• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Zgedhjet parlamentare në Shqipëri 2021

April 22, 2021 by dgreca

ROTACION I PUSHTETIT APO VAZHDIMËSI E QEVERISJËS AKTUALE/

Në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri të cilat do të mbahën të dielën me 25 prill, do të marrin pjesë 12  subjekte politike dhe 5 kandidatë të pavarur, ku qytetarët me votën e tyre do të përcaktohen për rotacionin e pushtetit apo për vazhdimin e qeverisjës aktuale, ndërsa    parashihet një garë e ngushtë ne mes PS dhe PD, ku  përcaktuese  si duket do të jetë  LSI-ja në formimin e shumicës parlamentare, përkatësisht të qeverisë për mandatin e ardhshëm katërvjeçar

Shkruan: Nail  Draga-DIELLI

Sipas të dhënave nga  KQZ, bëhët me dije se në zgjedhjet e 25 prillit do të marrin pjesë 12 parti politike dhe 5 kandidatë të pavarur, të cilët do të renditën në vendin e 13 në qarkun ku konkurojnë. Ndërsa të drejtë vote  kanë  3.588.869 qytetarë, të cilët do të votojnë në 12 qarqe, në 5.199 qendra votimi ku do të zgjedhin  140 deputet të Kuvendit të Shqipërisë. Nga qarqet më numër më të madh të elektoratit votues është Tiranës me 910.494 zgjedhës duke dhënë 36 deputet, ndërsa më i vogël ai i Kukësit me 83027 zgjedhës dhe do te japë 3 deputet.

Fushata parazgjedhore në sajë të pandemisë Covid-19, nuk ishte si vitëve të shkuara, duke dëshmuar një kujdes ndaj qytetarëve, por nuk ishin në një qendrim të tillë subjektët kryesore politike. Kështu derisa PS në takime kishte numër të  përzgjedhur apo të kufizar të qytetarëve  e kundërta ishte me PD ku  takimet e tyre kanë qenë masive duke mos marrë parasysh situatën e pandemisë sipas   rekomandimeve mjekësore. E tërë fushata zgjedhore është udhëhequr  nga liderët e partive E.Rama dhe L.Basha, duke demonstruar angazhimet për mandatin e tyre të ardhshëm katërvjeçar. Kështu Rama si favor të tij ka prezantuar rindërtimin  dhe ndërtimin e banesave të reja për qytetarët që kanë qenë të shkatërruar nga termeti  nëntorit 2019, pastaj angazhimin e vaksinimit të qytetarëve kundër pandemisë Covid-19, si dhe vazhdimin e përfundimin e objektëve të infrastrukturës rrugore në të gjithë vendin. Nga ana tjetër L.Basha si shefi i opozitës dhe të kalicionit  Aleanca për ndryshim kryesisht është fokusuar në papunësi, emigrimin e qytetarëve, uljen e taksave etj., duke e cilësuar konkurentin e tij politik si person të konsumuar se nuk ka së çka iu ofron  më shqiptarëve në të ardhmën.

Sipas sondazheve PD në përparësi  ndaj PS  

Në kuadër të fushatës parazgjedhore në Shqipëri nga kompani apo agjenci të ndryshme janë realizuar sondazhe të cilat janë bërë publike për opinionin e gjerë, duke iu mundësuar subjektëve politike dhe mediave e opinionistëve të prezantojnë pikëpamjet e tyre. 

Kështu ditë më parë “Smith Research &Consulting” ka realizuar një pyetësor të strukturuar me pyetje të mbyllura. Në këtë sondazh është përdorur metodologjia e studimit sasior janë pyetur njëmijë vetë nga data 27 mars e deri me 9 prill. Sipas këtij sondazhi del se qytetarët  janë shumë të interesuar që të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Ky sondazh po ashtu potencon se Partia Demokratike e Shqipërisë do të dalë fituese e zgjedhjeve të 25 prillit. Në pyetjen e tretë, nëse zgjedhjet do të mbaheshin  sot, për cilën parti do të votonit? Dhe me 44.7% e pjesëmarrësve kanë zgjedhur Partinë Demokratike të Shqipërisë-Aleanca për Ndryshim, ndërsa 42.5% për Partinë socialiste si dhe 11.3% Lëvizja Socialiste për Integrim.

Ndërsa në pyetjen e gjashtë të këtij sondazhi, se kush mendoni se do të fitojë zgjedhjet e ardhshme?, 53.1% janë deklaruar për Partinë Demokratike, ndërsa 44.2% ate të PS. Nga ky pyetësor del qartë se PD është në përparësi ndaj PS, duke dëshmuar se ajo do të jetë fituese e zgjedhjeve të 25 prillit. 

Por, nga sondazhët e prezantuara deri më tash çështje të veçantë paraqesin  partitë e vogla, të cilat  marrin pjesë në zgjedhje, ku  sipas analistëve vetëm Partia Socialdemokrate ka mundësi të fitojë mandat të deputetit, ndërsa për të tjerat mundësitë janë minimale, pa ndonjë peshë të veçantë, por me mundësi të dëmtojnë tri partitë e mëdha në ndarjën e mandatëve(!?).

Të ndryshohet kodi zgjedhor

Duke marrë parasysh se në shqipëri ekziston kodi zgjedhor i cili është dhuratë nga marrëveshja Berisha-Rama nga viti 2008, pa zgjedhjeve në mandatin e ardhshëm duhet të inivcohet ndryshimi  i kodit zgjedhor. Nga 12 njësi zgjedhore sa janë tash përmes qarqeve, Shqipëria duhet të jetë një njësi zgjedhore, me sistem proporcional, me pragun zgjedhor prej 3%. Një veprim i tillë do të ishte në favor të qytetarëve dhe demokracisë pluraliste, duke iu mundësuar të gjithë qytetarëve të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në nivel republike. Po ashtu një kod i tillë zgjedhor do të ishte në favor edhe të partive të vogla, të cilat në sajë të kodit zgjedhor aktual janë pothuaj të eliminuara, për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Në rastin konkret partitë e vogla për të ekzistuar kanë mundësi të jenë nën ombrellën e partive të mëdha, si pjesë e tyre te koalicionit.

Sa i përket kodit zgjedhor  për Shqipërinë mendoj se më i pranueshëm është modeli i Kosovës, duke përfshi edhe listat e hapura. Vetëm në këtë formë do të kishim zgjedhje të pranueshme për të gjithë qytetarët, në favor të pluralizmit  dhe të demokracisë parlamentare.

Presidenti të zgjidhet nga populli 

Varësisht prej vendeve të ndryshme presidenti zgjidhet në dy forma ate të votimit nga populli dhe nga kuvendi. 

Vetëm me zgjedhje të drejtpërdrejta nga ana e popullit presidenti apo presidentja  edhe pse me ingerenca të kufizuara në një sistem shumëpartiak, mund të jet përfaqësues i  të gjithë qytetarëve e jo si deri më tash, të jetë përfaqësues i  shumicës parlamentare, ku Shqipëria e Kosova, janë rast tipik  në regjion që nuk është në favor të demokracisë, përkatësisht të votës popullore.

Edhe pse në Shqipëri  është debatuar në lidhje me ketë çështje, si nga forumet politike, shqoëria civile e mediat e ndryshme dy partitë e mëdha(PS,PD) nuk kanë treguar interesimin e duhur që kjo çështje të debatohet në parlamentin shqiptar. Fillimisht, në Kuvend duhet të ndryshohen nenet e Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit nga populli, por deri më tash del qartë se nuk ekziston vullneti politik për këtë çështje. Nga një qendrim i tillë është zenë peng dëshira e popullit për të zgjedhur kandidatin e tyre  si kudo në botën demokratike, e jo të imponuar nga deputetët  në emër të kompromisit  për  ”presidenti konsensual”. 

Andaj duke qenë i zgjedhur në atë post pa votën e qytetarëve, me ose pa dashje keqpërdorët apo bëhet marionetë e shumicës parlamentare, që nuk është në favor të demokracisë parlamentare, ku shëmbull tipik është presidenti aktual I.Meta, prandaj zgjedhja e presidentit të ri duhet të bëhet drejtpërdrejtë nga populli, duke eliminuar dilemat e tilla.

Qytetarët presin ndryshimin

Në sajë të pabarazisë  së theksuar shoqërore e ekonomike janë të pranishme  kontrastët e  mëdha sociale  ku dukuria e kohezionit social mbetët kërcënim i vazhdueshëm për shoqërinë shqiptare. Dhe nga një gjendje e tillë e pavolitshme ekonomike në botën e jashtme  sipas të dhënave nga Shqipëria kanë emigruar rreth 1.7 milion shqiptarë dukuri e cila vazhdon gjithnjë, me pasoja të mëdha kombëtare. 

Andaj, qytetarët këto zgjedhje i shohin si mundësi e ndryshimit, në avancim të çështjeve preokupuese në nivel vendi, si kudo në vendet me demokraci të konsoliduar. Janë pikërisht zgjedhjet e 25 prillit  ata të cilat do të jenë përcaktuese për ardhmën e tyre për rotacion të pushtetit apo vazhdimin e qeverisjës aktuale.

 (Prill  2021)

Filed Under: Analiza Tagged With: Nail Draga, Zgjedhjet Parlamentare 2021

Kisha e sherrit- Dëshmi e provokimeve klero-nacionaliste në malin e Rumisë

April 10, 2021 by dgreca

Nga Nail Draga*/ Në kuadrin e mërgimtarëve shqiptarë të cilët jetojnë e veprojnë në SHBA, ekzitojnë individ të cilët përveç punës së obliguar,  ekzistojnë edhe të atillë të cilët merren me hulumtime e botime  të ndryshme. Në këtë kategori të rrallë bën pjesë H.Muja, i cili deri më tash  është prezantuar me botime të ndryshme shkencore e publicistike të cilat për nga qasja dhe tematika e trajtuar  kanë zgjuar interesim të opinioni i gjerë. 

Në vazhdën e botimeve  nga H.Muja, kësaj here kemi marrë në shqyrtim  librin Kisha e sherrit, botuar nga Logos-A, në vitin 2014.

Çështja në fjalë ka të bëjë me një situatë të panjohur deri më tash jo vetëm në territorin e komunës së Tivarit, por edhe më gjerë në Mal të Zi, sepse kemi të bëjmë me  vendosjen e   objektin metalik në maje të malit të Rumisë.  Nuk ka dilemë se një veprim i tillë  ishte i natyrës politike, duke dëshmuar në praktikë intolerancën ortodokse kundrejt grupeve të tjera religjioze, edhe  në këtë mjedis multinacional e multikulturor, e vendosur pa leje të organeve komunale në Tivar.

Një veprim i tillë nga Kisha Ortodikse Serbe(KOS), dëshmon se ata janë në shërbim të falsifimit të  historisë përkatësisht  të politikës serbomadhe e cila është duke realizuar objektivin përmës kishës, e cila vazhdimisht ka qenë në shërbim të politikës   shtetërore serbe. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse kemi të bëjmë me realizimin e programit të Naçertanijës(1844), që është në vazhdimësi nga Kongresi i Berlinit(1878), duke vazhduar deri në kohën tonë me shkatërrimin e ish-Jugosllavisë. Të gjithë jemi dëshmitarë për rolin e KOS-it në mbeshtetje  të luftës gjenocidale kundër Kroacisë(1991-1995), Bosnjës(1992-1995) dhe Kosovës(1990-1999). Ndonëse në statutin e saj nuk përcakton përmbajtje politike KOS-i, si institucion fetar, si më parë edhe tash është duke luajtur rolin parësor politik, në skenën politike ballkanike, ekskluzivisht për interesa të politikës ekspansioniste serbe.

Në këtë aspekt në sulm ishin si më parë edhe tash viset shqiptare, ku mali i Rumisë, përkatësisht krahina etnografike e Krajës, së bashku me ujdhesat e liqenit të Shkodrës, ishin në shënjestër të politikës klerikale serbe. Kujtojmë këtu, më parë kolonizimin e ujdhesave në liqenin e Shkodrës me personel ortodoks, si dhe  ndërtimin e objektëve sarkale, vizitat e përvitshme jo vetëm klerikale me 3 qershor të kisha Shën Mërisë në Ostros, e së fundi edhe vendosja e objektit metalik në Rumi, dëshmojnë strategjinë kishtare e politikës serbomadhe. Nuk ka dilemë se organizimi i ceremonive fetare nga KOS-i, nga viti 1990 e më pas  është provokim për shqiptarët si popullsi autoktone, me qellim për të nxitur reagime dhe konfrontime me prapavi politike. 

Kisha metalike u vendos me 18 qershor 2005, në sajë të financimit të KOS-it si dhe ndihmën e helikopterëve  ushtarak “Mi-8”të ushtrisë së Serbisë e Malit të Zi, me bekimin e pushtetit malazias. Një veprim i tillë kishte mbeshtetjen direkte të partive politike serbe, të cilat ishin të pranishëm në vendosjen e saj në Rumi. Dhe nga ajo kohë kemi ndarjën e pikëpamjeve në lidhje me këtë objekt metalik, ku përfaqësuesit e KOS-it e quajnë kishë, ndërsa të tjerët, objekt i llamarinës e cila është provokim i hapur për qytetarët e këtij mjedisi.

Edhe pse  më herët pushteti qeveritar ka marrë vendime për ta larguar atë objekt nga Rumia sepse është i paligjshëm, ilegal dhe me pasoja politike për popullsinë e këtij mjedisi, deri më tash konkretisht nuk është zhvendosur nga aty. Deri, kur do të tolerohet një veprim i tillë, mbetet për të parë, por përgjegjësia direkte bie mbi pushtetin, sepse nuk është duke realizuar në praktikë obligimet dhe vendimet ligjore. Çdo hezitim në këtë aspekt, del qartë mosgadishmërinë e pushtetit për të vepruar, apo ndoshta kemi të bëjmë me ndonjë miratim të  heshtuar ndaj këtij veprimi të KOS-it, që është duke u sjellur sikur shteti në shtet.

Të shqiptarët një veprim i tillë ka irituar opinionin, ku kanë reaguar subjektet politike dhe individë të ndryshëm, sepse Rumija për shqiptarët është mal i veçantë, që bënë pjesë në traditën popullore shqiptare. Ajo në të kaluarën ishte  vend peligrinazhi për shqiptarët, por edhe të përfaqësuesëve  të konfesionëve të tjera, duke mbetur pjesë e vetëdijës së popullit në këtë mjedis. Çdo tentim, për të ndryshuar traditën, përkatësisht vendosjën e një objekti metalik identik me kishë, e ate përmes një subjekti kishtar serb, del qartë strategjia e politikës serbomadhe që KOS-i ka qenë në shërbim të vazhdueshëm të politikës ekspansioniste serbe në ballkan. 

Duhet cekur më këtë rast se më herët në Rumi nuk ka pasur kishë, që dëshmohet edhe nga harta e vitit 1571, ndërsa çdo tentim për të eliminuar të dhënat shkencore në këtë aspekt, nga përfaqësuesit e kishës ortodokse serbe, janë të pabaza dhe irituese për opinionin e gjerë, sepse ka kaluar koha e manipulimeve, sepse çdo gjë është transparente për të gjithë ata që duan të kuptojnë realitetin në këtë mjedis.

Dhe në fund duhet falenderuar autorin i cili trajtoj një temë të veçantë më përkushtim, që është botimi i vetëm deri më tash në gjuhën shqipe. Ndonëse kemi të bëjmë me një çështje e cila ka marrë përmasat e politizimit, dhe me pasoja për qytetarët e mjedisit përkatës, autori nuk spekulon por ka konsultuar një  literaturë shumëdimensionale, duke ofruar përfundime të qëndrueshme. Një libër i tillë meriton të përkthehet edhe në gjuhët sllave, si malazeze apo serbe, sepse kemi të bëjmë më një çështje të politizuar që është  në kundërshtim mbi parimet e tolerancës qytetare e asaj fetare  dhe të demokracisë  si kudo në botën e qytetëruar.

*Hajrudin S.Muja, KISHA E SHERRIT, Botoi:LOGOS-A, Shkup-Prishtinë-Tiranë, 2014

Filed Under: Analiza Tagged With: Kisha e sherrit, Nail Draga

ZGJEDHJE LOKALE ME PËRMASA SHTETËRORE

March 28, 2021 by dgreca

Ndonëse zgjedhjet  në Nikshiq  ishin lokale, në sajë të kohës dhe vendit të mbajtjës së tyre, ata kishin peshë të veçantë, duke marrë përmasa shtetërore,  që u dëshmu me angazhimin e partive politike në vend por edhe të faktorëve relevant nga jashtë, sidomos ata serbë, duke dëshmuar se Mali i Zi vazhdon të jetë mjedis i pakonsoliduar me ambient polarizues politik më përmasa shqetësuese gjeopolitike për vendin dhe regjionin

Shkruan: Nail  Draga

Në asnjë qytet në Mal të Zi, mbajtja e zgjedhjeve lokale nuk ka pasur jehonë sikurse në Nikshiq, i cili është i dyti në vend  pas Podgoricës për nga numri i banorëve dhe elektoratit votues. Angazhimi i subjektëve politike pjesëmarrëse në zgjedhje me lista të veçanta zgjedhore dëshmoi se skena politike në Mal të Zi vazhdon me kursin e më parshëm, me ndarje dhe përçarje politike, në baza nacionale e fetare  kësaj here në popullsinë ortodokse(malazeze e serbe) e cila të përkujton vitët 90-ta të shekullit të kaluar në ish Jugosllavi. Dhe në një atmosferë të tillë të tensionuar  u realizu fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale që i ngjante  një referendumi për popullatën lokale.

Rotacion në pushtetin lokal

Në zgjedhjet lokale në Nikshiq të cilat u mbajtën me 14 mars kanë marrë pjesë 6 lista zgjedhore, ku të drejtë  vote kanë pasur 58.833 qytetarë, ndërsa  këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar 48.160 persona, apo 81.85%. Në sajë të rezultatëve të publikuara nga CEMI,  subjektët politike kanë arritur këto rezultate; DPS  19.293 vota apo 40.40% dhe 18 mandate të  këshilltarëve, Fronti Demokratik(DF) 12.387 vota(25.90%),11 mandate, Demokratët(DCG) 11.094 vota (23.20%), 10 mandate, URA 2138 vota(4.50%) 1 mandat, Narodni Pokret(NP) 1558 vota (3.30%) 1 mandat si dhe SDP, 1269 vota(2.7%) pa mandat këshilltari.

Nga këto të dhëna del së partia që ka fituar më shumë mandate është DPS-i e cila kësaj here ka pasur në koalicion edhe disa subjekte të vogla(SD, LP dhe PK), dhe ka fituar 18 mandate të këshilltarëve në pushtetin lokal, por të pamjaftueshëm për shumicën parlamentare lokale prej 41 këshilltraësh. Nga ana tjetër të gjitha subjektet tjera  politike kanë marrë  gjithsej 23 këshilltarë që së bashku do të formojnë pushtetin lokal, duke e larguar nga aty  pas njëzet vitëve DPS-in. Pasi, dy partitë kryesore të opozitës DF e DCG kanë së bashku 21 këshilltarë  që janë të mjaftueshëm për të udhëhequr pushtetin lokal,  iu mbetët atyre të  për t’i ftuar edhe dy partitë tjera(me nga 1 këshilltarë) që t’iu bashkangjitën shumicës në parlamentin lokal.

Votimi si në  zgjedhjet parlamentare

Pas zgjedhjeve paralamentare me 30 gusht 2020, ku u realizu në mënyrë demokratike rotacioni i pushtetit pas tridhjetë vitëve ku fitoi ish opozita parlamentare, provimi i parë i shumicës së re parlamentare ishte në Nikshiq, më 14 mars me rastin e zgjedhjeve lokale. Ishte ky një rast tipik për të dëshmuar seriozitetin e zgjedhjeve parlamentare, se ato nuk kanë qenë të rastit, por të vetdijës politike të qytetarëve se janë përkushtuar për ndryshim të pushtetit. Dhe ate që e realizuan me 30 gusht 2020, e përseritën në Nikshiq, duke dëshmuar edhe këtu shumicën në parlamentin lokal, duke bërë rotacionin e pushtetit lokal të cilin e ka pasur  DPS-i për njëzet vite. Fitorja e opozitës lokale në Nikshiq, dëshmon se nuk është rastësi por vazhdim i kursit politik të qeverisjës se re  edhe në këtë qytet i cili për nga pesha politike e numri i banorëve është i dyti në Mal të Zi, pas Podgoricës. 

Barometri tregues i zgjedhjeve

Si barometër tregues të rezultatit të tyre zgjedhjeve lokale shërbejnë zgjedhjet paralamentare të 20 gushtit 2020, ku krahasimi për këtë periudhë kohore dëshmon disponimin të elektorati votues në mbeshteje të subjektëve politike pjesëmarrësi në zgjedhje.

Në këtë aspekt partia e DPS-it e cila ka pasur pushtetin lokal për njëzet vjetë, ndonëse ka humbur pushtetin që ishte paralajmëruar me zgjedhjet parlamentare, megjithate arriti të ruaj elektoratin votues(40,40%) edhe pse më një rënie prej 294 votash, duke mbetur subjekti më i votuar në këtë qytet.

Nga ana tjetër ndonëse ka pasur mbeshtetje logjistike nga Beogradi zyrtar e gjetiu, Fronti Demokratik(DF) edhe pse është pritur të përsërisë rezultatin  e 30 gushtit 2020, ndodhi e kundërta sepse pësoi  rënie  nga 37,46% në 25,9%, apo  për 5685 vota.  Ndërsa e kundërta ka ndodhur me Demokratët(DCG) të cilët nga 14,32% arritën në 23,37% përkatësisht  u rritën për 4.257 vota, duke qenë befasia e tyre zgjedhjeve. Nga ana tjetër rezultat identik me zgjedhjet parlamenatare ka pasur edhe URA, ndërsa SDP mbeti jashtë pushtetit lokal, që ishte  paralajmëruar që në zgjedhjet parlamentare, si parti e vogël pa mbeshtetje në elektoratin votues. 

Zgjedhjet lokale të mbahën për një ditë

Ka kohë që në lidhje zgjedhjet lokale në Mal të Zi subjektët politike por edhe analistë të ndryshëm kanë shprehur mendimin se do të ishte e arsyeshme që ata të mbahën për një ditë, sikurse mbahen zgjedhjet parlamentare. Dhe një qendrim i tillë arsyetohet me faktin se në sajë të rrjedhave aktuale  politike, pothuaj në çdo vit do të kemi zgjedhje lokale, andaj, për të elimiminuar një dukuri të tillë, është të udhës që të punohet në këtë drejtim nga ana e faktorëve politikë, sepse qytetarët janë të ngopur me zgjedhje.

Ligj i veçantë për zgjedhjet lokale

Pikërisht, në këtë aspekt në kuadër të Komisionit për reformën zgjedhore duhet të trajtohet çështja e zgjedhjeve lokale. Bëhët më dije se ky komision do të punojë deri në fund të qershorit, andaj ekziston kohë e mjaftueshme në këtë drejtim. Por, për të arritur këtë qellim, duhet të ekzistojë vullneti politik i pushtetit, por edhe i opozitës parlamenatare, sepse për tu votuar në parlament duhet mbeshtetja e 54 deputetëve. Në lidhje me këtë çështje ekziston ideja e miratimit të ligjit të veçantë për zgjedhjet lokale, që do të ishte risi në jetën parlamenatare pluraliste. Po ashtu risi do të jetë edhe votimi me lista të hapura, duke iu mundësuar qytetarëve që të votojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë përfaqësuesit  e tyre e jo si deri më tash që janë votuar listat e partive politike. Një veprim i tillë do të ishte në favor të qytetarëve dhe të demokracisë pluraliste.

Relaksim për qytetarët

Nëse do të realizohej kjo ide, do të ishte një relaksim për qytetarët dhe skenën politike në Mal të Zi, sepse do të ishte në favor të uljes së tensioneve politike dukuri kjo e pranishme kur kemi zgjedhje të veçanta për një komunë, ku rasti i Nikshiqit është shëmbull tipik i kësaj dukurie. Andaj, mbajtja e zgjedhjeve lokale në një ditë, do të ishte në favor të eliminimit të dukurive të tilla, por edhe të konsolidimit të skenës politike dhe  elektoratit votues në tërë vendin.

(21 mars 2021)

Filed Under: Politike Tagged With: Nail Draga, permasa shtetrore, zgjedhjet lokale

Regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi shtyhet për në fund të vitit

March 19, 2021 by dgreca

Ndonëse ishte parashikuar që regjistrimi i popullsisë  të mbahet në muajin prill, bëhet më dije së  për shkaqe financiare dhe në mungesë të ligjit për  regjistrimin e  popullsisë ai do të mbahet në fund të vitit, nga del se pushteti aktual nuk ka pasur mundësi praktike të ballafaqohet me këtë proces me peshë shumëdimensionale shtetërore, që është dëshmi e raportëve  shoqërore në këtë mjedis të pakonsoliduar

Nail  Draga

Nga konstituimi i qeverisë së re nga ish opozita e mehershme, e cila është e dominuar me pjesëtarë nga popullsia serbe, përveç marrjës së pushtetit në sajë të fitorës së zgjedhjeve  me 30 gusht 2020, një ndër çështjet e tyre programore është edhe regjistrimi i popullsisë. Madje ata e cekin haptas se kjo  do të jetë fitorja e dytë e tyre, duke dëshmuar se regjistrimet e më hershme kanë qenë farsë e pushtetit, dhe  diskriminuese, sepse nuk kanë treguar gjendjen reale   në këtë mjedis.

Regjistrimi si proces statistikor e jo politik

Pikërisht, në lidhje me këtë çështje nëse analizojmë të dhënat në regjistrimet e popullsisë në Mal të Zi pas Luftës së Dytë Botërore(1948-1991) për kohën e monizmit, popullsia serbe është paraqitur në mënyrë simbolike, që nuk ka treguar realitetin demografik në aspektin nacional. Por, në këtë aspekt për serbët u bë kthesë e madhe në regjistrimin e vitit 2003 e 2011, duke dëshmuar se  regjistrimet e mëhershme kanë qenë të programuara me qellime të caktuara nga ana e pushtetit. Sepse nuk mund të quhet ndryshe e dhëna se serb në aspektin kombëtar në vitin 1948 janë deklaruar 1.78%, ndërsa malazez 90.67%, ndërsa në vitin 2003, serb janë deklaruar 31.99%, ndërsa malazez   43.16%. Këto të dhëna janë të mjaftueshme për të kuptuar realitetin demografik në Mal të Zi, sepse për këtë periudhë kohore(1948-2003), numri i serbëve është rritur për 30.21%, ndërsa i malazezëve ka rënë për 47.51%, që është dëshmi transparente e manipulimit të pushtetit me strukturën nacionale të popullsisë në këtë mjedis. 

Në këtë aspekt nuk kanë bërë përjashtim as shqiptarët, boshnjakët e kroatët. Andaj në rrethana të reja shoqërore e politike regjistrimin e ardhshëm të popullsisë duhet trajtuar si proces statistikor e jo politik. Vetëm me një qasje të tillë do të kemi një realitet tjetër demografik, duke e paraqitur strukturën reale në këtë mjedis multinacional si nder më të veçantit në regjion.

Eurostat-i nuk do të përcjellë regjistrimin e popullsisë

Bëhet me dije se EUROSTAT-i(Drejtoria gjenerale e Komisionit Evropian për Statistikë) nuk do të përcjellë në terren regjistrimin e ardhshëm të popullsisë në Mal të Zi, edhe pse ky institucion në vitin 2011 ka qenë pjesërisht i kyçur në përcjelljen e regjistrimit në Mal të Zi.

Niveli i kyçjes atëherë ka qenë në formën e monitorimit, përmes të ashtuquajturës “vlerësimi të ekspertëve”, ku ekspertët e angazhuar i ka miratuar EUROSTAT-i, që kanë qenë në terren gjatë regjistrimit. Por, kësaj here, bëhet më dije së nuk është planifikuar që Eurostat-i të mbikëqyr regjistrimin e popullsisë në Mal të Zi(apo në ndonjë vend tjetër) njoftojnë nga ky institucion evropian.

Siç kanë theksuar, kjo nuk do të thotë së Eurostat-i nuk është i kyçur, sepse ata do të japin këshilla vendëve, me kyçje përmes grupit punues për regjistrimin e popullsisë dhe banesave, ku marrin pjesë vendet në procesin e zgjerimit të BE, marrin pjesë si vëzhgues dhe kanë përfitime nga diskutimet dhe këshillimet teknike të paraqitura gjatë takimeve.

Megjithate, Eurostat-i do përcjellë përgatitjet për regjistrim dhe do të vazhdojë të përcjellë zhvillimet aktuale njoftojnë nga ky institucion.

Mos miratimi i buxhetit dhe ligjit për regjistrimin e popullsisë

Sipas informacioneve që disponojmë në Mal të Zi praktikisht është e pamundur të realizohet regjistrimi i popullsisë në muajin prill, sipas paralajmërimit të mëhershëm.  Si shkak  praktik në lidhje mbi këtë çështje është  vendimi për financimin e përkohshëm, sepse buxheti për këtë vit nuk është miratuar. Ndërsa përveç buxhetit, pengesë  tjetër është edhe mos miratimi i ligjit për regjistrimin e popullsisë deri në këtë moment, ndërsa nuk duhet të anashkalohet edhe   gjendja e pavolitshme epidemiologjike nga ana e koronavirusit  në Mal të Zi.

Në Maqedoni të Veriut  mbahët regjistrimi i popullsisë

Në regjion regjistrimi i popullsisë  pas 19 vitëve do të mbahet në Maqedoni nga data 1-21 prill, ku përveç popullsisë rezidente do të regjistrohet edhe ajo në diasporë. Madje në këtë aspekt diaspora është njohtuar se mund të aplikojë në mënyrë elektronike, duke iu mundësuar regjistrimin pa pengesa subjektive.

Pasi kemi të bëjmë me kohën e pandemisë, del qartë se kemi të bëjmë me një regjistrim pandemik, me rrezikshmëri aktive, ku kësaj dukurie duhet shtuar edhe sindromin e besueshmërisë, që është e luhatur vite më radhë. Duke e ditur se regjistrimet e popullsisë në kohën e monizmit në Maqedoni kanë qenë të njëanshme dhe me dyshime sa i përket numrit të shqiptarëve në kuadër të popullsisë së përgjithshme, kësaj here ekziston mundësia e përmirësimit të gabimeve të tilla me regji shtetërore. Sepse numri I shqiptarëve me rreth 25% në popullsinë e përgjithshme nuk është i tillë, por analistët dhe studiuesit e vlerësojnë se ajo është rreth 30-35%. 

Shqiptarët janë 1/3 e popullsisë 

Në favor të një konstatimi të tillë janë edhe  numri i nxënësve shqiptarë si dhe nataliteti i popullsisë shqiptare por edhe disa faktorë të tjerë. Nuk ka dilemë se të  gjithë indikatorët tregojnë se shqiptarët janë më shumë se sa i ka paraqitur statistika  në regjistrimin e fundit, ku regjistrimi i prillit duhet  të eliminojë dilemat e tilla. 

Po ashtu duhet cekur se në këtë numër nuk janë përfshirë shqiptarët etnik të përkatësisë ortodokse në Maqedoni, që minimalisht janë  rreth 70.000 qytetarë. Nëse do të kemi një regjistrim real, do të kemi një paraqitje tjetër në mozaikun nacional në Maqedoni të Veriut, sepse pas Malit të Zi, ky është vendi me strukturë heterogjene multinacionale në regjionin e Evropës Juglindore.  

Nga ana tjetër duke marrë parasysh situatën e pandemisë në Serbi regjistrimi i popullsisë  që është parapa të mbahet në muajin prill,  është shtyrë për në vjeshtë.

Përfundim

Në  Mal të Zi si mjedisi me multinacional në regjion në lidhje me mbajtjën e regjistrimit të popullsisë polarizime të kësaj natyre  ka pasur edhe më parë. Kujtojmë më këtë rast vitin 2001, kur ishte afati të mbahet regjistrimi i rregullt, por u shty dy herë dhe përfundimisht u mbajt në vitin 2003. Por, duke marrë parasysh raportët shoqërore në Mal të Zi në momentin aktual, sidomos pas ndryshimit të pushtetit nga zgjedhjet e 30 gushtit 2020, këtu vazhdon diskursi politik tipik i një mjedisi të pakonsoliduar. Andaj, ndonëse është përcaktuar që regjistrimi i popullsisë të shtyhet për në fund të vitit, nuk do të jetë çudi, që të prolongohet përsëri në sajë të rrethanave politike në vend.

mars  2021

Filed Under: Analiza Tagged With: Nail Draga, te shtyhet

Sistemi i vlerave dëshmi e raportëve shoqërore

March 11, 2021 by dgreca

Çdo shoqëri e cila udhëhiqet nga individë me integritet personal e profesional, bazohet në kultivimin e vlerave, sepse vetëm një shoqëri e tillë mund të ketë qendrueshmëri dhe ofron përspektivë për të ardhmën. E kundërta është kur autokratët e  mediokrit bëhën pjesë e pushtetit, të cilët vuajnë nga kompleksi i inferioritetit, gjelozisë dhe egoizmit që është dëshmi e individëve karrierist të cilët rreth vetës ofrojnë antivlera. Në këtë përmasë patjetër  duhët  vlerësuar meritokracinë, autoritetin  shoqëror dhe profesionalizmin e dëshmuar në mjedisin përkatës, sepse në të kundërtën do kemi zhvlerësim të  vlerave  me pasoja të mëdha shoqërore, në kohën tonë dhe në të ardhmën.

Ese nga Nail  Draga

Nga kohërat më të hershme e deri në ditët tona, janë krijuar vlera të ndryshme shoqërore të cilat janë dëshmi e gjeneratave në mjedisin përkatës. Ndërsa në kohën moderne, sidomos  në pluralizëm ofrohen mundësi të mëdha të shpalosjes së vlerave personale, ku individë te ndryshëm pa vlera përfitojnë në sajë të krizës së përgjithshme  e cila ka kapluar shoqërinë, që është dëshmi e krizës morale, si dukuri me përmasa shqetësuese.

Nëse analizojmë rrethanat shoqërore  në periudhën pos moniste, nuk ka dilemë se pluralizmi ka meritë të jashtëzakonshme në shpalosjen e  individëve ashtu siç janë realisht, e jo të maskuar si në kohën e monizmit, sepse atëherë ekzistonte mimikria, nga friga e pasojave të kohës. Andaj, tani nuk kemi nevojë të pyesim shumë  se kush është kush, çfarë referencash ka, sepse çdo gjë është transparente.

Koha e krizës morale    

Pas ndryshimeve të mëdha shoqërore, me falemintimin e sistemit socialist, koha jonë veçohet me fazën  e tranzicionit e cila  është shumëdimensionale. Nëse deri më tash kemi përjetuar krizën ekonomike e ate  politike, këtyre iu  shtohet edhe një tjetër e ajo është  kriza e moralit. Kemi të bëjmë me këtë kategori shoqërore e cila i tejkalon dy të parat sepse, kanë rënë vlerat njërëzore në nivelin më të ulët. Dhe  nga një gjendje e tillë shoqërore, kemi devijime të mëdha në fusha të ndryshme, si   në punësim, arsim, gjyqësi e sidomos në  politikë. Madje kjoe fundit ka marrë përmasa të çuditshme sepse në politikë askushi mendon së bëhët dikushi.

Sistemi i vlerave dhe pluralizmi 

Në shoqërinë pluraliste, ekzistojnë një numër i konsideruar i subjektëve politike të cilat nuk bazohën në sistemin e vlerave, por të interesit personal apo klanëve të ndryshme, dhe si të tilla nuk janë  të qendrueshme  dhe  pa një të ardhme të garantuar. 

Përvoja e deritashme dëshmon se brenda partive politike  janë krijuar grupe e fraksione, që më vonë janë formu  si parti të veçanta. Shembuj të tillë ka kudo, në kohën e pluralizmit  ku as shqiptarët nuk janë përjashtim në skenën politike ne mjediset e tyre ku veprojnë, sipas legjislacionit vendor.

Veprimet e tilla janë nxitur kryesisht nga qendrimet autoritariste të udhëheqësit partiak, me ambiciet lideriste një herë kryetar duke vazhduar për disa mandate, duke u bërë monoton se nuk ofron më ide dhe si i tillë konsumohet. Po ashtu bie në sy servilizmi sepse rreth vetës ka ofruar individët më të përshtatshëm dhe të dëgjueshëm, ndërsa nga ana tjetër duke injoruar e larguar persona me vlerë si konkurent të rrezikshëm. Nga një qendrim i tillë është paraqitur privatizimi i partisë, si pronë private, apo si shoqëri aksionare, për përfitime materiale etj., duke keqpërdorur demokracinë pluraliste, që është në kundërshtim me interesat e qytetarëve në mjedisin përkatës.

Përfaqësimi dhe prezantimi

Pjesëmarrja në skenën politike ka peshë të veçantë për çdo subjekt politik në mjedisn përkatës. Në këtë aspekt çdo subjekt serioz tenton që në mesin e tyre të përfshijë individë me përgatitje profesionale, autoritet shoqëror dhe me ndikim të elektorati votues. Por, jo rrallë herë në këtë aspekt ka pasur edhe dështime, sepse udhëheqësi partiak, apo stafi i tij i ngushtë, nuk ka zgjedhur me të mirët por më të përshtashmit. Nëse në fillim të pluralizmit, në sajë të pa përvojës diçka e tillë edhe ka mundur të arsyetohet me kalimin e kohës kjo dukuri ishte  negative dhe  me pasoja shoqërore. 

Sepse fjala është të përfaqësimi dhe prezantimi i subjektit përkatës në takime, forume apo organizime të ndryshme. Në raste të tilla, subjekti politik, nuk mund të përfaqësohet nga kushdo sepse duhen individë të përgatitur, me autoritet shoqëror dhe të guximshëm. Nuk ka dilemë se nëse mungon guximi për të prezantuar çështjet ashtu siç duhet, dështimi i takimit është i garantuar. Një qendrim i tillë vlen për ata individë, që janë të autorizuar në partitë politike nacionale, ndërsa për ata të ashtuquajtura  qytetare as që bëhët fjalë.

Andaj, përfaqësimi dhe prezantimi, mbetet çështje e përhershme e cila duhet të jetë preokupuese për çdo subjekt politik. Madje në mungesë të individëve partiak, ata të cilët mendojnë seriozisht për çështje me peshë, takojnë dhe ofrojnë persona nga shoqëria civile, të cilët dallohen me profesionalizmin dhe qendrimin e tyre parimor. Dhe të tillët, nuk qendrojnë aty në mënyrë formale, por prezantojnë çështjet dhe marrin obligime me afate për të gjëndur zgjidhje, të favorshme. Vetëm në këtë formë mund të punohet në avancimin e çështjeve të cilat janë trashëguar nga e kaluara, që do të jenë në favor të barazisë qytetare e nacionale, sepse në këtë koncept takimet e tilla do të kishin kuptim dhe mbeshtetje nga qytetarët, sepse nuk kemi të bëjmë më çështje personale, apo partiake, por për të gjithë qytetarët e mjedisit përkatës. Në këtë aspekt subjektët politike nacionale kanë obligim dhe përgjegjësi të angazhohen vazhdimisht, sepse çështjet e tilla janë ekskluzive të tyre, si përfaqësuese autentike të shqiptarëve, sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.

Interesi mbi parimet

Sistemi i vlerave eliminon interesin personal  apo të klanëve të ndryshme. Sa është vepruar në këtë drejtim, dëshmon sasia e partive politike të shqiptarët, përkatësisht formimi i partive politike me qellim për të dëshmuar se janë dikushi në politikë. Sepse  moto kryesore nuk janë parimet por përfitimete ndryshme duke mos anashkaluar ata  materiale. Ndërsa të flasesh për idealët e dikurshme, tash është iluzion që i takon së kaluarës, dhe nuk mund të kuptohet nga gjeneratat e tashme, të cilët janë të angazhuar në politikë. Madje koalicionet e arritura në nivele lokale e ate qendrore dëshmojnë një konstatim të tillë në mënyrë transparente.

Në këto vite të pluralizmit jemi dëshmitarë se disa parti politike ishin me peshë në hapësirën shqiptare por me ndryshimet në udhëheqje ata mbetën vetëm me emrin e kaluar ndërsa sot janë minore, pa ndonjë peshë në skenën politike. Kujtojmë këtu  me këtë rast  p.sh. PPD dhe PDSH në Maqedoni të Veriut, apo UDSH në Mal të Zi. Ndërsa LDMZ  nga partia e parë dhe më e madhe e shqiptarëve në Mal të Zi, është dekompozuar tërësisht pa ndonjë peshë politike ndërsa më së shumti   në Ulqin e pësoj PPD, nga ngritja e mënjëhershme(2001) pas dy palë zgjedhjeve u shkri dhe   mbeti vetëm si emër në ish  skenën politike lokale.

Qytetari jo vetëm si votues

Duke pasur parasysh së në rënd të parë  është interesi personal apo të një grupi të ngushtë, subjektet politike qytetarin e trajtojnë vetëm si votues, sepse benifitet i llogarisin  për vete, andaj nuk është për tu çuditur se disa individë vazhdimisht kanë përparësi dhe mbeshtetën nga kryetari i partisë.

Në këtë aspekt nuk ekziston ndonjë model për vlerësimin e vlerave të personave të angazhuar në parti politike, sepse kemi të bëjmë me qasje subjektive. Në vend që si parim duhet të jetë  meritokracia, fatkeqsisht  dominojnë shkaqet tjera si gjelozia, egoizmi por nuk përjashtohen  edhe arsy të  tjera. Dhe nga një qasje e tillë nuk është për të habitur lista për  këshilltarë  apo deputet e cila aprovohet nga subjekti politik me bekimin e kryetarit  për zgjedhje lokale apo qendrore, që në shumë raste ka pasur paknaqësi që është reflektuar më pas që nuk ishte në favor të subjektëve përkatës.

Meritokracia e pa vlerësuar 

Andaj, për ndryshime cilësore në këtë drejtim, fillimisht duhet të vlerësohet qytetari sepse ai nuk duhet të injorohet duke u trajtuar  vetëm si votues, por edhe si person që ka mundësi të zgjedh apo zgjidhet nga të tjerët, në elektoratin votues. 

Vetëm kur të kuptohet dhe vlerësohet qytetari në sajë të komunikimit të drejtëpërdrejt në vazhdimësi e jo një herë në katër vjet, në prag të zgjedhjeve, do të kemi avancim të demokracisë dhe vlerave pluraliste, që fillon me demokratizimin e brendshëm të subjektëve politike. Në këtë përmasë patjetër  duhët  vlerësuar meritokracinë, autoritetin  shoqëror dhe profesionalizmin e dëshmuar, në mjedisin përkatës. Në të kundërtën do kemi zhvlerësim të  vlerave  me pasoja të mëdha shoqërore, në kohën tonë dhe në të ardhmën.

Përfundimisht çdo shoqëri e cila udhëhiqet me individë me integritet personal e profesional, bazohet në kultivimin e vlerave, sepse vetëm një shoqëri e tillë mund të ketë qendrueshmëri dhe ofron përspektivë për të ardhmën. E kundërta është kur mediokrit bëhën pjesë e pushtetit, dhe si të tillë mendojnë se aty do të jenë të përhershëm, që është dëshmi e individëve karrierist të cilët rreth vetës ofrojnë antivlera, me pasoja shoqërore. 

 (Mars  2021)

Filed Under: Opinion Tagged With: Nail Draga, Sistemi i vlerave

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 16
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT