• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LIBRI-Gjendja Kishtare në Kosovë në periudhën paraosmane- shekulli VII-XV

June 11, 2021 by dgreca

Shkruan: Mr.sc.Nue Oroshi /

Gjendja Kishtare në Kosovë në periudhën paraosmane – shekulli VII –XV një libër që zbulon shumë të vërteta historike për mbijetesën e kishës katolike në Kosovë /

Libri “Gjendja Kishtare në Kosovë në periudhën paraosmane –shekulli VII-XV“, e autorit dr.sc.Besim Morina është një libër i rrallë i cili flet për gjendjen kishtare në plotë tetë shekuj histori, në një periudhë kohore mesjetare ku është shumë e vështirë të gjinden materialet burimore.Autori i këtij libri studiuesi Morina me një përkushtim të rrallë ja ka arritur që jo vetëm ti mbledhë këto burime historike por këto burime t´i sistemoj dhe t´i analizoj në mënyrë shkencore duke nxjerrur përfundime shumë të frytshme për tetë shekuj histori të mesjetës shqiptare.Libri fillon me një parathënie ku autori paraqet mundin e veshtirsitë dhe angazhimin e tij në përgaditjen e këtij libri të mesjetës shqiptare.Që në kapitullin e parë, Fillet e Krishterizmit,këtu përfshihen edhe nënkapitujt,Ipeshkëvijtë e para,Martirët,Justiniana Prima, Ipeshkvia e Prizrenit, Institucionet kishtare në kohën dyndjeve barbare,Kisha e Kosovës përballë pushtimeve Bullgare.Autori vjen në konkludim se Ilirët kishin qenë të kristianizuar në kohën apostolike,që e dëshmon edhe me faktin se që nga zanafilla e organizimit dhe konstitucionit hierarkike-kishtar, kishat ilirike ishin të pranishme në të gjitha çështjet dogmatike e disiplinore. Po kjo kishë bënte pjesë në kishen e Romës dhe ishte gjithnjë besnike ndaj doktrinës katolike.Kapitulli i dytë fillon me temën Kisha e Kosovës përballë pushtuesve Nemanjid, duke vazhduar me nënkapitujt, pushtimi Nemanjid në tëritorinë e Kosovës së sotme,kisha katolike dhe bashkësitë e tyre në Kosovë nga shekulli XIII deri në shekullin XV,popullata autoktone e krishtere në Kosovë, përvetsimi i kishave shqiptare nga ana e pushtuesve serbë.Në këtë kapitull studiuesi Morina ka bërë një punë mjaftë të madhe ku thotë se duhet theksuar se kisha ortodokse-serbe përvetësoi kisha të moçme iliro-shqiptare, ndërtoi apo rindërtoi mbi to, që nga shekulli XIII, duke u ngjitur në shekujt e sundimit osman, mbretërisë Jugosllave dhe deri në ditët e sotme.Është për t’u theksuar se vetëm në një koloni të vogël kotorrase e raguzane në Llabin e Epërm, përkatësisht në Bellasicë, përmendën 7 kisha. Mirëpo, monumentet të cilat nuk i takonin ritit ortodoks serb, mbetën nën mëshirën e kushteve natyrore, ndër të cilat duhet përmendur Kisha Katedrale në Novobërdë dhe shumë kisha të tjera te cilave u kanë mbetur vetëm themelet. Mbreti Milutin, rreth vitit 1315, ngriti Manastirin e Graçanicës në vend të një kishe të vjetër.Ky Manastir, sipas njoftimeve burimore historike dhe gjetjeve arkeologjike gjatë viteve 1957, 1963 dhe 1964, është një bazilikë e ndërtuar midis shek. VI-XI. Kjo bazilikë ishte qendër e ipeshkvisë së Ulpianës dardane. Pas rrënimit të saj, mbi themelet e aniatës së mesme u rindërtua një kishë kushtuar Zojës së Bekuar të Graçanicës. Kjo kishë përmendet në letrën e papës Benedikti XI, në vitin 1303, si kishë famullitare katolike. Mbi këtë kishë është rindërtuar Manastiri i Graçanicës.Manastirin e Shenjtorëve Mihail e Gabriel, perandori Dushan e ngriti mbi themelet e një kishe të krishterimit të hershëm, që është ndërtuar mbi një kishë të moçme dardane, të periudhës së antikitetit të vonë. Rindërtimi është bërë rreth vitit 1348. Arkeologët në rrënojat e këtij manastiri, kanë zbuluar fragmente interesante të artit bizantin, romantik dhe gotik. Ajo që tërheq më tepër vëmendjen, është mozaiku, që nuk ka ndonjë paralele me ndonjë mozaik të punuar në Serbi, veçse më shumë i ngjan mozaikut në pagëzoren e katedrales Santa Maria në Firencë. Ndikimet perëndimore, posaçërisht ndikimi i Kotorrit, Tivarit dhe Raguzës, vërehen edhe në këtë Manastir. Në kishën e këtij manastiri, ruhet dhe varri i kryezotruesit shqiptar, Strazimir Balsha, nga vitit 1372.Është e njohur se pjesëtarët e familjes Balshaj, në vitet 1375 dhe 1385, udhëhoqën kuvendet kishtare në Patriarkanën e Pejës.Studiuesi Morina edhe për kishën e Deçanit me të dhëna burimore vjen në përfundim se kjo kishë është shqiptare dhe e ndërtuar nga shqiptarët:Kisha e Manastirit të Deçanit është vepra më e madhe që ruan elemente nga ndërtimtaria shqiptaro-dalmate, e ardhur nga bregdeti. Ndikimet e ndërtimit perëndimor, posaçërisht, ndikimet dalmato-shqiptare, që vinin nga Raguza, Kotorri, Korçulla, Tivari, Ulqini, Shkodra, etj., dhe që kishin depërtuar thellë në Kosovë vërehen më së mirë në këtë kishë, e rindërtuar apo ndërtuar gjatë sundimit të mbretërve nemanjid Stefan Deçani dhe Dushani -1327-1335.Këto studime që jep studiuesi Morina tregojnë qartë se Kishat iliro-shqiptare ishin pervetsuar nga serbët dhe më pas i kishin përshtatur në stilin e tyre kurse sot serbët bëjnë politikën e tyre shteterorë me kishat tona që na i kanë përvetsuar.Në kapitullin e tretë, Kisha shqiptare përballë pushtimeve Osmane, ku vazhdon me nenkapitujtë, pushtimet osmane në Kosovë, Islamizimi i të krishterëve shqiptar. Studiuesi vë në pah se të njëjtën politikë të përvetsimit të kishave iliro.shqiptare që kishin bërë pushtuesit serbë e vazhduan edhe pushtuesit turq ku thotë se disa kisha, pushtuesit osman i shëndërruan në xhami, për shembull kisha e Mitropolisë në Shkup, kisha e Shën Kollit në Novobërdë, dy kisha të Prizrenit, një në Pejë. Në Tivar Katedralja e Shën Gjergjit, kurse pallati ipeshkvnor bëhet rezidenca e guvernatorit turk.Këtu autori vë ne pah edhe bashkëpunimin e ngushtë në mes te turqve dhe serbëve në dëm të tokave iliro -shqiptare, madje ky bashkëpunim i tyre ishte forcuar posaçërisht pasë rënies se Konstantinopojës ku ishte bërë një marrëveshje në mes te turqeve dhe kishës ortodokse për tolerimin dhe përhapjen e ortodoksisë në vendët ku sundonte Perandoria Osmane,një marrëveshje e tillë ka qenë shumë e rëndë për liro- shqiptarët për faktin se në periudhën e pushtimit osman shqiptarët u gjendën përballë një shtypje të dyfishtë, në njërën anë nga turqit e në anën tjetër nga serbët.Në kapitullin e katërt temë boshtë është Paraqitja e mësimeve të shtermbëruara dhe qëndrimi i përfaqësusve të kishës shqiptare-duke folur për nënkapitujtë Periudha Ikonoklaste dhe qëndrimi i kishës shqiptare rreth këtij problemi,ndarja përfundimtare e kishës ,pasojat e kësaj ndarje për Kosovën,roli i Kryezotërinjëve Balshaj në riformimin e kishës shqiptare.Duke folur për këtë rol studiuesi Morina thotë se në kohën e marrëdhënieve të mira midis Balshajve dhe Papës së Romës, qyteti i Prizrenit në kandin lindor të Arbërisë veriore, fitoi një ipeshkëv katolik (rreth vitit 1372), por, për një kohë të shkurtër. Mos lejimi i funksionimit të ipeshkvisë, për një kohë më të gjatë, na jep të kuptojmë për vështirësitë në të cilat ndodhej kisha katolike shqiptare, nën sundimin Rasian.Libri përmbyllët me një rezyme në gjuhën shqipe dhe angleze, duke u pasuar me një vëllim mjaftë të madh të burimeve dhe literaturës historike për periudhën e mesjetës shqiptare duke i qemtuar dhe shikuar me sukses nga shumë burime të ndryshme historike.Autori i këtij libri vjen në përfundim se Arbëria, në mesjetë ishte një vend plot më kisha dhe manastire. Këtë nuk e shohim vetëm nga burimet, kryesisht mesjetare, por edhe nga gërmadhat e shumta mesjetare të kishave nga dokumentet e kohës së re, ashtu edhe nga nomenklaturat topografike. Këta tempuj të besimit krishterë, që u shërbenin banorëve autokton me shekuj, fati i ligë e deshi që pjesa me e madhe e tyre të shkatërrohet ose të përvetësohet.Për uzurpimet që i ishin bërë kishës katolike, kemi njoftime edhe nga letra e Papa Klementit VI (1346), ku Papa thekson se kisha e Shën Mërisë në Prizren dhe e Shën Pjetrit afër Prizrenit, janë të nënshtruara ipeshkvit të Kotorrit, Sergjit. Por, disa mbretër të Rashkës, paraardhës të Dushanit, kuvendet dhe kishat e përmendura , i përvetësuan në kohën e vet, e që edhe tani ai i mban si të pushtuara (pronë të vetën). Me këtë vepër studiuesi dr.sc.Besim Morina hyn në radhët e studiuesve seriozë të mesjetës shqiptare duke paraqitur një libër aq të nevojshëm dhe të munguar për historinë kishtare te Kosovës në mesjetë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kosova paraosmane, Libri-Gjendja Kishtare, mr. Sc. Besim Morina, Nue Oroshi

Mehmet Gradica dhe roli i tij në mbrojtje të vendit

March 1, 2016 by dgreca

Shkruan : Mr. sc. Besim Morina/*

Jemi tubuar sot, për të respektuar veprën madhore të komandantit Mehmet Gradica, si dhe të shumë dëshmorëve të cilët ranë në altarin e lirisë, duke nderuar atdheun tonë, andaj i kujtojmë me mall: familjen emblemë të Jasharajve, komandantët Fehmi Lladrovcin, Ilaz Kodrën e Asllan Fazliun, mantel bardhët: Dr. Lec Lecin e Antigona Fazliun, me pas Milazim dhe Mehdi Fazliun, Hashim dhe Valdet Uken, Mehmet Saliukun, Muhamet Dervishin, Sadullah dhe Avni Dibranin,  qe me vepra te tyre treguan vazhdimësinë e luftës për liri, të trashëguar ndër shekuj nga bashkëvendësit e tyre: Tahir Aga Gradica, Lec Leci Gradica e Smajl Muja.

Thonë se dëshmorët mësojnë nga brezat, ndërsa kombet vlerësohen në bazë te veprave të tyre. Andaj,  është obligim shtetëror qe me gjuhen e së vërtetës faktografike, të nderohen figurat kombëtare, duke ju dhënë  vendin e mëritur, te gjithë atyre burrave të cilët me pendë, pushkë ose ne ndonjë mënyrë tjetër vepruan, punuan, dhe u sakrifikuan për të mirën e kombit tonë.

Mehmet Gradica u lind në vitin 1913, në fshatin Gradicë, nga babai Isufi dhe nëna Çame Berisha, motra e Lutë Gllanasellës.
Mehmeti ka shërbyer shef i xhandarmerisë ne Vuçitërnë, Skenderaj e Mitrovicë. Inkuadrimi i tij në regjimentin e Xjafer Devës, kishte si mision pengimin e përhapjes së propagandës Komuniste, ose sikur edhe shpreheshin kundër atyre “që nuk kanë as Zot e as Fe, as Nder e as Atdhe”.

Nga biografia e tij, del se Mehmeti kishte një urrejtje patologjike ndaj Komunizmit, dhe ky është shkaku kryesor, qe edhe sot emri i tij përmendët shumë pak për mos të thënë fare ne historiografinë shqiptare. Deri me tani historiografia e jonë në luftën e Drenicës përmend rolin e Shaban Palluzhës, Mehmet Gradicës dhe Bajraktarit të Llaushës, duke anashkaluar  qëllimisht dy figura të rëndësishme Rexhep Gjelin dhe Hamdi Gashin, oficerin e karrierës të shkolluar në akademinë ushtarake të Italisë.

Gjatë shërbimit në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare, roli i Mehmetit ishte i një rëndësie të veçantë. Për te mbrojtur popullsinë shqiptare, në nëntor të vitit 1941, qeta e tij  ndërmori disa sulme te suksesshme ne rrethinën e Novi Pazarit. Është me rëndësi kombëtare të theksohet se në Kuvendin e Skënderajit (1943) dhe të Palluzhës (1944), në organizim të Hamdi Gashit, Bajraktarit të Llaushës, Mehmet Gradicës, Mulla Iljas Brojës, Azem Oruqit, Rexhep Gjelit, Mulla Ibrahim Palacit, etj., ju dha përkrahje e pa rezervë vendimeve të Kuvendit të Parë e të Dytë të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Mehmeti do të mbështesë jo vetëm me trimërinë dhe mençurinë, por edhe me pasurinë e vet, Lidhjen e Dytë të Prizrenit duke paraparë tek idetë dhe fryma e saj të ardhmen e lirë të gjeneratave shqiptare.Pas lufte se dytë botërore, Kosova u ripushtua  nga serbet, ku populli shqiptar trajtohej si rob lufte. Më urdhrin e Titos, më 8 shkurtit të vitit 1945, u vendos në Kosovë Administrimi Ushtarak, „deri në rregullimin e rrethanave“, qe në të vërtetë nënkuptohej deri në aneksimin e saj nga Serbia.
Me kërkesën e Shtabit të Përgjithshëm të Jugosllavisë, serbëve u erdhën në ndihmë  forcat ushtarake shqiptare nga Tirana, ku se bashku kryen vrasje në forma te ndryshme pa dallim moshe e gjinie. Duhet veçuar rastin në fshatin Terstenik të Drenasit, në lagjen Bazaj, ku në prezencë të anëtarëve të familjes, foshnja  me djep është hedhur në zjarr.

Por, cili ishte roli organizativ i shqiptarëve në mbrojtje të vendit? Nëse e marrim parasysh organizimin e popullit shqiptar ne këtë kohë, mund të themi lirishtë se ishte nën nivel. Po në këtë kohë, KQ i PKSH  bënte thirrje për vëllazërimin e popullit shqiptar me popujt sllavë e grek. Duhet shtuar se sipas dokumenteve të kohës te cilat gjinden ne arkivin e Berlinit, tregojnë se numri i komunistëve në  Kosovë ishte tejet i vogël, dhe nuk gëzonin aspak përkrahjen e popullit.Është plotësisht e natyrshme se prijësit e Drenicës të cilët edhe më par ishin dalluar në luftërat kundër ushtrisë pushtuese serbe, duke u dalë zot tokave tona etnike, nuk pranuan të jenë pjesë e ideologjisë komuniste.

Në luftën e Drenicës, u angazhuan forca të mëdha jugosllave dhe shqiptare, që  numëronin mbi 42 000 veta. Për ti dalë zot vendit, Mehmeti kërkoi një bashkëveprim në mes të zonës së Drenicës dhe zonës së Shalës, konkretisht me Ahmet Selacin.

Numri i madh i ushtrisë pushtuese,  ka bërë qe lufta e Drenicës të shuhet, me plagosjen e dy udhëheqësve kryesor, Shaban Palluzha dhe Mehmet Gradica në betejën e zhvilluar në Terstenik, me 21 shkurt 1945. Si pasojë e plagëve te marruara komandantët ndërruan jetë, Shaban Polluzhën e varrosin nën akull të Lumit Drenica, në Bresillë, ndërsa Mehmet Gradicën në vreshtat e Brahim Lutës.

Komandanti Rexhep Gjeli dhe shokët e tij e mbajtën besën e dhënë, duke  vazhduar luftën e armatosur, por tani në një formë tjetër, më luftë guerile. Kështu, Rexhep Gjeli pas një rezistence vritet ne Malin e Qiqavicës së bashku me djalin e vetëm qe e kishte. Me pas do te vriten bashkëluftëtarët nga Gradica: Milazim Leci, Vesel e Lam Dervishi, Bahtir Muja, Maliq Hykolli, Hisen e Maliq Bardhi. Ndërsa, Smail Muja vritet pabesisht në fshatin Nekovc.  Themeluesit e Divizionit të Ibrit: Brahim Luta, Ajet Gjeli, Hajdin Haxhiu, vriten në një bunker afër fshatit Ceceli. Me pas vriten Ajet Gërguri, Gjon Sereqi e Hoxhë Avdija.
Vrasësit e Mehmet Gradicës ishin ata te cilët donin të realizonin planet serbe për zhdukjen e kombit shqiptar te përpiluara ne Beograd. Nder me të merituarit për këtë ishte edhe komisari komunist Fadil Hoxha, i cili për ironi, varroset me nderime ushtarake.
Ne fund duhet shtuar se toger Mehmet Gradica, u flijua për te mos u pushtuar tokat tona etnike nga sllavet, për te mos u përdhosur kombi ynë, gjuha jonë, u flijua qe flamuri jonë te jetë ashtu sikur ishte ne duart e Kastriotit. Ky flamur, sot valon i lirë falë orientimit tonë perëndimor, si kulturor ashtu edhe  politikë,  luftës sublime të udhëhequr nga SHP i UÇK-së, Komandantit legjendar Adem Jasharit dhe bashkëluftëtarëve të tij anë e kënd Kosovës, të përkrahur politikisht dhe ushtarakisht nga NATO-ja. Liria e popullit si dhe ndërtimi i shtetit tonë, edhe sot është i lidhur ngushtë me përkrahjen e SHBA-së dhe BE-së.

Të nderuar të pranishëm, figura e komandantit Mehmet Gradica, nuk është vetëm figurë unikale e Kosovës, por e gjithë trojeve shqiptare. Urojë qe të gëzoni bustin e Komandantit, urojë që kjo shkollë te mbajë me pietetin me te lartë këtë emër!
Ky fjalim u mbajt në Gradic me 22 shkurt 2016 me rastin e zbulimit të bustitë të heroit te kombit Mehmet Gradica, në shkollen e Gradicës që e mban emrin e heroit.

*Autori ësht Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Intelektualëve mbarshqiptarë Trojet e Arbrit.

Filed Under: Histori Tagged With: dhe roli i tij, Mehmet Gradica, mr. Sc. Besim Morina, ne mbrojtje, të vendit

FEJA DHE IDENTITETI KOMBETAR

April 3, 2013 by dgreca

Roli i fesë në krijimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar/
Kur besimi në Zotin fillon të dobësohet te një popull, atëherë bëhu gati te shikosh rrëzimin e tij. A. H./

SHKRUAN: Mr. sc. Besim Morina /

Udhëheqësit shpirtërorë te popullit shqiptar, gjatë gjithë historisë kanë mbajtur gjithnjë barrën kryesore, duke mos ndarë kurrë fenë nga atdheu, duke i shërbyer si Zotit ashtu edhe grigjës. Ashtu siç i shërbyen të lumit Zot, njashtu dijtën edhe t‘i rroknin armët e t‘u prinin popullit të cilit i takonin në mbrojtje te dinjitetit njerëzor.
Krishterimi është baza e kulturës moderne, e, mbi bazën e fesë së krishterë është ngritur civilizimi i sotëm Europjan. Krishterimi në vend të instiktit vuri ndergjegjën me përgjegjësi. Krishterimi hoqi skllavën dhe i dha familjes nënën, i dha femijës të drejtën e jetës, i dha gruas dinjitetin, krijoi universitete mbrojtëse të diturisë, spitale mbrojtëse të njeriut.
Pjesë e rëndësishme e civilizimit të krishterë për rreth pesëmbëdhjetë shekuj, ishin popullsia iliro-arbërore. Gjatë periudhës paleokristiane dhe në mesjetën e hershme, popullsia ilire i dhuroi botës së krishterë emra eminentë si: Perandori Konstantini i Madh i cili e legalizoi fenë e krishterë, shën Jeronimi i cili është përkthyesi i Biblës në gjuhën latine, Perandorin Justinian, etj.
Për rreth pesë shekujsh, pushtuesit turq kanë izoluar popullin shqiptar nga civilizimi Eeuropian. Këta pushtues sikur nuk u kënaqën me shkatërrimet, vrasjet, dëbimet, konvertimet, por edhe pas largimit nga trojet e pushtuara te një pjesë të Ballkanit, sjellin flotën e tyre për të sjellur në jetë planet sllave, që teritoret etnike shqiptare dhunshëm t‘i dhurohen sllavëve, ku mjerisht popullsia autoktone perjetoi për të satën herë barbarinë sllave.
Gjatë periudhës se dyndjeve barbare sllave, popullsia autoktone pësoi rëndë, priftërinjët gjithnjë ishin në ballë të grigjës, kishat dhe manastirët e tyre u shkatërruan, u dogjën, u vranë shumë prifterinjë së bashku me grigjën e tyre. Edhe pas pagëzimit te popullit serb, popullsia autoktone perjetoi barbarinë sllave, krishterimi pothuaj së pak ka pasur ndikim në jetën e popullsisë serbe, për të hequr dorë nga barbarizmi.
Gjatë kohës se sulmeve, pastaj pas pushtimit te tokava etnike shqiptare nga pushtuesit osmanë, prifterinjtë shqiptarë, qofshin ata katolikë apo ortodoksë, ishin në ballë te luftës për të mbrojtur tokat tona. Gjatë gjithë periudhës sa zgjati pushtimi i trojeve etnike shqiptare nga ana e pushtuesve osmanë, prifterinjtë katolikë dhe ortodoks shqiptarë, ishin të detyruar për mbijetesë, te mbronin grigjën e tyre edhe nga konvertimet, qoftë në islam (konvertim që detyrohej nga ana e pushtuesve Osman), apo në ortodoks (këtë konvertim e bënin kisha ortodokse serbe dhe kisha ortodokse greke, por me bekimin e Portës së Lartë).
Feja islame vertetë se ka ardhur bashkë me pushtuesit osmanë, por popullsia shqiptare e islamizur nuk ka hequr dorë lehtë nga përkatësia etnike. Në të mirë të ketij mendimi flet edhe kjo e dhënë, se kur udhëtari anglez, Xh. Hobhaus, vizitoi gjatë viteve 1808 dhe 1810 Shqipërinë dhe rajone të tjera të Perandorisë Osmane, kishte shkruar se kur “banorët e provincave të tjera të Turqisë pyeten se ç’janë, ata të përgjigjen “jemi muhamedanë” ose “jemi të krishterë”, ndërsa banori i këtij vendi përgjigjet “unë jam shqiptar”. Mburrja e përbashkët kombëtare e tyre ishte aq e fortë sa që nuk i ka lënë vend përçarjeve religjioze, që i ka ndarë njerëzit e këtij populli.
Pra, perderisa iliro- arbërorët, kaluan nga besimi në shumë zotra, në një Zot të vetëm, arbëroro-shqiptarët, nuk e kishin lehtë të braktisnin fenë e të parëve të tyre vetem pse deshironin apo me mirë te themi që i shtrengonin pushtuesit osmanë. Madje, është e rëndësishme të themi, se në kohën e mbërritjes së osmanëve në Ballkan (1388), Arbëria ishte tashmë një vend i krishterë, e, i përbërë nga 43 seli Episkopale, duke u bërë një kala katolike kundër islamit. Organizimi i hierarkisë kishtare në trojet tona etnike, flet më së miri, se populli shqiptar ishte pjesë e civilizimit Europjan.
Periudha e pushtimit osman mbi popullin shqiptar, është periudhë e dakadencës shpirtërore dhe kulturore. Pushtimi osman la pasoja të rënda jo vetëm fizike por edhe shpirtërore, pasoja këto që do të kërkojnë kohë, mjete edukative dhe morale për breza me radhë që të eliminohen.
Në kryengritjet e armatosura te popullsisë etnike shqiptare, që u organizuan kundër pushtuesve turq, apo te pushtuesve sllavë, për çlirimin e trojeve tona etnike, roli i priftërinjëve katolikë, priftërinjëve ortodoks, bektashinjëve, shehlerëve dhe hoxhallarëve, ishte mjaft aktiv dhe i rëndësisë se veçantë. Sipas, dokumenteve të kohës, del, se krahinat e Shqipërisë veriore së bashku me Kosovën dhe teritoret etnike shqiptare në Maqedoni, mbi 80 % e popullsisë janë në gjendje te rrokin armët në luftë për lirinë e vendit te tyre, ndërsa kjo përqindje është më e ulët në krahinat e Shqiperisë Jugore, për arsye te propagandës që ushtronte kisha ortodokse greke, e cila kishte bekimin e Portës së Lartë.
Rol të rëndësishem në organizimin e kryengritjeve antiosmane kishte Hoxhë Hasan Tasini, për rolin e tij dhënë qështjës kombëtare është shkruar fare pak, pastaj Ymer Prizreni, me rolin e tij të pamohueshëm në përpjekjet për t‘i mbrojtur trojet etnike shqiptare.
Mirëpo, deri me tani, pak ose fare studiuesit nuk kanë shkruar për kontributin e klerit katolik në përpjekjen dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
Kështu, kur në Kongresin e Manastirit, ndër të tjera, at Gjergj Fishta tha: “Nëse Evropa … prapë do të na tradhtojë dhe do na ndajë trojet tona duke u dhuruar pushtuesve …, ne do ti therrasim bijtë tanë më të mirë që të rrokin armët për t‘i mbrojtur trojet tona. Imami i Shkupit, u ngjit në foltore duke qajtur, e perqafoi at Gjergj Fishtën, e tha: “kësi burrash i duhen atdheut, dhe as ne nuk do te ndahemi në luftën për mbrajtjen e vendit tonë”. Imzot Nikollë Kaçorri, në një fjalim gjithashtu te mbajtur në Kongresin e Manastirit, u bëri thirrje delegatëve që ta pranonin alfabetin latin, i cili i lidhte shqiptarët me perëndimin, u bëri thirrje të pranishmëve që jo vetëm fizikisht e shpirtërisht të ndihmojnë çlirimin e vendit por edhe materjalisht, e cila është njëra prej mundësive që në mënyrë praktike të realizohej çlirimi i trojeve shqiptare.

Në Memorandumin e datës 13 nëntor 1912 dërguar përendorit e mbretit të Austro- Hungarisë, Franc Jozefit I, dom Nikollë Kaçorri shkrimin e kishte filluar kështu: “Shumë të vështira e të rrezikshme janë këto ditë për ne shqiptarët e për nanën tonë Shqipninë, që të katër shtetet e Ballkanit po dojnë me e perpi me e coptu”. Në këtë Memorandum i cili përfshinë tri faqe, gjejmë nënshkrimet e atdhetarëve të njohur, si: Mustafë Asim Kruja, Rexhep Mitrovica, Fuad Toptani, Abdi Beji, Murat Toptani, Sali Gjuka dhe Bedri Pejani.

Figurë mjaft e rëndësishme ishte edhe ajo e Imzot Luigj Bumçit, i cili u kushtoi një rëndësi të veçantë takimeve me përfaqësues të shteteve që kishin ndikim drejtpërdrejt në fatin e trojeve etnike shqiptare. Kështu, ka arritur të takohet me përfaqësues të Shteteve te Bashkueme të Amerikës, Anglisë, Austro – Hungarisë, Rusisë, Italisë, Gjermanisë, Francës, etj. Në këto takime ai mundohet t‘i bindë përfaqësuesit e këtyre shteteve se, çeshtja Shqiptare nuk është një problem i thjeshtë vetëm i Ballkanit, por është problem kryesor për ruejtjen e paqës në mbarë Evropën.
Imzot Luigj Bumçi posa filloi detyrën e Kryetarit të Delegacionit Shqiptar në Paris, është i pari që protestoi tek Presidenti Willson, për krimet që po kryenin serbët mbi popullsinë shqiptare të Pejës, Gjakovës, Plavës dhe Gucisë, gjithashtu i dorëzoi presidentit Willson listën me emrat e viktimave në krahinën e Rugovës.
Shtjefen Gjeqovi, nji burrë i cili gëzonte një autoritet të lartë në popull, për shkak te veprimtarisë së pandalshme patriotike, pushtuesit serbë pas disa tentimeve për të bërë atentat arriten ta vrasin. Gjeqovi, ishte mbledhësi i të drejtës zakonore shqiptare, te botuara në Kanunin e Lekë Dukagjinit, pastaj mbledhës i artifaketeve, te cilat dëshmonin autoktoninë e popullit shqiptar në këto troje, është edhe një dëshmi më shumë se udhëheqësit shpirterorë të popullit shqipar, jo që nuk ishin kundër atdheut por ata flijuan jetën e tyre në mbrojtje të së vërtetës, në mbrojtje të atdheut.

Nga kjo që u tha shihet, se roli i udhëheqësve shpirterorë shqiptar, ka qenë në të mirë të çështjes sonë kombëtare. Por, cila është arsyeja që shteti komunist shqiptar u shpalli luftë institucjoneve fetare, ku nëpërmjet të ashtuquajturit “gjyq i popullit” u maltertuan, dënuan me varje apo me pushkatim? Pse feja shiqohej si një gogol i frikshëm, madje u pandeh se Zoti u hoq prej botës dhe se mbaroi besimi në faqe të botës për tërë jetën. Per këtë akt “perparimtar” të shtetit shqiptar Rexhep Qosja patë deklaruar: “jam i lumtur që Shqipëria është shteti i parë ateist në botë”.
Shqipëria nje vënd i vogël, por mjerisht që printe me ndjekjet, maltretimet, vrasjet e intelektualëve (nëse krahasohet me numrin e banorëve), pra të intelektualëve të kalibrit Europian, po perçante, infektonte e shpiunonte edhe shqiptarët që kishin mbetur nën sundimin sllav, madje edhe shqiptarët të cilët për shkak te orientimit nacionalist kishin emigruar në perëndim apo në SHBA-të. Shqiperia e cila kishte mungesë të ushqimit për banorët e vet, hargjonte mjete të shumta për propagandë marksiste e leniniste.

Në fund le ti kujtojmë fjalët e atdhetarit At Anton Harapi, që bënte thirrje: “Zoti i vertetë e atdheu le te na bashkojnë, në ruajtjen e botës shqiptare dhe zhvillimin e saj, në bashkimin e shqiptarëve dhe sigurimin e mirëqenies së përbashkët kombëtare e kulturore”. Ti kujtojmë fjalët e At Anton Harapit: ”Të sakrifikojmë pikëpamjet tona e jo popullin as Shqipërinë; të bashkohemi mbasi vendi pret shpetimin prej nesh e jo prej te huejve”, madje vazhdonte se: “kush i ndan apo mendon se nuk mund të pajtohen fe dhe atdhe, ai ka një kuptim te gabuar për atdhetarizmin, atdhetarizmi në kuptimin fetar është një virtyt i shenjtë si drejtësia dhe dashuria”.

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Feja dhe identiteti, Kombetar, mr. Sc. Besim Morina

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT