• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Edukimi i brezave përmes mendimit të Mid’hat Frashërit

July 25, 2013 by dgreca

Nga Uran BUTKA/

Mid’hat Frashëri, ka qenë dhe është edukator jo vetëm i një kohe apo i një brezi të caktuar, por edukator prore i një kombi të tërë.

Së pari, gjithë vepra e tij madhore është njëherësh edhe edukuese, madje këtë karakter ajo e ka parësor. Ajo edukon ndjenjat dhe tiparet njerëzore më të mira si dashurinë e përpjekjen për atdheun, lirinë, gjuhën shqipe, librin, humanizmin, fisnikërinë, trimërinë, solidaritetin, dëshirën e merakun për punën, për të vërtetën, sinqeritetin, thjeshtësinë, altruizmin, shërbestarinë, këmbënguljen, tolerancën, respektin reciprok, indipendencën, durimin e të tjera.Qysh në moshën 17 vjeç gjejmë të shprehur tek ai mendimin filozofik për identitetin shqiptar, boshti ku mbështillet e mbahet universi dhe qenia shqiptare. “Qe një koh’ e vjetër, kur shqiptarët besonin e u faleshin yjevet, diellit, hënës, drurëve, shkëmbinjëvet. Që ahere shqiptarët quheshin: shqipëtarë.

Pastaj zunë të besonin që çdo gjë në jetë ka një perëndi…Këta njerëz prapë quheshin: shqipëtarë

Shqipëtarët ishin të tërë të krishterë, gjersa erdhi turku; pas kësaj, disa u bënë muhamedanë… Shqipëtarë të krishterë a muhamedanë, hapni sytë, jemi vëllezër!

Feja është ndrruar, por kurdoherë kemi qenë shqiptarë dhe ashtu duhet të jemi”.

E para, për M.Fashërun: të qenët shqiptar. E dyta: të qenët komb.

Sipas mendimit të tij, nuk mund të jetë një komb i lirë dhe i përparuar, pa qenë i ditur dhe i ndërgjegjësuar.

Ideja e lirisë te Mid’hat Frashëri i ri merr një kuptim e trajtim, që nuk ka ndryshim nga formulimi i sotmë. “Liria është që të mos të të trazojë njeri ty dhe ti të mos trazosh të tjerët”, shkruan ai. Sipas tij, meqë jeta dhe siguria e secilit është e lidhur me fatin e jetën e atyre që së bashku formojnë kombin, atëherë, së pari, liria e çdonjërit sigurohet nga liria e gjithë kombit, së dyti, liria e çdonjërit mbaron atje ku trazohet liria e tjetrit.

Në moshën 18-vjeçare, Mid’hat Frashëri përktheu nga frëngjishtja dhe botoi në shqip “Gyjom Telli” të Lamartinit. Pse pikërisht zgjodhi këtë vepër për ta shqipëruar? Edhe kjo nuk është e rastit. Mit’hati e adhuronte Lamartinin si poet. Por veprën e tij “Gyjom Tell” e zgjodhi ta përkthente në gjuhën e shqiptarëve, sepse këta kishin nevojë për modele liberatorësh si Teli, ngaqë ishin ende nën robërinë e Turqisë. Kjo dëshmon për shpirtin liridashës të djaloshit Mid’hat Frashëri, i cili u bë qysh në rini zëdhënës i ndërgjegjes dhe i veprimit kombëtar shqiptar. “Shqipëtarë, – bën thirrje ai më 1899, – të kemi bashkim, të duam njëri-tjetrin, të zgjohemi, të punojmë me vullnet dhe ahere do të jemi të lirë, të lumtur dhe fatbardhë. Përndryshe, do të humbasim si komb.

Rritur në një mjedis kulturor e qytetar, midis njerëzve më të shquar e më të ditur të kohës, por edhe midis librave, Mid’hati u lidh më shumë se me njerëzit, me librat, që u bënë miqtë e tij më të mirë e të përhershëm. Dëshira e pakufishme për librin që u kthye në një dashuri e në një kujdes atëror si edhe në një përpjekje e në një sakrificë për të qëmtuar e mbledhur këtë pasuri të paçmuar të mendjes njerëzore e mandej për t’ua lënë trashëgim brezave që vijnë, e ka fillesën që në fëmijërinë e Mid’hatit. Ishte 17-vjeç kur themeloi bibliotekën e tij personale me emrin “Lumo Skëndo” (1897); atë e pasuroi dhe e rriti çdo ditë të jetës së tij. Kur shkroi “Testamentin” (1929), ai la trashëgim kulturës shqiptare (Institutit Albanologjik) rreth 40.000 vëllime, nga të cilët pjesa më e madhe ruhet dhe shërbehet në Bibliotekën Kombëtare, përfshirë edhe autorët e vjetër të letërsisë shqipe.

Mid’hati vijoi përpjekjet rilindase për ndriçim mendor e shpirtëror të shqiptarëve si kusht i domosdoshëm i çlirimit dhe i rrojtjes së pavarur të tyre. Në themel të këtyre, M.Frashëri vendos gjuhën shqipe. Motivi i tij në këtë kohë bëhet “Gjuha është rrojtja a vdekja e kombit”. Gjuha jonë është e bukur, e pasur, është shprehje e qenies sonë, e ekzistencës sonë. Sipas M.Frashërit lufta për gjuhën është një formë tjetër e luftës për të rrojtur.

Nuk është rastësi që M.Frashëri ishte kryetar i Kongresit të Manastirit, alfabetit të gjuhës shqipe. Këtë hap të parë për të njësuar alfabetin, – mendon Mid’hat Frashëri, – duhet ta pasojmë me akte të tjerë qytetarie, për t’u bërë vërtet një popull i kulturuar dhe një komb i civilizuar. Një nga këto akte themelore është të shkruarit, të botuarit dhe të përhapurit e librave shqip, sidomos të përdorurit e tyre në shkollat e para shqipe.

Lumo Skendo nuk është vetëm i fjalës, por edhe i veprës rilindëse. Ai i përvishet vetë kësaj pune themeltare. Harton dhe boton tekste për shkollat shqipe, libra diturakë, gazeta e revista kulturore.

“Programi dhe qëllimi ynë është që ta bëjmë një revistë të dobishme, pak a shumë për të gjithë këndonjësit, për nxënësit, studentët, mësonjësit, si dhe për amatorët e këndimit dhe të nxanit, të japim një landë të këndshme për një ushqim moral për çdo intelektual” – thotë Lumo Skendo për angazhimet e revistës “Diturija”.

Lumo Skendo e shikon shpresën e shpëtimit dhe të përparimit të Shqipërisë e të kombit tek qytetaria, që vjen nga puna, nga kamja, nga dituria, nga kultura. “Po e shohim se tani fuqi e njeriut më s’është vetëm te fuqi e grushtit, si në kohë të shkuara, po te qytetarija… Armët e sotme s’janë sëpata dhe kopaçeja, po qytetarija, puna, dituritë, begatija”

Qytetarinë e formon përparimi ekonomik i vendit, përmirësimi i kushteve të jetës, begatia, mentaliteti më i përparuar, psikologjia dhe qëndrimi qytetar larg individualizmit primitiv, si edhe virtytet e tjera.

Mid’hati, si filozof, e koncepton kombin si një bashkësi gjaku, gjuhe dhe territori, por edhe si një konstitucion shpirtëror. Vullneti e përpjekjet e përbashkëta, trimëria e therorizmi, vijnë pas ndërgjegjësimit shpirtëror, ndriçimit kulturor e formësimit moral të një populli. “Mos pandehni se me trimëri mund të bëjmë ndonjë punë të madhe. Trimëria e shqiptarëve nuk e shpëtoi dot as Nishin, as Vranjën, as Leskovecnë, që i rrëmbeu Serbia, as Tivarin e Ulqinin që i gllabëroi Mali i Zi, as Çamërinë që e mori Greqia. Shqiptarit aq sa i duhet buka, i duhet dituria e nacionalizma. Për të rrojtur si komb, duhet të luftojmë për t’u bërë e për t’u njohur si komb”.

Këtë tezë ai e zhvilloi plotësisht më pas, kur u shtrua problemi i mëvetësimit të shtetit shqiptar. Ai shndërrohet në një Adam Smith të Shqipërisë. Mit’hati i kuptonte kohët e reja që do të vinin dhe u paraprinte atyre si profet. “Adam Smithi ka të drejtë, thotë ai, që kamja është të punuarit. Por të punuarit është jo vetëm kamja, por edhe shpëtimi, përparimi dhe fatbardhësia e shqiptarit dhe e Shqipërisë, shton Mid’hat Frashëri.

Mid’hati bëhet formuluesi dhe misionari i frymës dhe i lëvizjes së shqiptarizmit që kish lindur si forcë shpirtërore dhe ideore në kohën e Rilindjes “Shqiptarizma filloi të bëhet një farë feje, një besim, jo individual, si me thanë i posaçmë për çdo fis, por një fe e përbashkët, një fe e vetme, ose më mirë akoma feja vetë: njerëz që s’kishin parë kurrë shoku-shokun, të panjohur dhe të padëgjuar gjer dje, gjenin një lithkë dhe një vëllazërim në fenë dhe në besimin e ri, zbulonin se ishin adaptë, më mirë të themi, vëllezër, në kuptimin që ka në disa shoqëri fetaro-politiko-shoqërore…” Që kjo lëvizje të lëshonte rrënjë, të ngjizej e të bëhej dominante, duhej kohë, duheshin përpjekje të mëdha të të gjithëve. Mid’hati iu përvesh kësaj pune gjigante.

“Një komb që ka shpresën të fortë dhe që ka vullnet për të ecur përpara, është i zoti që të sigurojë rrojtjen e tij kombëtare dhe politike të pavarur.”

Këto ide dhe të tjera, janë shprehje e mendimit më të përparuar shqiptar, por edhe europian, që mbart figura madhore e Mid’hat Frashërit. Ai i kuptonte kohët e reja që po vinin dhe u paraprinte atyre si profet.

Protagonist i shpalljes së indipendencës dhe ministër i disa qeverive të periudhës së Pavarësisë, ai u përpoq për themelimin e një shteti shqiptar sipas principeve perëndimore. Me gjithë turbullirat e luftërat që ndodhën, M. Frashëri qysh në fillim të shekullit që shkoi, shtroi dhe mbrojti tezën se shqiptarët janë të aftë të bëjnë shtet. “Duhet vullnet për bashkimin e tyre përpara rrezikut çbërjes së identitetit kombëtar, duhet ndërgjegjësim, punë dhe qytetari”, thotë M. Frashëri. “Një komb, një vend në skaj të Europës moderne, përbën një anakronizmë, një kundërshtim me të”, shkruan ai. “Duhet të na mbushet mendja se një Shqipëri gjysmë e qytetëruar, gjysmë në dritë e gjysmë në errësirë, nuk rron dot dhe shumë kohë… Qytetërimi vjen nga zhvillimi politik, ekonomik, arsimor e kulturor në një Shqipëri të lirë e demokratike.

M.Frashëri priret nga një përpjekje titanike për një jetë mendore të re, për një jetë politike të re, për një jetë shoqërore të re, për një jetë kulturore dhe arsimore të re, për një jetë kombëtare të re, për një horizont të ri”.

Qysh në vitin 1912, ai formulon e mbron tezën se, shpëtimi i Shqipërisë do t’i vijë me anë të vetes sonë. “Më duket se çdo gjë ndreqet, kur të ndreqemi ne vetë. Çdo të lige i priten krahët, kur të ndreqim të metat tona, çdo të keqeje të huaj i priten këmbët kur të bëhemi ne të zotët të mbrojmë të drejtat tona… Atëherë do ta bëjmë botën të na respektojë e ndikojë”. Si njeri me kulturë dhe principe demokratike, Frashëri mendon se, vendet e varfëra dhe larg qytetërimit duhet të përfitojnë nga përparimi ekonomik dhe qytetërimi europian. Por, ai është për të marrë anët pozitive, shembullin e mirë e të përshtatshëm për Shqipërinë, dhe jo për një nënshtrim të verbër. “Disa i kthejnë sytë nga perëndon dielli, jo për të parë një dritë të re, po një errësirë të bukur!”- shkruan ai në mënyrë të figurshme.

Mid’hati është për një zhvillim kapitalist të natyrshëm, me evolucion dhe në mënyrë demokratike, me përsosje të vazhdueshme, për një shtet me karakter shoqnor, siç shprehet ai. Është kundër revolucionit, përmbysjes me armë, kundër rrëmbimit e shtetëzimit të pasurive Ai shprehet kategorikisht kundër sistemit komunist të Rusisë, ku njerëzit kanë gjetur vdekjen dhe shpërbërjen. Zhvillimet në Shqipëri i lidh me rendin demokratik, ku “drejtimi dhe rregulli vijnë nga zbatimi dhe respektimi i ligjit, përkundër anarkisë dhe arbitraritetit”. “Para së gjithash e quaj të nevojshme t’ju them se do të ishte gabim të mendohet që ka një lëvizje bolshevike në Shqipëri, i shkruan ai konsullit Iden të Anglisë. Është një mendësi e mjerueshme të ngatërrosh liberalizmin, demokracinë dhe dëshirën për ndarjen e tokave, me sistemin e sovjetëve. Shqiptari është shumë konservator për t’u bërë bolshevik e leninist”. Mid’hati është për një sistem demokratik të përafërt me atë të Anglisë, ku “pronarët dhe bujqit bashkëpunojnë për fitimin e përbashkët”.

Ai është për një politikë të urtë dhe ekuilibriste të qendrës, larg ekstremizmit të marrë dhe larg konservatorizmit të verbër: “Në këtë degë të jetës shoqërore problemi më i rëndë do të ishte të mbajturit e një mase të urtë, pa dashur njeriu të bjerë marrëzisht në aparencat e një ekstremizme të marrë, as edhe ta lëshojë veten e tij në mefshtësinë patologjike të një konservatorizme të verbër, përtace dhe egoiste”, shkruan ai.

“Për mua ka vetëm një mënyrë, që të normalizohet gjendja në Shqipëri: mbajtja e lidhjeve me lëvizjen demokratike”, i shkruan po në atë kohë Idenit.

Mid’hati është për një shtet ligjor, për drejtimin nga institucionet që të mos mblidhet pushteti në një dorë të vetme. “A nuk besoni se duhet të përpiqemi të krijojmë një frymë rregulli dhe solidariteti, të shpëtojmë brezin tonë dhe kombin, përkurdoherë nga nihilizma dhe bolshevizma marlet, të meta që mjerisht i pëlqejnë karakterit tonë të ashpër?” – i drejtohet ai Kostë Çekrezit në SHBA, dhjetor 1925.

Duke shtjelluar teorinë për shtetin e së drejtës dhe marrëdhëniet e tij me individin, M.Frashëri, si europian, është për respektimin e ligjit në një vend të lirë. “Shqiptarin e prishi mosbindja dhe jo bindja, shkruan ai. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit”. Ai kërkon që, shqiptari të çlirohet nga “të qepurit pas qeverisë”, të bëhet sa më i pavarur, së pari, moralisht dhe ekonomikisht. …Përparimi i një kombi varet nga përmirësimi dhe naltësimi i çdo individi, që formon këtë komb”, shkruan ai. Pra, individin, individualizmën, sistemin e vlerave, ai e vë në themel të përparimit. Indipendenca morale dhe ekonomike e individit është e lidhur me rrojtjen politike të një kombi të lirë. Por, ai si idealist objektiv i mëshon më tepër vlerave, sidomos të inteligjencës, elitës, që udhëheq. “Në më thënçin arkimedët e rinj se pika e mbështetjes është paraja, do të përgjigjem: jo vetëm pika e mbështetjes, por edhe maniveli që mund ta kthejë botën, s’është veç inteligjencia”, shkruan ai.

Mid’hati që e njihte jetën politike të Shqipërisë dhe të Europës, madje prej andej u këshillon deputetëve shqiptarë një politikë të urtë ekuilibriste të qendrës, e cila i shërben më mirë Shqipërisë, pa ekstremizma të marra dhe pa konservatorizma të verbëta. “Në Parlament kombi do të bëjë stërvitjen e tij politike, gjithë duke shfaqur zotësinë për një edukatë të tillë. Provim i vështirë, pa dyshim, sadoqë kuvendet, pleqësitë, gjyqet kanë qenë prej institucioneve më të vjetra të vendit. Në këtë degë të jetës shoqërore, problemi më i rëndë është të mbajturit e një mase të urtë, pa dashur njeriu të bjerë marrëzisht në aparencat tërheqëse të një ekstremizme të marrë, as edhe ta lëshojë veten e tij në mefshtësinë patologjike të një konservatorizme të verbër, përtace dhe egoiste”.

Mid’hati gjakon për tolerancën, mirëkuptimin dhe dialogun, si mjete demokratike e humane. Ai është kundër mendësisë dhe praktikës totalitare që kundërshtari politik të konsiderohet armik dhe të luftohet si i tillë për t’u eliminuar siç ndodhi me fashizmin dhe komunizmin gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe me sistemin komunist të pasluftës. Për çështje madhore, siç ishin ato të luftës çlirimtare apo të zgjedhjeve politike, M.Frashëri inicion dhe bën kompromisin si një mundësi apo një zgjidhje e mundshme. Shembull i qartë për këtë është Kuvendi i Mukjes, ku u arrit një marrëveshje me përmasa kombëtare ndërmjet Ballit Kombëtar dhe Frontit Nacionalçlirimtar, mbi bazën e tolerancës e të kompromisit për një luftë të përbashkët kundër pushtuesve, për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe etnike.

Së dyti, vepra e Mid’hat Frashërit dhe vlera edukative e saj, përputhen plotësisht me jetën dhe moralin e tij personal. Do të sjell vetëm një shembull.

Mid’hat Frashëri dha dorëheqjen nga qeveria e Ismail Qemalit më 30 mars 1913, duke themeluar kështu institucionin e dorëheqjes në shtetin shqiptar. Ai shkoi në Elbasan, këtë radhë, në detyrën e thjeshtë, por të shenjtë të mësuesit të shkollës fillore (1913-1914), duke dhënë shembullin e shërbestarit. Nga ky moment u lidh ngushtë me mësuesinë, e nderoi atë dhe figurën e arsimtarit. “Edhe tani kam bindjen, i shkruan ai një mësuesi elbasanas, se karriera e mësuesisë është ajo, nuk them vetëm më e mira, por edhe më kënaqësiprurësja. Eshtë një detyrë modeste, pa bujë, fort e lodhshme, por që të jep një prehje shpirti, se çdo ditë, çdo muaj, çdo mot shohim me sytë tanë pemën që po rritim me aqë mundime”.

Më 20 janar 1914, Mid’hati u bën thirrje qytetarëve mësimdashës të Elbasanit, që, në shenjë mirënjohjeje për shërbimet që i ka bërë kombit shqiptar, miss Edith Durhamit, t’i blinin një stilograf të florinjtë. Që të kishte përfaqësim sa më të gjerë kjo shenjë nderimi, Mid’hat Frashëri kishte menduar që çdo atdhetar do të paguante veçse 5 qindarka, kështu të blihej me ndihmën e sa më shumë shqiptarëve. Kështu, ai edukonte solidaritetin dhe demokracinë e gjerë. Këtë stilograf prej ari ia dhuroi miss Durhamit, një përfaqësi e qytetit të Elbasanit, e përbërë nga Mid’hat Frashëri, Gligor Cilka, Dr.Ruzhdi Beu dhe Taqi Buda, kur ajo zbriti në Vlorë në muajin gusht, 1914. Mid’hati ishte kujdesur që edhe mbishkrimi i dhuratës të ishte sa më përfaqësues: “Zonjës Edith Durham, shqiptarët mirënjohës, 1914”. Kështu M.Frashëri vlerësonte dhe edukonte mirënjënjojtjen e respektin.

Së treti, duke u nisur nga hulumtimet e studimet e mirëfillta pedagogjike, Mid’hati është edhe një edukator profesionist.

Ai shkruan një sërë punimesh të mirëfillta pedagogjike, ndër të cilët studimi “Për të formuar karakterin”.

Karakterin e një individi apo të një populli Mid’hati e kushtëzon me rrethanat historike, shpirtërore, morale, kulturore dhe mjedisi gjeografik e mënyra e jetesës. Ndryshimin e karakterit (përmirësimin) e lidh me ndryshimin e këtyre kushteve që rrjedhin nga idetë e reja. Elita e një kombi, thotë ai, këtë detyrë parësore ka: Të formojë një opinion tjetër më të përparuar që të bëhet një hap përpara në qytetari dhe në formim të karakterit. Edukata e familjes dhe e shoqërisë, si edhe arsimimi, kultura, janë mjetet më të forta të formësimit të karakterit. Mid’hat Frashëri është idhtar i teorisë së mirësimit, si rrjedhojë më së shumti i ndryshimit të ideve, opinioneve, njëmendësive.

Qysh formohet karakteri? – pyet retorikisht Lumo Skëndo dhe përgjigjet: “Për të formuar karakterin, duhet, më parë se çdo gjë, të dimë të mirat dhe të metat e subjektit tonë, të djalit, të gruas, të burrit ose të popullit. Karakteri formohet me të shtuar të mirat, me të ushqyer virtytet, duke zmadhuar cilësitë dhe, nga ana tjetër, duke pakësuar, lehtësuar dhe zhdukur të metat… Është ajo vepër e përmirësimit, seleksionit moral…Vetëm vullneti i gjatë, mund që të sigurojë seleksionin, të arrijë qëllimin e mirësimit dhe të naltësimit”.

Lumo Skëndo e shtron kështu problemin:

A është karakteri çështje race, trashëgimie, temperamenti, rrjedhur prej klimës, vendit, mënyrës së jetesës, apo mpleksje e faktorëve moralë që dependojnë prej vullnetit dhe dëshirës sonë? A kemi ne në dorë të ndryshojmë gjë, të japim një shtytkë sipas nevojave tona, të ndërtojmë e të mirësojmë apo duhet të deklarohemi robër të mundur përpara fuqive të verbëta, përpara fatit, të pafuqishëm për të ndrequr dhe për të shëruar?

Dhe jep këtë zgjidhje:

Nëse pranojmë pikpamjen e dytë, në qoftë se bindemi që çdo send është i kotë dhe që s’duhet të përpiqemi për mirësim, atëherë nuk na mbetet tjetër, veçse të kryqëzojmë krahët përpara fatalitetit të mortjes. Duhet të pranojmë teorinë e mirësimit të njeriut, veprimin e vullnetit, të kushtëzimeve morale, efektin jo vetëm të përmirësimit të individit, por, edhe më tepër akoma, të shoqërisë, mbi forcën e ideve transformuese. Atëherë mund të mendojmë se si të ndryshojmë kushtet, qysh të krijojmë konditat e mira, qysh të bëjmë që të lindin shtytkat dhe veprimet mirëbërëse, për ta bërë natyrën njerëzore të jetë më e dobishme, pra, për veten e saj, që të jetë në harmoni me nevojat e jetës.

Sipas Lumo Skëndos, shqiptari ka shumë virtyte, po ka dhe shumë të meta. Ai zbërthen virtytet, por ndalet edhe tek të metat, si: karakteri i ashpër, kryelartësia (vetëkapërdisja, mosdurimi i kritikës), mosrespektimi i ligjit (pak i dhënë pas anarkisë), mospëlqimi i të punuarit, rendja pas nëpunësllëkut, sedra e madhe, kotësia etj. “Mjerisht, gjejmë shpeshherë te shqiptari edhe një kotësi të marrë: fryhet si misëroku me erë, dhe në ruzullim nuk sheh veçse vetëhen e tij…. Veçse Lumo Skëndo është për një ambicie që e çon përpara individin dhe kombin dhe jo për ambicionin që është motër e vëlla me kotësinë. “Kemi nevojë që të zgjojmë ambicion kombiar, një lidhkë solidariteti për çdo send që i takon kombit, racës, Shqipërisë. Këtë ndjenjë mund ta ngjallim, duke e bindur nxënësin se, vetëm duke u nderuar kombi, duke u lëvduar Shqipëria, duke qenë me famë dhe me zë të mirë çdo send që i përket Arbërisë, vetëm atëherë edhe çdo shqiptar, çdo njeri mund që të jetë i lëvduar dhe i nderuar si person; me një fjalë, duhet, që të vërë në shërbim të Shqipërisë gjithë ambicionin dhe aktivitetin e tij, që të marrë edhe vetë pjesën më të madhe dhe më të pëlqyer”. Ai i sheh zakonet, të mira apo të liga, të krijuara historikisht, por edhe rastësisht, të ngulitura në kanune, por edhe në opinione të rastit. “Zakonet, adetet, mënyrat e rrojtjes trashëgohen dhe respektohen vullnetarisht, jo me pahir, po me dashje. Thonë, se zakoni është më i fortë se ligji: Ligji inspirohet me fuqi. Kurse zakoni pranohet, duke dashur, shpesh herë edhe duke qenë i keq, i pakëndshëm dhe pa asnjë dobi për atë që i bindet. Pse, pra, i shtrohemi një tiranie dhe nuk na shkon mendja që të përndërkrehemi, ta rrëzojmë poshtë? Cila është fuqia që na shtrëngon? Duhet të dimë mekanizmin e zakonit, qysh lind dhe si vepron, që të mundim të jemi të zotër ta ndryshojmë, ta mirësojmë ose të krijojmë një të ri.

Filozofi Frashëri është idhtar i teorisë se, mirësimi apo ndryshimi i karakterit dhe i zakoneve, si rrjedhim edhe i marrëdhënieve shoqërore, vijnë nga ndryshimi i ideve, opinioneve, njëmendësive. Çdo ndryshim, sipas Lumo Skëndos, qoftë në jetën politike, ekonomike, shoqërore e morale, paraprihet e induktohet nga idetë, mendimet, opinionet e reja, progresive apo regresive. “Njëmendësia mund të nxjerrë në shesh një gjë të mirë, si edhe një gjë të dëmshme, thotë ai. Edhe në punën e bujkut, në atë të blegtorit që kërkon përmirësimin e racës, edhe në atë të politikanit apo edukatorit që kërkon mirësimin e njeriut, vetëm idetë e reja, sjellin ndryshime. Pa mendim, asgjë nuk lëviz përpara. Është fjala këtu për teorinë e ndryshimit ose të mirësimit, siç e quan Lumo Skëndo. Sa për ndikimin e ambientit, të kushteve materiale tek njeriu, apo shoqëria, ai nuk e mohon aspak këtë. Për shembull, kur flet për temperamentin e ashpër apo karakterin individualist të malësorit tonë, Lumo Skëndo e lidh këtë edhe me kushtet gjeografike të Shqipërisë dhe të mjedisit tepër të veçuar e të ashpër ku ai rron. “Mbase kjo është një e metë e rrjedhur prej çukave dhe maleve të Shqipërisë, – thotë Mid’hat Frashëri. Po, kushtet materiale kanë të bëjnë më tepër me konservimin, me qëndrueshmërinë e sendeve e të fenomeneve. Ato na mbajnë verbërisht robër të tyre. Kështu, për të zmbrapsur individualizmin primitiv të malësorëve, mendon Lumo Skëndo, duhet t’i mësojmë njerëzit të vijnë në pjekje me shoku-shokun për të zhvilluar cilësitë e shoqërimit dhe të solidaritetit. Kjo sigurohet me idetë e reja të lëvizjes së lirë të njerëzve, por edhe të ndryshimit të kushteve materiale, qoftë edhe ato gjeografike (mbledhjes së shtëpive të shpërndara në qendra të përbashkëta banimi, ndërtimi i infrastrukturës lëvizëse etj.)

Kushtet materiale që ndikojnë në formimin e karakterit, ai i përmbledh në faktorin “kohë”: “Pa ndihmën e kohës dhe të këmbënguljes, asgjë nuk bëhet në këtë botë”, shkruan ai.

Ndryshe nga rilindësit dhe mjaft bashkëkohës, Mid’hati jo vetëm zbulon plagët, diagnostikon sëmundjet, por edhe gjen ilaçin, shpëtimin, zgjidhjen.

Sipas M.Frashërit zhvillimi ekonomiko-social sjell zgjerimin e lirive dhe ndryshimin e karakterit e të zakoneve, por ai parapëlqen të qëndrojë në planet psikologjiko-moralë, për të dhënë rolin transformues të ideve në shoqëri. Po kjo është njëra anë e medaljes, – mendon Lumo Skëndo, ndofta po aq e rëndësishme, është plazmimi i tyre, mbruajtja e njerëzve, sidomos e të rinjve me ide të reja, përpjekjet e tyre për t’i vënë në jetë ato. Në këtë rrafsh, rol ka puna e intelektualit, veçanërisht puna e mësuesve, si mëkonjësit e diturisë, e të resë, e përparimit. “Për edukimin moral të popullit tonë, rolin kryesor e ka mësuesi, thotë Lumo Skendo. Detyra e tij është nga më të rëndat, por edhe ajo më e shenjta. Është një detyrë pa shkëlqim, pa kënaqësi materiale: gazin e ka në prehjen morale që ndjen mësonjësi, duke parë çdo mot djemt’ e vegjël që rriten dhe hyjnë në tufë të njerëzisë”. Misioni i tij është të mbjellë tek ndërgjegja e çdo nxënësi farët e ideve përmirësuese, ideve të reja që do të ndryshojnë jetën.

Detyra e edukatorit duhet të plotësohet me detyrën e çdo shqiptari, sidomos të brezave që vijnë:

“Për miqësinë që kemi bashkë, i dashuri im mik, tani dua prej teje një therori të vogël: të më shogrosh pesë minuta, çdo mbrëmje, pa të zënë gjumi. Dua që në këto pesë minuta të bësh një pyetje me vetëhen, të bësh një hetim në shpirt dhe zemrën tënde: Ç’të mirë bëre? Ç’të keqe punove? Kërko, rrëmo, shiko dhe vër re: do të gjesh edhe të mirat, edhe të metat. Përpiqu të shtosh të parat dhe të pakësosh të fundit, për kënaqësinë tënde, jo nga frika e ndokujt, as nga ndonjë shtrëngim, sprovo këtë ushtrim dhe, besomë mua, do të jetë një fuqi për frymën tënde. Pastaj, bëj këtë therori edhe në një shkallë më të gjerë: pyet vetëhen tënde, ç’të mirë i prure kombit dhe Shqipërisë, me ç’mënyrë u bëre i dobishëm për ta, nga ç’rasje dite të fitosh dhe cilat rasje të tjera të shpëtuan prej dore? Ç’dëm munde t’i prapsësh shoqërisë dhe ç’fitim u bëre i zoti t’i sjellësh? Ç’nder dhe ç’lumturi përpjekja jote u pruri vëllezërve që të rrethojnë dhe tokës që të ka ushqyer.

Pesë minuta për vetëhen tënde dhe pesë minuta të tjera për Shqipërinë, dëgjomë mua, nuk janë një therori e madhe”.

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: edukator per Kombin, Mit'hat Frasheri, Uran Butka

MITHAT FRASHERI: Komunizma, Një kolerë që shkatërron shpirtin

July 12, 2013 by dgreca

 Letrat e Mit’hat Frashërit-Për miqtë e mi t’Amerikës/

Letrat e Mithat Frashërit ngjan si një letër e hapur, ku ai u drejtohet miqve të tij bashkatdhetarë në Amerikë, duke kërkuar prej tyre ndihmë. Komunizmi, regjimi që e urreu deri në vdekje, kishte mbërthyer tashmë Shqipërinë. Viti shënonte 1946. Diçka më pak se tre vjet para se ai të ndahej nga kjo jetë. Mid’hat Frashërit dhe miqve të tjerë që ishin kundër këtij regjimi, s’ju kish mbetur rrugë tjetër veç emigrimit. Letra na zbërthen çdo pikëpamje të tij mbi situatën e krijuar menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, shqetësimet e tij, revoltën, trishtimin dhe parashikimet mbi sistemin e ri që po vendosej në Shqipëri.

Angazhimi i tij politik nuk qe një rastësi. Edhe pse kishte dhënë dorëheqjen nga aktiviteti politik në vitin 1925, pas shumë kohe heshtje, në vitin 1939 ai iu rikthye sërish politikës. Pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste vendos të rikthehet. Në vitin 1941, ai është ideologu kryesor dhe një nga themeluesit e Partisë Nacionaliste, e njohur më shumë me emrin Partia e Ballit Kombëtar. Kundërshtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, Midhat Frashëri u detyrua që në nëntor 1944, të largohet nga Shqipëria dhe të vendoset në Itali. Mbase ka qenë në Itali edhe gjatë kohës kur ka shkruar këtë letër. Edhe pse ai nuk e shënon vendndodhjen e tij. Në fund të letrës ai shkruan thjeshtë: “…Mid’hat Frashëri… Në mërgim më 1 dhjetor 1946″. Në këtë moment të jetës së tij, edhe pse i zhgënjyer ai duket më energjik se kurrë. Bën plane dhe mbi të gjitha informon, kërkon t’iu hapë sytë njerëzve e të zhdukë çdo aureolë optimizmi që kishte mveshur idetë e njerëzimit mbi “mrekullitë e sistemit të ri shoqëror”. Çfarë po ndodhte në të vërtetë në Shqipëri? Çfarë ishte komunizma, me ç’forma dhe mënyra po vendosej diktatura dhe çfarë fshihej pas fjalëve reforma dhe përparim? Pak kush si ai mund ta analizonte atë fillim të vrullshëm… për më tepër të parashikonte pasojat që do të vinin për gjithë shqiptarët.

Komunizma, Një kolerë që shkatërron shpirtin

 Për miqtë e mi t’Amerikës

Të dashur miq,

Kemi dy vjet që u detyruam të largohemi nga Shqipëria dhe të bëhemi refugjatë. Sot, në tokën e mërimit të anës perëndimore të Adriatikut, jemi afër 750 shqiptarë, në mes të të cilëve edhe gra, kalamanj e pleq. Në Greqi janë 800 refugjatë të tjerë, të larguar nga atdheu, mezi të shpëtuar nga masakrat, despotizma dhe tmerri që ka mbuluar Shqipërinë. Këta 1500 refugjatë janë nga të gjithë anët e Shqipërisë: Konispoli, Shqipëria e mesme dhe e veriut edhe një numër i madh nga Kosova.

Që dy vjet, kujdesi ynë i parë ka qenë të hyjmë në korespondencë me miqtë dhe farefisin që kemi në vendet e largët: Australi, Turqi, Egjypt, Shtetet e Bashkuara t’Amerikës, por veçanërisht me këtë të fundit, ku ndodhet kolonija jonë më e madhe. Shqipërinë e lam në tym e në flakë. Komunizma përgatitej të festonte triumfin e saj në mënyrë komuniste, do me thënë, duke therur, pushkatuar, mbytur, vrarë e torturuar, gra, burra, djem, çupa, të mëdhenj e të vegjël dhe sidomos të pafajshëm.

Deshmë të tërheqim vërejtjen e vëllezërve tanë që ndodhen larg Atdheut dhe që s’kishin pasur mundësi të informohen dhe të kuptojnë të vërtetën. Kjo nuk na dukej një çudi as edhe një gjë e mosbesuar, se, të paktën tri radio të mëdha në gjuhën shqipe ishin në favor të komunistëvet dhe bënin propagandën e tyre. Por, ne na duhej të shpejtonim që të shpëtojmë opinionin e shqiptarëvet që ishin larg Atdheut: Kishim për detyrë të ndritonim mendjen e tyre dhe t’u viheshim në shërbim për çdo informatë që ata mund të kishin nevojë. Ata që kishin mbetur në Shqipëri, mund t’i quanim që të gjithë si të mjerë të burgosur, me zinxhirë në këmbë dhe me litar në grykë. Kishim nevojë, një orë e më parë, të shpëtonim nga robëria, në mos materiale por morale, kolonitë tona. Bëmë thirrje në ndjenjat patriotike dhe njerëzore të miave tanë të largët. Gjithë shpresën e mëkëmbjes së madhe e kishim te kolonija juaj, se ju rroni në një vend të lirë, nën një qeverisje liberale. Ju ishit larg tiranisë, larg despotizmës dhe larg diktaturës kuqalashe. Nuk kishit në Shtetet e Bashkuara, asnjë Mehmet Shehu, asnjë Enver Hoxha, asnjë Tito. Pastaj, kujtonim edhe patriotizmën tuaj të viteve 1919 dhe 1920. Kujtonim se qysh, të gjithë së bashku, si një njeri i vetëm, jini ngritur atëhere në këmbë dhe kini luftuar për indipendencën e asaj Shqipërie, për kufijtë e asaj Shqipërije dhe për nderin e asaj Shqipërije. Më të shumtët prej jush i njoh dhe më njihni personalisht. Kishim, pra, jo vetëm detyrën që të hynim në korespondencë me ju, por edhe të drejtën.

Me qindra letra ju janë dërguar, jo vetëm miqvet tuaj si unë, por edhe prej vëllezërvet, kushërinjvet, nipërvet dhe ungjërvet tuaj. Disave nuk u është kthyer përgjigje. Me çdo kusht ishte nevojë që të ndriçohej opinioni i tyre që të vononin akoma të mësojnë edhe të kuptojnë të vërtetën. Dhe kjo e vërtetë çdo ditë u bë më tepër tragjike. Krimet e komunistëvet gjatë luftës, i vazhduan krime të tjerë, ekzekutimet pa gjyq ose me gjyq rrugësh, me ligje edhe pa ligje, vajtën duke u shumëzuar. Perëndija vetëm e di numurin e atyre që janë mbytur. Më të shumtët as ekzekutoheshin, as edhe masakroheshin në burgje, por vriteshin e çpoheshin me thikë në udhë e sipër. Sot vallë janë të burgosur, 16.000 apo 26.000? Sa prej tyre gjenden të sëmurë dhe gati për vdekje? Sa familje gjenden të internuar në Krujë, Berat e gjetkë?…

 

***

Doni të pyesni për reforma? Jua them unë. Reforma më e bukur, në krijimin e së cilës komunistët e Shqipërisë kanë rrëfyer një zotësi dhe një inteligjencë të vërtetë, është frika: nëna dhe baba të kenë frikë nga çupa dhe nga djali i tyre. Shqiptari të dridhet nga fisi më i afërt i tij se mos veje e ta kallëzoje te policija, simbas sistemit rus, G.P.U dhe N.K.V.D.

Lumturi e popullit? Vërtet një lumturi e mirë! Bujqvet, katundarëvet dhe atyre që s’kishin asgjë, qeveria demokratike dhe popullore e Enver Hoxhës u ka dhënë nga një pëllëmbë dhe. Por gjithë produkti i djersës së tyre vete në hambar të qeverisë dhe i gjori bujk, katundar ose proletar, duhet që të vejë çdo javë në zyrë të marrë te nëpunësi komunist kafshatën e gojës.

Qysh në fillim të regjimit të komunistëvet, gjith mallrat, ilaçet, veglat e mjekësisë dhe të kirurgjisë, çdo gjë që u gjend në drogeritë dhe depozitat e Shqipërisë, u dërgua te xhaxha Tito, dhe kjo për shpërblim të shërbimit që bëri Titoja duke vrarë afro 50.000 shqiptarë të Kosovës. Vajtën leshtë, lëkurët, benzina dhe nafta edhe ato në Jugosllavi. Shumë nga sendet që jep organizata U.N.R.R.A shkojnë në Jugosllavi ose u dorëzohen vetë besnikëvet të regjimit komunist. Fakir fukaraja, në mundshin dhe në gjeçin, le të hanë hithra. Mish nuk tregëtohet më në Tiranë, të shitet e të blihet. Për rroba, mveshje e mbajtje, pëlhurë, stofra e të tjera, mos bëni fjalë, se dyqanet që kishin qenë plot me plaçka, sot janë zbrazur. Edhe në ka eje të shitet ndonjë gjë, i jipet vetëm atyre që kanë marrë bileta nga qeveria…

Kjo është situata e Shqipërisë. Kjo është gjendja e të gjorëvet shqiptarë që kanë lumturinë të rrojnë nën hijen e “demokracisë së Tiranës”.

 

***

Për fat të keq, dëmet nuk janë vetëm materiale. Për Shqipërinë e gjorë, me jo më tepër se një milion njerëz, sikur nuk ishte mjaft kjo luftë e përbotshme dhe pushtimi i huaj, sikur nuk ishte mjaft lufta italo-greke që u zhvillua në tokën arbërore dhe shkaktoi një shumicë rrënimesh, njerëzish dhe banesash, por ja se ku vjen edhe kolera e kuqe e komunizmës, që me dorën e shqiptarit të therrë shqiptarin, të sjellë një mizerje dhe një vuajtje që nuk e ka pësuar kurrë gjer më sot vendi ynë. Me mijëra njerëz që u çduknë nga dora trathëtare e komunistëvet, ashtu edhe me qindra milionë që franga ari u shkrinë në zjarr për qejfin e të kuqvet. Nuk e di cili do të ketë mbetur i padëmtuar materialisht dhe moralisht nga miqt që kemi lënë në Shqipëri? Cili nga anëtarët e fisit dhe nga të afërmit do t’i ketë shpëtuar dorës gjaksore?

Të mos kishte ardhur komunizma, sot Shqipërija mund të ishte vendi më i qetë dhe më pak i dëmtuar i Evropës. Mbi gjithë këto vuajtje materiale, shtoi edhe pësimet shpirtërore të një populli të tërë që i shembet vatra, që i shuhet zjarri, që i thyhet gjithë e arthmja dhe i hapet një humnerë në jetën e tij, mosbesim nga çupa, djali, motra, nëna, baba, i dashuri, fisi, fqinji menjëfjalë, përmbysja e ekulibrit moral dhe shoqëror. Si do ta mbledhë i gjori njeri veten e tij mbas kësaj katastrofe dhe qysh do të bëhet i zoti të fillojë jetën normale?!

Mos më flisni për shërbimet politike që mund të kenë bërë komunistët duke luftuar okupatorin. Trimërija e tyre ka qenë e kufizuar me të djegure më të vrarë shqiptarë, me të çkatërruar dhjetra qytete dhe disa qindra fshatra, që do të ishin si rojtarë të atdheut. Shtoni mbi këto edhe rrënimet e Tiranës që u shkaktuan prej komunistëvet bash në orën tek po iknin Gjermanët. doni të bëjmë fjalë për efektin politik që pati instalimi i regjimit moskovit në Shqipëri?

Pema imediate e politikës së çetës komuniste në Tiranë ka qenë prishja e marrëdhënieve me dy Fuqitë Aleate, Angli dhe Amerikë. Të dy Fuqitë liberale të botës janë armiqësuar me klanin “demokrat” të Tiranës nga shkaku:

1. Se agallarët e kuq e kanë kallur Shqipërinë në sgjedhën e Rusisë dhe të Serbisë: Enver Hoxha dhe banda e tij përgatisnin plane në ç’mënyrë ta bëjnë Shqipërinë një provincë serbe, edhe mbasandja kanë guximin të thonë se kanë luftuar për lirinë e Shqipërisë!

2. Se sejmenët e Rusisë, afro 6000 njerëz (oficerë, nëpunës, profesorë, industrialë, organizatorë, ushtarakë, por kryesisht spiunë dhe policë të G.P.U-s) sot janë sundonjësit e vërtetë të tokës shqiptare.

3. Se sjellja e autoritetevet të Tiranës ka qenë armiqësore dhe pa edukatë, ky brutalitet me qëllim fyes, kishte filluar kundrejt Aleatëve që në fund të vjetit 1945. Por dy veprime më me rëndësi akoma u bënë shkak që bota e tërë, ajo botë që dëshiron paqe dhe drejtësi, të ndjejë një zemërim dhe një urrejtje kundrejt qeverisë së Tiranës dhe këto janë:

a. Të prurët e Rusisë gjer në Sazan dhe në Sarandë, do me thënë në detit Jonian dhe afër Mesdheut Lindor.

b. Të qëlluarit me top të vaporrëve anglezë të luftës nga bregu i detit shqiptar.

Nga kjo keqsjellje e qeverisë kuislinge të Tiarnës (themi “kuislinge” se nuk mund të quhet shqiptare një çetë që merr urdhër së jashtmi, deh aq më tepër prej një shteti si Serbija që gjithnjë ka rrëfyer armiqësi kundër Shqipërisë), qeverija greke ka gjetur një shkak, një pretekst, për të formuluar pretendime absurde kundër vendit tonë dhe kërkesat e saj kanë zgjuar një jehonë të favorshme pranë njërit prej shtetevet të mëdhenj, të cilëvet u cënohen interesat jetike të tyre, kur Shqipërija sjell Rusinë në Mesdhe.

***

Tani, miqt e mij, nuk dua t’ju them fjalë të tjera. Po u drejtohem ndërgjegjes dhe ndjenjave tuaja. Nuk kini nevojë as për këshilla, as për lutjet e mia. Kolonitë tona, patriotizmën dhe shërbimin për Atdhe e kanë në traditë. Detyrën tuaj jua rrëfen ndjenja juaj njerëzore dhe inteligjenca juaj. Këtë letër po u a dretonj atyreve që e dinë ç’do me thënë dashuri e prindërvet, që e ndjejnë mallin e Atdheut dhe që mbajnë gjithnjë gjallë nostalgjinë e vatrës së largët të tyre. Gjaku ujë s’bëhet. As edhe njeriu nuk mund të bëhet bishë. Komunizma, s’kam as më të paktin dyshim, që e keni kuptuar edhe vetë, është sëmundje e tmerruar si tërbim i qenvet dhe ujqërvet, është një kolerë që nuk çkatërron vetëm trupin, por edhe më tepër akoma zemrën dhe shpirtin e njeriut. Jam i sigurt që asnjerit prej jush nuk i pëlqejnë këto sëmundje. Prandaj edhe juve ju bije një detyrë, edhe më urdhëronjëse akoma: të hyni edhe ju në udhën antikomuniste që ka filluar jo vetëm në Shqipërim por edhe n’Amerikë.

Mos harroni se Shqipëria gjindet në një moment delikat. Kujtoni përgjegjësinë tuaj përpara historisë. Kolonitë tona nuk mundin të rrinë indiferente, janë në vende të lirë, janë larg territorit, larg kanosjevet gjaksore të Koçi Xoxëvet dhe çdo indiferencë të tyre, kur atdheu heq çaste agonije, merr formën e një krimi të urrejtshëm.

Kemi sigurinë se do të mbushni detyrën tuaj. Do t’i bëni një mur komunizmës me vullnetin tuaj, me zemrën tuaj dhe me patrotizmën tuaj. Me këtë bindje, ju uronj shëndet edhe punë të mbarë.

Mid’hat Frashëri

Në mërgim më 1 dhjetor 1946

 

Filed Under: Featured Tagged With: komunizma, Mit'hat Frasheri, nje kolere, qe shkaterron shpirtin

Mit’hat Frashëri: Ku të gjejmë nëpunës që dinë shqip?

July 4, 2013 by dgreca

Shkruante Gazeta Dielli: Në mes të miqve që ndodheshin në këtë bisedim ishte dhe djaloshi Xh.K., student në Amerikë. S’kishte folur deri atëherë; vetëm dëgjonte. Në fund tha: Unë doja të mësoja për Drejtësi në Universitet. Po tani e ktheva mendjen: Do të mësoj për sekretar, dhe jo ministër. Do të vete në Shkollën e Tregtisë (Business High School) të mësoj si mbahet korrespondenca, si mbahen def-terët, të mësoj stenografinë për të shkruar. Miku i tha: Të jesh i sigurtë se ka më tepër nder një sekretar i zoti se një ministër i pa zoti,- shkruante “Dielli”. /
Shkruan: Luan Malltezi*/

Një nga problemet kryesore në Shqipëri pas Shpalljes së Pavarësisë ishte ngritja e administratës shtetërore me njerëz të aftë dhe të zot. Problemi ishte i vështirë; gjuha shqipe nuk ishte lejuar të mësohej në shkollat e vendit nga administrata osmane; vendi ishte i varfër dhe analfabetizmi mbulonte 90% të popullsisë. Qeveria hapi konkurs për nëpunësit e rinj të administratës shtetërore ku midis të tjerave vihej edhe kërkesa për njohjen e gjuhës shqipe. Për të ndihmuar në zgjidhjen e këtij problemi Lumo Skëndo shkruajti shkrimin “Ministrat dhe sekretarët”. Shkrimi në fillim duket se u botua në vitet ’30 tek “Dielli” dhe që këtej u morr dhe u botua në gazetën: “Shqipëri e Re”. Shkrimi megjithatë vlen të rilexohet edhe në ditët tona, madje vlen të rilexohet kohë pas kohe. 
Ministrat dhe Sekretarët 
Të mos trembemi, po të shikojmë të vërtetën drejt në sy. Le të zbulojmë të metat, le të shohim rrënjët dhe shkaqet e tyre. Të jemi si mjeku që bën diagnostikim, na thotë ç’kemi, pastaj na dëften edhe ilaçin. 
Nja dy muaj më parë bënim fjalë me një mik se ç’farë njerëz të zotë kemi, sa specialistë, sa mjekë, sa inxhinierë, sa profesorë. Bëmë një listë me shqiptarë që kanë diploma nga shkollat e larta, dhe në çdo zbulim të ri, na mbushej zemra plot gaz, na vinte një madhështi. Dhe aq më tej akoma, sepse të dy qemë të bindur se inxhinierët më të mirë të Turqisë (Ahmedi nga Devolli, Eshrefi nga Frashëri), dhe mjekët më të mirët, operator Orhani nga Devolli, gjinekologu Besim Omeri nga Narta, Sylejman Humani nga Dibra, neurologu Joan X, nga Gjirokastra, bekterollogu Rifat nga Frashëri etj. ishin të gjithë shqiptarë, nga gjaku dhe nga vendi ynë, nga ajo baltë dhe nga ajo gjuhë. U gëzuam kur mësuam se një veteriner shqiptar, miku ynë, Sejfedini nga Selenica, gjeti ilaçin e këlbazës në Shkodër, se Dr.M.Turtulli, në Misir, ishte një nga më të mirët e heqimëve. Edhe thoshnim se Shqipëria nuk është e varfër nga intelektualët, se kemi njerëz edhe në Rumani (inxhinier Vangjel Nuni), një profesor elektriku nga Drenova, tre a katër piktorë. Mund të kemi edhe në Greqi, që s’i dimë sot, se nuk rrëfehen por nesër mbase dalin në dritë. 
Megjithatë, sado vullnet të mirë që patëm për ta zgjatur, lista mbeti e vogël, e shkurtër, edhe u siguruam se një vend si i yni që ka nevojë të përparojë, duhet t’i përvishet punës; njerëzit që kemi sot janë fort të paktë; bëmë pastaj edhe një listë të studentëve, të djelmoshave që mësojnë në Amerikë, në Itali, në Vjenë e gjetkë; edhe këtë listë e gjetëm fort të varfër. 
Tashmë duhet të punojmë, të përpiqemi që të shtohet numri i studentëve, i atyre që dinë dhe janë të zot të punojnë, i atyre që mund të bëjnë një punë të fitimshme. 
Duhet të kemi njerëz për sekretarë – tha miku ynë, dhe jo për ministra. 
Pandehëm se qeshte. Po jo, miku qe i sinqertë, fliste me seriozitet. Deshëm të dimë ç’donte të thoshte. Dhe e pyetëm. 
Ne, tha, në Shqipëri, kemi shumë njerëz që janë kandidatë për ministra, dhe fort pak janë për sekretarë; shqiptari është kryelartë, i pëlqen që të rrijë në krye, kemi pak njerëz të zotë që të punojnë. 
S’kuptonim ç’qëllim kishte. Po ai na e shpjegoi: 
Do ta kuptoni fort lehtë ç’dua të them, kur të mendoni se një sekretar duhet të jetë i zoti që të shkruaj mirë, të mbajë në rregull letrat dhe defterët, të rrijë tetë orë ditën dhe të punojë mbase edhe natën. Ministri s’ka nevojë të bëjë asnjë nga këto punë. Ay vetëm do të flasë, do të kuvendojë…. Sekretarit i duket puna, po qe që s’di, i del në shesh puna. Ministri përkundrazi ua hedh fajin shokëve. 
Miku ynë e thoshte këtë me ironi dhe me paradoks; se edhe ai e dinte se ministri duhet të ishte shumë i ditur dhe i zoti. Themi duhet të ishte dhe shpresojmë se edhe në Shqipëri kështu do të bëhet. 
S’kemi njerëz të zotë për punë të rregullt, vazhdoj miku ynë. S’kemi se nuk janë mësuar për punë; nuk kishin ku të mësoheshin: Ata të Turqisë janë mësuar “dembelë”; në Shqipëri akoma nuk nxorëm dot njerëz të rinj. Prandaj gjithë duan të bëhen ministra, dhe asnjë sekretar. 
Edhe shtoi: Doni të bëni një provë ? Bëni një zëdhënie në “Dielli”: thoni se “Vatra” kërkon të bëjë ministra për në Shqipëri dhe u lutet atyre që dëshirojnë këtë ofiq, të bëjnë kërkesa. Do të shihni se do të vijnë dyqind mijë aplikime . Të gjithë duan të bëhen ministra, që nga B. B. dhe gjer Sh. G. Jo vetëm se ata janë të pashëm, për krushq, po edhe i mjeri V. L. q’ është si kotele maceje dhe I. P. edhe ata për ministër e kanë syrin. Bëni edhe një zëdhënie për sekretarë dhe do të shihni sa pak aplikime do të vijnë! 
Dhe kishte të drejtë miku ynë. Unë që po shkruaj këto radhë, nuk njoh të këtë në mes të asaj shumicë miqsh që njoh, tetë prej syresh që të jenë të zot të bëhen sekretarë. 
Kur mendohem sa të paktë janë sot ata që dëshirojnë të bëhen sekretarë, sa të paktë janë ata, që mund të punojnë me rregull dhe me sistem, të mbajnë në rregull një korrespondencë dhe të shkruajnë bukur një letër ose një raport shqip, njeriut i vjen për të qarë, i vjen për të qarë jo se gjenden të paktë, po se të paktë janë ata, që përpiqen të bëhen më të zotë. 
Në mes të miqve që ndodheshin në këtë bisedim ishte dhe djaloshi Xh.K., student në Amerikë. S’kishte folur deri atëherë; vetëm dëgjonte. Në fund tha: Unë doja të mësoja për Drejtësi në Universitet. Po tani e ktheva mendjen: Do të mësoj për sekretar, dhe jo ministër. Do të vete në Shkollën e Tregtisë (Business High School) të mësoj si mbahet korrespondenca, si mbahen def-terët, të mësoj stenografinë për të shkruar. Miku i tha: Të jesh i sigurtë se ka më tepër nder një sekretar i zoti se një ministër i pa zoti,- shkruante “Dielli”. 
* Historian(Kortezi: Gazeta shqiptare)

Filed Under: Histori Tagged With: ku te gjejme, Mit'hat Frasheri, nepunes, qe dine shqip

ESHTRAT E MITHAT FRASHERIT DHE KOKA E ALI PASHE TEPELENES DO TE KTHEHEN NE SHQIPERI

December 24, 2012 by dgreca

FOTO: Homazhe prane varrit te Mithat Frasherit me rastin e 133 vjetorit te lindjes ne NY.(Foto Beqir Sina)/

TIRANË- Gjatë mbledhjes të Komitetit ndërshtetëror për 100-vjetorin e Pavarësisë, kryeministri Berisha propozoi zgjatjen e afateve të punimeve edhe për 3 muaj të tjerë, për të realizuar projekte të rëndësishme, siç tha ai.
Kryeministri Berisha deklaroi gjatë kësaj mbledhje se historia duhet të vendoset në vend, prandaj propozoi që në Atdhe të kthehet koka e Ali Pashë Tepelenës një ndër personalitetet më të rëndësishme të historisë siç tha ai. Kthimi në Atdhe i eshtrave të njeriut të letrave, Mit’hat Frashërit, ishte gjithashtu një propozim i bërë gjatë kësaj mbledhjeje. Kreu i qeverisë kërkoi që në Shqipëri të prehen edhe eshtrat e gruas së Ismail Qemalit, si dhe të ngrihet muzeu i Spacit, në homazh të shtypjes njerëzore që u bë në atë burg, siç tha ai.
“Kërkoj të zgjatet afati i këtij aktiviteti edhe për 3 muaj, më pas vendi hyn në fushatë elektrale. Kjo për t’u dhënë përgjigje disa projekteve që kemi rënë darkord. Të ndërtohet muzeu i Spacit në homazh të shtypjes më çnjerëzore që përjertuan shqiptarët, në njërin prej kampeve më të egra të Shqipërisë dhe Europës”, tha Berisha.
“Duhet të marrim masat që edhe bashkëshortja e Ismail Qemalit të prehet bashkë me të shoqin e saj. Nëna e 10 fëmijëve duhet të kthehet, të ndajë jetën e ardhshme me bashkëshortin që e deshi dhe ju përkushtua aq shumë. Fati e degdisi në Spanjë, por duhet parë çdo mundësi që të kthehet”, u shpreh ai më tej.
Në lidhje me kthimin në Atdhe të kokës së Ali Pashë Tepelenës, Berisha tha se ende nuk dihet se ku mund të vendoset, por nënvizoi se do zgjidhet mes Tepelenës e Muzeut Kombëtar.
“Duhet të bëjmë gjithçka që të kthejmë nga Stambolli kokën e Ali Pashë Tepelenës. Është ndër personalitetet më të rëndësishme. Ai i dëshmoi botës se shqiptarët nuk kanë vdekur, se janë një komb i pamposhtur. Jo rastësisht më i fuqishmi i asaj kohe Bonaparti do tregonte interes të madh për Pashain e Janainës, madje filluan ta shpallin si Bonapartin e Ballkanit. Me gjithë përpjekjen e tij ky strateg i madh i tha botës se ky komb është i pamposhtur. Kaq e vërtetë është sa Sulltani i kërkoi kokën për të vërtetuar që ishte vrarë. Ne duhet të bëjmë gjithçka që ta kthejmë. Midis Tepelenës dhe Muzeut Kombëtar kjo do zgjidhet, ai ka një vend të merituar në histori”, tha ai.
Për Mit’hat Frashërin kryeministri propozoi të prehet pranë varrit të të atit Abdyl Frashëri.
“Është e domosdoshme të sillen eshtrat e Mit’hat Frashërit, një publicist më mendjendrituri i letrave dhe kulturës sonë. I biri i Abdyl Frashërit ka një kontribut shumë të madh në historinë tonë. Ai mbetet simbol i atdhetarit të flaktë, i një gjeniu, i një politikani për të cilin ideologjia sunduese duhet të ishte ideologjia kombëtare. Lidhur me varrimin e eshtrave të tij, propozoj të prehet afër të atit”, shtoi Berisha.

NË KETE 100 VJETOR PËRCOLLËM MESAZHE PAQEJE E BASHKËPUNIMI
Gjatë kësaj mbledhje kreu i ekzekutivit komentoi edhe njëherë festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë. Sipas tij, ‘Ky 100-vjetor u kremtua me dinjitet të madh në të gjitha trojet etnike dhe në mbarë botën ku ndodhen shqiptarë”, tha ai.
Por siç nënvizoi Berisha, “aspekti më madhështor, më spektakolar, më historik i kësaj feste është ai i qytetarëve shqiptarë. Frymëzues të festimeve ishin qytetarët e thjeshtë që vërshuan nga të katër anët e vendit por edhe nga i gjithë planeti”, shtoi ai.
Kryeministri deklaroi se gjatë këtyre festimeve janë përcjellë mesazhe paqeje e bashkëpunimi.
“Ideali i bashkimit kombëtar ishte lideri i vërtetë i festës së madhe dhe i lëvizjes mbarëshqiptare. Ndjehemi të lumtur që përjetuam këtë lëvizje festive paqësore mbarëkombëtare që përcolli mesazhe paqeje, bashkëpunimi, harmonije dhe integrimi. Energjia e saj do të mbetet një burim i pashtetshëm në mbështetjen e shqiptarëve për të realizuar idealet e tyre më fisnike”, komentoi Berisha.
“Kërkoj të zgjatet afati i këtij aktiviteti edhe për 3 muaj, më pas vendi hyn në fushatë elektrale. Kjo për t’i dhënë përgjigje disa projekteve që kemi rënë darkord. Të ndërtohet Muzeu i Spaçit në homazh të shtypjes më çnjerëzore që përjetuan shqiptarët, në njërin prej kampeve më të egra të Shqipërisë dhe Europës”, tha Berisha.

KRONIKA E PLOTE DHE FJALA E KRYEMINISTRIT

Lëvizja festive paqësore mbarë kombëtare përcolli mesazhet më të fuqishme të paqes bashkëpunimit, harmonisë, bashkimit, integrimit

“Tirana, Vlora dhe mbarë Shqipëria nuk kanë përjetuar kurrë në histori më parë një lëvizje mbarëkombëtare, kaq masive, saç përjetuan në 28 nëntor.” Kështu u shpreh kryeministri Berisha në mbledhjen e radhës së Komitetit shtetëror për 100 vjetorin e pavarësisë, i cili u mblodh sot për të diskutuar lidhur me disa projekte të rëndësishme, të cilat duhet të bëhen realitet në muajt që vijnë.

Kryeministri tha se aspekti më madhështor, më spektakolar dhe më historik i këtij 100 vjetori është ai i qytetarëve shqiptarë. Duke e cilësuar 28 nëntorin si ditën e lëvizjes kombëtare mbarë popullore, më të fuqishme në historinë e këtij kombi, kryeministri u shpreh se “në këtë lëvizje, zotër, organizatorë, frymëzues të saj ishin qytetaret e thjeshtë, të cilët vërshuan nga të katër anët e trojeve shqiptare, por edhe nga Alaska dhe Afrika e Jugut, nga të gjitha skajet e planetit dhe u bashkuan në sheshet e Tiranës dhe të Vlorës si qytetarë të lirë për të kremtuar festën e shekullit, festën e 100 vjetorit të pavarësisë.”

Pasi bëri një bilanc të aktiviteteve të zhvilluara me shumë sukses, anembanë vendit, kryeministri konstatoi se megjithë përpjekjet për të përmbushur plotësisht detyrimet, sërish mbetet punë për të bërë. Në këtë kontekst, Kryeministri kërkoi që me miratimin e të gjithë anëtarëve të zgjatet afati i këtij komiteti edhe për tre muajt në vijim.

Kryeministri parashtroi disa projekte për të cilat është rënë dakord nga ky komitet se do të realizohen, siç është ndërtimi i Muzeut të Spaçit, Obelisku i martirëve të fjalës së lirë dhe besimit tek Zoti, memorizimi i Lëvizjes studentore, të dhjetorit ’90, rikthimi i eshtrave të Sami Frashërit dhe të Mithat Frashërit në Shqipëri, rikthimi i kokës së Ali Pashë Tepelenës, etj.

Kryeministri shprehu ndër të tjera, mirënjohjen më të thellë ndaj të gjithë atyre që kontribuuan në të gjitha mënyrat për ta ngritur këtë vit jubilar në lartësitë e tij. “U shpreh mirënjohje më të thellë qytetarëve, artistëve, piktorëve, skulptorëve, këngëtarëve, qeveritarëve vendorë, qeveritarëve qendrorë, të rejave, të rinjve, studiuesve, mediave të gjithëve pa përjashtim atyre që e shndërruan vitin e 100 vjetorit të pavarësisë në një vit të ndjerë të qenies së tyre kombëtare.” tha kryeministri.

Fjala e kryeministrit Berisha në mbledhjen e Komitetit shtetëror të kremtimeve për 100 vjetorin e pavarësisë:

Të nderuar anëtarë të Komitetit shtetëror të kremtimit të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë,

Së pari, dua të falënderoj secilin prej jush për ndihmesën, kontributin shumë të çmuar që ju dhe bashkëpunëtorët tuaj dhanë në kremtimin në festën e shekullit për kombin shqiptar që ishte dhe kremtimi i 100 vjetorit te pavarësisë së Shqipërisë. Ajo çka mund të themi është kjo: Ky 100 vjetor u kremtua me dinjitet të madh në Shqipëri dhe të gjitha trojet etnike, por e vërteta është në mbarë botën, aty ku kishte shqiptarë.

Ky 100 vjetor u shoqërua nga qindra dhe mijëra aktivitete të organizuara anë Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, diasporë për të nderuar shekullin e pavarësisë së Shqipërisë. Ky 100 vjetor u shoqërua nga botimi i monografive, traktateve, librave historike për Shqipërinë dhe shqiptarët të 100 viteve të fundit, ndër më të shkëlqyerat. Bënë të mundur që shqiptarët të kenë sipas dëshirës së tyre, bibliotekën e tyre historike të 100 viteve të fundit. Ky 100 vjetor u shoqërua nga mbajtja, paraqitja, botimi i dhjetëra dhe qindra kumtesave dhe studimeve të të vërtetave të 100 vjeçarit të fundit të Shqipërisë dhe shqiptareve.

100 vjetori ishte një rast për të paraqitur përpjekjet titanike të shqiptarëve për shtetin e tyre, për liri dhe dinjitet kudo që ata ndodhen.

100 vjetori u dekorua nga rikthimi në tokën e Arbrit pas 500 vitesh të armëve të princit të përjetshëm të shqiptarëve, Skënderbeut, të “Mesharit” të Gjon buzukut që është edhe në një farë mënyrë dokumenti më serioz i gjuhës shqipe.

Viti i 100 vjetorit ishte viti i një debati të madh të paprecedent, të shëndoshë dhe pozitiv ,do ta quaja unë, për të vërtetat shqiptare të 100 viteve në media, studiues, opinionistë, historianë. Në këtë 100 vjetor u bënë përpjekjet më serioze për të memorizuar në monedha, në një treshe, por veçanërisht monedha e argjendit që ka deklaratën e pavarësisë, do tu mbetet të gjitha kohërave, ku në njërën anë ëhstë përzgjedhur deklarata e pavarësisë, në shtatoret e burrave të shquar të kombit, etj.

Por duhet të them se monumentet kushtuar direkt 100 vjetorit janë ndër më të bukurat dhe sa herë që unë personalisht i vështroj ato, aq më shumë i pëlqej. Për ne nuk është e vështirë të pëlqejmë Shqiponjën se jemi rritur me kultin e saj, por shumë e goditur, shumë tërheqëse, shumë e bukur dhe domethënëse është edhe monumenti i pavarësisë, vepër e dy të rinjve, njëri shqiptar dhe tjetri gjerman. Sa herë që ndalesh para tij dhe e shikon, të vjen në mendje vetëm një gjë, gjërat më të mira vijnë nga të rinjtë. Nuk duhet të na mbetet hatri ne të tjerëve. Ne duhet ti duartrokasim, ti përshëndesim, të gëzohemi.

Por këto dhe shumë e shumë gjëra të tjera, të cilat unë nuk u ndala, janë njëri aspekt. Aspekti më madhështor, më spektakolar, më historik i këtij 100 vjetori është ai i qytetarëve shqiptarë. E vërteta është të dashur miq, të dashur qytetarë dhe qytetare shqiptarë se 28 nëntori do të mbetet në histori, jo vetëm si data e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, por dhe si dita e lëvizjes kombëtare mbarë popullore më të fuqishme në historinë e këtij kombi.

Tirana dhe Vlora dhe mbarë Shqipëria nuk kanë përjetuar kurrë në histori më parë një lëvizje mbarëkombëtare, kaq masive, saç përjetuan në 28 nëntor. Këtë lëvizje nuk e organizuam ne, të nderuar anëtar të komitetit shtetëror, nuk e organizoi qeveria shqiptare, nuk e organizoi qeveria e Kosovës, nuk e organizuan forcat politike shqiptare të Malit të Zi apo të Maqedonisë, nuk e organizoi bashkia e Vlorës apo ajo e Tiranës. Në këtë lëvizje, zotër, organizatorë, frymëzues të saj ishin qytetaret e thjeshtë, të cilët vërshuan nga të katër anët e trojeve shqiptare, por edhe nga Alaska dhe Afrika e Jugut, nga të gjitha skajet e planetit dhe u bashkuan në sheshet e Tiranës dhe të Vlorës, si qytetarë të lirë për të kremtuar festën e shekullit, festën e 100 vjetorit të pavarësisë. Kombi shqiptar, shqiptarët kudo që janë, kurrë më nuk do të jenë ata që ishin 1 vit më parë. Vetëdija e tyre si shqiptarë të lirë, dashuria e tyre për Shqipërinë kulmoi sa kurrë ndonjëherë tjetër nga thellësitë e qenies të tyre, buroi fuqishëm dashuria për njëri tjetrin, dashuria për vendin. Ideali i bashkimit kombëtar ishte lider i vërtetë i festës së madhe dhe i lëvizjes mbarë popullore të shqiptarëve. Patëm fat, ne jemi të lumtur si qytetarë të këtij vendi që përjetuam këtë lëvizje festive paqësore mbarë kombëtare, e cila përcolli mesazhet më të fuqishme të paqes bashkëpunimit, harmonisë, bashkimit, integrimit. Energjia e saj do të mbetet një burim i pashtershëm në mbështetje të shqiptarëve për të realizuar idealet e tyre më fisnike.

Të nderuar anëtarë të komitetit ndërshtetëror të kremtimeve të 100 vjetorit të pavarësisë,

Megjithë përpjekjet tona për të përmbushur plotësisht detyrimet, sërish mbetet punë për të bërë. Dhe unë me miratimin tuaj dua ti kërkoj qeverisë të zgjasë afatin e këtij komiteti edhe për tre muajt që vijnë. Më pas vendi hyn në fushatë elektorale. Janë për tu dhënë përgjigje disa problemeve, të cilat në komitet kemi rënë dakord.

Muzeu i Spaçit duhet detyrimisht të ndërtohet, në homazh të pjesës më të dhimbshme të historisë sonë, të shtypjes çnjerëzorë, të barbarisë së luftës së klasave, qe përjetuan shqiptarët në atë burg, si njëri prej kampeve më të egra të Shqipërisë dhe Evropës. Ndaj dhe është e domosdoshme që të shpejtohen të gjitha proceset. Këtu, zoti Bumçi do të krijohet një komision me të përndjekurit politikë, disa prej tyre kanë kaluar jetën e tyre në këtë kamp të tmerrshëm përqendrimi. Le të japin edhe ata idetë e tyre, të punohet në mënyrë që projekti të jetë mbi bazën e ideve dhe mendimeve te tyre.

Së dyti, Obelisku i martirëve të fjalës së lirë, së besimit tek Zoti, që janë me mijëra e mijëra në Tiranë.

Së treti, lëvizja studentore e dhjetorit’ 90 duhet të ketë hapësirën e vet. Kjo lëvizje ka për mendimin tim, dy kontribute madhore për kombin, së pari betejën mbi një diktaturë dhe përmbysjen e saj dhe së dyti do të thosha po kaq të rëndësishme, është lëvizje në tërësi rinore, pra me një energji të fuqishme të brendshme, por lëvizje që bëri gjithçka për të shmangur konfliktualitetin. Kur shohim sot këto vende të tjera, të cilat po çlirohen nga diktatura me rrugët më të dhimbshme, në Shqipëri ishte nuk them se qe revolucion i kedifenjtë, si ai i Çekisë, por ishte revolucion tërësisht paqësor. Dhe kjo në meritën më të madh te pjesëmarrësve të saj. Bëmë shumë mirë që shtatoren e prijësit të kësaj lëvizje e vendosëm në djepin e saj, por një shqyrtim, në zgjerim të nderimit të saj, a duhet bërë në atë shesh, a duhet bërë në Muzeun Kombëtar, këtë jua lëmë historianë, specialistëve. Por mendoj se është e domosdoshme një paraqitje, asnjë glorifikim, ne nuk ndjekim glorifikimet, por një memorizim i saj do të ishte i domosdoshëm.

Mendoj se duhet të bëjmë një përpjekje shumë të madhe për rikthimin e eshtrave të Sami Frashërit në Shqipëri. Sami Frashëri ishte një gjeni i doktrinës së shqiptarësisë si doktrinë perëndimore. Libri i tij është dokumenti themelor i të sotmes dhe të ardhmes shqiptare. Pas shkrimit të këtij libri, politikanë shqiptarë kanë ndarë mendime të ndryshme për Shqipërinë, shqiptarët dhe për të ardhmen. Por kjo ka qenë çështje e tyre. Sami Frashëri ka përcaktuar me gjenialitet rrugën më të mirë të mëvetësisë, të zhvillimit ,të orientimit perëndimor të kombit shqiptar. Problemi është pak i komplikuar se ka familjarë dhe prej tyre mjaft të suksesshëm në fushat ku ata punojnë dhe së dyti është personalitet shumë i rëndësishëm edhe për vendin mik, për Turqinë, pasi ka dy vepra themelore të një rëndësie shumë të veçantë për gjuhën e tyre dhe sidoqoftë duhet të bëjmë përpjekjet më serioze për rikthimin e tij në Shqipëri. Duhet të bëjmë gjithçka të bindim familjarët, se ai vërtet aty është krenaria më e madhe për familjarët, por ai është gjithashtu krenari për një komb.

Së dyti, zoti Bumci ne duhet të marrim të gjitha masat që edhe bashkëshortja e Ismail Qemalit të prehet së bashku me bashkëshortin e saj. Ajo, nëna e dhjetë fëmijëve duhet bërë çdo gjë që të kthehet nga varrezat në Spanjë ku e degdisi fati dhe të ndajë jetën e ashpër me bashkëshortin që e deshi aq shumë dhe që ju përkushtua aq shumë. Duhen parë të gjitha problemet si duhet të zgjidhen, po bëhet studimi dhe ajo duhet të sillet aty.

Së treti, mund tu duket pak si e veçantë dhe është e tillë, por duhet të bëjmë çdo gjë që të kthejmë nga Stambolli kokën e Ali Pashë Tepelenës. Është një nga figurat dhe personalitet me karakter dhe peshë më të veçantë. Në qoftë se marrim historinë tonë pas vdekjes së Skënderbeut, historia jonë u transferua në tërësinë e saj në banesën e harresës si komb. Ali Pasha me të gjithë veprimtarinë e tij u dëshmoi botës se shqiptarët nuk kanë vdekur, se janë një komb i pamposhtur. Jo rastësisht më i fuqishmi i asaj kohe dhe asaj bote, Napolon Bonaparti do të tregonte interes shumë të madh për Pashain e Janinës, që në fakt filluan edhe ta shpallin si Bonaoparti i Ballkanit. Pra me të gjithë përpjekjet e tij luftërat, ky strateg i madh i tha botës se ky komb ëhstë i pamposhtur. E vërteta ëhsët që gjithçka bëri përpiqej që në mënyrë apo në një tjetër që ta shkëpuste kombin shqiptar nga Porta e Lartë. Dhe kaq e vertetë është sa që sulltani kërkoi pasi coi në ushtri shumë të madhe dhe pas 18 muaj betejash ne kushtet më të pabarabarta, ai kërkoi që tja conin kokën në tepsi, në Stamboll. Dhe kjo ndodhi, nuk ëhstë një legjendë, është e vërtetë. E bëri që të sigurohej se ishte vrarë, e bëri për qëllime krejt të tjera, por ne kokën e tij do ta kthejmë në Shqipëri. A do të varroset në Tepelene apo në Muzeun Kombëtar , kjo do të jetë çështje diskutimi.

Mund të na thotë kush se duke u bazuar dhe në libra të ndryshëm se ka kryer këto apo ato krime, bashkëkohës e tij që nuk kanë kryer këto apo ato krime, nuk gjenden. Ajo ishte koha kur historia bëhej me gjak dhe hekur, nuk bëhej me votë. Kjo është koha jonë dhe ne jemi fatlumë. Asokohe historinë e bënte siç e pat shprehur më vonë Bismarku me gjak e hekur. Kjo është e vërteta. Ai pati një nga oborret më brilante që frymëzuan dijetarë, shkencëtarë, artistë më të mëdhenj të kohërave, Lordi Bajron e përjetësoi Pashain, por dhe shqiptarët e asaj kohe ndër poemat më të bukura, për mua të paktën, të “Çajld Harold”-it, atij dhe kushtuar shqiptarëve. Ndaj dhe duhet të bëjmë çdo gjë që koka e tij të kthehet në dheun e tij. E thashë edhe njëherë që midis Tepelenës, që i dhuroi kombit një burrë të tillë të madh dhe Muzeut kombëtar kjo do të zgjidhet. Nuk mund ta them saktësisht, por ai ka një vend që duhet t5ë meritojë në histori.

Në këtë kontekst ëhtë e domosdoshme që në kuadrin e 100 vjetorit të sillen në Shqipëri eshtrat e Mit’hat Frashërit, një iluminist, një shkrimtar, një publicist, një nga njerëzit më mendjendritur të historisë sonë, të letrave dhe kulturës sonë. I biri i Abdyl Frashërit ka një kontribut shumë të madh në 50 vite në historinë tonë. Ai mbetet simbol i atdhetarit të flaktë, i një gjeniu në kulturën dhe letrat tona, i një politikani për të cilin ideologjia sunduese për shqiptarët duhet të ishte ideologjia kombëtare. Në atë testament, çfarë pati ia dhuroi bibliotekës dhe ia dhuroi Shqipërisë. E la me dëshirë që të varrosej në oborrin e Institutit albanologjik dhe dhuroi bibliotekën më të pasur të kohës. Unë gjykoj se ne duhet ta sjellim. Lidhur me varrimin ndofta pranë të atit do të ndihej më i lumtur. Pra një gjë është që ne duhet ti riatdhesojmë eshtrat e tij , pra duhet ti sjellin në Shqipëri eshtrat e tij.

Kemi detyra të tjera për të zgjidhur. Duhet ti shqyrtojmë me përgjegjësi, veçanërisht lidhur me Obeliskun në Tiranë. Unë po e quaj Obelisk, por duhet të kenë një fjalë kryesore vetë të përndjekurit, ku prej tyre sot ka artistë, shkrimtarë, arkitektë, publicistë të shquar, të cilat mund të japin mendime të vyera dhe së bashku me Bashkinë e Tiranës, e cila ka një angazhim, duhet të ecin së bashku.

Unë do ta mbyll këtë ekspoze, duke shprehur serish shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj të gjithë atyre që kontribuuan në të gjitha mënyrat që e kishin të mundur për ta bërë këtë vit jubilar, për ta ngritur këtë vit jubilar në lartësitë e tij. U shpreh mirënjohje më të thellë qytetarëve, artistëve, piktorëve, skulptorëve, këngëtarëve, qeveritarëve vendorë, qeveritarëve qendrorë, të rejave, të rinjve, studiuesve, mediave të gjithëve pa përjashtim atyre që e shndërruan vitin e 100 vjetorit të pavarësisë në një vit të ndjerë të qënies së tyre kombëtare.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Ali pashe Tepelena, Kryeministri Berisha, Mit'hat Frasheri

MIT’HAT FRASHЁRI “RIKTHEHET” NЁ NJU JORK PЁR 100 VJETORIN E PAVARЁSISЁ

November 11, 2012 by dgreca

Nga Ilir Hysa, Ph.D./

Nё kuadrin e Javёs sё Filmit Shqiptar qё po mbahet nё Nju Jork dhe  jubileut tё 100 vjetorit tё Pavarёsisё sё Shqipёrisё, tё Shtunёn mё 10 Nёntor 2012 nё Producers Club Theatres (358 W 44th St, New York, New York 10036), nё “shtёpinё” bujare tё vёllezёrve patriotё nga Lura piktoreske Alfred dhe Ernest Tollja, u shfaq dokumentari “Mit’hat Frashёri”. Ja si i ftonte bashkёatdhetarёt e tij pёr pjesёmarrje nё kёtё aktivitet, nёpёrmjet faqes sё tij nё Facebook, biznesmeni i suksesshёm dhe atdhetari Alfred Tollja:

“Historia e kombit shqiptar ka njohur shumё figura qё kanё luftuar e sakrifikuar pёr kombin, por tё rrallё janё ata qё kanё sakrifikuar pasurinё, familjen e deri edhe jetёn, jo pёr pushtet e para por pёr Shqipёri, e i tillё ishte Mithat Frashёri. Njё figurё qё shqiptarinё e kishte nё ҫdo hap tё jetёs sё tij, qё nga lufta ballkanike e kuvendi i pavarёsisё deri kur dha frymёn nga helmi komunist pak metra larg nga kёtu. Ёshtё njё detyrim i joni si shqiptarё nderimi e respekti pёr kёtё figurё tё ndritur tё shqiptarisё. Falenderime edhe zotit Lamaj pёr punёn e lavdёrueshme nё realizimin e kёtij dokumentari.”

Pra, dokumentari ёshtё realizuar nga ish-studenti i “Universitetit” tё Spaҫit, nacionalisti dhe veprimtari vlonjat, zoti Pёllumb Lamaj. Zoti Lamaj ka pasqyruar me ndjenjё tё thellё nё kёtё dokumentar jo vetёm figurёn prej kollosi tё Mit’hat Frashёrit, por edhe rrjedhёn kronologjike tё ngjarjeve tё mёdha historike nё tё cilat, pa pёrjashtim, konstatohet pjesёmarrja dhe ёshtё lёnё vula e patriotit, djalit tё Frashёrit tё Pёrmetit, birit tё Abdylit dhe nipit tё Naimit e Samiut, Mit’hat Frashёrit. Testamenti i Mit’hat Frashёrit pёr ti lënё shtetit shqiptar pasurinë e tij, të tundshme dhe të patundshme me qëllim krijimin e një instituti albanologjik në Tiranё, i cili do të merrej me studime në fushën e historisë së Shqipërisë, ёshtё dёshmia mё e qartё e njё zemre e cila rrihte pareshtur pёr atdhe. Ajo ёshtё dёshmi e njё zemre qё jo vetёm mori pjesё me zell dhe pёrkushtim nё ҫdo ngjarje madhore tё atёhershme tё Shqipёrisё, por edhe dёshmi e njё zemre qё shqetёsohej pёr fatin e mёmёdheut pas ndarjes sё tij nga jeta.

 

 

Botimi i gazetës “Liria” në Selanik, pjesëmarrja dhe zgjedhja Kryetar në Kongresin e Manastirit, zgjedhja Ministër i Botores në Qeverinë e Ismail Qemalit,  detyra e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë, botimi i revistës “Diturija” dhe themelimi i librarisë “Lumo Skëndo”, themelimi i Partisë së Ballit Kombëtar, botimi i “Kalendari Kombiar”, dhe biografia kushtuar Naim Frashërit janë vetëm disa nga kontributet politike, atdhetare dhe letrare të njërit nga firmëtarët e pavarësisë, birit të Abdyl Frashërit, nipit të Samiut e Naimit, birit të Janinës shqiptare.

Pёrveҫ fakteve historike tё paraqitura nё rrjedhё kronologjike, dokumentari pёrmban edhe zёrin origjinal tё Mit’hat Frashёrit duke folur nga radioja e shёrbimit British Broadcasting Corporation (BBC) nё 26 Gusht 1949 rreth jehonёs qё shoqёroi krijimin e Komitetit Shqipnija e Lirё. Ai flet aty se si rruga pa krye ku e kish futur Shqipёrinё komunizmi, po rriste dita-ditёs ndёrgjegjёsimin dhe revoltёn popullore.

Aktiviteti u ndoq me shumё interes nga tё pranishmit. Ata duartrokitёn gjatё mbylljen e filmit sikur donin tё pёrҫonin mesazhin se balta qё hodhi diktatura komuniste mbi Mithat Frashёrin dhe lёnia nё harresё e tij gjatё tranzicionit 22 vjeҫar nuk justifikohen nё asnjё mёnyrё. Nё biseda me njёri-tjetrin, pas shfaqjes sё dokumentarit, disa prej pjesmarrёsve vunё nё dukje nevojёn imediate pёr t’iu transmetuar brezave tё rinj historinё e vёrtetё, tё pahelmatisur nga propaganda e kuqe sllavo-komuniste. Ata falenderuan zotin Lamaj pёr kёtё realizim me kaq vlera dhe vazhduan bisedat rreth nevojёs pёr njё rivlerёsim tё historisё qё iu mёsohet brezit tё ri. Zoti Lamaj falenderoi tё pranishmit pёr pjesёmarrjen dhe theksoi se ka ardhur koha qё shqiptarёve t’iu tregohet historia e vёrtetё. Ka ardhur koha qё ata tё cilёt diktatura i etiketoi padrejtёsisht si armiq dhe tradhёtarё tё marrin pёruljen dhe nderimin tonё mё tё thellё pёr shёrbimin qё i kanё bёrё kombit. Ka ardhur koha, tha ai, qё heronjtё tё quhen heronj dhe tradhёtarёt tё quhen tradhёtarё. Zoti Lamaj ёshtё autor edhe i dokumentarёve tё tjerё si “Spaç-Simboli i Qёndresёs Antikomuniste” dhe “Gёrhot”. Pёr tё interesuarit, dokumentarёt e zotit Lamaj mund tё gjenden nё internet (Youtube). Dokumentari “Mit’hat Frashёri” ёshtё i ndarё nё 4 pjesё dhe mund tё gjendet nё adresёn http://www.youtube.com/watch?v=SY9ENozyQeo.

Nё pёrmbyllje, duhet thёnё se duke nderuar Mit’hat Frashёrin ne nderojmё veten. Nё tё kundёrt, heshtja tregon se jemi njё shoqёri e zhveshur nga vlerat universale tё cilat bazohen nё bindjen se ata qё shkrijnё jetёn pёr atdheun meritojnё nderim dhe mbeten heronj nё memorjen kolektive tё shoqёrisё. E thёnё ndryshe, ne rrezikojmё tё quhemi njё shoqёri mosmirёnjohёse, madje ende mё keq, tёrёsisht e zvetёnuar dhe hipokrite. E kush tjetёr qё qёndroi nё krah tё Ismail Qemalit nё shpalljen e pavarёsisё, mё shumё se Mit’hat Frashёri, meriton respekt nё kёtё 100 vjetor tё Pavarёsisё?

Manhattan, New York – 10 Nёntor 2012

Filed Under: Kulture Tagged With: Ilir Hysa, kthehet ne NY, Mit'hat Frasheri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT