Nga Ilir Levonja/
Gjatë dyzet e pesë viteve të sundimit të Enver e Nexhmije Hoxhës në Shqipëri (1945-1990) u burgosën dhe u dënuan me punë të detyruar rreth tridhjetë e pesëmijë njerëz. I bie plot një qytet, një nga ato si Rrogozhina, Tepelena a Përmeti. Shumë prej këtyre u rrahën deri sa i vdiqën, shumë u pushkatuan dhe u groposën sikur të ishin viktima të epidemisë, jashtë çdo norme a morali të shqiptarit karshi shqiptarit. Shumë prej tyre dolën të gjymtuar dhe nuk rimorën më asgjë madje ne bënim sehir kur ata iknin, shumë të transformuar aq sa nuk e njihte më soji sojin. Shumë pa familje sa nuk dinin ku të shkonin dhe ashtu shpresë humbur u vendosën në ca depo karabina të braktisura si mbetje nga dështimi i ekonomisë së centralizuar. Shumë syresh mbetën sërish fushave në kampe pasi kishin humbur gjithkënd dhe gjithçka dhe normale nuk i hynin në punë tabelat në anë të rrugëve, nuk kishin se ku të shkonin. E shkuara qe tashmë e gjallë vetëm në memorien e tyre, ajo gjallonte ditë e natë, gjallonte me tundim dhe në vend t’i jepte ajër ua bënte jetën më të vështirë sa në 24 orë atyre u dukej sikur vuajtjet nuk kishin për të mbaruar kurrë.
Kur kam folur një herë me një fillikat njeri në tokat e vdekura të Bedatit, midis të tjerave burri m’u ankua se nuk bënte asgjë tjetër veçse shikonte ëndrra dhe nuk e besonte se në vendin tonë kishte ardhur demokracia. Rrinte ulur më gjunjë, mbështetur pas gardhit prej llamarinash gati një dorë njeriu. Në kokë mbante një kapele me strehë, ngjyrë të zezë dhe krejt të yndyrosur për shkak të djersës dhe kohës. I kishin mbytur kushëririn, nuk dinte ku i kishte familjarët, nuk u martua kurrë. Më tha, -Po më hanë kokën përnatë me të vdekur e të pavdekur, kushurinjë e kushurira, rini gjimnazi e dashuri të papërfundura. Shokë, miq, të njohur e të panjohur. E kisha jetën plot zhurmë shokësh e shoqesh. Plot hare kushurinjsh e kushurirash, plot e kisha. Kurse tani, tani më mbyti vetmia dhe mjerimi, dy fjalë nuk kam me kë t’i këmbej.
Megjithatë edhe sot e kësaj dite në vendin tim, në vendin tonë, nuk ka një ndjesë publike nga askush. Disa flasin në emër të kohës. Një historian i regjimit tha gjykojeni gjërat me kohën se revolucioni i tillë është. Ju sot thoni se vdiq Nexhmija. E si? Në vendin tonë komunizmi dhe diktatura e proletariatit kanë parti politike. Kanë shtypin e lirë, bëjnë propogandë. Akoma të pa penduar, akoma pa një ndjesë por të bindur se çfarë vranë dhe internuan ishin vërtetë armiq të popullit. Janë të zellshëm në studiot televizive. Kanë poste të larta drejtuese dhe të bëjnë karshillëk me lirinë dhe të drejtën e fjalës. Sot vendi im beson se duke i hedhur një dorë dhe’ Nexhmijes u nda nga e kaluara. Asesi që jo. Gënjeni veten se komunizmi vazhdon t’ju mundi, për më tepër qe ai qytet viktimash nuk është më asgjëkundi.