverbalit të kësaj mbledhjeje,kishin rënë  këmbë e kokë “në pozitat e Ballit Kombëtar”.Në Kucake jo pa qëllim nuk ishin thirrur as Abaz Kupi,as Baba Faja Martaneshi as Myslim Peza,të cilët në vitet e luftës kundër italianëve,kishin luftuar okupatorin thjeshtë si nacionalistë.Emisarët e Titos,i druheshin këtyre figurave popullore,ndaj menduan të godasin vetëm Gjinushin dhe Dishnicën për të patur në këtë mënyrë më të lehtë,të shkatërroheshin krejt çfar ishte ndërtuar në Mukje.Qëndrimit të prerë të Tempos,në Kucake të Korçës,iu bashkangjitën edhe sahanlëpirësit e klikës së Tiranës : Enver Hoxha,Gogo Nushi, Mehmet Shehu, Liri Gega,Koço Tashko etj.Ata dënuan bashkëluftëtarët e tyre të frontit nacionalçlirimtar,duke dëshmuar kësisoj jo vetëm servilitetin ndaj Beogradit,por sidomos antishqiptarizmin e kobshëm të tyre.Në këtë mënyrë,takimi urgjent i Kucakës,shërbeu si prolog i asaj goditje të madhe,e cila do të jepej në Labinot të Elbasanit më 4-8 shtator 1943.Në këtë mënyrë,në datat 20-25 gusht,klika komuniste e Tiarnës,ndërmori një varg masash si propagandistike dhe ushtarake e politike,duke  shpallur përfundimisht kundërvënien ndaj nacionalizmit shqiptar.Kudo,nëpër qytete organizatat komuniste muarën urdhër të prerë që të grisnin të gjitha proklamatat e shperndara pas Mukjes.Madje këto organizata,në mënyrë intensive filluan propagandën kundër Mukjes dhe Ballit Kombëtar.Shtabet ushtarake nacionalçlirimtare,të cilët deri në ato momente,patën kryer edhe ndonjë aksion të përbashkët me forcat nacionaliste,tanimë nisën të ideojnë plane e veprime luftarake,jo kundër okupatorit,por kundër forcave të Ballit Kombëtar.Por klika Bollshevike  eTiranës,në gushtin e vitit 1943,u bë plotësisht e qartë ; “Tani që kemi shprehur qëndrimin tonë,më shumë se kurrë,duhet të forcojmë radhët tona,pozitat tona politike dhe ushtarake… Që të dalim me sukses,është konditë e domosdoshme,të godasim me tërë forcën politike dhe ushtarake,këdo që do të pengojë t’i biem me peshën tonë të rëndë,me gjithë peshën e luftës së ushtrisë nacionalçlirimtare”

( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë . Fondi 40 , dosja 4 , fleta 52 ).

Pikërisht për të mos lejuar lojën e komunistëve serb në kurriz të popullit shqiptar,inkursioni i Mid’hat Frashërit,Abaz Kupit,Cen Elezit,Hysni Demës etj.në trevat veriore të Shqipërisë ishte një veprim sa i mençur aq edhe energjik.Këmba e tyre shkeli në dyert më bujare të vatrave shqiptare, ndërsa fjala e tyre me peshë kumboi në shpirtin fisnik të banorëve të Gjakovës,Bulqizës,Dibrës, Vinjollit,Lumës,Kolesjanit,Kukësit,Kërçishtit etj.Në këto biseda të ngrohta,kokë më kokë, Mid’hat Frashëri e Abaz Kupi,treguan rreziqet që i kanoseshin Shqipërisë,si nga partizanët ashtu edhe nga komunizmi,duke i gryshur këta për bashkimin e madh.Madje,ajo  çka vlen të mos harrohet është fakti se burrat nacionalistë,muarën kontakte jo vetëm me parinë e vendit por edhe me disa prej komandantëve të aradhave nacionalçlirimtare të cilët duke mos ditur servilizmin e eprorëve të tyre ndaj beogradit,iu zotuan Frashërit dhe Kupit se do të bashkonin armët dhe zemrat kundër armiqve të përbashkët. Në mbrëmjen e 25 gushtit 1943, burrat nacionalistë , Abaz Kupi, Muharrem Bajrakatri,Mid’hat Frashëri,Hasan Dosti etj, u mblodhën në Lurë, në kullat  e njohura për trimëri të Menajve.Aty u vendos që kuvendi të mbahej tri ditë më pas,me çrast do të mblidheshin trimat e krejt trevave veriore.Udhëheqësit kryesorë të këtij kuvendi,vendosën,që punimet e tij të mbaheshin në afërsi të fshatit,në pyjet e pafund të Lurës për të qenë të sigurtë në çdo kohë.Por burrat e Menajve, dhanë besën e tyre,se në kullat ku ata patën luftuar aq herë si kundër sllavëve ashtu edhe italianëve,kuvendi do t’i kishte të siguruara punimet e tij.Në këtë mënyrë,për të repsektuar këtë fis luftëtarësh trima por edhe krejt banorët e Lurës,u vendos që takimi i beslidhjes të mbahej pikërisht aty.Në ditën e parë të këtij kuvendi,pasi u lexua liste e gjatë e trimave pjesmarrës, e mori fjalën Mid’hat Farshëri.Ideatori i Lëvizjes Nacionaliste shqiptare në prillin e vitit 1939,me fjalën e vet të matur dhe të ngrohtë,iu spjegoi të pranishmive pse bashkimi i tyre ishte imperativ i kohës.Ai u ndal në zakonin shqiptar të gjakmarrjes,të dasive e mërive krahinore,si mentalitete të yshtura nga armiqtë,duke iu kërkuar përfaqsuesve të trevave veriore në ate kuvend t’i mbyllin këto plagë dhe me besën e çmuar të shqiptarëve të bashkojnë zemrat.Duke evokuar më pas ngjarjen kulmore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,Mid’hat Frashëri nxiti tek trimat pjesmarrës në këtë takim,idenë e njëmendë të bashkimit,si të vetmen shpresë të egzistencës shqiptare në ato momente.Më tej fjalën e kanë marrë Abaz Kupi,Hasan Dosti,Fiqri Dine, Muharrem Bajrakatari etj,të cilët kan potencuar jo vetëm nevojën e bashkimit shpirtëror por edhe atij ushtarak të formacioneve nacionaliste të trevave veriore.Nevoja e këtij organizimi parashihej si kusht i domosdoshëm,veçanërisht në trazirat e brendshme politike.Nisur nga mendimi se komunistët shqiptarë,kishin unifikuar veprimtarinë luftarake të tyre me shtabin e Beogradit,ishte Fiqri Dine i cili hodhi idenë e krijimit të një komande të vetme luftarake,të trevave veriore e cila më pas do të lidhej edhe me komandën ushtarake të forcave të jugut,të cilat drejtoheshin prej Hysni Lepenicës. Në komandën luftarake të sapokrijuar,u përfshinë luftëtarët  më të shquar të krahinave veriore,të cilët patën dëshmuar prej kohësh jo vetëm antiitalianizmin,por edhe antikomunizmin e tyre.E shoh të udhës,të sjell në këto rreshta,Rezollutën  e këtij Kuvendi madhorë,i cili me 30 gusht 1943 do të përcillej si një mesazh i madh shprese në krejt trevat veriore të Shqipërisë.

“Vendime me randësi në Malet e Shqipërisë së Lirë “

Kombi shqiptar gjendet përpara historisë.Rryma të ndryshme politike,të mbrendshme e të jashtme,herë në formë organizate,herë në formë partish dhe ndonjë herë të shpikura nga ndonjë person i vetëm mundohen të tërheqin popullin tonë në drejtime të ndryshme politike,duke krijuar kështu çregullime dhe anarki të plotë në opinjonin publik.Në këtë gjendje të vajtuar e të lëkundur andej dhe këndej në objekte të turbullta ose të huaja,të importuara nga larg,Shqipëria po sheh me keqardhje këte synim të opinjoneve të ndryshme që ka për qëllim  sabotimin e drejtëpërdrejtë të Nacionalizmit Shqiptar.

Populli shqiptar,i hidheruar nga helmi i të shkuarës,matet shumë perpara se të ecë në udhën e tij, e duke përfituar nga eksperienca e historisë do të mundohet shumë para se ta vendosë përfundimisht dhe në formë totale ecjen e tij drejt revulucionit kombëtar.Disa ngjarje me rëndësi që janë prodhimi i gjendjes shoqnore politike të një kombi shkruajnë historinë e tij dhe përcaktojnë në mënyrë matematike karkaterin e lëvizjes së atij kombi.Ngjarje me rendësi historike tregojnë që pas kaq lëkundjeve,Shqipëria ka akoma burrat e saj,të cilët,të mbledhur rreth flamurit dhe të lidhur me besë,vendosin mbi të ardhmen e kombit.Ky manifestim shfaqet në Shqipërinë tonë të fortë sa herë që nënqiellin e saj ngrihen re të zeza të rrezikut dhe burrat e maleve,ata burra që kanë mbetur të paprekur nga propaganda e huaj,me turmat turren drejt bashkimit të shenjtë kombëtar.

Në malet e lira të Shqipërisë,në Lurën,duke iu përgjigjur thirrjes së organizatës sonë,krerët dhe bajraktarët e Dibrës,Matit,Krujës,Lurës dhe Lumës,u mblodhëm në një kuvend madhështor për të dhënë besën shqiptare.

Shqiptarë dhe Shqiptarka,pleq dhe të rinj,ju lajmërojmë se Besa u lidh në Lurë dhe kjo Besë kurrorizoi Bashkimin kombëtar me frymë nacionaliste për shpëtimin e Mëmëdheut tonë të dashur, për një Shqipëri të bukur.Asnjë s’mundi ta tunde shpirtin e vendosur të dibranit,të lumjanit, të matjanit,të krutanit, asnjë propagandë nuk bëri që malësori i Lurës të harrojë kombësinë dhe,kur erdhi dita që historia të përsëritet në zërin e thirrjes së birit Abdyl Farshërit,krerët e maleve u mblodhën si në Prizren për të përsëritur Epopenë Kombëtare.

Për mirëmbrojtjen  eAtdhuet malësorët tanë krenarë vendosën edhe besën e vendit, e cila ka për qëllim të shange çdo konflikt midis personash dhe të rregullojë çdo grendje të drejtash,të punojë gjakun,si edhe të sigurojë qetësinë nga keqbërësit.Që kjo forcë vigane të mbrojë më së miri Atdheun tonë,Kuvendi rregulloi edhe një komendë të përbashkët ushtarake.Në këtë Kuvend madhështor morrën pjesë këta burra fisnikë,prijësat e trimave të maleve që kurrë,gjatë shekujve,armiqtë nuk mundën t’i sundonin dot :

  • Fiqri Dine                                               –          Maqellare
  • Muharrem Bajrakatari –         Ujmisht
  • Cen Elezi            –         Sllovë
  • Abaz Kupi –          Krujë
  • Hysni Dema –         Homesh
  • Myftar Kaloshi –          Kanderx
  • Ali Maliqi                                              –           Kercisht
  • Aqif Lleshi –             Zogaj
  • Sule Kurti –             Zmash
  • Ukë Cami –              Golloborde
  • Selman Mena – Lurë
  • Bilal Kola – Mallcukull
  • Xhemal vata – Macukull
  • Sale Llani – Derjan
  • Shaban Valteri – Vinjoll
  • Murat Basha – Klos
  • Dule Allamani –              Patine
  • Isuf Cela – Patine
  • Isuf Selmani – Lis
  • Rushit Daci – Kalise
  • Metush Luma – Bicaj
  • Sadik Spahija – Kolosian
  • Bajram Lata – Kurdari
  • Adem Cara –             Selite
  • Kapllan Allamani – Patine
  • Dede Leshi – Perllat
  • Frok Gjeta – Thkelle
  • Ndrec Lufi – Selite
  • Ali Kadia – Lis
  • Has Doci – Arni
  • Xheme Shahini –              Arni
  • Halit Osmani – Arni
  • Cen Elezi – Gurrë e Madhe
  • She Ali Bulqiza –       Bulqizë
  • Dervish Lusha – Arras
  • Ramadan Hoxha –              Muhur
  • Faik Shehu – Peshkopi
  • Ali Lita –              Kala e Dodës
  • Ramadan Cekri – Ujmisht
  • Selim Sul Kaloshi – Sinje
  • Mahmut Previzi –          Dibër e Epërme
  • Murat Mera – Kalise
  • Haziz Arifi – Lurë
  • Llan Mena – Lurë
  • Preng Gjergji – Lurë
  • Ramadan Doda – Reç
  • Ibrahim Gjoci – Lurë
  • Gjon Biba –            Lurë
  • Mat Hoti – Lurë
  • Nikol Ibrahim Mandija – Shkodër
  • Kap Bajram Mena – Lurë
  • Tahir Mena –              Lurë
  • Etem Tahiri – Gjakovë
  • Ibrahim Kaloshi – Dibër
  • Hasan Koka – Macukull
  • Haziz Kaloshi – Dibër
  • Zejnel Lita – Dibër
  • Xhetan Hasani – Lushnje
  • Ismail Lika       –              Dibër
  • Dali Lika – Lushnje
  • Gafur Alush Aga – Lumë

 

                                                                                       Rroftë Shqipëria !

Lurë, gusht 1943( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë . Fondi 270 , dosja 4 , fleta 3-7 ).

Mesazhet e kësaj rezollute ishin dhe meten,mesazhe të shpresave të mëdha,jo vetëm për trevat veriore shqiptare por për krejt Shqipërinë Etnike.Kjo ishte një nga arsyet që klika komuniste e Tiranë,me t’i rënë në duar Rezolluta,vendosi të mbledhe në mënyrë urgjente Komitetin Qendror.Në këtë Rezollutë,si edhe në vetë aktin e Kuvendit të Lurës,komunistët shqiptarë dhe “edukatorët” e tyre,të ardhur prej Beogradi,shihnin sendërtimin  e ideve emblematike të Mukjes.Ata i tmerronte ky sendërtim,ngase nuk mund të lejonin t’u shkëputeshin nga domenet sllave si Kosova ashtu edhe maqedonia shqiptare.Në këtë mënyrë,në konferencën e Labinotit më shtator 1943 ashtu sikundër u hodhën poshtë vendimet e Mukjes,Kuvendi i Lurës u etiketua prej misionarëve jugosllav si mbledhje reaksionarësh të cilët krijojnë të fusin përçarje midis komunistëve në Ballkan.Edhe kësaj radhe,krerët komunistë shqiptarë,të udhëhequr nga parimet internacionaliste,pothuajse në unitet me njëri tjetrin, e dënuan ashpër Kuvendin e Lurës.Madje,ky dënim do të vazhdonte në krejt vitet e diktaturës komuniste.Kështu ndërsa kullat e Menajve u dogjën e rrafshuan në vitet 1944-1946,një gjë e tillë ndodhi edhe me ato të Bajraktarit,Markagjonit,Demës,Dines,Elezit etj.Ndërsa mbi nipërit e mbesat e tyre nata e gjatë komuniste,urdhëroi vetëm dhunë e terror.Kësisoj misioni i madh i Kuvendit të Lurës mbeti në mes,i prerë paradoksalisht prej vetë shqiptarësh të shitun tek pushtuesit kriminel sllav.Mesazhet e Kuvendit të Lurës, janë mesazhe për ardhmërinë,si sot dhe në të ardhmen.

Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: Abas Kupi, Eugen Shehu, Kuvendi i Lires, Mit'hat Frasheri

MIDHAT FRASHËRI – KOLOSI I HARRUAR I KOMBIT

August 15, 2017 by dgreca

2 Mithat Frasheri21-mithat-frasheri-e-abaz-kupi-londer-19491 Mithat Frasheri1 Mithat Frasheri

Nga Frank Shkreli/

1-Frank-shkreli-2-300x183-1

Disa burime tregojnë se Midhat Frashëri mbajti fjalimin drejtuar Shqipërisë dhe shqiptarëve nga Radio Londra më 16 gusht, 1949, ndonëse disa të tjera e përcaktojnë transmetimin e fjalimit të Midhat Frashëri në BBC, si në “vjeshtën e vitit 1949”.  Cila do qoftë data e saktë e përvjetorit të trasnmetimit, ia vlen t’a kujtojmë fjalimin dhe njeriun e madh të kombit që u foli shqiptarëve me atë rast, vetëm disa vjetë që regjimi komunist kishte uzurpuar pushtetin në Tiranë. Po e kujtojmë atë me disa përditësime nga disa shënime të më hershme mbi këtë kolos të kombit, natyrisht, për vet meritat e mëdha të këtij burri të madh, trashëgimtar i familjes së madhe rilindase të Frashënlijve, mendimtarit, shkrimtarit, politikanit dhe mbi të gjitha Shërbestarit të Shqipërisë, siç e quanin bashkohasit dhe bashkluftarët e tij.  Në fjalimin e tij në BBC, ai paralajmëroi për fatkeqsinë komuniste dhe paralajmërimin e krijimit të Komitetit, “Shqipënija e Lirë”.  Sidoqoftë, fati i tij dhe i Shqipërisë deshi që ai të ndërronte jetë në mërgim, më 3 tetor, 1949 në New York, më pak se dy muaj pas transmetitmit të fjalimit në BBC.  Nëse vdekja e tijë papritur, aq shpejt pas fjalimit në BBC, kishte të bënte me jehonën që bëri në atë kohë ai transmetim, mbetet për t’u zbuluar nga historianët.

Pa dashur të futem në intrepretime të ndryshme, dua vetëm të shënoj këtë përvjetor me një kujtim modest, në emër të disa bashkombasish të mi, ish-bashkpuntorë të ngushtë të Midhat Frashërit – të cilët nuk janë më – por të cilët i kam njohur dhe me disa prej tyre kam patur fatin e mirë që në rininë time të punoja me ta tek Zëri i Amerikës, gjatë 1970-ave dhe në fillim të ’80-ave dhe të cilët, besoj se po të ishin gjallë nuk do t’a lenin këtë përvjetor të kalonte pa thënë diçka për mësuesin dhe udhëheqsin e tyre të dashur. Në emër të ish-kolegëve të mi po përpiqem të kujtoj, në emër të tyre, njeriun që ata adhuronin me gjithë zemër e shpirt.

Për ta, Midhat Frashëri, si themeluesi dhe kryetar i Ballit Kombëtar, ishte jo vetëm një udhëheqës politik, por e konsideronin edhe si udhëheqës shpirtëror, si një shëmbull patriotizmi të vërtetë dhe atdhedashurie të shëndosh.  Në ambientin e zyrës ku punoja me këta patriotë, ish-kolegë të mi, pothuaj nuk kalonte asnjë ditë që njëri ose tjetri prej tyre të mos kujtonte diçka nga koha që kishin kaluar me Midhat Frashërin, të cilët si besnikë tij që ishin, më tregonin se ai iu referohej  atyre si “djemtë e mijë”.  Këta ishin ndër ata që kishin shkuar këmbë për këmbë me Midhat Frashërin, ose siç e quanin shpesh edhe me pseudonimin, Lumo Skendon, ose “Lumua” që ishte bërë si emër i dytë i tij. “Lumua ka thënë kështu, Lumua më ka thënë këtë….”, ishte pothuaj një refren i përditshëm i ish-kolegëve të mi, sidomos gjatë pushimeve kur shkonim për kafe, pas transmetimit të programeve në ndërtesën e VOA-s.  Kujtimi i tij rrahte në zemërat e tyre dhe ishin të përbetuar që të ruanin porositë e tij dhe të luftonin me dije e me penë për të çuar në vend amanetin e Midhat Frashërit, për një Shqipëri të lirë e demokratike, për një “Shqipëri të Shqiptarëve”, siç thonin ata.

Ata flisnin për udhëheqsin e vet, si njërin prej tyre, i cili sipas ish-kolegeëve të mi, ishte i thjeshtë e i dashur me të gjithë – gjithmonë me ta — gjatë luftës nepër borë e shi e të ftohtë — si në fitore ashtu edhe në humbje.  Ata kujtonin arratisjen e tyre nga Shqipëria me lundër nepërmjet Shkodrës për të shpëtuar kokën nga Enver Hoxha, kur çlirimi i vendit fatkeqsisht u zëvendësua me sundimin e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, i cili detyroi që shumë prej bijve më të mirë të kombit të arratiseshin e të merrnin rrugët e botës.  Ish-kolegët e mi kujtonin jetën nëpër kampet e refugjatëve në Itali dhe gjetiu, në gjëndje shumë të vështira të asaj kohe, pa mbështetje dhe pa shpresë, shpesh edhe pa ushqim të mjaftueshëm.  Pasi e dinin se isha i lindur në trojet shqiptare nën-ish-Jugosllavinë, kolegët e mi më flisnin shpesh për pasionin e thellë dhe dashurinë që Midhat Frashëri kishte pasur për Kosovën dhe për trojet shqiptare në përgjithësi, gjithmonë theksonin ëndërrën e tij për një Shqipëri Etnike.   Megjithë humbjen politike dhe megjithë vuajtjet nepër rrugët e mërgimit, të gjithë ish-kolegët e mi, pothuaj pa përjashtim, pohonin se megjithë humbjen dhe përball situatës së zymtë të pas luftës si përfundim i fitores së komunizmit dhe të ndarjes me familjet e tyre, ndonëse ata vet kishin humbur shpresat, ata pohonin se ishte Midhat Frashëri ai, i cili, sipas tyre i frymëzonte ata, u jepte shpresë, u jepte forcë për të shikuar me optimizëm drejtë së ardhmes.  “Shpresa mbahet me punë dhe ideal”, ka shkruar Midhat Frashëri dhe pyetjes se “Cili duhet të jetë ideali ynë?, ai i është përgjigjur duke thënë se ideali ynë, “Duhet të jetë madhëria dhe nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i përgjithshëm.”

Prandaj, në përvjetorin e tramsmetimit të fjalimit të Midhat Frashërit në BBC, gushtin e vitit 1949, dua të kujtoj edhe ata që kanë qenë afër tij dhe me të cilët kam pasur nderin dhe privilegjin t’i njoh për së afërmi.  Pikëspari Zonjën e ndershme Lulu Vrioni, të mbesën e Midhat Frashërit dhe për mendimin tim, ndoshta spikerja më e mirë që kam njohur unë.  Talat Karagjozi, i cili më thoshte se Midhat Frashëri i kishte vdekur në duartë e tija dhe kurdoherë që fliste për të, i mbusheshin sytë me lotë, pasi nga ajo ditë e sot, spekullohet se me të ardhur në Amerikë, Midhat Frashëri u helmua pas deklaratës që kishte bërë në radion BBC të Londrës në lidhje me formimin e lëvizjes anti-komuniste në mërgim dhe pas themelimit të Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, kryetar i së cilës ishte zgjedhur Midhat Frashëri.   Ndër të tjerët  e kësaj gjenerate, me të cilët kam punuar,  kanë qenë I nderuari Xhevat Kallajxhiu, Ruzhdi Daca, Gaspër Kiçi, Bardhyl Pogoni,   Dr. Tako Bacaj,  Ramazan Turdiu, pastaj djemtë e Profesorit dhe gjeografit të njohur dhe kartografit  të parë  shqiptar nga Kosova, Ahmet Gashi – autorit  të parë të gjeografisë  së Shqipërisë më 1935 —  vëllëzërit  Dr. Faton Gashi dhe Prof. Luan Gashi i Lidhjes Kosovare, jeta e të cilëve ishte e dendur me veprimtari patriotike dhe kontribute edhe për vendin e adaptuar, Amerikën – njëri si mjek i dalluar e tjetri si profesor shkencash politike.   Kujtimet e këtyre ish-kolegëve e miqëve të mi për Midhat Frashërin – ish-udhëheqsin dhe mësuesin e tyre – sikur janë bërë pjesë e kujtimeve për ish-kolegët e mi dhe për mësuesin dhe udëheqsin e tyre, Midhat Frashërin, birin e Abdyl Frashërit dhe nipin e Naimit dhe Sami Frashërit.

Në fjalimin e tij të famshëm në BBC-në e Londrës, në gusht të vitit 1949, Midhat Frashëri iu drejtua shqiptarëve kudo që ishin duke paralajmëruar se kombi shqiptar po e kuptonte se çfarë kishte sjellur fitorja e komunizmit në Shqipëri, duke thënë se, “Kadalë, kadalë raca Shqiptare, ajo racë së cilës nuk i mungon asnjë virtyt njerëzor, ajo racë që vuan por edhe që ndjen, që ofshan por që edhe shpreson dhe nuk harron, ajo racë themi, filloi të shohë të vërtetën, të shohë rrezikun edhe fatkqesinë, në të cilën e hodhën matrapazët komunistë.  Po i çilte sytë dhe po e mprehte vullnetin e saj”.   Ai e pat përfunduar fjalimin e tij duke shprehur shpresën se të gjithë Shqiptarët do ta kenë shpirtin dhe mendjen gjithëmonë për të mirën e Shqipërisë.  “Kjo,” ka thënë ai, “është lutja jonë ndaj Zotit të Madh dhe lusim që gjithnjë Shqiptarët e vërtetë të rrëfehen të denjë për të qenë Shërbëtorët e Shqipërisë.”

Fatkeqsisht — edhe në këtë përvjetor të këtij fjalimi në BBC — ky trashëgimitar i denjë i Rilindjes kombëtare – jo vetëm që në Shqipërinë e tij të dashur nuk konsiderohet si Shërbestar i Atdheut, por përkundrazi, historia komuniste e ka etikuar atë gjithnjë me njollosjen si “reaksionar”, madje edhe “tradhëtar” të kombit.  E ke? Midhat Frashërin, djalin e Abdyl Frashërit! Midhat Frashërin e Kongresit të Manastirit ku së bashku me At Gjergj Fishtën vendosën themelet e alfabetit shqip!  Midhat Frashërin e Konferencës së Paqës në Paris edhe aty së bashku me At Gjergj Fishtën e Mons. Luigj Bumçin për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve!  Midhat Frashërin, i cili me fjalime e shkrime, nepër konferenca ndërkombëtare dhe me deklaratat e tija në gjuhë të ndryshme, me fanaticizëm ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar!

Historia e regjimit komunist të Enver Hoxhës i kishte shlyer edhe imazhet e tyre nga fotografitë historike të kombit, në përpjekje për t’i zhdukur ata përgjithmonë nga historia, por megjithëkëtë, veprat e tyre do të mbeten gjithnjë të paharrueshme, sepse të tilla ishin! Historia shqiptare do ta thotë fjalën e fundit.  Kjo është arsyeja pra që Midhta Frashëri Meriton të kujtohet, jo vetëm me rastin e përvjetorit të transmetimit të fjalimit të tij në radion BBC të Londrës me 16 gusht, 1949, por gjithmonë dhe nga të gjithë shqiptarët kudo, pa marrë parasyshë ndryshimet në pikëpamjet politike dhe ideologjike midis tyre.  Në këtë përvjetor, po të mund të fliste, Midhat Frashëri do t’i këshillonte shqiptarët se ka ardhur koha për “të përfunduar betejën e fundit ndërmjet tyre”, ashtuqë më fund të fitojnë luftërat që e presin kombin, për realizimin e një jetë më të mirë për brezat e ardhëshëm.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, MIDHAT FRASHËRI – KOLOSI I HARRUAR I KOMBIT, Mit'hat Frasheri

NJE LETER E RRALLE E DELEGATIT TE VATRES, MITHAT FRASHERI

April 1, 2017 by dgreca

Janar 1920 / Letra e Lumo Skëndos (Mit’hat Frashërit) për pavarësinë e Shqipërisë drejtuar revistës franceze « L’Europe Nouvelle »/

3Frasheri M

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 1 Prill 2017/

Revista franceze, « L’Europe Nouvelle – Evropa e Re », ka botuar më 24 janar 1920, letrën e atdhetarit, diplomatit, shkrimtarit dhe politikanit, Lumo Skëndo (pseudonim i Mit’hat Frashërit), me titullin « L’indépendance de l’Albanie – Pavarësia e Shqipërisë ».

Në Paris mbahej Konferenca e Paqes. Për këtë arsye, Skëndo (Frashëri) i shkruan drejtorit të revistës për të shprehur shqetësimin e tij në lidhje me gjendjen në të cilën ndodhej asokohe Shqipëria.

Patrioti shqiptar nuk ka nguruar të ngrejë zërin ndaj copëtimit të Shqipërisë dhe të mbrojë interesat tona kombëtare për pavarësi.

Për më shumë, ju ftoj të lexoni letrën e tij në vijim :

Zoti Drejtor,

Qarkullojnë zëra se Konferenca e Paqes ka menduar t’i japë Jugosllavisë pjesën veriore të Shqipërisë (deri në lumin Drin) në kompensim të zonës së Fiumes ; Thuhet se jugu i Shqipërisë (qarqet e Korçës dhe të Gjirokastrës) do t’i dhurohen si kurban Greqisë, dhe se Italia – si luani në fabul – do të marrë pjesën tjetër (Vlorën dhe territore të tjera nën mandat).

Me padyshim, Konferenca do të vulosë këtë vendim me fjalët : Fundi i Shqipërisë !

Në mes të shekullit të XX-të, Tri Fuqitë e Mëdha liberale të universit, Franca, Britania e Madhe dhe Italia, po shkaktojnë mbi Shqipërinë të njëjtin krim ashtu si Rusia, Prusia dhe Austria despotike kryen gjatë shekullit të XVIII-të mbi Poloninë.

Anglia, duke hyrë në Luftën e Madhe, deklaronte se ajo do të luftonte për mbrojtjen e kombësive të vogla. Zoti Clemenceau, në fjalimin që mbajti në Strasburg më 4 nëntor 1919, tha se « Krerët e qeverive të kombeve të para të Botës u mblodhën në Paris për të ribërë hartën e Evropës në emër të së drejtës së popujve për vetëvendosje. »

Presidenti Wilson, në marrëveshje me të gjithë aleatët, duke përfshirë Italinë, ka thënë se kjo luftë kolosale pati për qëllim çlirimin e popujve të shtypur, mbrojtjen e të dobtëve, triumfin e drejtësisë dhe ligjit mbi forcën brutale.

Shqipëria u gjymtua për herë të parë në 1878 ; për të dytën herë, u copëtua në 1913, në Konferencën e Londrës ; E megjithatë, kjo Konferencë, e cila u formua nga përfaqësuesit e kombeve të mëdha : Franca, Anglia, Italia, njohu një Shqipëri të vogël e të pavarur. Për shqiptarët është i rëndësishëm ky shirit (rrip) i vogël toke ; ata dëshirojnë të jetojnë, të  mos vdesin. Ata dëshirojnë pavarësinë e plotë dhe refuzojnë çdo mandat.

Pra, marrëveshja e 1913, qenka një copëz e thjeshtë letre ?

Në Evropë masakrojnë Shqipërinë, ndërsa në Azi krijohen shtete të pavarura. A është kjo ironi apo një komedi makabre ? Morali ?

LUMO SKENDO

Delegati i Shoqërisë Panshqiptare « Vatra »

Shtetet e Bashkuara të Amerikës

* (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania): https:// www.darsiani.com

Filed Under: Featured Tagged With: Letra e delegatit te Vatres, Lumo Skendo, Mit'hat Frasheri

MITHAT FRASHERI, FYTYRE E KOMBIT, U PERKUJTUA NE VATER

March 19, 2017 by dgreca

1 Pellumb Lamaj2 dalipi salle2 Kryetari i vatres11 me salle-8 dalip me leter*Për herë të parë shfaqet në publik Autopsia e trupit të Mithat Frashërit, që u nda nga jeta në mënyrë misterioze me 3 tetor 1949 në Hotelin “Winthrop”,që ndodhej në 47th Street & Lexinton Avenue, në Manhattan, Nju Jork./

3 te perndjekurit10 Idrizi7 Eduard17358643_1594811517214450_9083750301890978611_o17310352_1594810707214531_3446389057330791581_o

Nga Dalip GRECA/Fotot: Dritan HAXHIA/

5 grup adem9 idriz ed pellumb11 Beashkim18 tavol Mithat14 TV Interv

Me insiativën e ish të burgosurit politik Pëllumb Lamaj, që përjetoi ferrin e Spaçit për më shumë se 11 vjet, autor poezish, essesh dhe i dokumtarëve historikë, si dhe një grupi nacionalistësh, grupim i Ballit Kombëtar, si dhe të përndjekurish politik, në bashkëpunim me Federatën Panshqiptare të Amerikës “VATRA” kanë organizuar të Shtunën me 18 Mars 2017, në Sallën e Vatrës, takimin përkujtimor kushtuar Apostullit të Shqiptarizmit,studiuesit, publicistit, shkrimtarit, diplomatit, politikanit, avokatit të shqiptarizmës, Mithat Frashëri, fryma e fundit e Frashërllinjëve.

12 esati me Mujot13 Marjan15 grup me mua17359008_1594814920547443_8887313193726089328_o14 dr Gjoni Historiani

Veprimtaria Përkujtimore është organizuar me rastin e përvjetorit të Lindjes së Mithat Frashërit, 25 Mars 1880-Mars 2017.

117 Bajo17358698_1594818250547110_8582827574090385411_o17358747_1594807687214833_3884149601270423311_o17359475_1594812127214389_4984104038625773618_o17359227_1594810463881222_3217273360538641949_o

Përmes kumtesash të shkurtëra, dokumentesh, fotografish, janë zbardhur edhe disa nga misteriet e fundit të jetës së Mithat Frashërit, si dhe janë bërë kritika të ashpra  për abandonimin dhe harresën, që i ka bërë shteti dhe klasa politike shqiptare kësaj figure madhore kombëtare në 25 vjet tranzicion. Eshtë përsëritë, edhe një here në këtë takim përkujtimor,  kërkesa se është detyra e shtetit shqiptar që të kthejë në Atdhe eshtrat e Mithat Frashërit,që Jetën ia kushtoi Shqipërisë deri në rrahjen e fundit të zemrës.

Takimin përkujtimor e ka hapur Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Buçaj, i cili pasi ka përshëndetur organizatorët dhe pjesmarrësit, ka vlërësuar figurën e Mithat Frashërit dhe është ndalur në marrëdhëniet e Tij me Federatën Panshqiptare të Amerikës”VATRA”. Dr. Buçaj tha se Mithat Frashëri, sipas rekordeve arkivore dhe sipas  ish editorit të Diellit, autor i Historisë së Vatrës, Refat Gurrazezi, Mithat Frashëri u zgjodh në mungesë Kryetar i Vatrës më 1918,(por nuk mundi të udhëtojë për në SHBA për shkak të Luftës së I Botërore, po ashtu  Mithat Frashëri u emërua nga Vatra “delegat” në Zvicër, dhe së treti Mithat Frashërin e lidh me Vatrën, Fushata e madhe e “Huasë kombëtare”, e realizuar nga Vatra më 1920-1921, fushatë ku u mblodhën 198 mijë dollar nga Vatra dhe Mithat Bej Frashëri ishte i dërguari i Qeverisë së Sulejman Delvinës.

Më pas dr. Gjon Buçaj ka prezantuar moderatorin e veprimtarisë përkujtimore, Editorin e Gazetës “Dielli” Dalip Greca. Editori,vlerësoi figurën e Mithat Frashërit,figurë që u baltos për 50 vjet dhe ende vazhdon të mbetet e pavlerësuar nga qeveritë dhe politika shqiptare, duke tentuar që të hedhin mbi figurën eminente pluhur harrese dhe indiference.Qeveria e sotme e vlerëson Mithat Frashërin ende nën këndvështrimin e Epopesë së Ballit Kombëtar të Shefqet Musarajt.Eshtë koha që cdo shqiptar të clirojë shpirtin nga mëkati i së djeshmes. Indiferenca e sotme ndaj Mithat Frashërit është më shumë se sa mëkat.

Moderatori ftoi studiuesin, ish gazetarin e Zërit të Amerikës, anëtarin e Këshillit Drejtues të Vatrës, z. Idiz Lamaj, për të sjellë për të parën herë para publikut autopsinë e vdekjes, e cila zbardh vdekjen misterioze të Mithat Frashërit me 3 tetor 1949 në Hotelin “Winthrop”,që ndodhej në 47th Street & Lexinton Avenue, në Manhattan, Nju Jork. Autopsia mbanë firmën e dr. Fisher.Në autopsi janë egzaminuar organet: Truri, stomaku, mëlçia, veshkat etj. Kjo autopsi tani ndodhet në Arkivin e Vatrës.

Moderatori përcolli skriptin e një emisioni radiofonik të përgatitur nga studiuesi Idriz Lamaj për Zërin e Amerikës me rastin e 40 vjetorit të vdekjes së Mithat Frashërit, trasmetuar me 8 Gusht 1989, ku vlerësohej figura e Mithat Frashërit si shërbestar i Kombit, si autor veprash letrare, historike dhe shkollore, si përkthyes, dhe bibliotekar i shquar, si politikan e diplomat. Në reportazhin e Lamajt vlerësohej kontributi i Mithat Frashërit si Kryetar i Kongresit të Manastirit, dhe anëtar i Komisionit për caktimin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, me kryetar Atë Gjergj Fishtën. Mithat Frashëri ishte deputet i Shkupit në Kuvendin e Vlorës për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, ndërkohë që u emrua Ministër I Punëve Botore në Qeverinë e Ismail Qemalit.

Veprimtari i komunitetit, Eduad M. Dilo, pejsmarrës i përhershëm në veprimtaritë kushtuar Mithat Frashërit, në kumtesë e tij tha: Erdhi përsëri ky përvjetor përkujtimi i trishtuar, i brengosur, së Atdheu ynë akoma nuk është bërë Atdhe i vërtetë i Shqiptarëve! Erdhi i brengosur se Eshtrat e ” Babait të Shqiptarizmës” pushojnë akoma larg vendit që e lindi,  edhe pse  tërë jetën ia përkushtoi vetëm Atdheut dhe Kombit, por Atdheu ende e quan të huaj përderisa e ka braktisur. Mithat Frashëri shkriu gjithë pasurinë për të pasuruar e ndriçuar Kombin, e Atdheu nuk ka 2 metër katror vend të pushojë aty, e të gjithë të venë të përulen e ta nderojnë, të mësojnë se si duhet bërë detyra ndaj Atdheut! I dekoruar e cilësuar “Nderi i Kombit “, Atij i mohohet Atdheu! -Paradokse vetëm Shqiptare!

Dr. Skënder Murtezani, Kryetar i degës së Vatrës në Queens, vlerësoi figurën e Mithat Frashërit dhe prezantoi veprimtaritë e vatranëve të Queensit për këtë figure madhore Kombëtare. Ai solli edhe hulumtimet e bëra rreth udhëtimit të Mithat Frashërit nga Londra në Nju Jork, duke sjellë në arkivin e Vatrës edhe kopje të biletës së udhëtimit.

Moderatori përcolli edhe një fragment nga esseja e shkruar me rastin e këtij përvjetori nga studiuesi Anton Çefa, ish Editor i Diellit. Në esenë”Mithat Frashëri:”Partia ime është Shqipëria”, shkruhej:” Njerëzit e mëdhenj shpesh e bëjnë veten të paharrueshëm edhe vetëm me një fjalë, një porosi, një thirrje, duke mbetur kështu të përjetshëm në kujtesën kombëtare.Mithat Frashërin e kujtojmë kështu me sentencën e famshme “Partia ime është Shqipëria”. Një devizë që të merr sytë me dritën e idealit dhe të ngrohë me afshin e dashurisë për Atdheun. Flakërimë e vetëtimtë ndërgjegjeje kombëtare dhe zjarr i pashuar atdhetarizmi. Sado ta mbulojë hiri i murmë i kohës, do të përshkënditë gjithnjë si shpuzë e zjarrtë.

Shqipërinë e krijuan njerëzit e mëdhenj si Mithati. Ajo ka qenë me fat. Nuk i kanë munguar kurrë. Shqipërinë e kanë prishur njerëzit e vegjël. Edhe këtu ka qenë me “fat”. Nuk i kanë munguar kurrë. Përkundrazi, i ka pasur me tepri. Edhe sot e kësaj dite prishanakët vazhdojnë zanatin e tyre të përjetshëm…”

Në këtë veprimtari ishin të pranishëm një numër i konsiderueshëm ish të përndjekurish politik si: Pëllumb Lamaj, Esat Çoku,Hasan Bajo, Edmond Sejko, Vëllezërit Fatmir, Eqrem, Novruz Mujaj me të birin. Vëllezërit Mujaj kishin sjellë për arkivin e Vatrës Dekretin e presidentit Nishani, që dekoronte Pjestarët e kompanisë 4000, pjesë e të cilit ishte luftëtar aktiv edhe babai i tyre Sefer Mujo Luarasi dhe xhaxhai i tyre, Aldo. Eqerem Mujo, pjesmarrës në ceremoninë dekoruse të organizuar në Presidencën e Shqipërisë, tha se ndjehen krenarë që babai i tyre ishte një ndër ushtarët e Shqipërisë Etnike, dhe patën si frymëzues Mithat Frashërin.

Me pas modertaori ka prezantuar ish të përndjekurin politik Pëllumb Lamaj, që kaloi 11 vitet e rinisë së tij në burgun famkeq të Spaçit, një kritik i rreptë i skenarit të Katovicës, zbatuar verbërisht në Shqipëri, kritik i të gjitha qeverive, njeriu që ka marrë përsipër të ndriçojë me shpenzimet dhe kontributin e tij figurën e Mithat Frashërit.

Në fjalën e tij të shkurtër Pëllumb Lamaj, vlerësoi jetën dhe veprën madhore prej patrioti të pastër të Mithat Frashërit, sakrificat e tij si shërbestar i Kombit, kontributin e madh në Kulturën shqiptare, shërbimi ndaj popullit shqiptar, ku ndriçon roli i avokatit të madh në mbrojtje të popullsisë Çame, kontributi ne ngjarjet e Pavaresise, ku mbajti post Ministri, i pari që dha dorëheqje; lufta kundër Komunizmit dhe themelimi i Ballit Kombëtar dhe më pas përzgjedhja e tij në krye të Komitetit Shqipëria e lirë, e para qeveri serioze në mërgim pas Luftës së Dytë Botërore’. Mithat Frashëri, nuk lejoi që në Shqipëri të zbatohej skenari sllav për vetëvrasjen mes shqiptarëve, duke e shpërndarë Ballin Kombëtar dhe duke marrë në moshë të thyer rrugën e vështire të Mërgimit, sërish si Shërbestar i Kombit.

Lamaj e ka përjetësuar figurën e MITHAT Frashërit  në Dokumentarin” MITHAT FRASHERI, FYTYRE E KOMBIT “, e realizuar me shpenzimet dhe kontributin e vet krijues.

Unë, kaq i pata mundësitë,kaq munda të bëj, të tjerët le ta bëjnë më mire, tha ai para se të shfaqej dokumentari ” MITHAT FRASHERI, FYTYRE E KOMBIT“.

Për 45 minuta të pranishmit ndoqën shfaqjen e dokumentarit, një kopje të të cilit, autori Pëllumb Lamaj,ia dhuroi arkivit të Vatrës.

Krahas Kryetarit të Vatrës ishin të pranishëm edhe zv.Kryetari Asllan Bushati, anëtarët e  Kryesisë Marjan Cubi dhe Skënder Murtezani, anëtarët e Këshillit  të Vatrës Bashkim Musabelliu dhe Zef Përndocaj. Nderuan me pjesmarrjen e tyre edhe historiani Pjetër Ivezaj dhe shkrimtarja e gazetarja nga Kosova Ajete Beqiri.

Veprimtaria u filmua nga Televizioni Kultura Shqiptare në Nju Jork, me pronar Adem Belliu.

Kontribut për veprimtarinë dha Dritan Haxhia me Video Photography Tani Studio, që ndodhet në adresën: 778 Lydig Ave, Bronx, NY 10462

Phone: (646) 468-8482

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Dritan Haxhia, FYTYRE E KOMBIT, Mit'hat Frasheri, U PERKUJTUA NE VATER

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT