• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Murtaja e bardhë troket në Mal të Zi

September 17, 2020 by dgreca

Diskursi demografik–

Murtaja e bardhë troket në Mal të Zi–

Në sajë të dhënave nga institucioni i statistikës MONSTAT-it, del se në pesë-gjashtë vitet e ardhshme Mali i Zi do të bëjë pjesë në ato vende që më tepër do të vdesin se sa do të lindin, ku në pozitë më të pavolitshme janë Veriu i vendit por edhe disa komuna tjera ku bën pjesë edhe Ulqini si kryeqendra e shqiptarëve në këtë mjedis, çështje kjo shumë shqetësuese për të ardhmën me pasoja shumëdimensionale–

Shkruan: Nail  Draga–

Çështjet e shtimit natyror të popullsisë në Mal të Zi, mbetet preokupim i subjektëve përkatëse në nivel shtetëror, që prezantohet kohë pas kohe në sajë të dhënave statistikore. Kështu në sajë të dhënave nga MONSTAT-i numri i fëmijëve të lindur në vitin 2009 ishte 2.780 më  i lartë së numri i të vdekurve. Por, një numër i tillë në fund të vitit të kaluar ka rënë në 630. Një e dhënë e tillë dëshmon se shtimi natyror viteve të fundit ka rënë nën 1000 individë, me tendecë të rëniës së vazhdueshme. Dhe nga një e dhënë e tillë del qartë se për pesë gjatë vite, Mali I Zi do të jetë në grupin e vendëve që kanë shtim natyror negative.

Një dukuri e tillë nuk është specifike vetëm plr Malin e Zi, por ajo ka përfshi tërë regjionin, sespe murtaja e bardhë ka përfdhi Bosne e Hercegovinën, Kroacinë, Slloveninë, Serbinë. Maqedoninë e Shqipërinë. Sipas të dhënave nga disa demografë del se situate me kritike në këtë aspect është në Serbi, sepse atje çdo vit humbet nga një qytet mesatar. Kështu gjatë vitit 2018, në Serbi kanë lindur rreth 64.000 foshnjë, por në të njëjtën periudhë kanë vdekur 101.000 persona.

C:\Users\Labi\Desktop\ND 2.jpg

Shtimi natyror I popullsisë në Mal të Zi(2009-2019)

Në sajë të projeksioneve nga viti i kaluar sipas Kombëve të Bashkuara, trendet negative demografike, do të ndikojnë në rënien e numrit të banorëve në Mal të Zi, ku deri në vitin 2050, këtu do të jetojnë 589.000 banorë. Një e dhënë e tillë përafërsisht i përgjigjët numrit të popullsisë sipas regjistrimit të vitit 1981. Sipas tyre parashikimeve deri në vitin 2100 Mali I Zi do të kthehet në vitin 1950, me gjithsej 454.000 banorë.

Sipas Stategjisë nacionale të zhvillimit të qendrueshëm të Qeverisë deri në vitin 2030, thuhets e rezultatet e fundit nga regjistrimi I popullsisë, kanë treguar rritje të ngadalshme të popullsisë në dekadat e fundit. Deri sa shkalla e shtimit natyror në vitin 1951 ka qenë 20.8 për mijë, ndërsa dhjetë vite më pas  20.4 në njëmijë banorë, në dy regjistrimet e fundit ishte tjetërsisht fare  4.3 në vitin 2003 dhe vetëm 2.2. në vitin 2011.

Në strategjinë për nga fusha e demografisë cekët politika  për natalitetin, sigurimi I nivelit të ndihmave sociale për fëmijë etj.

Se kemi rënie të lindshmërisë dëshmon konstatimi se sipas Zyrës së statistikës së Bashkësisë Europiane(EUROSTAT), vitëve të fundit numri I fëmijëve të lindur pët një familje arrinë nga 1.7 dhe 1.8.

Pa program  demografik qeveritar

Gjendja aktuale demografike nuk është e rastit por ka vazhdimësi, sepse nuk ka ekzistuar përkushtimi qeveritar në nivel qendror dhe ate lokal. Patjetër duhet të miratohen plane për ripërtëritjen demografike, sepse nëse vazhdohet me të njëjtën heshtje si deri më tash, pasojat do të jenë të mëdha. Çdo vend i cili çështjet e tilla i trajton në mënyrë serioze, duhet të miratoj strategjinë e ripërtëritjes demografike, duke paraparë mjete të konsiderueshme si dhe formimin e ekipeve profesionale  të cilët do të merren me këtë temë me rëndësi shoqërore.Më këtë rast duhet cekur se çiftëve të rinjë janë përpjekur me iu siguruar kredi për banesa, në sajë të projektit “1.000 plus”, që më tëpër mbeti si dëshirë se sa realitet në këtë kohë të krizës jo vetëm ekonomike. 

Kosova në  plus 18.500 banorë ndërsa  Serbija me minus të dyfishtë

Sipas të dhënave nga EUROSTAT-i për vitin 2018, Mali i Zi gjindet në grupin e katër vendëve të regjionit ku ende kanë shtimin natyror pozitiv, ku bëjnë pjesë edhe Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Kështu Kosova është ende në vend të parë, sepse në fund të vitit 2018, ka qenë “në plus” 18.500 banorë, Shqipëria 7.130 dhe Maqedonia e Veriut me 1.600 banorë.

Nga ana tjetër, me shtimin natyror negativ është Bosnje e Hercegovina, Kroacia, Sllovenia e Serbia. Minusi më i lartë është evidentuar në fund të vitit të kaluar në Serbi me -37.680 banorë, Kroaci -15.761, Bosnje e Hercegovinë 8.277 dhe Slloveni -900 banorë.

Nëse analizojmë të dhënat demografike për Malin e Zi, del se këtu ende kemi shtim pozitiv  të popullsisë, por nëse e analizojmë sipas komunave del se  vazhdon trendi negativ i shtimit të popullsisë. Kështu shtimi natyror negativ në vitin 2013 është shënuar në tetë komuna,dhjetë në vitin 2014, në 2015(12), në 2016 dhe 2017 në 13 komuna.  

Ndërsa në sajë të dhënave nga institucioni i statistikës MONSTAT-it, del se në pesë-gjashtë vitet e ardhshme Mali i Zi do të bëjë pjesë në ato vende që më tepër do të vdesin se sa do të lindin, ku në pozitë më të pavolitshme janë Veriu i vendit por edhe disa komuna tjera ku bën pjesë edhe Ulqini si kryeqendra e shqiptarëve në këtë mjedis, çështje kjo shumë shqetësuese për të ardhmën me pasoja shumëdimensionale.

Duhen masa stimulive nga shteti

Deri tash në Mal të Zi nuk kemi informacione se në kuadër të qeverisë, apo të ndonjë ministrie është trajtuar çështja demografike apo  e politikës popullative. Sepse është e udhës që të ekzistojë strategjia e nxitjës së natalitetit, me qasje ekonomike  dhe jo vetëm deklarative, duke ndarë mjete të konsiderueshme financiare. Mbeshtetja  financiare me rastin e lindjës së fëmijeve është e karakterit të përkohshëm, andaj duhet gjetë modele të qendrueshme në këtë aspekt duke marrë parasysh se gjinia fëmërore është më pak e punësuar, dhe më shumë e ngarkuar në rritjen e fëmijeve. Modeli I Serbisë mund të shërbejë edhe për Malin e Zi, sepse ata japin shtesa për fëmijë deri në moshën dhjetë vjeçare. Ndërsa duhet pare mundësinë e rikthimit te pensionëve për femrat të cilat kanë lindur tre e më shumë fëmijë, që iu mohua në vitin 2017 nga ana e qeverisë, më ç’rast u kriju paknaqësi e madhe duke protestuar në rrugë për të rikthyer të drejtën e mohuar.

Vetëm më aktivitete konkrete nga ana e qeverisë me qellim të nxitjes së natalitetit dhe zhvillimit të qendrueshëm popullativ, duke marrë modele nga vendet e ndryshme, mund të kemi ndryshime pozitive, në të kundërtën e ardhmja do të jetë me pasoja të mëdha  shoqërore.

(Shtator  2020)

Filed Under: Analiza Tagged With: mal i Zi, murtaja e bardhë, Nail Draga

RROTACIONI I PUSHTETIT NË MAL TË ZI DHE SHQIPTARËT

September 10, 2020 by dgreca

Zgjedhjet  parlamentare  në Mal të Zi–

RROTACIONI I PUSHTETIT NË MAL TË ZI DHE SHQIPTARËT–

Fitorja e opozitës në zgjedhjet parlamentare  në Mal të Zi të cilat u mbajtën me  30 gusht  2020 definitivisht  ndërpreu  pushtetin e tre dekadave  të Partisë Demokratike të Socialisteve(DPS) të M.Gjukanoviqit, duke bërë rrotacionin politik të pushtetit në mënyrë demokratike që paraqet ngjarje politike te rëndit të parë për regjionin, sepse deri më tash ky ishte i vetmi pushtet i pa ndryshuar  edhe në pluralizëm në vendet e ish kampit socialist  Europën Juglindore.

Shkruan:Nail DRAGA-

Ndonëse zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, janë mbajtur në kohën e virusit Corona-19 dhe në një fushatë zgjedhore të veçantë, qytetarët të cilët morën pjesë në votime, vendosën për rrotacionin e pushtetit jo më dhunë, apo demonstrime në rrugë por me laps, sikurse ndodhë në vendet demokratike, duke i dhënë besimin opozitës e cila fitoj 41 mandate që janë të mjaftueshëm për formuar pushtetin ekzekutiv. 

Në sajë të rezultatëve nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve   subjektët politike kanë arritur këto rezultate: Partia Demokratike e Socialistëve 35.10%(143.548 vota), 30 deputet, Koalicioni “Për të ardhmën e Malit të Zi” 32.55%(133.267 vota), 27 deputet, Koalicioni “Paqja është kombi ynë” 12.53%(51.297 vota), 10 deputet, Koalicioni “E bardha në të zezë”, 5.53%(22.649 vota), 4 deputet, Socialdemokratët 4.10%(16.769 vota),3 deputet, Partia Boshnjake 3.98%(16.286 vota), 3 deputet, PSD”Mali i Zi i fuqishëm”, 3.14%(12.839 vota), 2 deputet, Lista shqiptare”Genci Nimanbegu-Nikë Gjeloshaj”, 1.59%(6.488 vota), 1 deputet, Koalicioni shqiptar”Së bashku një za”, 1.14%(4.675 vota) 1 mandat deputeti.

Ndërsa pragun elektoral nuk e kanë kaluar dy subjekte politike që përfaqësojnë pjesëtarët e popullt kroat: HGI 0.27%(1.106 vota) dhe HRS 0.13%(527 vota).

KSHZ-ja ka njoftuar se në Mal të Zi kanë votuar 413.952 qytetarë, ku fletëvotime të vlefshme kanë qenë 409.451, ndërsa të drejtë vote kanë pasur 540.026 qytetarë. Pjesëmarrja në votime ishte 76.65% e votuesve të regjistruar, që ishte më e madhe së në vitin 2016(72.6%).Cekim së Kuvendi i Malit të Zi ka 81 mandate të deputetëve, ndërsa kanë garuar 6 koalicione dhe 5 parti politike.

Fitore e opozitës

Në sajë të rezultatëve të para tre subjekte politike nga opozita Koalicioni  “Për të ardhmën e Malit të Zi”,Koalicioni “Paqja është kombi ynë”  Koalicioni “E bardha në të zezë”, gjithsej kanë siguruar 41 mandate të deputetëve, që janë të mjaftueshëm për të formuar qeverinë e ardhshme. Ishte kjo fitore e opozitës, duke qenë befasi për opinionin e gjerë, duke e sfiduar partinë e DPS-it të M.Gjukanoviqit. Madje ky ishte rezultati më i dobët i tyre në tridhjet vite të pushtetit, duke kaluar në opozitë. Iu mbetet të gjitha partive politike të analizojnë rezultatët e tyre dhe të nxjerrin mësime, për dështimet dhe objektivat e tyre e kjo ka të bëjë në veçanti për ata që ishin pjesë e pushtetit të deritashëm.

Lëvizja qytetare “URA” befasia e zgjedhjeve

Në sajë rezultatëve del së befasia e tyre zgjedhjeve është Lëvizja qytetare”URA” e cila ishte në kuadër të koalicionit”E zeza në të bardhë”, ku me 4 mandate të deputetëve, do të jetë çelsi i qeverisë së re. Eshtë pikërisht udhëheqësi i këtij koalicioni ulqinaku Dritan Abazoviqi i cili do të jetë vendimtarë për qeverinë e re. 

Pikërisht duke marrë seriozitetin e momentit, udhëheqësit e tyre subjektëve opozitare(Z.Krivokapiq, D.Abazoviq dhe A.Beçiq) të hënën me 31 gusht  kanë arritur pelqimin për formimin e qeverisë së përbashkët. Madje në këtë aspekt ata kanë miratuar katër parimet e përbashkëta mbi të cilat do të bazohet qeveria e ardhshme.

Parimi i parë që është rënë dakord është që qeveria e re, demokratike do të zbatojë me përgjegjësi të gjitha detyrimet ndërkombëtare. 

Së dyti, që qeveria e re demokratike do të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme në mënyrë që Mali i Zi të bashkohet me Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur.

Së treti, që qeveria e re, demokratike do të jetë nga ekspert, te përbërë nga personel që janë ekspertë në fusha specifike, pavarësisht nga karakteristikat e tyre politike, fetare, kombëtare ose ndonjë karakteristikë tjetër.

Së katërti, qeveria e re do të angazhohet plotësisht në respektimin e Kushtetutës dhe zbatimin e ligjit, me ndryshime në të gjitha ligjet dhe aktet nënligjore diskriminuese, përfshirë Ligjin për Lirinë e Fesë.

Kohabitacioni politik

Në sajë të situatës së krijuar, kësaj here në Mal të Zi do të kemi kohabitacionin politik, dukuri e panjohur deri më tash në pluralizëm në këtë mjedis. Pra, do të kemi një bashkëqeverisje ku presidenti i shtetit I takon një partie tjetër politike, ndërsa ekzekutivi, përkatësisht  qeveria një partie apo koalicioni tjetër politik. Se si do të jenë raportët e tilla është herët të flitet, por shumë çka do të jetë e qartë në muajt në vazhdim. 

Në pluralizëm duhet të mësohemi me dukuri të tilla politike, për të kuptuar dekompozimet politike por edhe raportët pozitë-opozitë, sepse pushteti është i ndryshueshëm, ndërsa shteti është i përhershëm. Sa më parë të kuptohet ky binom, ndryshimet në skenën politike do të përceptohen dhe pranohën më lehtë, si kudo në shoqëritë  me përvojë demokratike.

Shqiptarët fituan dy mandate 

Në këto zgjedhje ndonëse janë bërë përpjekje qe shqiptarët të marrin pjesë me një list zgjedhore, një ide e tillë nuk u realizu. Edhe pse në këtë drejtim janë përpjekur si nga Shqipëria, Kosova e diaspora, shqiptarët dolën në dy lista zgjedhore, duke fituar dy mandate të deputetëve. Nëse  krahasojmë me vitin 2016, ku shqiptarët ishin të përfaqësuar në parlament me një deputet, kësaj here do jenë më dy, duke dëshmuar së pjesëmarrja në zgjedhje me dy lista zgjedhore nuk ishte humbje por një fitore e merituar. Madje 11163 vota të fituara së bashku  dëshmon angazhimin e elektoratit votues shqiptar për të pasur përfaqësimin autentik në Kuvendin e Malit  të Zi. Nëse e krahasojmë më katër vite më parë(2016) kur gjithsej subjektet shqiptare  ndonëse ishin ne tre lista zgjedhore gjithsej  kanë pasur   9790 vota, kësaj here ishte një rritje për  12.3 %.

Ndonëse dëshirat kanë qenë që ky numër votash të jetë edhe më i lartë, duke ditur rrethanat politike në vendbanimet shqiptare nga Ulqini e deri në Rozhajë, nuk ka pasur mundësi për ndonjë rezultat tjetër, por duhet të pajtohemi se ky ishte maksimumi i mundshëm për momentin.  

Me këtë rast  duhet cekur se pengesë ishte ligji zgjedhor  që është diskriminues për shqiptarët, e po ashtu edhe  subjektët politike të ashtuquajtura qytetare sidomos DPS-i që  kanë depertuar në elektoratin votues shqiptar përmes premtimeve dhe mashtrimeve të ndryshme për të siguruar vota  duke dëmtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë subjektet politike të shqiptarëve, ku rasti i Ulqinit meriton një analizë  të veçantë. 

Pakicat kombëtare  duhet të jenë pjesë e qeverisë

Duke u nisur nga parimet demokratike, subjektët politike të popujve pakicë duhet të jenë pjesë e qeverisë. Pasi në përbërjen e kaluar ishin pjesë e qeverisë  ata duhet ta vlerësojnë pa paragjykime ofertën për pjesëmarrje në qeverinë e re. Pakicat kudo duhet të jenë pjesë e pushtetit ekzekutiv, sepse ata kanë mundësi të prezantojnë çështjet e ndryshme shoqërore, ekonomike e zhvillimore për pjesëtarët e popujve të tyre. Pikërisht   duke marrë parasysh së tash kemi një realitet të ri të pushtetit, çdo refuzim në këtë drejtim do të ishte kundër interesave të popujve pakicë(boshnjakë, shqiptar e kroat). 

Kompromisi  për marrëveshje qeveritare

Andaj, në këtë aspekt duhet biseduar me mandatarin e qeverisë së ardhshme për çështjet të cilat janë të përbashkëta, ndërsa nëse ekzistojnë çështje kontestuese duhet përpjekur për të gjetur kompromisin e mundshëm. Mbetja jashtë institucioneve qeveritare, për hir të disa deklaratave politike nuk është në favor të shqiptarëve, sepse periudha tridhjetëvjeçare, dëshmon se viset shqiptare janë më të pazhvilluarat, ndërsa resurset ekonomike e ato natyrore janë plaçkitur nga matrapazat e oligarkët e ndryshëm  të lidhur me struktura  të pushtetit, që ka ndikuar në papunësi e më këtë në emigrimin e shqiptarëve në botën e jashtme për të mbijetuar. 

E dhëna së Ulqini është qyteti më i pazhvilluar në bregdet, të punësuarit kanë pagat më të ulta në Mal të Zi, ndonëse ka resurse dhe potencial më tepër së asnjë qytet në vend, dëshmon në mënyrë transparente një konstatim të tillë, andaj duhet gjetur forma për të ndryshuar këtë gjendje depresive në të mirën e përgjithshme shoqërore, sepse shqiptarët nuk duhet të mbesin peng i personave apo politikave të ndryshme.

shtator 2020

Filed Under: Analiza Tagged With: mal i Zi, Nail Draga, Rrotacioni i pushtetit

DITA E KUJTESËS SË VIKTIMAVE NGA REGJIMET TOTALITARE

August 26, 2020 by dgreca

Me datën 23 gusht në  Ditën Europiane të Kujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, Europa kujton me pietet viktimat e regjimeve totalitare të cilët likuiduan me miliona individë, ndërsa vendet e ish kampit socialist ende hezitojnë të denojnë krimet e tilla që dëshmon mungesën e vullnetit politik pothuaj në të gjitha vendet e ish kampit socialist në Europën Juglindore. Mungesa e shënimit e një datë të tillë në nivel shtetëror  si dhe mungesa e një memoriali kushtuar viktimave të komunizmit në vendet e tilla, dëshmon në mënyrë transparente një konstatim të tillë. Në pjesën e tyre viktimave bëjnë pjesë edhe shqiptarët, si popull autokton të ndarë në disa shtete të cilët përjetuan golgotën nga sistemet e vendëve përkatëse, ku veçohet shteti amë Shqipëria ndër vendet me kriminale komuniste në regjion.

Shkruan: Nail  Draga/

Në sajë të Deklaratës së Parlamentit Europian nga data 23 shtator 2008, Dita e 23 gushtit në Europë është shpallur Dita Europiane e Kujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare. Kemi të bëjmë me  një datë simbolike, sepse me 23 gusht të vitit  1939 është nënshkruar marrëveshja Ribentrop-Molotov, në lidhje me mossulmimin në mes Gjermanisë e Bashkimit Sovjetik.

Por, në rrethana të reja shoqërore pas  falimentimit të ideologjisë komuniste dhe dështimit të sistemit socialist, duke filluar me rënien e Murit të Berlinit(8.11.1989) dhe miratimit të pluralizmit në vendet e ish kampit socialist, filloj rishkrimi i historisë me argumente, duke dëshmuar vuajtjet e përsekutimet e qytetarëve në sistemet totalitare. Dhe është kjo koha e lirisë personale e shoqërore e cila ka eliminuar paragjykimet duke shpalosur të kaluarën e popujve nën pushtetet diktatoriale komuniste me pasoja të mëdha për qytetarët e tyre vendëve, ku as shqiptarët nuk ishin përjashtim, me pasoja të mëdha shoqërore dhe kombëtare.

Ende pa përcaktimin e ditës së viktimave në Mal të Zi

Në lidhje me këtë çështje  Kuvendi i Malit të Zi në vitin 2006  ka miratuar Rezolutat e Këshillit të Europës: nr. 1096, nga viti 1996, “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”, dhe nr. 1481, nga viti 2006 “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, por dita e kujtimit të tyre viktimave deri më tash ënde nuk është përcaktuar. Nga një qendrim i tillë pushteti në Mal të Zi nuk ka respektuar rekomandimin e Parlamentit Europian, duke dëshmuar mungesën e vullnetit politik për tu ballafaquar me të kaluarën.

Po ashtu, Parlamenti europian ka miratuar rekomandimin ku theksohet që çdo vend duhet të përcaktojë kohën dhe mënyrën e shënimit të kujtimit ndaj viktimave të regjimeve totalitare, duke ia përshtatur historisë dhe traditës së tyre. Por, me gjithë obligimet e detyrueshme deri më tash në Mal të Zi kemi një heshtje në këtë drejtim, andaj edhe sot nuk ekziton një datë e cila do të shënohej si Dita e kujtesës së viktimave të komunizmit, sikurse kanë vepruar vendet tjera nga ish kampi socialist.

Qasje të dyfishta të pushtetit


Me këtë rast  duhet cekur se Kuvendi i Malit të Zi në vitin 1992 ka miratuar Deklaratën së shteti obligohet të rehabilitojë viktimat e Goli Otokut(1948), si dhe të  dëmshpërblejë familjet e tyre.
Nga një qendrim i tillë del qartë  se kemi standarde të dyfishta, duke eliminuar krimet para vitit 1948, ku trajtojnë vetëm ata të Goli Otokut, athu se krimet e komunizmit kanë fillu nga ajo kohë, e jo  më parë nga instalimi i komunistave në nëntor të vitit 1944. Një qasje e tillë është diskriminuese sepse do të legalizoheshin krimet e më hershme, ndërsa viktimat do të mbeteshin të pa evidentuara ndërsa ekzekutorët të pa ndeshkuar.

Pra, qasja duhet të jetë e pranueshme për të gjithë e jo të ketë diferencime, në aspektin kombëtar, sepse represioni ka pasur  përmasa të mëdha varësisht rrethanave shoqërore. Në këtë aspekt deri më tash  nuk janë cekur fare viktimat e shqiptarëve, sikurse është Masakra e Tivarit(1.4.1945), duke mbetur temë e pa trajtuar për opinion e gjerë në Mal të Zi.

Krimeve nuk iu skadon afati kohor

Por, në deklaratën e Parlamentit europian  të miratuar në shtator të vitit  2008, në kujtim të viktimave të komunizmit dhe nazizmit thuhet se „në bazë të ligjit ndërkombëtar, nuk skadon kurrë afati për dënimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit“. Andaj, për të trajtuar çështjet e tilla duhet pritur një moment tjetër më të përshtashëm sepse për tash  nuk ekziston vullneti politik i pushtetit, për ballafaqim më të shkuarën e krimeve të komunizmit në Mal të Zi.

Pikërisht duke marrë parasysh së nuk ekziston qasje unike mendoj se duhet  inicuar Ligjin për të rehabilituar qytetarët të cilët kanë përjetuar krime nga koha e komunizmit, nga viti 1944-1990. Madje duhet paraparë dëmshpërblimin ndaj familjeve të viktimizuara, sepse vetëm në këtë mënyrë do të eliminohej një padrejtësi ndaj qytetarëve të pafajshëm në kohen e komunizmit.

Shqipëria vendi me i përsekutuar në ish kampin socialist

Si askush tjetër në Europë, shqiptarët nga Shqipëria kanë arsy ta përkujtojnë këtë ditë, sepse  nga pushteti komunist i instaluar janë ekzekutuar më mijëra me dhe pa gjyq, për liri dhe demokraci për të ndërtuar një shoqëri sipas vlerave demokratike europiane. Të dhënat për periudhën kohore në Shqipëri (1944-1991) janë trishtuese që iu ka tejkaluar nazistëve, e ate nga pushtetarët vendas në emër të ideologjisë komuniste. Deri me tash statistika në Shqipëri ka dhënë këto informacione:

34,135 shqiptarë janë burgosur dhe dënuar për arsye politike.

59,009 qytetarë u internuan në kampe përqendrimi.

7.022 prej tyre vdiqën prej trajtimit shatazarak.

984 persona kanë vdekur në burgjet e regjimit.

6.027 burra dhe gra, djem dhe vajza u ekzekutuan me dhe pa gjyq gjatë diktaturës.

Nga torturat dhe dënimet e kohës, 308 persona kanë humbur aftësitë mendore gjatë qëndrimit në burgjet e komunizmit.

Krimi komunist shqiptar është krimi më i rëndë komunist në Europë, por akoma më e rëndë se ky krim, është zhdukja e gjurmëve të krimit. Mosgjetja e eshtrave të mbi 4500 të ekzekutuarve me dhe pa gjyq, dëshmon se pushteti kriminal si qellim kishte për të zhdukur edhe gjurmët e krimit të tyre.

Mungon memoriali kushtuar krimeve të komunizmit

Ndonëse po bëhën tri dekada nga faleminitimi i komunizmit si ideologji e socializmit si rënd shoqëror, ndaj çështjës së krimeve të komunizmit nuk është bërë aq sa ata meritojnë nderimin e sakrificës për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri. Mendoj se nuk mund të arsyetohet më asgjë mos inicimi i një memoriali përkujtimor në Tiranë, Prishtinë e Shkup. Sepse është obligim moral dhe kombëtar të nderojmë sakrificën e atyre që kanë kontribuar  për lirinë, demokracinë dhe kombin shqiptar. 

Çdo pakujdësi në këtë aspekt nuk është në favorin e vlerave humane dhe  demokratike, por duhet vepruar si vepron bota e qytetëruar për të nderuar viktimat nga dhuna e sistemeve totalitare, ku edhe shqiptarët kanë qenë pjesë e vuajtëve të tilla, me pasoja të mëdha shoqërore dhe kombëtare. 

Rezoluta e Kongresit të SHBA-ve

Pikërisht në lidhje me këtë çështje Kongresi i SHBA me 21 maj 2014 ka miratuar rezolutën në mbeshtetje të ditës kushtuar viktimave të regjimeve komuniste dhe naziste “për të kujtuar dhe për të mos harruar kurrë terrorin e ushtruar ndaj miliona qytetarëve të Evropës Lindore dhe Qendrore, për më shumë se 40-vjet, nëpërmjet shtypjeve ushtarake, ekonomike dhe politike, duke përdorur ekzekutimet arbitrare, arrestimet në masë, deportimet, shtypjen e fjalës së lirë, konfiskimin e pronës private, si dhe shkatërrimin e identitetit kulturor dhe moral të kombeve…”, forma shtypëse këto që gjatë dekadave kanë “çuar në krime jashtëzakonisht të mëdha të bëra me paramendim kundër miliona njerëzve duke shtypur në mënyrën më flagrante të drejtat e tyre bazë të njeriut, duke i ndarë ata nga bota demokratike me një perde të hekurt dhe me Murin e Berlinit”, thuhet, ndër të tjera, në rezolutën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, kushtuar Ditës Evropiane të Viktimave të Totalitarizmit. 

Memorial kushtuar gjenocidit kundër shqiptarëve

Duke marrë parasysh peshën shoqërore dhe historike në nivel kombëtar e ndërkombëtar nuk mjafton që një çështje e tillë  të trajtohet vetëm me 23 gusht, si datë europiane, por të punohet vazhdimisht për të shpalosur e prezantuar  dhunën e diktaturës  ndaj  qytetarëve  në  kohën e monizmit. 

Në lidhje me këtë çështje dua të ceki se kur trajtohet kjo temë vazhdimisht merren parasysh  vetëm shqiptarët në shtetin amë në Shqipëri, por janë harruar ata jashtë Shqipërisë politike në hapësirën e tyre etnogjeografike në ish Jugosllavi dhe Greqi, që kanë përjetuar gjenocid ideologjik e kombëtar nga viti 1912 e më pas, deri në ditët tona. Apo ndoshta për të tillët planifikohet ndonjë memorial tjetër, i cili do të ishte dëshmi e mbijetesës së shqiptarëve nga dhuna e shpërnguljet nga vendi i tyre.

Description: http://telegraf.al/wp-content/uploads/2019/08/34c21da42b9a77f53271377901172137_XL.jpg

Mision për brezat

Andaj përkujtimi i Ditës së Kujtesës ka për mision të ruhet kujtimi ndaj viktimave të  komunizmit dhe nazizmit, siç ishin  burgosjet, vrasjet me e pa gjyqë, deportimet, internimet, kampet e punës dhe te përqendrimit, izolimet etj., duke qenë dëshmi me argumente për brezat e sotëm e ato që do të vijnë më pas. 

Nuk ka dilemë se çdo pushtet i dinjitetshëm, do të trajtonte  me guxim çështjet e dhimshme nga e kaluara, duke prezantuar përgjegjësinë për kuadrin e kohës dhe rehabilituar viktimat e asaj kohe. Andaj, është koha për sjellje me pietet ndaj të gjitha viktimave, duke i nderuar sikurse bëhët në vendet demokratike, sepse ballafaqimi me të kaluarën është dëshmi e kapacitetit demokratik dhe humanitar në çdo shtet të konsoliduar. 

(25 gusht 2020)

Filed Under: Analiza Tagged With: Dita e Kujteses, Nail Draga

MALI I ZI- ZGJEDHJET PARLAMENTARE,NË ATMOSFERË TË KRIZËS SHUMËDIMENSIONALE

August 20, 2020 by dgreca

Në sajë të gjendjes ekzistuese  zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi(30 gusht), do të mbahën në një krizë shumëdimensionale të pa parë deri më tash  ku përveç asaj ekonomike e politike i është shtuar edhe ajo shëndetësore(Corona-19), që nuk ka dilemë së do të ndikojë  në daljen e qytetarëve për të votuar, nga del se do të kemi rezultat të diskutueshëm  deri në momentin e fundit  për të përcaktuar shumicën e ardhshmë parlamentare.-

Shkruan: Nail  Draga-

Në zgjedhjet parlamentare të cilat do të mbahën më 30 gusht, Komisioni Zgjedhor Shtetëror(KZSH) ka verifikuar listen e pjesëmarrësve, të cilët do të jenë 6 koalicione dhe 5 parti politike.Këto do të jenë zgjedhjet e njëmbedhjeta nga miratimi i pluralizmit dhe të pestat nga pavarësia e Malit të Zi në vitin 2006.

Ndonëse më herët ka pasur iniciativë që opozita të dalë me një listë zgjedhore, përpjekjet e tilla mbetën vetëm tentime dhe ata do të marrin pjesë në zgjedhje në dy kolona(DF dhe DCG), ndërsa PSD dhe URA do të marrin pjesë të vetme. Dhe janë këto subjekte politike që do të jenë konkurent  të DPS-it  por edhe partnerëve të saj që janë partitë e popujve pakicë. Nga numri I subjektëve politike për pjesëmarrje në zgjedhje dy koalicionet(DF dhe DCG) kanë ndikuar që partite e vogla të mos garojnë të vetme, që është një veprim pozitiv politik me mundësi të mëdha me rritë numrin e deputetëve të opozitës por edhe për të qenë pjesë e parlamentit të ardhshëm, më përfaqësuesit e tyre legjitim.

Në kuadër të pjesëtarëve të popujve pakicë,në këto zgjedhje nuk ka ndonjë risi, sepse  pothuaj gjendja është identike si më parë, më përjashtim të kroatëve. Pjesëtarët e popullit boshnjak kësaj here marrin pjesë me një subjekt politik(BS), ndërsa shqiptarët marrin pjesë me  dy lista zgjedhore(koalicione).

Risi në këto zgjedhje paraqesin kroatët  të cilët deri më tash kanë pasur një subjekt politik(HGI), ndërsa  kësaj here është paraqitur edhe një subjekt tjerët(HRS), që do të konkurojnë për një mandat të deputetit.

Fushata  parazgjedhore pa dinamikën e mëparshme

Subjektët politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 30 gushtit 2020, këto ditë janë duke shpalosur programin e tyre, por jo me dinamikë siç jemi mësuar në zgjedhjet e mëhershme. Janë pikërisht rrethanat e reja shoqërore, që kanë ndikuar në një model të ri parazgjedhor të panjohur deri më tash.Madje edhe retorika e subjektëve politike është përcaktuar në tema të veçanta.

Kështu për dy konkurentët kryesor në këto zgjedhje  për DPS-in  dhe DF-in   parësore janë temat  identitetare,  në anën tjetër SDP dhe Demokratët iu premtojnë qytetarëve paga dhe pensione më të mëdha, ndërsa URA ofron qeverisjën me eksperta. Çështje tjetër  është se çka premtohet dhe sa realisht mund të realizohet në praktikë, sepse qytetarët janë ngopur me deklarata të tilla të cilat, nuk i degjojnë për herë të parë.

Katërmbëdhjetë vite pas pavarësisë dhe  në zgjedhje te pesta parlamentare, për DPS-in, siç duket mbrojtja e shtetit është çështje kyçe. Më ndryshim nga zgjedhjet e deritashme, kësaj here siç duket kundërshtari kryesor nuk iu është opozita, por KOS-i, sepse të gjithë e kanë të qartë se ajo është opozita  me e rrezikshme, edhe pse ata nuk marrin pjesë në zgjedhje si parti politike.

Për temat ekonomike nga  qeveria nuk prononcohen në fushatë sepse kriza momentale do ti dekurajonte qytetarët, ndërsa analistët thesojnë se  ajo do të jetë edhe ma e theksuar pas zgjedhjeve.

Nga ana tjetër partitë politike të popujve  pakicë, nuk janë të zëshme në fushatë parazgjedhore, ku  edhe pse  janë pjesë e qeverisë, ka qenë e udhës për të ndryshuar retorikën, sepse votuesit e tyre, presin angazhime konkrete përmes projektëve të ndryshme në mjediset përkatëse, përkatësisht për barazi qytetare e nacionale në Mal të Zi,  si vendi me  multinacional e multikulturor në Europën Juglindore.

Nuk ka dilemë se kjo fushatë parazgjedhore ishte e veçantë por dhe shumë e shkurtër, andaj si e tillë është e pa parashikueshme.

Pensionistët faktor në zgjedhje(!?)

Në Mal të Zi në kuadrin e spektrit politik ka kohë që është në funksion  Partia e pensionistëve, invalidëve dhe e restitucionit(PIR), të cilët kohë pas kohe deklarohen në lidhje me pozitën e pavolitshme sociale te kësaj kategorie të popullsisë. Dhe ndonëse një shqetësim i tillë është i vazhdueshëm, deklarimi publik është bërë dukuri  sidomos në prag të zgjedhjeve parlamentare, sepse kemi të bëjmë me një kategori të qytetarëve të cilët kanë dhënë kontributin e tyre dekada me radhë në zhvillimin e përgjithshëm shoqëror.

Në sajë të dhënave që disponojmë, momentalisht në Mal të Zi  në tërësi janë 130.300 pensionistë  ku pensioni mesatar është  289,1 euro, ku këtë shumë e marrin  63.578 pensionistë.Nga ana tjetër pensioni minimal me rritje në vitin 2020 është 128,82 euro ku e marrin  11.700 pensionistë. Rreth 3.000 pensionistë  e kanë pensionin nën 100 euro, por madje bëhët me dije se ka pensionistë që e kanë pensionin nën 50 euro(!?).

Duke marrë parasysh se pensionistët më vëshirësi e mbyllin muajin, për të  mbijetuar, ndërsa një numër i tyre ushqehën nga kuzhinat popullore e madje edhe nga kontejnerat, dëshmon se kemi të bëjmë me një kategori të qytetarëve të rrezikuar në aspektin social. Pikërisht kemi të bëjmë me një moment të veçantë, andaj nuk duhet të nënçmohet kontigjenti i votave të  pensionistëve, sepse, votat e tyre mund të jenë vendimtare për formimin e shumicës së re parlamentare.
Andaj duke marrë parasysh këtë gjendje të mjerueshme sociale, Qeveria, më 16 korrik 2020, miratoj vendimin për  rritjen e pensionëve më të dobëta(128 euro) për 13 %, si dhe ndryshimin e Ligjit për dalje në pension.

Duhet theksuar së këtë ligj  e ka propozuar  më herët SDP dhe ka qenë gati nga viti 2018, por ka mbetur në sirtar, sepse nuk ka ekzistuar vullneti politik i DPS-it, ndërsa tash ndryshuan qendrim duke e mbeshtetur ate në parlament, nga del qartë së kemi të bëjmë me marketing parazgjedhor, për përfitime politike!

Më shumë votues se sa qytetarë të moshës madhore


Çështje të veçantë   paraqet regjistri zgjedhor i qytetarëve të cilët do të marrin pjesë në ditën e votimit. Ne regjistrin  zgjedhor janë gjithsej 541.232 qytetarë. Në krahasim me zgjedhjet presidenciale  që janë mbajtur me 15 prill 2018, numri i votuesëve është rritur për rreth 8.6 mijë.

Në lidhje me këtë çështje  ja vlen të cekim se nga zgjedhjet presidenciale në vitin 2013 deri ato në  prill në vitin 2018, numri i votuesve është rritur për 21.194, gjegjësisht  nga 511.405  në 532.599. Nga një e dhënë e tillë ku sipas MONSTAT-it në këtë periudhë kohore numri i banorëve është rritur për 1.844 persona,  del se më shpejt rritet  numri i votuesve  se sa numri i qytetarëve të moshës madhore, që paraqet  paradoks të llojit të vet, andaj mbetet çështje për hulumtim të veçantë, nga ana e KZSH, për të eliminuar dilemat dhe  spekulimet në këtë kohë të fushatës parazgjedhore.

Shqiptarët me dy lista zgjedhore

Ndonëse janë bërë përpjekje në vend e në veçanti  nga diaspora shqiptare në SHBA por edhe nga Shqipëria, që shqiptarët  kësaj here të dalin në zgjedhje me një listë  të përbashkët zgjedhore, angazhimi nuk solli sukses, sepse në rend të parë ishin ambiciet personale e ato lideriste. Kështu me 30 gusht shqiptarët do të dalin me dy lista zgjedhore: Lista Shqiptare”Koha është tani” e përbërë nga Forumi Shqiptar(AA,LDSH), Forca, Unioni i Tuzit dhe Lëvizja Perspektiva  si dhe lista e dytë Koalicioni  “Bashkë  një za” i  përbërë nga ”PD, UDSH dhe LDMZ.

Kujtojmë më këtë rast se në zgjedhjet e fundit(2016) shqiptarët u prezantuan me tre lista: Koalicioni “Shqiptarët e vendosur”(Forca. UDSH, AA) ku fitoi  4854 vota(1.27%) me 1 mandat të deputetit,     Koalicioni shqiptarë “Me një qellim”PD, LDMZ,  3394 vota (0.89%)dhe lista e tretë LDSH 1542 vota(0.40%), pa mandate të deputetit.

Në vitin 2016   votuesit shqiptarë për subjektet politike nacionale votuan 9790 votues, nga del se po të ishin në një listë të përbashkët do të ishin fituar dy deputet. Por, në sajë të mos unifikimit në një listë zgjedhore dhe ligjit zgjedhor ekzistues, që është diskriminues për shqiptarët, nuk do të jetë çudi që shqiptarët të mbesin përseri me një deputet si në mandatin e kaluar, që do të ishte humbje e madhe  jo vetëm politike.Sidoqoftë kësaj here votuesit shqiptar, kanë mundësi të zgjedhin në mes dy koalicionëve shqiptare, sepse në këtë mënyrë do të zgjedhin përfaqësuesit autentik  në skenën politike në Mal të Zi.

Në zgjedhjet lokale në Guci, shqiptarët me listë të përbashkët

Ne  këto zgjedhje megjithate kemi një lajm pozitiv, sepse në zgjedhjet lokale në Guci që do të mbahën të njëjtën ditë me ato parlamemntare shqiptarët do të dalin  me listë të përbashkët”Shqiptarët e bashkuar për Guci”(LDSH, UDSH, ASH).Kujtojmë së në zgjedhjet e fundit lokale ata kishin gjithsej 7 këshilltarë në Kuvendin Komunal në Guci, ndërsa kësaj here të bashkuar ky numër  sipas të gjitha gjasave duhet të jetë më i lartë, sepse të bashkuar mundësitë janë më të mëdha.

Enigma  për shumicën parlamentare(!?)

Gjendjes së pavolitshme ekonomike e politike iu bashkangjit ajo epandemisë së Covid-19, që do të ndikojë në pjesëmarrjën  e qytetarëve në ditën e votimit. Kemi të bëjmë pikërisht me kategorinë e qytetarëve të cilët jo vetëm në zgjedhjet e fundit kanë abstenuar, andaj  motivimi i pjesëmarrjës së tyre në zgjedhje mbetet çështje e diskutueshme. Sepse pjesëmarrja  në votime e kësaj kategorie të qytetarëve, do të vendosë rezultatin definitiv dhe përcaktimin e shumicës parlamentare.Madje, nëse pjesëmarrja do të jetë më e lartë së në vitin 2016(72.6%), ajo do të jetë në favor të opozitës. Pikërisht kjo kategori e votuesëve e bën të pa parishikueshëm dhe enigmatik rezultatin e tyre zgjedhjeve.

Duke marrë parasysh së asnjë subjekt politik  vetë apo në koalicion nuk do të ketë shumicën parlamentare, nuk ka dilemë së këtu rol përcaktues do të kenë  partitë politike të popujve pakicë, si deri më tash duke qenë pjesë e pushtetit. Ndërsa nuk përjashtohet  mundësia që rol vendimtar për formimin e shumicës parlamentare  ta kenë edhe dy partitë tjera opozitare promalazeze (PSD dhe URA), duke qenë alternativa të besueshme për formimin e shumicës parlamentare, përkatësisht të qeverisë së re.

(20 gusht 2020)

Filed Under: Politike Tagged With: kriza shumedimensionale, Nail Draga, Zgjedhjet ne Mal te Zi

Rrotacioni politik i shëndetëshëm për demokracinë

August 7, 2020 by dgreca

Në vendet demokratike me pushtet të konsoliduar rrotacioni  politik është dukuri normale, që është në favor të demokracisë dhe të pluralizmit, ndërsa përjashtim bëjnë vendet autoritare  me animozitete të brendshme jo vetëm politike, ku Mali i Zi, paraqet rast të veçantë në vendet e ish kampit socialist në  Europën Juglindore

Shkruan: Nail  Draga

Në sajë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në çdo vend demokratik qytetarët me votën e tyre kanë  mundësi për të siguruar një ndryshim të modelit qeverisës, me qellim për të zëvendësuar modelin e vjetër, që në shumë raste është i konsumuar dhe i kompremetuar në sajë të aferave të ndryshme dhe i tejkaluar në rrethanat e reja shoqërore, duke ofruar një model të ri qeverisës me ide dhe kuadra të rinj, duke sjellur risi, shpresë dhe motivim për qytetarët e mjedisit përkatës.

Mali i Zi rast i veçantë në regjion

Nga mbajtja e zgjedhjeve të para pluraliste në Mal të Zi(9.12.1990) e deri më tash nuk ka ndryshime të pushtetit sepse ate vazhdon ta mbajë gjithnjë e njëjta parti politike(DPS), e cila është vazhdimësi e kohës së monizmit. Kemi të bëjmë me një mjedis specifik i cili veçohet nga vendet tjera të ish kampit socialist në Europën Juglindore. 

Në sajë përbërjës heterogjene të popullsisë, Mali i Zi veçohet nga vendet tjera të regjionit ku politizmi ka marrë përmasa  në shumë aspekte shoqërore. Ndonëse pluralizmi ofron mundësi optimale për zgjidhjën e çështjeve kontestuese, raportët shoqërore në Mal të Zi, kanë rikthim si para tri dekadave kur filloj falemintimi i shtetit të ish-Jugosllavisë. Dhe në këtë dimension dallohet Kisha Ortodokse Serbe(KOS), si përfaqësuese e serbëve në këtë mjedis, e cila me veprimin e saj më tepër i ngjanë ndonjë organizate politike se sa teologjike, ku si shkas është kontestimi nga ana e tyre e Ligjit për lirinë e bashkësive fetare. Organizimi i protestave enkas për këtë çështje, që ata i vlerësojnë si “shetije”, përmes retorikës dhe ikonografisë klero-fashiste,  del qartë se koncepti i politikës serbomadhe vepron në mënyrë perfide edhe në këtë mjedis, më mision ideologjik  me pasoja jo vetëm  shoqërore.

Nga një ndarje e tillë e qytetarëve në Mal të Zi, kryesisht ata të përkatësisë ortodokse dhe organizimi i zgjedhjeve parlamentare në një atmosferë të tillë, ndikon në ndarjët e vazhdueshme në skenën politike(pro malazeze dhe pro serbe), duke mbetur  dukuri e vazhdueshme në këtë mjedis, nga viti 2006 më pas!.

Parlamenti i kontestuar

Por, ky mandat parlamentar(2016-2020) mbetët i veçantë për tre çështje; e para se shumica parlamentare(42 deputet) ishte më e brishta në pluralizëm, e dyta se  me 16 tetor 2016, ditën e zgjedhjeve, sipas të dhënave të Qeverisë, nga ana e opozitës pati tentim të grushtshtetit, ku me pas   u organizu edhe një proces gjyqësor ndaj disa pjesëmarrësëve të tillë, por ende pa aktvendime gjyqësore(!?)  dhe e treta, pikërisht për këtë shkak  parlamenti u bojkotua nga partitë  opozitare(39 deputet), fillimisht nga të gjitha, ndërsa më pas disa u kthyen në parlament, duke mos i  qendruar besnik marrëveshjes, duke qenë parlamenti më i kontestuar në pluralizëm në Mal të Zi.

Opozita  e përçarë  favorizon  pushtetin 

Animoziteti brenda opozitës është njëra nder faktorët kryesor që deri më tash mungon qendrim i përbashkët për çështje madhore, sidomos kur është në pyetje angazhimi për ndryshime të pushtetit, përkatësisht rrotacionin e tij. Por, për të qenë unik duhet të  ekzistojë një platformë e përbashkët e cila mungon, në vazhdimësi në pluralizëm. Madje, nga një qasje e tillë joserioze, jep për të kuptuar se kemi të bëjmë me “profesionalizmin opozitar”, që është në favor të pushtetit aktual. 

Çështje të veçantë paraqet koncepti politik i opozitës për çështjen e pushtetit nga njëra anë dhe të shtetësisë së Malit të Zi, që vazhdon të jetë me qasje dualiste në ate proserbe dhe promalazeze. Opozita proserbe nuk paraqet befasi sepse ajo ishte e angazhuar në vitin 2006, kundër pavarësisë së Malit të Zi, ku edhe sot qendron në ato pozita. Dhe një qasje të tillë është duke e shfrytëzuar pushteti aktual, që është motiv i vazhdueshëm për të mobilizuar qytetarët, përkatësisht votuesit që kanë mbeshtetur pavarësinë e Malit të Zi. 

Nuk ka dilemë se deri sa të ekzistojë një opozitë e tillë, me qasje proserbe, e mbeshtetur nga KOS-i, me direktiva nga Beogradi kundër pushtetit  përkatësisht nënkuptohet kundër pavarësisë shtetërore, DPS-i nuk ka nevojë të shqetësohet se mund të rrezikohet, duke vazhduar dominimin në skenën politike në Mal të Zi.

Hipokrizia e politikës lokale

Dukuria e korrupcionit politik në Mal të Zi nuk është e re e as e panjohur, duke u paraqitur në forma dhe mënyra të ndryshme, varësisht prej komunave përkatësisht strukturën e tyre heterogjene nacionale e politike. Janë pikërishtet konceptet e ndryshme politike e jo ato programore që ka ndikuar  në  ndryshimin  vullnetit te qytetarëve përmes votës së lirë. Dhe diçka e tillë është duke ndodhur në pluralizëm ku akrobacionet politike, janë bërë dukuri e njohur duke bërë dekompozime në pushtetin lokal në disa komuna në Mal të Zi.

Pikërisht në këtë aspekt  tek ne, një dukuri e tillë ndodhi për të parën herë në Ulqin, kur shumica parlamentare lokale nga zgjedhjet e vitit 2006(Forca, LDMZ, PPD dhe BDSH), në vitin 2007 u dekompozua  sepse tre këshilltarë të PPD-së, dëvijuan  nga pozita lokale, duke kaluar  në radhet e opozitës(DPS, UDSH), duke formuar shumicën e re parlamentare në pushtetin lokal të Ulqinit. Dhe një veprim i tillë ndikoj në dekompozimin e skenës politike të shqiptarëve në Ulqin, me pasoja në funksionim të pushtetit lokal në sajë të interesave personale dhe ambicieve  lideriste të përfaqësuesëve të subjektëve politike. Ishte ky një veprim hipokrit  i personave të cilët politikës lokale  ia mveshën epitetin e korrupcionit politik, dukuri me pasoja  jo vetëm lokale.

Dëvijimi i votës së qytetarëve

Një veprim i tillë quhet korrupcion politik sepse votat janë marrë nga elektorati votues për të ndryshuar gjendjen ekzistuese, përkatësisht për ta dërguar në opozitë DPS-in, e jo për ta rikthyer ate në pushtet, në mënyrë klandestine. Një dukuri identike  ndodhi më parë në Kotorr, e kohë më parë edhe në Budva, ku një këshilltar, gjoja me status “të pavarur”, iu bashkua  DPS-it, dhe formoj shumicën e re parlamentare lokale, çështje e cila mori përmasa korruptive politike tre muaj para se të përfundoj mandati i pushtetit lokal.

Nga dukuria e korrupcionit politik nuk ka dielmë së përfitojnë individët, partitë politike apo klanet e ndryshme. E kundërta do të ishte që individi në këtë rast këshilltari, apo këshilltarët të pakënaqur me subjektin politik që iu përkasin  për çështje të ndryshme në pushtetin lokal të dorëzojnë mandatin, subjektit të cilit i takojnë, duke u zëvëndësuar nga kandidati i radhës, në listën zgjedhore. 

Ndërsa mbajtja e mandatit të këshilltarit përmes votës së lirë, duke u deklaruar si të „pavarur“ është mashtrim i  elektoratit votues, sepse do të ishte korrekte propozimi i shkurtimit të  mandatit dhe shpallja e zgjedhjeve te reja. 

Por, një veprim të tillë mund ta bëjnë vetëm  ata të cilët qendrojnë pas parimeve dhe kanë kapacitet demokratik, e jo ata të cilët, politikën e shohin si mundësi përfitimi personal. Ndërsa deri kur mund të veprohet në këtë mënyrë në skenën politike mbetet çështje e hapur, sepse ligji aktual zgjedhor nuk parashikon masa ndeshkuese, për devijime të tilla paszgjedhore.

Ndryshimi i pushtetit  vlerë e demokracinë

Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, të rregullta apo të parakohshme, paraqet ofertën për qytetarët për të ndryshuar pushtetin ekzekutiv. Dhe një dukuri e tillë ndodhë kudo në vendet demokratike, ku qytetarët  përmes votes së tyre të lirë, vendosin për fatin e tyre. Janë pikërisht zgjedhjet që përcaktojnë së kush do të jetë pozitë, apo opozitë, në sajë të ofertës programore që subjektët politike iu kanë ofruar qytetarëve  për mandatin vijues. 

Një subjekt politik, vetëm apo në koalicion me subjekte të tjera, ofertën e prezantuar, ka mundësi ta realizojë në praktikë, gjatë mandatit katërvjeçar. Dhe kemi të bëjmë me kohë të mjaftueshme për të dëshmuar rezultate në praktikë, ndërsa nëse ata mungojnë do të jenë qytetarët, përkatësisht elektorati votues që do ti ndëshkoj në votime të radhës. 

Në favor të konsolidimit të shoqërisë

Në raste të tilla, opozitës i jepët mundësia për të dëshmuar potencialin organizativ e kadrovik, madje me mundësi reale për të qenë udhëheqëse e qeverisjës. Një rrotacion i tillë i pushtetit nuk ka dilemë së është i shëndetëshëm për demokracinë në mjedisin përkatës. Sepse çdo rrotacion normal dëshmon konsolidimin e shoqërisë sikurse veprohet në vendet demokratike. 

Por,në këtë aspekt  përjashtim bëjnë vendet autokratike, me demokraci jofunksionale, përkatësisht me demokraci hibride, të cilat vazhdojnë të qeverisinë pothuaj në mënyrë identike si në kohën  e monizmit, ku përvoja tridhjetëvjeçare e pluralizmit politik  dëshmon  në mënyrë transparente një konstatim të tillë. 

(Gusht  2020)

Filed Under: Politike Tagged With: demokracia, Nail Draga, Rotacioni Politik

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 16
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT